mother jones

arben-ristani-2-1280x661.jpg
ent ela13:09 | 13/03/2018

Sekretari i përgjithshëm i PD Arben Ristani ka përsëritur në studion e ABC News se PD nuk ka asnjë shqetësim për akuzuar që i adresohen pasi kontratat dhe financimet e saj janë transparente dhe ligjore. Nga ana tjetër Ristani zbulon se ka nisur konsultimet me Ridvan Boden e kritikët e tjerë të Bashës, në prag të Kuvendit Kombëtar.

Sekretari i përgjithshëm i PD Arben Ristani deklaron se investigimi i “Mother Jones” është nxitur nga socialistët. Në studion e ABC News Ristani si zyrtari përgjegjës për kontratat e PD rrëfen edhe dy thirrjet në Prokurori, nëntorin e kaluar dhe të premten e kaluar.

Edhe akuzat e fundit të socialistëve për transparencë të financimit të aksionit 3 mujor të PD në cadër, për Ristanin janë taktikë për të tërhequr vëmendjen nga droga e krimi, pasi PD e ka transparent çdo akt.

Nga ana tjetër, Ristani që për shkak të pozicionimit që Basha i bëri në Vlorë, nuk është më deputet i PD, thotë se është takuar me Ridvan Boden, por edhe me kritikë të tjerë të bashës propozues  të platformës për ringritjen e PD dhe projektstatutin.

Ristani thotë se PD duhet të dëgjojë sugjerimet e Sali Berishës për të bashkuar e maksimizuar kontributet e të gjithë demokratëve./abcnews.al

 

 

mother-jones-1-1280x662.jpg
G. P.16:24 | 09/03/2018

Revista amerikane “Mother Jones” hedh poshtë çdo pretendim se është paguar nga kryeministri Edi Rama për investigimin për lobimin për PD në SHBA. Revista sqaron gjithashtu se investigimi i tyre nuk i ka dhënë përgjigje të plotë pyetjes që po shqetëson shqiptarët nëse kanë ndikuar rusët në politikën shqiptare apo jo.

Akuzave dhe kundërakuzave që dy partitë më të mëdha në vend i bëjnë njëra tjetrës pas pubikimit të investigimit të “Mother Jones”, revista amerikane i përgjigjet më me qetësi.
Pretendimeve të Partisë Demokratike se shkrimi përmbante fakte të sajuara dhe ishte paguar nga Edi Rama, revista amerikane i hedh poshtë.

“Akuza që “Mother Jones” mori pagesa nga Edi Rama për botimin e këtij artikulli është absurde. Ne kurrë nuk pranojmë pagesa për një hetim në asnjë rrethanë dhe sigurisht nuk e kemi bërë as në këtë rast. Polemikat mbi këtë histori kanë vazhduar. Një tjetër publikim hidhte dyshime se hetimi i “Mother Jones” ishte i njëanshëm sepse ka marrë 1.16 milionë dollarë në donacione nga dhuruesi demokrat George Soros. “Mother Jones” nuk ka marrë përkrahje nga asnjë prej organizatave të Soros në vite, dhe kur e ka bërë, shuma ishte shumë më e vogël se kjo”.

Revista Mother Jones i përgjigjet dhe deklaratës së ambasadës ruse duke e sqaruar se artikulli nuk flet për asnjë lidhje qeveritare ruse me këto kompani guaskë.

Ajo që ka më rëndësi në reagimin e revistës amerikane është të sqarojë pyetjen që kanë ngritur të gjithë: A e përdorën rusët sistemin politik në SHBA për të ndërhyrë në politikën shqiptare?

Përgjigja që jep “Mother Jones” nuk është as po as jo.

“Ne u përpoqëm t’i gjurmonim këto kompani të lidhura me Rusinë dhe përfaqësuesit e tyre duke ekzaminuar të dhënat e korporatave ruse, duke dërguar një gazetar në disa adresa në Moskë dhe duke dërguar kërkesa zyrtare përmes postës elektronike në Rusi, Ukrainë, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara. Ne kurrë nuk morëm një përgjigje të plotë. Por pyetja jonë ka shkaktuar tension”./abcnews.al

arben-ristani-1280x663.jpg
G. P.15:48 | 09/03/2018

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani u mor në pyetje mëngjesin e sotëm për kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Qershorit.

Ish-deputeti i PD, iu përgjigj fletëthirrjes së bërë dy javë më parë nga prokurori i çështjes Gjergji Tako. Ai ka dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës për rreth 30 minuta për kontratat me kompanite që loboi PD në SHBA. Ristani dëshmoi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm që ka dijeni për këtë çështje.

Sipas Ristanit, prokurorët morën indicie nga kontratat e publikuara në SHBA, ndërsa nuk ka asgjë për të fshehur, pasi pagesat për këto kontrata janë lëvruar përmes rrugëve bankare./abcnews.al

mother-jones-1280x667.jpg
G. P.20:54 | 08/03/2018

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë përplasur sërish sot publikisht mbi shkrimin e revistës investigative amerikane që aldonte se Lulzim Basha është financuar nga biznesmenë rusë për të lobuar në SHBA. Nënkryetarja e grupit parlamentar socialist Elisa Spiropali i ka kërkuar Bashës të përgjigjet për akuzat, ndërsa zëdhënësja e PD Ina Zhupa ka përsëritur se shpifjet e shkrimit janë financuar nga Edi Rama.

Për të dytën ditë radhazi, PS i kërkon Lulzim Bashës të zbardhë të vërtetën e parave që ka përdorur për lobim në SHBA, bazuar në artikullin investigativ të amerikanes “Mother Jones”. Nënkryetarja e grupit parlamentar socialist, Elisa Spiropali, ka deklaruar se duhet sqaruar historia e pagesës së errët të PD, për të nxirë imazhin e Shqipërisë në botë, me mbështetje ruse.

Elisa Spiropali: “Lulzim Basha duhet të thotë ku u gjendën ato para që u paguan në emër të PD-s. Pse ato para kaluan nga kanali i errët i një shoqërie guaskë? Me Kremlin pa Kremlin, kjo nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi në këtë mes, sepse paratë i ka paguar Lulzimi dhe i ka kaluar përmes guaskës në një ishull offshore, në shkelje të hapur të ligjeve të shtetit shqiptar dhe jo vetëm të shtetit shqiptar, po edhe të shtetit amerikan, sepse përndryshe askush në SHBA nuk do të harxhonte kohë dhe energji për të hetuar këtë zullum të madh”.

Partia Demokratike i është kundërpërgjigjur njëlloj si një ditë më parë, përmes zëdhënëses Ina Zhupa, duke i quajtur shpifje të paguara nga Edi Rama, konkluzionet e atij shkrimi

Ina Zhupa: “Por është akoma më e rëndë që një parti e tërë po angazhohet përherë e më shumë në mbrojtje të drogës dhe të krimit. Ajo që mbetet është ajo që ka rëndësi – Saimir Tahiri si trafikant dhe familja Rama e përfshirë në tregtinë e kokainës. Këta janë rreziku i destabilizimit të Shqipërisë”.

Në përplasjen e sotme, ra në sy edhe qëndrimi ndaj përgenjeshtrimit të një dite më parë nga ambasada ruse, sipas të cilës, akuzat e artikullit investigativ për përfshirjen ruse në lobimin amerikan të PD janë thjesht trillime.

Elisa Spiropali: “Për të mos lejuar asnjë keqkuptim, ne nuk do të dëshironim asnjëherë një konflikt të kësaj natyre me Kremlinin për faktin e thjeshtë se, pavarësisht se Rusia nuk hyn ndër partnerët tanë strategjikë e as përbën një pikë referimi në politikën tonë të jashtme, ne kemi dëshiruar e dëshirojmë marrëdhënie pozitive tregtare e kulturore me atë shtet”.

Ina Zhupa: “Akuzat me rusë të artikullit janë thellësisht qesharake, por për t’i bërë edhe më qesharake, sot ato i ripërcolli Elisa Spiropali”.

Një ditë më parë në revistën investigative amerikane “Mother Jones” u publikua një shkrim i gjatë e i detajuar mbi lobimin e Lulzim Bashës në SHBA, në të cilin thuhej se financues të PD-s ishin dy biznesmenë rusë. /abcnews.al

ina-zhupa-1280x661.jpg
G. P.16:57 | 08/03/2018

Sipas Partisë Demokratike shkrimi i publikuar në “Mother Jones”, është financuar nga Edi Rama me para të paligjshme. Sipas zëdhënëses së PD-s, Ina Zhupa, shkrimi është pjesë e një fushate të qëllimshme për të mbuluar kokainën dhe lidhjet e familjes Rama me të.

Ina Zhupa: “Shkrimi i publikuar në “Mother Jones”, një media ekstremisht e majtë, e njohur për qëndrimet e saj anti-Trump është financuar nga Edi Rama me para të paligjshme. Shkrimi është pjesë e një fushate të qëllimshme për të mbuluar kokainën dhe lidhjet e familjes Rama me të. Akuzat me rusë të artikullit janë tërësisht qesharake, por për t’i bërë ato edhe më qesharake, sot i përcolli Elisa Spiropali. Elisa, e cila nga puna në doganë duket se ka krijuar njohje të veçantë për oligarkët, ka bërë sot një sallatë ruse me oligarkë dhe me Kremlin. Është shenjë e një niveli të turpshëm, të korruptimit dhe inkriminimit të Partisë Socialiste, fakti që ruajtësja e nderit e PS është bërë Elisa Spiropali. Është akoma dhe më e rëndë që një parti e tërë po angazhohet përherë e më shumë në mbrotje të krimit dhe drogës. Dhe ky cikël akuzash të mercenarëve të paguar me paratë e kontrabandës dhe trafikut, qëkur Elisa ishte Drejtore e Përgjithshme e Doganave do të diskretitohen. Ajo që mbetet dhe ajo që ka rëndësi është Saimir Tahiri si trafikant dhe famija Rama e përfshirë në tregtinë e kokainës”./abcnews.al

Capture-8-1280x713.jpg
ent ela14:41 | 08/03/2018

Partia Socialiste ka reaguar përsëri për artikullin investigative të medias amerikane Mother Jones. Ndryshe nga një ditë më parë nënkryetarja e grupit parlamentar socialist ka kërkuar të mos krijohen keqkuptime për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kremlinin. Ndërsa kryetarit të Partisë Demokratike i kërkojnë përsëri që të japë japi llogari për paratë që sipas deputetes Spiropali sponsorizuan dëmtimin e imazhit të Shqipërisë. /abcnews.al

taulant-balla-1-1280x656.jpg
G. P.21:37 | 07/03/2018

Nuk i heqin asnjë presje investigimit të medias amerikane “Mother Jones”. Madje Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se kishin denoncuar prej disa muajsh transfertat e paligjshme, që pa asnjë deklarim Partia Demokratike ka bërë për llogari të lobistëve të saj përpara zgjedhjeve të 25 Qershorit 2017.

Taulant Balla: “Deklaratat e regjistruara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë dëshmojnë se fotoja me Presidentin Trump dhe mbështetja e një numri kongresmenësh, në prag të zgjedhjeve, i ka kushtuar Partisë Demokratike me qindra mijëra dollarë, prejardhja e të cilave nuk është bërë asnjëherë e ditur nga Lulzim Basha. Megjithatë, një investigim i një prej mediave më autoritare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nxjerrë në dritë dje të dhëna të reja skandaloze, të cilat lidhin direkt Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën me Kremlinin”.

Sipas këtij investigimi të bazuar mbi dokumentet zyrtare të Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Nick Muzin, lobuesi kryesor i demokratëve në SHBA, është paguar jo vetëm nga Partia Demokratike, por edhe nga një kompani fantazmë e regjistruar në Skoci, e quajtur “Biniatta Trade”.

Taulant Balla: “Kontrata e depozituar në Departamentin e Drejtësisë nuk lë vend për dyshime. “Biniatta” ka paguar 150 mijë dollarë direkt për llogari të Partisë Demokratike si kompensim shpenzimesh për Muzin.
Në vijim janë paguar edhe tre këste të tjera me nga 150 mijë dollarë secila, si dhe një pagesë fillestare prej 500 mijë dollarësh, në total 1 milion dollarë.
Por, kush është ky “bamirës” i fshehur i Lulzim Bashës”?

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste citon investigimin e “Mother Jones”, sipas të cilit, pronarët e vërtetë të “Biniatta Trade” janë dy shtetas rusë. Evgeni Sheremetijev, njëri prej ortakëve, ka të regjistruar në Rusi një kompani shërbimesh ligjore dhe një numër kompanish të tjera shërbimesh.

Të dhënat tregojnë se ai, duke shfrytëzuar lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin, ka fituar një numër tenderash të qeverisë ruse. Pra “shërbimet e tij ligjore” janë pajtuar nga vetë qeveria ruse, duke sjellë për Sheremetijevin përfitime të jashtëzakonshme.
Ortaku i dytë quhet Konstandin Ferulev, gjithashtu pronar i një numri kompanish në Rusi. Reporteri amerikan tentoi të shkonte në zyrën e tij të regjistruar në një qiellgërvishtës në Moskë, por zbuloi se ajo mund të aksesohej vetëm përmes një hyrje private.

Taulant Balla: “Por, kjo nuk është e gjitha. Të dy këta biznesmenë të fuqishëm rusë, me kompani të regjistruara në parajsat fiskale, kanë ngritur partneritete të tjera edhe me personazhe të tjerë të lidhur drejtpërsëdrejti me Kremlinin.
Njëri prej ortakëve të tyre quhet Leriam Dvorkin, një shtetas rus me banim në San Françisko, por që në jetëshkrimin e tij të pasur përfshin edhe shumë vite punë në pozicione drejtuese të kompanisë së gazit dhe naftës Gazprom”.

Gazprom është një kompani e kontrolluar drejtpërsëdrejti nga shteti rus.
Një tjetër partner është 35-vjeçari Juri Ivanov, me banim në Shën Petërburg edhe ai një personazh i lidhur me politikën në Rusi.
Përballë këtyre fakteve ekzistojnë dy hipoteza, për të cilat Partia Demokratike ka detyrën ligjore dhe morale që të përgjigjet përpara shqiptarëve, sipas Taulant Ballës.

Taulant Balla: “Hipoteza e parë është që paratë për lobimin e PD në Uashington nuk janë paguar nga ajo vetë, por nga Moska. Nëse kjo është e vërtetë, kjo do të përbënte një precedent tmerrësisht të rrezikshëm të ndërhyrjes së Kremlinit në politikën shqiptare.
Hipoteza e dytë, njësoj skandaloze, është që paratë janë paguar nga Partia Demokratike, por janë përdorur biznesmenët rusë për të fshehur prejardhjen e tyre”.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë socialistët i kërkojnë përsëri Partisë Demokratike
të japë shpjegime se si ka vendosur kontakte të drejtpërdrejta me njerëzit e besuar të qeverisë ruse.

Taulant Balla: “Por mbi të gjitha, PD duhet të përgjigjet:
Çfarë interesi kanë biznesmenët me lidhje që të çojnë në Rusi?
Që të përfshihen në betejat politike të një vendi të vogël, aq larg sferës interesit të Rusisë, siç është Shqipëria?
Çfarë u ka premtuar Lulzim Basha rusëve, për të fituar mbështetjen e tyre financiare dhe politike”?

Taulant Balla hedh poshtë çdo pretendim se pas këtij artikulli fshihet Partia Socialiste. Madje sipas tij, mediat ndërkombëtare prej kohësh kanë raportuar ndërhyrjet e bujshme të Rusisë në Ballkan. Moska ka shtrirë tentakulat e saj në vendet fqinje, në Serbi, në Mal të Zi apo në Maqedoni tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste.

Taulant Balla: “Por mesa duket, Shqipëria nuk ka qenë imune nga kjo shtrirje e interesave, që nuk kanë të bëjnë asgjë me të ardhmen europiane që shqiptarët aspirojnë.
Provat tregojnë se Partia Demokratike është aleatja më besnike e Rusisë në vendin tonë.
Për të gjitha këto, Lulzim Basha duhet të japë llogari”!/abcnews.al

taulant-balla-1280x664.jpg
G. P.18:17 | 07/03/2018

Numri dy i socialistëve, Taulant Balla në një deklaratë për media ka komentuar artikullin e publikuar në median amerikane “Mother Jones” lidhur me kontratat e lobimit të kompanisë “Biniada Trade”, për të djathtën shqiptare. Sipas Ballës, kreu i opozitës duhet të shpjegohet përpara shqiptarëve për arsyen e financimit nga këta pronarë rusë kompanish, të cilët kanë lidhje të ngushta me Kremlinin.

Taulant Balla: “Deklarata e regjistuara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë dëshmojnë se fotoja e Lulzim Bashës me Presidentin Donald Trump dhe mbështetja e një numri kongresmenësh në prag zgjedhjesh, i ka kushtuar Partisë Demokratike me qindra mijëra dollarëm prejardhja e të cilave nuk është bërë asnjëherë e ditur nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Megjithatë një investigim i një prej mediave më autoritare investigative i SHBA-së, ka hedhur në dritë një skandal tepër të rëndë.Nick Mazin, lobuesi kryesor i demokratëve në SHBA është paguar jovetëm nga Partia Demokratike por edhe na një kompani fantazëm e regjistruar në Skoci, e cila quhet “Biniada Trade”. Në total 1 milionë dollarë ka paguar “Biniada Trade” për Partinë Demokratike dhe për Lulzim Bashën. Inestigimi i “Mother Jones” tregon se pronarët e vërtetë të “Biniada Trades” janë dy shtetas rusë. Hipoteza e parë, që paratë për lobimin e Partisë Demokratike në Uashington nuk janë paguar nga vetë partia, por janë  paguar nga Moska. Hiporteza e dytë po aq skandaloze është që janë paguar nga PD, por përdorur nga shtetasit rrusë për të fshehur prejardhjen e tyre”./abcnews.al

lul-basha.jpg
G. P.17:18 | 07/03/2018

Ambasada Ruse në Tiranë ka reaguar pas shkrimit të publikuar në revistën amerikane “Mother Jones”.
Materiali në fjalë përbën një trillim të radhës krejtësisht absurd, i cili ngjall keqardhje të thellë dhe nuk meriton komente të hollësishme”, shkruhet në reagimin e ambasadës ruse, sipas të cilës, spekulime të tilla janë pjesë e kontekstit të një fushate të pistë mediatike, që është iniciuar nga mediat perëndimore kundër Rusisë.
Të tillë artikuj kanë për qëllim që të imponohet një përceptim i shtrembëruar i Rusisë dhe të minohen zhvillime të mundshme pozitive në bashkëpunimin midis Rusisë dhe Shqipërisë, sqaron përfaqësia zyrtare e Rusisë në Tiranë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono