ne maqedonine e veriut

prokue-1280x719.jpg
ad min16:15 | 17/08/2019

Kreu i Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar, në Maqedoninë e Veriut, Vilma Ruskoska, do të marrë në pyetje shefen në dorëheqje të Prokurorisë së Posaçme Publike, Katica Janeva. Paraqitja e kësaj të fundit pritet me interes për shkak se dëshmitë e saj do të hedhin më shumë dritë, si për rastin ‘Zhvatja’, por edhe për spekulimet se në Prokurorinë Speciale mund të jenë zhdukur shumë prova për raste shumë të ndjeshme.

Ekspertët e fushës nuk ngurojnë ta ndërlidhin këtë krizë më të re institucionale me atë që quhet gatishmëri e shtetit për të luftuar krimin e organizuar. Kjo për shkak se në regjistrimet-audio, të publikuara në gazetën italiane ‘La Verita’, rezulton pa pikë dyshimi se në skandalin ‘Zhvatja’ është e implikuar edhe prokurorja speciale publike Katica Janeva nga e cila pritej që ta zhbllokojë shtetin e kapur prej vitesh.

Të martën, kjo zonjë, që ndërkohë humbi epitetin ‘e çelikt’, do të dëshmojë në Prokurorinë e Shkupit dhe deponimet e saj do t’u japin përgjigje shumë pyetjeve, temave e dilemave, të shtruara e të hapura pas skandalit më të fundit. Kjo për shkak se ‘Zhvatja’ rezulton të na dalë një aferë shumëdimensionale, sikundër u shpreh presidenti Pendarovski në paraqitjen e fundit publike të tij. Të rikujtojmë: Javëve të shkuara ka pasur lajme për kompjuterë, për telefona të fshirë, jo dikur tjetër, por pikërisht në Prokurorinë Speciale Publike.

Burime të Televizionit Klan thonë se zbardhja e së vërtetës mund të përshkallëzojë edhe më këtë krizë ngaqë në ‘trezorët’ e saj kanë qenë ose ka qenë dashur të jenë ‘bombat’ politike të dorëzuara nga opozita e para tre vjetëve, Lidhja Socialdemokrate, sot në pushtet, e kryeministrit Zoran Zaev.

Risetimi i kompjuterëve nënkupton edhe zhdukjen e provave për rastet për të cilat Kryeministri me shokë rrihte gjoksin se ka për t’i zbardhur e që kanë të bëjnë me keqqeverisjen e qeverisë së kaluar të Nikola Gruevskit, por edhe me rastin e incidentit të rëndë të armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë apo ‘Monstrën’ – me shumë viktima në njerëz.

Prandaj është me rëndësi dëshmia e prokurores Katica Janeva që, ndër të tjera të heq dilemën e shtruar në median maqedonase dhe jo vetëm maqedonase, nëse projekti politik i quajtur Prokuroria Speciale Publike, është pasuar me ndonjë pazar, po ashtu politik, mes kreut të saj Katica Janeva, dhe shefit të ekzekutivit, Zoran Zaev.

Komuniteti ndërkombëtar euro-amerikan nuk është se, jo njëherë, nuk ka tërhequr vërejtjen që mazhoranca dhe opozita në Shkup të bëjnë punën e tyre, pa veprime e manovrime për interesa thjesht politike-partiake, por të japin kontributin e tyre për vendosjen e shtetit të së drejtës, para së gjithash, dhe për llogaridhënie e përgjegjësi, çfarëdo natyre qoftë ajo. Shi për këtë menaxhimi juridik i skandalit ‘Zhvatja’ ka për të qenë busull orientuese se nga do të shkojë Maqedonia e Veriut./ABC News Albania 24/7

partite-politike-maqedoni.jpg
nev ila16:50 | 03/05/2019

Në mesnatë në Maqedoninë e Veriut hyn në fuqi heshtja zgjedhore. Kandidatët presidencialë dhe partitë politike bënë përpjekjet e fundit për të bindur elektoratin se pjesëmarrja masive në votime është në dobi të vendit dhe aspiratave euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

Në ditën e fundit të fushatës për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kandidatët presidencial të pozitës dhe opozitës, po japin mesazhet e fundit para elektoratit.

Derisa nga kampi politik i koalicionit qeveritar bëjnë thirrje për dalje masive dhe të votohen përcaktimet euro-atlantike të vendit, opozita maqedonase, ndërkaq, zhvillon një fushatë tjetër. Ata bëjnë thirrje që qytetarët të dalin masivisht në votime, me qëllim që postin e Presidentit mos ta marrë Kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Mirëpo, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i mohoi zërat se mos dalja e tij në fushatën zgjedhore ka të bëjë me pretendimet për tu bërë  kryetar shteti.

Kandidati shqiptar që nuk arriti të kualifikohet në raundin e dytë, Prof. Blerim Reka i ftoi votuesit e tij, të dalin masivisht në votime dhe të shpëtojnë procesin euroatlantik të vendit, gjë që në qarqet e këtushme vlerësohet si përkrahje indirekte për z.Pendarovski.

Kurse partitë opozitare shqiptare që mbështetën kandidaturën e Rekës, bënë thirrje për dalje masive, por qytetarët të votojnë sipas bindjeve të tyre, duke mos harruar përcaktimet strategjike të vendit për hyrjen në strukturat e NATO-s dhe BE-së./ABC News Albania 24/7

mediat-greke.jpg
nev ila18:22 | 22/04/2019

Ndonëse pa shumë jehonë, mediat greke i kanë pasqyruar zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Disa të përditshme të shtypit helen i kanë kushtuar vëmendje rolit, sipas tyre, vendimtar të shqiptarëve në balotazh.

Opinioni dhe media greke i ka përcjellë zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, përgjithësisht si një ngjarje të zakonshme të aktualitetit ndërkombëtar.

Ndërkaq, televizioni publik ERT ka qenë më aktiv në mbulim, me lidhje të drejtpërdrejta disa herë gjatë të dielës, por edhe të hënën.

Mjaft prej gazetave greke të ditës i kanë pasqyruar në faqen e parë zgjedhjet, duke i mëshuar sidomos pjesëmarrjes së ulët në procesin e votimit.

Vetëm dy prej këtyre gazetave, janë thelluar disi më tepër, duke theksuar rëndësinë që do të ketë në balotazh roli i faktorit shqiptar në përgjithësi, por edhe i dy partive opozitare, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët. Kathimerini nënvizon në një koment të vetin, që po qe se balotazhi dështon, atëherë të fituar të përkohshëm do të jenë shqiptarët. “Sepse do të kenë për herë të parë një president republike nga radhët e tyre, përderisa sipas kushtetutës, kryetar i shtetit deri në zgjedhjet e reja do të jetë kryetari i parlamentit, pra Talat Xhaferi.

Mirëpo e përditshmja tjetër Ta Nea, vlerëson që kjo do të mund të jetë një zgjidhje problematike, pasi mund të nxisë tensione ndëretnike.

Gjithsesi, Ta Nea thekson që Xhaferi në karrigen e presidentit të republikës do të mund të dekretojë marrëveshjen e Prespës, si dhe ndryshimet e kushtetutës, që presidenti aktual, Gjorgje Inavov, i refuzon./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono