Olsi Rama

rama-olsi-1280x720.jpg
Sej rie14:45 | 10/08/2019

Skuadra e Partizanit po përgatitet për edicionin e ri futbollistik ky synimi kryesor është mbrojtja e titullit kampion. Një mision jo pak i lehtë për të kuqtë pasi kundërshtarët janë forcuar shumë në merkato. Drejtori i përgjithshëm i skuadrës së Partizanit, Olsi Rama e konsideron tepër të vështirë finalen e Superkupës ndaj Kukësit për shkak të vapës.

Drejtorit i Partizani ka theksuar se skuadra është gati për startin e kampionatit dhe grupi është i kompletuar. Sa i përket aventurës evropiane, Rama tha se ndeshjet shërbejnë për të treguar mangësitë e skuadrës por nuk të ndihmojnë për të programuar kampionatin.

Partizani do të luajë ndeshjen e parë në kampionat ndaj skuadrës se Kukësit, një duel mes dy pretendentëve për fitimin e titullit kampion./ABC News Albania 24/7

franko-lerda-2.jpg
ent ela15:50 | 28/07/2019

Partizani do të vazhdojë të mbështesë trajnerin Franko Lerda, edhe pas konflikteve të fundit. Gjithsesi, burime në klub pohojnë se presidenti Demi është i shqetësuar, dhe se dëshira e tij kishte qenë për të marrë si trajner Ilir Dajën.

Ishte janari i vitit 2013 dhe një ndryshim kishte ndodhur tek Partizani.

Biznesmeni Gazmend Demi kishte blerë aksionet dhe menjëherë afroi trajnerin Shpëtim Duro, për ta ngjitur ekipin nga Kategoria e Parë në Superligë.

Ato ditë, dikush i kishte propozuar një tjetër emër për stolin, Ilir Dajën.

Demi nuk u bind pasi trajneri kampion i Shqipërisë me Dinamon dhe Elbasanin kishte disa kohë i tërhequr nga futbolli I Superligës, duke u marrë me akademinë e tij, por duket se fati I afroi palët këtë verë.

Daja mbylli një aventurë të vështirë me Flamurtarin në Vlorë, ndërsa kryeqytetasit u ndanë nga trajneri Skënder Gega, menjëherë pasi siguruan titullin kampion, pas plot 26 viteve.

Burime në klubin e kuq bëjnë të ditur për ABC News-in, se Demi kishte mendimin që të merrte pikërisht Ilir Dajën, teknikun që shkëlqeu sidomos me Skënderbeun duke fituar titullin kampion e duke u kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

Gjithsesi, drejtori sportiv Olsi Rama e bindi se ishte më mirë të merrej një I huaj për stolin, dhe zgjodhi përfundimisht Franko Lerdën.

Kjo histori fare e afërt vlen të kujtohet tani, menjëherë sapo trajneri italian pati një konflikt serioz me ndihmësit e tij Dritan Mehmeti dhe Korrado Sakone, ndërsa duket se edhe marrëdhëniet me lojtarët i ka të acaruara.

Presidenti Demi ka qenë në Sarandë në fundjavë, larg zhurmave, dhe i mërzitur seriozisht pas humbjes ndaj Sherifit në Ligën e Europës, sidomos për lojën e dobët të zhvilluar nga ekipi.

Njerëz të afërt të tij tregojnë se Demi është dëshpëruar nga lëvizjet e shumta në formacion dhe mungesa e dëshirës së lojtarëve, veçse numri 1 i klubit është i vendosur që të mbështesë trajnerin, që u mor vetëm pak javë më parë.

Tek Partizani kanë ende shpresë se gjendja do të normalizohet.

Klubi është shumë pranë Valdet Ramës, ish-lojtarit të Kukësit sezonin e kaluar, i cili kërkon 8 000 euro në muaj, por kjo shifër nuk duket se është problem për Partizanin./ABC News Albania 24/7

lerdda.jpg
G. P.15:59 | 19/06/2019

Trajneri i Partizanit, Franko Lerda, dhe drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, shprehen për shortin e Championsit. Synojnë të jenë të përgatitur dhe të kualifikohen.

Emrin e kundërshtarit e mësuan në fazë përgatitore. Futbollistët e Partizanit dhe stafi i tyre teknik po përgatitet në Slloveni për Championsin, ku rivali në turin e parë eleminator do të jetë Karabaku i Azerbajxhanit. Trajneri i ri, Franko Lerda, tregoi në faqen zyrtare të klubit sesi e priste shortin.

“Të preferuar nuk kisha pasi sa herë hidhen shortet ka diskutime të ndryshme, por në fund duhet të vazhdojmë me përgatitjet tona dhe të kërkojmë të shkojmë në ndeshje me përgatitjen e duhur fizike, teknike, taktike, por mbi të gjitha, posikologjikisht të bindur se mund të kalojmë turin, pasi ndeshje të lehta nuk ka. Kam besim se do të shkojë mirë”, tha Lerda.

Italiani tregoi edhe përshtypjet e para për skuadrën e tij të re.

“Sot ka qenë dita ime e parë, ku takova djemtë në fushë. Ishte një takim shumë pozitiv, i pashë mirë, punuam mirë. Kështu jam shumë i kënaqur sepse pashë jë skuadër që do të rritet, përmirësohet dhe rritet. Pashë një grup që ka karakteristikat e mira, që na jep përshtypjen se do të bëjmë mirë”, tha Lerda.

Më pas, Lerda, tregoi edhe programin gjatë fazës përgatitore në Slloveni.

“Miqësore për momentin kemi dy, njërën në datën 23 dhe tjetrën në datën 26. Më pas kemi menduar sëbashku me stafin të mendojmë se ku do të bëjmë miqësoren e tretë sepse duhet të menaxhojmë dhe ngarkesën e stërvitjes. Tani duhet të bëjmë këto dy miqësore që i kemi me skuadra të rëndësishme”, tha Lerda.

Reagim për shortin edhe nga drejtori i përgjithshëm i kryeqytetasve, Olsi Rama, i cili e ndoqi shortin në sallën e UEFA-s në Nion të Zvicrës.

Rama u citua nga faqja zyrtare e Partizanit në internet, dhe u shpreh se “respektojmë çdo kundërshtar, ne jemi kampionë të Shqipërisë dhe padiskutim kërkojmë kualifikimin, jemi në një projekt ambicioz ku synojmë të ecim sa më shumë në Europë”.

“Karabaku është skuadër me shumë eksperiencë në Europë, – vazhdoi ai, – dhe normalisht nuk do të jetë e lehtë, gjithsesi futbolli nuk është shkencë ekzakte, nuk fiton më i shtrenjti, por më i miri”.

Partizani do ta luajë ndeshjen e parë në Tiranë në 9 ose 10 korrik, dhe të kthimit në Azerbajxhan në 16 ose 17 Korrik. Në rast kualifikimi, kampionë e Shqipërisë do të ndeshet në turin e dytë me fituesin e çiftit Dandalk të Irlandës-Riga të Letonisë./ABC News Albania 24/7

PARTIZANI-TRANSFERIMET-_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.27-1280x720.jpg
G. P.17:00 | 23/05/2019

Partizani ka realizuar një përfitim të madh financiar pas shpalljes kampion. Klubi kryeqytetas do të ketë në buxhet një fitim prej të paktën 1 milionë eurosh.

Kohët kanë ndryshuar, dhe një titull vlen më tepër se më parë. Drejtuesit e Partizanit mund të ndihen të lumtur që ia arritën qëllimit për të fituar kampionatin, pasi menjëherë buxheti i klubit do të ketë rritje tepër të madhe, edhe thjesht nga pjesëmarrja në Champions.

Pra, edhe nëse nuk do të arrijnë të kalojnë asnjë tur. Në bazë të shpërblimeve të vendosura nga UEFA, Partizani fiton një shumë të përgjithshme prej 800.000 eurosh, të ndara mes Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Europës.

Vetëm për pjesëmarrjen, kryeqytetasit do të arkëtojnë 260.000 euro, pa nisur fare ndeshjet, ndërsa 280.000 euro do t’u jepen si pjesëtarë të turit të parë eliminator.

Në rastin më të keq, atij të eliminimit, Partizani kalon në Ligën e Europës, në raundin e saj të dytë, ku jepen 260.000 euro të tjera.

Totali është 800.000 euro.

Këtyre parave duhet t’u shtohen edhe 120 000 euro që të kuqtë i marrin nga e drejta televizive e Superligës, si dhe 10 milionë lekë të reja, që jepen nga Federata për titullin kampion.

Kjo do të thotë se, presidenti Demi dhe drejtori i përgjithshëm Olsi Rama do të kenë në buxhet rreth 1 milionë euro, qoftë edhe sikur skuadra në fushë të humbasë të gjitha ndeshjet.

Nëse do të ketë suksese, të ardhurat do të rriten. Kalimi në turin e dytë të Championsit të jep 380.000 euro, ndërsa turi i tretë arrin në 480.000 euro. Në rast eliminimi këtu, pra në turin e tretë, Partizani do të ketë kalim në plej ofin e Ligës së Europës, ku jepen 300.000 euro, pra me pak sukses mund të shkohet nga 1.3 deri në 1.5 milionë euro.

Kjo do të thotë se klubi i kuq mund të shpenzojë jo pak për të forcuar skuadrën, apo edhe për të realizuar projektet e tjera, ku mbi të gjithë vlerësohet përfundimi I kompleksit të ri sportiv./ABC News Albania 24/7

skender-gega-1280x734.jpg
G. P.23:35 | 17/05/2019

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega zbuloi para mediave se shumë shpejt do të ulet të bisedojë me drejtuesit e klubit për projektin e ri të Partizanit.

Pas zyrtarizimit të titullit kampion, Partizani rikthehet të luajë në transfertën e Teutës. Trajneri i të kuqve, Skënder Gega tregon emocionet pas zyrtarizimit të titullit kampion fundjavën e kaluar.

Në ndeshjen ndaj Teutës, kreu i pankinës së Partizanit premtoi se do të aktivizojë lojtarët që nuk kanë patur shumë hapësira gjatë sezonit. Gega zbulon se shume shpejt do të ulet të bisedojë me presidentin Gaz Demi dhe drejtorin Olsi Rama për projektin e ri të skuadrës./ABC News Albania 24/7

olsi-rama.jpg
nev ila15:52 | 07/05/2019

Drejtori i Partizanit Olsi Rama i ftuar në emisionin “PRESSING” ne Abc News tha se, synimi i klubit nuk ishte titulli kampion. Rama zbuloi projektin e skuadrës për të ardhmen.

Partizani eshte shume prane titullit kampion i cili do të ishte i pari pas më shumë se 30 vitesh. I ftuar në emisionin Pressing ne Abc News, drejtori i partizanit Olsi Rama tha se titulli nuk ishte synimi i klubit. Rama siguroi se partizani ka një projekt për të krijuar një grup model për të ardhmen, ndërkohë që hodhi poshtë aleancat.

Piksynimi ynë nuk ishte titulli kampion në fillim të kampionatit. Piksynimi ynë ishte të rrisnim nivelin individual të lojtarëve dhe nivelin e lojës së ekipit. Në sajë të punës së mirë të stafit teknik dhe përkushtimit të lojtarëve u arrit në rezultate më shpejt. Puna është vetëm në fillimet e veta. Objektivi ynë është të ndërtojmë një skuadër që do të jetë aty gjithmonë për të luftuar për titullin, për të prodhura lojtarë, për ti transferuar në kampionate më të forta”, tha Rama.

Olsi Rama zbuloi objektivin e partizanit për të ardhmen.

Kryesore për të ardhmen është ndërtimi i atij kompleksi që do të krijojë mundësinë e akademisë së partizanit në kushte normale. Academia e partizanit do të jetë burimi i lojtarëve”, deklaroi Rama.

Sa i përket dënimit të Skënderbeut, Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit u shpreh:

Nuk e doja dënimin e Korçës sepse ishte një njollë për futbollin shqiptar dhe preferoj që të mos ndërtoj suksesin tim mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Do doja shumë që Skënderbeu të kthehej ai ekip që ka qenë dhe partizani të tregojë se sa bukur është ta mundësh Skënderbeun”.

Në lidhje me të ardhmen  e Jasir Asanit, Rama tha se objektivi i klubit është ti rrisim lojtarët profesionalisht  dhe më pas ti transferojmë jashtë, pasi fitojnë të dyja palët.

“Synimi është që lojtarët që marrim ti rrisim profesionalisht, e pastaj tu krijojmë mundësinë që ato të transferohen diku jashtë, në kampionate edhe më të mira. Në këtë mënyrë fiton dhe partizani edhe lojtari. Asani është në kontratë, kështuqë kudo që të iki dhe kushdo që do ta marri, duhet të flasë më parë me Partizanin” u shpreh ai./abcnews.al

olsi-Rama-1.jpg
G. P.23:10 | 06/05/2019

Gjatë emisionit sportiv “Pressing”, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, foli rreth një prej lojtarëve më të mirë të skuadrës, Jasir Asanin. Ai tha se Asani ka një kontratë me “të kuqtë” dhe kushdo që kërkon shërbimet e lojtarit duhet të flasë së pari me Partizanin. Në këtë mënyrë ai i ktheu përgjigje spekulimeve për një largim të mundshëm të lojtarit.

Olsi Rama theksoi se nuk kemi të bëjmë me një rast të njëjtë si ai me Kaleb Ekuban. Kjo pasi ish-lojtari i Partizanit ishte në pronësi të Chiveo-s, ndërsa shqiptaro-maqedonasi është 100% në pronësi të kryeqytetasve.

“E kam thënë që mos besoni ato që lexoni në gazeta. Ky ishte një lajm që e lexova. E ceka pak dhe e thashë. Objektivi jonë si Partizan është që këta lojtarë që i marrim t’i rrisim profesionalisht dhe si njerëz dhe më pas t’i krijojmë mundësinë që të transferohen jashtë në kampionate më të mira. Nga kjo përfitojmë jo vetëm ne financiarisht. Asani është nën kontratë. Kushdo që do të ikë dhe kushdo që kërkon Asanin duhet të flasë me Partizanin. Nuk ka asnjë lloj rasti me Ekubanin. Asani është 100% lojtar i Partizanit. Asani ka treguar një rritje shumë të mirë këtë vit dhe që ka një interes shumë të madh mbi të”, tha Olsi Rama./abcnews.al

olsi-Rama.jpg
G. P.22:54 | 06/05/2019

Për drejtorin e përgjithshëm, Olsi Rama, Partizani nuk duhet të bëjë viktimën për sa i përket vendimeve të arbitrave. I ftuar në emisionin “Pressing”, ai u shpreh se edhe ata mund të bëjnë gabime, por ‘”të kuqtë” janë një skuadër e madhe dhe duhet të vazhdojnë përpara.

“Partizani është një emër i madh. Duhet të dijë si të sillet si një ekip i madh. Partizani nuk duhet të bëjë viktimën. Arbitrat janë njerëz të zakonshëm që padiskutim në punën e tyre do bëjnë edhe gabime. Sidomos në kushtet ku punojnë. Gabimet janë pjesë. Edhe ne bëjmë gabime. Thjesht duhet të mësojmë dhe të ecim përpara”, tha Rama.

Nëse ka një model këto vitet e fundit është padyshim Skënderbeu. Por Olsi Rama shprehet se ambicia e Partizanit është të tejkalojë arritjet e korçarëve.

“Skënderbeu në vitet e fundit ka qenë model pune. Ditën të ndërtojnë me kujdes, me kohën që patën në dispozicion një ekip që arriti ato rezultate. Është një shembull për t’u marrë. Ambicia e Partizanit duhet të jetë të tejkalojë ato që arriti Skënderbeu”, tha Olsi Rama.

Për të krijuar një skuadër kompetitive dhe të shëndoshë nga ana financiare, Partizani ka një detyrë sipas Olsi Ramës. E rëndësishme për të është përfundimi i ndërtimit të kompleksit.

“Akademia e Partizanit do jetë pastaj burimi i lojtarëve. Duke qenë një emër i madh, duke pasur një traditë fitimi në kampionat është kollaj të tërheqësh talentet nga i gjithë rajoni, jo vetëm nga Shqipëria”, tha Rama./abcnews.al

Olsi-Rama-1280x711.jpg
Sej rie23:54 | 15/04/2019

Partizani nuk do të festojë përpara kohe për titullin kampion. Drejtori Sportiv, Olsi Rama, flet për ecurinë e skuadrës dhe tregon batutat me presidentin e Kukësit, Safet Gjici.

Nuk dëshiron ta pranojë realitetin, edhe pse është shumë i bukur. Partizani mund të quhet praktikisht kampion i Shqipërisë, i shkëputur ndjeshëm nga rivalët, por drejtori sportiv i tij, Olsi Rama, bën çmos që të mos ndihet i tillë.

Rama: “Jo mos ma merrni për ters. Është si puna e asaj që nuk urohet ditëlindja para se të vijë dita. Ne e dimë që kemi edhe 7 javë të tjera dhe janë akoma 21 pikë dhe është akoma goxha punë. Dhe më pëlqeu  një deklaratë e një trajneri që tha “klubi kërkon rezultatet nuk kërkon gjithmonë 3 pikëshin”. Por për Partizanin e rëndësishme është që të performojmë në çdo ndeshje”.

Gjithsesi, batuta e Ramës me presidentin kuksian, Gjici, tregon tjetër gjë.

Rama: “Zoti Gjici tha se “kam radhën, nuk kam mbaruar”. Unë i thash ki kujdes vendin e dytë”.   

Çfarë ka ndryshuar këtë vit për Partizanin, që po del kampion pas 26 vitesh?

Rama: “Rregulli i vënë në skuadër. Dëshira e djemve që bëjnë një grup të mrekullueshëm për të punuar. Dhe qetësia që kanë pasur ata në vetëdijen e tyre që janë një grup i fortë dhe se do e arrijnë rezultatin për të cilin kanë punuar”.

A i ka menduar Partizani përgatitjet për festën?

Rama: “Jo, jo asnjë lloj përgatitje”./abcnews.al

kompleksi.jpg
G. P.18:03 | 19/12/2018

Partizani synon të bëjë gati fushën e stërvitjes brenda këtij sezoni, në kompleksin e tij të ri. Gjithsesi, do të duhet kohë që klubi kryeqytetas të përfundojë punimet, që kërkojnë financa të mëdha.

Për momentin nuk punohet. Partizani e ka nisur prej kohësh kompleksin e tij që pritet të jetë shtëpia moderne e së ardhmes. Veçse do duhet ende që të jetë gati. Pas ndërtesës që do jetë hotel, janë bërë punime dhe në stadiumin e ri, por që është larg përfundimit. Me skuadrën që tani stërvitet në një kompleks jashtë Tiranës, drejtori sportiv Olsi Rama ka këtë sqarim në intervistën për ABC News.

“Aty janë bërë punime në një vlerë të konsiderueshme. Është një nga prioritetet tona që ta vemë në gjendje funksionale, edhe nëse jo plotësisht, të paktën duke mbaruar një fushë dhe ambientet për sportistët për arsye se e gjykojmë shumë të rëndësishme që Partizani të ketë shtëpinë e vet”.

Fjalët janë se ka më shumë se një vit që në kompleks nuk punohet dhe kjo sepse kushton shumë me dikë që thotë 5 milionë euro e dikë mbi 11 milionë.

“Çështja është në radhë të parë lëvrimi i fondeve dhe gjithashtu disa detaje teknike që kanë të bëjnë me kalimin e plotë të pronës në varësi të Partizanit që të gjitha punët të bëhen në rendin e duhur”.

Çfarë afatesh jep Rama në lidhje me përfundimin e punimeve?

“Ne do përpiqemi ta mbyllim brenda këtij viti sportiv. Sigurisht po të kishim financa do donte më shumë kohë. Ideja është që ne na kushton në kohë, në mundim që të stërvitemi në kushte të tjera, pavarësisht se fushat ku stërvitet ekipi janë shumë të mira. Është e rëndësishme të kemi shtëpinë tonë që është më afër Tiranës, të kemi orarin tonë dhe t’i lemë lojtarët e rinj dhe të vjetër të stërviten më gjatë dhe të rrisin performancën e tyre sportive”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono