nato

TRUMP-POPULLARITETI-1280x720.jpg
G. P.13:29 | 12/07/2018

Pas dokordësimit të vendeve anëtare të NATO për rritjen e shpenzimeve, Presidenti amerikan Donald Trump ka ndryshuar qëndrimin e tij për tërheqjen e SHBA nga Aleanca ushtarake. Në përfundim të takimit mes 29 liderëve të aleancës, Trump deklaroi  rritjen e shpenzimeve me 33 miliardë dollarë.

“Mund të largoheshim nga NATO, por nuk do ta bëj”.

Kështu Donald Trump tërheq kërcënimin për të lënë Aleancën Atlantike në rast se aleatët nuk do të rrisin shpenzimet ushtarake. Kthesa erdhi pas qëllimit të anëtarëve, të njoftuar nga vetë presidenti amerikan, për të “rritur kontributin e mbrojtjes me 33 miliardë dollarë”. Fjalët e kreut të Shtëpisë së Bardhë kishin bërë që NATO të thërriste një mbledhje të jashtëzakonshme.

“Besoj në NATO, të gjithë shtetet anëtare janë dakordësuar të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në nivele që nuk janë parë ndonjëherë. Aleanca është shumë më e fortë se dje”, ka nënvizuar Trump.

“Vendeve u kisha bërë me dije – shton ai – se isha shumë i pakënaqur me shpenzimet në mbrojtje, pasi Shtetet e Bashkuara paguajnë 90% dhe kjo nuk është e drjetë. Por sot kemi një NATO më të fortë se dy ditë më parë pasi të gjithë janë të angazhuar në rritjen e kontributeve ushtarake”.

Numri një në Shtëpinë e Bardhë kishte shpresuar që vendet e Aleancës së Atlantikut të rrisnin investimet e tyre në mbrojtje në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Gjatë fjalës së tij në sesionin e punës të dedikuar për marrëdhëniet midis NATO-s dhe Ukrainës, Trump përsëri sulmoi Gjermaninë dhe u drejtua nga partnerët e tjerë me tone më të ashpra sesa ato të përdorura të mërkurën. Duke folur në samit, presidenti amerikan kërkoi një përpjekje të menjëhershme që shpenzimet e tyre të mbulojnë 2% të prodhimit të brendshëm bruto, në respektim të objektivit të vendosur për vitin 2024.

“Nëse kjo nuk do të ndodhë, do të vazhdoj rrugën time”.

Ky ishte paralajmërimi i fortë, i bërë gjatë takimit të vendeve anëtare me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko, që shkaktoi “çështjen Trump”. Fraza u interpretua nga disa media gjermane dhe belge si një kërcënim nga SHBA për largim nga NATO.

donald-trump-1.jpg
G. P.12:24 | 12/07/2018

Kryeministri Edi Rama ka shtrënguar duart me presidentin e Sheteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Këtë takim në samitin e NATO-s në Bruksel, kreu i qeverisë shqiptare e ka fotografuar dhe publikuar në rrjetet sociale me dixhiturën “Foto e ditës”.

Kryeministri Rama gjatë qëndrimit në Bruksel ka zhvilluar takime edhe kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe homologë të tjerë.

Në Samitin e NATO-s që po zhvillohet në Bruksel po diskutohet për sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit.

/abcnews.al

donald-trump.jpg
G. P.08:47 | 12/07/2018

Krerët e NATO-s thanë të mërkurën se kanë rënë dakord të kontribuojnë më shumë para për buxhetin e tyre të mbrojtjes

“Ne jemi të përkushtuar për të përmirësuar ndarjen e kostove dhe përgjegjësive të anëtarësimit në aleancë,” tha NATO-ja ushtarake në një deklaratë.

Njoftimi u bë vetëm disa orë pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump përsëriti kritikat ndaj vendeve të NATO-s se nuk kontribuojnë sa duhet për të mbrojtur aleancën 70-vjeçare me 29 anëtarë.

Ndarjet e ashpra mbi atë se kush duhet të paguajë për mbrojtjen e Evropës hodhën hije mbi hapjen e takimit të NATO-s në Bruksel, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump akuzoi aleatët evropianë se përfitojnë në kurriz të taksapaguesve amerikanë.

SHBA shpenzon rreth 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, shumë më tepër se shtetet e tjera anëtare. Është parashikuar që tetë nga 29 anëtarët, përfshirë Shtetet e Bashkuara, do të përmbushin objektivin e NATO-s prej dy përqind të PBB-së këtë vit. SHBA siguron 70 për qind të buxhetit të NATO-s.

Por Presidenti Trump bëri thirrje që aleatët e NATO-s të angazhohen të shpenzojnë 4 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen deri në vitin 2024. Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders konfirmoi se zoti Trump e hodhi idenë në një takim me dyer të mbyllura me udhëheqësit e tjerë të NATO-s.

“Presidenti Trump dëshiron që aleatët tanë të ndajnë më shumë barrën dhe minimalisht të përmbushin detyrimet e tyre tashmë të deklaruara”, tha zonja Sanders.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dha në Bruksel një mesazh të qartë: Samiti i këtij viti do të përqëndrohet në atë se kush e paguan faturën, ose në ndarjen e barrës.

“Ndarja e drejtë e barrës mbështet çdo gjë që bëjmë. Vetëm pak vite më parë ne shkurtonim buxhetet tona të mbrojtjes. Tani po shtojmë miliarda,” tha zoti Stoltenberg.

Ndërkaq, Presidenti i SHBA i njohu vetes meritën për miliardat e shtuara në buxhetet e aleancës:

“Për shkakun tim, ata kanë shtuar rreth 40 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar. Prandaj mendoj se Sekretari i Përgjithshëm e pëlqen Trumpin. Ai mund të jetë i vetmi, por kjo për mua mjafton,” u tha zoti Trump gazetarëve ndërsa fillonte samiti.

Në takimin e udhëheqësve botërorë po vihen në provë aleancat dhe miqësitë. Presidenti Trump akuzoi Berlinin se është nën kontrollin e Moskës, duke cituar një projekt të ri tubacioni që do të sillte gazin rus drejtpërdrejt në Gjermani.

Pas një takimi dypalësh që dukej i tensionuar me homologun e saj amerikan, kancelarja gjermane Angela Merkel nënvizoi angazhimin e vendit të saj ndaj NATO-s.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi këto shkëmbime së bashku, sepse ne jemi partnerë, jemi partnerë të mirë dhe dëshirojmë të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të ardhmen”, u tha ajo gazetarëve.

Të vësh në shënjestër Gjermaninë nuk është patjetër e drejtë, thotë analistja e mbrojtjes Sophia Besch e Qendrës për Reformën Evropiane.

“Kontributi i Gjermanisë në NATO e kalon së tepërmi atë që ajo shpenzon për mbrojtjen e vet. Gjermania po kontribuon me trupa si vendi kryesor në Lituani dhe në krahun pararojë të NATO-s në lindje,” thotë analistja Besch.

Grindja mbi shpenzimet e mbrojtjes duket se do të hedhë hije mbi çështjet e tjera në samitin dy-ditor. Britania njoftoi se do të dyfishojë numrin e trupave të saj në Afganistan, ndërsa Kanadaja ofroi të drejtojë një mision trajnimi të NATO-s në Irak.

Një deklaratë e përbashkët e samitit e publikuar të mërkurën nënvizon mbështetjen e NATO-s për Ukrainën dhe aspiratat e saj për anëtarësimin në aleancë, në pritje të reformave të brendshme. Ukraina po merr pjesë në samitin e Brukselit dhe diskutimet e mëtejshme do të zhvillohen të enjten.

NATO-ja gjithashtu i dha zyrtarisht një ftesë ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për t’u anëtarësuar, sapo të arrihet një zgjidhje e pranueshme me Greqinë për mosmarrëveshjen mbi emrin.

Të enjten do të diskutohet gjithashtu anëtarësimi i ardhshëm i Gjeorgjisë./VOA

jens-stoltenberg123.jpg
G. P.13:33 | 11/07/2018

Në fjalimin e mbajtur në Konferencën e Sigurisë në samitin e Natos, sekretari i përgjithshëm, Stoltenberg, kërkoi që vendet anëtare të rrisin shpenzimet në mbrojtje. Ai rikonfirmoi se Rusia mbetet rreziku kryesor i Aleancës ushtarake.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në samitin që po zhvillohet në Bruksel, ka mbështetur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Duke folur në Konferencën e Sigurisë, ai i ka bërë thirrje shteteve anëtare të Aleancës së Atlantikut që të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s: “Ne të gjithë kemi rënë dakord, që nuk kemi ndarje të barabartë të barrës në NATO sot. Disa aleatë shpenzojnë 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe disa të tjerë më shumë se aq për mbrojtjen, veçanërisht Shtetet e Bashkuara. Ndërsa aleatët e tjerë shpenzojnë shumë me pak”.

Më tej, Stoltenberg bëri thirrje që shtetet anëtare të qëndrojnë të bashkuar dhe jo të përçarë. Ndër të tjera, Sekretari i Përgjithshëm ritheksoi se rreziku dhe armiku kryesor i NATO-s mbetet Rusia. Megjithatë pranoi që ky shtet mbetet fqinj me disa anëtarë të Aleancës Ushtarake dhe ndaj nuk duhet të mbyllen kanalet e komunikimit.

“Ne nuk e njohim aneksimin e Krimesë, nuk njohim propagandën ruse, veprimet në hapësirën kibernetike, ndërhyrjen në zgjedhje. Ne pamë incidentin në Salisbury. Por nuk mendoj se këto janë argument për izolimin e Rusisë”, përfundoi Stoltenberg./abcnews.al

natooo.jpg
G. P.13:07 | 11/07/2018

Në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në Bruksel, presidenti amerikan, Donald Trump, ka lëshuar akuza të rënda ndaj Gjermanisë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Gjermania kontrollohet nga Rusia.

Presidenti amerikan, Donald Trump, akuzoi aleatin e ngushtë të NATO-s, Gjermaninë, se varet nga Rusia pasi blen energji nga Moska.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka dashur të dërgojë mesazhe të drejtëpërdrejta dhe të qarta se vijon qëndrimin e tij kundër qeverisë së Berlinit. Gjithashtu ka treguar se takimi me presidentin Vladimir Putin me 16 Korrik në Helsinki nuk do të jetë totalisht miqësor.

“Gjermania është peng i Rusisë. Është shumë e papërshtatshme”, tha Trump në një takim bilateral me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i pari i tij pas mbërritjes në kryeqytetin e Belgjikës.

Më tej, kreu i Shtëpisë së Bardhë vijon duke u ankuar se Shtetet e Bashkuar pritet “t’i mbrojnë ata kundër Rusisë, pavarësisht se Gjermania paguan miliarda dollarë fatura energjie ndaj Moskës”.

“Mendoj se është diçka të cilën NATO duhet ta shikojë”, thotë Trump.

Ndërsa Stoltenberg kundërshtoi komentet e presidentit amerikan duke nënvizuar se mund të ketë mendime të ndrushme në aleancë.

“Ne jemi më të fuqishëm të bashkuar dhe jo të përçarë”, shprehet Sekretari i Përgjithshëm.

Ndërsa Trump përsëri këmbënguli duke pyetur se si aleanca e NATO-s do të jetë më e fuqishme, kur Gjermania po e bën Rusinë më të pasur. Ndër të tjera, ai ripërsëriti kërkesën e tij që shtetet anëtare të aleancës së atlantikut që të paguajnë më shumë dhe të arrijnë objektivin e shpenzimit të 2% të buxhetit për mbrojtjen./abcnews.al

trump.jpg
G. P.12:26 | 11/07/2018

Të gjithë liderët e Belgjikës kanë injoruar mbërritjen e presidentit amerikan, Donald Trump. Ata kanë preferuar të ndjekin ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Botës.

Mbrëmjen e së martës, presidenti amerikan, Donald Trump, zbarkoi në Belgjikë, ku qëndron për samitin e NATO-s që zhvillon punimet në Bruksel. Pasi zbriti në bazën ajrore “Melsbroek”, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk është pritur nga liderët e institucioneve belge. Shkaku i këtij veprimi? Atërimi i tij përkoi me gjysmëfinalen e kampionatit botëror të futbollit Francë-Belgjikë.

Mbreti Filip gjendej, bashkë me Mbretëreshën Matilde, në Shën Peterburg për të ndjekur sfidën, e cila u humb 1-0 nga “djajtë e kuq”. Ndërsa kryeministri Charls Michel e ka ndjekur ndeshjen në një “fan zone” në qytezen Braine-le-Comte.

Për të pritur Trump, qeveria belge kishe dërguar një funksionar të ministrisë së Brendshme, duke parë që edhe drejtuesi i dikasterit kishte udhëtuar për në Rusi. Nuk dihet ende se si është pritur nga presidenti amerikan ky injorim nga drejtuesit e lartë. Mbase do të ndikojë në humorin e tij gjatë samitit të NATO-s, ku pritet të përplaset ashpër me vendet anëtare./abcnews.al

nato.jpg
G. P.10:04 | 11/07/2018

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do të takohet me homologët e tij perëndimorë në një samit të NATO-s të mërkurën në Bruksel. Samiti vjen në atmosferën e pikëpyetjeve lidhur me angazhimin e Turqisë ndaj aleancës ushtarake, duke pasur parasysh lidhjet në rritje të Ankarasë me Moskën.

Nën Erdoganin, marrëdhëniet turko-ruse janë thelluar politikisht dhe ekonomikisht. Të dy vendet, së bashku me Iranin, po bashkëpunojnë ngushtë në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Siri. Shqetësimin e NATO-s e shton vendimi i Ankarasë për të blerë raketa ruse S-400, për të cilat aleanca ka paralajmëruar se mund të komprometojnë sistemet e saj ushtarake.

“Duhet të vendosim midis NATO-s e BE-së nga njëra anë dhe Iranit e Rusisë nga ana tjetër”, thotë analisti politik Atilla Yesilada i organizatës “Global Source Partners”. “Kjo do të jetë zgjidhja më e vështirë. Por nuk mund të rrimë më në mes; cilado anë që marrim, pala tjetër do të japë ndëshkimin”.

Ankaraja pohon se mbetet e përkushtuar ndaj aleancës së saj strategjike me Perëndimin, duke argumentuar se marrëdhëniet e saj me Teheranin dhe Moskën janë të bazuara në tregtinë dhe nevojën për të punuar së bashku për të zgjidhur konfliktin sirian.

“Turqia gjithmonë e ka përdorur këtë diplomaci të balancës së forcës,” thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Husein Bagçi, i Universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara.

“Marrëdhëniet turko-ruse po shkojnë gjithnjë e më shumë në një drejtim pozitiv, por Turqia e di kufizimin e kësaj marrëdhënieje. Turqia nuk dëshiron të largohet nga NATO-ja; kjo është jashtë çdo diskutimi”, thotë Bagci.

Zoti Erdogan pritet të takohet me Presidentin e SHBA Donald Trump në periferitë e samitit. Bashkë me çështjen e blerjes së raketave ruse nga Ankara, pritet që në rend të ditës të jenë edhe sanksionet e prishtme amerikane kundër Iranit.

Ankaraja po lobon për ta përjashtuar Iranin nga sanksionet që pritet të hyjnë në fuqi më vonë këtë vit pas tërheqjes së Presidentit Trump nga marrëveshja ndërkombëtare mbi programin bërthamor të Teheranit. Irani është një furnizues i rëndësishëm i naftës dhe gazit për Turqinë, e cila është e varfër në burime energjie./VOA

stoltenberg.jpg
G. P.09:24 | 11/07/2018
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se pret që aleanca të bjerë dakord të ftojë Maqedoninë për të filluar bisedimet e pranimit në Aleancë.
Sapo të finalizohet dhe të zbatohet marrëveshja mbi çështjen e emrit, ne do të mund të ftojmë ish-republikën Jugosllave të Maqedonisë të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s nën emrin e saj të ri: Republika e Maqedonisë Veriore”, tha zoti Stoltenberg në një konferencë për shtyp të martën në selinë e NATO-s në Bruksel.

Ai tha se kjo do të përbënte “një sinjal të fortë” që dera e NATO-s është dhe do të vazhdojë të jetë e hapur.

Maqedonia zgjidhi një mosmarrëveshje 10-vjeçare me Greqinë, anëtare e BE-së dhe e NATO-s, duke rënë dakord të quhet Maqedonia e Veriut.

Ndërsa merrte pjesë në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Londër, ministri i jashtëm i Maqedonisë Nikolla Dimitrov i tha agjencisë së lajmeve Reuters se vendi i tij “ka shpresa të mëdha dhe se mendon se gjithçka do të ndodhë këtë javë”. Ai tha gjithashtu se vendi i tij “duhet të jetë gati për të filluar bisedimet e pranimit”.

Në këmbim të ndryshimit të emrit, Athina do të tërhiqet nga kundërshtitë e saj ndaj Shkupit për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian./Zëri i Amerikës

TRUMP-BRITANIA-1280x720.jpg
ent ela19:08 | 10/07/2018

Në prag të vizitave zyrtare në Londër dhe Bruksel, Donald Trump nuk i ka kursyer kritikat ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s. Në një prononcim për mediat, Trump ka thënë se si Britania ashtu edhe Aleanca ushtarake ndodhen në një katrahurë.

Mbretëria e Bashkuar është e trazuar dhe u takon njerëzve të vendosin nëse Thersa May duhet të vazhdojë të jetë kryeministre, apo duhet të largohet. Ka qenë ky komenti që presidenti Donald Trump ka bërë për mediat, në prag të vizitës së tij në Londër. Përpara se të largohej nga Uashingtoni në bordin e “Air Force One”, Trump tha se Britania e Madhe aktualisht po kalon një turbulencë.

Trump do të mbërrijë në Londër ditën e enjte, pasi të ketë marrë pjesë në samitin e NATO-s që do të mbahet në Belgjikë. “Do të jetë një vizitë interesante ajo në Britani dhe po ashtu ajo në Bruksel për samitin e NATO-s. Pra, në njërën anë është NATO dhe në anën tjetër Britania. Një katrahurë e vërtetë”, tha Trump.

Presidenti amerikan, që disa herë u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Aleancës të rrisin shpenzimet ushtarake, bëri shaka në lidhje me takimin me homologun rus Vladimir Putin, që do të mbahet të hënën e ardhshme në Helsinki.

“Mbase do të jetë takimi më i lehtë”, tha ai. I pyetur me insistim nga mediat në lidhje me të ardhmen e zonjës May, Trump tha se ajo është një çështje e brendshme e Mbretërisë së Bashkuar.

“Unë merrem vesh mirë me të, kam marrëdhënie të mira. Por kjo varet nga qytetarët, jo nga unë”, tha Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë shtoi gjithashtu se ka simpati për Boris Johnson, që ditën e hënë dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Jashtëm. /abcnews.al

DC56C6D9-352A-4690-BEE5-B1C3CA703B41_w1597_n_r1_s-1280x720.jpg
G. P.23:01 | 09/07/2018

Donald Trump ka shpërthyer sërish në akuza ndaj aleatëve, duke i akuzuar se nuk përmbushin kriteret për shpenzimet ushtarake. Deklarata e presidentit amerikan bën që “re të zeza” të mblidhen në Bruksel, ku dy ditë më vonë do të zhvillohet samiti i NATO-s.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar sërish vendet anëtare të NATO-s se nuk kontribuojnë mjaftueshëm në shpenzimet e Aleancës dhe e përdorin sufiçitin ekonomik për të ruajtur avantazhin ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Amerika po shpenzon për NATO-n më shumë se çdo vend tjetër. Kjo nuk është as e drejtë, as e pranueshme. Edhe pse kanë filluar të rrisin kontributet që kur unë mora detyrën, ato duhet të bëjnë shumë më tepër”, ka thënë Trump.

Deklaratat e shefit të Shtëpisë së Bardhë vijnë në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet të mërkurën dhe të enjten e ardhshme në Bruksel. Në profilin e tij në Twitter, Trump ka kritikuar edhe praktikat tregtare të Europës, Kinës, Kanadasë dhe vendeve të tjera, të cilat sipas tij kanë dëmtuar industrinë dhe produktet amerikane.

Trump ka qenë një kritik i ashpër i NATO-s që prej fushatës së vitit 2016. Pasi mori detyrën, ai u zotua për angazhimin e Uashingtonit për mbrojtjen e aleatëve, por u ankua për hendekun e financimeve. Me standardet aktuale, Uashingtoni plotëson rreth 70 për qind të shpenzimeve të NATO-s.

Vendet e tjera anëtare kanë rënë dakord për të shpenzuar 2 për qind të buxhetit çdo vit, duke filluar nga 2024-a, por Gjermania dhe Spanja janë mes vendeve që nuk pritet ta plotësojnë këtë kriter./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono