Oliver Ivanoviç

kjosova-1280x710.jpg
G. P.21:12 | 24/11/2018

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e sigurisë 30 ditë paraburgim për tre nga katër të arrestuarit në lidhje me vrasjen e liderit politik serb Oliver Ivanoviç. Sipas mediave kosovare, trupi gjykues ka pranuar kërkesën e prokurorit për Nedeljko Spasojeviç, Dragisha Markoviç dhe Marko Rosiç. Masa është kontestuar nga avokatët e të pandehurve, të cilët kanë deklaruar se do ta apelojnë atë. Ndërkohë, policia është ende në kërkim të dy personave të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me ekzekutimin e ndodhur në janar të këtij viti. Burimet mediatike saktësojnë se një prej tyre është Milan Radojçiç, nënkryetar i Listës Serbe dhe person mjaft i pushtetshëm në veri të Mitrovicës./abcnews.al

gazetarii.jpg
G. P.14:08 | 10/07/2018

Gazetari serb, Stefan Cvetkoviç, që po heton vrasjen e Oliver Ivanoviç është dhunuar brutalisht në Beograd. Denoncimi është bërë nga vetë ai me anë të një postimi në Facebook. Gazetari thotë se gjendet i sigurt jashtë Serbisë, ndërsa nuk ka bërë me dije vendndodhjen e tij.

“Mua mund të më vrisni, por jo edhe të vërtetën”, shkruan Cvetkoviç.

Ai ka dëshmuar në institucionet hetimore të Kosovës për vrasjen e politikanit të komunitetit serb në Kosovës.

Ndërkohë, disa ditë më parë, Cbetkoviç u rrëmbye nga persona ende të panjohur në vendlindjen e tij. Për këtë rrëmbim autoritetet serbe ngritën një hetim dhe është ende e paqartë se si është liruar gazetari në fjalë./abcnews.al

cenak.jpg
G. P.11:30 | 15/06/2018

Gazetari serb, Stefan Çetkoviç, i cili investigonte ndër të tjera për vrasjen e Oliver Ivanoviç në Mitrovicë është zhdukur prej dy ditësh. Kjo është bërë e ditur nga deputeti nga Vojvodina, Nenad Çanak.

Në Twitter, ai shkruan se për herë të fundit gazetari është parë mbremjen e se merkures në Bella Cerkë. Çanak ka sqaruar se është gjetur makina i tij me motorin e ndezur, me dyer të hapura dhe ora e dorës pa rrip afër veturës. Këto zhvillime i ka konfirmuar edhe policia e Serbisë, e cila ka hapur një hetim për çështjen në fjalë.

Në muajin Shkurt në Beograd, ai organizoi një konferencë me gazetarë, ku publikoi fotografitë e personave, që sipas tij, ishin të përfshirë në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç, ndërsa pohoi se atentati ndaj tij ishte paguar me 40 mijë euro.

Disa herë gjatë viteve të fundit, ai është ankuar për kërcënime lidhur me hulumtimet e tij./abcnews.al

ivanoviq.jpg
ent ela12:10 | 24/02/2018

Ka kaluar më shumë se një muaj (16 janar) nga vrasja e Oliver Ivanoviq,  kreu i Iniciativës Qytetare Serbe, por ende nuk dihet se kush e kreu ekzekutimin e tij.

Por, gazeta serbe Novosti shkruan se tashmë janë zbuluar disa detaje rreth vrasjes së Ivanoviqit.

Një nga to është se Ivanoviq është qëlluar nga një pistoletë automatike dhe jo ashtu sic ishte thënë më herët që ishte qëlluar me një “nëntëshe”.

Sipas Novostit, burime të afërta me organet hetuese kanë treguar se Ivanoviq ditën e vrasjes ishte përcjellur nga shtëpia e tij e deri tek zyrat e partisë, ku edhe ndodhi vrasja.

Më pas, nga vetura e tipit “Opel Astra”, nga ulësja e pasme janë shkrepur plumbat të cilët kanë goditur gjoksin e Ivanoviqit.

Sipas autopsisë, Ivanoviq është goditur me gjashtë plumba të cilët kanë prekur organet vitale.

Ekzekutuesit, pas vrasjes së Ivanoviq, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe vetura me të cilën janë larguar më pas është gjetur e djegur.

klankosova.tv

vlcsnap-error911-1280x720.jpg
G. P.19:34 | 01/02/2018

Në një konferencë për shtyp në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se vendi duhet të përmbushë detyrimet ndërkombëtare nëse dëshiron perspektivë europiane, duke iu referuar këtu Gjykatës Speciale dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Në një konferencë për shtyp në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë mesazhin e qartë se krijimi i Gjykatës Speciale është i pashmangshëm, pavarësisht se në të njëjtën kohë është edhe i padrejtë.

Hashim Thaçi: “Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet. Ky është qëndrim i shtetit të Kosovës. E themelojmë gjykatën sepse nuk kemi as pse frikësohemi, nuk kemi pse të hezitojmë. Është e padrejtë, por duhet ta gëlltisim për hir të partneritetit me SHBA dhe NATO-n”.

Në vijim të konferencës, kreu i shtetit u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ratifikojnë sa më shpejt marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, në mënyrë që vendi t’i shpëtojë izolimit dhe të ketë perspektivë të qartë europiane.

Hashim Thaçi: “Nëse ne veprojmë mençurisht dhe bashkarisht si skemë politike dhe institucionale, që të përmbyllim çështjen e demarkacionit, besoj se do të hapet një mundësi e re. Nëse veprojmë mençurisht dhe e kryejmë atë nuk do të ketë asnjë padrejtësi ndaj Kosovës. Është dicka në duart tona, prandaj deputetët duhet të veprojnë në mënyrë unike, të vënë interesin e shtetit mbi të gjitha”.

Më tej Thaçi ka prekur edhe çështjen e vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, për të cilën ka premtuar se shumë shpejt drejtësia kosovare do të dalë me rezultate konkrete. Ndërkohë, ai ka përjashtuar pistën e një vrasjeje me sfond ndëretnik.

Hashim Thaçi: “Institucionet e Kosovës në një të ardhme të afërt do të dalin me rezultate konkrete. Po ndjek nga afër institucionet përgjegjëse që po merren me zbulimin, identifikimin dhe mundësisht kapjen e autorit. Të dhënat e para janë se ka qenë një akt kriminal e mafioz. Ka të dhëna të sakta se ka patur motive politike, por jo ndëretnike”./abcnews.al

vlcsnap-error777-1280x720.jpg
G. P.16:55 | 28/01/2018

Prokuroria kosovare nuk ka asgjë konkrete për zbardhjen e vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviç. Ndërkohë, partia e të ndjeri është ankuar për ngecjen e hetimeve.

Mediat kosovare shkruajnë se prokuroria nuk ka ende asgjë konkrete në zbardhjen e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç. “Po punohet intensivisht në zbulimin e autorëve të kësaj vrasjeje. Kur të kemi rezultatet të reja, publiku do të njoftohet”, ka thënë për Televizionin KOha zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu.

“Kanë kaluar shumë ditë pas vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç, opinioni, familja e kolegët e partisë së tij nuk kanë asnjë informatë se deri ku kanë shkuar hetimet”.

Kështu ka thënë zëvendëskryetarja e partisë SDP, Ksenija Bozhoviç, e cila shtoi se që nga dita e vrasjes e vetmja përgjigje deri më tani është se “hetimet po vazhdojnë”.

Ajo tregon për mediat serbe se është marrë në pyetje dhe i është kërkuar që të mos pengojë hetimet. Bozhoviç thekson se do të vazhdojë presionin ndaj policisë së Kosovës dhe gjykatave lidhur me zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ajo veçanërisht thekson se është e pakuptueshme ajo që askush nga bashkësia ndërkombëtare deri më tani nuk e ka trajtuar këtë rast.

“Përse hesht KFOR dhe EULEX, përse hesht Ambasada Amerikane për deklaratën e lëshuar para vrasjes”, shton zyrtarja e partisë së iniciativës qytetare SDP, e cila kërkon që të informohet populli se nga kush kërcënohet, çfarë janë kërcënimet dhe çfarë rreziku i kanoset./abcnews.al

vlcsnap-error180-1280x720.jpg
ent ela15:41 | 20/01/2018

Ka shkaktuar jo pak tensione vrasja e liderit te serbëvenë Mitrovicën e Veriut Oliver Ivanoviç. Vrasja e tij e konsideruar si një akt terrorist nga Beogradi ndodhi në momentin që pritej të niste sërish dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërprerë prej nëj viti e që tashmë është bllokuar sërish, por pasojat e vrasjes të atij që njihej si “njeriu i urës” duket se nuk do të ndalojnë këtu./abcnews.al

 

vuqiuq-ks-727x450.jpg
ent ela11:19 | 20/01/2018

Nën masa të forta sigurie, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç mbërriti në Kosovë ku do të takohet me përfaqësues të politikës serbe në Mitrovcë. Ai gjithashtu do të kryejë homazhe dhe në vendin ku u vra politikani serb Oliver Ivanoviç.

Presidenti Aleksandër Vuçiç ka mbërritur në Kosovë ku do të takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve në jug të lumit Ibër. Gjatë vizitë së tij në Mitrovicë ai do të bëjë homazhe në vendin ku u vra në 16 janar politikani serb liver Ivanoviç.

Agjencia serbe e lajmeve Tanjug raporon se në Mitrovicë janë marrë masa të shumta sigurie, me agjentë policie në pikat më të ndjeshme të qytetit por dhe me policë civilë të cilët qëndrojnë mes njerëzve që kanë pritur kreun e shtetit serb rrugëve të qytetit.

Tanjug thekson se një numër i madh personash u mblodhën para manastirit në Zveçan në pritje të Vuçiç.

Në një pjesë të rrugës nëpër të cilën do të kalonte automjeti i presidetit serb janë vënë flamuj serbë./abcnews.al

ramush-haradinaj_1499679648-5275555.jpg
ent ela12:01 | 18/01/2018

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se delegacioni i Kosovës nuk është takuar për asnjë moment me palën serbe në Bruksel. Madje pala kosovare ka pritur rikthimin e tyre Bruksel, duke u larguar për në Prishtinë vetëm një ditë pas vrasjes së Ivanoviç në veri të Mitrovicës.

Duke komentuar tërheqjen e Beogradit nga dialogu menjëherë pas vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç në veri të Mitrovicës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh se nuk ishin takuar për asnjë moment në Bruksel
Ai shtoi se delegacioni i Kosovës që po kryesohet nga Avni Arifi u takua vetëm me zyrtarë të BE-së, duke thënë se takimet me palën serbe ishin parashikuar më 16 dhe 17 janar.
Më tej, kreu i ekzekutivit kosovar u shpreh se me kërkesë të BE, delegacioni kosovar priti gjatë gjithë ditës së martë për rikthimin e delegacionit serb, për tu kthyer më pas në Prishtinë një ditë më pas.
Vrasja e e Oliver Ivanoviç e ndodhur zonën veriore të Mitrovicës e cila kontrollohet nga Serbia, është kërkuar të zbardhet sa më shpejt edhe nga institucionet kosovare. Policia e Kosovës bëri të ditur se ka disa prova që ndihmojnë në gjetjen e autorëve të atentatit ndaj politikanit serb./abcnews.al

vlcsnap-error311-1-1280x720.jpg
ent ela11:55 | 18/01/2018

Në Beograd ka nisur ceremonia e varrimit të politikanit serb Oliver Ivanoviç, ku shumë njerëz i shprehin ngushëllime familjarëve. Në homazhet që do të zgjasin deri në orët e pasdites të së enjtes, pritet që të marrin pjesë dhe përfaqësues të qeverisë serbe.

Varrezat e reja të Beogradit. Familja e Oliver Ivanoviç pret në radhë ngushëllimet dhe thonë se shpresojnë që kjo vdekje të jetë e fundit në Kosovë.

Miqtë e shumtë presin kufomën për të nisur me ceremoninë që do të vazhdojë deri pasdite.

Bisedat në mes të presidentëve të Serbisë e Kosovës e kanë relaksuar situatën në media.

Lideri i Mitrovicës së veriut do përcjellet me nderime. Nga qeveria e Serbisë pritet të ketë përfaqësues nga kryeministria dhe zyra për Kosovën, por nuk dihet nëse do të jetë edhe presidenti, Aleksandër Vuçiç.

Në një kishë tjetër të Beogradit mbahet edhe një liturgji. Gazetarët serbë presin nëse do të vijnë edhe përfaqësues shqiptarë në ceremoninë e varrimit.

Zyrtarët serbë thonë se në hetime kanë gjetur se pronari i makinës së djegur, nga ku dyshohet se është kryer vrasja, është një serb nga Austria. Por, pronari ka vdekur prej kohësh.

Shumë presin që të zbardhet vrasja për të shmangur tensionet politike./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono