nasa

APOLLO-11-ANNIVERSARY.jpg
ent ela15:40 | 13/07/2019

Shtëpia e ankandeve Kristi do të nxjerrë në shitje rreth 200 relike të misioneve të NASA-s në vitet ’60 – ’70. Mes tyre është dhe manuali i bordit i Apollo 11 që u përdor për zbritjen e parë në Hënë.

Në prag të 50 vjetorit të shkeljes për herë të parë në Hënë, shtëpia e ankandeve Kristi do të vendosë në shitje në 18 korrik, dyqind relike në shenjë homazhi për misionet e NASA në vitet ’60 – ’70. Mes fotografive me autograph, harta, aparate fotografike, objekti më I shtrenjtë, që vlerësohet fillimisht deri në 9 milion dollar është manuali i bordit të Apollo 11. Ai u përdor nga Neil Armstrong e Buzz Aldrin për të çuar modulin “Eagle” në sipërfaqjen e Hënës në korrik 1969. Libri, sipas shtëpisë së ankandeve, ka ende gjurmë të pluhurit hënor dhe pothuajse 150 shënime me dorë të austronautëve, mes të cilave dhe koordinatat e “Eagle” në sipërfaqen e Hënës pak minuta para uljes.

Manuali i bordit ndodhej në mes të Armstrong e Aldrin gjatë momenteve të fundit. Aty tregohen 34 orët emocionuese të udhëtimit të “Eagle”, nga inspektimi, nisja, zbritja në Hënë dhe ngritja e mëtejshme në orbitën hënore për takimin me austronautin e misionit, Majkëll Kollins, në bordin e “Columbia”. Ky është shembulli i parë i një shkrimi me dorë në një trup jashtëtokësor. Misionet e ardhshme njerëzore do të jenë totalisht të dixhitalizuara; në këtë mënyrë është pothuajse e pamundur që në të ardhmen të krijohet një dokument i tillë i ngjashëm. /ABC News Albania 24/7

mice-1.jpg
G. P.12:13 | 17/06/2019

NASA ka bërë publike një foto në të cilën shfaqen dy galaksi, të cilat shtyjnë njëra-tjetrën. Dy galaksitë spirale janë pagëzuar nga shkencëtarët me emrin “Minjtë”, për shkak të gjatësisë së bishtave me yje dhe gaz, që emetohet prej të dyjave.

Ndryshe ky fenomen njihet me emrin NGC 4776 dhe ndodhet 300 milionë vite dritë larg. Bishtat e gjatë të dy galaksive shkaktohen prej valëve gravitacionale kur dy galaksitë kalojnë përmes njëra-tjetrës sipas NASA-s.

Distancat mes tyre janë aq të mëdha saqë bashkëveprimi kozmik ndodh me lëvizje të ngadalta për qindra milionë vite. Imazhi i publikuar nga NASA u kap nga fotografi hapësirës, Bruce Waddington, për gjashtë netë me radhë në Maj të këtij viti./abcnews.al

njeriu-ne-hene.jpg
G. P.18:10 | 09/05/2019

Në Mars të këtij viti, Presidenti i SHBA-së, Mike Pence, zuri faqet e para të gazetave pasi kërkoi publikisht që NASA të ridërgonte njerëz në Hënë në vitin 2024.

“Shtetet e Bashkuara ishin vendi i parë që arriti në Hënë në shekullin e 20 dhe gjithashtu duhet të jetë shteti i parë që të rikthejë austronautët atje në shekullin e 21”, tha gjatë takimit të pestë të Këshillit Kombëtar të Hapësirës ai.

Por mesa duket NASA është shumë larg arritjes atje në vitin 2024. Më 2 Prill pritej që agjencia hapësinore të bënte publike për qeverinë detajet se sa do të kushtonte i gjithë misioni, por deri më tani nuk dihet asgjë.

NASA e ka arsyetuar këtë vonesë me argumentin se po planifikohet që gjithçka të jetë perfekte. Mirëpo anëtarët e Komitetit të Shkencave janë të zhgënjyer nga kjo vonesë edhe pse zyrtarët e NASA-s pretendojnë se plani do të zbulohet pas një ose dy javësh./abcnews.al

mooon-1280x790.jpg
G. P.08:37 | 18/04/2019

Gjysmë shekulli pas zbritjes së parë të amerikanëve në Hënë duket se është duke u bërë sërish garë për satelitët rreth tokës. SHBA do që të jetë e para. Po Rusia?

Në ligën jozyrtare të fuqive kryesore të hapësirës desh u fut së fundi edhe Izraeli. Por ky vend nuk arriti të kthehej në një nga vendet e tjera që kanë zbritur në Hënë pas SHBA, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës. Anija kozmike “Beresheet” u rrëzua për shkak të problemeve me motorin. Por, siç thonë disa vëzhgues tentativa izraelite tregon se ekziston “një garë e re për Hënën”.Garën e parë të zhvilluar gjysmë shekulli më parë e fitoi SHBA, kur në korrik 1969 austronautët e parë amerikanë zbritën në Hënë. SHBA kërkon tani të bëjë sërish një zbritje në Hënë, dhe kërkon ta bëjë sa më shpejt. Në fillim të muajit mars, zëvendëspresidenti Mike Pence, i dha si detyrë autoriteteve amerikane të hapësirës, NASA, që brenda pesë vjetëve të dërgojnë sërish amerikanë në Hënë. Nëse NASA nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë qeveria amerikane do të ngarkojë me këtë detyrë sipërmarrjet private, paralajmëroi Pence. Ai tha se SHBA ndodhet në garë që në vitet gjashtëdhjetë. Se me kë, ai nuk e tha.

Konkurrencë me Kinën dhe Elon Musk

Ramon Lugo, drejtor i Institutit Hapësinor të Floridës (FSI) nga Universiteti i Orlandos, mendon se Pence kishte parasysh rivalitetin mes SHBA dhe Kinës. Eksperti thotë, se është e qartë se Kina ka një program për Hënën. Përveç kësaj midis SHBA dhe Kinës ekziston “një garë në shumë sektorë teknologjie”, thotë Lugo. Në muajin janar të këtij viti kinezët arritën të dërgonin me sukses një anije kozmike në anën tjetër të Hënës.

Lugo, i cili ka punuar për një kohë të gjatë për NASA-n, mendon se nuk është e mundur, që Rusia të jetë rivale me SHBA për marrjen e Hënës, megjithë fluturimet e bëra me sukses në stacionin ndërkombëtar të hapësirës (ISS). Sipas tij, me “Garën për Hënën”, SHBA i bën në njëfarë mënyre konkurencë vetvetes. Sepse ekziston ndërkohë një garë midis NASA-s dhe firmave private, si SpaceX dhe Elon Musk.

Planet e Pence-s, që të fluturohet sërish në Hënë deri më 2024, Lugo i vlerëson si tepër optimiste. Ai thotë se në pesë vitet e ardhshme ekziston mundësia e fluturimit të astronautëve në orbitën e Hënës, por një zbritje tek satelitët rreth tokës do të jetë e mundur vetëm në vitin 2030. Kjo gjë mund të ndodhë më shpejt në kohë, nëse NASA përdor raketat e firmës private Elon Musk, që janë krijuar për fluturim në Mars. Por kushtet e Hënës dhe të Marsit janë të ndryshme, thotë eksperti.

A merr pjesë Rusia në garë?

Andrej Ionin nga Akademia ruse e kozmonautikës mendon se nuk ekziston “Gara për Hënën”. Deklarata e Pence është “e motivuar nga politika e brendshme”. Sfondi ka të bëjë me përgatitjet e kandidaturës për president për vitin 2024, megjithëse Pence nuk i ka shprehur zyrtarisht ambiciet për këtë post. Megjithatë, eksperti rus nuk e përjashton mundësinë e zbritjes në Hënë pesë vjetët e ardhshme, si një “projekt unik”. Por as Rusia as Kina nuk do të merrnin pjesë në “Garën për Hënën” të thirrur nga SHBA. Moska nuk është në gjendje financiare dhe nuk ka as teknologjinë e duhur për ta bërë këtë, thotë Ionin.

Megjithatë studimet e Hënës vazhdojnë në Rusi. Që nga mesi i muajit mars, në Rusi është duke u zhvilluar një eksperiment katër mujor, Sirius -19, për simulimin e fluturimit në Hënë. Në të marrin pjesë kryesisht shkencëtarë rus. Dhe në vitin 2021, organizata ruse e hapësirës “Roskosmos”, do të dërgojë në Hënë si në kohën e Bashkimit Sovjetik, një seri stacionesh automatike. Zbritja e kozmonautëve është planifikuar të paktën për 2030. Presupozohet se fluturimet për atje do të bëhen me anijen kozmike të papërfunduar ende “Federazija”, e cila do të ndihmohet nga raketa shumë e rëndë “Jenisej”, e sapo ndërtuar dhe  që pritet të lëshohet më 2028.

Europa pret sinjale të qarta

Thomas Jarzombek, deputet i Parlamentit gjerman dhe koordinator i qeverisë gjermane për fluturimet në hapësirë në ministrinë e Ekonomisë dhe energjisë, po ashtu nuk do të fliste për “Garë për Hënën”. “Amerikanët nuk duan që ta bëjnë këtë gjë të vetëm, por me një bashkëpunim të madh si në rastin e ISS, me Kanadanë, Europën dhe Japoninë,” shpjegon ai në një intervistë me DW. Ai shton: “Ne duam nga SHBA që të na thotë si do shkojnë punët”.

Ai nuk e përmend zëvendëspresidentin amerikan Pence. Megjithatë BE do patjetër të marrë pjesë në një projekt ndërkombëtar të NASA-s, projektin “Gateway”, për ndërtimin e stacionit hapësinor në Hënë. Ky projekt ndodhet aktualisht në planifikim. Edhe Rusia ka treguar interes. Por në fund të vitit të kaluar, shefi i “Roskosmos”, Dmitrij Rogosin, tha se Federata Ruse nuk do që të marrë pjesë në këtë projekt “në një rol të dorës së dytë”.

Pas përfundimit të programit Space Shuttle, SHBA ka dhjetë vjetë që nuk ka më mundësi të dërgojë astronautë tek ISS. Amerikanët janë të varur për këtë nga raketat ruse Sojus. Por amerikanët janë duke punuar për anijen kozmike me qëllime studimore “Orion”, me të cilën NASA ka lidhur planet e veta për Hënën. Fluturimi i parë provë është bërë më 2014. Stacioni hapësinor europian (ESA), ka krijuar për “Orion-in” një modul shërbimi për të furnizuar anijen kozmike me karburant dhe austronautët me ujë dhe oksigjen. Ajo u zhvillua kryesisht në Gjermani. “Për ne është sukses i madh, që të furnizojmë për herë të parë amerikanët me komponentë kritikë,” thotë Jarzombek./DW

groe-933x445.jpg
ent ela08:46 | 28/03/2019

Sipas një studimi të ri të NASA-s, një akullnajë e madhe e Groenlandës me tkurrjen më të shpejtë në Tokë, po zgjerohet përsëri. Por ky jo domosdo është një lajm i mirë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kevin Enoch sjellë hollësitë. Studimi i ri i NASA-s zbuloi se akullnaja Jakobchavn në Groenlandë jo vetëm nuk po shkrihet, por masa e saj është duke u zgjeruar.

“Mes viteve 2016 dhe 2017 nga dy misione të veçanta të NASA-s, ne mësuam se afër pjesës së përparme trashësia e akullnajës u rrit deri në 30 metra. Ndërsa mes viteve 2017 dhe 2018 trashësia e saj u rrit përsëri, këtë radhë me 30.5 metra”, thotë studiuesi i NASA-s, Ala Khazendar.

Është e habitshme sepse që nga viti 2012, akullnaja vazhdimisht po tkurrej me rreth 2.9 kilometra në vit për shkak të ndryshimeve klimatike. Por në dy vitet e fundit ajo ka filluar të zgjerohet me të njëjtin ritëm.

Cila është arsyeja? Shkencëtarët e NASA-s thonë se kjo është bërë e mundur nga një ftohje e përkohshme në Disko Bay, në bregun perëndimor të Groenlandës, ku akullnaja takon oqeanin. Këto ujëra më të ftohta po e bëjnë të mundur zgjerimin e akullnajës.

“Matjet që kemi bërë në fjordet e akullnajës kanë treguar se tkurrja e saj ka ndodhur kur uji i oqeanit që e ushqente atë ishte i ngrohtë, ndërsa kur trashësia e akullnajës filloi të rritej uji ishte më i ftohtë. Kjo nuk do të thotë se oqeanet nuk po ngrohen, por vetëm se transferimi i nxehtësisë nga oqeani në trupin e akullnajës është ndalur”, thotë Martin Siegert i Kolegjit Imperial të Londrës.

Shkencëtarët e përfshirë në studim theksojnë se kjo nuk do të thotë se klima nuk po ndryshon, pra ndryshimi i klimës po ndodh. Shtresa e akullit të Groenlandës në përgjithësi ende po shkrihet me ritme rekord.

Por studimi nxjerr se ujërat e oqeanit që thithin shumicën e nxehtësisë së tepërt të tokës, po luajnë një rol më të madh në shkrirjen e akullnajave sesa është menduar më parë.

“Në planin afatgjatë është një lajm i keq, sepse ky studim tregon se sa e ndjeshme është kjo akullnajë dhe ndoshta edhe të tjerat në Groenlandë, ndaj ndryshimit të temperaturës së ujit të oqeanit”, thotë Ala Khazendar i NASA-s.

Ndërkaq studimet tregojnë se temperaturat e oqeanit në përgjithësi kanë qenë në rritje të vazhdueshme që nga viti 1960./VOA

nasa.jpg
G. P.15:25 | 12/03/2019

Brenda 10 vjetësh njeriu do të rikthehet sërish në Hënë. Është ky premtimi i agjencisë hapësinore NASA, që ka prezantuar programet e së ardhmes, me një buxhet prej 21 miliardë dollarësh. Njëkohësisht po mendohet dhe për një mision në planetin Mars.

NASA po përgatitet të ridërgojë sërish austronautët e saj në Hënë, brenda 10 vitesh. Deklarata është bërë nga krye administratori i agjencisë hapësinore amerikane i cili prezantoi programet e ardhshme të eksplorimit hapësinor të financuar për 2020-n me një buxhet prej 21 miliardë dollarësh, një nga më të mëdhenjtë deri tani.

NASA parashikon që të nisë misionin e parë demonstrues në vitin 2024 për të testuar aftësinë e zbritjes në hapësirën hënore. Një mision i dytë prove do të ndodhë në 2026-n, për të eksperimentuar sistemin e realizuar në sipërfaqen e Hënës para mbërritjes së austronautëve. Brenda vitit 2028 duhet të ndodhë transferimi i austronautëve të parë të stacionit orbital në sipërfaqen hënore ku do të qëndrojnë për një javë, një rekord i ri ky.

Përveç se do të shërbejë si një urë për udhëtimet në Hënë, stacioni do të ofrojë dhe mundësinë për të studiuar hapësirën e thellë. Ndërtimi i tij do të nisë në 2022-shin në bashkëpunim dhe me agjenci të tjera hapësinore, ato të Europës, Japonisë, Rusisë dhe Kanadasë. Por NASA gjithsesi është në kërkim të partnerëve të tjerë tregtarë.

Rikthimi në Hënë me një program të mbështetshëm do të jetë dhe prova e parë për NASA-n, e cila synon planetin Mars. Në buxhet është financuar plotësisht misioni “Mars 2020”, që duhet të rikthejë në Tokë një kampion të planetit të kuq./abcnews.al

asteroidi.jpg
G. P.18:08 | 31/01/2019

NASA ka paralajmëruar se një asteroid do të kalojë pranë planetit tonë këtë të enjte. Shkencëtarët e kanë emërtuar me emrin “2019 BC3” asteroidin. Momenti kur ai do t’i afrohet më shumë Tokës do të jetë rreth orës 19:00.

“2019 BC3” do të udhëtojë me një shpejtësi prej 47.500 kilometrash në orë. Fatmirësisht në pikën më të afërt që do kalojë planetin, shkencëtarët kanë përllogaritur se do jetë rreth 4.8 milionë kilometra larg Tokës. Megjithatë kjo distancë nga NASA kondiserohet si e afërt.

Asteroidi ka një diametër rreth 31-69 metrash. Në një reagim, agjencia hapësinore amerikane theksoi se nuk ka asnjë asteroid apo kometë që është në drejtim të Tokës për t’u përplasur.

“Nuk dimë asnjë asteroid apo kometë në kurs përplasjeje me Tokën, kështu që probabiliteti i një përplasje të madhe është shumë i vogël. Në fakt, me aq sa mund të kuptojmë ne, asnjë objekt i madh nuk do të godasë Tokën në të paktën 100 vitet e ardhshme”, u shprehën ata./abcnews.al

insight-1280x720.jpg
G. P.08:13 | 08/12/2018

Sonda “Insight” që prej disa ditësh ndodhet në planetin Mars ka dhënë sinjalin e parë për laboratorët e NASA-s në tokë. Sonda ka regjistruar zhurmën e erës në Planetin e Kuq, e ngjashme me një fëshfërimë që është vështirë të dëgjohet nga veshi i njeriut.

Sonda “Insight” e NASA-s, që dhjetë ditë më parë mbërriti në Mars, ka regjistruar zhurmën e erës që fryn në këtë planet. Bëhet fjalë për një fëshfërimë thuajse e pakapshme nga veshi i njeriut.

Sidoqoftë, rezultati është arritur falë sizmometrit dhe sensorit të presionit të ajrit që i janë montuar objektit e që kanë mundësuar regjistrimin e dridhjeve të erës, që frynte me 16 deri në 24 kilometra në orë. Konkretisht, sensori i presionit ka mundësuar një regjistrim direkt të erës, ndërsa sizmometri dridhjet e shkaktuara në panelet diellore të sondës.

“Panelet diellore reagojnë ndaj ndryshimit të presionit të erës. Është njësoj sikur “Insight” të ketë ngritur veshët për ta dëgjuar”, ka sqaruar Tom Pike, anëtar i ekipit shkencor të misionit.

“Kur pamë drejtimin e dridhjeve që vinin nga panelet diellore, ato përputheshin me drejtimin që ne kishim parashikuar në momentin e uljes”, ka vijuar Pike.

Për NASA-n, materiali i parë audio nga Planeti i Kuq është një dhuratë e papritur, edhe pse misioni i sondës është matja e lëvizjes në Mars, që përfshin edhe lëvizjen e valëve zanore. Për të dëgjuar më qartë tingujt marsianë duhet pritur misioni i NASA-s në Mars në vitin 2020, kur sonda do të ketë në bord dy mikrofonë./abcnews.al

nasa-marsi.png
ent ela22:47 | 26/11/2018

Përpjekja e re e Agjencisë Hapësinore Amerikane, për të ulur një robot në Mars, është kurorëzuar me sukses. Sonda “INSAJT” preku terrenin e planetit të largët në orën 20 e 54 të së hënës dhe transmetoi sinjalin e funksionimit pak minuta më vonë, duke çuar në delir operatorët e NASA-s.

Agjencia hapësinore amerikane, NASA, ka ulur me sukses mbrëmjen e së hënës robotin e ri në planetin Mars. Operacioni u përjetua me tensione për 7 minuta, koha kur sonda “INSAJT” u shkëput nga platforma që e çoi deri në Planetin e Kuq. Misioni i “INSAJT” është të studiojë përbërjen e Marsit, aspektin gjeologjik të tij dhe tërmetet, për ta bërë planetin e dytë më të studiuar në botë pas Tokës.

Mjeti u ul në orën 20 e 54 minuta dhe me të ardhur konfirmimi, operatorët e zyrës së NASA-s në Kaliforni shpërthyen në brohoritje. Roboti u ul në një terren të sheshtë, në afërsi të ekuatorit të Marsit. Fazë pas faze dhe metër pas metri, roboti raportoi progresin e tij. Ai hyri në atmosferë më shpejt se një plumb me shpejtësi të lartë, duke kombinuar efektet e temperaturës, parashutës dhe raketave për të mundësuar një ulje të lehtë në orën 20 e 54 dhe duke dërguar sinjalin “BIP” për të treguar se është në gjendje funksionale dhe gjithashtu foton e parë nga sipërfaqja në orën 21 e 1 minutë. Jetike për vazhdimin e misionit të sondës “INSAJT” në terrenin e vështirë të Marsit është aktivizimi i paneleve të saj diellore, të cilët u fikën gjatë uljes. Robotit i duhet të gjenerojë energji për të vënë në punë sistemet dhe për të ngrohur pajisjet e tij në temperaturat nën zero që mbizotërojnë në Planetin e Kuq. /abcnews.al

SONDA-PARKER-NISET-DREJT-DIELLIT.mpg_snapshot_00.30-1280x788.jpg
G. P.13:43 | 13/08/2018

Pas shtyrjes së një dite më parë, NASA lëshoi në hapësirë sondën Parker. Ajo do jetë e para që do prekë e zbulojë sekretet e Diellit, duke iu afruar atij në distancën rekord prej 6 milionë km, në një temperaturë deri në 1.377 gradë.

Eshtë lëshuar në hapësirë sonda Parker Solar Probe e NASA-s, e para që ka si destinacion Diellin, në një distancë rekord prej 6 milionë kilometrash. Sonda do studiojë pjesën e jashtme të atmosferës diellore dhe stuhitë magnetike, për të parandaluar pasojat e tyre mbi planetin tokë e ndaj misioneve hapësinore. Sonda është nisur nga Kejp Kanaveral në orën 09:31 minuta me orën tonë, me raketën Delta IV Heavy, pas shtyrjes 24 orëshe të këtij procesi, për shkak të problemeve teknike që u hasën të shtunën në mëngjes teksa kishte nisur numërimi mbrapsht.

Sonda Parker ka madhësinë e një makine dhe peshon pak më shumë se 600 kg. Ajo do udhëtojë në hapësirë përgjatë një orbite fort eliptike do arrijë një shpejtësi prej mbi 600 mijë km në orë, duke u bërë kështu mjeti hapësinor më i shpejtë në histori.
Për t’iu afruar diellit, sonda Parker do shfrytëzojë tërheqjen gravitacionale të Venusit, përmes 7 kalimeve tepër të afërta me të. Gjatë misionit gati 7 vjecar, sonda do realizojë kalimin në 24 orbita rreth diellit, deri sat a prekë nga afër, duke u zhytur në temperature deri në 1.377 gradë.

Lëshimi i sondës ishte tepër emocionues, për astrofizikanët e laboratorit të NASA-s. Me Informacionet që do sjellë sonda që do prekë diellin, do kuptohet se çfarë e shkakton ngrohjen dhe përshpejtimin e erës diellore e të pjesëzave energjitike, pjesë e stuhive magnetike diellore. Të dhënat e para do mbërrijnë në muajin dhjetor dhe do japin rezultatet nga afrimi i parë me Diellin./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono