Nikos Kotzias

greqia.jpg
G. P.13:41 | 20/11/2018

Sipas sondazheve më të fundit në Greqi, pjesa më e madhe e popullsisë është kundër marrëveshjes së arritur me Maqedoninë për çështjen e emrit. Madje 60 për qind e të anketuarve kanë një mendim negative për ish-ministrin e Jashtëm Kotzias, një nga protagonistët e kësaj marrëveshjeje.

Pjesa më e madhe e grekëve janë kundër marrëveshjes së arritur në muajin Qershor mes Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë për të zgjidhur një konflikt që zgjaste prej dekadash. Sipas sondazhit më të fundit të kryer në periudhën 6–16 Nëntor, rezulton se 65 për qind e popullsisë e kundërshtojnë këtë marrëveshje, 17 për qind e mbështesin dhe 13 për qind janë të pavendosur. Ndërsa 5 për qind deklarojnë se nuk janë të interesuar dhe nuk kanë asnjë mendim apo ide për marrëveshjen.

Ndërsa të pyetur për një mendim për ish-ministrin e Jashtëm, Nikos Kotzias, një nga protagonistët e marrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit, 60 për qind e të intervistuarve pohuan se kanë një mendim negativ për të, ndërsa 32 për qind mbështesin punën e tij. Të pyetur nëse marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë janë përmirësuar apo përkeqësuar në krahasim me një vit më parë, 52 për qind e tyre mendojnë se janë përkeqësuar dhe 44 për qind këmbëngulin se nuk kanë ndryshuar. Ndërkohë që 53 për qind e të intervistuarve kanë një mendim negativ për kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev./abcnews.al

k2-thumb-large-933x445.jpg
G. P.14:33 | 17/10/2018

Përplasjet politike në Greqi lidhur me marrëveshjen e Prespës kanë shkaktuar “viktimën e parë”. Ministri i Jashtëm,, Nikos Kotzias, ka dhënë dorëheqjen për shkak të një përplasjeje me ministrin e Mbrojtjes, Panos Kamenos, që e konsideron paktin me Shkupin shitje të vendit.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka dhënë të mërkurën dorëheqjen nga posti për shkak të një përplasjeje politike lidhur me marrëveshjen e Prespës. Sipas mediave ndërkombëtare, Kotzias ka patur një përplasje të fortë me ministrin e Mbrojtjes, Panos Kamenos, një kundërshtar i ashpër i paktit që i jep fqinjit emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

Përmes një postimi në Twitter pas largimit, Kotzias u shpreh: “Donin të më varrosnin thellë në tokë dhe unë harrova që jam vetëm një farë”.

Ndërkohë, kryeministri Aleksis Tsipras ka pranuar dorëheqjen e ministrit të tij, që mund të konsiderohet “viktima e parë” e përpjekjes për t’i dhënë fund kontestit me Maqedoninë që zgjat prej disa dekadash.

Tsipras bëri me dije se do të mbulojë personalisht detyrën e ministrit të Jashtëm deri në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm dhe deklaroi se do të bëjë gjithçka që marrëveshja e Qershorit të implementohet, pavarësisht se kundërshtohet në të dyja anët e kufirit.

“Ky është një sinjal se nga sot e tutje nuk do të lejohet më asnjë qëndrim i dyfishtë kur bëhet fjalë për interesin kombëtar”, tha Tsipras.

Kamenos, që drejton një parti të vogël të krahut të djathtë, e sheh marrëveshjen me Shkupin si shitje të vendit dhe ka kërcënuar me braktisje të koalicionit qeverisës nëse ajo shkon për votim në Parlament.

“Si ai edhe Kotzias janë dy njerëz me karakter shpërthyes”, ka thënë një burim i besueshëm për agjencinë “Reuters”.

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Tsipras u bëri thirrje ministrave që ta mbështesin në rast se opozita kërkon një votëbesim./abcnews.al

KOTZIAS-SHKUPI.mpg_snapshot_00.16-1280x720.jpg
G. P.11:14 | 16/10/2018

Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka paralajmëruar Maqedoninë se nuk ka zgjidhje tjetër për anëtarësim në BE dhe NATO përveç zbatimit të marrëveshjes së Prespës. Ai i bëri thirrje opozitës në të dy vendet që të pranojnë këtë marrëveshje.

Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias ka porositur përsëri Shkupin se nuk ekziston asnjë zgjidhje tjetër përveç pranimit të marrëveshjes së Prespës. Pas takimit në Këshillin për çështje të jashtme të BE-së në Luksemburg, shefi i diplomacisë greke shtoi se edhe me një matematikë të thjeshtë të shkollës fillore, nuk mund të arrihet marrëveshje më e mirë për secilën palë, “siç theksojnë opozitat e dyja vendeve”.

Sipas asaj që raporton agjencia greke e lajmeve MIA, Kotzias ka thënë se takimi i djeshëm ka filluar me çështje lidhur me Maqedoninë.
“Kam sqaruar se duhet të kuptohet në Shkup se nuk ekziston asnjë zgjidhje pa pranimin e Marrëveshjes së Prespës dhe se nuk është e mundur të ndodhë ajo që thonë se dy partitë opozitare në Athinë dhe Shkup, se mund të sigurojnë një marrëveshje më të mirë për secilën palë, pasi kjo nuk është e realizueshme”, ka thënë shefi i diplomacisë greke.

Kotzias nënvizoi edhe njëherë se nuk do të ketë anëtarësim të Maqedonisë në BE dhe NATO pa implementimin e marrëveshjes së Prespës. Kjo është një porosi që është dhënë edhe nga kryeministri Aleksis Tsipras.

afrim-gashi.png
G. P.20:01 | 04/10/2018

Afrim Gashi, kryetar i Lëvizjes Besa, ka deklaruar se situata e krijuar pas referendumit në Maqedoni mund të tejkalohet me konsensus politik nëse palët kanë vullnetin e duhur. Sa i takon akuzave se Lëvizja Besa ndikoi në dështimin e referendumit, të bëra nga ministri i Jashtëm grek, Gashi ka theksuar se diplomacia greke është e keqinformuar.

Kreu i njërit krah të Lëvizjes Besa, Afrim Gashi, thotë se tensionet e krijuara pas referedumit të së dielës mund të tejkalohen me arritjen e një kompromisi midis forcave politike.

Afrim Gashi: “Unë besoj se zgjidhja më e mirë për momentin është që marrëveshja të votohet me dy të tretat në Parlament. Të ulemi si liderë, si përfaqësuesit e pushtetit dhe të opozitës, dhe të merremi vesh. Jemi mandatuar nga populli, kemi numrat, të gjejmë zgjidhjen”.

Për dallim nga krerët e partive tjera opozitare shqiptare Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa krahu i Kasamit, Gashi shprehet se ndryshimi i kushtetutës në kuvend nuk duhet të kushtëzohet edhe me përfilljen e kërkesave shqiptare.

Afrim Gashi: “Nuk jam për ndryshime kozmetike sa i përket çështjes shqiptare, por për ndryshime rrënjësore, konsensuale, që të merremi vesh se këtë shtet mund ta bëjmë këtu, me këto parametra, me këtë sistem. Ndryshe jo vetëm nuk e nderojmë palën shqiptare, por procesin e rëndësishëm për vendin”.

Duke komentuar deklaratën e shefit të diplomacisë geke Nikos Kotzias dhënë televizionit shtetëror grek, i cili kishte veçuar rolin e partisë Besa, në pjesëmarrjen e ulët të votuesve në referendumin e së dielës, kreu i njërit krah të Lëvizjes Besa, Afrim Gashi tha se diplomacia greke ka qenë e keqinformuar./abcnews.al

nikos-kotzias.jpg
G. P.15:46 | 10/09/2018

Ministri i Jashtëm grek njofotoi se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje me Shqipërinë për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull. Kotzias gjithashtu përmendi se në këtë paketë me 10 çështje, përfshihen kufijtë dhe zonat detare.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, gjatë një vizite në Norvegji ka komentuar zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit. Duke folur për principet e politikës së jashtme helene, ai foli edhe për negociatat me Shqipërinë dhe u shpreh shumë optimist për një zgjidhje të mundshme.

Nikos Kotzias, ministër i Jashtëm i Greqisë: “Përmes kësaj politike të jashtme proaktive, ne jemi shumë afër zgjidhjes së problemeve të vjetra për dekada me Shqipërinë. Shumë shpejt, besoj, do të përfundojmë me sukses negociatat për paketën me 10 çështje. Kjo paketë, përfshin dhe përcaktimin e kufijve dhe zonat detare”.

Kotzias nga Oslo në forumin e Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Norvegjisë për akademikët e politikanët e vendit foli edhe për rolin lider të Greqisë në rajon. Gjithashtu tha se diplomacia greke është “paqësore, dinamike, inteligjente dhe e dialogut”.

Sa i përket marrëveshjes për emrin me Maqedoninë, Kotzias njoftoi se ky akord nuk ka ardhur nga presioni ndërkombëtar. Shefi i diplomacisë greke nënvizoi se çështjet e mbetura pezull me Tiranën dhe Shkupin kanë penguar zhvillimin e marrëdhënieve mes palëve./abcnews.al

nikos-kotzias.jpg
G. P.14:58 | 21/07/2018

Kryediplomati grek, Nikos Kotzias, ka akuzuar opozitën e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë se po përpiqen të punojë mbi zemërimin e njerëzve për të riprodhuar stereotipet negative dhe paragjykimet mes popujve.

Nuk janë vetëm çështjet e mbetura pezull ato që pengojnë firmosjen e një mararveshje me Greqinë. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në një intervistë për shtypin e shkruar të vendit të tij akuzon opozitat në të dyja anët e kufirit se po përpiqen të shfrytëzojnë ndjeshmëritë e opinionit për përfitime të ngushta politike.

“Ne kemi probleme me Shqipërinë, madje edhe 90-vjeçare. Çështjet mbetën të pazgjidhura pasi u ekspozuan në një masë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, shtuar këtu  faktin  që qeveritë e mëparshme edhe nëse donin të zgjidhnin disa prej tyre, i lanë në mes të rrugës. Le të marrim si shembull ligjin e luftës. A mund të imagjinojmë se jemi akoma dy vendet në luftë? Opozitat, në të dy anët e kufirit, po përpiqen të punojë mbi këtë bazë, mbi zemërimin e njerezve. Për të riprodhuar stereotipet negative dhe paragjykimet mes popujve. Arritën të thonë se Greqia humbi Epirin e Veiut për shkakun tim”.

I pyetur nëse një marrëveshje me Shqipërinë do të shkaktojë të njëjtat reagime si pakti me Maqedoninë, Kotzias dha këtë përgjigje.

“Kam shpresën se do të ketë më shumë pjekuri sa i përket zgjidhjeve për çështjet që kemi me Shqipërinë. Ne duam miqësi mes popujve dhe një politikë të bashkëjetesës paqësore midis shoqërive tona. Personalisht, unë gjithmonë i kam admiruar studentët e mi të shkëlqyer shqiptarë në Universitetin e Pireut, të cilët janë bërë mësues në vendin e tyre”.

Palët janë optimiste se javët e ardhshme do të jenë vendimtare për përmbylljen e bisedimeve, ku ende në diskutim janë delimitimi i zonave detare, piramidat kufitare dhe menaxhimi  incidenteve  në kufij./abcnews.al

nikos-kotzias12.jpg
G. P.18:03 | 03/07/2018

Ministri i jashtëm i Greqisë, Kotzias njoftoi se Turqia dëshironte të ndërtonte bazë detare në Durrës. Duke iu përgjigjur opozitës helene, ai thotë se rishikimi i kufijve është temë serioze dhe jo lojë politike.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, gjatë një interviste në një radio vendase i është përgjigjur pretendimeve të opozitës, që pretendon se shefi i diplomacisë ka bërë lëshime të shumta në negociatat me Shkupin dhe Tiranën. Duke u shprehur me shumë mllef, ai ripërsërit se çështja e Çamërisë nuk ka qenë kurrë në tavolinën e bisedimeve me Shqipërinë. Madje akuzon qeverinë e Demokracisë së Re të 1990-s që ka negociuar për këtë temë.

Duke iu referuar jugut të Shqipërisë si “Epiri i Veriut”, Kotzias nënvizoi se është qesharake të pretendohet se ai i përket Greqisë. Ministri i Jashtëm tha më tej se kërkesat e opozitës i kujtojnë ato të qeverisë turke, që kërkon rishikimin e kufijve.

“Këto nuk janë lojëra. Disa e bëjnë lojëra të vogla dhe në Perëndim. Përsa i përket Vorio Epirit, nuk i përket Greqisë dhe nuk ka çështje të tillë. Pranojmë kufijtë e aktit të Helsinkit, të traktatit së Parisit 1926, të drejtën ndërkombëtare, pasojat e dy luftërave botërore. Nuk bëjmë pazare të Çamërisë me Vorio Epirin. Akuzat mediatike dhe mikropolitike janë serioze. Doni luftë? Nuk luhet me këto tema”, u shpreh Kotzias duke nënvizuar edhe njëherë që “Vorio Epiri” tashmë i përket një shtetit sovran dhe të pavarur.

Ndërkohë, sa i përket heqjes së ligjit të luftës, ministri i Jashtëm thotë se kjo do lejojë rikthimin e pronave tek shtetasit shqiptarë, pronarë para lufte por jo tek çamët. Ndërkohë, zyrtari i qeverisë greke ka folur edhe për ndikimin e Turqisë në Ballkan. Sipas Kotzias, qeveria e Ankarasë dëshironte të ndërtonte baza detare në Durrës të Shqipërisë dhe bazë në Maqedoninë Veriore. Lidhur me marrëveshjen për emrin me Shkupin, Kotzias njofton se qeveria e Athinës i ka votat për ratifikimin e saj. Ai shton se anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe NATO është i dobishëm edhe për Greqinë./abcnews.al

kotzias.jpg
G. P.15:10 | 28/06/2018

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka sqaruar edhe njëherë se për çfarë po negociohet me palën shqiptare per arritjen e marrëveshjes bilaterale. Gjatë një interviste për mediat greke, ai njoftoi se “baza për përcaktimin e hapësirës detare mes dy vendeve do të jetë 12 milje”.

Kotzias u shpreh se qeverisë greke i interesojnë më shumë ishujt në afërsi të Korfuzit. Gjithashtu ai përsëriti se çështja çame nuk është pjesë e negociatave. Madje Kotzias nënvizoi se nuk do të pranojë kurrë që kjo çështje të jetë pjesë e negociatave mes dy delegacioneve./abcnews.al

kotziasjpg-2-thumb-large.jpg
G. P.13:35 | 28/06/2018

Ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, deklaron se është kërcënuar përsëri me jetë per shkak te marrëveshjes me Maqedoninë. Shefi i diplomacisë shprehet i habitur përse nuk vepron prokuroria. Kotzias thotë se ai dhe familja e tij ka marrë rreth 800 pako kërcënuese.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, është shfaqur shumë i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes. Gjtë një interviste për një radio të Athinës, kryediplomati tregon se vijon të marrë kërcënime për shkak të marrëveshjes së arritur me Maqedoninë për emrin dhe për negociatat me Shqipërinë për çështjet e hapura. Ai akuzoi opozitën greke, se me deklaratat e bëra sëfundmi kanë nxitur veprime të tilla.

“Më kanë dërguar kuti me gjak dhe plumba”, tregon Kotzias, duke pyetur pse nuk ka ndërhyrë prokuroria dhe pse opozita nuk i ka dënuar këto veprime.

“Unë kam marrë 800 pako me kërcënime për jetën time dhe familjen time. Unë kam marrë kuti me copa toke të lyera me gjak. Ku është prokurori? Ne po flasim për krime të rënda, për të cilat unë nuk shoh të përgjigjet ndokush. Kam zbuluar emrat e njerëzve që po më kërcënojnë në telefon”, shton ministri i Jashtëm grek, duke drejtuar gishtin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila sipas tij po injoron këto kërcënime.

Ndërkohë, ndër të tjera, Kotzias ka folur edhe për marrëveshjen e arritur me Shkupin. Sipas tij, qytetarët në maqedoni do të votojnë me 16 ose 23 Shtator për pranimin ose jo të emrit të ri “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Ai përgëzoi qeverinë Zaev për gatishmërinë e treguar në negociata dhe akuzoi ekzekutivin e mëparshëm të Nikolla Gruevskit për retorikë armiqësore.

nikos-kotzias.jpg
G. P.15:12 | 26/06/2018

Ndërsa takimi i ministrave të Jashtëm vijon ende në Luksenburg, kreu i diplomacisë greke Nikos Kotzias jep detaje të ecurisë së deritanishme të këtyre bisedimeve. Kotzias thotë se ka dy grupe vendesh, njëri që është mazhorancë e madhe me 25 shtete, që mbështesin hapjen e negociatave për verën e 2019-s. Ndërsa, sipas tij, 3 vende, Danimarka Holanda dhe Franca theksojnë se duhet të shihet stabiliteti dhe siguria e gjithë rajonit në Evropën Juglindore.

“Kush tha se nuk do të marrin dritën e gjelbër? Mendoj se ka dy grupe vendesh, njëri që është mazhorancë e madhe me 25 shtete, që mbështesin hapjen e negociatave për verën e 2019-s, dhe 3 vende, Danimarka, Holanda dhe Franca që thonë se duhet të shohin procesin, procesin evropian, stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit në Evropën Juglindore. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë BE. E di që disa vende frikësohen nga populizmi, po nuk mund të luftojmë populizmin me hapa pas. Disa vende kërkojnë integrim të thelluar dhe pastaj zgjerimin, dhe kanë të drejtë, po u tregova një histori që e di mirë se çfarë ndodhi në vitet ‘90. Eksperienca jonë është se mund të bëjmë në të njëjtën kohë të dy proceset dhe është më e mirë për Evropën”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono