Olta Xhaçka

ceremonia.jpg
G. P.14:30 | 10/09/2019

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në shenjë falenderimi për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e ngushtë me SHBA ka nderuar me Medaljen e Mirënjohjes  Zyrën e Atasheut Ushtarak të SHBA në Tiranë dhe Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak në Tiranë. Në ceremoni ka marrë pjesë edhe e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, Leyla Moses-Ones e cila ka theksuar se vetëm për pajisje ushtarake që ndihmojnë në përballimin e emergjencave civile SHBA ka dhënë 1 milionë dollarë për Shqipërinë.

Shtetet e Bashkuara edhe në kohë paqe nuk e kanë kursyer mbështetjen dhe financimet për Forcat e Armatosura në Shqipëri. E ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, Leyla Moses-Ones dha shifrat për mbështetjen amerikane me pajisje ushtarake dhe ndihma humanitare.

“Kjo listë e gjatë përfshin gjithashtu pajisje që kushtojnë më shumë se 1 milionë dollarë për përgjigje ndaj mbytjeve dhe më shumë se 800 milionë dollarë ndihmë humanitare çdo vit. Fuqia e marrëdhënies sonë dypalëshe është e pamatshme dhe e pathyeshme falë jush”, tha Ones.

Deklaratat e saj, Ones i bëri gjatë ceremonisë që Ministria e Mbrojtjes organizoi për nderimin me Medaljen e Mirënjohjes Zyrën e Atasheut Ushtarak të SHBA në Tiranë dhe Zyrën e Bashkëpunimit Ushtarak në Tiranë. Në fjalën e saj, Xhaçka nuk i kurseu falenderimet për atë që e konsideroi si zhvillimin më të rëndësishëm për mbrojtjen në rajon.

“Nuk mund të lë pa përmendur zhvillimin më të rëndësishëm që ka ndodhur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mbarë rajonin për mbrojtjen që është padyshim vendimi për të ndërtuar një bazë ajrore të NATO-s në Kuçovë, i cili do të kishte qenë i pamundur pa mbështetjen e aleatëve amerikanë”, tha Xhaçka.

Falenderimin e saj, Xhaçka nuk e kurseu edhe në rrafshin historik për gjithë ndihmën e dhënë nga SHBA për Shqipërinë.

“Shqipëri, shqiptarët në mbarë rajonin janë me fat ë kanë një aleat fisnik dhe bujar si SHBA që na janë gjendur në momente të vështira. Ne i kemi Amerikës dhe qytetarëve amerikanë një borxh shumë të madh”, tha Xhaçka.

Shtetet e Bashkuara shprehën vlerësim për përpjekjet e Shqipërisë në funksion të zotimit të bërë në samitin e Uellsit për arritjen në 2% të PBB në NATO./ABC News Albania 24/7

predha.jpg
G. P.09:06 | 09/09/2019

Forcat e Armatosura parandaluan një tragjedi në Manati të Lezhës. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ka bërë të ditur këtë të hënë se xhenierët kanë larguar nga zona 74 predha të kalibrit 150 mm.

Secila prej predhave peshonte rreth 50 kilogramë dhe sipas vlerësimeve paraprake i përkasin Luftës së Dytë Botërore. Ministrja bën të ditur se ato janë zhvendosur për t’u asgjësuar në një poligon të posaçëm.

Ndërkohë që prej fillimit të vitit, xhenierët e Forcave të Armatosur kanë kryer 75 operacione në të gjithë vendin duke asgjësuar në total rreth 16 tonë municione të rrezikshme./abcnews.al

xhaxka.jpg
G. P.10:10 | 16/08/2019

Presidentja e sapozgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen vlerëson rolin e Shqipërisë në aleancën më të madhe ushtarake në botë, NATO. Gjatë ceremonisë së organizuar në Berlin, për nder të saj, ish-Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, tanimë presidente e KE, i shprehu nominalisht ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka vlerësimet për rolin e saj në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe NATO, duke e cilësuar vendin tonë si një aleat të denjë.

“Gjithmonë kam admiruar rrugëtimin tënd pasi u bëre pjesë e tryezës së NATO. Jam e lumtur që sot Shqipëria është një anëtar i denjë i Aleancës”, iu drejtua zonja von der Leyen, ministres Xhaçka.

Në krah të kancelares gjermane Angela Merkel, zëvendëssekretares së Përgjithshme të NATO, Rose Gottemoeller, ministres së re të Mbrojtjes së Gjermanisë, Annegret Kramp-Karrenbauer dhe dhjetëra personaliteteve gjermane e europiane, ministrja Xhaçka mori pjesë në një prej ceremonive më të veçanta ushtarake, me traditë 200-vjeçare, që u rezervohet personaliteteve më të spikatura të politikësu ishin të ftuar bashkëpunëtorët më të afërt të ish-ministres Ursula von der Leyen.

Kancelarja Merkel përshëndeti përzemërsisht ministren Xhacka, me të cilën, bashkë me 200 të ftuar të tjerë ndoqën ceremoninë zyrtare të largimit nga detyra të Von der Leyen dhe vijimin, në postin e ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë të Annegret Kramp-Karrenbauer.

Ursula von der Leyen është e para grua që zgjidhet presidente e Komisionit Evropian dhe pritet ta marrë zyrtarisht detyrën më datë 1 Nëntor 2019./ABC News Albania 24/7

xhackaa-1280x695.jpg
nev ila11:53 | 31/07/2019

Ministrja e Mbrojtjes i është përgjigjur shqetësimit të Presidentit për rrezikun nga një tërmet i madh, duke thënë se të tilla fenomene janë të paparashikueshme, por gjithsesi vendi është i përgatitur për t’i përballuar. Xhaçka i kërkon dekretimin e ligjit të ri të emergjencave, por Presidenca thotë se firmosja e këtij ligji ka ndodhur me kohë.

Nuk ka asnjë parashikim konkret për ndonjë tërmet të rrezikshëm në Shqipëri. Këtë përgjigje, Olta Xhacka i jep Presidentit Meta e po ashtu edhe qytetarëve shqiptarë.

“Aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmiologët tanë dhe çdo sizmiolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmiologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj”, shkruan Xhaçka.

Pavarësisht kësaj, Ministrja e Mbrojtjes garanton kreun e shtetit se të gjitha masat shtetërore janë ndërmarrë.

“Unë nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria është sot më e përgatitur për t’u përballur me emergjencat, sesa në çdo moment tjetër gjatë 30 vjetëve të fundit. Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i burrave dhe grave që mbulojnë këtë sektor është i jashtëzakonshëm dhe koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi i përballuan pasojat e tërmetit në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona”, deklaron ministrja.

Duke thënë se e mirëpret shqetësimin e Presidentit për ngjarje të tilla, Xhaçka ka një kërkesë për Metën.

“Shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana juaj. Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore, përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten të pakontrollueshme e të paparashikueshëm”.

Nga zyra e Metës, erdhi reagimi i menjëhershëm përmes zëdhënësit Tedi Blushi.

“Papagajtë nuk kanë nevojë për fakte dhe as për argumente, ata vetëm përsërisin veten çdo herë. Ndërsa për ligjin “Për Mbrojtjen Civile” bën mirë të jetë e informuar se është dekretuar para se të përfundojë afati!

Presidenca këmbëngul se informacioni për tërmete në vendin tonë dhe në rajon, është bazuar në botime shkencore serioze.

 

 

 

/ABC News Albania 24/7

moses-ones-olta-xhacka-1280x853.jpg
G. P.10:06 | 20/06/2019

Komanda e Forcave të Armatosura të SHBA në Evropë, nëpërmjet Ambasadës në Tiranë, i dorëzoi Forcave tona të Armatosura pajisje kundër zjarreve me vlerë 361 mijë $.

Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve të reja mori pjese edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e Ngarkuara me Punë e SHBA në vendin tonë Leyla Moses-Ones, zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Manushaqe Shehu, ushtarakë të lartë të FA si dhe efektivët që angazhohen në rastet e emergjencave civile dhe që do të përdorin mjetet e reja. Ministrja Xhaçka falënderoi SHBA për mbështetjen e pakursyer për vendin tonë, veçanërisht me ndihmën e vazhdueshme për të modernizuar dhe shtuar kapacitetet e FA.

“Për fat të keq, sidomos gjatë dekadave të fundit shteti shqiptar, qeveritë, politika, ka pasur një qasje që mund të përshkruhet saktë vetëm duke përdorur atë shprehjen ‘ku rrafsha mos u vrafsha.’ Sepse, ndërkohë që Shqipëria renditet si një nga 10 vendet me risk më të lartë ekonomik nga fatkeqësitë, por edhe me një shkallë të lartë risku për jetën e shëndetin e qytetarëve nga tërmetet, zjarret, përmbytjet, rrëshqitjet e tokës e ortekët, gatishmëria e strukturave dhe institucioneve gjatë pjesës dërrmuese të tranzicionit ka qenë shumë e dobët për shkak të rrëmujës, kompetencave të paqarta, neglizhencës, autoriteteve e pushteteve që përpiqeshin t’i kalonin përgjegjësinë njëri tjetrin. Nuk ka asnjë dyshim që sot, Mbrojtja Civile është më e përgatitur dhe më e aftë sesa ka qenë ndonjëherë në 3 dekadat e fundit për të mbrojtur vendin, komunitetet, qytetarët nga fatkeqësitë natyrore,” theksoi ministrja Xhaçka, e cila vlerësoi edhe ndihmën e fundit të SHBA për Forcat tona të Armatosura.

“Kjo mbështetje është kaq e çmuar dhe kaq e mirëpritur. Nga sot, Mbrojtja Civile, FA janë më të përgatitura për të përballuar të papriturat e tekat e motit duke mbrojtur jo vetëm jetët e qytetarëve, pronat e tyre, por edhe pasuritë natyrore të vendit.”

E Ngarkuara me Punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones, e konsideroi Shqipërinë si një aleat të palëkundur të NATO-s dhe e konsideroi këtë paketë ndihme, si një shembull të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Ky dhurim simbolizon angazhimin tonë të vazhdueshëm të ndihmës humanitare për qeverinë e Shqipërisë. Ky dhurim së bashku me shumë projekte të tjera humanitare të ofruara nga ambasada Amerikane gjatë viteve është vetëm një shembull i bashkëpunimit të mrekullueshëm gjatë viteve, mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Shqipëria është një aleat dhe partner i pa lëkundur në NATO dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë partneritetin tonë.”

Paketa e ndihmës përmban dy kova me kapacitet 2500 litër secila që mund të përdoren si nga helikopterët “Cougar” ashtu edhe nga ata “Black Hawk”, të cilët pritet të futen së shpejti në përdorim nga Forca jonë Ajrore. Gjithashtu, pjesë e paketës janë kamera termike për evidentimin e vatrave të zjarrit në brendësi të ndërtesave si dhe veshje e pajisje mbrojtëse e rezistente ndaj zjarrit./abcnews.al

xhacka-mirela.jpg
nev ila21:40 | 11/06/2019

Mbrëmjen e sotme në ABC News në emisionin Mbrëmje ABC, me gazetaren Mirela Milori, ka qenë e ftuar Ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka. Xhaçka ka dhënë opinionin e saj në lidhje me situatën politike në vend. E pyetur nga gazetarja Mirela Milori se, nëse i kishin votat në parlament për shkarkimin e presidentit Meta, Xhacka tha se, mazhoranca do të parashtrojë gjithë argumentet pse ky akt i presidentit është antikushtetues dhe se askush nuk mund të thotë nëse i ka votat apo jo, duke lënë të kuptohet se, nuk është cudi që mazhoranca, të mos plotësojë dot votat për shkarkimin e presidentit Meta.

“Garancinë nuk ja u jap dot, nëse i kemi votat as unë dhe askush tjetër. Askush nuk mund të thotë që ka votën e tjetrit apo unë kam fuqi mbi opinionin, mendimin apo veprimin e dikujt tjetër. Mund të themi që do guxonim patjetër ti bindnim apo të parashtronim gjithë argumentet e domosdoshëm për të patur mbështetjen e opozitës në parlament”, tha Xhacka./abcnews.al

mirela-xhacka.jpg
nev ila20:09 | 11/06/2019

Mbrëmjen e sotme në ABC News në emisionin, Mbrëmje abc me gazetaren Mirela Milori, ka qenë e ftuar Ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka. Xhaçka ka dhënë opinionin e saj në lidhje me situatën politike në vend. Ajo ka komentuar vendimin e presidentit Meta për shtyrjen e zgjedhjeve. Sipas Xhackës, Presidenti i Republikës ka bërë shkelje të kushtetutës dhe se zhvillimet politike nga ana e opozitës nuk janë modelet më të mira për demokracinë dhe integrimin e vendit. Xhaçka tha se kjo shkelje nga ana e presidentit duhet të ketë një kundërpërgjigje. E pyetur nga gazetarja Mirela Milori se nëse do të kishte një situatë ku forcat e armatosura do të duhej të ndërhynin, prej cilit do të merrnin urdhër, Xhaçka tha se kushtetuta e ka të shprehur qartë. Presidenti i Republikës i udhëheq forcat e armatosura në kohë lufte, ndërsa në kohë paqeje kompetencat i ka kryeministri dhe ministri i mbrojtjes.

Nuk janë modelet më të mira për demokracinë. Presidenti është zhveshur nga ajo vlerë që ja vesh kushtetuta sepse presidenti ka marrë një anë. Është antikushtetuese cenimi i të drejtës së votës. Në demokraci debatohet dhe teorikisht parlamenti është beteja e ideve, ne si mazhorancë do shtrojmë të gjithë argumentet tona pse ky vendim i presidentit është antikushtetues. Ky veprim i presidentit duhet të ketë një kundërpërgjigje. Kushtetua nuk thotë askund se presidenti mund të ç’dekretojë dekretet. Akti i presidentit është krejtësisht nul”, tha Xhaçka.

Gazetarja Mirela Milori e ka pyetur ministren Xhaçka se nëse do të krijohej një situatë si ajo e 97 si do të vepronin Xhaçka tha se asnjë situatë e tillë nuk do të ndodhte, por dhe nëse do të kishte tentativa për krijimin e këtyre situatave, organizatorët do të ndëshkoheshin.

Gjithë aktorët që kërkojnë ta risjellin situatën e 97 do të marrin ndëshkimin që meritojnë. Kushtetuta e ndan qartë,  presidenti drejton ushtrinë në kohë lufte ndërsa në kohë paqe është kryeministri dhe ministri i mbrojtjes. Gjithsesi nuk do të ketë situata të tilla”, theksoi ajo.

Ndërsa në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Xhaçka tha se qeveria i ka bërë detyrat e saj por opozita po bën çdo gjë që vendet të cilat janë skeptike në lidhje me integrimin e Shqipërisë, ta gjejnë justifikimin e mos hapjes së negociatave, te kriza politike në vend.

“Integrimi është proces i vështirë që nënkupton aspektin juridik, politik ekonomik. Opozita është duke i dhënë justifikimin skeptikëve për të menduar se ne nuk jemi gati për integrimin. E keqja është që humbja e këtij stacioni do të na çonte mbrapa nuk e di për sa kohë”, deklaroi Xhacka./abcnews.al

olta-xhacka.jpg
G. P.15:45 | 04/06/2019

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka vizituar sot banorët, që janë strehuar në shkollën e fshatit Floq dhe në çadrat e emergjencave civile. Xhaçka i garantoi banorët se do të rindërtohet çdo shtëpi e rrënuar dhe do të dëmshpërblehen familjet, për të riparuar banesat me dëmtime të lehta.

Më herët, Xhaçka mori pjesë edhe në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile. Ministrja kërkoi nga institucionet vendore koordinimin e duhur, për t’u ardhur në ndihmë banorëve. /abcnews.al

jens-stoltenberg-NATO-1280x727.jpg
nev ila09:52 | 02/06/2019

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg do të zhvillojë sot një vizite disa orëshe në Tiranë. Ai do të mbërrijë pas mesdite në aeroportin “Nënë Tereza”, ku do të pritet nga Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Ndalesa e parë do të jetë në Kryeministri, ku do të pritet nga Kryeministri Rama, shoqëruar me takim dypalësh dhe një konferencë të shkurtër për shtyp.

Me pas Sekretari Stoltenberg do të zhvillojë një takim dypalësh në Presidencë. Pas këtij takimi, ai do të largohet nga Tirana për të udhëtuar drejt Maqedonisë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono