OSHEE

belinda-balluku123.jpg
G. P.15:35 | 30/07/2019

Është sistemuar furnizimi me energji në fshatin e Kaninës në Vlorë. Gjatë inspektimit të këtij investimi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka nënvizuar mbështetjen që po i jepet fshatrave me potencial turistik.

Më shumë vëmendje ka marrë Fshati i Kaninës pas përfshirjen në paketën “100 Fshatra”. Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku inspektoi investimin që jo vetëm i siguron furnizim të rregullt me energji elektrike por mbështet edhe sektorin e turizmit në këtë zonë.

“Qyteti i Vlorës ka një kohë turizmi, e cila pak a shumë zgjat nga Prilli deri në Tetor, kështu që ndryshon dhe kërkesa e konsumatorit. Pra rritet në mënyrë të ndjeshme në këto gjashtë muaj. Absolutisht ne po bëjmë të gjitha përpjekjet në të gjitha vendet turistike për të ofruar të njëjtin shërbim si gjatë dimrit ashtu dhe gjatë verës, pavarësisht se kapacitetet rriten shpesh herë edhe më shumë se dyfishi”.

Investimi i OSHEE-së dhe bankës Botërore ka kushtuar 145 milionë lekë,që do tu shërbejë 400 abonentëve, familjarëve dhe bizneseve. Zona e Kaninës furnizohej me rrjet 6kV, ndërtuar 40 vjet më parë, tejet i amortizuar dhe jashtë kushteve teknike.

Banorët merrnin energji elektrike me cilësi të dobët përmes kabinave të vendosura në shtylla me mjete rrethanore dhe përbënin rrezik për abonentët./ABC News Albania 24/7

BALLUKU-PER-ENERGJINE.mpg_snapshot_00.04-1280x720.jpg
ent ela11:32 | 07/05/2019

Një miliard lekë është investimi që ka nisur Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Tiranë. Sipas ministres së infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku, në kryeqytet jo vetëm do të rritet cilësia e furnizmit me energji elektrike por do të ulen edhe humbjet në rrjet.

Po ndërhyet në kabinat që janë ndërtuar kryesisht gjatë viteve ’90. Investimi 1 miliardë lekë parashikon të përmirësojë furnizmin me energji për banorët e Tiranës por edhe fshatrat përreth.

Drejtori i OSHEE-së Tiranë, Klevis Jahaj:  “Ky investim kap vlerën e 1.1 miliardë lekëve dhe përfshirën rreth 250 mijë abonentë të OSHEE-së të cilët do të përfitojnë nga ky investim dhe normalisht do të ndikojë qoftë në cilësinë e furnizimit me energji elektrike por gjithashtu dhe në tregues të tjerë, atyre të humbjeve. Gjithashtu 10 fiderët e rinj të cilët po shtohen nga nënstacioni i Selitës dhe ai i Traktorit do të bëjnë që të normalizojë mbingarkesën që kanë fidrat aktual në momentet e pikut”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku: “Kërkesa për energji në Tiranë arrijnë në 37 përqind të kërkesës kombëtare. Sigurisht i gjithë investimi që OSHEE ka bërë deri më sot ndikon ndjeshëm jo vetëm në uljen e humbjeve në rrjet për Tiranën, nga 35% që ka qenë në vitin 2014, sot është 16.8%, pra katër-mujori i parë i 2019-ës është vërtetë diçka për t’u shënuar, por nga ana tjetër sigurisht duke qenë se është më shumë se 1/3 e tregut të kërkesës së energjisë elektrike, investimet që kryhen në rrjetin e Tiranës janë investime që ndikojnë direkt në performancën e OSHEE-së dhe të gjithë sektorit energjetik”.

Përmes rikonstruksionit të kabinave synohet vendosja e pajisjeve bashkëkohore, duke zëvendësuar teknologjinë e vjetër. ¼ e kabinave të reja do të përshtaten me teknologjinë (telekomandim në distancë, monitorim online dhe transmetim të dhënash). Këto kategori kabinash rrisin sigurinë dhe shpejtësinë e manovrimeve në rast defektesh ose mbingarkesë në rrjet. Brenda muajit qershor investimet do të nisin edhe në zonat rurale të Tiranës. / ABC News Albania 24/7

lezhe-1-1280x708.jpg
G. P.14:45 | 24/02/2019

Në Lezhë disa pemë rrezikojnë seriozisht jetën e banorëve. Ndërhyrja për prerjen e tyre nga ana e bashkisë është e pamundur, pasi në këto pemë ndodhet rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike.

Era e fortë rrëzoi një pemë të shtunën në dalje të Lezhës përgjatë superstradës në drejtim të Tiranës. E gjitha u mbyll vetëm me ngadalësimin e lëvizjes se mjeteve. Por solli në vëmendje problematikën e vazhdueshme në të njëjtën zonë. Atë të frikës së rënies së të tjera pemëve akoma më të mëdha.

Ndërhyrja për prerjen e tyre është e pamundur pasi në këto pemë ndodhet rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike. Drejtori i Shërbimeve në Bashkinë Lezhë, Ndue Lushi, ka thënë për mediat se vazhdimisht i është bërë kërkesë zyrtare OSHEE, por pa marrë përgjigje pozitive. Sipas tij duhet ndërhyrje e menjëhershme që të shmanget rreziku i jetës për kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve.

Ndue Lushi: Kabullat e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike janë vendosur mbi pemë, dhe kanë penguar bashkinë për të ndërhyrë për të hequr këto plepa. Është e disata herë dhe me shkresa zyrtare që i jemi drejtuar filialit të i jemi drejtuar filialit të OSHEE Lezhë për sistemimin e këtyre kabullave të energjisë elektrike.

Prej 1 viti, bashkia e Lezhës i ka kërkuar OSHEE të mundësojë sistemimin e kabllove elektrike që ndodhen të vendosura mbi këto pemë. Kjo i jep mundësi shërbimeve për prerjen e tyre dhe largimin e rrezikut.

Nga ana e saj, OSHEE është përgjigjur se po merret me këtë çështje që kërkon jo vetëm largimin e rrjetit, por investim për vendosjen e tij në të tjera dimensione./abcnews.al

OSHE-KORCE-1280x720.jpg
ent ela15:11 | 30/12/2018

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike ka instaluar në Korçë nënstacionin lëvizës. Veç kësaj në n/stacionin Korçë u vendos edhe një transformator për të siguruar furnizimin me energji elektrike jo vetëm për qytetin e Korçës, por për të gjithë rajonin. Operacioni është kryer gjatë natës nga Drejtoria e Tensionit të Larte  pranë OSHEE . Kjo vjen si masë mbrojtëse pas dëmtimit të transformatorit disa ditë më parë i cili la në errësirë qytetin e Korçës. Për mbarëvajtjen e rrjetit elektrik kompania ka shtuar përforcime në terren duke stacionuar në pika kyçe rreth 1500 punonjës në gatishmëri të plotë. /abcnews.al

fierza.jpg
G. P.22:30 | 25/12/2018

Moti i thatë dhe me reshje të pakta ka ulur ndjeshëm nivelin në kaskadën e Drinit. Niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës ka arritur në 267 metra, 22 metra më poshtë se në fillim të vitit dhe afro 30 metra më pak se kuota më e lartë që regjistroi Fierza në muajin Maj.

Prodhimi mesatar i energjisë elektrike arrin në 12 mijë megavat orë në ditë. OSHEE ka nisur importin për mbulimin e nevojave të konsumatorëve me energji elektrike. Në fillim të Dhjetorit kompania e shpërndarjes finalizoi një procedurë blerje e cila i kushtoi 12.7 milion Euro, ndërsa ka zhvilluar një tjetër tender për blerjen e 81 mijë megavat orë energji.

Moti i keq jo vetëm që ka prekur sektorin e prodhimit të energjisë, por disa zona në vend kanë patur ndërprerje të energjisë elektrike. Më i prekuri është rajoni Korçës, ku pati një djegie të transformatorit në nënstacionin  e këtij qyteti dhe disa zona mbetën pa energji elektrike. OSHEE njofton se energjia është rikthyer në disa fshatra, dhe po punohet për vendosjen e një transformatori të ri brenda të mërkurës. Ndërprerje të energjisë ka patur edhe në rajonin e Burrelit, Kukësit dhe Shkodrës, por koha e riparimit të këtyre defekteve ka qenë më e shkurtër.

Tv Klan

moti-i-keq.jpg
G. P.22:26 | 25/12/2018

Moti i keq me reshje debore dhe stuhi ere ka shkaktuar problematika me furnizimin me energji elektrike në disa zona të vendit si në Korçë, Burrel, Kukës, Lezhë dhe Shkodër. OSHEE njofton se ka angazhuar në terren rreth 1500 punonjës për të shmangur avaritë dhe për të garantuar furnizimin me energji gjatë festave.

Moti i keq gjatë 24 orëve të fundit me reshje bore dhe stuhi ere në zonat verilindore ka shkaktuar problematika në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në disa zona të vendit. Sipas OSHEE gjatë orëve të fundit nënstacioni i Korçës pësoi avari duke sjellë mungesë të energjisë për disa zona të qytetit si dhe në zonat e Dardhës e Voskopojës, por pas ndërhyrjeve të brigadës së OSHEE situata u normalizua brenda 2 orësh.

Brigada e Tensionit të Lartë të OSHEE-së ka nisur drejt Korçës një transformator të ri, për ta vënë në punë dhe stabilizuar situatën brenda paradites së ditës së mërkurë. Po sipas OSHEE mësohet se moti i keq ka shkaktuar defekte edhe në zonat e Burrelit, Kukësit, Lezhës dhe Shkodrës. Defektet më të shumta janë shkaktuar në zonat rurale, ku nga raportimet e punonjësve në terren, mësohet se janë këputur përcjellësa, janë dëmtuar kabllo e shkarkuesa për shkak të motit të keq./abcnews.al

 

energjia-elektrike.jpg
G. P.21:33 | 15/12/2018

OSHEE nuk do të kërkojë ndryshim të çmimit të energjisë për abonentët familjarë. Në propozimet që do t’i dërgohen Entit Rregullator të Rnergjisë rritje ka kërkuar vetëm Operatori i Transmetimit të Energjisë.

Edhe për vitin 2019 çmimi i energjisë nuk ka gjasa që të ndryshojë.

Televizioni Klan ka mësuar nga burime zyrtare se kompania e shpërndarjes së energjisë nuk do të kërkojë tarifë tjetër për konsumatorin familjar nga ajo 9.5 lekë për kilowatt orë që është sot.

OSHEE akoma nuk ka dërguar aplikimin për çmimin e ri të energjisë në Entin Rregullator, ndërsa Operatori i Sistemit të Transmetimit kërkon rritje të tarifës për transmetimin e saj në tensionin e lartë me 46%, nga 0.75 në 1.39 lekë për kilovat.

Tashmë mbetet në dorën e Entit Rregullator të Energjisë miratimi i tarifave, por gjithçka do të varet edhe nga çmimi i energjisë që do të vendosë për kompaninë e prodhimit të saj, KESH, qeveria.

Ka 4 vjet që çmimi i energjisë në Shqipëri për klientët familjarë dhe bizneset nuk po ndryshon, ndërsa kompania e shpërndarjes ka arritur që në këto vite të përmirësojë performancën e saj financiare dhe të realizojë fitime neto në vlerën e 300 milion dollarëve, para që kanë shkuar për të rritur planin e saj të investimeve.

Ky vit pritet që të mbyllet me 35 milionë dollarë fitim për OSHEE-në, por burime nga kompania thonë se të gjitha do të shkojnë për të rritur investimin në rrjetin e shpërndarjes së energjisë./abcnews.al

banore.jpg
G. P.13:51 | 25/11/2018

Në Tale të Lezhës energjia mungon herë pas here, por banorët protestojnë se po mbifaturohen. Ata thonë se nuk ka as elektriçist që të merret me defektet që shkaktohen nga një rrjet krejtësisht i amortizuar.

Ata thirrën gazetarët për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me situatën e energjisë.  ABC News kërkoi një deklaratë nga Operatori i Shpërndarjes së energjisë elektrike në Lezhë por nuk e mori atë. Operatori në Lezhë u justifikua se nuk mund të fliste për situatën dhe se kjo është kompetence e Drejtorisë së Përgjithshme.

Banorët kanë nënshkruar edhe një peticion me shqetësimet e tyre dhe nevojën e ndërhyrjeve që do t’i dërgohet Ministrisë së Energjetikës. /abcnews.al

RAMA-OSHEE.mpg_snapshot_00.21-1280x720.jpg
G. P.17:35 | 13/11/2018

Nga puna në nënstacione e deri në rezultatet e prodhimit të HEC-ve do të bëhet on line. Ky është sistemi më i ri që ka instaluar operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike për cilin janë investuar 187 milionë lekë.

Gjithçka do të monitorohet on line në dispecerinë qendrore të OSHEE. Nënstacionet, parandalimi i defekteve, monitorim dhe manovrim të rrjetit elektrik, fiderave dhe kabinave, si dhe monitorim e operim online të prodhimit të HEC-ve. Ky është sistemi SCADA për të cilën OSHEE ka investuar 187 milionë lekë.

Ardian Çela, drejtor i OSHEE: “Fillojmë me 6 nënstacione. Aktualisht janë 3, brenda javës tjetër bëhen 6 (Tirana Qendër, Selitë, Kashar) dhe monitorohen të gjitha online. Shmang defektet, ngarkesat dhe koha e operimit është shumë e shpejtë. Ne parashikojmë që brenda dhjetorit të shkojmë në 12 nënstacione. Brenda vitit 2019 ne pretendojmë të shkojmë në mbi 50 nënstacione, që, (në total ne kemi 170) 60 nënstacionet kryesore të të gjithë vendit ne t’i monitorojmë nga këtu, në kohë reale,” deklaroi kreu i OSHEE-së.

Ambientet e reja të dispecerisë qendrore të OSHEE i pa edhe kryeminstri Edi Rama të cilin e siguruan se qytetarët nuk do të presin me orë për të marrë një shërbim.

“Paguanim 420 mijë euro në vit qira në dy pallate dhe njerëzit prisnin në garazh të makinës. S’kishim as server, as ambiente pritjeje të publikut, as arkiv, absolutisht asgjë. Për çdo mbledhje nuk kishim ambiente, duhet të dilnim jashtë kompanisë. Tani i kemi këtu. Të gjitha këto janë me 4.5 milionë dhe me TVSh brenda, 10 mijë metra katrorë. Kushtet nuk krahasohen.”

Në vitin 2019, operimi me sistemin SCADA do të shtrihet edhe gjerë, ku në Tiranë do të jenë 250 kabina të automatizuara nga 30 që janë sot./abcnews.al

oshee-1280x764.png
G. P.12:04 | 01/11/2018

Konsolidimi i reformave, sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, po jep efekte dhe po shëndosh financiarisht kompanitë publike.   Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike tha ministri ka vendosur një rekord historik në humbjet e energjisë elektrike.

Nga zyra e kujdesit ndaj klientit në Kukës, ministri deklaroi se për nëntë muajt e parë të vitit ato arritën nën 24%. Kjo sipas Gjiknurit i ka bërë kompanitë të afta të përballojnë edhe sfida hidrike pa kërkuar të mbështeten nga buxheti i shtetit siç ndodhte më parë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono