OSBE/OHDIR

kreu-osbeodhir.jpg
nev ila20:05 | 14/06/2019

OSBE/ODIHR ka nxjerrë një raport paraprak për zgjedhjet e 30 qershorit. Në përshkrimin që i bëjnë situatës, nënvizohet se mjedisi politik mbetet i polarizuar dhe se diskursi politik është dominuar përgjithësisht nga pyetja nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore.

Zgjedhjet për kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë në të gjitha 61 bashkitë po mbahen në kushtet e një ndarjeje të thellë politike mes Partisë Socialiste (PS) në pushtet dhe opozitës ku kjo e fundit është tërhequr nga Parlamenti në muajin shkurt.

Është ky përshkrimi që i bën OSBE/ ODIHR në raportin paraprak për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Në këtë raport nënvizohet se në 31 bashki, kandidatët e PS-së për kryetarë bashkie garojnë pa kundërshtarë. Kodi Zgjedhor nuk përmban asnjë rregullim specifik për zgjedhje pa kundërshtarë.

Opozita u tërhoq në dhjetor 2018 nga procesi i reformës zgjedhore që rifilloi pas zgjedhjeve parlamentare të 2017-ës thuhet në raportin e OSBE/ODIHR.

Më 10 qershor, Presidenti dekretoi shfuqizimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Më 11 qershor, PS-ja inicioi një debat në Parlament në lidhje me vlefshmërinë e dekretit që shfuqizonte dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe shkarkimin e mundshëm të Presidentit.

Mjedisi politik mbetet i polarizuar. Diskursi politik është dominuar përgjithësisht nga pyetja nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore. Gjuha e përdorur nga kundërshtarët politikë në mitingje, në mediat sociale dhe në median e shkruar dhe elektronike është shpesh e ndezur dhe e mbushur me akuza dhe kundërakuza./ABC News Albania 24/7

LAjcak-1.jpg
nev ila11:15 | 03/06/2019

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj priti në një vizitë zyrtare homologun e tij sllovak, Miroslav Lajçak. Në përfundim të takimit, përmes një konference të përbashkët, ministrat e jashtëm zbardhën pjesë të bisedimeve.

“Përpos marrjes së drejtimit të osbe-së, ne kemi diskutuar edhe për relacionet bilaterale mes Shqipërisë dhe Sllovakisë, shumë shpejt presim mbajtjen e komisionit të përbashkët ekonomik mes dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin edhe më tej në fushën tregtare dhe ekonomike. Kemi diskutuar edhe për rrethanat e brendshme në shqipëri dhe për sjelljen e opozitës në veçanti”, deklaroi Cakaj.

Ministri i jashtëm sllovak theksoi se politika shqiptare sot është maturuar mjaftueshëm sa t’i zgjidhë vet problemet e saj, por kjo zgjidhje, sipas tij, mund të vij vetëm përmes dialogut.

Dëshiroj të theksoj se institucionet e forta me një parlament efikas në themel janë gurët the,elorë të demokracisë dhe janë të qenësishëm për stabilitetin politik dhe shtetit ligjor. I nxis të gjithë aktorët politikë të angazhohen plotësisht dhe të kontribuojnë në funksionimin dhe forcimin e këtyre institucioneve. Protestat paqësore janë një e drejtë themelore e qytetarëve tanë që duhet respektuar. Trazirat nuk duhet të zëvendësojnë angazhimin demokratik përkundrazi ato heqin cdo shans për dialog. Dua të them shumë hapur se vazhdimi i protestave të dhunshme do të dëmtojë përpjekjet e Shqipërisë për reforma dhe padyshim do të pengojë realizimin e përparësive të saj të brendshme dhe ndërkombëtare. E vetmja mënyrë për të arritur përparim dhe për të gjetur zgjidhje është përmes dialogut konstruktiv. Forcat politike në vend janë të pjekura dhe të zhvilluara aq sa duhet për ta zgjidhur vetë pa ndërhyrje të jashtme”, deklaroi Lajcak.

Për ministrin e jashtëm shqiptar, detyrimi i qeverisë shqiptare për ruajtje të standartit demokratik, përfundon me krijimin e kushteve për subjektet që duan të regjistrohen në zgjedhje.

Dua të sqaroj diçka, qeverisë dhe Shqipërisë në përgjithësi i takon të garantojë se secili subjekt i interesuar për pjesëmarrje në zgjedhje, mund të marrë pjesë në to pa asnjë pengesë objektive por në rast se grupe të caktuara politike, vendosin për llogari të tyre të mos marrin pjesë në zgjedhje, kjo nuk do të thotë cenim i karakterit demokratik të zgjedhjeve”, tha Cakaj.

Sa i përket situatës së Kosovës, Lajçak thekson mbështetjen e perspektivës evropiane të saj por jo ato që quan hapa të njëanshëm të ndërmarrë nga Kosova.

“Kur vjen puna te Kosova, po Sllovakia është ndër vendet që nuk e ka njohur pavarësinë e saj dhe kjo është për mënyrën se si u deklarua kjo pavarësi. Por Sllovakia ka mbështetur perspektivën evropiane të Kosovës dhe pozicioni ynë zyrtar nuk është përdorur për të bllokuar progresin e Kosovës. Nuk jemi të kënaqur me hapat e njëanshme të ndërmarra nga autoritetet Kosovare, sidomos me futjen e taksave 100 % të produkteve që vijnë nga Serbia apo Bosnje Hercegovina. Unë besoj që zgjidhja lidhet në progresin e dialogut mes Beogradit e Prishtinës”, tha Lajcak./ABC News Albania 24/7

miroslav-lajcak-1280x721.jpg
nev ila11:00 | 03/06/2019

Ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij Sllovak dhe njëkohësisht edhe kreun e OSBE  Miroslav Lajčák.  Cakaj bëri me dije se në takimin  e përbashkët folën për bashkëpunimin mes vendeve. Lajčák në konferencën e zhvilluar me ministrin Cakaj ka inkurajuar aktorët politikë të vazhdojnë me reformën në drejtësi dhe të punojnë për forcimin e institucioneve demokratike duke e çuar Shqipërinë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Lajčák bëri thirrje të gjithë palëve për tu ulur në dialog dhe tha se protestat e dhunshme nuk e ndihmojnë Shqipërinë të sigurojë një hap të sigurtë drejt integrimit, përkundrazi ato e pengojnë atë. Gjithashtu ministri Cakaj tha se dhuna është e papranueshme për imazhin e vendit.

“Është me rëndësi që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor, duhet të kapërcehen dallimet, të punohet për vendin, problemet të debatohen në parlament dhe është tepër me rëndësi të forcohen institucionet demokratike. Trazirat heqin çdo shans për dialog. Vazhdimi i protestës së dhunshme do të pengojë shqipërinë në rrugën e saj evropiane dhe reformat e saj, rruga e duhur është të uleni në dialog të gjitha palët. Duke bojkotuar zgjedhjet nuk është rruga e duhur, rruga drejt zgjidhjes për opozitën është të zbatojnë rekomandimet që ka bërë OSBE ODHIR”, tha Lajcak./abcnews.al

kreu-osbeodhir.jpg
nev ila09:23 | 25/05/2019

Në Shqipëri, OSBE/ODIHR-i nisi zyrtarisht misionin e vëzhgimit për zgjedhjet lokale 2019. Opozita ka thënë se nuk do të marrë pjesë.

Në një klimë të ndezur politike, në prag të protestës së 6-të kombëtare antiqeveritare të opozitës, që do zhvillohet të shtunën në mbrëmje, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it nisi zyrtarisht punën, të premten, (24.05.2019). Misioni është ftuar nga Qeveria Rama për të vëzhguar zgjedhjet lokale, të caktuara me dekret presidencial të zhvillohen muajin e ardhshëm, më 30 qershor.

Çështja më e nxehtë për procesin zgjedhor të lokaleve 2019 është vendimi i opozitës jashtë parlamentit, e kryesur nga PD, për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje dhe për të mos lejuar zhvillimin e tyre. Ndërkohë përgatitjet për procesin zgjedhor po ecin sipas afateve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Shqipërisë. Në këtë kontekst është edhe ardhja në Shqipëri e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it.

Glover- Sytë hapur për blerje votash

Kryesuesja e këtij misioni, Ambasadorja Audrey Glover, në konferencën për shtyp, të premten, me rastin e fillimit zyrtar të punës së misionit, bëri me dije se ku do të përqëndrohet puna. “Këto janë zgjedhjet e 14-ta që OSBE/ODIHR vëzhgon në Shqipëri. Do të mbajmë sytë hapur për të vëzhguar fenomenin e blerjes së votës apo parregullsi të tjera,” tha ajo .

Akuza për blerje votash në zgjedhjet partlamentare 2017 nga qeveria Rama dhe lidhjet e saj me krimin janë shkaku që ka shpallur opozita për protestat e saj antiqeveritare, të nisura në mes të shkurtit të kaluar dhe i bojkoti i lokaleve 2019. Sipas opozitës, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe  të ndershme më 30 qershor pa rrëzimin e qeverisë Rama, krijimin e një qeverie kalimtare që të garantojë votën e lirë.

OSBE/ODIHR-i nisi zyrtarisht misionin e vëzhgimit për zgjedhjte lokale 2019 në Shqipëri

Sa dhe si janë zbatuar rekomandimet nga misionet e kaluara të OSBE/ODIHR-it?

Vëzhguesit ndërkombëtarë do të kenë në fokus edhe të tjera ҫështje. “Administrimi i zgjedhjeve do të jetë në fokusin tonë. Do të shikojmë sa janë zbatuar rekomandimet e misioneve në zgjedhjet e kaluara. Do të shikojmë edhe pjesëmarrjen e grave dhe pakicave, regjistrimin e votuesve dhe  kandidatëve, median, financimin e fushatës dhe mënyrën sesi zgjidhen ankesat dhe apelimit,” tha të premten ambasadorja Glover.

Vëzhgim i procesit zgjedhor edhe pa pjesëmarrjen e opozitës.

Ambasadorja Glover bëri me dije se nuk i “ka ndodhur që të vëzhgojë zgjedhje në ndonjë vend ku opozita nuk ka marrë pjesë”, siç duket që mund të ndodhë në Shqipëri. Ajo tha se edhe në një rast të tillë misioni “do të raportojë si gjithmonë atë që do të shohë, atë që do të ndodhë gjatë procesit zgjedhor”.

“Për  ne e rëndësishme është që zgjedhësit të kenë besim tek integriteti i procesit zgjedhor. Zgjedhësit duhet të jenë në gjendje të zgjedhin dhe të votojnë në mënyrë reale. Duhet të zgjedhin mes kandidatëve që duhet të bëjnë fushatë në kushte të barabarta. Zgjedhësit duhet të jenë në gjendje ta hedhin votën në mënyrë të lirë, të  fshehtë dhe të jenë të sigurtë që vota e tyre do të numërohet në mënyrë korrekte. Roli ynë është të japim një vlerësim teknik të këtij procesi. Nuk jemi të interesuar për rezultatin e zgjedhjeve por për transparencën e procesit,” sqaroi ambasadorja Glover.

Të premten, Presidenti i Republikës Meta, shprehu me një postim në median sociale, gadishmërinë e tij për ta “rishikuar dekretin presidencial lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve lokale më 30 qershor 2019” , që me fjalë të tjera do të thotë mund të shikojë shtyrjen e zgjedhjeve.  Por dialogu mes opozitës dhe qeverisë, rënia dakort për të shtyrë datën e zgjedhjeve duket ende larg. Lideri i opozitës Basha, ka refuzuar thirrjet publike të ditëve të fundit të kryeministrit Rama, për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Ai pranon vetëm dialog pa Ramën kryeministër. Axhenda  e opozitës është vijim i protestave antiqeveritare dhe i mosbindjes civile, deri në rrëzimin e qeverisë , deri në rrëzimin e qeverisë./DW


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono