nderkombetaret

edi-ramaaa-1280x716.jpg
nev ila16:40 | 18/05/2019

As Rama e as Basha nuk dhanë të paktën publikisht, shenja tërheqje për një krizë politike që vijon prej tre muajsh. Në terren secili kujton përgjegjësitë e tjetrit për këtë situatë, por asnjëherë të vetat. Politika në ABC News na sjell dinamikën e qëndrimeve e mosveprimeve. Ndjekim Mimoza Koçiun.

Dy protesta kombëtare të opozitës brenda tre ditësh në Tiranë, të pasuara nga një garë komunikimi me opinonin mes Ramës e Bashës, përmes të njëjtit format me gazetarë, ishin zhvillimet kryesore politike që nuk arritën të afronin palët, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare kundër dhunës e për dialog dhe momentit ku ndodhet vendi, rekomandimi për hapjen e negociatave.

Po cfarë po ndodh me krizën politike në Shqipëri?

Të shtunën e 11 majit, gjatë protestës së katërt kombëtare e opozitës, bashkë me kapsollat e shashkat, u hodhën edhe bomba molotov para derës kryesore të KM.

Basha e drejtoi protestën nga parlamenti (efekt) ku u hodhën të tjera kapsolla e mjete piroteknike, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës nga policia. Sipas policisë 16 uniforma blu u lënduan e disa protestues. Tension solli mënyra e ndalimit të njërit prej tyre, sekretarit organizativ të PD Sahit Dollapi, në transmetim të dpd tv, edhe pasi u identifikua para policisë. Akti që ngjante një mesazh direkt për Lulzim Bashën, solli reagimin këtij të fundit, që e zhvendosi protestën para policisë së Tiranës, ku sërish pati tension mes protestuesve e policisë, deri sa u mësua se Dollapi ishte dërguar për mjekim në spital për shkak të goditjeve. Shumë telefonata direkte e me ndërmjetësim mes palëve, dhe afër mesnatës, policia u tërhoq nga spitali ku mbahej Dollapi, duke e lënë të lirë.

Katër herë reagoi presidenti i republikës gjatë protestës, duke bërë thirrje kundër dhunës e për vetëpërmbajtje. Në të njëjtën linjë edhe ambasada amerikane. Më ashpër OSBE deklaronte se organizatorët e protestës duhet të mbajnë përgjegjësi politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre. 30 minuta më vonë një mesazh indirekt edhe për policinë, se reagimi i rëndë ndaj dhunës nuk ndihmon. Delegacioni i BE reagoi të nesërmen duke e dënuar dhunën si të patolerueshme, e kërkuar vetëpërmbajtje e dialog.

Opozita kishte caktuar tashmë protestën e radhës, dy ditë pas të parës, e në mbështetje të 50 protestuesve të 11 Majit, që mbaheshin të arrestuar në policinë e Tiranës, Basha kishte një mesazh për Ramën

Në një dalje të posaçme, Ministri i Brendshëm pranoi problemin në mënyrën e shoqërimit të sekretarit organizativ të PD, por paralajmëroi edhe ndëshkim për dhunuesit e policisë

I njëjti mëngjes të diele e kishte çuar herët në zyrë KM, për disa takime për atë që e sheh si cënim të rendit kushtetues. Mes funksionarëve të thirrur, edhe prokurorja e përgjithshme e përkohshme e shefi i SHISH. Më pas atë të dielë, si Rama e Basha iu drejtuan publikut, përmes të njëjtit format, bashkëbisedim me gazetarët. Tek Km spikati vëmendja e mbështetja për policinë që përballej me protestat ndaj tij, duke mirëkuptuar mënyrën se si u ndalua sekretari organizativ i PD.

Interesante ishte ftesa për kundërshtarin politik. Mes pasojave që do kishte vendi nga një përplasje civile , zgjodhi t’i kujtojë Bashës se llogaritë do i bëjë me demokratët.

Pak orë para protestës së dytë kombëtare, brenda 3 ditësh, në 13 maj, 5 ambasada në Tiranë reaguan njëlloj e njëra pas tjetrës. Dënuan dhunën, përfshi mbishkrimin “Turp të kesh Borchard” tek banesa e ambasadorit të OSBE në Tiranë. Ambasada amerikane dhe ambasada gjermane u bënin thirrje nominale Bashës e Kryemadhit, që të dënonin publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, ndërsa u kujtonin autoriteteve ligjzbatuese përgjegjësinë për vetëpërmbajtje, edhe kur u përgjigjen provokimeve. Nxitja e të gjitha palëve për t’u përfshirë në dialog konstruktiv për t’i dhënë fund ngërçit politik ishte qëndrimi i përbashkët.

A ndikuan vallë ato qëndrime tek protesta e 13 majit? Basha kreu një marshim protestë mbi tre orësh, me një pjesëmarrje mbresuese pavarësisht shiut, me 5 ndalesa Km, Policia e shtetit, parlamenti, ministria e brendshme dhe policia e Tiranës, sipas tij institucionet e kapura nga KM. Thyerje xhamash, kapsolla e lëndë piroteknike. E vetmja bombë Molotov u hodh tek drejtoria e policisë. Nuk pati përdorim të gazit nga policia e as konfrontime të drejtpërdrejta mes policisë e protestuesve. Basha e drejtoi tek Rama vëmendjen ndërkombëtarëve që kishin dënuar dhunën e protestuesve të opzitës.

Ndërsa diplomatët në Tiranë bënin thirrje për dialog, Nga Gjermania erdhi një akt konkret. Dy deputetë të koalicionit qeverisës, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU Johan David Vadepul, dhe Kristian Shmid i CSU, raportues për Shqipërinë në komisionin e jashtëm të Bundestagut thanë se dhuna nuk mund të tolerohet aspak si mjet politik, por ata ishin të gatshëm të ndërmjetësonin një dialog pa kushte.

Të nesërmen e protestës së dytë, Rama u ul sërish me gazetarët. Pas tij, njëlloj edhe Basha. Me propozimin e deputetëve gjermanë, pritshmëritë ishin që Kryeministri të jepte një zgjidhje, por përgjigja u duk e koduar.

Basha u shfaq i interesuar për ndërmjetësim ndërkombëtar, por me kushtin e njohur, edhe pse pranon se nuk e shmang dot Ramën në dialog si kryetar të PS.

Vendoret e 30 qershorit duken ngërçi imediat ku asnjëra palë nuk lëshon. Gjithçka ndodh teksa vendi pret më 25 maj opinionin e KE për hapjen e negociatave me BE, e në një moment të dytë, që do varet edhe nga rezultatet e zgjedhjeve për PE, pritet vendimi i Këshillit Evropian. Njëlloj si një vit më pare, në radhë janë Shqipëria e Maqedoninë e Veriut. Çka spikat në deklaratat e këtyre ditëve është veçimi i Maqedonisë në përmbushjen e detyrave.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Katrugalos i ka bërë thirrje BE-së që të çojë përpara procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit për vendet e Ballkanit. Në një intervistë për gazetën “Politiko”, Katrugalos është shprehur se shanset duhet t’i jepen edhe Shqipërisë e jo vetëm Maqedonisë së Veriut, vend që sipas tij i ka përmbushur të gjitha detyrimet.

Nëse Shqipëria është gati, atëherë edhe ajo duhet të jetë në bord, por për Maqedoninë e Veriut nuk ka më asnjë dyshim”, ka deklaruar Katrugalos.

Qartazi pro Shqipërisë duket ministri gjerman për integrimin, socialdemokrati Majkell Roth, që i tërheq vëmendjen opozitës për bojkotin e dhunën në protesta, e thotë për DeutcheWelle se vendit tonë i duhen hapur negociatat.

“Unë madje shkoj aq larg sa të them se ndoshta nuk ka vend që të ketë përmbushur kaq shumë detyra para çeljes së negociatave të anëtarësimit. Sigurisht ka akoma shumë për të bërë, por jam optimist, se mbi bazën e kritereve të qarta që janë përmbushur, mund të bëhet një diskutim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”.

Po për Dwelle euro-komisioneri Hahn thotë se negociatat e zgjerimit janë një proces që bazohen në meritat dhe arritjet e secilit vend. Do të ishte e padrejtë, thotë ai, nëse një vend do të priste, sepse një vend tjetër nuk arrin rezultate. Por për Hahn shqetësim është imazhi që përcjell Shqipëria me situatën politike e protestat.

“Natyrisht. Imazhi që lë një vend ka ndikim shumë të madh te vendimmarrësit në Bashkimin Evropian. Këta janë përfaqësuesit e popullit dhe qytetari i thjeshtë që shikon pamjet e transmetuara në televizion e ka të vështirë ta kuptojë kur dëgjon se ky vend na qenka gati për të filluar bisedimet e anëtarësimit në BE. Pra, edhe një herë apeli im për përgjegjësit është që të jenë të vetëdijshëm për këtë situatë dhe se dihet që një pamje flet më shumë se njëmijë fjalë”.

Në Tiranë, palëve u erdhi një mesazh nxitës nga ambasadori i Austrisë.

Qytetarët kanë gjithmonë të drejtë për të protestuar, dhuna është diçka që ne e dënojmë absolutisht. Ka ardhur koha që partitë ti zgjasin dorën njëra tjetrës, pas pesë protestave tani është koha për dialog politik”.

Por asnjëra palë nuk duket në këtë drejtim. Opozita po përgatit protestën e 6 kombëtare, pasditen e 25 majit, por tani Basha artikulon qartë kërkesën për shtyrje të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Nga ana tjetër Edi Rama vazhdon ta refuzojë e prezantoi kandidatët e vet për 61 bashki, ndërsa këshillat bashkiakë do i ndajë me disa aleatë të vegjël. Sipas kërkesave të paraqitura në KQZ, përballë do ketë 25 kandidatë të Bindjes Demokratike të Astrit Patozit, tre nga të cilët janë të pavarur, por që mbështeten nga partia e tij, 2 kandidatë të Zgjidhjes së Koço Kokëdhimës, e 1 të AKZ të Kreshnik Spahiut. E pamundur që këto parti të vogla të mbulojnë territorin me kandidatë e për pasojë në 33 nga 61 bashki, socialistët do jenë alternative e vetme në fletën e votimit.

Në këtë panoramë, befasoi lëvizja e opozitës që nuk është regjistruar në zgjedhje. PD e LSI kanë vendosur të paraqesin anëtarët e tyre nëpër KZAZ. Kodi zgjedhor në nenin 29 të tij ua njeh formalisht këtë të drejtë, deri në 30 ditë para datës së zgjedhjeve, duke zëvendësuar kështu anëtarët e përzgjedhur nga KQZ po sipas ligjit, pas mosparaqitjes së anëtarëve të PD LSI në thirrjen e parë. (Kodi, neni 29, pika 5.2) PD e argumenton këtë akt të pazakontë me pretendimet se po përgatitet manipulimi i zgjedhjeve.

Vetë Km e sheh lëvizjen si paqartësi e opozitës.

Ish nënkryetari i PD, Astrit Patozi, sot në krye të partisë më të re BD, e sheh si lëvizje kundër partisë së tij, por lëvizja e PD LSI duket përtej shqetësimit të Patozit. Me paralajmërimet se nuk do lejojë zgjedhje në 30 qershor, një lëvizje taktike e tërheqjes ditën e votimit të komisionerëve të saj, praktikisht gjysma e trupës menaxhuese të zgjedhjeve, siç kanë bërë socialistët 26 majin e 96, do vinte në vështirësi procesin zgjedhor. Arsyeja e kësaj lëvizje mbetet ende për t’u parë, por cka bie në sy është këmbëngulja e KM për të mos bërë asnjë hap për zgjidhjen e këtij ngërçi politik.

Po çfarë do ndodhë me 30 qershor sipas Kryeministrit?

Ç’ka gjithaq spikat është mungesa e një lëvizje nga presidenti për të ulur palët. E thënë nga KM, nuk u mohua nga kreu i shtetit, që foli për përgjegjësi të secilit.

A ka një përpjekje të errët, për t’u çuar gjërat deri në ekstrem, duke luajtur në fund lojën e përgjegjësive?

Mbresuese mbetet llogaria që bën Kryeministri. E sheh si një betejë politike, nga e cila kosto do ketë vetëm Lulzim Basha brenda partisë së tij.

Duhet pranuar se historia i ngjan një déjà vu-je të dy viteve më parë: e njëjta gjuhë e të njëjtat qëndrime ekstreme, që u finalizuan me një marrëveshje kokë më kokë mes Ramës e Bashës gjatë natës së 17 Majit, e cila nuk u qartësua kurrë plotësisht.

E kanë treguar se zgjidhjen e kanë gjetur në vetëm katër orë kokë më kokë dy vite më parë. Për momentin, mes paralajmërimeve për konflikt civil e refuzimit për kompromis, palët paralajmërojnë të luajnë ruletën ruse, me fishek të fundit, 30 qershorin./ABC News Albania 24/7

BASHA-PROTESTA-25-MAJ.mpg_snapshot_00.24-1280x720.jpg
ent ela21:32 | 15/05/2019

Protesta e radhës kombëtare e opozitës do të mbahet të shtunën e 25 Majit në orën 19.00. Vendimi u mor pas konsultimeve të kësaj të mërkure në selinë blu, me aleatët e forumet më të larta të Partisë Demokratike. Basha tha se vendi është në kushtet e një grushti shteti e aksioni opozitar do vijojë pa kthim.

Protesta e ardhshme kombëtare e opozitës do mbahet pasditen e të shtunës së 25 Majit. Vendimi u mor pas një të mërkure intensive konsultimesh në selinë blu me aleatët, ish grupin parlamentar e kryesinë e PD. Aksionin opozitar Lulzim Basha e konsideron një betejë për jetë a vdekje

“Tani që na ndajnë 45 ditë nga 30 qershori, se çfarë do të ndodhë? Do të pranohet që grushtii shtetit të çohet deri në fund, dhe në Shqipëri tëinstalohet tirania e krimit në të gjitha nivelet? Sepse kjo jo vetëm do tëinstalonte tiraninë e krimit në pushtetin vendor, por do të çimentonte edhe tiraninë e krimit në qeverisjen qëndrore. Apo do të ketë një përballje totale popullore për ta mposhtur me të gjitha mjetet dhe format e tjera, tiraninë e krimit!

Vendimi unanim i opozitës është përballje popullore me të gjitha format dhe mënyrat. Pak rëndësi ka nëse bëhen në shtator apo në tetor. Rëndësi ka që sot ne ndodhemi në një betejë për jetë a vdekje”.

I pyetur për akuzat e përcjella përmes deputetes Gjylameti se ka porositur një artikull në gazetën gjermane Bild për të nxirë imazhin e vendit, Basha pati akuza edhe ndaj deputeteve socialiste

“Zonja Gjylameti do të ishte së bashku me zonjën Spiropali dhe zonja të tjera, ndër të pandehurit kryesorë, sepse vetë zonja Gjylameti është pjesë e dosjes 184, ndërkohë që zonja Spiropali duket se është pjesë e dosjes së hetimit të Xibrakës.

E gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota ka kuptuar se fshihet makthii Edi Ramës, për atë që e pret në rast se zbardhen dosjet hetimore, të cilat provojnë, përmes përgjimeve të prokurorisë, përfshirjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe një grushti politikanësh të kupolës së organizatës së “Rilindjes”, në bashkëpunim me krimin e organizuar, për të vjedhur zgjedhjet në Dibër, si provë gjenerale, për të kaluar pastaj në vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-s”.

Qëndrimit se më 30 qershor nuk mund të ketë zgjedhje, Basha I shton si arsye listën e kandidatëve të PS dhe të Bindjes Demokratike që e ironizon me emrin Bashkimet Profesionale, e për herë të parë flet për probleme me listat e adresat e zgjedhësve.

“Në mbi gjysmën e bashkive të vendit do të ketë kandidatë vetëm kupola kriminale e “Rilindjes”, vrasës, përdhunues, trafikantë droge, shokët e Elvis Rroshit që mbeten akoma në Bashkinë e Krujës, si Artur Bushi me shokë, kandidatë të tjerë të zgjedhur me dorë nga banda e abdylajve në Shijak, nga Ymer Lala në Dibër, ku kemi një rekord, se Ymer Lala ka caktuar edhe kandidatin e PS-së, edhe kandidatin e Bashkimeve Profesionale të PS-së”.

Ende nuk ka një materializim të gatishmërisë ndërkombëtare për dialog, por për kërkesave të përsëritura që i përcjellin edhe në mënyrë nominale kundër dhunës, u jep këtë përgjigje.

“Ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për dhunë dhe distancohemi nga çdo akt dhune, por mos prit që Lulzim Lulzim Basha të jetë komandantii baballarëve, që u ka vënë kryqin tek shtëpia Edi Rama, i vëllezërve, motrat 3-vjecare të të cilëve i ka helmuar me gaz Edi Rama apo i fëmijëve të prindërve që Edi Rama u theu kockat se donte t’u grabiste shtëpitë, që t’u vidhte 40 milionë euro shqiptarëve dhe të mos shpronësontë as banorët e ligjshëm. Këto janë vetëm 3 skandale. Komandant i zemërimit popullor nuk është Lulzim Lulzim Basha. Zemërimi popullor vetëm do të rritet. Detyra jonë është vetëm të parashtrojmë zgjidhjen politike dhe të thërrasim shqiptarët ta mbështesin këtë kauzë”.

Gjatë konsultimeve të paradites edhe aleatët u shprehën në një linjë me qëndrimin e Bashës. Ndërkohë, duket se bllokimi i akseve kryesore, i përdorur si strategji proteste nga opozita javët e fundit, nuk do të zbatohet këtë të enjte, për t’u përqëndruar në organizimin e protestës së 25 majit, e gjashta kombëtare në 3 muaj aksion opozitar. /ABC news Albania 24/7

 

 

KRONIKE-BASHA-PROTESTA-13-MAJ_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_01.00-1280x720.jpg
ent ela23:50 | 13/05/2019

Ka qenë një marshim, protesta e pestë kombëtare e opozitës pasditen e së hënës. Itinerari ka qenë Kryeministria, Drejtoria Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Parlamenti, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës. Në fjalën e mbajtur, Lulzim Basha iu përgjigj indirekt edhe mesazheve të ndërkombëtarëve, kur tha se ai që ushtron dhunë ndaj qytetarëve e institucioneve është vetë Rama. “Ne, -tha Basha, – luftojmë për vlerat e Europës e në Shqipëri nuk do ketë më zgjedhje false.”

Edhe nën shi, demokratët protestuan. Reshjet nuk trembën as kreun e demokratëve Lulzim Basha. Tri orë zgjati protesta marshim e cila u ndal përpara pesë institucioneve të ndryshme.

Nga Kryeministria, Drejtori e Përgjithshme e Policisë, Parlament, Ministri e Brendshme për të përfunduar tek Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Strategjia dhe ritmi i protestës, e pesta kombëtare, e thirrur vetëm 48 orë pas asaj të 11 majit, u duk se i dha një përgjigje faktorit ndërkombëtar, pjesë dërrmuese e të cilit reagoi me thirrje kundër dhunës përpara protestës. Dhunë ushtrohet çdo ditë në Shqipëri.

“Me dhunë i mori zgjedhjet, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron Edi Rama. Ne jemi sot se refuzojmë dhunën e qeverisë së ardhur me dhunë dhe do i përgjigjemi me bashkimin tonë. Me fuqinë e bashkimit dhe pjesëmarrjes”.

Çka i bashkon pesë institucionet përpara së cilave marshuan protestuesit, për demokratët është përdorimi i tyre si leva në dorë të pushtetit për të dhunuar popullin, vjedhur zgjedhjet dhe mbajtur pushtetin.

Në fund, kreu i demokratëve drejtoi protestuesit tek ai që tashmë është stacioni i fundit i çdo proteste të opozitës së bashkuar, selinë blu.

“Mirënjohje e veçantë për ata që janë në agjerim, Zoti jua shpërbleftë këtë sakrificë të dyfishtë. Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme, se nuk ka forcë të na detyrojë të ulemi në pazare me të keqen”.

Të mbushur me frymëzim dhe të vendosur deri në fund, kështu do të vijojë beteja për liri, demorkaci dhe Shqipërinë si gjithë Europa sipas kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. /ABC News Albania 24/7

patozi-1.jpg
G. P.20:25 | 08/04/2019

Sipas ish-deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, protestat e opozitës janë kthyer në një lloj rutine. I ftuar në emisionin “Byro Politike” nga Juli Xhokaxhi, Patozi theksoi se PD pas djegies së mandateve jo vetëm që nuk ka marrë miratimin e ndërkombëtarëve por është kapur në befasi nga reagimi i brendshëm në vend.

Sipas tij, kauza e opozitës për zgjedhje të parakohshme pa Edi ramin nuk është bërë popullore.

“Nuk shoh të ketë lëvizur ndonjë gjë e madhe përveç faktit që protestat e janë kthyer në një lloj rutine. Duket që pritshmëria e atyre që morën vendimin është shumë larg nga ajo që kërkonin. Opozita është sot e befasuar nga mungesa e reagimit të brendshëm. Së pari nuk ka sot asnjë faktor ndërkombëtar që t’i ketë dhënë OK gjestit të opozitës që për hir të së vërtetës është një akt ekstrem, por unë nuk besoj që ata që vendosën të digjnin mandatet prisnin shumë nga ndërkombëtarët pasi dihen tashmë pozicionet e perëndimorëve. Ajo që i ka gjetur të befasuar ata është mos reagimi i brendshëm. Deri më sot kauza e opozitës, djegia e mandateve dhe zgjedhjet e parakohshme pa Edi Ramën nuk është bërë një kauzë popullore. Unë nuk shoh që shoqëria ta përfaqësojë këtë kazus dh eta mbështesë. Unë shoh një agresivitet të militantëve të dy partive kryesore të partive”, tha ai.

Sipas Patozit, “njerëzit që e kanë ndërmarrë këtë aksion politik nuk kanë dhënë asnjë provë në të shkuarën që nuk duan thjesht ndërrimin e pushteteve, por duan ndërrimin e rregullave të lojës në Shqipëri”.

Madje sipas ish-deputetit, Basha edhe pse ka artikuluar kohët e fundit idenë e ndërrimit të sistemit politik, nuk e do atë pasi është një nga përfituesit e sistemit. Sipas tij, ai po e përdor si taktikë politike./abcnews.al

ardian-hackaj-1280x743.jpg
ent ela21:46 | 26/03/2019

Ardian Hackaj i cili është Drejtori i Hulumtimeve shpreson dhe beson që në Qershor Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Ai më tej në studion e emisionit “Provokacija”, ka komentuar situatën politike në vend duke iu referuar faktit se opozita ka djegur mandatet dhe ka dalë jashtë Parlamentit. Ai është shprehur se në këtë rast ndërkombëtarët kanë frikë nga krijimi i një precedenti.

Mustafa Nano: Unë do të doja një mendimin tuaj pasi ka shumë pritshmëri ose mungesë shprese në opinionin publik me atë që do të ndodhi në Qershor ku pritet të merret edhe statusi i kandidatit. Ka gjasa që do ta marrin statusin e kandidatit për në BE?

Ardian Hackaj: Është pyetje 1 milion dollarësh! Shpresoj që po, besoj që po nëse të gjitha palët dëshirojnë që negociatat të bashkëpunojnë në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq të mos vënë stërkëmbësha në mënyrë që ky proces të pengohet.

Mustafa Nano: Në terma deklarativë të gjithë e duam por ne jemi në një situatë politike, ku kemi opozitën që ka dalë jashtë dhe ka marrë vendimin e djegies së mandateve. Është një vendim që nuk është kuptuar deri më tani nga faktorët ndërkombëtar. Unë mendoj se kjo mund ta komprometojmë gjithë procesin dhe si mund t’i jepet statusi i kandidatit një vendi që ka probleme të tilla…

Ardian Hackaj: Është një pyetje që ne e kemi hasur shpesh me partnerët tanë evropianë në këtë rast. Por ajo që kemi vëne re dhe që është shumë interesante, është qëndrimi që kanë mbajtur partnerët tanë në lidhje me procesin e djegien së mandateve nga ana e opozitës. Të gjithë kanë kërkuar që jeta parlamentare të vazhdojë në një mënyrë a në një tjetër. Në mendimin tim ky front do të thoja i partnerëve tanë në BE dhe SHBA vjen nga fakti se në këtë rast të caktuar ajo që ka ndodhur është që vendimi i opozitës i mirë apo i drejtë nuk më përket mua ta vlerësoj. Por gjykohet si një kërcënim ndaj sistemit demokratik ku diskutimi politik bëhet në institucione të caktuara. Ajo që partnerët tanë ndërkombëtar por edhe njerëzit që janë të interesuar nuk dëshirojnë do të thoja krijimin e një precedenti./abcnews.al

sulo.jpg
ent ela15:20 | 16/03/2019

Arion Sula kryeredaktor i “Gazeta Liberale” për ABC News ka folur për protestë që organizoi sot opozita. Ai është shprehur se Basha në fjalën e tij mbyllëse u është drejtuar drejtpërdrejt ndërkombëtarëve. Sipas tij këta të fundit pritet të kenë një reagim të ashpër, pas thirrjes që u bëri sot kryedemokrati.

“Jo pa qëllim iu drejtua në anglisht ndërkombëtarëve. Deri tani ai kishte thënë se nuk i komentoj deklaratat e ndërkombëtareve. Ai sot  foli në anglisht me ata duke u tha se mos me kërkoni mua çfarë nuk pranohet në vendet tuaja nga qytetarët tuaj. Nga sot do kemi një përballje publike të zotit Basha me ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët pritet të reagojnë ashpër, pasi janë ata që shpesh kanë ndërhyrë. Basha ka dashur që të trokasë tek ata publikisht”.

Më tej ai është shprehur se pret nga opozita bojkot të zgjedhjeve lokale, për të treguar se sa e vendosur është në rrugën që ka marrë.

“Tani ne jemi në një stinë protestash dhe këto janë vetëm një instrument i këtij udhëtimi politik që ka marrë zoti Basha. Djegia e mandateve është akti kryesor që ka marrë opozita. Bojkoti i mundshëm i zgjedhjeve lokale mund të jetë një tjetër akt.  Një datë për protestat e ardhshme nuk e jep pasi Parlamenti mund të ndërrojë agjendën”.

Gjithashtu Sula tha se përpara Parlamentit sot u hedh më shumë gaz lotsjellës se ç’duhej, dhe sipas tij mund të kishte ndodhur edhe ndonjë fatkeqësi.

“Te Parlamenti  u hedh më shumë gaz se ç’duhet dhe larg qoftë mund të ndodhin edhe fatkeqësi sepse ka njerëz të paparalajmëruar”./abcnews.al

sali-berishaaa.jpg
G. P.12:30 | 15/03/2019

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas kritikave të komunitetit ndërkombëtar për aktin e opozitës mbi djegien e mandateve. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ish-kreu i qeverisë thotë se pasqyrimi i protestave nga mediat më të mëdha në botë po fiton edhe zemrat e përfaqësuesve të selive më të rëndësishme diplomatike në Evropë dhe më gjerë.

I ka dy fjalë për ndërkombëtarët që kritikojnë vazhdimisht vendimin e opozitës për djegien e mandateve. Ish-kryeministri Sali Berisha vendos t’u drejtohet nga rrjetet sociale.

“Së pari, vetëkuptohet se komuniteti zyrtar ndërkombëtar nuk mbështet dhe nuk mund të mbështesë djegien e mandateve. Së dyti, mendoj se opozita ka mirëkuptim për këto qëndrime dhe po bën gjithçka për të qartësuar shkaqet që detyruan opozitën për vendimin e saj”.

Në pikën e tretë ish-kryeministri Sali Berisha sqaron se sot opozita dhe shqiptarët në tërësi me protestën dhe kauzën e tyre kanë fituar me shpejtësi të rrufeshme pushtetin e katërt botëror, atë të mediave.

“Mediat e botës kanë paraqitur revolucionin e shqiptarëve si ngjarje botërore, ne qindra e qindra lajme kanë informuar publikun e tyre se opozita shqiptare proteston kundër lidhjeve të qeverisë së Edvinit me krimin, korrupsionin e papërmbajtur dhe dhunimin e zgjedhjeve, dosjet famoze të prokurorisë, proteston kundër narkoshtetit dhe kontrollit të Shqipërisë tashmë Kolumbi e Europës nga mafia”.

Mendja dhe zemra e komunitetit ndërkombëtar po fitohet nëpërmjet protestave që pasqyrojnë mediat më të mëdha,shkruan ish kreu i qeverisë i cili e mbyll me dy fjali qëndrimin e tij opozitar.

“Revolucioni i pandalshëm po ecën drejt fitores!

Cunami i datës 16 Mars do mahnisë botën”!/abcnews.al

byro-politike.jpg
ent ela21:18 | 06/03/2019

Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, nga studioja e emisionit “Byro Politike”, tha se ndërkombëtarët e kanë ndihmuar opozitën në vendimin e djegies së mandateve.

Arian Curi: Çfarë strategjia ka PD që të bindë ndërkombëtarët që të lëshojë prova? Çfarë do bëjë PD që t’i bindi njerëzit që realisht ka shpresë?

Bujar Nishani: Kjo e fundit është sfida kryesore dhe kjo është e vërtetë dhe ne nuk duhet të vrasim shumë mendjen por duhet t’u japim këmbëve dhe të krijojmë komunikim me njerëzit. Është sfidë më vetë dhe është e vërtetë.

Për pyetjen e parë Kryeministri është i izoluar nga ndërkombëtarët. Kryeministri nuk është pritur në asnjë kancelari të rëndësishme në mandatin e dytë  dhe nuk është pritur në asnjë vizitë të rëndësishme.

Opozitën në këtë vendimmarrje e ka ndihmuar komuniteti ndërkombëtar. Opozita për fatin e keq nuk pati mundësi që të provonte me prova dhe fakte banditizmin që u bë me votën. Bandat kriminale ishin nën ombrellën e policisë.

Mimoza Koçiu: Çfarë po bëni me ndërkombëtarët?

Bujar Nishani: Ju jeni njerëz të medias dhe keni goxha eksperiencë dhe kur them njerëz të medias dhe jeni njerëz që e laboroni jetën politike. Ka një dalim mes qëndrimit diplomatik, deklaratës diplomatike dhe qëndrimeve të tjera. Ju e dini shumë mirë që media prestigjoze përzgjedhin opinionet e politikbërësve. Zëri i Amerikës përcjell zërin e Kongresit Amerikan. Deutsche Welle përcjell opinionin e Gjermanisë.

Ne duhet të kalkulojmë se qëndrimet diplomatike se ka nga ata që  janë formale. Këto që unë përmenda janë publike të gjitha. Raporti më i fundit që u lëshua ishte se Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkan. Ata u thonë shqiptarëve se e kuptoni se ku jeni?!

Juli Xhokaxhi: Po vijnë zgjedhjet e  30 Qershorit, nuk do keni kohë…

Bujar Nishani: Ju kujtohen zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Kavajës që Rama thoshte se nuk shtyhen dhe u shtynë dhe thjesht e risolla në vëmendje të opinionit. Do ta vendosë populli nëse do shkojmë në zgjedhje apo jo. PD ka shkuar tek populli.  Opozita sot nuk kërkon pushtet , nuk po kërkon ikni ju nga zyra të vijmë ne në zyrë. Opozita po kërkon ore zotëri krijoni ambientin normal për të garuar.

Juli Xhokaxhi: Zgjidhet vetëm me qeveri teknike?

Bujar Nishani: Kryetari i partisë po merr një tur për të zgjidhur të gjitha dilemat. Nuk e zgjidh si mekanizëm shabllon qeveria. Por ajo që e zgjidh është vullneti politik./abcnews.al

krasniqi-1280x748.jpg
ent ela14:30 | 27/02/2019

Kriza politike në Shqipëri,  krijuar nga dorëheqjet e deputetëve të opozitës parlamentare, ndërthurur me historinë e afërt të marrëveshjes së 17 Majit 2017, sot dikton një zgjidhje me marrëveshje të imponuar nga ndërkombëtarët, sipas studiuesit politik Afrim Krasniqi.

KQZ ka marrë në dorëzim njfotimin nga Kuvvendi për vakancat e krijaura. Rregullorja dhe Kodi njohin Këshillit per Rregulloren që të merret me çdo çështje që ka të bëjë më mandatin e deputetit.

Për Krasniqin edhe pse është në interesin e KQZ-së të zbatojë me rigorozitet ligjin dhe procedurën, për te evituar një ankimim të mëvonshëm, duke marrë parasysh mungesën e përfaqësuesve të opozitës në komision, në një situatë të jashtëzakonshme, janë detajet ato që mund të përcaktojnë fatin e gjithë procesit. E tillë do të jetë procedura e zëvendësimit të 57 vakancave të njoftuara.

Një tjetër procedurë që mund të ndikojë në rezultat është ajo e shprehjes individuale të deputetëve për heqjen dorë nga mandati apo pranimi i vullnetit politik të opozitës.

Kjo bazuar në formulën që ka prodhuar rrugëzgjidhjet jo vetëm në Shqipëri por edhe rajon, ajo e dalë nga vullneti politik i shprehur nëmarrëveshje mes palëve.

Skenarët janë disa, por për Afrim Krasniqin, marrëveshja pritet të imponohet nga jashtë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë 10 ditë afat deputetëve të dorëzojnë formularin e vetëdeklarimit, ndërkohë që kandidatët e listave shumë-emërore të demokratëve kanë firmosur paraprakisht refuzimin e mandatit të deputetit, por pavarësisht ksaj, për Krasniqin, mungesa e përfaqësimit të opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, do të shtyjë këtë të fundit të zbatojë me rigorozitet procedurat ligjore, për të evituar shfrytëzimin e artificave ligjore për ankimim që mund të vijnë nga opozita./abcnews.al

REFORMA-ZGJEDHORE-NEGELI-NE-KLASE-1280x709.jpg
ent ela15:41 | 27/12/2018

Konsensusi i munguar nga forcat politike në vend çoi në dështimin e reformës zgjedhore për vitin 2018. Thirrjet e ndërkombëtarëve për të miratuar brenda vitit ndryshimet në kodin zgjedhor nuk e bënë bashkë mazhorancën dhe opozitën.

Shpresuan ndërkombëtarët se deputetët e Kuvendit do t’i ndërprisnin pushimet për të miratuar reformën zgjedhore. Por më kot. Seanca e jashtëzakonshme parlamentare e parashikuar në 27 dhjetor dështoi duke i hedhur në kosh thirrjet e përsëritura të përfaqësive diplomatike në Tiranë për ta përfunduar brenda dhjetorit të këtij viti.

Ambasadorja gjermane Shutz: “Ne jemi të mendimit që në demokraci nevojitet një opozitë por edhe për këtë opozitë vendi është në parlament dhe unë i bëj apel opozitës që të kthehet përsëri në parlament sepse ka shumë ligje për tu miratuar si reforma e kodit zgjedhor, për të cilat nevojitet edhe vota e opozitës .

Ne si Gjermani kemi thënë që 6 shteteve Ballkanit perëndimor kanë një perspektivë për anëtarësimin në BE, kjo vlen edhe për Kosovën e Serbinë por është e rëndësishme që këto dy vende të bëjnë progres për normalizimin e dialogut mes tyre dhe në këtë kontekst shpresoj që diferencat mes këtyre dy vendeve të përballohen. Qeveria federale gjermane dhe vetë kancelarja gjermane ka thënë që një ndryshim i kufijve nuk do të çonte në një zgjidhje”.

Soreca:Ne presim që partitë politike të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, duke u angazhuar në mënyrë gjithëpërfshirëse për të trajtuar rekomandimet prioritare të OSBE-ODIHR-it. Është shumë e rëndësishme që kjo të përfundojë tani, 6 muaj para zgjedhjeve vendore të vitit 2019.”

Lëvizja që bëri Partia Socialiste duke cuar në Kuvend draftin e njëanshëm ndeshi në kundërshtimin e demokratëve për rrugën e paligjshme që kishin ndjekur sipas opozitës.

Balla: “Sigurisht erdhi pronari i ndërmarrjes edhe drejtori, por besoj që të dy ërkoj që të shpreheni lidhur me kërkesën për të futur në rend të ditës kodin zgjedhor, sipas të gjitha atyre që keni kërkuar një për një. Për zgjedhjet e 30 qershorit të jemi gati për zgjedhjet lokale”.

Basha: “Jeni të poshtër si dreqi, por bëni budallenj si gomari. E dini fare mirë që ka një komision. Si mund ta sjellësh pa kaluar komisionin. Çfarë po bëni ju këtu? E keni marrë mesazhin dje nga faktori ndërkombëtar. Jeni hileqarë, të poshtër. Del këtu shoku i trafikantit që do të bëjë pallate tek Unaza e Re e do të bëjë reformë zgjedhore tufë hajdutësh, banditësh. Gjysma prej jush duhet të jetë në burg. Prandaj leri këto gomarrliqe, fillo nga pika e parë e rendit të ditës që kemi rënë dakord”.

Depozitimi në Kuvend i amendamenteve nga mazhoranca u konsiderua minim për reformën zgjedhore nga demokratët.

Bylykbashi: “Ajo që kërkon PS në mënyrë të njëanëshme minon reformën zgjedhore, nëse vazhdon kështu reforma zgjedhore mbytet aty ku është”.

Konsensusi i munguar nga forcat politike ka bërë që reforma zgjedhore të ngelë edhe në vjeshtë për vitin 2018. E vetmja që sheh një ditë shprese është mazhoranca. Nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla i drejton thirrjen e fundit opozitës.

Balla:  “Apeli im përkundrejt dy forcave të tjera është që në funksion të kësaj kërkese legjitime të shqiptarëve që jetojnë jashtë, të vijnë ta miratojmë nesër, në mos janë duke gatuar bakllavanë të vijnë ditët e para të janarit për ta miratuar.” /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono