Pacolli

pacolli-daqiq-730x440.jpg
ent ela13:58 | 05/05/2019

Ministri i jashtëm i Kosovës ka shpallur “non grata” homologun e tij serb Ivica Daçiç, duke e cilësuar si fashist dhe ish-zëdhënës të Millosheviçit. Këtë vendim Pacolli e mori pas mohimit të masakrës së Reçakut që Daçiç bëri disa ditë më parë në një intervistë për mediat ruse.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, shpalli person të padëshiruar duke i ndaluar hyrjen në vend, homologun e tij serb Ivica Daçiç. Këtë vendi ai e mori pasi Daçiç mohoi masakrën e Reçakut, ku u vranë nga forcat ushtarake serbe 30 gra, fëmijë e pleq në janarin e vitit 1999. Pacolli u shpreh se për sa kohë fashistët si Daçiçi nuk dënohen nuk do të ketë pajtim Kosovë-Serbi

Në një status në profilin e tij në Facebook, Pacolli shprehet se mohimi i Masakrës së Reçakut nga Dacici, të cilin e ka quajtur zëdhënës të Millosheviçit, është i papranueshëm.

Më tone të ashpra zv/kryeministri i Kosovës shprehet se është i pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës në Recak nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së Millosheviçit në vitet ’90. “Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar”, shkruan Pacolli.

Ai shton se Serbia ka kryer krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Europë që nga nazistët e Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve. Sipas tij arsyeja pse Dacic mohon krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare ka dështuar sjelljen para drejtësisë të atyre që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë.

Ndërkaq lidhur me deklaratat e Daçiçit dhe zyrtarëve tjerë serbë të cilët mohojnë krimet e luftës, Pacolli ka marrë vendimin që të shpallen persona të padëshiruar.

“Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”, shkruan Pacolli.

Në një intervistë me “Vesti Rusia”, Daçiç shprehej ndër të tjera se ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO’s kundër forcave serbe në Kosovë.

“Serbët ishin të lumtur kur Donald Trump fitoi zgjedhjet. Serbët e urrejnë familjen e Clintonit. Kur filluan bombardimet, Clinton, Madeleine Albright dhe Tony Blair arsyetuan në mënyrë të gabuar fillimin e krimeve dhe agresionit të forcave serbe, të cilat nuk janë të vërtetuar në gjykatën ndërkombëtare në Hagë. Ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejt i bombardimeve. Ata në mënyrë hipokrite e quajtën këtë veprim ‘Engjëlli i Mëshirës’”, u shpreh Daçiç. /ABC News Albania 24/7

Pacolli-1280x700.jpg
ent ela15:45 | 05/04/2019

Pas provokimit që iu bë Kosovës  në Beograd ka reaguar ministri I Punëve  të Jashtme i Kosovës Behgjet Pacolli. Ai i bëri apel Bashkimit Europian që të sqarojë qëndrimin e tij ndaj këtyre provokimeve nga Serbia.

Zv. kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka shprehur shqetësimin për ngjarjen e sotme që ka ndodhur në Beograd në kuadër të samitit Digjital të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai ka thënë se Serbia ka provokuar Kosovën, ndërsa e ka ftuar BE-në që të sqarojnë pozicionin e vet ndaj provokimeve të tilla.

Behxhet Pacolli ministër i Jashtëm i Kosovës: “Edhe në këtë rast Serbia duke thyer secilën marrëveshje sot ka provokuar në mënyrë organizative duke thyer çdo rregull te ministrat perëndimor”.

Sipas tij këto provokime janë kundër Pavarësisë së Kosovës.

Behxhet Pacolli  ministër i Jashtëm i Kosovës: “Gjatë këtij sesioni organizatorët ndalojnë mikrofonat dhe i kalojën fjalën dikujt nga publiku. Aty koncentrohen të gjitha kamerat dhe në monitorët prapa panelistëve del teksti që ai person e lexon. Kanë qenë tekste destruktive, shoviniste. Ne nuk mund t’i pranojmë ato kurrsesi dhe kanë qenë tekste kundër Republikës së Kosovës, kundër Pavarësisë së Kosovës. Një gjë e tillë nuk lejohet”.

Sipas Pacollit në rast se BE-ja nuk e disiplinon Serbinë Kosova nuk mund të jetë partnere në konferenca të këtij lloji. Si rrallëherë Kosova është duke marrë pjesë në Samitin Digjital që po mbahet në Beograd , ku edhe dje u nënshkrua marrëveshja për heqjen graduale të tarifave të romingut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor./abcnews.al

pacolli-1280x681.jpg
G. P.17:44 | 30/11/2018

Në takimin e Ballkanit perëndimor ku kanë qenë të pranishëm ministrat e punëve të jashtme të këtyre vendeve, ndodhi një debat mes minsitrit të Jashtëm kosovar Pacolli dhe homologut të tij boshnjak Crnadak. Mediat kosovare raportojnë se brenda takimit të Ballkanit perëndimor ku ishin të pranishëm ministrat e Punëve të Jashtme, minsitri i Jashtëm i Kosovës Pacolli mes toneve të larta i ka numëruar homologut të tij boshnjak penalizimet që shteti i tij prej kohësh bën ndaj Kosovës.

Ndër të tjera Pacolli theksoi se Bosnje e Hercegovina nuk njeh as targat dhe as vulat e Kosovës, nuk lejon që produktet e Kosovës të hyjnë në Bosnje. Në këtë mënyrë sipas Pacollit, Prishtina vetëm sa ka respektuar reciprocitetin. Ministri boshnjak nga ana e tij i është përgjigjur, duke thënë se këto vendime janë skandaloze dhe në kundërshtim me frymën integruese./abcnews.al

behgjet-pacolli.jpg
ent ela12:57 | 18/11/2018

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli konfirmoi se në axhendën e samitit të Interpolit është konfirmuar si pikë e rendit të ditës votimi i Kosovës për anëtarësimin në këtë organizatë.

Përmes një statusi në Facebook, Pacolli shprehet se ky është një fillim i mbarë dhe se lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terrorizmit është synimi i Kosovës.

Ai ka shtuar se votimi do të ndodhë të martën, më 20 nëntor. /abcnews.al

PACOLLI-PER-PUTIN-1280x720.jpg
ent ela21:41 | 05/10/2018

Ministri i jashtëm i Kosovës Bexhet Pacolli, gjatë një interviste për mediat amerikane, gjatë qëndrimit në Nju Jork, është shprehur se e njeh mirë presidentin rus Putin. Sipas tij lideri i Kremlinit nuk e njeh si duhet situatën në Kosovë e për këtë arsye nuk e njeh as pavarësinë e vendit.

Bexhet Pacolli, ministër i Jashtëm i Kosovës, në një intervistë të dhënë për “Wndispec” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë qëndrimit në Nju jork, ka folur dhe për presidentin rus Putin.

Pacolli ka deklaroi se e njeh liderin e Kremlinit dhe se ai është një burrë I mirë, por nuk e njeh mirë situatën në Kosovë.

Ministri kosovar theksoi se njeh personalisht Putin sepse ka punuar shumë kohë në Rusi. Ai shtoi se ka shumë respekt për popullin rus, dhe e di shumë mirë se Putin është një prej këtyre njerëzve të mirë dhe do ta kuptojë në mënyrë të duhur problemin e Kosovës me Serbinë.

Por Pacolli këmbënguli se Putin i duhet shpjeguar më mirë situate pasi ka shumë keqkuptime, lajme të rreme dhe ngatërresa. Dhe nëse do të ekzistojë kjo mundësi qartësimi për situatën e vërtetë në Kosovë ai do të ndryshojë mendim.

Ai tha se populli i Kosovës nuk po largohet nga atje, dhe Kosova po qëndron si shtet dhe po bashkëpunon me Serbinë gjithashtu. Sipas tij është dhe interesi i Beogradit që të ketë paqe dhe të vendosë marrëdhënie të mira me Prishtinën. /abcnews.al

pacolli.jpg
ent ela10:35 | 14/09/2018

Ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati gjatë vizitës zyrtare në Kosovë është takuar me zyrtarë të lartë , ndërsa ka dalë dhe në konferencë të përbashkët për shtyp me homologun kosovar Bexhet Pacolli.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të ministrit të jashtëm shqiptar Bushati me atë Kosovar Pacolli, ky i fundit ka theksuar disa herë mbështetjen që Shqipëria i jep vazhdimisht Kosovës dhe në rrafshin ndërkombëtar. Pacolli paralajmëroi se pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në muajin nëntor, do të ketë shumë lajme  të mira për shqiptarët

Pacolli: Në nëntor do kem takimin e radhës mbledhjen e dy qeverive në Pejën e bukur dhe lajme të mira nga konkluzionet e këtij takimi.

Ministri i jashtëm kosovar konfirmoi se pas pak ditësh do të udhëtojë në Nju Jork me homologun Bushati ku do të kenë takime të përbashkëta dhe të rëndësishme me synimin për të përforcuar më shumë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. me tej Pacolli theksoi se Kosova mund të shfrytëzojë ambasadat shqiptare në vendet ku Prishtina nuk ka apo s’mund të ketë përfaqësues diplomatikë.

Pacolli: Ndihma dhe mbështetja e Shqipërisë është jashtëzakonisht e nevojshme. Në kemi misone të përbashkëta në tri pika, në Milano, Mynih e Kopenhagen, puna ka shkuar jashtëzakonisht mirë dhe mund të përdoren si arsye për krijimin e përfaqësive të përbashkëta.

Nga ana e tij ministri Bushati përgëzoi homologun e tij kosovar për liberalizimin e vizave.

 Bushati: Ju vlerësoj pë rkontributirn tuaj të pazëvendësueshëm për liberalizimin e vizave. Është meritë e nëpunësve civilë që kanë ndërmarrë reforma themelore.

Bushati pasi konfirmoi takimin e radhës mes dy qeverive në Pejë në muajin nëntor, pranoi se ka ende pengesa dhe mangësi për sa i përket bashkëpunimit të dy vendeve në fushën e ekonomisë

Bushati: Ka nga ende pengesa, vështirësi si nga qytetarët andej e këndej kufirut. Jemi ende larg asaj zone të përbashkët mes nesh që para shumë vitesh kur ju kam ndjekur, keni qenë ndër të parët që keni evokuar idenë e Ballkanit Perëndimor.

Në fund të fjalës së tij ministri i jashtëm shqiptar Bushati premtoi se pavarësisht fuqisë politike në pushtet në Shqipëri, mbështetja ndaj Kosovës ka qenë dhe do të jetë e padiskutueshme../abcnews.al

SQARON-PACOLLI-BRUKSEL-1-1280x720.jpg
ent ela22:35 | 07/09/2018

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i është lejuar vizita në liqenin e Ujmanit gjatë vizitës që do ta bëjë në Kosovë këtë fundjavë.

“Kemi pasur presion nga BE dhe aleatët, nuk kemi pasur zgjidhje tjetër”, tha Pacolli për mediat kosovare. Ndërkohë, kjo kërkesë e Vuçiç ishte refuzuar më herët nga autoritetet e Prishtinës.

Madje vetë Pacolli nga Brukseli tregoi se ky vendim ishte mollë sherri për anullimin e takimit për dialogun mes dy vendeve. Pacolli sqaroi se nuk ka asnjë motiv që Vuçiç të vizitojë këtë vend, pasi aty nuk jetojnë as shqiptarë e as serbë. Ndër të tjera, përpara konfirmimit të vizitës, paralajmëroi për pasoja të mundshme nëse presidenti serb do të tentonte të vizitonte në mënyrë ilegale liqenin e Ujmanit. /abcnews.al

SQARON-PACOLLI-BRUKSEL-1280x720.jpg
ent ela20:18 | 07/09/2018

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, bëri me dije se presidenti Vuçiç anulloi takimin trepalësh me Thaçin dhe Mogerinin për shkak të ndryshimit në agjendën e vizitës së tij në Kosovë. Sipas zyrtarit të qeverisë së Prishtinës, nëse Vuçiç tenton të hyjë ilegalisht në Kosovë, do të përballet me pasojat.

Takimi i shumëpritur mes presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk u zhvillua. Për arsyen e këtij anullimi pati versione të ndryshme, por Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka treguar për Klan Kosovën, nga Brukseli, se pse nuk ka ndodhur ky takim. Ai sqaroi se arsyeja kryesore lidhet me vizitën që Vuçiç do të zhvillonte në Kosovë.

Behgjet Pacolli, ministër i jashtëm i Kosovës: “Nuk jemi kundër vizitës së tij te Liqeni i Ujmanit, por jo në këtë moment. Nëse vjen një kërkesë tjetër dhe artikulohet arsyeja e vizitës tek Ujmani, do ta konsiderojmë sigurisht, por jo në këtë moment. Ne jemi popull nikoqir i mirë, i duam mysafirët, kemi hapur dyert për këtë vizitë dhe është dashur të kuptohet në mënyrë të drejtë edhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq por duket se ardhja e presidentit tek Ujmani nuk ka qenë krejt konstruktive. Disi është bërë në një mënyrë “mollë sherri” për mosvazhdimin e dialogut sot”.

Ndër të tjera, Pacolli sqaroi se nuk ka asnjë motiv që Vuçiç të vizitojë këtë vend, pasi aty nuk jetojnë as shqiptarë e as serbë, por janë vetëm disa punëtorë që merren me digën. Ai tha se nuk beson që presidenti serb të vizitojë liqenin e Ujmanit në mënyrë ilegale, megjithatë paralajmëroi se edhe nëse kjo ndodh ai do të haset me pasojat e veprimit të tij të paligjshëm. /abcnews.al

vlcsnap-error180-1-1280x720.jpg
us er16:20 | 04/12/2017

Mediat serbe i kanë dhënë një hapësirë të gjerë intervistës së ministrit të Jashtëm kosovar Bexhet Pacolli për Deutsche Welle në gjuhën serbe. Pacolli citohet të ketë thënë, se Serbia nuk ka pse të thotë, se e njeh pavarësinë e Kosovës, mjafton të sillet sikur e pranon.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Bexhet Pacolli, u shpreh në një intervistë për Deutsche Welle se Serbia nuk ka pse të thotë se e njeh Kosovën, vetëm duhet të sillet në atë mënyrë. Mediat serbe citojnë Pacollin kur shprehet se realiteti është që Serbia mund të influencojë rajonin dhe se Kosova ka një kufi të gjatë me Serbinë, e për këtë arsye Prishtina dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë
Pacolli, i cili foli në gjuhën serbe gjatë intervistës, këmbënguli se Serbia duhet të sillet si e vetëdijshme për pavarësinë e Kosovës dhe se shpresonte shumë në normalizimin e marrëdhënieve duke thënë se Kosova nuk ka reaguar ndaj provokimeve të muajve të fundit dhe se politikanët serbë lejohen të vizitojnë Kosovën.

Ministri i Jashtëm i Kosovës tha se hera e fundit që kishte vizituar Beogradin ishte në 1998-n kur u takua me Slobodan Milosevic. I pyetur nëse do e vizitonte sërish Serbinë, ai shtoi se ishte takuar me presidentin serb Vuçiç dhe ministrin Jashtëm Serb Daçiç, duke theksuar se nuk ka asgjë kundër tyre dhe se ata ishin treguar të sjellshëm me të. Por nëse do të ketë vullnet të mirë nga kosovarët dhe nga Beogradi ai do të vizitonte sërish Serbinë.

Duke thënë se koha e ndryshimit të kufijve ka përfunduar, Pacolli u shpreh se Kosova as nuk mund të ndahet dhe as nuk mund ti bashkohet një vendi tjetër. Ai nuk preferoi t’i përgjigjej në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjes nëse kishte një plan për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Ai tha se Kosova do të kishte marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet në rajon, sidomos me Shqipërinë me të cilën ka mbledhje të përbashkëta qeverie, lëvizje të lirë pa asnjë pengesë, dokumente të përbashkëta e mbi të gjitha synimin e përbashkët për integrimin europian, të vetëdijshëm se një ditë kufijtë nuk do të kenë asnjë kuptim.

Ai refuzoi ti përgjigjej pyetjes nëse ka paguar që Kosova të njihet si shtet, sidomos nga vende të vogla dhe të varfëra. Pacolli e konsideroi pyetjen banale.
Duke iu referuar faktit që disa vende anëtare të Bashkimit Europian nuk e njohin ende Kosovën, ai tha se nuk është faji i vendit të tij për problemet në Spanjë apo në ato vende që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa për sa i përket marrëdhënieve me Rusinë, Pacolli tha se Kosova është një vend i vogël të cilit i duhen miq. Ai tha se nuk zgjedh blloqe perëndimore apo lindore pasi vendi ka një këndvështrim të hapur. Ministri i Jashtëm kosovar këmbënguli se Kosova s’ka asgjë kundër Rusisë pasi është një vend me vlera, dhe duhet të ketë marrëdhënie të mira mes palëve. Ai ia vuri fajin politikës për faktin që Moska kundërshton pavarësinë e Kosovës duke thënë se është detyrë e politikës kosovare të bindë Rusinë se është gabim në këtë pikë dhe se kosovarët kanë të drejtë të jetojnë në vendin e tyre, duke pasur miq dhe një shtet të pavarur./abcnews.al

vlcsnap-error861-2-1280x720.jpg
us er12:45 | 24/11/2017

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç ka replikuar nëpërmjet rrjetit social të Facebook ndaj zv/kryeministrit dhe ministrit të jashtëm kosovar Bexhet pacolli duke thënë se askush nuk mund ta frikësojë. Pacolli shkruante se qëndrimi i Dacic pasqyronte politikën serbe, atë të shkatërrimit

Ka mjaftuar një status në Facebook i zëvendës kryeministrit të Kosovës Bexhet Pacolli, që ministri i jashtëm serb Ivica Dacic të përsërisë deklaratat e tij të ashpra kundër Kosovës. Dacic ndër të tjera shkruante se Pacolli është nervoz pasi po i dështojnë planet në fushën e politikab etë jashtme. Madje politikani serb shprehet se e mirëkupton Pacolli sepse asgjë për të cilën ka paguar dhe që i është premtuar nuk po realizohet dhë për këtë arsye ai e akuzon se po shkatërron njohjet e Kosovës dhe se vetë politika serbe është shkatërruese

Politikani serb ironizon ndër të tjera duke thënë se është i vogël për të shkatërruar njohjet e Kosovës por në të njëjtën kohë shumë i madh që të frikësohet nga dikush. Madje ai sfidon Pacollin duke e pyetur se nëse është aq i vogël atëherë pse Kosova nuk arriti të anëtarësohet në UNESCO apo INTERPOL, dhe pse e anuluan njohjen Surinami dhe Guinea Bisao. Dacic e mbyll reagimin e tij duke thënë se sa më shumë mërzitet pacolli aq më shumë kënaqet ai.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Pacolli kishte shkruar në Facebook se paralajmërimet e Daçic për tërheqjet e njohjes së Kosovës ishin “përpjekje donkishotiane” si dhe rezultat i sindromit dhe politikës që përfaqëson atë të të shkatërrimit dhe rrënimit. Pra kjo është ajo që përfaqëson Daçiq”, ka shkruar Pacolli në Facebook./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono