negociata

sasoli.jpg
ent ela22:08 | 04/11/2019

Presidenti i Parlamentit Europian David Sasoli deklaroi nga Shkupi se Franca, Holanda dhe Danimarka po rishikojnë pozitën e tyre për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, Sasoli tha se pritshmëria është që brenda pak muajsh të ndryshohet vendimi i këtyre vendeve, duke u dhënë mundësinë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të vijojnë reformat.

Sasoli hodhi poshtë mundësinë e marrjes së vendimeve të ndara për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të njëjtin mesazh ai do ta përcjellë edhe në Tiranë gjatë vizitës në fillim të dhjetorit.

Temës së zgjerimit dhe mundësisë për dhënien eventuale të datës për Shkupin dhe Tiranën, vendet anëtare do t’i rikthehet në Samitin e Zagrebit në maj të vitit të ardhshëm. /abcnews.al

ldk-1280x696.jpg
ent ela16:55 | 30/10/2019

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka thënë për mediat në Kosovë se çështja e postit të presidentit duhet të sqarohet para se të lidhet koalicioni me Vetëvendosjen.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Haziri tha në RTV Dukagjini se posti i presidentit duhet të sqarohet para se të zyrtarizohet koalicioni me Vetëvendosjen. Ai ka thënë se nëse nuk zgjedhjet kjo çështje tani, mund të jetë “mollë sherri” në momentin kur të vijë koha për të zgjidhur presidentin. Haziri theksoi se që marrëveshja me Vetëvendosjen të jetë funksionale, të gjitha pozicionet duhet të sqarohen tani. Nëse nuk sqarohet tani, çështja e pozitës së Presidentit, atëherë ne po paralajmërojmë krizë në vitin 2021, tha ai.Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se Isa Mustafa i plotëson të gjitha kushtet për të qenë president dhe ka shtuar se nëse partitë nuk bien dakord për emër konsensual për postin e presidentit, kur të vijë koha, emri i Presidentit do të vijë nga zarfi. Haziri aludoi kështu në mënyrën e zgjedhjes së ish-presidentes Atifete Jahjaga. Haziri tha se në LDK po mendohet që koalicioni me Vetëvendosjen të jetë edhe më i gjatë se një mandat dhe sipas tij edhe postet e rëndësishme si ai i presidentit duhet të vihen në tavolinë.

Ndërkohë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, iu përgjigj deklaratave të nënkryetarit të Lidhjes Demokratike, duke qartësuar se kërkesa të tilla nuk diskutohen në grupet punese, por duhet t’i drejtohen Albin Kurtit nga Isa Mustafa.

Bislimi u tha mediave në Kosovë se tashmë po flitet për programin qeverisës dhe pjesë të tjera nuk mund të përfshihen në grupet punuese që kanë ngritur dy partitë. Express raportoi se posti i Presidentit ishte dakorduar më parë që të mos ishte pjesë e marrëveshjes në takimin e parë midis liderëve, Kurtit dhe Mustafës. /ABC News Albania 24/7

hill.jpg
ad min10:29 | 26/10/2019

I pranishëm në samitin e Paqes për Europën Juglindore ishte edhe ish-ambasadori i SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Christopher Hill. Ai deklaroi se paqja është e vështirë për t’u arritur, por përgëzoi punën e popujve të Ballkanit perëndimor gjithë këto vite.

“Paqja është e vështirë për t’u arritur në disa anë. Ajo është diçka të cilën të tërë e kemi ëndërruar, por besoj se e kuptojmë që paqja nuk është mungesa e luftës. Ajo nënkupton edhe një lloj strukture marrëdhënie mes njerëzve, të mënyrës sesi një person respekton pikëpamjet e tjetrit. Veçanërisht nuk ka qenë e lehtë në Ballkanin Perëndimor kur kam ardhur në Shqipëri përherë të parë në  vitin 1991, 28 vjet më parë, por duket si një kohë shumë e gjatë përpara. Atëkohë kishte një sistem qeverisje që ishte aplikuar në disa vendeve.  Të tërë e dimë që paqja varet nga njerëz të ndryshëm të cilët mblidhen sëbashku në respekt të njëri tjetrit. Banorët e Ballkanit kanë mijëra vjet ë luftojnë. E dëgjojmë shpesh dhe kjo është e pavërtetë sepse popujt e Ballkanit kanë dalë nga kjo e kaluar luftarake dhe kanë krijuar komunitete që mendoj se janë zilia e pjesë të ndryshme të botës, të cilët nuk janë ende të krijojnë këtë sens komuniteti si në Ballkan”, tha Hill.

Hill risolli në vëmendje edhe vendimin e BE-së për negociatat. Ai theksoi që rruga është akoma e hapur, megjithatë do të ketë sfida. Sipas Hill, BE do të jetë e plotë kur t’i bashkohet edhe Ballkani Perëndimor.

“Ballkani po përpiqet të jetë pjesë e BE. Mendoj se të tërë këtu e dimë zhgënjimin e kohëve të fundit për shtyrje të negociatave me BE. E ndiej vetë këtë zhgënjim. Rruga për të ecur vazhdon të jetë e hapur, vazhdon të jetë e kalueshme, por do të ketë sfida përsëri. Jam shumë i bindur që ky udhëtim që popujt e Ballkanit kanë nisur është udhëtim që i ka ndihmuar popujt për kohë të vështira. Skam dyshim që nuk do të ketë vërtetë Europë të lirë dhe të plotë pa bashkimin edhe të Ballkanit Perëndimor në të”, tha Hill./abcnews.al

ervin-bushati.jpg
ad min22:19 | 23/10/2019

Sipas deputetit të Partisë Socialiste, Ervin Bushati, Shqipëria i ka kryer detyrat e saj për sa i përket çështjes së negociatave. Gjatë emisionit “Byro Politike” në televizionin ABC News, ai u shpreh se këtë gjë e kanë menduar edhe shumica e vendeve anëtare, përveç Francës.

“Nëse ne i vemi këto në peshore dhe maten punët e Shqipërisë janë shumë më tepër se sa arsyet për të thënë Jo. Ndryshe nuk do kishte thënë Po as KE, nuk janë çmendur ata, as Merkeli, as Bundestagu. Të gjithë të tjerët kanë thënë po. Ne kërkojmë të gjejmë arsye pse ka thënë Jo Macron, Presidenti francez, ose e supozojmë e gjithë Franca. Kjo nuk reflekton si e shohim ne veten apo çfarë faji kemi ne. Apo çfarë kemi ndonjë cen ne si shqiptarë apo si shqiptari, apo ku ta kërkojmë ne këtë. Punët janë bërë. Ne po kërkojmë të futemi në oborr dhe kjo që kërkojmë është e barasvlershme me atë që kemi bërë. Kështu e mendojnë 95% e atyre që marrin vendime”, tha Bushati.

Sipas deputetit, në Europë ka një garë se kush është lideri i saj. Prandaj, me gjithë diskutimet që janë kryer në samit, Shqipëria ka qenë vetëm një gur shahu për Macron.

“Ata kanë një garë se kush është lideri de facto i Europës ndërmjet një ylli në ngritje siç është Macroni, apo një presidente qtë qeverisë federale siç është Merkel. A është e rëndësishme Shqipëria? Ne harojmë ka qenë Brexit në diskutim, BQE. Shqipëria ishte një gur shahu në fushën e madhe të Macronit”, tha Bushati./abcnews.al

astrit-patozii-1.jpg
ad min23:04 | 22/10/2019

Astrit Patozi nuk pajtohet me asnjërën nga qasjet e mazhorancës apo opozitës pas vendimit të Këshillit Europian për të mos hapur negociatat për Shqipërinë. I ftuar në studion e Abc News, drejtuesi i Bindjes Demokratike deklaroi qartë se vendi ynë në këtë fazë nuk e meriton hapjen e negociatave me BE.

“Pas lajmit të keq kemi një reagim të ekzagjeruar të dy palëve. Qeveria po e trajton sikur ka një problem Brukseli, nuk ka asnjë problem Tirana. Nga pala tjetër ka një ekzagjerim të madh sikur është fundi i botës, kjo ndodhi për herë të parë. Shqipëria ka pasur shumë stacione të humbura gjatë rrugëtimit të vet drejt Europës. Të dyja qasjet janë patetika.

E vërteta është që ka përgjegjësi shumë të madhe qeveria dhe politika, por qeveria në veçanti. Disa po i vërsulen Macronit duke e sharë edhe nga gruaja por ndërkohë duhet ta mburrin atë. Pra pala që është e mërzitur me Macronin duhet ti jetë mirënjohëse. Macroni në një farë mënyre i shpëtoi nderin qeverisë”, tha Patozi./abcnews.al

astrit-patozii.jpg
ad min20:32 | 22/10/2019

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi këtë të martë se Shqipëria nuk e meriton hapjen e negociatave. Sipas tij edhe nëse vendet anëtare do të kishin marrë një pozitiv, vendi unë nuk e meriton.

Patozi theksoi gjatë një interviste në televizionin ABC News se shqiptarët qeverise më keq se para disa viteve.

“Unë mendoj që edhe në rast se zonja Merkel do ta bindte Macron, për arsyet e brendshme të Brukselit që ta mbyllte një sy dhe të hapeshin negociatat, ne sërish nuk do të ishim të çliruar sepse ne nuk e meritojmë hapjen e negociatave. Mjafton ta shikosh nga Hëna me teleskop dhe të thuash që kurrë nuk mund të jetë anëtare e BE. Ne jemi një vend që nuk bëjmë zgjedhje.

Ne jemi sot një gjysmagjel vend. Kemi një qeveri që ushtron një pushtet që nuk e takon. Kemi një opozitë të ikur nga sistemi. Kemi një president në fije të perit. Një vend krejtësisht anormal. E them me shumë dhimbje por sot mund ta them me plot gojën që shqiptarët vishen më mirë, hanë më mirë, ndoshta lahen më shpesh por qeverisen më keq se para 10 apo 15 vjetësh. Kjo krizë politike është e pashembullt”, tha Patozi.

“Nuk e di duhet ta çonte apo jo. Po të isha vetë që nga Brukseli do thosha që jam gati për zgjedhje të parakohshme. Ne jemi në një truall tjetër. Nuk e njeh këtë përgjegjësi. Minimumi që mund të thoshte meqenëse vendet anëtare kishin problematikat e tyre, por qeveria jonë ndihet përgjegjëse për sa i takon. Dhe një ndjesë të fortë për të gjitha arsyet. Ndonjëherë qeveritë japin dorëheqje për aksidente”, tha Patozi./abcnews.al

bashkimi-eurpian.jpg
ad min16:24 | 22/10/2019

Der Spiegel e konsideron një poshtërim për Brukselin mos hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. E ndërsa për Shkupin konsiderohet si një befasi e vërtetë “jo”-ja, për Tiranën pranohet arsyetimi se ka ende problem të mëdha për të zgjidhur, sidomos me mafien e drogës.

Bashkimi Europian i premtoi qartë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut se do  të hapte negociatat për anëtarësim dhe e shkeli atë premtim. Duke bërë që politikanët e këtyre dy vendeve të kthehen të turpëruar nga Brukseli, dhe ajo që pritet të ndodhë nuk është dicka e mirë.

Kështu e nis shkrimin e saj Der Spigel duke shtuar se Bashkimi Europian ka premtuar anëtarësim për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, një premtim që  ka mbetur një pikëpyetje për shumë kohë pasi lodhja nga zgjerimi është përhapur në BE

Por tashmë për herë të parë BE ka krijuar një të carë në botë pasi me veto-n e Francës Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk i hapën negociatat.

Janë të shumtë liderët europianë që e konsideruan një gabim historik. Ajo që nuk kuptohet qartë është mohimi që iu bë Shkupi dhe ashtu si pritej vendimi i Brukselit shkaktoi një krizë politike në vend. Kryeministri Zaev e cilësoi si një padrejtësi të madhe historike dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme për vendin në muajin prill ndërsa dorëheqja e tij do të bëhet në muajin Janar.

Fiks një vit pasi Maqedonia ndryshoi emrin e saj në Maqedoni të veriut pas më shumë se tre dekadash konflikt me vendin fqinj Greqinë. Kjo nuk ishte vetëm një marrëveshje historike por dhe shumë poshtëruese për pjesën më të madhe të maqedonasve. Por çdo gjë u bë në këmbim të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Der Spigel thekson se Maqedonia e veriut është aktualisht i vetmi vend në Ballkanin perëndimor që ka vendosur në mënyrë serioze baza demolratike, ligjin, rendin dhe reformat kushtetuese. Që nga revolucioni I 2016-ës Maqedonia e veriut ka qenë një shembull I mirë në rajon

Por në rastin e Shqipërisë, refuzimi për hapjen e negociatave është më I kuptueshëm vijon më tej shkrimi. Reformat kushtetuese, ligji dhe rendi janë ende të bllokuara në vend.

Dhe me kryeministrin socialist Edi Rama, në pushtet që nga viti 2013, I dyshuar se mban partinë e tij në pushtet nëpërmjet krimit të organizuar, në mënyrë të vecvantë me mafien e drogës. Vetë Rama i njohur në perëndim për paraqitjen e tij me atlete dhe i admiruar si artist, kultivon një stil autoritar në rritje në politikën e brendshme

Rifillimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, nga ana tjetër mund të jetë sërish në qendër të vëmendjes së BE-së dhe mund të ndodhë me ndërmjetësimin e dy të dërguarve special: Palmer dhe Grenell. Por është më e mundshme që të dy vendet të intensifikojnë luftën e tyre diplomatike.

Skenari për Shqipërinë e Madhe mund të transformohet në një perspektivë politike afatgjatë. Përkundër zërave politike, megjithatë, vendimi i samitit të BE-së nuk do të thotë që Rusia, Kina ose Turqia në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të hidhen në hendekun e lënë nga Brukseli.

Në fund të fundit, Rusia dhe Turqia në veçanti nuk kanë mjetet financiare si Europa e cila aktualisht po investon në rajon. Padyshim, Rusia, Kina dhe Turqia do të dinë të shfrytëzojnë mospërputhjen e BE-së. Në të ardhmen, Ballkani Perëndimor do të bëhet një zonë gri edhe më konfuze gjeopolitike./ABC News Albania

rama-i-pergjigjet-bashes.jpg
ad min19:22 | 21/10/2019

Kryeministri Edi Rama e ka vijuar në rrjetet sociale “debatin” me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në lidhje me mos hapjen e negociatave. Kësaj here, kreu i qeverisë e ka vendosur përballë kancelares gjermane Angela Merkel.

“Më vjen shumë keq për këtë vendim. Pozicioni i Gjermanisë ka qenë për të nisur bisedimet. Kur bëjmë premtime patjetër që duhet t’i mbajmë ato. Nuk do t’i kthejmë shpinën vendeve ndërkohë që kemi bërë prmetime”, citohet kancelarja Merkel, ndërsa në anën tjetër është kreu i opozitës Lulzim Basha sipas të cili vendimi për të mos hapur negociatat është dështim i qeverisë.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i kreut demokrat Lulzim Basha. Ai postoi në Facebook një foto ku shfaqeshin kancelarja Angela Merkel, Emmanuel Macron, Donald Tusk dhe kryeministri italian Giuseppe Conte.

“Ne mbështesim 100% qëndrimet e liderëve të BE. Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Shqipëria meriton më të mirën. Për fat të keq ka një njeri që e pengon këtë rrugë. Ata duan ta pranojnë Shqipërinë, por në mënyrë të përsëritur ata refuzojnë Ramën”, shkruan Basha.

Më herët Rama postoi një foto në faqen e tij zyrtare ku citonte Donal Tusk. Pas kësaj, Basha reagoi në rrjetet sociale, ku iu drejtua kryeministrit Rama se ka dështuar dhe Europa e ka refuzuar.

“Kujt do t’ja hedhësh fajin për dështimin me shëndetësinë? Për ekonominë e shkatërruar?Kujt do t’ja hedhësh fajin për qeverinë tënde të korruptuar? Ka ardhur koha të pranosh përgjegjësitë për dështimet e tua.Është mbushur kupa. Europa të ka refuzuar, dhe shqiptarët do të refuzojnë.

Mjaft me shfajësime personale dhe fajësimin e të tjerëve z. Rama. Të gjithë janë lodhur me justifikimet e tua për dështimet e tua, gjithmonë duke mbrojtur veten, kurrë popullin tënd, asnjëherë gati të pranosh përgjegjësinë tënde. Fakti është, Europa të ka refuzuar. Ti ke dështuar“, shkruante Basha./abcnews.al

albin-kurti-3.jpg
ad min21:52 | 20/10/2019

Kandidati për kryeministër në Kosovës, Albin Kurti e cilëson padrejtësi vendimin e Këshillit Europian për të mos çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas Kurtit të dy vendet e kanë merituar, ndërkohë që ka apeluar që të bëhet kujdes me Shengenin ballkanik.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja dhe kandidati kryesor për kryeministër në Kosovë, Albin Kurti e cilëson të padrejtë vendimin e Këshillit Europian për të mos çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nga Tirana ku takoi dhe falenderoi për angazhimin në zgjedhjet e 6 tetorit qendrën e Lëvizjes në Tiranë, Kurti bëri thirrje për një kujdes me Minishengenin Ballkanik.

Në Kosovë pritet të marrë jetë brenda pak ditësh qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e parakohshme. Kurti e cilësoi të pashmangshëm koalicionin me LDK-në, ndërkohë që konfirmoi  se po formatohet kabineti i ri qeveritar dhe po harmonizohen programet.

Kurti do të presë të marrë zyrtarisht detyrën e kreut të qeverisë për të mbajtur edhe një takim me kryeministrin Rama, ndërkohë që për të është e rëndësishme që marrëdhëniet mes shqiptarëve të forcohen edhe më shumë./ABC News Albania

politika-ne-abc-news-1280x716.jpg
ad min18:44 | 19/10/2019

BE refuzoi të hapte negociatat e antarësimit si me Shqipërinë ashtu edhe Maqedoninë e Veriut. Mosndarja e dy vendeve aspirante, ndikoi në reagimin e Tiranës zyrtare, si në justifikimin e Edi Ramës, ashtu edhe në apatinë e Lulzim Bashës. Ndjekim Mimoza Koçiun me Politika në ABC News.

Për herë të katërt, që prej 2014, kur mori statusin e vendit kandidat, Shqipëria e humbi shansin e hapjes së negociatave. Franca frenuese e zgjerimit mori pas vetes edhe vende të tjera, që ishin për lënien në klasë të Shqipërisë, por jo të Maqedonisë së Veriut, duke bërë që të dy vendet të mbeten në vend numëro. Në Tiranë Edi Rama e Lulzim Basha po bashkëjetojnë çuditshëm me krizën politike 9 mujore, një realitet absurd që u evidentua edhe nga Kryeministri italian, vend mbështetës i fortë i Shqipërisë për hapjen e negociatave. Refuzimi i BE për hapjen e negociatave duket se nuk do e prishë këtë status quo, të paktën së afërmi. Duket se nuk do shohim as modelin e fqinjit tone, Maqedonisë së Veriut, ku zgjedhjet e parakohshme u shfaqën nga Zaev, si opsioni më i parë pas dështimit në hapjen e negociatave.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

16 muaj pasi kishin vënë disa kushte, si për Shqipërinë e Maqedoninë, Këshilli Europian nuk gjeti dot unanimitetin e kërkuar, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me këto dy vende. Në Tiranë ky vendim u parapri me një klimë stanjacioni. Kriza politike e institucionale vijon prej 9 muajsh e aktorët kryesorë po bashkëjetojnë me të, pa vullnetin për ta zgjidhur. Ua vuri në pah, Km italian në pak orë qëndrim në Tiranë, duke premtuar se si pjesë e Këshillit Europian do bënte gjithcka mundej që Shqipërisë t’i hapen negociatat. Por Giuseppe Conte nënvizoi pritshmërinë për zgjidhjen e krizës politike, duke i thënë KM se duhej të bënte lëvizje konkrete.

Nuk pati një reagim nga Kryeministri, por i njëjti mesazh duhej të ishte përcjellë edhe në takimin me presidentin Meta e kreun e opozitës Basha. Të dy i bashkoi 10 vjetori i Kastiftung në Shqipëri, fondacioni politik i Unionit Kristian-Demokrat të kancelares Merkel, mazhoranca që e orietoi Bundestagun drejt hapjes me kushte të negociatave për Shqipërinë, pasi në mënyrë të përsëritur ishte ofruar për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës. Ilir Meta ripërsëriti apelin për dialog mes palëve.

9 kushtet gjermane Lulzim Basha thotë se i ka kauzë të vetën. Por asnjëra palë nuk shkoi përtej deklaratave. Kjo panoramë mbeti kokëfortë në Tiranë, teksa në Bruksel sinjalet e refuzimit qartësoheshin ditë pas dite: të parët ambasadorët e përhershëm që dështuan për të gjetur gjuhën në tre takime të përjavshme. Pas tyre, njëlloj edhe ministrat e jashtëm të vendeve anëtare. Refuzimi i Francës kishte ndikuar edhe vendet e tjera, Holandën e Danimarkën. Në siklet së pari u vu Komisioni Europian, rekomandimi i të cilit nuk konsiderohet nga Këshilli, prej të paktën 4 vitesh.

Pavarësisht atij mesazhi paralajmërues, Rama u shfaq optimist në një videomesazh nga makina e tij, teksa njoftonte se po shkonte në Bruksel bashkë me Zaev. Shefi i ekzekutivit njoftoi shqiptarët se Merkel do takonte Macronin skeptik, për ta bindur për një PO për negociatat. Sipas informacionit zyrtar në faqen e presidencës franceze, mikpritëse e takimit, në fokus ishte bashkëpunimi mes dy vendeve për mbrojtjen, klimën, inovacionin, hapësirën dhe kulturën. Disa prej tyre do ishin edhe objekt i Samitit të KE. Kjo duket arsyeja se pse takimit Merkel-Makron, i ishte bashkuar edhe presidentja e zgjedhur e KE Ursula von der Leyen.

Ish-ministrja e Mbrojtjes e Merkel mbështetet nga Franca, pasi sic thuhet në faqen zyrtare të presidencës franceze, programi i Von der Leyen është frymëzuar nga vizioni i Francës për risktrukturimin e BE, i paraqitur nga Macron në Shtator 2017 e i detajuar në Mars 2019, sipas të cilit nuk duhet të ketë zgjerim me vende të reja, pa reformuar në thellësi BE-në. Për pasojë vendimmarrja për Shqipërinë e MV, doli në konferencën për shtyp Makron-Merkel, vetëm pas pyetjes që bënë gazetarët. Presidenti francez e ilustroi me Shqipërinë arsyen se përse nuk duhet lejuar zgjerimi, pa e reformuar si proces.

Kancelarja Merkel u përpoq të merrte kohë. Por të nesërmen para nisjes për në Bruksel, para Bundestagut, Merkel nuk u shfaq optimiste. A po përgatiteshin vallë për këtë vendimmarrje dy vendet në pritje? Në Bruksel dy ditë para Samitit u shfaq Km Zaev, që pati takime me kreun e PE David Sasoli, presidentin në largim të KE Donald Tusk dhe një takim e konferencë për shtyp me komisionerin për zgjerimin Johannes Hahn, që konfirmoi deklaratën e dhënë më herët, se qeveria e tij mund të rrëzohej në rast të një refuzimi nga KE për hapjen e negociatave.

Siç kishte njoftuar, në Bruksel kishte mbërritur edhe Rama. Takim me Tusk, Mogherinin e Hahn, e në vend të një konference për shtyp si me Zaev, një mesazh përmes gojës së komisionerit, se një JO për hapjen e negociatave, nuk ishte faji i qeverisë. Arritja e marrëveshjes për Brexit me Britaninë e Madhe, pika e parë në axhendën e Samitit të Këshillit Europian, nuk e cliroi dot vendimmarrjen për një dritë jeshile për Shqipërinë e RMV. Madje as lehtësimi për një armëpushim të Turqisë ndaj kurdëve në Veri të Sirisë, i arritur pas një takimi 4 orësh të zv/presidentit amerikan Pence me presidentin Erdogan në Ankara.

Në tryezën e KE mbetën vetëm çështjet e BE në vazhdim, buxheti, klima e zgjerimi, por nuk pati dritë në fund të tunelit për Shqipërinë e MV. E para që reagoi nga tryeza e udhëheqësve ishte kancelarja Merkel e cila tha se kjo qasje do zhgënjente dy vendet. Ai që i kishte prerë shpresat edhe për MV ishte presidenti Francez. I kishte vënë veton dritës jeshile, që disa vende do i hapnin Shkupit.

Kush ia kishte vizatuar vallë Presidentit Macron, atë skenar dhune, në rast të ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria? SHBA shohin një tjetër rrezik nga vendimi i KE që e vlerësojnë zhgënjyes. Në një deklaratë të DASH thuhej se një vendim pozitiv do të kishte riafirmuar besueshmërinë e rrugës së këtyre vendeve për në BE dhe do t’i ishte kundërvënë vendosmërisht aktorëve të huaj dashakeqës, të cilët kërkojnë të minojnë vlerat perëndimore dhe komunitetin euro-atlantik. Lënia në klasë e dy vendeve është një lehtësim politik për Ramën, që paraprakisht e ka lexuar atë qasje, si problem të vetë BE, edhe pse për Shqipërinë rezervat ishin materializuar tek 9 kushtet gjermane. A e ndjen vallë Kryeministri se duhet të ndryshojë dicvka, qoftë edhe të testojë veten në kuvend?

Opozita duket që kishte pritshmëri për hapjen e negociatave me 9 kushtet gjermane, të cilat do ta ulnin në tryezë me Edi Ramën. Tonaliteti i zbutur politik i Bashës dhe përcaktimi i reformës zgjedhore si prioritet, duket orientimi që bashkon PD me PS, i nxitur apo jo nga ndërkombëtarët. Roli i tyre në Tiranë mbetet i zbehtë, sidomos pas situatës në të cilën u përfshi javën politike që lamë pas, iniciuesi i tryezës zgjedhore edhe me opozitën politike, ambasadori i OSBE Bern Borchardt.

Mbrëmjen e 13 tetorit, kreu i prezencës së OSBE po kalonte në trotuarin ku po qëndronin familjarë e mbështetës të protestuesve të arrestuar, kur drejt tij është lëshuar thirrja “shame on you”, “turp të kesh”, e cila 5 muaj më parë ishte shkruar në hollin e pallatit ku ai jetonte, e që u lexua gjerësisht si kërcënim ndaj ambasadorit për shkak të deklaratave të tij kundër dhunës në protestat e opozitës. Rikthimi i kësaj shprehje, duket i ka humbur vetëpërmbajtjen gjermanit Bernd Borchard ndërsa ky gjest i tij si përgjigje, bëri xhiron e mediave e rrjeteve sociale. Prezenca e OSBE ne Shqipëri postoi në llogarinë tuiter një mesazh ndjese të ambasadorit.

Këshilli i Ambasadorëve shqiptarë dënoi gjestin dhe kërkoi nga OSBE marrjen e masave disiplinore ndaj diplomatit të lartë, ndërsa vetë banorët e unazës së re iniciuan një peticion ku kërkohet shkarkimi i ambasadorit. Njëlloj si në rastin e shkrimit në banesë, politika ishte e ndarë në leximin e ngjarjes. Por Parlamenti prej muajsh me 122 deputetë nga 140 që parashikon kushtetuta, vijon të humbasë së pari solemnitetin e vet. Një situatë në kufijtë e një telenovele u prodhua brenda grupit Demokrat 9 anëtarësh, deputetë të dalë nga listat e Lulzim Bashës, që thyen vendimin politik për djegien e mandateve. Një tentativë për të larguar Rudina Hajdarin nga kreu i grupit, duke e zëvendësuar me Korab Litën dështoi, ndërsa të paktën dy deputetë që kishin firmosur për shkarkimin e Hajdarit, ndryshuan mendje. Kjo e fundit ia faturoi Lulzim Bashës atë tentativë, ndërsa siguroi votat e 5 deputetëve të tjerë duke shpëtuar postin e vet, por dhe grupin nga shkrirja.

Energjitë politike në Tiranë mbeten të fokusuara tek axhendat respektive, të orientuara më shumë drejt ndarjes, të paktën publikisht, sesa drejt bashkimit. E tillë duket iniciativa e socialistëve për të shkarkuar presidentin e Republikës, pas anullimit prej tij të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. C’ka i bashkoi në orientimin që komisioni i Venecias të interpretonte vendimin e Ilir Metës, i ndau sërish në leximin e konkluzioneve. Për herë të parë opinioni përfundimtar i komisionit pësoi ndryshime të ndjeshme nga varianti paraprak. Në dokumentin final konstatimet ishin zëvendësuar me vlerësim hipotetik, duke ia lënë fjalën e fundit parlamentit e Gjykatës kushtetuese.

Dy janë momentet ku spikasin këto ndryshime të lidhura me aktet e kreut të shtetit. Në draft dokument në pikën 99 të konkluzioneve thuhej se  “Presidenti i tejkaloi kompetencat e tij sipas Kushtetutës, fillimisht duke anulluar e më pas, duke shtyrë zgjedhjet lokale dhe se i takon parlamentit e GJK të vlerësojë peshën e shkeljeve të rënda, që do çonin në shkarkimin e presidentit”.

Ndërsa në opinionin përfundimtar fraza konstatuese e tejkalimit të kompetencave është hequr, por duke u plotësuar pjesa vijuese me specifikim të njëjtë. Ndryshim ka pësuar dhe pika 101 e përfundimeve të Komisionit të Venecias. Konstatimi i draftit paraprak se “Presidenti tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke anulluar dhe shtyrë më pas zgjedhjet lokale, përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, pa një bazë të veçantë ligjore”, është riformuluar, duke e sjellë si akt hipotetik, në konkluzion të parashtrimeve të mëparshme.

Këto ndryshime nga drafti paraprak, të cilin e pati kritikuar ashpër, i evidentoi i pari Presidenti Meta. Por pika e pandryshueshme e ekspertëve se gjesti i Metës nuk justifikon shkarkimin e tij, nuk arriti t’i bashkonte palët, mazhoranca kundër e opozita politike pro Presidentit. JO-ja e KE për hapjen e negociatave, iu shtua kësaj situate absurdi Kafkian, ku kriza politike po përjetohet si normalitet. “Jeta vazhdon” duket filozofia e Tiranës zyrtare, që po arshivon dështimin e radhës pa reflektim. Krejt ndryshe nga Maqedonia, ku KM Zaev, edhe pas presionit të Opozitës mori përgjegjësinë për refuzimin e KE, dhe tregoi gatishmëri për ta cuar vendin në zgjedhje të parakohshme. E paqartë nëse palët në Tiranë do impenjohen të paktën për një strategji për vendin, ndërsa hapja e negociatave do të shqyrtohet sërish vitin e ardhshëm, para Samitit BE-BP, që do mbahet në Zagreb të Kroacisë në Maj 2020./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono