negociatat

thorstenfrei-893x445.jpg
ent ela23:14 | 19/08/2018

Gjermania vë si kusht për votën e saj pro hapjes së negociatave hartimin e ligjit të ri zgjedhor dhe zbatimin e tij që nga zgjedhjet lokale të verës së vitit 2019. Reporteri për Shqipërinë në Bundestag Thorsten Frei paraqet këtë ultimatum të ri për politikën shqiptare, krahas kushtit të verifikimit të pasurisë dhe figurës së 57 gjyqtarëve dhe prokurorëve në organet më të larta të sistemit të drejtësisë.

Thorsten Frei, reporter për Shqipërinë në Bundestag :“Ne nuk duam që të nisin negociatat deri kur të plotësohen kushtet e vëna nga Këshilli Europian dhe në mënyrë të veçantë plotësimi i rivlerësimit të 57 gjyqtarëve dhe prokurorëve drejtues të sistemit aktual të drejtësisë shqiptare dhe e dyta përfundimi në kohë i Reformës Zgjedhore. Që të jem i qartë, nuk do ketë asnjë nisje të negociatave të anëtarësimit nëse zgjedhjet lokale nuk zhvillohen sipas ligjit të ri zgjedhor që duhet të miratohet pa humbur kohë nga parlamenti shqiptar”.

Lidhur me Reformën në Drejtësi Frei e ka konsideruar të pabalancuar projektligjin e socialistëve për shkollën e Magjistraturës dhe krahas thirrjes për kryeministrin Edi Rama që të gjejë një zgjidhje kompromisi me opozitën për këtë çështje ka propozuar që ekspertë të pavarur ndërkombëtare të përfshihen në zgjedhjen e njerëzve që do të mbajnë pozicionet kyçe në organet e reja të drejtësisë.

Klan Plus

rama-tsipras-londer.jpg
ent ela21:41 | 10/07/2018

Siç pritej, pasditen e të martës kryeministri Edi Rama është takuar në Londër me kryeministrin grek Tsipras.

Në postimin e këshillit të ministrave në Tuiter, thuhet se të dy kryeministrat diskutuan rreth negociatave që po drejtohen nga ministrat e jashtëm të dy vendeve mbi një numër të madh çështjesh dhe vlerësuan arritjet e deritanishme.

“Ndonëse ka ende çështje që do të vazhdojnë të diskutohen nga ekipet negociatore, Kryeministrat Rama dhe Tsipras shprehën besimin se një zgjidhje pozitive mund të arrihet së shpejti”, thuhet në postimin e Kryeministrisë në Tuiter.

Rama dhe Tsipras morën pjesë në Londër në Samitin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor që u mbajt në kuadër të iniciativës së Berlinit. /abcnews.al

KURZ-PER-SHQIPERINE-ERISA-1280x720.jpg
ent ela15:37 | 03/07/2018

Austria ka vendosur zgjerimin e BE-së në qendër të programit të saj në drejtim të Unionit. Kancelari Kurz madje nënvizoi se Viena synon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në një kohë më të shpejtë nga ajo çfarë flitet.

Zgjerimi i Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit është në qendër të programit të presidencës austriake të Bashkimit Europian,  Këtë e ka artikuluar qartë kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz gjatë prezantimit të presidencës austriake në Parlamentin Europian në prezencë të presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Junker, komisionerit për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të anëtarësimit, Johannes Hahn dhe eurodeputetëve. Kancelari Kurz nuk ka fshehur, se presidenca austriake kishte si synim një afat më të shpejtë për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE. Austria ka bërë të ditur para marrjes së vendimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian në 26 qershor në Luksemburg, se synimi i presidencës austriake ishte hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në dhjetor të këtij viti. Por kjo nuk u bë e mundur si rrjedhim i kundërshtimit të Francës, Holandës dhe Danimarkës.

Sebastian Kurz, kancelari i Austrisë: “Një tjetër çështje që Presidenca Austriake ka për zemër është Europa Juglindore dhe veçanërisht Ballkani Perëndimor. Në këndvështrimin tonë, Bashkimi Europian do të jetë i plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë bërë pjesë e komunitetit të kombeve tona. Ballkani Perëndimor jo vetëm që ka një perspektivë europiane, të cilën këto vende e kanë fituar dhe e meritojnë, por ato meritojnë gjithashtu anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndaj, presidenca austriake do të bëjë më të mirën për të mbështetur procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE. Jam shumë i gëzuar që u bë e mundur zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë. Jemi gjithashtu të gjithë të kënaqur që Shqipërisë dhe Maqedonisë iu krijua mundësia drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit, edhe pse ne do kishim dashur një proces më tê shpejtë për tê dyja vendet. Ajo për të cilën kemi vërtet nevojë është dhënia e një perspektive të ndershme për këto vende, një progres të vazhdueshëm dhe të qëndrueshêm drejt Bashkimit Europian, për të siguruar anëtarësimin e tyre të adhshëm në BE”.

Presidenca austriake udhëheq Bashkimit Europian nga korriku deri në dhjetor të këtij viti. Ndër prioritetet kryesore të kësaj presidence është politika e migracionit të Bashkimit Europian, që është tashmë një dosje e nxehtë për të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe Komisionin Europian. /abcnews.al

FLECKENSTEIN-VLAHUTIN-1280x720.jpg
ent ela12:07 | 02/07/2018

Bashkimi Evropian i ka vendosur kushte Shqipërisë por ato nuk janë kushte të reja. Kështu tha raportuesi për  Shqipërinë në Parlamentin Evropian, në aktivitetin që u organizua në Tiranë pas konkluzioneve të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian. Ndërsa Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë ka kërkuar bashkëpunimin e mazhorancës me opozitën, me qëllim përmbushjen e këtyre kushteve deri në qershorin e ardhshëm.

Basha: “Nuk janë me 5 kushtet fillestare, janë 13 sa i përket Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian dhe akoma më shumë sa i përket vendeve anëtare”.

Rama: “E vërteta është se nuk ka kushte të reja”

Për ta sqaruar ka ardhur në Shqipëri deputeti i Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein.

Fleckenstein: “Ka kushte, por nuk janë kushte të reja”.

Për ta bërë edhe më të qartë , ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë Romana Vlahutin tha se nuk është e rëndësishme data e hapjes së negociatave sa realizimi i kushteve të Bashkimit Evropian.

“Në qoftë se përfundimet e Këshillit do të kishin thenë se do të nsimim më një korrik, ju sërish duhet të kalonit një vit në këtë proces analitik. Komisioni ka një kush të ndalë negociatat nëse nuk ka përpparim në kapitujt 23, 24. Komisioni ka mundësi që të shohë ritmin e procesit nga pikëpamja e mbështetjes në meritë”.

Opozita përfaqësohej në këtë tryezë me deputeten e Lëvizjes Socialiste për integrim Kejdi Mehmetaj. Ajo kërkoi nga raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian që të jenë më të qartë mbi kushtet që i kanë vendosur vendit tonë Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian.

“Diçka që unë e shoh të shtuar, është aty ku thuhet se vendimarrjen për të hapur negociatat këshilli do ta marrë në qershor të 2019-ës, varur nga progresi i bërë për shqiptarët dhe pasi të kalojë edhe në parmaentet e vendeve anëtare”.

Përgjigja që i dhanë diplomatët e huaj është rëndësia që ka mbrritja në pikën finale për hapjen e negociatave. Dhe për këtë politika duhet të bashkohet dhe të bëjë mirë detyrat e shtëpisë.

Fleckenstein: “Më pëlqeu diskutimi sepse na duhet të përmendim që nuk është rezultati që na bën që të kërcejmë, por ka ende shumë gjëra për të bërë. Ka mbi 150 kushte të tjera para se dera të hapet një ditë.

Vlahutin: “Do keni një sfidë të madhe dhe kjo është politika. Ky proces kërkon që të keni bashkim, jo retorik, por një objektiv i mirëfilltë kombëtar që punon gjithkush. Është tejet me rëndësi që të punohet për këtë unitet, është përgjegjësi e shumicës dhe pakicës. Shumica duhet të shtrijë dorën sepse pa bashkimin kombëtar ky është një proces i vështirë dhe thuajse i pamundur”.

Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme Ditmir Bushati i cili pjesë e tryezës së organizuar nga fondacioni Friedrich Ebert përsëriti se tashmë qeveria i ka ndezur motorrët për plotësimin e kushteve që i ka vendosur këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian. /abcnews.al

 

RAMA-PER-NEGOCIATAT-1280x720.jpg
ent ela11:44 | 01/07/2018

Kryeministri Rama në takimin që zhvilloi me banorë të Korçës tha se Brukseli vlerësoi ecurinë e deritanishme të reformave në Shqipëri. Sipas tij, qendrimi i Komisionit Europian ishte i qartë, vendi ynë ka tashmë një datë për hapjen e negociatave me unionin.

Duke e quajtur atipike formën e fushatës së ndërmarrë në emër të llogaridhënies për qytetarët, kryeministri Edi Rama nga Korça lajmëroi fundin e turit të takimeve.

“Ky është takimi i fundit i fushatës së llogaridhënies publike. Një fushatë atipike sepse partitë kan bërë fushata kur kanë zgjedhje për të kërkuar votën ndërsa kjo nuk është për votë, por për të dialoguar për ndërtimin e një ure solide mes qeverisë dhe njerëzve të zakonshëm”.

Nuk mungoi refreni i akuzave ndaj opozitës për atë që quan shtrembërim të së vërtetës së suksesit të arritur në rrugën europiane, e pa çelur ende jo për faj të Shqipërisë, por si shkak i problemeve të brendshme në Union sipas kryeministrit.

“Ne bëmë gjithçka mundëm dhe pamë nga afër se sa shumë vlerësim pati për gjithë ç’kemi bërë por në të njëjtën kohë se sa e vështire ishte që të gjitha vendet te vendosnin datën per arsye që s’kanë të bëjnë fare me ecurine e vendit tonë por me çështje të BE. Është e hatashme të shikosh si pasqyra e opozitës përpiqet t’u tregojë shqitarëve formen e një gënjeshtre të madhe si të ishte një e vërtetë e hidhur”.

Kërkesës së llogarisë së dy zonjave, të dyja me histori mundimi ndaj papunësisë, kryeministri i ndërpreu  fjalën duke i dhënë zgjidhje të menjëhershme problemit të tyre individual.

Ky ishte takimi i fundit i turit te llogaridhenies publike, sic tha dhe vete kryeministri Rama, ndaj ata qe kane veshtiresi te punesohen, do tu duhet te gjejne mundesi te re per t’iu ankuar drejtperdrejt kreut te qeverise qe tu jape dhe atyre zgjidhjet e tij të menjëhershme rast pas rasti. /abcnews.al

RAMA-BASHA-PER-RAPOTIN-KE-1280x720.jpg
ent ela16:54 | 28/06/2018

Kryeministri Rama theksoi sot në parlament se Shqipëria nis shumë shpejt përgatitjet konkrete për procesin e hapjes së negociatave qershorin e ardhshëm. Rama akuzoi përsëri opozitën se ka punuar dhe punon kundër vendit. Ndërsa kreu demokrat Basha tha se Shqipëria nuk do të ketë datë për hapjen e negociatave përsa kohë të ketë në krye qeverinë e lidhur me krimin.

Në veshjen e tij të preferuar, shefi i ekzekutivit Edi Rama, diskutimin e raportit ë Këshillit Europian, arsyeja pse Konferenca e Kryetarëve vendosi 7 orë e gjysmë hapsirë për debat parlamentar, e nisi duke ia mohuar nevojen.

“ A ka njeri të ma thotë se çfarë mund të  më thotë se çfarë mund të debatojmë me këta. Të debatosh se opozta jonë është e vetmja që thotë se Shqipëria dështoi dhe sinqerisht nuk kemi punë me ju, sepse kemi shumë punë. Ne kemi datën këta thonë jo”.

Kornizë, të asaj që quan arritje historike, i vendos urimet e marra nga kanalet diplomatike europiane.

“ Këshilli Europian poston edhe një kartolinë urimi për shqiptarët, KE përshëndet vendimin na kanë uruar. Sot kam ftesën për të filluar punën përgatitore në Bruksel për t’u ulur me delegacionet. Në korrik vjen ekipi i KE për programin analitik”.

Pasi përsëriti akuzën drejtuar opozitës, për baltosje të vendit përtej kufijve, Kryeministri iu kthye shpejt batutave…

“O Zot e ke kufizuar inteligjencën, po pse e ke lënë budallikun pa kufi, hë mor Zot pse”.

…me të cilat nuk mbushi dot 40 minutat e mbetura të fjalës së regjistruar…

“Budallallëkut pa kufi unë tani po i hap rrugë, dhe debat të mbarë në të folurit me veten tuaj”

Për shefin e opozitës, kjo bën gjithçka edhe më të qartë…

“Nuk e ka kufizuar që të durojmë këtë. Ky do të vazhdojë të pëllasë në këtë sallë pa dhënë llogari. Do vazhdojë t’ju shesë sapunin për djathë moshapjen e negociatave për hapje negociatash. Nuk ka hapje të negociatave me Shqipërinë. Ka një shtyrje të vendimit me një vit, de nëse kushtet nuk plotësohen prapë nuk ka hapje negociatash”.

Për baltosje të vendit përtej kufijve Lulzim Basha i kujton socialistëve një tjetër episod.

“Ka një dallim shumë të madh mes historisë së Griseldës, historisë së gruas së Elvis Roshit, që vuri një jastëk në bark, deklaroi pastaj se e abortuan me forcë demokratët, në mënyrë që Rama e Veliaj të vraponin në Bruksel dhe të gënjenin miqtë e Shqipërisë mes denoncimit të të këqijave që i kanë zënë fytin shqiptarëve të zhytur përditë në mjerim, në pamundësi, ka një ndryshim shumë të madh në luftën për të nxirë imazhin e vendit që mos bëheshim anëtarë të NATO-s, që mos hiqeshin vizat për shqiptarët. Dhe përpjekjes për t’u thënë europianëve që ne opozita i njohim problemet tona dhe pa i zgjidhur ato nuk ka Europë”.

Që Shqipëria të marrë një lajm pozitiv fundvitin e ardhshëm sa i përket negociatave vendi kërkon një qasje të re, thekson Basha, e kjo sipas tij nis me bashkimin e gjithë shqiptarëve edhe socialistëve të ndershëm në largimin e shkaktarit të gjithçkaje, kryeminsitrit Edi Rama. /abcnews.al

macron-merkel-933x445.jpg
ent ela22:38 | 27/06/2018

Bisedimet për çeljen e negociatave me BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë ishin një përballje mes dy vendeve më të fuqishme brenda unionit, Gjermanisë dhe Francës dhe sfida u fitua nga kjo e fundit.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se shtyrja me të paktën 1 vit për negociatat erdhi për shkak se Franca dhe Holanda u përballën me Gjermaninë duke kërkuar më shumë reforma.

Por ky rezultat i papritur, nënvizon Reuters , pavarësisht mbështetjes së gjerë të Bashkimit Europian, tregoi  këmbënguljen e Presidentit francez Emmanuel Macron për ta shtyrë vendimin pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian në Maj të vitit 2019, nga frika e shtimit të ndjenjave kundër emigracionit.

Po ashtu, shkruan Reuters, ky rezultat është një frenim i strategjisë së Gjermanisë dhe Presidentit të Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, për t’i ofruar Ballkanit Perëndimor perspektivën europiane, me qëllim parandalimin e influencës ruse në rjaon.

“Ishte një lindje e vështirë”, citohet deklarata e ministrit të Jashtëm gjerman, Mikael Rot, pas kompromisit të gjetur.

Reuters thekson se Macron mbron tezën e reformimit të vetë Bashkimit Europian, përpara se të mirëpresë anëtarë të tjerë.

Por agjencia thekson se shefi i Elizesë është më shumë i shqetësuar për rritjen e ndjenjës anti-emigrante, siç raportojnë diplomatë europianë në Paris dhe me këtë vendim ia arriti të shmangë fuqizimin e forcave populiste në Francë para zgjedhjeve të Majit.

Reuters citon vështirësitë e Rumanisë apo Bullgarisë pas anëtarësimit dhe thekson se Shqipëria e Maqedonia duhet të bëjnë më shumë në reformën gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, me qëllim që pas një tjetër raporti të Komisionit Europian në Qershor, qeveritë e vendeve anëtare të hapin zyrtarisht negociatat nga fundi i vitit tjetër.

Tv Klan

HAHN-INTERVISTA-PER-ABCNEWS-1280x720.jpg
ent ela21:52 | 27/06/2018

Në një intervistë ekskluzive për “ABC News”, komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Johannes Hahn ka deklaruar se vendimi i Këshillit Europian për caktimin e datës së negociatave ishte një sinjal serioz. Sipas tij, tani i takon klasës politike shqiptare që të marrë seriozisht të ashtuquajturën “periudha e skanimit”, ku do të bëhet vlerësimi i punës së bërë dhe asaj që do të bëhet përgjatë vitit të ardhshëm.

Dje vendimi i KE shtroi rrugën për hapjen e negociatave, por ishte një vendim i kushtëzuar, pasi i kërkohet Komisionit të mbikëqyrë reformat dhe rezultatet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Dhe kjo më pas do të shqyrtohet dhe miratohet nga Këshilli. Në këto kushte e cilësoni një dritë jeshile simbolike apo të mirëfilltë?

Hahn: “Është një dritë jeshile sepse u duk qartë se ne vendosëm për përgatitjen e hapjes së negociatave në qershor 2019. Dhe kjo është një qasje realiste edhe sa i takon afateve, pasi një tjetër element i vendimit të djeshëm është se Komisioni do të fillojë punën përgatitore për hapjen e negociatave dhe neve tani na duhet të fillojmë me procesin e skanimit për kapitujt e ndryshëm, që janë 35. Ndaj duhet të shohim se ku është vendi në përmbushjen e kapitujve, të lidhur me normat legjislative europiane. dhe kjo do të thotë se do të duhen të paktën 100 takime parapërgatitore, proces që kërkon zakonisht një vit. Nëse fillojmë tani ka gjasa që ta mbyllim procesin qershorin e ardhshëm dhe të përballim vendet anëtare me rezultatet dhe propozimin. Ndaj gjasat janë që në fund të vitit 2019 të nisim negociatat”.

Kur do të nisë procesi i skanimit?

Hahn: “Menjëherë. Ky është një proces në vazhdim dhe ka të bëjë me kushtet klasike. Pra, të vazhdojë puna për ato çështje mbi të cilat është rënë dakord, në mënyrë që të shohim gjërat të ecin përpara. Puna për përmbushjen e prioriteteve duhet të vazhdojë, por nëse shohim kapitujt 23 dhe 24, ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe vettingun, që janë një pjesë e mozaikut. Por skanimi do të thotë që ne po e shohim të gjithë aspektin që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe fazën ku ndodhet Shqipëria. Rrjedhimisht, për atë që është rënë dakord, për atë që duhet bërë dhe për atë që duhet të vazhdojmë dhe të presim deri vitin e ardhshëm. Pra, është një punë paralele”.

Bisedimet e COREPER dhe ato të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian mund të krahasohen me një ndeshje futbolli në këtë Kupë Botërore. Me një vend që kualifikohet në minutën e fundit, si Gjermania për shembull. Ishte pikërisht kështu me negociatat Ishin shumë të vështira dhe Franca dhe Holanda në veçanti nuk donin të ndryshonin pozicionin e tyre pasi konsideronin, se progres-raporti i Komisionit është tepër optimist, se kushtet nuk janë përmbushur dhe se nuk ka një gjurmë provash të bindshme. Si u ndjetë me këtë?

Hahn: “Si gjithmonë në jetë, mund t’i shohësh gjërat nga perspektiva e gotës gjysmëplot dhe asaj gjysmëbosh. Dhe 25 vende anëtare ishin fuqishëm pro vlerësimit të situatës në Shqipëri dhe Maqedoni nga perspektiva e gotës gjysmëplot. Dhe unë munda të bind gjithashtu francezët, holandezët dhe danezët se duhet të tregohen më të hapura dhe në fund arritëm atë që arritëm”.

Në mos gaboj është e para herë që shohim një afat të tillë, 1 vit për hapjen e negociatave dhe 1 vit e gjysmë për konferencën ndërqeveritare. Si do të sigurohet Komisioni që në atë moment Këshilli do të japë një rekomandim pozitiv?

Hahn: “Kemi patur qasje të ngjashme edhe ndaj Serbisë e Malit të Zi, kur përshkruam se çfarë duhet bërë për hapjen e negociatave, pasi është një punë parapërgatitore. Tani i takon qeverisë dhe forcave politike në Shqipëri të kuptojnë se procesi i skanimit nuk është diçka që mund të bësh nga sot nesër, por një proces shumë gjithëpërfshirës dhe periudha 1-vjeçare do të jetë një periudhë sfidash. Shpresoj se përkushtimi i forcave politike shqiptare ndaj perspektivës europiane do të stimulojë energjitë për të plotësuar atë çfarë është e nevojshme. Por sigurisht, kjo ka të bëjë edhe me ekzaminimin tonë për të ashtuquajturat pikat e referimit të hapjes së negociatave”.

Qëndrojmë pak tek momentumi. Duke parë skepticizmin e disa vendeve si Franca, Holanda dhe Danimarka, që deklaronin se nuk ishte momenti i duhur, se për zgjerimin duhej folur pas zgjedhjeve europiane. Si e patë këtë aspekt? Një taktikë për të fshehur populizmin?

Hahn: “Ndoshta kam një shkallë më të lartë tolerance kur bëhet fjalë për të gjetur një marrëveshje mes 28 vendeve anëtare pasi jam mësuar që për çështje të brendshme disa vende kanë qëndrime të ndryshme nga të tjerat. Por ajo që ka rëndësi është entuziazmi i shteteve anëtare që dy vendet, Shqipëria dhe Maqedonia, duhet të shpërblehen për atë që kanë bërë dhe mbaj mend se disa ministra dje u thanë të tjerëve se kanë vizituar Shqipërinë dhe se mund të konfirmonin se vendi ka bërë diçka të madhe për reformat tradicionale, që u miratuan me opozitën. Ky ishte një moment i madh jo vetëm për vendin por edhe për rajonin. Pamë për herë të parë një bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës, gjë që nuk ishte e lehtë. Por ishte një mirëkuptim i përbashkët për perspektivën e qytetarëve dhe duhet të bashkëpunonin për të gjetur një zgjidhje, të gjithë duhet të lëshonin pe. Kjo është diçka e cila u vu në dukje disa herë të martën dhe e komentuam me nota pozitive, përfshirë këtu rolin konstruktiv të opozitës. Natyrisht që ajo ka këndvështrime të ndryshme, por në fund të ditës e rëndësishme është arritja e një rezultati që përmbledh interesa të ndryshme. I referohem këtu sloganit të Bashkimit Europian: “Të bashkuar në diversitet”. Për mendimin tim, ky duhet të jetë sllogani i Shqipërisë për t’iu bashkuar BE-së”. /abcnews.al

rama-me-anetaret-e-qeverise-dhe-grupin-parlamentar-1280x720.jpg
ent ela19:24 | 27/06/2018

Vendimin e Këshillit për cështje të përgjithshme të BE, e sheh si dritë jeshile për Shqipërinë. Një ditë pas vendimit të djeshëm të Këshillit të Bashkimit Europian për rrugën hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërinë në BE në qershor 2019, kryeministri Edi Rama, akuzoi opozitën se hodhi baltë kundër Shqipërisë. Ai i kushtoi pjesën më të madhe të fjalës së tij opozitës, duke mos ia kursyer epitetet e forta. Sipas tij kjo nuk është parë dhe dëgjuar më parë, pasi opozita bëri çdo përpjekje për të ndaluar hapjen e negociatave.

“Dje në mbrëmje është bërë e munduar ajo që dje deri në drekë dukej e pamundur. Mes dallgëve të ngritura artificialist nga opozita e cila nuk la vesh të huaj pa përmbytur me baltën e saj dhe 72 orësh në det të hapur mes dallgësh të një BE të përfshirë nga tensioent mes shtetsh anëtare shqipëria mori datën e fillimit zyrtar të hapjes në negociatave dhe bashkë me të u çel drita jeshile për bisedimet për anëtarësim në BE. E dhimbshme, por e vertëte që teksa ne merrnim telefonatat e urimeve nga miqtë evropianë, opozita jonë esadiste me mediat krah saj hidhnin gurët e vulgaritetit të tyre proverbial për tu prishur shqiptarëve përpjekjen e fund ditës.

U shty data, u shty data sepse BE refuzoi narkoqeverinë çfarë pabesie ndaj atyre shqiptarëve që e duan Europën njësoj si të tjerët, çfarë pabesie. Por si mund të shtyhet një datë që nuk është vënë? Si mund të pranojë Këshilli Europian të vendosë një datë për çeljen e negociatave për 12 muaj në një vend të zhytur në krim, në drogë dhe të ndezë dritën jeshile? Si mund të flitet kështu, kaq ligësisht dhe poshtërsisht për vendin tënd? Si mund të trajtohen kështu njerëzit e tu? Së bashku me Ditmirin qëkur Shqipëria mori lajmin për çeljen e negociatave na është dashur të kryejmë një numër rekord komunikimesh me shtetet anëtare. Kemi parë dhe dëgjuar 1 milionë gjëra. Miqtë europianë na pyesin se si ka mundësi që opozita të dojë mosçeljen e negociatave dhe opozita juaj të bëjë këtë që se ka bërë asnjë vend tjetër që ka çelur negociatat. Si ka mundësi që opozita juaj s’ka lënë deputet pa kapur nga vendet tona për të folur keq ? Si ka mundësi?

Po kjo është mundësia e vetme që kjo opozitë në frymë ka Esat Pashën, në gërmë ka Sali Efendiun dhe në fytyrë ka Babale Veliun.

Tamam si një mallkim që na ka ndjekur nga mbrapa, rrugë më rrugë, korridor më korridor, derë më derë, kryeqytet më kryeqytet nga telefonata në telefonatë. Por në fund të fundit na ka ndihmuar për të kuptuar hallet e brendshme, të vlerësohen reformat tona dhe të merret vesh nevoja e Shqipërisë për ta mbështetur dhe një datë në kalendar, e cila Europën nuk e ka çarçaf në gojë, por flamur në veprim. Data për çeljen e negociatave nuk është asnjëherë imediate, pas rekomandimit por po ka një hapësirë kohore në mes.

Në ka shqiptarë me dy fije mend që të vazhdojë të mbyllë sytë e veshët ndaj këtij fakti dhe t’i besojë dokrrabe të hinit, do të thoshte At Gjergj Fishta, a ka njeri normal që nuk e kupton se mund të kritikohemi sa të duash për shumë gjera qëmund e duhet t’i bëjmë më mirë, por për ne shtetbërja është program, është betejë e përditshme më të shkuarën, s’ka vetëm arritje ka edhe gabime.

Data u vendos qershorin e ardhshëm kur Shqipëria ta ketë kryer të gjithë punën përgatitore, por edhe kur të jenë mbyllur zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian.

As Shqipëria e as Maqedonia nuk humbasin asnjë ditë, sepse na jep 12 muaj kohë për të filluar zbatimin e reformave, për hapjen e negociatave.

Dy fjalë për kushtet e trumbetuara nga ata që dëshironin dështimin, por që mbeti thjesht dështimi i tyre politik e moral, i cili do vazhdojë të ushqejë propagandën e mllefit e baltës.

Nuk ka kushte të reja për të marrë datën e negociatave, por ka një datë si një afat drejt të cilit Shqipëria  e Maqedonia janë të kushtëzeuar me thellimine reformave, me zbatimin që tashmë ka nsiur

Si me datë, si pa datë beteja për forcimine shtetit ligjor në Shqipëri do vazhdonte.

Së fundi kërkesa për të adresuar rekomandimet për ligjin zgjedhor na vjen si dhuratë nga qielli, sepse opozita nuk mund të luajë më kukafshehti duke shpikur për konsum politik kërkesa jashtë rekomandimveve. Ne duhet te zbatojmë programin tonë të vitit të dytë të mandatit”. /abcnews.al

 

rama-me-anetaret-e-qeverise-dhe-grupin-parlamentar-1280x720.jpg
ent ela19:03 | 27/06/2018

Në takimin me anëtarët e qeverisë dhe grupit parlamentar Kryeministri Edi Rama tregoi bisedën që pati me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin e Francës Macron sa u përket hapjes së negociatave.

“Që nga kancelarja Merkel, e cila ma bëri të qartë që në takimin në Berlin që do jenë muaj të vështirë dhe se ajo do ishte në krahun tonë dhe deri te Macron i cili ma tha troç qysh në takimin në Paris se për të ishte tejet e vështirë të thoshte Po për një datë, por më premtoi se në respekt të reformave do të mendohej  për një zgjidhje pozitive”.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se këtë vjeshtë Shqipërinë do ta vizitojë presidenti francez.

“Dhe këtë vjeshtë Shqipërinë do ta vizitojë një presidnet i Francës. Kam bindjen se pas vizitës lidhja jonë do bëhet më e fortë”- u shpreh Rama.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shprehu mirënjohejn për të gjithë ata miq të Shqipërisë që ndihmuan në këtë proces.

“Pa miqtë vendi ynë do mbetej në det te hapur në mëshirën e erërave kundër zgjerimit të Europës dhe nëse do mbeteshim pa datë ankorimi këtë herë një Zot e di se kur do të kthehej në tryezën e shteteve anëtare një datë, pas një 12 mujori ku BE do sprovohet në stuhinë e zgjedhjeve të reja.

Shqipëria ka gjetur dhe ka bërë disa miq tq vërtetë në këtë periudhë që luftuan me këmbëngulje për të mos e lënë anijen tonë pa një port ankorimi”- vijoi Rama, ndërsa me emra konkretë shprehu falenderimet për gjithësecilin. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono