nato

guterres.jpg
gra moz13:05 | 03/05/2018

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet të tërhiqen nga marrëveshja për programin bërthamor të Iranit pasi nëse ndodh atëherë mund të ketë dhe luftë. Paralajmërimi u bë nga sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka bërë apel Presidentit amerikan, Donald Trump, që të mos heqë dorë nga marrëveshja për programin bërthamor me Iranin duke thënë se një gjë e tillë përbën rrezik për luftë. Në një intervistë për BBC, Guterres e cilësoi traktatin e 2015-ës një fitore të diplomacisë e cila duhet të ruhet.

“Nuk duhet ta anulojmë, të paktën jo nëse nuk kemi një alternativë. Kjo pasi na presin kohë të vështira përpara.”

Marrëveshja e 2015-s u arrit mes Iranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurisë së OKB-së, Kinës, Francës, Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë dhe Gjermaninë e Bashkimin Europian. Objektivi kryesor është të ndalohet Irani në zhvillimin e një teknologjie të tillë që do i lejonte të kishte armë bërthamore. Por në të njëjtën kohë, Teheranit i lejohet të vazhdojë programin për prodhimin e energjisë bërthamore që do të përdoret për shërbime civile. Pas arritjes së marrëveshjes në fillim të 2016-s, Iranit iu hoqën sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të amerikës, bashkimi europian dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së.

Tre ditë më parë kryeministri izraelit Benjamin Netaniau akuzoi Iranin se po gënjente përsa i përket programit bërthamor, pasi Irani ka të paktën katër bomba bërthamore si ato që u përdorën në Hiroshimë. Dhe duke cituar 55 mijë dokumentet të marra nga shërbimet sekrete izraelite në një zonë sekete në Iran, dokumente pa datë gjithësesi, Netaniau tregoi provat e tij përfundimtare me të cilat dëshiron të bindë Presidentin amerikan, Donald Trump, që të dalë nga marrëveshja./abcnews.al

5a82f65ec9de3d201cd3bf07-1280x727.jpg
ent ela11:36 | 27/04/2018

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg iu kundërpërgjigj Rusisë se nuk është ajo që vendos për anëtarësimin ose jo të Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Të drejtën ekskluzive për një gjë të tillë sipas Stoltenberg e ka vetëm Maqedonia dhe 29 anëtarët e Aleancës. Pas dëbimit të një diplomati rus nga Maqedonia në shenjë solidarizimi me Britaninë e Madhe për rastin Skripal, I cili akuzohej dhe për veprimtari spiunazhi sipas ministrisë së jashtme maqedonase, ambasadori rus në Shkup Oleg Shçerbak reagoi ashpër. Ai u shpreh se Moska është kundër anëtarësimit të mundshëm të Maqedonisë në NATO dhe se vendi i tij, në rast të një konflikti me aleancën e atlantikut të veriut, nuk do të përjashtonte Maqedoninë si objektiv i sulmeve të mundshme ruse. /abcnews.al

trump-2-1280x854.jpg
gra moz08:15 | 26/04/2018

Shtetet e Bashkuara do t’i bëjnë presion vendeve të NATO-s, sidomos Gjermanisë, që të rrisin shpenzimet ushtarake për shkak të shqetësimit rus. Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar i Departamentit të Shtetit, në prag të samitit të vendeve të Aleancës ushtarake, të premten në Bruksel.

“Kurrë më parë që prej Luftës së Ftohtë, roli i NATO-s ka qenë kaq i rëndësishëm. Ne e shohim këtë rëndësi në prizmin e agresionit rus”, ka thënë zyrtari amerikan në kushte anonimati.

Ai ka akuzuar qeverinë ruse se është në gjendje të kërcënojë, destabilizojë e madje të pushtojë fqinjët e saj, sikurse ka bërë në Ukrainë, Gjeorgji dhe Siri. Takimi i së premtes i paraprin atij që do të mbahet në Korrik, ku do të jenë të pranishëm krerët e shteteve anëtare./abcnews.al

thaci.jpg
ent ela11:12 | 25/04/2018

Presidenti Hashim Thaçi, gjatë Konferencës Rajonale “Dekada e Ardhshme e Kosovës: Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në BE”, nënvizoi se politika kosovare ka nevojë për reformë të thellë, por që sipas tij kjo ju takon partive politike që ta bëjnë. Kreu I shteti bën dhe një parashikim sa I përket 10-vjeçarit të dytë të pavarësisë së Kosovës.

Hashim Thaci, President i Kosovës:  “Dekada e dytë e shtetit do të sjellë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe OKB. Gjithashtu shpresoj që anëtarësimi në BE është i mundshëm nëse ne punojmë. Edhe shoqërinë civile e falënderoj shumë për mbështetje ndaj proceseve. Roli i mediave do të vazhdojë të mbetet kyç. Është fat që mediat i kemi më mirë se në Serbi, edhe se në rajon. Kjo është e vërtetë”.

Më tej, Thaçi nënvizoi se i mirëpret platformat e prezantuara nga kryeparlamentari Kadri Veseli për konsensus të përgjithshëm politik, si dhe të qeverisë për finalizimin e dialogut me Serbinë.

Hashim Thaci, President i Kosovës:  “Unë i mirëpres platformat që po prezantohen nga liderët politik. Në veçanti për arritjen e një konsensusi për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi. Marrëveshja obligative është në favor të të dyja vendeve. E lehtëson rrugëtimin drejt BE-së. E di se dialogu me Serbinë është shumë i vështirë dhe po ashtu përkushtimi për pajtim, por kjo është rruga e vetme për të ecur përpara”.

Ndër të tjera komentoi edhe ngjarjet e ndodhura në kuvendin e Kosovës. Thaçi u shpreh se përdorimi i gazit lotësjellës ka treguar një pamje jo reale të vendit në botë. /abcnews.al

rusiaa.jpg
gra moz22:41 | 23/04/2018

Rusia ka shprehur edhe njëherë shqetësimin nga zgjerimi i NATO-s me vendet e Ballkanit. Moska ka paralajmëruar se anëtarësimi i Maqedonisë është një eksperiment i rrezikshëm, që kërcënon sigurinë e rajonit dhe Europës.

Zgjerimi i NATO-s me vendet e Ballkanit përbën kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, ka paralajmëruar të hënën një deputete e vjetër ruse. Duke folur në Dhomën e Lartë të Parlamentit të Bosnjes, Valentina Matvijenko e ka vënë theksin tek anëtarësimi i Malit të Zi dhe prirjet e Maqedonisë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, duke shpërfillur vullnetin e gjysmës së popullsisë, është shkelja më e rëndë që i bëhet parimeve bazë të demokracisë”, ka thënë Matvijenko, kryetare e Dhomës së Lartë të Dumës ruse.

Sipas saj, Maqedonia po përpiqet të realizojë të njëjtin eksperiment të rrezikshëm.

“Dhe ky hap do të çojë drejt destabilizimit të mëtejshëm të situatës në rajon dhe do të minojë sistemin e sigurisë në Europë”, ka vijuar Matvijenko.

Qeveritë perëndimore e shohin anëtarësimin e Ballkanit në BE dhe NATO si të vetmen rrugë për të garantuar paqe dhe siguri në rajonin e trazuar. Mali i Zi iu bashkua aleancës ushtarake vitin e kaluar dhe shpreson të anëtarësohet në BE në vitin 2025, në të njëjtën kohë me Serbinë.

Kroacia, një tjetër vend që dikur i përkiste Federatës Jugosllave, u anëtarësua në NATO në vitin 2009 dhe 4 vjet më pas në BE. Bosnja shpreson të arrijë anëtarësimin në një të ardhme të afërt, por përpjekjet e saj pengohen nga Republika Serbe, që sheh Rusinë si aleatin kryesor./abcnews.al

Kotzias-Parliament.jpg
gra moz15:24 | 18/04/2018

Ministri i Jashtëm i Greqisë bëri të ditur se Maqedonia nuk do të jetë pjesë e NATO-s në samitin e ardhshëm pasi dëshiron të mbajë një referendum për zgjidhjen e kontestit të emrit. Gjithashtu për këtë çështje përsëriti se duhen ndryshime kushtetuese.

Maqedonia në samtin e ardhshëm nuk do të jetë pjesë e NATO-s, sepse nuk ka shumë kohë. Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias, në një prononcim për mediat greke. Ai ka shtuar se edhe nëse arrihet një marrëveshje për kontestin e emrit, ajo duhet të ratifikohet në më shumë mënyra.

“Ata dëshirojnë të zhvillojnë referendum. Për referendum në vendin fqinj verior janë të nevojshëm dy muaj. Pasi të mbaroj referendumi, marrëveshja duhet të arrij në Kuvend, ndërsa për këtë nevojiten gjysmë muaji ose një muaj. Pasi të arrij në Kuvend do të duhet të bëhen ndryshime në Kushtetutë. Që të kemi marrëveshje duhet të pajtohemi për ndryshime në Kushtetutë”, thotë kryediplomati i Athinës, duke nënvizuar se këto procedura zgjasin deri në vjeshtë.

Sa i përket bisedimeve dhe pikave që negociohen, Ministri theksoi se identiteti është çështje që vendoset nga secili shtet, por për kombësinë duhet të përdoret emri i ri. Kotzias nënvizon gjithashtu se “në pasaporta do të shënohet shtetas i emrit të ri të për të cilin do të dakordësphen dy vendet”.

Ai përsëriti qëndrimin e Athinës zyrtare se emri përfundimtar i dakorduar me një përcaktues gjeografik të përbërë duhet të përdoret edhe brenda Maqedonisë.

“Pa rishikimin e Kushtetutës nuk mund të arrihet një marrëveshje”, theksoi Kotzias.

Sipas tij, nëse emri i ri nuk përdoret në vend, atëherë edhe në shekullin tjetër, të dy vendet do të kenë grindje dhe mosmarrëveshje./abcnews.al

mediat-serbe.jpg
gra moz15:22 | 09/04/2018

Sipas mediave serbe, gjatë arrestimit të Marko Gjuriç në veri të Mitrovicës, nga forcat speciale të Kosovës, NATO mbante nën vëzhgim ushtrinë serbe, për të shmangur një përshkallëzim të situatës.

Gjatë kohës, kur Marko Gjuriç, drejtori i ashtuquajturës Zyra për Kosovën, u arrestua në Kosovë më 26 Mars, ndërsa në Serbi diskutohej dhe mundësia e dërgimit të avionit luftarak në Kosovë, në Serbi është vënë re prania e disa avionëve pa pilot të ardhur nga Rumania. Kështu shkruan e përditshmja serbe Kurir.rs, e cila shton se qëllimi i tyre ishte monitorimi i lëvizjeve të ushtrisë serbe.

Sipas burimeve të kësaj gazete, avionë pa pilot të NATO-s, në ditën kur u arrestua Gjuriç në veri të Mitrovicës dhe katër ditë më vonë, janë sinjalizuar në mënyrë të përsëritur në territorin e Serbisë qendrore.

“Fluturimi ishte i ulët dhe sipas shërbimeve sekrete serbe, qëllimi ishte monitorimi i lëvizjes së Forcave të Armatosura Serbe”, shkruhet në këtë artikull.

“Kur Forcat Speciale të ROSU-së arrestuan Gjuriç në Mitrovicë, si dhe disa ditë më vonë, u zhvillua një dramë e vërtetë në qiellin e Serbisë. Kjo pasi mendonin se ushtria serbe do reagonte për këtë arrestim”, përfundon shkrimi./abcnews.al

sheshel-1280x854.jpg
gra moz14:45 | 07/04/2018

Vojisllav Sheshel, i njohur për deklaratat e tij të forta, kësaj here ka akuzuar NATO-n, bombardimet e së cilës sipas tij, dhe sot e kësaj dite kanë pasoja shkatërruese në shëndetin e pollsisë në Serbi dhe Kosovë.

Lideri i partisë radikale serbe, Vojoslav Sheshel, gjatë një interviste për televizionin serb HAPPY TV, foli për pasojat e bombardimeve të NATO-s, mbi shëndetin në popullsinë e Serbisë dhe të Kosovës. Ai mori si shembull rastin e prekjes nga kanceri të një ushtari italian që ka shërbyer në rradhët e KFOR në Kosovë.

Sheshel ka dhënë dhe raste të tjera të ushtarëve italianë, të cilët kanë shërbyer në Kosovë dhe që janë sëmurë nga kanceri duke shtuar se shumë prej tyre kanë vdekur dhe ata që janë gjallë apo dhe familjet e të ndjerëve, kanë hedhur në gjyq autoritetet për dëmshpërblim. Lideri radikal serb u shpreh se në Serbi në 20 vitet e fundit, janë shtuar rastet e kancerit në formën e një epidemie ku mjaft prej të prekurve, janë mosha të reja.

Për Sheshel, NATO nuk e bombardoi Serbinë vetëm me uraniumin të varfëruar, por edhe me lëndë të tjera kimike ende të panjohura. Si shembull Sheshel solli tharjen e drurëve në oborrin e tij në Batajnicë. Të njëjtin rast solli në vëmendje edhe drejtuesi i emisionit “Cirilica” po në Happy TV, Milomir Mariç.

Sheshel tha se në Kosovë kanë lindur shumë foshnja me dy kokë apo me një apo shumë gjymtyrë të deformuar. Ai u shpreh se qeveria e mëparshme ka shkaktuar katastrofë të rëndë ekologjike në Bariç dhe se kimikate nga më të rrezikshmet gjenden në një vend të sigurtë dhe ruhen në mënyrë të fshehtë nga shteti.

Duke iu referuar skenës politike, lideri radikal serb tha se Serbia ka përballë disa fuqi armike dhe këto janë SHBA dhe BE. Ai tha se kishte jetuar 12 vjet në Bashkimin Europian dhe nuk kishte parë asgjë të bukur përveç disa rojeve të burgut./abcnews.al

grushko.jpg
gra moz14:59 | 03/04/2018

“NATO ka kaluar vijën e kuqe me zgjerimin e saj ushtarak në afërsi të kufirit me Rusinë”.

Kjo është bërë e ditur nga zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Grushko. Sipas zyrtarit të Moskës, Aleanca e Atlantikut të Veriut nuk ka asnjë motiv që justifikon një zgjerim të tillë.

“Për vite, siguria e Europës është bazuar në elemente moderimi. Nuk ka pasur kurrë një aspekt ushtarak në marrëdhëniet tona me fqinjët, që tani kanë marrë qëndrime radikale kundër Rusisë”, u shpreh ai./abcnews.al

stoltenbergq-1280x654.jpg
gra moz18:45 | 27/03/2018

NATO ka vendosur këtë të martë dëbimin e 7 diplomatëve rusë dhe reduktimin e misionit të Moskës pranë Aleancës. Sekretari Jens Stoltenberg ka deklaruar se ky është një mesazh i qartë për Rusinë, se veprimet e saj nuk do kalojnë pa u ndëshkuar.

NATO ka deklaruar se do të dëbojë 7 diplomatë rusë, si përgjigje ndaj sulmit me agjent nervor ndaj ish-agjentit Sergei Skripal në Britaninë e Madhe. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg ka thënë në një konferencë shtypi se kjo lëvizje është një mesazh i qartë për Rusinë, se veprimet e saj kanë “kosto dhe pasoja”.

“Kjo është një përgjigje ndërkombëtare e gjerë dhe e koordinuar dhe në kuadër të saj NATO është i unifikuar për të marrë veprime të tjera”, ka deklaruar Stoltenberg.

Në vijim numri një i organizatës ndërkombëtare të sigurisë ka saktësuar se këtë të martë ka anuluar qëndrimin e 5 zyrtarëve rusë në NATO dhe se do të ndalojë akreditimin për tre të tjerë.

“Gjithashtu Këshilli i Aleancës do të reduktojë numrin e diplomatëve rusë në NATO me 10 njësi, duke e çuar atë në 20. Ky është një mesazh i qartë për Rusinë se ka kosto dhe pasoja për sjelljen e saj të rrezikshme e të papranueshme”, ka thënë Stoltenberg.

Të 25 vendet anëtare të NATO-s kanë dëbuar diplomatë rusë në ditët e fundit, përfshirë Shqipërinë që dëboi dy ditën e hënë, duke treguar solidaritet ndaj Mbretërisë së Bashkuar. Ish-oficeri i shërbimeve sekrete ruse Sergei Skripal dhe e bija, Julia, u helmuan më 4 mars në Salisburi, në jug të Anglisë, me një agjent nervor.

Autoritetet britanike akuzuan Rusinë, e cila nga ana e saj ka mohuar çdo përgjegjësi dhe më herët gjatë së martës akuzoi Shtetet e Bashkuara se po ushtrojnë presion ndaj Bashkimit Europian për të dëbuar diplomatët rusë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono