mustafa nano

pirro-misha.jpg
nev ila21:00 | 07/06/2019

Studiuesi Pirro Misha, ka qenë një nga të ftuarit e Provokacija-s natën e sotme me gazetarin Mustafa Nano. Studiuesi ka folur në lidhje me krizën politike në vend dhe protestat e opozitës. Sipas Mishës dhuna apo thirrjet për kryengritje, nuk janë veprime që tregojnë për një demokraci të vërtetë. Më tej Misha deklaroi se pas zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, do të duhet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi populli duhet të shprehë vullnetin e tij gjithsesi.

Unë mendoj që ka një gjë , është vështirë të japësh formula sepse secili nga ne është pjesë e subjektivizmit të vet. Unë mendoj që Shqipëria do shkoj në zgjedhje deri në datën 30 qershor, zgjedhjet lokale do bëhen në mënyrë të panatyrshme, por menjëherë pas asaj ka nevojë për kompromise e për zgjedhje të parakohshme. Sepse sidoqoftë populli pas kësaj që ndodhi, traume, duhet të shprehë vullnetin e vet, ti krijohen kushtet. Shpresoj që pas këtij muaji të ketë një ulje të pasioneve. E shoh Z. Basha nën presion të jashtëzakonshme dhe jo vetëm brenda partisë por edhe elementë jashtë politikës, të cilët kanë një fluturim të fantazirave të tyre”, tha Misha./abcnews.al

mustafa-nano-provokacija.jpg
nev ila20:45 | 07/06/2019

Ju ftoj ta shikoni këtë foto, nuk është një skenë pedofilie, është David Beckham, ish-futbollisti i Manchester United që po puthet me vajzën e vet, nuk është skenë inçesti, është një shprehje e afeksionit të babait, që në këtë rast është David Beckham, ndaj vajzës së tij 7-vjeçare“. Këtë mendim ndan drejtuesi i Provokacija-s gazetari Mustafa Nano.

“Ka bërë shumë jehonë kjo foto sepse foton e ka publikuar në një nga rrjetet sociale, dhe është një gjë që David Beckham e bën vazhdimisht, herë pas here kur ka ditëlindjen apo kur ka rrethana të tjera festive, gazmore, i publikon. Si herët e tjera, edhe këtë herë, ka pasur një feedback të fortë, ka pasur jehonë të madhe, publikimi i fotos nga David Beckham. Një pjesë e njerëzve, thuhet që janë shumica e njerëzve, e kanë kritikuar, qortuar, e kanë konsideruar si gjest të papërshtatshëm, qoftë gjestin e puthjes së babait me të bijën e vogël 7-vjeçare në buzë, qoftë edhe gjestin e publikimit të kësaj fotoje në rrjetet sociale. Por ka patur edhe njerëz që kanë thënë, atë që mendoj edhe unë në fakt dhe që shpresoj ta mendojnë edhe shumë të tjerë këtu në Shqipëri me ju që po e dëgjoni; që kjo është thjesht një shprehje afeksioni e babait ndaj të bijës, ndoshta edhe ndaj të birit, tha Nano në monologun e tij.

Por gazetari Nano e di që shumë prej baballarëve, zgjedhin ta bëjnë ose të mos e bëjnë këtë gjest me fëmijët e tyre, por kjo sipas tij, është mënyra e tyre për të shprehur dashurinë apo afeksionin ndaj fëmijëve të tyre.

Nuk është se të gjithë baballarët e bëjnë këtë gjë apo se duhet ta bëjnë këtë gjë, përkundrazi janë pakicë por ata që e bëjnë duan të manifestojnë këtë shprehje afeksioni ndaj fëmijës së tyre, ka zgjedhur këtë mënyrë për ta manifestuar. ndër kritikët e mëdhenj që ju bë kësaj fotografie të publikuar ishte edhe një kolegu im në Britaninë e madhe, Pierce Morgan, i cili reagoi edhe në mënyrë brutale, por kishte edhe të tjerë që thanë se kjo mund të pranohet si fotografi por problemi është pak i rrezikshëm sepse nuk dihet se kur ndalohet kjo sjellje, me gjestin që bën, puthje buzë më buzë. Sipas meje, ky është merak i kotë sepse njeriu vjen një moment ndalon, ne gjithmonë edhe fëmijët tanë kur janë të vegjël i puthim në faqe por kur rriten nuk i puthim më në faqe. Ndoshta i puthim gjithë jetën mbase por vjen një moment që fëmija rritet, bëhet burrë dhe ne kemi kujdes, mbajmë një lloj distance me fëmijën tonë. Kështu që është një proces që ndodh në mënyrë të natyrshme. Mua më duket se prindërit si David Beckham nuk janë problem. Kur vjen puna te diskutimi mbi prindërit, më duket që problem janë prindër të tjerë. Janë prindër që ndoshta nuk i puthin fëmijët në buzë por që në të njëjtën kohë janë prindër që ushtrojnë dhunë ndaj fëmijëve të tyre, janë prindër që fëmijët i braktisin dhe mund të bëjnë edhe gjëra të tjera më të rënda. Sipas meje, këta prindër janë problem. Sipas meje pikërisht këtu duhet të ndalemi me kritikat tona, ndaj këtyre prindërve, jo tek prindër të llojit David Beckhamit. Më duket një moral dhe reagim hipokrit e gjithë kjo që përfaqësohet nga kritikët e këtij gjesti, që sipas meje është normale. Unë vetë nuk bëj pjesë te ata baballarë që puthin fëmijët në buzë, qoftë edhe kur janë të vegjël, por kjo është një zgjedhje që kam bërë unë. Kështu jam unë, ka të tjerë që e bëjnë siç është David Beckham”.

Më pas Nano sjell në vëmendjen e publikut edhe një rast të një babai shqiptar, i cili kishte puthur djalin e tij të vogël në pjesët intime e që ishte proceduar penalisht për gjestin e tij. Për gazetarin këto janë përpjekje qesharake, madje groteske, për të parë inçest apo pedofili aty ku nuk ka.

Mua më kujtohet që para disa vitesh në Itali, një baba shqiptar, me fëmijën e vet 1 apo 2 vjeçar që e kishte në krah, lakuriq, e mbante në krah dhe në një moment të caktuar e puth tek bibilushi. Dikush e sheh e fotografon dhe babain e procedojnë në mënyrë penale edhe në momentin që morën vesh se ai ishte fëmija i tij. Kam përshtypjen që kjo është një skenë groteske, ka ndodhur në Itali ndodh edhe në shumë vende të perëndimit. Mua më duket groteske, më duket se ky është, “ta shtrish namuzin në nivele qesharake”. Më duket përpjekje qesharake për të parë pedofili dhe incest aty ku nuk ka një gjë të tillë. Ka thjesht një shprehje të afeksionit të prindit ndaj fëmijëve të tyre”.

Pra në monologun e sotëm Mustafa Nano shprehu mendimin e tij se në këto gjeste, të prindërve me femijët e tyre, nuk ka asgjë përtej afeksionit për fëmijwn./abcnews.al

 

 

 

doda-1280x720.jpg
ent ela20:57 | 04/06/2019

Sekretarja e Përgjithshme e PDIU-së Mesila Doda ka folur në studion Provokacias për situatën aktuale politike në vend. Në këndvështrimin e saj Doda thekson se në ëkto kushte vendi po shkon drejt përplasjes.

“Kjo situatë nuk ka ardhur në këtë pikë nga një hiç, por është përshkallëzuar. Në këto kushte mendoj se po shkohet drejt përplajsjes. Unë shikoj që vendi po shkon përditë e më keq. Vetëm dje dhe sot çdo qeveri duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Sot flitet për rivendosjen e vizave. Është shumë e rëndë si fenomen dhe të kthehemi mbrapsht shumë vite dhe kjo ka vetëm një emër rritjen e kriminalitetit”.

Sipas Dodës ka një krizë të madhe ekonomike dhe një depresion social.

“Ka një krizë të madhe ekonomike dhe një depresion social. Sot ne jemi të pamundur që të konsiderohemi treg, për shkak edhe të faktit që popullsia është rrudhur. Çdo gjë që po ndodh të çon drejt një fundi të paralajmëruar”.

Zgjidhja për poltikanen do të ishte garancia për zgjedhje normale pa banda dhe kriminelë, le të ishte kjo ehde qeveri socialiste, por pa njerëz të inkriminuar.

“Një qeveri që do kishte siguruar kushte normale. Le të jetë qeveri e PS, por me njerëz që nuk janë përfolur për vjedhje vote dhe kriminale, por të ketë edhe garanci që sigurojnë zgjedhje normale në vend.

Do të duhet të shohim mënyrat më të mira por edhe me këtë sistem të kishim garanci që s’do lëshohen bandat dhe të jenë të mbrojtura me urdhër nga lart”.

Doda sugjeron modelin qytetar dhe jo atë të forcës. Është kjo këmbana e alarmit sipas saj që na rrezikon të zhbëhemi.

“Ne nuk mund të ulim kokën para forcës, ne nuk duhet te kemi model inspirimi të fortin. Duhet të kemi modelin qytetar, modelin që sjell pozitivitet, ndryshe do zhbëhemi. Kjo është këmbanë alarmi”.

Sipas Dodës këtë vend e kanë bërë bashkë demokratë e socilistët, por në këtë rast ekziston një hendek i madh që për të është tepsia.

“Flasim për njerëz që kanë bër histori në PS. Këtë vend e kanë bërë bashkë demokratët e socialistët kanë gjetur rrugën, por mes rilindësve e demokratëve dhe socialistëve, është një hendek i thellë. Është tepsia”. /abcnews.al

 

 

 

 

MONOLOGU-1280x720.jpg
ent ela20:12 | 04/06/2019

“Gara për të fituar vëmendjen e myslimanëve që në rrethana politike e elektorale janë edhe votues, i bën  politkanët shqiptarë qesharakë dhe butaforikë”. Është ky mendimi i drejtuesit të Provokacijas Mustafa Nano, i cili u bën apel që të shmangen nga situata të tilla duke qenë se ata nuk janë besimtarë, por ateistë.

“…. Po më pas kur ezani hesht, çfarë bëhet me poteren?

Ç’bëhet me flakadanët? Po për besimtarët kush mendon me respekt? … Megjithatë në sofrën e iftarit ka vend për të gjithë, edhe për hipokritët, për të cilët i shenjti Kuran dëshmon që janë kureshtarë…. Në Kuran vazhdojmë lexojmë, se “ka njerëz, që e marrin Zotin për dëshmitar të zemrës së tyre, por në të vërtetë janë ngatërrestarë dhe të pandreqshëm…”. Lidhur me ta, Kurani porosit, “mos qentë e thënë t’i bësh më të voglin dëm myslimanit, por dhe kujtdo besimtari tjetër, klithma e të cilit prej arrogancës tënde vjen te unë pa dallim dhe vjen si të thuash gjithmonë një kohë kur e mira dhe e keqja që ecin bashkë krah për krah, duke iu fshehur njëra-tjetrës, përplasen. E mira, shpesh herë duket e dobët. E keqja rëndom duket e fortë, por në përplasjen mes tyre më shpesh triumfon e para sesa e dyta.” … Kurani nuk i përjashton kundërshtarët, i nënkupton si pjesë e jetës por thotë luftoni, luftoni kundërshtarët, por pa dalë nga shtegu i Zotit. Mos u bëni faqezinj dhe bukëshkalë, se Zoti nuk i do bukëshkalët. Lufto pra vetë, fundja përgjegjës je vetëm për vetveten dhe sjelljen tënde dhe shtegu i Zotit për ata që s’besojnë është ai i arsyes. Zoti ndihmon këdo që në shtegun e arsyes kërkon ndihmë dhe i ndriçon arsyen kujtdo që atij i drejtohet pa i diktuar se çfarë duhet të besojë dhe kë duhet të besojë…..

Edi Rama

Mustafa Nano: Nuk di ku i ka parë Rama këto, më duket lexim konvenjent që Rama i bën Kuranit. Më duket se komunikonte jo me myslimanët si besimtarë, por si votues. Është një varg fjalësh që nuk lidhen me njëra-tjetrën nuk formojnë dot fjali.

Nuk është hera e parë që politikanët përpiqen të marrin rolin e predikatoret fetar. kjo nuk u shkon fare se të gjithë politikanët shqiptarë janë ateistë dhe gjithë predikimet i kanë dëngla fetare.

Rama është ateist, ashtu si Berisha e Basha, nuk kanë dhënë shenja për besimtarë dhe kur dëgjoj Ramën që predikon gjëra të tilla më vjen për të qeshur.

Dhe më pas nano sjell një tjetër fjalim të kreut të Partisë Demokratike, që sipas tij njësoj si fjala e Ramës është qesharake.

“Kjo kontratë e rrugës Milot-Balldre do të varroset. Edi Rama, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri, do të shkoni para drejtësisë. BETOHEM PARA KISHËS SË LAÇIT se ju presin hekurat. Hajdutëri nuk do të lejojmë. Kompanitë e ndërtimit që janë përfshirë në këtë histori t’i thërrasin mendjes, se do t’iu konfiskojmë çdo qindarkë. Do t’i trajtojmë si bandë të organizuar, se nuk i kanë lënë gjë krimit të organizuar. Harrojeni ju se do t’i lëmë njerëzit pa shkollë. Qindarkë për qindarkë do t’jua marrim paratë dhe do t’i kalbim në burg. Ndaj tërhiquni ju o oligarkë të babëzitur. Nuk e mbani dot gjallë kufomën e tij. Fundi i Tiranisë ka ardhur. BETOHEM PARA KISHËS SË LAÇIT”.

Lulzim Basha

Mustafa Nano: Për mua këto janë skena dhe fabula fantastike për të bërë estradë dhe unë do t’u bëja apel këtyre njerëzve që ta evitonin situatën kur vendosen në situata të tilla qesharake dhe butaforike. /abcnews.al

 

apostol-vaso.jpg
G. P.21:51 | 31/05/2019

Algologu dhe anestezisti Apostol Vaso ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija”. Ai tregoi në ABC News përballë gazetarit Mustafa Nano se çfarë është dhimbja fantome, një dhimbje që prek ato persona që kanë gjymtyrë të prera ose organe të hequra. Sipas Vasos, këta individë ndiejnë dhimbje shumë të forta.

“Fantazma është jo që mbizotëron jo si fjalë, por si koncept te dhimbja e këmbës së prerë. Që të shpjegohemi. Ajo është konsideruar një mister trajtimi i saj. Është shkencë e pastër neuro-biologjike. Trajtimi i dhimbjes së këmbës që nuk është. Domethënë dhemb këmba që mungon dhe ndihet sikur është këmba që mungon në 80 përqind të atyre që kanë këmbën e prerë, ose gjymtyrën e prerë. Biles edhe atyre që heqin ndonjë organ. Gjiri, zemra, në fakt kur ndërrohen kanë sensacion fantom. Nuk përjashtohet të kenë edhe dhimbje fantom. Është dhimbje që ekziston, por që nuk e perceptojmë ne. E percepton i sëmuri, por jo ne. Këtu qëndron gjithë çështja. Është dhimbja klasike. Nëse fillon mëson dhimbjen fillon mëson dy lloje dhimbjesh. Është neurobiologji e pastër. Është fusha ku shikohet nga një derë që sapo është hapur. Është e vjetër sa vetë jeta. Dhimbja fantom nuk është një dhimbje që ti e shikon, dhe nuk bën dot lidhjen e asaj që i sëmuri thotë dhe ndien me atë që ti shikon. Ne jemi mësuar që dhimbjen ta shikojmë pjesë të një organi. Është dhimbje shumë e fortë. I sëmuri ndjen dhimbjen e gishtave që nuk i ka. Ose ndjen shtrëngim, ose si tel”, tha Vaso.

Ky përfundimi i Vasos ka ardhur si rezultat i një studimi me doktorë të tjerë të huaj. Ai theksoi më parë se më përpara mendohej se kjo çështje shikohej si problem në tru. Mirëpo pas hulumtimeve, Vaso ka treguar se ka gjetur vendin, i cili shkakton dhimbjen fantom.

“E vërteta vjen nga ai që ndien jo nga ai që e shikon. Studimi jonë është rezultati i parë në botë. Për herë të parë në historinë e mjekësisë botërore moderne që është marrë një rezultat, sepse kujtohej që është problem i një ngatërrese në tru. Në tru janë qendrat që reflektohen pjesët tona të trupit. Nëse ne presim këmbën, zona përgjegjëse në tru zvogëlohet dhe pushtohet nga zonja tjetër fqinje. Nëse ti kishte krahun e prerë, zona e buzës ishte fqinje me të, dhe ti kur kruaje buzën të dhimbte dora. Hipoteza nuk është e imja, por e një Nobelisti të quajtur Patrik Uoll. Patriku është në fakt pasuesi i saj.

Ne e përjashtuam trurin nga dhimbja fantom dhe gjetëm vendin, i cili sot akuzohet se është shkaktari për këtë dhimbje në periferi. Ai është një vend sa del nga palca e kurrizit siç del nervi. Sot janë bërë dhe neurostimulatorë, të cilët shiten dhjetë mijë dollarë për këtë histori dhe dhimbja eliminohet në 100% të rasteve”, tha doktori./abcnews.al

mustfa-nano.jpg
G. P.20:04 | 31/05/2019

“Shqiptarët janë njerëz që faktikisht kanë dalë nga mali. Për ata është njësoj nëse bëjnë luftë apo rrojnë në paqe”. Është kjo fraza e kryeministres serbe Ana Brnabiç, të cilën e deklaroi gjatë një konference dhe ka ngjallur reagime të shumta.

Në lidhje me këtë çështje, Mustafa Nano në monologun që mbajti këtë të premte solli në vëmendje edhe një shprehje tjetër të një shkrimtari serb.

“Shqiptarët me bisht janë dy llojesh, me bisht kali të vogël e me bisht dhie. Janë njerëz të fortë shumë, e sidomos janë rezistentë gjatë ecjes më këmbë. Para disa vitesh vdiq njëri prej tyre, i cili ecte shumë, si të ishte një personazh përrallash. Ky njeri kishte një bisht dhe kur dilte për të kryer nevojat fiziologjike, e mbante bishtin me dorë për të mos e bërë pis”, thotë Vlladan Gjorgjeviç në një libër ndaj shqiptarëve.

Ai është bazuar në fjalët e një albanologu të njohur shqiptar, George Von Hahn, i cili pasi kishte dëgjuar nga vetë shqiptarët ishte munduar ta shikonte vetë diçka të tillë.

“U përpoqa mjaft të shihja një njeri të tillë, por pa sukses; të gjithë mjekët e ushtrisë turke, të cilët i pyeta mbi këtë çështje, më thanë se kjo ishte një përrallë; ata nuk kishin parë kurrë një njeri me bisht, ndonëse vit për vit kontrollonin me mijëra rekrutë të rinj nga të gjitha viset e perandorisë”, ka shkruajtur studiuesi Georg von Hahn.

Mustafa Nano i konsideron broçkulla këto deklarata, mirëpo i kupton për shkak të kohës ku Gjergjeviç ka jetuar. Mirëpo ajo që duket banale për të është deklarata e lëshuar së fundmi nga kryeministrja Brnabiç. Ajo frazë e Brnabiç e ka shokuar moderatorin Mustafa Nano.

“Gjëra të tilla kanë qenë të së shkuarës, por tani na del një personazh tjetër që na quhet Ana Brnabiç, e cila është kryeministre e Serbisë. Në një takim, në një konferencë për shtypin në Serbi, duke pasur në krahë ambasadorin e BE-së në Beograd, mesa di unë. Në mos ka qenë ai, ka qenë një përfaqësues i vendeve anëtare të BE-së. Aty ka thënë “Shqiptarët janë njerëz që faktikisht kanë dalë nga mali. Për ata është njësoj nëse bëjnë luftë apo rrojnë në paqe”. Unë e kuptoj Gjorgjeviçin që ka thënë atë që thashë në fillim të shekullit të shkuar sepse e kuptoj kur marr parasysh të gjitha sentimentet serbe në raport me shqiptarët, por në vitin 2019 të dalë dikush në Beograd dhe ky dikush është kryeministër dhe të këpusë një broçkull të tillë, kjo mua ma heq petllën. Unë kisha menduar për kryeministren Ana Brnabiç kisha menduar mirë gjatë gjithë kohës. Më dukej një vajzë e mirë, e pjekur, por mesa duket nuk ka qenë kështu. Mesa duket jemi të dënuar këtu në Ballkan që të dëgjojmë pafund gjëra të tilla të një banaliteti të pashoq. Se ky i përfaqësuar nga Ana Brnabiç është një banalitet që nuk ka shoq. Unë kam ngelur i shtangur”, tha Nano./abcnews.al

besart-kadia.jpg
G. P.21:46 | 28/05/2019

Sipas ekspertit të ekonomisë, Besart Kadia, shoqëria në Shqipëri ka një krizë të thellë kulturore.

Gjatë emisionit “Provokacija” të Mustafa Nanos, pedagogu u shpreh se qytetarët vuajnë një mungesë besimi, e cila bën që të ndërtohet një konflikt i përhershëm dhe më pas sjell kriza të tjera.

Sipas tij, në vendin tonë ka krizë të thellë të simboleve dhe zakoneve. Si shembull, Kadia mori Ditën e Çlirimit dhe të rinjtë që duan të emgrojnë jashtë vendit.

“Këtu mënyra e botëkuptimit është aq e fortë saqë e bën të vështirë një dialog dhe ka një krizë të thellë kulturore si shoqëri. Nuk është më një krizë politike e mirëfilltë, por është një krizë kulturore e thellë. Do thoja elementët e përbashkët si zakonet, simbolet, sistemet e bashkëpunimit. Ne kemi shoqëri, e cila në formën e vlerave të përbashkëta, ne kemi minimalisht Ditën e Çlirimit konfuze. Është data 28 apo 29 Nëntor dita që duhet të festojmë? Në rast se opozita dhe qeveria shkojnë të dy në krahë të ndryshme kur është dita e përkujtimit të dëshmorëve, ne jemi sërish pa simbole të përbashkëta.

Në rast se të rinjtë thonë që 70% e tyre duan të largohen nga vendi, s’kanë besim te institucionet e vendit këtu jemi në një krizë të thellë të simboleve apo zakoneve të përbashkëta. Pra ne ndihemi aq shumë që s’mund t’i përkasim kësaj shoqërie saqë nuk mund të ndërtojmë asgjë. Pra as demokracinë nuk e ndërtojmë dot se nuk besojmë te ai në krah, por as ekonominë nuk e ndërtojmë dot se nuk besojmë te biznesmeni që na shet një produkt. Kemi mosbesim te ushqimet? Kemi mosbesim te partitë politike se themi janë të korruptuara të gjitha? Kemi ne mosbesim te mjekët se mendojmë që janë aty vetëm për të vjedhur. Kjo çështje mosbesimi bën që të ndërtohet një konflikt i përhershëm dhe nuk ka besim. Dhe mungesa e besimit sjell pastaj kriza të tjera politike, ekonomike sociale etj, me radhë”, tha Kadia./abcnews.al

koco-kokedhima-provokacija.jpg
nev ila21:30 | 28/05/2019

I ftuari i ditës së sotme në Provokacija me Mustafa Nano, ka qenë Koço Kokëdhima, kreu i partisë “Zgjidhja”. Gjatë bisedës Kokëdhima ndau opinionet e tij në lidhje me krizën politike në vend, gjithashtu kreu i “Zgjidhja” shpalosi idenë e tij për zgjidhjen e krizës politike.

Mustafa Nano: Në lidhje me Unazën e re, qëndrimi i Koço Kokëdhimës ndaj protestës?

Koço Kokëdhima: Unë e kam perceptuar shëmtinë e kësaj që ndodh që në momentin kur u bëra deputet në jugun e Shqipërisë, kur qeveria vendosi të prishte “Trans-ballkaniken”, të prishte ndërtesat gjithandej në gjithë vijën e bregdetit, nga Vlora deri në Ksamil. Brenda nesh ne i kemi dhënë zgjidhje kësaj çështjeje, nuk është e lejueshme që qytetarët e Shqipërisë të diskriminohen negativisht lidhur me një mëkat të tranzicionit shqiptar që ka lidhje me zhvillimin kaotik urban të Shqipërisë. Për të njëjtin krim njerëzit duhet të ndëshkohen njësoj, nuk mundet që ca njerëz që kanë ndërtuar në “Lanë” tu prishen ndërtesat pa kompensim dhe në vende të tjera të marrin kompensim apo edhe të legalizohen. Ndërtimet që janë ndërtuar deri në vitin 2014 nuk duhet të çohet ndërmend që të prishen. Duhet të kujtojmë që në komunizën, kur shtëpitë e njerëzve i prishte zoti me tërmete, i rregullonte falas, për 6 muaj u bënte shtëpitë e reja njerëzve. Nuk është interesi publik që udhëheq këtë politikë.

Mustafa Nano: Nuk e prisja këtë mirëkuptim që keni ju me njerëzit që kanë ndërtuar pa leje, është e vërtetë që kanë ndërtuar nën vëzhgimin dhe inkurajimin e qetë të qeverive, pse nuk mendoni pak për qindra të tjerë, që nuk e kanë çuar kurrë në mendje të bëjnë një gjë pa leje?

Koço Kokëdhima: Gjithë kjo pasuri e madhe e paligjshme e ndërtuar në Shqipëri, kjo pasuri kur zhduket pa gjurmë është një pasuri e humbur, ndërsa kur hyn në qarkullim një pasuri e fituar, kemi fituar një pasuri kombëtare. Asnjë lloj përfitimi ekonomik nuk ka Shqipëria nga kjo lloj politike që ndjekin qeveritë e të dy palëve, edhe PD edhe PS. Ligjin e parë për këtë çështje e ka bërë Partia Demokratike, i cili diskriminoi qytetarët e Shqipërisë përmes projekteve publike. Të dyja qeveritë kanë bërë këtë që po ndodh sot, ku qytetarët janë pa alternativë. Nuk ka interes Shqipëria nga kjo politikë, përkundrazi Shqipëria ka interes ti legalizojë këto. Çdo ndërtim i bërë përpara vitit 2014 nuk duhet të prishet. Qeveria socialiste e ka bërë një gjë të mirë, që ka nxjerrë një vendim të cilit nuk i ka qëndruar besnik dhe nuk i ka rezistuar joshjes për përfitime elektorale. Në zgjedhjet e 2017 kjo qeveri ka toleruar ndërtime të paligjshme gjithandej. Ka ndërtuar pallate në Qeparo, ka lënë të ndërtohen pa leje në gjithë bregdetin e Himarës gjatë fushatës së 2017-ës.

Mustafa Nano: Dua të hidhemi pak te situata politike, është shumë e ndezur dhe kam frikë. Ju gjithashtu keni vendosur të mos merrni pjesë në zgjedhje dhe ky është një vendim i marrë nga shumë parti. Kam frikë se ky vendim mund ta fusë vendin në një lloj përplasje që do na dëmtonte të gjithëve, e keni ju këtë shqetësim?

Koço Kokëdhima: Ne nuk kemi qenë ndonjëherë më keq se sa në këtë moment, e themi këtë se për fat të keq Shqipëria kalon nga një e keqe, në një të keqe më të madhe.

Mustafa Nano: Unë e kam konsideruar Edi Ramën një problem për vendin por kam përshtypjen që ekzagjerohet kur thuhet se Edi Ramën nuk mund ta mundë njeri.

Koço Kokëdhima: Kjo situatë kaq e keqe që mishërohet nga ky drejtues shteti i qeverisë së Shqipërisë i vishet cilësive personale të tij. Ky fenomen është i lidhur me sistemin politik, kjo qeverisje e papërgjegjshme dhe autokratike e korruptuar e Edi Ramës është e lidhur jo thjesht me këtë person, si person, por është e lidhur me sistemin, me rënien e të gjitha institucioneve që do të ishin garante. Sot jemi në mëshirë të fatit dhe e vetmja aftësi reaguese dhe i vetmi institucion që mund të reagojë është marrëveshja e këtyre dy njerëzve, Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Në 12 vjet kanë ndodhur 10 kriza si kjo e tanishmja. Kemi patur bojkotim zgjedhjesh, shtyrje zgjedhjesh, bojkotim parlamenti çdo 2 vjet, pse kjo krizë është ciklike? Kush i bën këto kriza? Këto kriza i prodhon sistemi jonë politik. Shqiptarët nuk kanë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre sepse ato të drejta i kanë marrë këta zotërinjtë që kanë marrë peng Shqipërinë. Këta vijnë në pushtet si kalorës të krizave për shkak të sistemit, këta bëjnë kur të duan kriza në funksion të përfitimeve personale politike.

Mustafa Nano: Pse ikët nga zgjedhjet?

Koço Kokëdhima: Ikëm jo për një tekë, por sepse kriza do të prodhojë krizë tjetër si pasojë e një pazari të radhës. Na duhet një fillim i ri, një pakt kombëtar mes gjithë faktorëve politikë, grupeve të interesit, mes gjithë figurave të shquara, inteligjencës, pedagogëve. Pakti kombëtar duhet të zgjidhë të gjithë çështjet në themel të Shqipërisë, duhet ti rikthejë sovranitetin popullit, duhet të hiqet monopoli i zgjedhjeve. Nuk ka zgjidhje pa një fillim të ri./abcnews.al

mustafa-nano-3.jpg
G. P.20:58 | 28/05/2019

Në monologun e tij gjatë emisionit “Provokacija” Mustafa Nano u ndal në thirrjet fetare që grupi i tifozëve të Tiranës lëshoi gjatë ndeshjes ndaj Laçit. Në sfidën që u zhvillua të dielën, tifozët dëgjoheshin të thirrnin “Allahu Ekbar” ndërkohë që nxiteshin nga njëri prej tyre, i cili thërriste “Tekbir”.

Nano ka mbetur i shokuar nga kjo ngjarje. Megjithatë, ai nuk i konsideron personat e përfshirë në këtë ngjarje as besimtarë dhe as tifozë sepse sipas tij nuk mund të jenë tifozë njerëzit që shkallët e stadiumit i kthejnë në xhami.

“Mbeta pa fjalë, por të thuash mbeta pa fjalë është shumë pak. Unë u shokova, u trondita, nga kjo trimëri, nga ky guxim i disa djemve, të cilët identitetin e tyre fetar ta shpalosin në mënyrë spektakolare në shkallët e një stadiumi. Dikush mund të thotë që këta nuk janë as besimtarë dhe as tifozë. Në fakt edhe unë kështu mendoj, këta nuk janë as besimtarë dhe as tifozë. Por nëse dikush vë dorën në zjarr dhe thotë që janë besimtarë këta, unë jam i sigurtë që këta nuk janë tifozë. Nuk mund të jenë tifozë njerëzit që shkallët e një stadiumi i kthejnë në një xhami. Në Prishtinë kohët e fundit patëm një iftar të shtruar nëpër rrugë që për mua është një gjë e shëmtuar. Megjithatë nuk e krahasoj me këtë”, tha Nano.

Të gjithë ngjarjen, moderatori i emisionit e ka konsideruar si një show të shëmtuar, ndërsa grupin e tifozëve si një masë talebanësh, për të cilën i bën thirrje drejtuesve të Klubit të Tiranës që të distancohet nga ata.

Ky për Nanon është një problem shumë i rëndësishëm pasi përbën thembrën e Akilit për vendin tonë. Kjo pasi që në momentin që jemi formuar, kombi shqiptar është shpikur si një etnitet multifetar dhe uniteti mund të komprometohet nga këto sjellje.

“Ajo që ne pamë është një show i shëmtuar që duhet ndaluar. Do doja t’i bëja thirrje drejtuesve të Tiranës që të mbajnë distancë nga ky grup tifozësh sepse nuk janë tifozë, nëse drejtuesit e klubit të Tiranës nuk do donin të futeshin në Guinnes sepse nuk ka ndodhur në një vend tjetër. Do doja që drejtuesit e Tiranës të ndalonin në këtë moment që të ndanin masën e madhe të tyre nga kjo masë e vogël talebanësh. Edhe tifozët e Tiranës vetë të marrin distancë nga ky grup i vogël që janë aty për qëllime politike. Do doja t’u bëja thirrje dhe kolegëve të mi që kanë studio të ngjashme me timen që në vend që të ndalen pambarimisht dhe të diskutojnë lidhur me Bashën, Ramën, Metën, Sali Berishën, do doja të ndalnin diskutimet e tyre dhe tek ky problem sepse është një problem i madh. Ky ekspozon thembrën tonë të Akilit. I bëj thirrje edhe eksponentëve të politikës që këto kohë po kacafyten që në vend që të merren me çikërrimat do doja ta drejtonin vëmendjen dhe tek ngjarje të tilla që mund të ketë pasoja të rëndësishme në jetën e një kombi siç është kombi shqiptar që ngrihet mbi strukturën shumë fetare të tij. Do doja t’i bëja një apel edhe intelektualëve myslimanë shqiptarë që i shoh herë pas here që shkruajnë për çështje të ndryshme që na shqetësosjnë. Kjo është Ok, u heq kapelen, por do doja të ndaleshin te problemet me komunitetin mysliman të cilit i përkasin, të ndaleshin tek gjërat e tilla, çështjet e tilla që na turpërojnë si komb. Kjo tendencë, për t’i nxjerrë emocionet dhe sentimentet fetare në rrugë na turpëron si komb, na nxjerr në mesjetë dhe mendoj se intelektualët myslimanë duhet të jenë të parët që duhet të reagojnë. U bëj thirrje imamëve në Shqipëri që të distancohen nga këta djem dhe të thonë që nuk përfaqësojnë islamin nëse është e vërtetë që nuk përfaqësojnë islamin. Do doja shumë që imamët ta bënin këtë gjë, por kam frikë se nuk do ta bëjnë këtë gjë sepse i shoh të terrorizuar, janë njerëzit më të trembur nga njerëz të tillë. As në studiot televizive nuk vijnë për të folur për gjëra të tilla. Jam realisht i shqetësuar sepse përsëris idenë time që e dinë të gjithë, shoqëria shqiptare, kombi shqiptar, qysh në krye të herës, është formuar, është shpikur si një etnitet multifetar dhe ky komb do ruhet si i tillë, mirëpo ne këtë unitet do ta kompromentojmë nëse tolerojmë sjellje të tilla”./abcnews.al

Sokol-Balla.jpg
nev ila21:45 | 24/05/2019

Sokol Balla, gazetar dhe analist, sot në mbrëmje ka qenë i ftuar në emisionin Provokacija, me gazetarin Mustafa Nano. Balla ka ndarë opinionin e tij në lidhje me situatën politike aktuale në vend. Gazetari u shpreh se nuk beson se ka arsye që situata politike, të çojë vendin në një përplasje civile. Më tej, Balla tha se, të gjithë ata që kërkonin që vendi të shkonte në përplasje civile për të larguar Edi Ramën,  ishin të njëjtit persona që kërkuan të njëjtën gjë në 1997 për të larguar Sali Berishën.

Mustafa Nano: Ke shumë zëra publikë, intelektualë, gazetarë, që unë i shoh aktiv, dhe  janë të rreshtuar dhe të sigurtë, në opinionet që japin, nuk i vënë kurrë në dyshim ato dhe promovojnë përplasjen, e quajnë si mjet natyral.

Sokol Balla: Të kesh opinion dhe një opinion të sigurtë, janë dy gjëra që nuk shkojnë. Opinioni nuk mund të jetë asnjëherë i sigurtë. Shumica e këtyre që flasin me siguri të plotë, për shkak se janë të rreshtuar nuk u intereson fare informacioni, atyre u intereson e vërteta e tyre subjektive. Unë jam gazetar i faktit dhe e di se për kë flisni. Është e njëjta kategori, që unë i njoh shumë mirë, kam punuar me ta, kam bashkëpunuar në ambiente profesionale me ta, dhe janë të njëjtit njerëz, që donin që Shqipëria të digjej në vitin 1997 vetëm të ikte Sali Berisha nga pushteti. Pra janë të njëjtat emra. Atë kohë për shkak të miqësisë së afërt me ta, debatoja, dhe nëse do kisha mundësi edhe tani do u thoja: Po digjet Shqipëria, po ne ku do jetojmë? Pra janë të njëjtët emra që kërkojnë të digjet gjithçka vetëm që të iki Edi Rama nga qeveria. Gjithsesi nuk besoj që sot janë të tilla kushtet dhe arsyet që të shkohet në përplasje civile./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono