njohje

czezh.jpg
ad min14:58 | 11/09/2019

Presidenti i Republikës së Çekisë, Zeman, ndodhet për një vizitë në Beograd ku është pritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Një ditë më parë ai u shpreh se nuk i pëlqente Kosova dhe sipas mediave serbe, ai ka shtuar se njerëzit e luftës nuk duhet të kenë vend në institucionet demokratike.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me homologun serb Vuçiç, Zeman paralajmëroi se shteti i tij do të shqyrtojë tërheqjen e njohjes për pavarësinë e Republikës së Kosovës brenda një muaji.

Presidenti Zeman, roli i të cilit në Çeki është vetëm ceremonial, e ka pranuar se për një gjë të tillë duhet të vendosin institucionet tjera të shtetit, duke shtuar se nuk mund të imponojë qëndrimin e tij.

Zeman tha se shpreson që të marrë përkrahjen e Ministrit të Mbrojtjes, Lubomir Mentar, i cili kishte deklaruar se ishte një gabim diplomatik, vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës./ABC News Albania 24/7

kremlin.jpg
ad min19:18 | 18/03/2019

Rusia ka njohur termin “Republika e Maqedonisë së Veriut” si emrin e ri zyrtar të Maqedonisë. Vendimi është marrë të hënën dhe është komunikuar nga Ministria e Jashtme ruse, pavarësisht se më herët Kremlini kishte shprehur rezervat e tij mbi legjitimitetin e këtij emërtimi.

Njohja nga Moska vjen pasi Parlamenti maqedonas miratoi në janar një amendament që i jepte vendit emrin e ri, në kuadër të marrëveshjes së Prespës të arritur me Greqinë për t’i dhënë fund kontestit 27-vjeçar mes dy vendeve fqinje.

Skepticizmi rus kishte të bënte me faktin se emri i ri i jepte vendit ballkanas akses në aleancën ushtarake të NATO-s, zgjerimin e të cilës Kremlini e sheh me shqetësim./abcnews.al

ambasadori-1-1280x702.jpg
ent ela16:05 | 09/03/2019

Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit David Hale ndodhej për vizitë zyrtare në Prishtinë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë një qëndrim rreth rezultatit të dialogut Kosovë-Serbi, por këmbëngulin për njohje të ndërsjellët.

Me synim vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi ndihmës-sekretari amerikan i shtetit David Hale ka takuar sot në Prishtinë krerët e institucioneve të Kosovës.

Takimi është zhvilluar pa praninë e mediave. Megjithatë ndihmës-sekretari amerikan ka zgjedhur të flasë vetëm për tre gazetarë të mediave kosovare të cilëve u ka thënë se përkrahja amerikane për Kosovën është e palëkundshme.

Sipas tyre Hale ka përsëritur qëndrimin amerikan rreth dialogut, duke theksuar se Washingtoni konsideron se tani është një moment i përshtatshëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, duke theksuar se në bosht të asaj marrëveshjeje duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Në takim pala kosovare nuk është pajtuar me kushtëzimet e Beogradit. Përmes një statusi në Facebook presidenti Hashim Thaçi ka shkruar se janë të gatshëm për vazhdimin e dialogut.

Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun ka shkruar Thaçi në Facebook.

Kryeministri Haradinaj ka ftuar Serbinë që të ulet në tavolinën e diskutimeve.

“Në takim paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme më shumë se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe më domethënës pas votimit të Platformës se Dialogut dhe Ligjit. E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Pas takimit me njeriun e tretë të Departamentit Amerikan të Shtetit menjëherë një takim tjetër është zhvilluar në një nga restorante e Prishtinës ndërmjet presidentit Hashim Thaci dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Asnjëri nuk e kanë komentuar takimin me ndihmës-sekretarin amerikan./abcnews.al

biden.jpg
ad min12:30 | 02/03/2019

Me anë të një letre dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-zëvendës presidenti amerikan Biden i kërkon atij të ndjekë rrugën e njohjes reciproke me Serbinë, duke mos përkrahur idenë për ndryshim kufijsh.

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden i ka dërguar një letër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Përmes kësaj letre, Biden i kërkon Thaçit që të ndjekë vetëm rrugën e njohjes reciproke me Serbinë. Biden nuk i ka ofruar Presidentit Thaçi përkrahje në idenë e tij për ndryshim të kufijve dhe ka kërkuar nga ai që të ndjekë vetëm rrugën e njohjes reciproke më Serbinë.

Nga ana tjetër zëvendësndihmës sekretari amerikan i shetit Mathew Palmer u shpreh se Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, dhe të njëjtën duhet ta bëjë edhe Kosova. Ai e bëri këtë deklaratë në një panel dedikuar Evropës Juglindore në Forumin Ekonomik Delphi, që po mbahet në Greqi.

Sipas gazetës serbe “Danas”, duke folur lidhur me qëndrimin e SHBA-së në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë, Palmer u shpreh se ekziston një keqkuptim rreth pozicionit amerikan. Palmer tha se Kosova duhet ta heqë ose pezullojë taksën, sepse ajo është pengesë për avancim në bisedime./abcnews.al

dacic.jpg
ad min15:18 | 12/10/2018

Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Beogradit që të ndalojë fushatën për anulimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Serbia prej kohësh ka ndërmarrë një fushatë për të bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën, të anulojnë vendimin për njohjen e pavarësisë. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, përsëriti se një nga objektivat e tij është që numrin e njohjeve ta cojë nga 116 që është aktualisht, nën 96.

Ndërkohë Daçiç në një intervistë të fundit për një televizion serb u ankua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar që të ndalojë këtë fushatë. Kjo me arsyetimin se pala serbe po punon kundër dialogut me Kosovën.

Sipas ministrit të Jashtëm serb kjo kërkesë atij i është bërë gjatë vizitës në Nju Jork ku ndodhej me kryeministren e vendit Ana Brnabiç./abcnews.al

holanda.jpg
ad min18:05 | 21/06/2018

Mediat prestigjoze “De Telegraaf” shkruan se Holanda ka bllokuar hapjen e negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE. Sipas kësaj mediaje që citon burime qeveritare, Shqipëria duhet të bëjë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kur kanë mbetur vetëm pak ditë për votimin lidhur me hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në BE, Holanda ka dashur të qartësojë qëndrimin e saj për të mos lënë vend për surpriza. Sipas asaj që shkruan media e njohur e këtij shtetit “De Telegraaf”, qeveria ka vendosur të shprehet negativisht për çeljen e negociatave.

“Ne kemi shqetësime serioze në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” thotë ministri i Jashtëm holandez, Het Blok.

“Fillimisht duhet të bëhen më shumë përparime në këto pika”, shton ai.

Partitë që kundërshtojnë hapjen e negociatave janë: Partia Popullore për Liri dhe Demokraci e kryeministrit Mark Rutte, Apeli Kristian Demokrat, Unioni Kristian, Partia për Liri e euroskeptikut Geert Wilders dhe partia 50Plus. Ndërsa ato që e mbështesin janë vetëm dy, Partia Demokratike 66 dhe Grooen Links.

Deputeti i Apelit Kristian Demokrat, Van Helvert njeh ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, por nënvizon se nuk duhet të bëhet pazar me anëtarësimin.

“Nuk ka progres në Shqipëri, për shembull në reformën e gjyqësorit. Gjyqtarët janë shfaqur. Por nga tetëqind gjyqtarët vetëm dhjetë janë testuar. Atëherë nuk mund të thuash: vendi është gati për negociata për anëtarësim”, thotë ai.

Ndërkohë, partite holandeze sipas “De Telegraaf”, besojnë se vendet duhet të kujdesen mirë për sundimin e ligjit, qasjen ndaj krimit dhe luftën kundër korrupsionit./abcnews.al

vlcsnap-error232-1280x720.jpg
ad min16:49 | 18/02/2018

Presidenti Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se duhet arritur një kompromis me shqiptarët e Kosovës. Sipas tij, një marrëveshje mes dy palëve është jetike për Beogradin.

Presidenti serb e ka quajtur kompromisin me shqiptarët si interes jetësor për Serbinë dhe popullin serb.

Aleksandër Vuçiç ka pritur studentët e Universitetit të Prishtinës që funksionon në Mitrovicën Veriore dhe ka vlerësuar se kompromisi nuk do të thotë dobësi.

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë: “Ne serbët duhet ta kuptojmë se çdo kompromis, jo tolerim, por kompromis me shqiptarët është interesi më i lartë i Serbisë dhe popullit serb. Duhet të kujdesemi për popullin tonë dhe ta shohim të ardhmen dhe ta dimë ç’mund të bëjmë”.

Vuçiç ka thënë se megjithatë duhet një kompromis, ku askush nuk do t’i fitojë të gjitha. Serbia është nën presion për ta njohur Kosovën.

Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë: “Për t’u futur në OKB duhet arritur marrëveshje me Serbnë dhe për të arritur deri këtu duhet të bëjmë kompromis, e jo të thuhet Serbia duhet ta njohë pavarësinë se ne kështu na pëlqen”.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Presidentit serb do të vazhdojnë me 26 Shkurt dhe do të flitet për temën e asociacionit të komunave serbe, por një muaj më vonë dialogu pritet të jetë në nivel presidentësh./abcnews.al

Idro Seferi, gazetar i ABC News, Beograd

newsborn.jpg
ad min22:42 | 15/02/2018

Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, për Kosovën ka ardhur një lajm i mirë nga Barbadosi, që ka vendosur ta njohë si shtet të pavarur dhe sovran.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm, Behxhet Pacolli, i cili ka publikuar edhe dokumentin e njohjes zyrtare.

“Në vigjiljen e festës së madhe të pavarësisë, ja edhe një njohje nga shteti i Barbadosit. Urime Kosovë e dashur!”, thuhet në postimin e tij.

Me Barbadosin në listë, shteti i Kosovës njihet nga 116 vende në botë. Barbadosi është një shtet-ishull në rajonin e Karaibeve./abcnews.al

vlcsnap-error331-1-1280x720.jpg
ad min12:11 | 28/01/2018

Gazeta serbe Blic shkruan se Vladimir Putin është i gatshëm të njohë pavarësinë e Kosovës duke sakrifikuar marrëdhëniet me Beogradin. Në analizën e saj, e përditshmja nënvizon që Serbia është ndihmuar më shumë nga BE se sa Rusia.

Gazeta serbe Blic, i ka kushtuar një analizë të gjerë mundësisë së njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Rusia.

Sipas të përditshmes, “Rusia gjithmonë Serbinë e ka shfrytëzuar si trampolinë të përshtatshme për realizimin e interesave të saj gjeopolitike”. Kjo media shkruan se nuk janë pa bazë “pretendimet e Mary Deevsky të Institutit Mbretëror Britanik se Putin, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë me administratën e re të SHBA, do të njohë një Kosovë të pavarur”.

“Kjo është hera e dytë për disa muaj që në qarqe kaq të larta flitet për mundësinë e njohjes së Kosovës nga Rusia. Në Shtator të vitit të kaluar, Vladimir Putin barazoi Kosovën dhe Krimenë, duke kritikuar Perëndimin dhe kërkoi respektimin e vullnetit të popullit”, vijon analiza e Blic.

Me këtë qëndrim, Putin, ndonëse vendi i tij nuk e njohu Kosovën si shtet, në të vërtetë deklaroi se shkëputja e provincës jugore nga Serbia është bërë në përputhje me vullnetin e popullit. Në analizë, e përditshmja shkruan që Serbinë e ka ndihmuar më shumë Brukseli se sa Moska.

Blic, duke krahasuar kontributet e BE-së dhe Rusisë, thekson se “Europa në Serbi ka investuar shumë. “Po të mos ishin investimet europiane ky shtet do të kishte falimentuar prej vitesh”, vijon analiza. Vetëm 10 vitet e fundit, BE ka investuar mbi 5 miliardë euro./abcnews.al

kancer.jpg
ad min19:53 | 19/01/2018

Shkencëtarët kanë hedhur hapa përpara drejt një prej qëllimeve më të rëndësishme të mjekësisë, atij të një analize të përgjithshme të gjakut për të zbuluar kancerin.

Një ekip në Johns Hopkins University ka zhvilluar një metodë, e cila zbulon tetë forma të zakonshme të sëmundjes.

Vizioni i tyre është një analizë vjetore e gjakut në mënyrë që të zbulojë kancerin duke shpëtuar në këtë mënyrë jetë njerëzish.

Sipas BBC-së, ekspertët britanikë mendojnë se ky zbulim është goxha mahnitës.

Megjithatë, ekspertë të tjerë mendojnë se duhet akoma shumë punë për të provuar këtë zbulim dhe për të kuptuar efiçensën e tij në njohjen e kancerit në fazat më të hershme./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono