ndeshja

BRAZILI-FITON-NDESHJEN-HAPESE_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela12:35 | 15/06/2019

Kombëtarja e Brazilit fitoi në ndeshjen hapëse të Kupës së Amerikës përballë Bolivisë me rezultatin 3-0. Dy golat e Kutinjos dhe një i Everton i dhanë tre pikët e para në grup vendit organizator.

Brazili përmbush pritshmëritë dhe e nis mbarë edicionin e 46 të Kupës së Amerikës. Vendi organizator fitoi ndeshjen hapëse ndaj Bolivise me rezultatin e pastër 3-0, sfidë e vlefshme për grupin A.. Mungesa e Neymar nuk ndikoi aspak në skuadrën e trajnerit Tite pasi Kutinjo mori përdore pesë herë kampionet e botës. Sfida ishte tepër e luftuar në pjesën e parë. Të dyja skuadrat amerikano-latine ia krijuan shumë raste shënimi, por mungoi konkretizimi. Në pjesën e dytë, Brazili ndërroi strategji dhe rezultoi efikase. Gjyqtari akordon 11 metërsh për vendasit që shndërrohet në gol nga ylli i Barcelones Kutinjo.

Nuk vonoi shumë goli i dytë me autor sërish Kutinjon. Firminjo asiston saktë për shtatshkurtin i cili i shpëton mbulimit të mbrojtjes së Bolivisë dhe shkund rrjetën për herë të dytë. Brazil 2, Bolivi 0.

Të besuarit e teknikut Tite kontrollojnë qetësisht lojën pasi avantazhi i dyfishtë ja lejon diçka të tillë. Bolivia duket e dorëzuar ndërkohë që vendasit shfrytëzojnë në maksimum rastet e krijuara. Pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt, në skenë shfaqet Everton i cili lë gjurmë në këtë takim. I sapofuturi në lojë realizon një gol mjaft të bukur në limitet e zonës së rreptësisë dhe vulos fitoren 3-0 të Brazilit. Edhe pse pa Neymar në fushë, Brazili shkëlqeu dhe mori tre pikeë me mjaft vlera në ndeshjen e parë në grup. /ABC News Albania 24/7

 

skysports-anthony-joshua-aj_4432258-1280x720.jpg
nev ila23:55 | 14/06/2019

 

Boksieri amerikan Wilder ironizon me britanikun Joshua pas humbjes surprizë të këtij të fundit. Wilder kërkon duel mes tyre por thekson se nuk e motivon shumë përballja me Joshua

Boksieri britanik Enthony Joshua u mposht me nokaut javën e kaluar ndaj meksikanit Ruiz por kjo nuk e ka penguar amerikanin Wilder të kërkoj një tjetër duel me Joshua. Boksieri amerikan ironizon me rivalin e tij dhe nuk e konsideron si kampion, aq me tepër pas humbjes surprizuese.

“Jam gati për një përballje me Joshua. Ai nuk është më kampion dhe nëse pranon mund të duelojmë për titullin e kategorisë time. Nuk përbën asgjë të veçante për mua dhe është një kundërshtar si gjithë të tjerët”, tha Wilder.

Boksieri amerikan nuk njeh ende humbje në karrierën e tij ndërkohë që numëron 41 fitore dhe vetëm një barazim.

Joshua dhe Wilder cilësohen si dy boksierët më të fortë të dekadës së fundit dhe ka interes të jashtëzakonshëm dueli mes tyre. Deklaratat sfiduese janë lëshuar në distancë nga të dyja palët por më shumë mundësi dueli mes tyre nuk do të zhvillohet këtë vit, pasi Joshua do të zhvillojë revanshin ndaj Ruiz./ABC News Albania 24/7

FUTBOLLISTET-FLASIN-PAS-FITORES.mpg_snapshot_00.18-1280x720.jpg
ent ela16:10 | 12/06/2019

Futbollistët e kombëtares ndihen të lehtësuar pas suksesit ndaj Moldavisë në Euro 2020. Ata mendojnë se ekipi përfaqësues do të ketë shanse edhe ndaj Francës apo Turqisë.  

Kur fiton, të gjithë duan të flasin, dhe këtë herë e meritojnë. Futbollistët e kombëtares u vunë në rresht për të komentuar suksesin e rëndësishëm ndaj Moldavisë, që I rifut në lojë për kualifikim në Europianin 2020.

Autori i golit të parë, tepër të rëndësishëm, Sokol Cikalleshi, thotë se është dyfish i lumtur.

Fitoren e garantoi përfundimisht, rrjeta e dytë, realizuar nga Ylber Ramadani.

Odise Roshi, një rikthim me peshë, shërbeu topin e golit për Cikalleshin.

Një nga lojtarët më të mirë në fushë ishte Amir Abrashi.

Mbrojtësi Frederik Veseli mendon që tani për Francën dhe Turqinë.

Ja edhe Myrto Uzuni, tashmë lojtar stabël formacioni.

Mbrojtësi Ismajli tregon arsyen pse u arrit fitorja, dhe ka shpresë për më vonë. /ABC news Albania 24/7

elbasan-1.jpg
G. P.17:27 | 11/06/2019

Dikur bulevardi dhe i gjithë Elbasani gumëzhinte. Qyteti vishej i tëri kuq e zi dhe shqiptarët nga të gjitha trojet mblidheshin aty. Brohorisnin, këndonin, krijonin atmosferë festive.

Por nuk po ndodh. Ekipi kombëtar duket se nuk e ka më lavdinë e dikurshme. Dhe kjo është lehtësisht e dallueshme.

Edhe para sporteleve të biletave nuk shikon më njerëz. Ndërsa janë gjithnjë e më të pakët ultrasit e zjarrtë nga Maqedonia dhe Kosova.

Megjithatë tifozët nuk e lënë atë asnjëherë në baltë. Të pakët në numër sërish kthehen në stadium për të mbështetur ekipin e tyre të zemrës.  Thonë se nuk janë mjaft të kënaqur me kombëtaren. Disa ia vënë fajin trajnerëve, të tjerët lojtarëve. Por megjithatë ende shpresojnë. Sot presin fitoren me Moldavinë.

“Presim një fitore me një ekip kaq të dobët sa Moldavia. Po s’morëm dhe tre pikët me këtë, turp”.

“Meqë ka ardhur trajneri i ri tani, presim fitore”.

Nga ana tjetër Federata dhe policia kanë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e takimit. Do të ketë një numër të shtruar të uniformave blu dhe do të bllokohet qarkullimi i automjeteve përreth stadiumit, në bulevard dhe në disa akse të rëndësishme./ABC News Albania 24/7

edi-reja.jpg
nev ila23:02 | 10/06/2019

Kombëtarja duhet të luajë mirë dhe të fitojë ndaj Moldavisë. Trajneri Reja vendos objektivin për ndeshjen e Evropianit, ndërsa deklaron se do të bëjë 3-4 ndryshime në formacion.

Nuk u kënaqëm me rezultatin, por nuk mbetëm pa shpresë. Kështu menduan tifozët, dhe duket se kështu mendon edhe trajneri i kombëtares, Edi Reja, pas ndeshjes së humbur minimalisht në Islandë. Italiani doli në konferencë për shtyp, përpara ndeshjes ndaj Moldavisë, këtë të martë për eliminatoret e Evropianit, me ide të qartë.

Ne kemi nevojë edhe të luajmë mirë, por edhe që ta fitojmë ndeshjen. Ky është objektivi, sepse nëse do t’ia dalim për t’u paraqitur mirë dhe për të fituar, atëherë aspekti moral do të ishte i jashtëzakonshëm. Ne po punojmë mirë, por lojtarët kanë nevojë të marrin shpërblim për punën që bëjnë. Ndaj kur ia del mbanë, fitoret të ndihmojnë shumë“.

Gjithsesi, pati kritika për skemën 3-5-2, sidomos për golin e pësuar.

“Nuk pashë probleme në mbrojtje apo mesfushë. Problem pasimi i fundit, kur duhej të vinim lojtarin për të konkluduar, aty patëm disi vështirësi. Jemi në rritje në lojën tonë, në ritmin e aksioneve dhe në fazën ofensive, dhe në lëvizje. Na mungoi finalizimi, por gjithsesi e vumë në vështirësi Islandën, që krijoi vetëm një rast në portën tonë. Tani, gjithsesi, duhet të jemi më konkretë”.

Cili do të jetë formacioni i Rejës për sfidën në “Elbasan Arena”?

“Ka kaluar pak kohë që kur mbërritëm, dhe është shpejt për të vendosur për formacionin. Duhet të shoh se cilët janë të lodhur, dhe pastaj do të flas me lojtarët. Ata që u impenjuan shumë në Islandë, edhe mund të pushojnë, por ekipi është i plotë, dhe për çdo pozicion ka dy lojtarë. Kush do të luajë, do të jetë në 100 për qind. Mund të ndryshojnë 3-4 lojtarë, ndoshta. Në mbrojtje ka pak nevojë për ndryshim, në mesfushë duhet të lë ndonjë pushim, dhe dua të bëj ndryshime edhe në sulm, pasi lojtarët punuan shumë. Kam në dispozicion Sadikun, po ashtu Uzunin”.

Si e konsideron Reja ndeshjen me Moldavinë, ndoshta të kalueshme?

“Të gjithë rivalët janë të rrezikshëm, nuk ka skuadra të lehta. Kurrë nuk mund të jemi të bindur se jemi superiorë. Superioritetin duhet ta tregojmë në fushë, ku duhet zemër e madhe dhe përqendrim i madh, motivim i madh. Të vazhdojmë punën që kemi bërë, që e treguam edhe në Islandë, ku patëm personalitet të madh, ku e sulmuam rivalin, i bëmë presion, të njëjtën gjë do të kërkoj edhe këtë herë”.

Turqia mundi Francën dhe tregoi se e pamundura mund të bëhet e mundur.

“Unë shoh shtëpinë, time, jo Turqinë apo Francën. Unë kam detyrë që ta rris këtë skuadër. Erdha sepse kishte probleme që duhen zgjidhur, ndryshe përse do të vija unë. Është e qartë se problemet nuk mund t’i zgjidh në një javë apo në 15 ditë. Duhet të përmirësohemi dhe ju e patë që nga ndeshja në Islandë që ka përmirësim, për këtë duhet të biem dakord, apo jo?”

Shqipëria ka tri pikë pas tri ndeshjeve të para, po aq sa edhe Moldavia./ABC News Albania 24/7

edi-reja.jpg
Sej rie14:10 | 10/06/2019

Kombëtarja shqiptare ka në dispozicion vetëm një seancë stërvitore për ndeshjen ndaj Moldavisë, për shkak të lodhjes së udhëtimit. Trajneri Reja pritet të bëjë dy ndryshime në krahasim me Islandën.

Udhëtimi ishte i lodhshëm, në vajtje, dhe në kthim.

Kombëtarja më shumë u rraskapit nga rruga sesa nga ndeshja ndaj Islandës, dhe kjo pritet të prishë jo pak punë ndaj Moldavisë.

Trajneri Edoardo Reja u detyrua të anulonte një seancë stërvitore me lojtarët kryesorë që luajtën në Rejkjavik, dhe të dielën të punonte vetëm me ata që kishin qenë në stol.

Për pjesën tjetër të ekipit mbeti vetëm stërvitja e së hënës, një ditë para ndeshjes eleminatore të Europianit.

Italiani ka dy shqetësime kryesore.

Së pari, të bindë skuadrën se humbja në Islandë nuk ishte dështim, ndaj shanset janë që të gjitha për fitore ndaj Moldavisë.

Së dyti, trajneri duhet të përshtatë më mirë lojtarët me skemën e tij të preferuar 3-5-2, aq më shumë që nuk ka kohë për të provuar diçka tjetër.

Reja ftoi lojtarët që të ishin të qetë në fushë, dhe po ashtu të saktë në veprime, për të mos krijuar të papritura, e shpenzuar energji të kota.

Pritet që ai të bëjë ndryshime në formacionin bazë, edhe pse nuk mendohet të jenë të shumta.

Një zëvendësim mund të quhet i detyrueshëm, pasi Mavraj kthehet nga pezullimi, dhe besohet se do të zërë vendin e Dermakut në mbrojtje.

Në krah mund të ketë shans Odise Roshi në vend të Lenjanit, ndërsa në sulm duhet parë forma fizike e Sadikut.

Presioni do të jetë i madh për ekipin përfaqësues, pasi nga ndeshja e së martës në “Elbasan Arena” pritet vetëm fitorja, dhe çdo rezultat tjetër do të konsiderohej dështim./ABC News Albania 24/7

edi-reja.jpg
nev ila23:11 | 08/06/2019

Pas ndeshjes me Islandën, trajneri Italian Edi Reja u shfaq i shqetësuar për rastet e humbura dhe premtoi ndryshime për sfidën me Moldavinë.

Kombëtarja shqiptare zhgënjen serish. Pavarësisht atmosferës pozitive që u krijua në skuadër nga afrimi i trajnerit Edi Reja, kombëtarja pësoi disfatë minimale 1-0 në fushën e Islandës. Shqipëria luajti mirë me skemën e re por gabuan në pasimin final. Trajneri Italian nuk e shfaqi shqetësimin pas ndeshjes ndërkohë që përgëzoi dyshen e sulmit Balaj Cikalleshin. Kreu i bankinës së kuqezinjve premton ndryshime për sfidën ndaj Moldavisë.

“Me vjen keq pasi krijuam shumë raste në 20 minutat e para. Patëm një rënie të rendimentit fizik. Na u mohua një 11 metërsh i pastër. Krijuam lojë por nuk nuk shënuam. Ndryshimet që bëra në pjesën e dytë sollën më tepër shpejti në lojë por sërish nuk shfrytëzuam rastet e krijuara. Balaj dhe Cikalleshi janë dy lojtarë të fortë fizikisht dhe bëjnë pressing të mbrojtësit. Për sfidën e radhës do të mundohem të krijoj një grup që të jetë gati. Do të ketë ndryshime”, tha trajneri Italian Edi Reja”.

Te shqetësuar u shfaqën edhe futbollistët pas ndeshjes.

Kombëtarja do të luajë ndeshjen e radhës ndaj Moldavisë në Elbasan Arena duke filluar nga ora 20:45. 3 pikët janë synimi kryesor i kuqezinjve./ABC News Albania 24/7

Elseid-Hysaj-1280x718.jpg
nev ila23:50 | 07/06/2019

Kapiteni i ekipit kombëtar, Elseid Hysaj është optimist për duelin ndaj Islandës. Mbrojtësi vlerëson kundërshtarin por beson se 3 pikët janë të arritshme.

Kombëtarja shqiptare është gati për ndeshjen zyrtare ndaj Islandës e cila do të zhvillohet të shtunën në orën 15:00. Situata paraqitet mjaftë  mirë tek kuqezinjtë që përgatiten për këtë duel prej rreth 15 ditësh. Kapiteni i ekipit kombëtar Elseid Hysaj thekson se skuadra është gati për këtë duel si dhe komenton skemën 352 që do të aplikojë trajneri Italian

Në lidhje me kundërshtarin Islandën, një emër i vogël në futbollin evropian por që rezultoi të ishte surpriza në euro 2016, Hysaj shprehet se kjo skuadër nuk është e njëjtë me atë të dy viteve më parë./ABC News Albania 24/7

 

 

KONFERENCA-KOMBETARES-FLASIN-CIKALLESHI-AJETI.mpg_snapshot_00.24-1280x720.jpg
ent ela22:45 | 04/06/2019

Kombëtarja shqiptare e futbollit vijon përgatitjet në Frankfurt të Gjermanisë në prag të duelit ndaj Islandës. Sokol Cikalleshi dhe Arlind Ajeti shprehen pozitivisht për gjendjen e skuadrës dhe janë optimiste për dy ndeshjet zyrtare.

Kombëtarja shqiptare e futbollit vijon normalisht përgatitjet në Frankfurt të Gjermanisë në prag të duelit kundër Islandës. Lojtarët po integrohen nga dita në ditë me skemat e reja të teknikut Edi Reja. Sipas sulmuesit të kuqezinjve Sokol Cikalleshi, tekniku Italian ashtu si dhe lojtarët i kanë idetë e qarta për dy ndeshjet eleminatore.

Në konferencën e zakonshme për shtyp doli edhe mbrojtësi Arlind Ajeti, një ndër protagonistët e shumtë të Kombëtares gjatë rrugëtimit në Euro 2016. Ajeti tha se skuadra duhet të zbatojë me përpikmëri udhëzimet e trajnerit për të daë me pikë të plotë në dy takimet zyrtare. /ABC News Albania 24/7

kombetarja-1.jpg
G. P.12:30 | 04/06/2019

Trajneri i kombëtares, Edi Reja, po përcakton formacionin me të cilin do të luajë ndaj Islandës. Priten të papritura nga italiani, në mbrojtje dhe në sulm.

Në fushë, të jenë ata në formën më të mirë. Ky duket se është parimi i trajnerit të kombëtares, Edi Reja, i cili po kristalizon formacionin për ndeshjen eliminatore të Europianit në Islandë.

Italiani shihet me ide të qarta në seancat stërvitore në Frankfurt të Gjermanisë, ku ekipi përfaqësues po përgatitet dhe po aklimatizohet për sfidën ndaj veriorëve të Europës.

Mbrojtja mund të jetë me 3 lojtarë, ku Mavraj dihet se nuk do të jetë, pasi mbetet i pezulluar, dhe Gjimshiti i dëmtuar. Mendohet për treshen Dermaku-Ismajli-Veseli, ndonëse duhet parë sesa i mirë do të jetë harmonizimi mes tyre, me Ajetin e Mihajn si alternativa.

Në portë do të jetë Etrit Berisha, ndërsa Strakosha nuk është për shkak dëmtimi. Mesfusha pritet të ketë rol të madh, me Xhakën përpara mbrojtjes, si dhe Hysajn e Lenjanin si lojtarë krahu. Kandidat për anën e majtë është edhe Aliji.

Dy lojtarë të tjerë të mesfushës, Ndoji e Ramadani pritet të luajnë në qendër dhe të ndihmojnë edhe sulmin, por edhe manovrën mbrojtëse.

Në sulm, duket se mund të ketë të papritura, pasi Reja po mendon për Cikalleshin dhe Uzunin, që i duken më shumë në formë, veçse nuk përjashtohet aspak mundësia që të konsiderojë sulmuesit e quajtur titullarë deri tani, si Sadiku e Balaj./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono