NATO-s

jens-stoltenberg-NATO-1280x727.jpg
ad min12:30 | 07/08/2019

Krahas Rusisë dhe ISIS, një tjetër sfidë komplekse po paraqitet për NATO-n. Rritja e influencës ekonomike dhe ushtarake të Kinës ka shqetësuar Organizatën e Atlantikut të Veriut, aq sa sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg po kërkon aleanca në Azinë e Paqësorit.

NATO duhet të kuptojë se fuqizimi i Kinës dhe shtrirja e influencës së saj nëpër botë mund të kthehet shumë shpejt në një sfidë për vendet anëtare të organizatës. Deklarata është bërë nga sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, i cili ka theksuar se intensifikimi i rolit të Pekinit, sidomos në detin e Kinës së Jugut, ngre shqetësime mbi qëllimet reale të tij. “Kjo nuk do të thotë se ne duhet të zhvendosim forcat e NATO-s në Paqësor, por ka të bëjë me përgjigjen tonë ndaj faktit se Kina po afrohet tek ne”, ka thënë Stoltenberg në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Ai ka theksuar se, investimet e Kinës në Europë, rritja e pranisë së saj në Arktik dhe Afrikë, si dhe në hapësirën kibernetike përbën një shqetësim serioz. “Kjo situatë e bën të domosdoshme që NATO t’i përgjigjet rritjes së Kinës dhe në këtë aspekt duhet të bashkëpunojmë me partnerët tanë si Australia, Zelanda e Re, por edhe Japoninë e Korenë e Jugut”, ka thënë Stoltenberg, i intervistuar gjatë një vizite në Australi.

Pekini zyrtar ka deklaruar disa herë se zhvillimi i tij ekonomik dhe ushtarak nuk përbëjnë rrezik për vendet e tjera. Sidoqoftë, tensionet me Perëndimin janë ngritur, të ndikuara edhe nga lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara. Pak ditë më parë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper deklaroi se administrata amerikane po shqyrton vendosjen e raketave me rreze të mesme veprimi në rajonin e Azisë së Paqësorit./ABC News Albania 24/7

kosov-1280x715.jpg
ad min16:10 | 10/06/2019

Sot janë bërë 20 vjet qëkur Sekretari i përgjithshëm i NATO, Havijer Solana, kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit në Kosovë, kurse, Këshilli i Sigurisë i OKB-së, miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete . Hyrja e NATO-s do të shënohet në Kosovë me aktivitete të ndryshme.

Për tri ditë radhazi Kosova do të shënojë 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.

Manifestimi qendror – 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë  do të mbahet në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.

Në këtë ngjarje pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton dhe ish sekretarja amerikane Madelinë Albright.

Ftesa i janë dërguar edhe te të gjithë vendimmarrësve të asaj kohe në rajon, ndër ta edhe ish-Kryeministri, Sali Berisha.

Pas ndalimit të bombardimeve më 10 qershor, më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e UNMIIK-ut, i cili administroi vendin për rreth 10 vjet./ABC News Albania 24/7

nato.jpg
ent ela22:45 | 03/04/2019

Në një fjalim të mbajtur në Kongresin amerikan me rastin e 70-vjetorit të NATO-s, sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg ka bërë thirrje për unitet mes Amerikës dhe Europës për t’i bërë ballë kërcënimit në rritje që vjen nga Rusia.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg lajmëroi të mërkurën Kongresin amerikan për kërcënimin që i vjen Perëndimit nga Rusia, e cila sipas tij po bëhet gjithnjë e më e sertë. Stoltenberg deklaroi se Rusia përveçse po ngre një infrastrukturë masive ushtarake, po intensifikon sulmet kibernetike, ato me agjent nervor dhe madje po kërcënon sovranitetin e vendeve të ndryshme.

“Duhet të tejkalojmë menjëherë dallimet që kemi me njëri-tjetrin sepse në të ardhmen do të kemi nevojë më shumë se kurrë për aleancën tonë. Po përballemi me sfida të papreçedenta, të cilave asnjë vend nuk mund t’u bëjë ballë i vetëm”, deklaroi Stoltenberg.

Duke theksuar se nuk ka kohë për të humbur, numri një i Aleancës i bëri gjithashtu thirrje Rusisë që t’i rikthehet traktatit të Luftës së Ftohtë për armët bërthamore me rreze të mesme veprimi, nga i cili presidenti amerikan Donald Trump ka në plan të tërhiqet në fillim të verës.

“NATO nuk ka ndërmend të vendosë raketa bërthamore me bazë tokësore në Evropë, por ajo do të marrë hapat e duhur për të ofruar një rezistencë të besueshme dhe efikase”, tha Stoltenberg.

Në kuadër të 70-vjetorit të NATO-s, sekretari i përgjithshëm tha se ky partneritet përbën aleancën më të suksesshme në histori. Ligjvënësit amerikanë, të cilët e përshëndetën Stoltenberg me brohoritje dhe ovacione, deklaruan se e shohin fjalimin e tij si një shans për të riafirmuar angazhimin amerikan pranë NATO-s, i vënë disa herë në dyshim nga presidenti Donald Trump./abcnews.al

nato-1.png
ent ela23:15 | 26/03/2019

Jens Stoltenberg ka mbrojtur ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Serbi 20 vjet më parë, duke e cilësuar të arsyeshëm. Numri një i Aleancës ka nënvizuar se ajo nuk duhet ta pengojë bashkëpunimin NATO-Serbi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se ndërhyrja ushtarake e Aleancës në Jugosllavi në vitin 1999 ishte e arsyeshme. Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve “Tanjug”, Stoltenberg ka thënë se, ndërhyrja nuk ishte drejtuar kundër popullsisë civile të federatës së atëhershme jugosllave.

“Roli i ndërhyrjes ushtarake ishte për të mbrojtur civilët në të gjithë rajonin”, ka thënë Stoltenberg. Ai ka nënvizuar se e kaluara nuk duhet harruar, por ka shtuar se ajo nuk duhet të bëhet pengesë që sot NATO dhe Serbia të jenë partnerë.

“Ne nuk duhet ta harrojmë kurrë të kaluarën, por mund të vazhdojmë të ecim përpara dhe kjo është ajo çfarë po bëjnë NATO dhe Serbia si partnerë”, ka vijuar Stoltenberg. Më i prerë në qëndrimin e tij ka qenë ministri i Jashtëm gjerman, Hajko Mas, i cili ka deklaruar se ndërhyrja e NATO-s ishte një vendim i drejtë.

“Ndërhyrja erdhi pasi pamë një dhunim masiv të të drejtave të njeriut dhe vrasje në masë”, ka deklaruar Mas, i cili ka mbrojtur edhe vendimin e Gjermanisë për të ndërhyrë. “Nuk mund ta imagjinoj çfarë do të kishte ndodhur atje nëse nuk do të kishte pasu ndërhyrje”, ka shtuar shefi i diplomacisë gjermanë për të përditshmen “SHTUGARTER CAJTUNG”.

Bombardimet e NATO-s i dhanë fund fushatës së spastrimit etnik të nisur nga regjimi i Sllobodan Millosheviç. Ato zgjatën 78 ditë dhe në to morën pjesë 19 vende anëtare të Aleancës./abcnews.al

HARADINAJ-1280x820.jpg
ent ela17:15 | 12/02/2019

Kryeministyri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e ka vonuar përgjigjen e tij ndaj deklaratës së sekreatrit të përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg, sipas të cilit FSK nuk mund të shkonte në Veri të vendit pa lejen e KFO-it.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi gjatë ditës se NATO është e zhgënjyer për vendosjen e taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe se, sipas tij, FSK-ja s’mund të futet pa lejen e KFOR-it në Veri të vendit.

Por kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk e ka vonuar përgjigjen duke theksuar se ushtria e Kosovës ka të drejtën e plotë të ushtrimit të detyrës në të gjithë territorin e vendit.

 “Ne i kemi ofruar NATO-s një protokoll të ri për vendin. S’ka më Veri dhe Jug. Duhet ta kuptojnë të gjithë, presidenti, unë… mbi ne është Parlamenti. Me 107 vota i është dhënë fuqia ushtrisë për gjithë territorin. Kosova nuk është e intersume. Në Veri jetojnë serbët e Kosovës, janë qytetarët e Kosovës. S’kanë arsye të kenë shqetësim që ushtria mundet mu përdor kundër tyre, kjo është një garancë”, është shprehur ai.

Gjithashtu pas takimit me ambasadorin amerikan në Prishtinë, kreu i ekzekutivit kosovar foli për taksën ndaj Serbisë duke thënë se taksa mund të qëndrojë përjetësisht. Ai tha se Kosova është e lodhur me sjelljen e Serbisë, dhe lojërat që po luhen prej 20 vitesh, e se tashmë është kohë tjetër. Sipas Haradinaj e gjithë kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fund të deklaratës së tij për media Haradinaj porositi Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, i cili publikoi letrën e qeverisë amerikane për anulimin e viziyës së gjeneralit amerikan ën Kosovë, disa ditë më parë për shkak të taksës ndaj Serbisë. Haradinaj e paralajmëroi Ramën se nëse e ka të vështirë të mbajë ushtrinë, ka njerëz të tjerë që mund ta mbajnë atë post. E në të kundërt ai duhet t’i lërë komunikimet me mediat në duart e personave që merren me këtë gjë./abcnews.al

763.jpg
ent ela16:59 | 22/01/2019

Ngritja e bazës së re të NATO-s në Kuçovë duket se ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Media holandeze “trouw.nl”, i ka kushtuar një reportazh ngritje së kësaj baze në Shqipëri. Ajo shkruan se qytetarët e Kuçovës e shikojnë si mundësi për punësim dhe zhvillim krijimin e bazës së NATO-s.

Një shofer taksie Skënder Caushi 56-vjeç duket se e urrente të qëndruarit brenda makinës së tij  të vjetër tip Mercedes. Por nëse baza e NATO-s do të ngrihet në qytetin ku ai punon, pra në Kuçovë, duket se situata do ndryshojë. “Sigurisht që është mirë për Kuçovën,” thotë ai.

Më tej ai flet për termocentralin e madh të prishur, i cili dikur zhvilloi qytetin e vogël me 31,000 banorë. Ai u shkatërrua në vitet 1990 pas rënies së komunizmit, dhe vetëm një pjesë e fasadës dhe një oxhak qëndron në këmbë.

“Ushtarët e NATO-s së shpejti do të pinë kafe në qytet dhe do të hanë në restorantet shqiptare”, thotë Caushi. Tashmë në Kuçovë sipas tij  numri i të papunëve është shumë i madh. Ai kujton se: “Me ngritjen e bazës së NATO-s, jetesa këtu mund të përmirësohet”.

Ndryshk

Në aeroportin ushtarak të Kuçovës avionët e vjetër sovjetikë po shkatërrohen, por kryeministri Edi Rama njoftoi në verë se do të transformohet në një bazë ajrore supermoderne e cila do të jetë e para në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s që në vitin 2009. Aleanca konfirmon një investim prej 50 milionë eurosh, të cilat duhet ta bëjnë bazën të përshtatshme për çështje të tilla si; mbikëqyrja e hapësirës ajrore, furnizimi me karburant i avionëve dhe mbështetje logjistike për avionët. Më vonë, mund të ketë pajisje të stacionuara.

Zgjedhja për ngritjen e bazës ajrore në Kuçovë nuk është krejt e rastësishme. Qyteti ka një vendndodhje të favorshme gjeografike në një fushë të madhe dhe kushtet e motit janë pothuajse të favorshem për gjatë gjithë vitit. Kjo ishte edhe arsyeja pse regjimi i rreptë komunist në atë kohë ndërtoi bazën ajrore këtu me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik. Ata vendosën dinamit nën tokë për të hedhur në erë çdo gjë, nëse baza përfundonte në duart e armikut. Kuçova u bë zonë ushtarake, u mbyll dhe zyrtarisht quhej “Stalingrad”.

Kjo zgjati deri në rënien e komunizmit. Rënia ndodhi dhe baza u shkatërrua pjesërisht dhe u plaçkit. Në vitin 2005 ushtria vendosi të ekspozonte avionë 224 MiG. Pjesa më e madhe u shit. 88 avionët e mbetur tani po ndryshken. Kopetë e deleve janë vizitorët e vetëm në ish- bazën ajore të regjimit komunist.

Në letër

“Forca ajrore shqiptare ekziston vetëm në letër. Vetëm duhet se kemi një Kushtetutë “, thotë Redion Qirjazi, hulumtues i mbrojtjes në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë. “Shpresa është që ardhja e bazës së NATO-s do të sigurojë një shtysë, por pak dihet se çka do të ndodhë saktësisht. Qeveria nuk është transparente me informacionet”.

Përveç vendndodhjes së favorshme gjeografike, ai gjithashtu përmend një arsye tjetër që syri i NATO-s ka rënë në Kuçovë: lidhjet jashtëzakonisht të mira midis SHBA-së dhe Shqipërisë  mund të mundësojnë që aleanca dhe Amerika të kenë raporte me të mira. “Në pranim, jo më pak se 95 për qind e shqiptarëve ishin pro. Ata nuk do kishin mundësi tjetër në rajon. Dhe le të jemi të sinqertë, nëse SHBA-ja dëshiron diçka brenda NATO-s, atëherë ndodh. Shqipëria gjithashtu përfiton nga kjo. “

Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes thekson se rëndësi e kësaj baze është për të gjithë rajonin. “Ne mendojmë se prania e madhe e NATO-s sjell më shumë paqe, siguri dhe stabilitet. Duke i mbajtur larg ndërhyrësit që duan të mbjellin pasiguri, ndarje dhe tensione”.

Kur është pyetur se kujt po i referohet me këtë deklaratë, një zëdhënëse thotë se nuk ka ndonjë person apo shtet specifik të cilit i drejtohet.

Por ka indikacione të panumërta se Rusia po përpiqet gjithashtu të forcojë kontrollin e saj në Ballkanin Perëndimor. “Ky investim strategjik nga NATO do e dërgojnë ushtrinë tonë drejt një standardi të ri. Dhe pa dyshim ajo ofron mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe social të zonës rreth bazës”.

Majlinda Spahiu 53-vjeç kujton kohën kur ka punuar në bazën ajrore të Kuçovës. Rreth tridhjetë vjet më parë ajo punoi në bazën ajrore dhe vendoste pullat në gomat që prodhoheshin atje.

Ajo ngeli pa punë kur ra regjimi komunist . Tani ajo merret me skrap. “Punë të reja, por për kë? Për ushtarët e huaj? Apo për miqtë e politikanëve? “, pyet ajo.

Ajo nuk ka asnjë shpresë që baza ajrore do i ndihmojë. “Unë nuk mendoj se kjo ka rëndësi për ne. Kush e di për brezat e ardhshëm”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono