negociatave

soreca-1-1280x709.jpg
Sej rie12:00 | 11/07/2019

EUROPOL ka hapur zyrën e tij në Tiranë, duke bërë që një oficer i lartë policor të punojë në një zyrë të posaçme në Policinë e Shtetit, për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh. Në ceremoninë e hapjes së zyrës  së oficerit ndërlidhës të Europol, Ministri i Brendshëm tha se thellimi i integrimit dhe lëvizjes së lirë na vë edhe përpara sfidave për forcimin e sigurisë.

Shqipëria bëhet vendi i parë në Ballkan që EUROPOL ka hapur një zyrë të posaçme në Policinë e Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.

Në ceremoninë e përurimit të Zyrës së Oficerit Ndërlidhës të EUROPOL ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, pohoi se, Shqipëria është integruar “de facto” në BE ndërsa, “de juro” po ecën në rrugën e sigurt.

Sandër Lleshaj: “Përpjekja jonë për integrim në Bashkimin Europian po konkretizohet përditë e më shumë në element konkretë dhe praktikë. Fillimi i operacionit të FRONTEX në kufijtë e Shqipërisë, përbën një hap të rëndësishëm, i cili ndodh për herë të parë në një vend jashtë BE. Edhe hapja e Zyrës së EUROPOL në Tiranë, është e para në rajon dhe siç tha dhe Drejtorja Ekzekutive e dyta në botë pas Uashingtonit, gjë që na bën të ndihemi mirë. Në njëfarë mënyre, ne po realizojmë hapa që shënjojnë njëfarë integrimi “de facto”. Dhe kjo qasje, ky integrim de facto në BE, besoj që është rruga më e drejtë për të arritur dalëngadalë e të sigurt drejt integrimit de jure”.

Ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca theksoi se prania e Europol në Tiranë do të ndihmojë Shqipërinë për  hapjen e negociatave me BE-në.

Luigi Soreca: “Numri i operacioneve dhe koordinimi i Shqipërisë me EUROPOLIN janë rritur. Ato kanë sjellë rezultate në rritjen e goditjes së grupeve kriminale. Policia e Shtetit shqiptar është e aftë për t’u angazhuar në shumë operacione policore me partnerët europian. Ky operacion ndihmon edhe në angazhimin e Shqipërisë në fushën e sigurisë por edhe në procesin e hapjes së negociatave me BE. Unë jam shumë krenar që po e shoh një gjë të tillë në Shqipëri dhe jam më shumë i bindur se puna e EUROPOL do jetë shumë e mirë në bashkëpunimin me policinë shqiptare. Ne do të ndihmojmë Shqipërinë për të pasur më shumë rezultat”.

Zyra e EUROPOL është krijuar në ambientet e drejtorisë së Policisë së Shtetit, ku titullari i institucionit Ardi Veliu, tha se, pa bashkëpunim nuk mund të ketë sukses në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Ardi Veliu: “Bashkëpunimi me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere  për Policinë e Shtetit është një ndër tre prioritetet kryesore të punës së saj, pasi ne jemi të vetëdijshëm dhe të bindur se lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të ketë sukses sado e zhvilluar të jetë një organizatë policore në rast se nuk bashkëpunon me partnerët”.

Ky nuk është fundi por vetëm fillimi i një bashkëpunimi në fushën e sigurisë ishte mesazhi që përcolli drejtoreshës Ekzekutive e EUROPOL, Catherina De Bolle.

/ABC News Albania  

shkup-2-1280x706.jpg
Sej rie17:00 | 19/06/2019

Shefi i diplomacisë sllovake dhe kryesuesi me OSBE-në, Mirosllav Lajçak, pranoi se ka shpresuar se sot do sjellë lajme më të mira në Shkup. Por, anulimin e datës së negociatave e arsyetoi me çështje teknike.

“Mbrëmë asnjëra nga 28 vendet anëtare nuk tha jo, nuk duhet ta ftojmë Maqedoninë e Veriut. Shumica e vendeve thanë së do ta bëjnë këtë, por nuk arritën për shkak të procedurave të brendshme në Gjermani. Por në qoftë se nuk ndodh diçka negative dhe e papritur deri në tetor, shpresoj se atëherë do të ketë ftesë”.

Nikoqiri i tij, ministri Nikolla Dimitrov, nuk e fshehu revoltën e tij  nga sjellja e Brukselit ndaj Maqedonisë së Veriut, por edhe ndaj tërë rajonit.

“Në qoftë se më pyesni për përshtypjet nga përfundimet e mbrëmshme, nuk mund të jemi të kënaqur deri sa nuk vjen vendimi në Tetor, mendoj suksesi jonë do jetë sinjal i rëndësishëm për tërë rajonin se dyert e Evropës janë të hapura dhe vizioni evropian për Ballkanin Perëndimor ekziston. Nëse nuk ndodh diçka e tillë, atëherë kjo do të jetë fundi i asaj perspektive”.

Dimitrov madje dyshon në politikën e jashtme të BE-së, duke theksuar se nëse BE-ja nuk mund të dallojë situatat në Ballkan, për të cilën ndërton strategji me vite, atëherë është vështirë të besojë se do të udhëheqë politikë të besueshme ndaj pjesëve tjera të botës. Por, ndryshe nga ai, Kryeministri Zoran Zaev flet me më shumë optimizëm për përgjigjen e Brukselit.

“Vendimi është garancë absolute, e cila është e nevojshme për mua, besoj edhe për të gjithë qytetarët. Nëse për shkak të, siç theksohet në vendim, afatet e nevojshme kohore, për shkak të publikimit të vonuar të raportit, Tetori do të jetë Tetor… e morëm garanci formale juridike me shkrim”.

Sipas opozitares VMRO-DPMNE gjërat duken më ndryshe. Përkatësisht në Tetor, qeveria e cila pa nevojë i ka rritur pritshmëritë për në muajt e kaluar dhe nuk ka arritur rezultate në reforma, do të marrë vetëm detyra të reja që duhet t’i plotësojë në periudhën që vjen, ndërsa data për negociata edhe më tutje do të prolongohet.

“Çfarë do të thotë, në skenarin më të mirë është pikëpyetje nëse deri në Dhjetor të vitit 2020 në mund të presim fillim të negociatave me BE-në”.

Ligji i bllokuar për të ardhmen e PSP-së, draftin e të cilit e hedh poshtë kategorikisht opozitarja VMRO-DPMNE, sipas Kryeministrit Zaev nuk është kusht i caktuar nga BE-ja, por është sugjerim si pjesë e reformave në vend. Ai  theksoi se është i gatshëm për vazhdimin e negociatave gjatë periudhës së verës./ABC News Albania 24/7

negociatatata-1280x728.jpg
Sej rie17:15 | 18/06/2019

Këshilli Evropian do të marrë në fund të Tetorit një vendim substancial për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Këtë vendim morën Ministrat e Jashtëm në takimin e sotëm në Luksemburg, që thanë se për arsye kohe Bashkimi Evropian vijon shqyrtimin e rekomandimeve te Komisionit.

“Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë lënë mënjanë konkluzionet ambicioze lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me BE. Në këto konkluzione thuhet se mbahet shënim për rekomandimet e Komisionit Evropian dhe rekomandimet pozitive, të përmbushjes së kritereve të vendosura nga Këshilli i Evropës vitin e kaluar. Por suke u nisur nga koha e kufizuar në dispozicion, duke u nisur nga rëndësia e marrjes së vendimit për të dyja vendet Këshilli Evropian do t’i kthehet këtij vendimi në fund të tetorit të këtij viti për të marrë një vendim substancial”, tha Erisa Zyka gazetare e ABC News në Bruksel./ABC News Albania 24/7

shkup-1-1280x718.jpg
ent ela16:10 | 13/06/2019

Në një pasqyrim të gjerë të mediave gjermane përsa i përket Maqedonisë së Veriut, theksi vihet në faktin se nuk ka vend për nervozizëm nga ana e Shkupit, pasi do të ketë një datë të saktë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një tekst të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” me titull “A thua Maqedonia e Veriut po humb dëshirën për Evropë?” autori Mihael Martens bën një rekapitullim të qëndrimeve të Berlinit dhe Shkupit rreth marrjes së datës së negociatave dhe rëndësinë e këtij vendimi për Qeverinë në Shkup. Vend qendror në këtë anlizë ka roli i Bundestagut, respektivisht vendimi i shumicës që të anulohet debati për Maqedoninë e Veriut për në fund të Shtatorit.

Nga njëra anë gazeta “Franfurter Allgemajne Cajtung”,siç njofton DW në gjuhën maqedonase,  transmeton se Shkupi nuk ka mirëkuptim për anulimin e debatit në situatë kur vendi qysh në Shkurt të këtij viti përmbylli kontestin për emrin me Greqinë dhe tashmë 15 vite është në pritje të fillimit të negociatave. Siç shkruan gazeta, në Shkup nuk e pranojnë argumentin se anulimi është bërë për shkak të vendimit të Komisionit Evropian që ta publikojë raportin e progresit pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. “Qysh në Shkurt u bë e qartë për të gjithë të interesuarit se Komisioni Evropian, sikurse gjashtë herë paraprakisht nga viti 2009, do të rekomandojë fillimin e negociatave”.

Por, deputeti i partisë së Merkelit CDU-së, Johan Vadefup i ka hedhur poshtë këto kritika.

“Ne kemi përgjegjësi para popullit tonë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një vendim pozitiv për fillimin e negociatave. Duhet t`ia sqarojmë popullit përse kemi thënë “PO”. Maqedonia e Veriut ka shënuar progres në sundimin e së drejtës krahasuar me raportin e vitit 2018, por në këtë pjesë ende nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet”.

Nga CDU-ja për gazetën në fjalë thonë se nuk e kuptojnë se përse është problem i madh anulimi prej tre muajve, veçanërisht kur tashmë është vendosur se hapja e tre kapitujve të negociatave do të ndodh në Dhjetor.

“Lidhur me Maqedoninë e Veriut, sipas njohurive të mia dhe vlerësimeve, mund të them se vendi në fund të shtatorit do ka ketë përkrahjen e grupit tim parlamentar dhe nga Bundestagu. Nuk ndihmon përhapja e frikës nga vende ose fuqi të treta” –thotë Vadefup, qëndrim i cili mund të vlerësohet si hedhje poshtë e deklaratave të Kryeministrit Zaev se Rusia dhe Kina do të rrisin ndikimin e tyre në Maqedoninë  e Veriut.

Gazeta ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung” më tej shtron pyetjen nëse situatë me të vërtetë është aq dramatike siç e paraqet Kryeministri Zaev, nga aspekti i paralajmërimeve të tij se mund të ketë rënie të Qeverisë dhe duhet të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme. Por, në një bisedë për këtë gazetë, një ish-deputet i paemëruar i VMRO-DPMNE-së opozitare, thotë se partia, për momentin, nuk ka asnjë interes për zgjedhje. Një koment në temën e datës së negociatave, ka publikuar edhe gazeta prestigjioze ekonomike Handelsblat./ABC News Albania 24/7

lleshaj1.jpg
Sej rie09:15 | 12/06/2019

Mbështetje nga eurodeputetët për hapjen e negociatave Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj morën pjesë në një veprimtari kushtuar integrimit europian të Shqipërisë, e cila u zhvillua në Parlamentin Europian, nën kujdesin e grupit parlamentar të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në PE.

Veprimtaria u moderua nga eurodeputeti Knut Fleckenstein dhe në të morën pjesë deputetë të Parlamentit Europian, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Bruksel, përfaqësues të agjencive të ndryshme europiane, studentë etj. Ministrat Lleshaj dhe Gjonaj prezantuan progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, me fokus luftën kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit, frenimin e migracionit të paligjshëm si dhe reformën në drejtësi.

Në pyetjet dhe diskutimet e pjesëmarrësve u evidentua dhe u vlerësua progresi i dukshëm i bërë nga Shqipëria si dhe u shpreh mbështetje pa ekuivoke për hapjen e negociatave të anëtarësimit të saj, sipas rekomandimit të Komisionit Europian. Pas veprimtarisë në Parlamentin Europian, ministrat Lleshaj dhe Gjonaj iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për mediat./abcnews.al

basha-2.jpg
G. P.18:45 | 04/06/2019

Nga Berlini , lideri i PD-së Lulzim Basha, në një bisedë për “Deutsche Welle” thekson se opozita u përmbahet kërkesave të saj dhe se kriza mund të zgjidhet vetëm përmes marrjes së përgjegjësive politike, largimit të Kryeministri Rama dhe krijimit të qeverisë tranzitore për të shkruar drejt zgjedhjeve të reja. Ai ndidhet në Berlin pasi ka marrë pjesë  në Kongresin Ekonomik të Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial.

Dje patët një takim me këshilltarin e kancelares Merkel për çështjet e sigurisë. Cili ishte mesazhi që ju dha ai për zgjidhjen e krizës aktuale në Shqipëri?

Dua t’ju them, në radhë të parë, që takimi këtu është një dialog i nivelit të lartë, që mbahet me përfaqësuesit më të lartë politikë të Gjermanisë, qeverisë gjermane, të industrisë gjermane dhe të biznesit gjerman mbi çështjen e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Europë dhe çështjet e bashkëpunimit ekonomik. Pra, bëhet fjalë për një dialog të nivelit të lartë që shikon, jo vetëm tek e sotmja, por tek e nesërmja e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, në veçanti e marrëdhënieve politike dhe ekonomike, si dhe të integrimit evropian të vendit.

Cili qe mesazhi që morët tek Kancelaria, tek zyra e Kancelares Merkel?

E gjithë kjo konferencë po zhvillohet sipas asaj që njihet si rregulli “Chatham House rule”. Pra, unë kam zhvilluar biseda jashtëzakonisht të rëndësishme, nuk jam i lirë të atribuoj përmbajtjen e këtyre bisedave. Por konkluzioni që mund të ndaj me ju dhe, përmes jush, me gjithë ndjekësit e Deutsche Welle në Shqipëri dhe anembanë hapësirës shqiptare, është ky: Gjermania është thellësisht e shqetësuar për gjendjen ku ndodhet vendi aktualisht.

Në momentin aktual, në Gjermani, sikundër dhe në shumicën e vendeve vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, predominon mendimi që nuk do të ketë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave pa u tejkaluar kriza politike, e cila është e vetmja rrugë për të plotësuar detyrat e paplotësuara, siç është lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, dënimi i politikanëve të kapur dhe të përgjuar në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur votat dhe për të falsifikuar rezultatin elektoral të vitit 2017-të. Nga ana tjetër, është shqetësimi që, nëqoftëse nuk ka ndryshim, Shqipëria rrezikon të humbasë një mundësi të madhe, e cila, pastaj, do ta veçonte dhe nga Maqedonia e Veriut. Ajo do të shkonte përpara në këtë proces, ndërkohë që Shqipëria do të mbetej në vendnumëro apo akoma më keq, do të izolohej.

Shqetësim kanë gjermanët edhe për shkak të largimit tuaj nga institucionet. Si do t’i zgjidhni ju këto probleme, me përmbysjen e qeverisë?

Është një problem i diskutuar që në viziten time në prill. Padyshim që, hapi i marrë nga opozita, është një hap i fortë, i paprecedent, por, nga ana tjetër, ka shërbyer për të ilustruar krizën e paprecedentë ku ndodhet vendi – pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me një prokuror të përkohshëm të emëruar në mënyrë antikushtetuese, pa asnjë hetim domethënës në çêshtjet e mëdha, në luftën ndaj korrupsionit dhe në luftën ndaj krimit të organizuar. Pra stanjacioni total, kriza e thellë politike dhe kushtetuese janë arsyeja që kanë çuar në veprimet e opozitës. Ajo që po diskutojmë sot është rruga e daljes nga kjo krizë. Në këtë kuadër, qendrimi ynë është i qartë. Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm duke aplikuar standardet dhe precedentët evropianë. Në cilin vend të Evropës nuk do të kishte dhënë dorëheqjen një kryeministër, i cili është kapur bashkë me kupolën e tij duke asgjësuar procesin zgjedhor, që është kapur në afera të tmerrshme korruptive, ndërkohë që drejtësia duket se është e paralizuar dhe nuk është në gjendje t’u japë përgjigje këtyre skandaleve?!

Por ka shumë përfaqësues të CDU/CSU-së, edhe deputetë këtu, që e shohin pak më ndryshe nga ju këtë çështje dhe thonë se nuk është vertetuar akoma që zoti Rama është kapur në këto, qoftë edhe në përgjime e në dosjet në fjalë, që duhen ndjekur nga hetuesia, pastaj të flasim për një faj apo përgjegjës.

Shiko, Gjermania është një vend i madh dhe këtu ka lindur një koncept politik “verstehers”, ka Putin-verstehers, ka edhe Rama-verstehers, por qëndrimi zyrtar dhe, me siguri, këtë ju ua shpjegoni teleshikuesve tuaj se çdo të thotë verstehers. Do të thotë dikush që mundohet të justifikojë veprime apo sjellje të pajustifikueshme për normat dhe standardet evropiane. Putin-verstehers janë ata politikanë në Gjermani, të cilët mundohen të justifikojnë sjelljen e Putinit, Rama-verstehers janë ata politikanë në Gjermani që mundohen të justifikojnë sjelljen e Edi Ramës. Qendrimi zyrtar është i qartë dhe i prerë. Natyrisht ne e kemi dëgjuar thirrjen e tyre për dialog. Kam patur mundësinë të shpreh angazhimin total në emër të opozitës dhe, natyrisht, të Partisë Demokratike për zgjidhjen e kësaj krize. Kërkesa e vetme, e cila ka gjetur mirëkuptim të plotë është përmbajtja e standardeve evropiane. Standardet evropiane, në këtë rast, e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize.

Pra ju jeni të gatshëm të hyni në dialog me Ramën?

Këtë doja t’u thoja. Pra, standardet evropiane dhe precedentët evropianë e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize. Ajo kalon përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe garantimit të standardeve zgjedhore si hap i parë, ndërkohë që Partia Demokratike dhe opozita ka një platformë që është pjesë e një dialogu kombëtar për një reformë të thellë kushtetuese, që do të garantojë balancimin dhe ndarjen e pushteteve dhe që kurrë më Shqipëria të mos përfundojë në këtë situatë, ku një grup njerëzish, një grup politikanësh, një grup kriminelësh, një grup oligarkësh kanë marrë peng gjithë vendin.

Shiko çfarë ka ndodhur, janë kapur me skandalin e Unazës së Re, të cilin e ka pasqyruar Deutsche Welle, siç e ka pasqyruar edhe Zëri i Amerikës. 40 milionë euro për 2 kilometër, 30 milionë euro një kompani fantazëm. Asnjë nuk shkon para drejtësisë. Pse? Sepse drejtësia është kapur.
Dhe çfarë ndodh? Kalojmë nga ky skandal në një skandal tjetër, 300 milionë euro tek rruga Milot- Balldren. Po të marrim Milot-Balldren dhe Rrugën e Arbrit do të shikojmë se dy kompanive, që i takojnë nje nipi dhe një daje, po i jepet 5% e PBB-së, mbi 500 milionë euro.

Pra mesazhi është i qartë. Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Ky është rekordi me i lartë, më i zi i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.
Ky është mesazhi qe vjen nga Berlini, meqë më pyetët për mesazhin e Berlinit. Në këtë situatë nuk ka shanse që të hapen negociatat për Shqipërinë. Kërkohet ndryshim politik.

Partia Demokratike dhe opozita janë gati të luajnë rolin e tyre për këtë ndryshim politik, nga i cili të përfitojnë të gjithë shqiptarët. Të hapet rruga evropiane e Shqipërisë, që është bllokuar dhe shkaktarët e bllokimit janë një dhe vetëm një – është pushteti i ardhur në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe që po mbahet me ndihmën e krimit të organizuar dhe nje grushti oligarkësh në kosto të zhvillimit të Shqipërisë, të punësimit të shqiptarëve, të varfërimit te shqiptarëve, të bllokimit të integrimit europian të Shqipërisë.

Ju mund t’i bëni të gjitha këto biseda edhe me Ramën. Ai ju ka bërë 7 letra deri tani.

Kjo nuk është çështje personale midis meje dhe zotit Rama. Këtu bëhet fjalë për një qasje serioze dhe një përkushtim të dimensionit evropian.

Prandaj, ndodhem sot unë këtu dhe jo zoti Rama. Prandaj ndodhem unë sot këtu si interlokutori i autoriteteve gjermane dhe i kapitalit te industrisë gjermane, sepse zoti Rama ka humbur shansin të tregojë seriozitet me përkushtimin ndaj standardit evropian. Si mund të pritet një zgjidhje përmes letrave, ndërkohë që nuk trajton problemet kryesore të krizës?

Problemi kryesor i krizës është një Parlament i dalë nga vota e vjedhur me krimin e organizuar. Problemi kryesor i krizës është rënia e të gjithë institucioneve të drejtësisë, kapja e te gjithë pushteteve në një dorë. Problemi kryesor i krizës është mungesa totale, siç vihet re edhe këtu, e investimeve perëndimore apo i investimeve gjermane. Është rënia e ekonomisë ne duart e krimit të organizuar. Sot në Shqipëri aktiviteti kryesor ekonomik, është pastrimi i parave te pista. Shkaktari i këtyre problemeve nuk mund të jetë zgjidhja e këtyre problemeve. Ndaj, parashtrimi i opozitës, zgjidhja politike që ne kemi parashtruar është rruga e vetme për të shmangur konfliktin civil, për të shmangur çmendurinë e shkuarjes drejt zgjedhjeve fallco, moniste, prapë të diktuar nga krimi, prapë me kandidatë kriminelë dhe mbylljes përfundimtare të derës së Evropës.

Ndaj, mund t’ju them nga Berlini, ju dhe teleshikuesve tuaj, se jam me shumë shpresë nga këto takime, tashmë në gjysmën e aktivitetit tim, – do të vazhdoj edhe gjatë pjesës tjetër të ditës, në takime të nivelit të lartë, – se me ndihmën e partnerëve gjermanë, me ndihmën e partnerëve europianë, ne do të mund ta tejkalojmë këtë krizë, do ta hapim rrugën e Evropës. Por kjo kalon përmes marrjes së përgjegjësive politike nga shkaktarët e kësaj krizës, përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Këto janë çështje morale, që duhet ta zgjidhë secili me moralin e tij. Një dorëheqje është çështje morali…

Në rastin konkret është çështje stabiliteti politik. Është çështje e së ardhmes europiane të vendit dhe nuk është vetem çështje morale.

Megjithatë edhe ju jeni përgjegjës për stabilitetin politik të vendit, sepse ju po bëni thirrje për kryengritje. Edhe ish kryeministri Sali Berisha bën thirrje për kryengrije.

Të mos dalim nga tema. Secili ka mënyrat e veta për t’i folur publikut dhe unë nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt. Unë flas ne emrin tim, në emër të PD, në emër të opozites së bashkuar, sepse jam kryetari i PD dhe opozitës së bashkuar.

Me përgjegjësinë totale po ju them zgjidhja politike që opozita ka parashtruar, zgjidhja politike që kalon përmes standardeve europiane, është rruga e vetme, rruga e sigurtë për të shmangur konfliktin total civil, për të cilin nuk është e interesuar as opozita, as Partia Demokratike, as shqiptarët.

Kushdo që është i interesuar në krahun tjetër, kushdo që bën llogaritë se duke nxitur konfliktin civil, mund t’u shpëtojë përgjegjësive politike dhe ligjore për aferat korruptive dhe kriminale, e ka shumë gabim.

Zoti Basha, Ministri i Brendshëm ju ka akuzuar juve që jeni përgjegjës për vrasjet e Janarit 2011…

Nuk merrem me fosile komuniste, të promovuar për shkak të servilizmit dhe për shkak të shkeljes flagrante të ligjit e të Kushtetutës. Të gjithë këta njerëz do të përgjigjen para drejtësisë, sepse kanë rikthyer të burgosurit politik në Shqipëri, duke nisur me Ministrin e Brendshëm, duke vazhduar me Kryeministrin.

Çështja nuk qëndron këtu. Asnjë diversion, asnjë sulm i tyre nuk mund të heqë vëmendjen nga nevoja akute për të zgjidhur krizën politike në vend dhe për të shmangur konfliktin civil. Zgjedhje moniste, zgjedhje me krimin, pushtet të marrë me dhunë dhe të mbajtur me dhunë, nuk do të ketë më.

Ndaj, edhe njëherë dua t’ju them se, këtu nga Berlini, bashkë me preokupimin e jashtëzakonshëm për krizën politike në vend, sjell edhe një mesazh shprese për të gjithë shqiptarët që, me zhbllokimin e rrugës që e ka bllokuar sot Edi Rama dhe të krizës politike që ka imponuar ai, Shqipëria ka me të vërtetë mundësi të jashtëzakonshme. Këtu kemi partnerë dhe miq të rëndësishëm politikë dhe ekonomikë, që mund të ndihmojnë në nxjerrjen e vendit nga kriza politike dhe nga kriza ekonomike, duke sjellë investime gjermane në Shqipëri, duke hapur vende pune dhe duke bërë transferimin e përvojës së tyre të suksesshme, teknologjisë dhe, në veçanti, për rininë, përvojës së tyre, atë që quhet arsimimin dual, për të cilin kemi folur.

Ka shumë zgjidhje, por që të mos e kthejmë në miting të PD…

Jo, më vjen keq. Këto janë përshtypjet e mia pozitive nga takimet me bosët e industrisë gjermane, te cilët janë të gatshëm dhe shpresëplotë…

Dakord, por për këtë ju duhet pushteti dhe ju nuk merrni pjesë akoma as në zgjedhje.

Nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Ka një proces fals kriminal, ku, njerëzit që duhet të ishin në burg për trafik droge, për trafik vajzash dhe grash apo për trafik votash, nga Pjerin Ndreu tek Valbona Sako, në vend që të shkojnë para drejtësisë, pormovohen. Kjo është faza e fundit e kalbëzimit të një regjimi kriminal, që ka marrë peng Shqipërinë. Ndaj, zgjidhja është dhënia fund e këtij regjimi dhe kthimi i së drejtës për të zgjedhur qeverinë me votë tek qytetarët shqiptarë. Kjo betejë bëhet për qytetarët shqiptarë, kjo betejë bëhet për vlerat evropiane dhe mënyrat evropiane të daljes nga kjo krizë.

Megjithatë pajtoheni dhe ju dhe nuk jam unë e vetmja që mendoj se, tek e fundit, edhe ju, duke qenë pjesëmarrës i një qeverie të mëparshme, keni edhe ju përgjegjësinë tuaj për gjendjen e vendit apo jo? Ndoshta është një zgjidhje që, përveç zotit Rama, ndoshta dhe ju, me të tjerë persona që, nuk po them janë konsumuar, por e kanë dëshmuar aftësinë e tyre qeverisëse, të largohen për t’i lënë vend brezit të ri?

Unë jam brezi i ri. Do apo nuk do zoti Rama apo lakejtë e tij, unë jam brezi i ri. Unë kam ardhur si pjesë e brezit të ri dhe përfaqësoj vlerat europiane të besimit tek demokracia, tek zgjedhjet e lira e të ndershme. Jam njeri që kurrë nuk kam bërë kompromis me krimin, edhe kur kjo i ka sjellë faturë politike partisë sime. Në këtë kuptim, jam i bindur se përfaqësoj atë qe i duhet Shqipërisë: një politikë të ndarë nga krimi dhe vullnet politik për të mos kompromentuar interesin e shqiptarëve për shkak të karriges.

Pra, qartësisht, nuk jemi njësoj dhe të barabartë. Kemi një qeveri që qeveris prej 6 vjet e gjysmë, kemi një opozitë dhe një kryetar opozite që ka luftuar kundër krimit të organizuar, kundër kanabizimit, kundër aferave të tmerrshme korruptive, kur askush nuk e hapte gojën.

Prandaj ndodhem sot këtu, si përfaqësues i një gjenerate të re të shqiptarëve, si një njeri që ka privilegjin dhe përgjegjësinë të drejtojë një parti politike dhe një opozitë, të bashkuar rreth vlerave, programit dhe vizionit evropian për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Kjo është arsyeja pse ndodhem këtu, si një partner i besueshëm i Gjermanisë, sot si kryetar i opozitës dhe nesër, me besimin e qytetarëve shqiptarë, në drejtimin e një qeverie evropiane, me zgjedhje të lira e të ndershme.

Kur do të bëhen ato?

Kjo është beteja. Nëse ju e quani kryengritje, apo revolucion, apo diçka tjetër. Kjo është një betejë popullore, pikërisht, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, ku, në fund, produktin ta diktojnë qytetarët shqiptarë me votë.

 

 

cakaj-1280x716.jpg
Sej rie14:50 | 28/05/2019

Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në avancimin e prioriteteve dhe meriton hapjen e negociatave.  Me këto fjalë i është drejtuar Ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj, ministrave të jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor të cilët u mblodhën në Bratislavë për të diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të rajonit.

Ministri në detyrë  gjithashtu, vuri në dukje se Shqipëria e sheh dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal si një ndër elementët kryesorë që bashkuan rajonin dhe e pozicionuan atë në rrugën e duhur të integrimit evropian.

Në fokus të këtij takimi ishte gjithashtu mbështetja e fuqishme politike e vendeve të Vishegradit në këtë moment të rëndësishëm për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimin e vizave me Kosovën dhe avancimin e proceseve integruese në përgjithësi./ABC News Albania 24/7 

nr-dy-1280x717.jpg
Sej rie20:30 | 22/05/2019

Numri dy i Parlamentit Europian, Dimitris Papadimulis është shprehur optimist për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Në një intervistë për TV Klan, ai i bëri thirrje Tiranës zyrtare që të shfrytëzojë kohën e mbetur për të implementuar reformat dhe për të zgjidhur problemet e minoritetit grek.

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, Dimitris Papadimoulis, thotë se ai është optimist sa i përket hapjes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Papadimoulis ka thënë për TV Klan se Tirana duhet të shfrytëzojë kohën e mbetur deri në fund të qershorit, për të bërë hapa në drejtim të zgjidhjes së krizës politike, të avancojë reformat, por edhe të trajtojë probleme që lidhen me minoritetin. Gazetari i TV Klan në Athinë, Robert Goro, e pyeti zotin Papadimoulis nëse ai i bashkohet optimizmit se Shqipëria do të marrë hapjen e negociatave në samitin e qershorit.

Dimitris Papadimoulis, zv.president i PE:  “Qeveria Tsipras dhe unë personalisht, si zv/president i Parlamentit Europian, jemi pozitivë sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Por është e rëndësishme që gjatë kohës që ka mbetur (deri në fund të qershorit), të bëhen hapa për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, për trajtimin e problemeve të minoritetit grek (të drejtat e pronës, etj.), dhe gjithashtu të avancojë disa reforma që përfshihen në kartën e Kopenhagës. Gjithsesi, fqinjët tanë shqiptarë mund të jenë të sigurt se Greqia, me qeverinë Tsipras është një mike dhe mbështetëse e anëtarësimit të Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në BE”.

Klan TV: Ndërkaq, në Shqipëri opozita ka djegur mandatet parlamentare, refuzon pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, dhe në anën tjetër kryeministri Rama insiston që zgjedhjet të zhvillohen. Gjithë këto, a mund të influencojnë në vendimin e Brukselit?

Dimitris Papadimoulis, zv.president i PE:  “Druaj se po. Dhe përgjithësisht, refuzimi i partive të opozitës për të marrë pjesë në procesin parlamentar dhe demokratik, nuk është një shenjë e mirë, nuk interpretohet si gjë e mirë nga Brukseli. Do të thoja që vetë forcat politike në Shqipëri të gjejnë një mënyrë që ta shtensionojnë këtë krizë dhe mënyra më e mirë është pjesëmarrja në proceset demokratike”./ABC News Albania 24/7

cakaj-roth-933x445.jpg
Sej rie11:50 | 14/05/2019

Ministri gjerman i shtetit për Çështjet Evropiane Mikael Roth, përmes një mesazhi në Twitter shpreh shqetësim për dhunën në protestën e fundit të opozitës.

Ai jep dhe një mesazh shumë të qartë për opozitën: “Dhuna nuk është aspak e pranueshme. Ndërkohë ne vazhdojmë të mbështesim perspektivën evropiane të Shqipërisë. Na duhet të mbajmë premtimet e dhëna” – përfundon ministri gjerman mesazhin e tij, që e shoqëron edhe me dy foto nga takimi ne Berlin me Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.

Sipas njoftimit te shpërndare për mediat nga Ministria e Jashtme shqiptare për këtë takim, ministri gjerman Roth inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë që është bërë me reformat. “Shqipëria ka avancuar shumë në rrugën e integrimit dhe meriton hapjen e negociatave”, u shpreh Ministri Roth.

Sipas te njëjtit njoftim, të dy ministrat Cakaj dhe Roth konstatuan se Shqipëria ka arritur progresin e nevojshëm për hapjen e negociatave dhe se vendimi politik do të jetë i bazuar në raportin e komisionit./ABC News Albania 24/7

DITMIR-BUSHATI-PER-EMIGRANTET-1280x720.jpg
Sej rie13:20 | 07/05/2019

Ditmir Bushati në ABC news… Çfarë mendon ish-kreu i diplomacisë për situatën e politikës së jashtëm të vendit, samiti i Berlinit, dialogu Kosovë – Serbi, marrëvshja e detit me Greqinë, hapja e negociatave.  Si janë marrëdheniet e Ditmir Bushatit me PS dhe kryeministrin Edi Rama…  Sot ne oren 19:00, Ditmir Bushati ne Mbrëmje ABC me gazetaren Mirela Milori./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono