ndotje

laguna-e-kunes.jpg
G. P.15:36 | 08/06/2019

Ashtu sikurse në sezonin e kaluar turistik edhe këtë vit Laguna e Kunes është ndotur. Vendorët janë në alarm për situatën dhe kërkojnë të ndërhyhet sa më shpejt.

Algat kanë pushtuar bregdetin e Kunes në Shëngjin. Ndotje, aromë e rëndë nga ngordhja e gjallesave të detit. Laguna vazhdon të depërtojë në plazhin e Kunes duke rritur sipërfaqen e ndotur, e cila është bërë e pashfrytëzueshme.

Bashkë me sezonin veror në Shëngjin kanë nisur edhe problemet. Një situatë e ngjashme ishte krijuar edhe në Korrikun e vitit të shkuar.

Administratori i Shëngjinit thotë se hidrovorët janë shkaktarët e ndotjes në Kune. Duhet një ndërhyrje urgjente, por fillimisht laguna duhet lidhur me lumin Drin për të shmangur komunikimin me detin.

Inspektoriati Mjedisor dhe Ministria e Bujqësisë ende nuk kanë reaguar për situatën e krijuar. Vendorët paralajmërojnë rritje të sipërfaqes së ndotur duke rrezikuar të përfshihet i gjithë bregdeti i Shëngjinit. /ABC News Albania 24/7

bledni-klosi.jpg
G. P.14:35 | 21/05/2019

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, mblodhi në Durrës Task Forcën për turizmin. Ai tha se është shqetësuese situata me ujërat e ndotura, pasi 18 subjekte turistike i shkarkojnë ato në gropa septike.

Durrësi po bëhet gati për sezonin turistik, por ministri i Turizmit, Blendi Klosi, foli me tone të ashpra për ndotjen e ujërave dhe gropat septike. Në mbledhjen e Taks Forcës për menaxhimin e sezonit, ministri tha se ky sezon i ri turistik duhet të jetë më i pastër, cilësor dhe i sigurtë.

“Por për sa i përket operatorëve privatë, akoma në bregdetin Durrësit edhe pse në numër të vogël kemi operatorë të cilët nuk kanë marrë leje mjedisore, për sa i përket vënieve në zbatim të kushteve të një kontrate me shtetin. Po ashtu kemi akoma që për sa i përket shkarkimit të ujërave, 223 prej tyre bëhen në kolektor, por 18 prej tyre akoma janë te gropat septike”, tha Klosi.

Sipas tij, Inspektorati i Mjedisit dhe Turizmit, por edhe autoritetet e tjera përgjegjëse, përfaqësues të Task Forcës së Turizmit dhe aktorët lokalë, duhet të shtojnë numrin e kontrolleve, për t’i paraprirë problematikave.

“Akoma nuk kemi një dakordësi të fundit për sa i përket bashkisë së Durrësit, bashkisë së Krujës, për sa i përket orareve të zhurmave. Ku do lejohen zhurmat apo muzika në vende të përcaktuara? Kush mund të jetë një ditë e caktuar, apo një zonë e caktuar që do ketë një tolerim për muzikën. Shitësit ambulantë besoj që bashkia ka marrë një vendim që të bllokojë shitësit ambulantë të jenë në zonën e plazhit”, tha Klosi.

Përpara se operatorët turistikë të kërkojnë të marrin një plazh me qira, duhet të kenë një plan të qartë dhe të rregull për mirëmenaxhimin e tij.

“Do duhet që ata që marrin menaxhimin e një hapësire publike siç është rëra, të kenë dhe detyrimet e tyre sa i përket pastërtisë, higjienës, ruajtjes së plazhit, administrimit me kujdes duke siguruar hapësirën publike dhe private. Të gjitha këto duhet të zgjidhen sot”, tha Klosi.

Të pranishëm në takimin e Taks Forcës ishin dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët premtuan angazhim maksimal për mbarëvajtjen e sezonit veror./ABC News Albania 24/7

Bulqize-1280x691.jpg
Sej rie14:35 | 07/05/2019

Instituti i Shëndetit Publik ka reaguar me anë të një deklarate gjatë së martës në lidhje me analizat paraprake për ujin në Bulqizë.

Në deklaratë thuhet: “Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik ka dalë rezultati i një prej analizave mikrobiologjike të ujit të pijshëm marrë në rrjetin e ujësjellës, që dyshohet të ketë shkaktuar disa simptoma në banorët e ‘Lagjes së Vjetër’ në Bulqizë. Përgjigja e mostrës së sjellë nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive të Bulqizës, në laboratorin e ISHP, ka dalë negative për ngarkesë mikrobiologjike, pra nuk ka ndotje mikrobiale në ujë”.

ISHP deklaron se për një përgjigje më të plotë për shkaktarin e simptomave tek qytetarët e Bulqizës duhet të presim rezultatet e tjera të analizave nga mostrat e marra nga grupi i ISHP në Bulqizë.

Sipas ISHP në zonën ku janë paraqitur rastet e personave me simptoma, janë marrë mostra uji në rrjetin ujësjellës dhe këto mostra janë në proces analizimi për parametrat mikrobiologjikë, fiziko-kimike dhe toksikologjike dhe analizat përfundimtare pritet të dalin në ditët në vijim./ABC News Albania 24/7

ndotje.jpg
G. P.22:20 | 13/03/2019

Brenda viti 2015, në qytete apo rajone të Azisë, Lindjes së Mesme dhe Afrikës, mund të ndodhin me miliona vdekje të parakohshme. Është ky alarmi i dhënë nga 250 shkencëtarë të Kombeve të Bashkuara, të cilët japin si arsye kryesore ndotjen e mjedisit.

Dëmi si pasojë e ndotjes së mjedisit në planetin Tokë, është aq i rëndë sa shëndeti i njerëzve do të jetë gjithnjë e më i kërcënuar, të paktën deri në momentin që nuk ndërmerren masa urgjente.

Alarmi jepet pas një studimi ku kanë marrë pjesë 250 shkencëtarë të OKB-së, ku thuhet se nëse nuk rriten në mënyrë drastike mbrojtjet për ambientin, në qytete apo rajone në Azi, Lindje të Mesme dhe Afrikë mund të ndodhin me miliona vdekje të parakohshme brenda vitit 2050.

Raporti përfundimtar i firmosur nga Kombet e Bashkuara paralajmëron edhe se ndotja e sistemeve të ujit të ëmbël mund të jenë një nga arsyet kryesore të vdekjeve./abcnews.al

inerte.jpg
G. P.13:30 | 13/03/2019

Në bregun e liqenit të Pogradecit firmat e ndërtimit kanë shkarkuar sasira të mëdha inertesh. Inspektoriati i Mjedisit ka gjobitur bashkinë, por zyrtarë të kësaj bashkie thanë se nuk janë në gjendje të kontrollojnë të gjithë vijën e liqenit.

Është bregu i liqenit të Pogradecit, por këto pamje tregojnë katastrofën. Vendgrumbullim i mbetjeve urbane dhe një situatë alarmante mjedisore. Në zonën e Gurit të Kuq, subjekte ndërtuese kanë shkarkuar sasi të mëdha inertesh në afërsi të bregut. Por një panoramë e tillë duket se nuk është toleruar nga Inspektoriati i Mjedisit. Bashkia e Pogradecit është gjobitur me një milion lekë.

Humbert Toshi, kryeinspektor i Inspektoriatit të Mjedisit, Korçë: Bashkia në rastin konkret është përgjegjëse pasi duhet të mirë administrojë dhe të konstatojë rastet ku mund të kemi ndotje të mjedisit, sidomos në venet breg liqenore. Nga ana jonë po punohet për identifikimi e subjekteve të cilat mund të kenë depozituar këto inerte. Do merret masë në mënyrë kategorike.

Përveç masës administrative, Inspektoriati i Mjedisit i kërkon bashkisë të pastrojë sipërfaqen e bregut, ku janë hedhur mbetjet inerte, në të kundërt do të shkohet deri në kallëzim penal në Prokurori. Të pyetur nga ABC News, drejtues të zyrës së mjedisit në Bashkinë e Pogradecit thane se bashkia e ka evidentuar dhe gjobitur subjektin, përgjegjës për ndotjen.

Por ata thanë se kërkojnë bashkëpunimin edhe të agjencive të tjera, pasi bashkia e ka të vështirë të menaxhojë dhe mbrojë një vijë bregliqenore prej 37 kilometrash. Sa i takon gjobës, Bashkia e Pogradecit do të ndjekë rrugën gjyqësore, duke e ankimuar masën administrative./abcnews.al

ndotja.jpg
G. P.14:59 | 01/03/2019

Në një kohë kur është kërkuar hetim dhe janë gjobitur kompanitë naftënxjerrëse, ndotja në lumin Gjanica vazhdon. Sasira të mëdha hidrokarburesh me erë të rëndë squfuri janë derdhur qe në mëngjes në lum, duke e bërë mjedisin dhe ajrin në të gjithë qytetin të padurueshëm.

Pritet një reagim nga Inspektoriati Mjedisor, i cili tre muaj më parë bëri kallëzim penal dhe gjobiti dy kompani nafte. Këto të fundit i janë shmangur pagesës së gjobës, ndërsa fati i hetimit të kërkuar prej prokurorisë mbetet i paqartë. Në këto kushte ujërat e lumit preken tonelata mbetjesh hidrokarbure, ndërsa autorët e ndotjes mbeten të pandëshkuar./abcnews.al

kanali.jpg
G. P.17:02 | 27/12/2018

Një kanal i ujërave të zeza në Mengël nuk ka tmerruar vetëm banorët e këtij fshati. Por ai po ndot të gjithë Elbasanin. Banorët thonë se ai kanal duhet betonuar.

Nuk ka ndryshuar asgjë. As në vere dhe as nëdimër. Kanali i ujërave të zeza është makth për banorët e fshatit Mengël të Elbasanit. Në një pozicion të rëndësishëm që ndahet në të dy anët nga rruga nacionale Elbasan-Librazhd. Bri tij bizneset më të rëndësishme të zonës. Të gjithë, përfshirë edhe tregun e bagëtive dhe thërtoren, i hedhin ujërat në këtë kanal. Por edhe më keq, pranë ndodhen pompat që furnizojnë qytetin e Elbasanit dhe ujëra të tillë depërtojnë deri në thellësi të tokës.

“Shumë, ujërat e zeza, kanalet. Janë të gjitha. Është thërtorja lart, vjen kanali poshtë çfarë do shohësh? Gjak, gjak vendi”, u shpreh një banore e zonës.

Banorët e Menglit, janë ankuar, por s’kanë arritur gjë. Ata kërkojnë të paktën të ndërtohet një kanal prej betoni dhe të jetë i mbuluar.

“Është shumë e rrezikshme. Të gjithë ujërat e zeza para shtëpisë. Tubat ujit të pijshëm këtu kalojnë”, u shpreh një tjetër.

“E rrezikshmë është se pislluk. Deri këtu ka ardhur kanali, mbrapa po të bjerë shi gjithë era qelbet poshtë”, u shpreh një tjetër.

Ujërat e zeza të gjithë zones, por edhe vetë qytetit Elbasan, derdhen pa asnjë përpunim në lumin Shkumbin./abcnews.al

makinat-e-vjetra.jpg
G. P.15:21 | 02/12/2018

2 Dhjetori ka shënuar hyrjen në fuqi të vendimit të qeverisë për ndalimin e importit të automjeteve në vendin tonë për qëllime tregtie. Ky vendim i qeverisë erdhi në kuadër të masave kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë. Ndryshimet ligjore për importin e automjeteve pritet të sjellin edhe ndryshime të mëdha në këtë sektor të tregut.

Prej datës 2 Dhjetor 2018 në Shqipëri nuk lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim autoveturat e përdorura, të prodhuara jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë. Ky vendim, i cili u miratua në datën 26 Tetor të këtij viti, parashikon ndalimin e importit edhe për motorët, autobusët dhe kamionët që janë prodhuar deri në 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në vendin tonë.

Sipas dokumentit lejohen të futen në Shqipëri vetëm 4 kategori automjetesh e më konkretisht autoveturat me kilometrazh zero që përmbushin normën EURO 5, autobusët dhe kamionët M2 dhe N1 me kilometrazh zero, si dhe autoveturat e përdorura që janë regjistruar më parë për qarkullim në një shtet tjetër, që përmbushin normën EURO 4 të BE, të prodhuara jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri. Kategoria e katërt që do të mund të regjistrohen janë mjetet e tjera motorike motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, të përdorura, të cilat përmbushin normën EURO 3 duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Ndërkohë automjetet, të cilat tashmë kanë hyrë në territorin shqiptar, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 Mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme, pas kësaj date nuk do mund të regjistrohen. Vendimi i datës 2 Dhjetor ka sjellë mjaft pakënaqësi nga personat që merren me importin e automjeteve si dhe pritet të sjellë ndryshime të mëdha në tregun e automjeteve në vend, duke qenë se pjesa më e madhe e këtij tregu dominohet nga makina të prodhuara para vitit 2009./abcnews.al

blendiii.jpg
G. P.19:39 | 27/11/2018

Sipas ministrit të Mjedisit dhe Turizimit, Blendi Klosi, nuk është iluzion që në Shqipëri të vijnë 10 milionë turistë. Në “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, ai tha se sfida është që turistët që vijnë të mos largohen dhe vendi jonë të bëhet destinacion i qëndrueshëm turistik.

“Nuk ka ndonjë iluzion për punën e 10 milionë turistëve. Është një progresion, një rritje normale. Para 4 vitesh kanë qenë 4 milionë, vjet ishin 6. Nëse vazhdojmë me këtë progresion ne shkojmë në 10 milionë. A jemi të gatshëm të presim 10 milion? Kjo është sfida. Këta që vijnë të mos largohen nga Shqipëria e të mos vijnë më. Të krijojmë një destinacion të qëndrueshëm turistik”, tha ministri Klosi.

Ndër të tjera, Klosi tha në studio se Shqipëria ka potencialin që të zhvillojë turizëm 12-mujor. Sipas tij Shqipëria nuk është e ndotur, por e papastër.

“Shqipëria nuk është e ndotur. Shqipëria është e papastër. Ne kemi probleme me menaxhimin e mbetjeve urbane. Nëse eleminohen venddepozitimet ilegale pranë lumenjve do kemi një situatë tjetër”, tha Klosi./abcnews.al

gjanica.jpg
G. P.13:03 | 22/11/2018

Inspektoriati Mjedisor në Fier ka denoncuar dy kompani nafte si shkaktarë të ndotjes së krijuar në lumin Gjanica. Sasi të mëdha hidrokarburesh janë derdhur në lumë gjatë ditëve me reshje dhe ndaj kompanive në fjalë do të vendosen gjoba.

Ka ndërruar sërish ngjyrë, ndërsa kundërmon era squfur. Teksa po rehabilitohet, Gjanica ka edhe një problem të fundit për të zgjidhur, ndotjen nga nafta. Derdhja e mbetjeve të naftës dy ditë më parë alarmoi Inspektoriatin Mjedisor në Fier. Kryeinspektori Hader Çako denoncoi dy kompani nafte se po derdhin mbetje të papërpunuara në lumë. Ditët me reshje janë shfrytëzuar për të fshehur hedhjen e sasirave të mëdha të hidrokarbureve në lumë.

“Ne kemi gjetur këto dy pika, të cilat kanë ndotje tej mase. Janë marrë analizat, ku në njërën është vërtetuar që ka ndotje të elementeve të hidrokarbureve dhe toksike”, u shpreh ai.

Për ndotësit do të vendosen gjoba dhe do të kallëzohen penalisht.

“Po vazhdojmë procedurat që është gjobë deri në 20 milionë siç na e lejon ligji për inspektimine mjedisit dhe pezullim punimesh”, u shpreh Çako.

Ndotja nga hidrokarburet vazhdon prej dekadash në Fier.  Bashkia ka vendosur të ndëshkojë shkaktarët me gjoba për t’i dhënë fund situatës. Ujërat e lumit Gjanica janë toksike dhe ndërrojnë ngjyrë në varësi të mbetjeve që kompanitë e naftës hedhin në të. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono