Moska

MBULIM-MOSKA-REAGIMI.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela15:10 | 28/05/2019

Moska kërkon lirimin e menjëhershëm të shtetasit rus të arrestuar gjatë operacionit policor në veri të Kosovës, mëngjesin e të martës.

Mikail Krasnoshcekov, shtetas rus dhe pjesëtar i administratës së brendshme të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UMNIK – është ndër të arrestuarit gjatë operacionit të ndërmarrë nga forcat special ROSU në veri të Kosovës.

Burime të spitalit të Mitrovicës, konfirmuan për agjencinë ruse të lajmeve TASS se shtetasi rus ka marrë mjekim për plagët e marra gjatë arrestimit.

Ambasada ruse në Beograd ka kërkuar lirimin e menjëhereshëm të tij. Ndërkohë Ministria e jashtme ruse në një deklaratë për media u shpreh se arrestimi u krye pavarësisht imunitetit të tij si nëpunës i Kombeve të Bashkuara. Më herët Moska cilësoi arrestimet në veri si një provokim të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian në shkelje të marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës. /ABC News Albania 24/7

shba-rusi-1280x839.jpg
ent ela23:16 | 01/05/2019

Rritja e tensioneve në Venezuelë ka bërë që të acarohen edhe më tej marrëdhëniet SHBA-Rusi. Ndërsa Uashingtoni ka paralajmëruar me opsion ushtarak, Moska, me tone kërcënuese, i ka bërë thirrje administratës amerikane që të mos përzihet në punët e brendshme të vendit latin.

Tensioni në ngjitje në rrugët e Venezuelës ka bërë që përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të arrijë pikun. Ditën e mërkurë, Uashingtoni dhe Moska kanë shkëmbyer akuza dhe kanë përdorur kërcënime me tone të Luftës së Ftohtë. Shkak është bërë një deklaratë e sekretarit të Shtetit, Majk Pompeo se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë edhe opsionin ushtarak për Venezuelën. “Nëse do të jetë e nevojshme është pikërisht ajo që do të bëjmë për të rivendosur demokracinë, edhe pse do të donim një kalim paqësor të pushtetit”, ka deklaruar Pompeo. Por në një bisedë telefonike, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka kritikuar ashpër homologun amerikan. Ai i ka bërë thirrje Uashingtonit që të mos përzihet në punët e brendshme të Venezuelës, duke kërcënuar me pasoja të rënda. “Çdo ndërhyrje ushtarake është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, që nuk ka asnjë lidhje me rivendosjen e demokracisë”, ka thënë Lavrov. Po aq i ashpër ka qenë reagimi i shefit të diplomacisë amerikane, që ka akuzuar Rusinë se synon destabilizimin e Venezuelës, duke vënë në rrezik marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës. Popmpeo i ka bërë thirrje Lavrov që Rusia të ndërpresë menjëherë aktivitetet e saj në mbështetje të presidentit Nikolas Maduro. /ABC News Albania 24/7

 

 

nato-1-1.jpg
ent ela15:30 | 03/04/2019

Sekretari i përgjithshëm NATO-s Jens Stoltenberg është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan Donald Trump. Ai do të flasë para kongresit amerikan me rastin e 70-vjetorit të aleancës

NATO feston 70-vjetorin në Uashington ku u firmos traktati nga 12 anëtarët themelues, dhe pas një 20-vjeçari luftërash kontroverse në Ballkan dhe Afganistan, aleanca mbetet ende në objektivin e armikut të vjetër dhe të përhershëm: Rusisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u prit nga Presidenti Amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe mbrëmjen e së mërkurës do të flasë para Kongresit Amerikan.

Kjo është hera e parë për një Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, me një ftesë dy palëshe, një marrëdhënie që shpesh herë është vënë në dyshim nga kreu i shtëpisë së bardhë. Trump i cili sapo është çliruar nga çështja e Russiagate, bëri apel që Moska të mos kthehej në një kërcënim për sigurinë.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të shkojnë mirë me Rusinë, ndërsa më pas lavdëroi rritjen e shpenzimeve të shumë vendeve aleate për mbrojtjen, pas këmbënguljes së tij. Por në këtë rast përjashtohet Gjermania e cila nuk ka pranuar të rrisë buxhetin për NATO-n./abcnews.al

donald-trump.jpg
G. P.11:11 | 25/03/2019

Sipas raportit përfundimtar të prokurorit special Robert Mueller, nuk ka asnjë provë që të vërtetojë ndonjë lidhje të mundshme të presidentit amerikan apo stafit të tij elektoral me Moskën. Një lajm ky që konsiderohet si një fitore e padiskutueshme e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Nuk ka asnjë provë të një marrëveshjeje apo koordinimi mes stafit elektoral të Donald Trump dhe Moskës në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Kështu pas dy vjet hetimesh, është mbyllur çështja e prokurorit special Robert Mueller për Russiagate.

Një dosje që është një fitore e padiskutueshme për presidentin amerikan, i cili prej muajsh përsërit se është i pafajshëm. Raporti nuk përfundon me faktin se Trump ka kryer një krim, por as nuk e shfajëson

“Asnjë përplasje, asnjë pengesë, një lirim i plotë dhe total nga akuzat. Të bëjmë Amerikën të madhe sërish”.

Është ky reagimi i parë i kreut të Shtëpisë së Bardhë me anë të një mesazhi të publikuar në profilin e tij në Tëitter. Në dokumentin që i është dorëzuar Kongresit amerikan nga ministri i Drejtësisë William Bar shkruhet se Mueller nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të pretenduar se Tump ka penguar drejtësinë, por nuk e shfajëson atë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders, theksoi se administrate Trump është informuar për përmbajtjen e raportit sipas të cilit presidenti lirohet nga akuzat. Sipas Trump, hetimi ishte një grusht shteti i paligjshëm, i cili dështoi.

“Raporti i Mueller konfirmon atë që njerëz të shëndetshëm mendërisht e dinin prej kohësh, pra që nuk ka pasur asnjë lidhje me Rusinë”, ka reaguar në këtë mënyrë djali i Trump, Donald Junior.

Ky i fundit parashikon se mediat të cilat prej vitesh sulmojnë babain e tij, në vend që të kërkojnë falje, vijojnë të shpikin çdo lloj teorie. Edhe avokati i presidentit amerikan Rudolf Xhuliani është shprehur i lumtur duke thënë se çdo gjë përfundoi më mirë se ç’pritej./abcnews.al

trump-2-1280x854.jpg
G. P.14:56 | 24/03/2019

Në Shtetet e Bashkuara po pritet me mjaft interes publikimi i raportit të hetuesit të posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e 2016-s. Mes tyre është edhe presidenti Donald Trump, i cili ndryshe nga herët e tjera ka zgjedhur të heshtë, duke mos bërë asnjë postim në Tëitter në 24 orë.

Liderët e Kongresit në Shtetet e Bashkuara janë në pritje të publikimit të raportit të hetuesit të posaçëm Robert Mueller mbi përfshirjen e përfolur të stafit elektoral të presidentit Donald Trump me Rusinë. Raporti i shumëpritur u pranua të premten nga prokurori i përgjithshëm William Barr, i cili e kaloi ditën e shtunë i mbyllur në zyrën e tij për t’u konsultuar me dokumentin.

Raporti është kulmi i dy vjet hetime të kryera nga zoti Mueller dhe ekipi i tij, por sipas një burimi të Departamentit të Drejtësisë, ai nuk bën thirrje për ngritjen e akuzave të reja ndaj personave të përfshirë. Gjatë hetimit, Mueller dhe bashkëpunëtorët e tij kanë paditur 34 persona, përfshirë 6 ish-bashkëpunëtorë të presidentit Trump, një numër të konsiderueshëm shtetasish rusë, si dhe 3 kompani private.

Sidoqoftë, asnjë nga akuzat nuk lidhej drejtpërdrejtë me dyshimet për mpleksje të stafit të Trump me Moskën, dyshime që janë hedhur gjithmonë poshtë nga kreu i shtetit. Vetë miliarderi i pasurive të patundshme po e pret në heshtje momentin e publikimit të të dhënave.

Në 24 orët e fundit ai nuk ka bërë asnjë postim në Tëitter, një rekord ky duke qenë se mesatarisht presidenti bën deri në 12 postime në ditë. Aktualisht, kreu i shtetit ndodhet në kompleksin e tij në Florida, Mar a Lago, bashkë me përfaqësuesit e tij ligjorë./abcnews.al

kremlin.jpg
G. P.22:32 | 24/01/2019

Rusia ka dënuar ndërhyrjet e fuqive të huaja në punët e brendshme të Venezuelës, duke i cilësuar përpjekje për të uzurpuar pushtetin. Zëdhënësi i Kremlinit ka kritikuar mbështetjen që disa vende i kanë ofruar liderit të opozitës, duke deklaruar se një gjë e tillë çon në gjakderdhje.

Rusia ka dënuar ndërhyrjen e fuqive të huaja në Venezuelë, të cilat shprehën mbështetjen për liderin e opozitës. Përmes një deklarate për shtyp, Kremlini deklaroi se lëvizja është një përpjekje për të uzurpuar pushtetin, që shkel ligjin ndërkombëtar dhe çon vendin latin drejt gjakderdhjes.

Moska e sheh Venezuelën si një prej aleatëve më të ngushtë të saj në Amerikën Latine dhe përveç se i ka dhënë hua miliarda dollarë ka mbështetur edhe industrinë e saj të naftës dhe atë ushtarake. Gjithashtu, ajo ka marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake.

“Ne konsiderojmë se përpjekja për të uzurpuar sovranitetin e Venezuelës bie ndesh me ligjet dhe parimet ndërkombëtare”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, duke shtuar se Maduro është lideri legjitim.

Në të njëjtën linjë, Ministria e Jashtme ruse deklaroi se vetëshpallja president e liderit të opozitës Huan Guaido’ e çon vendin drejt paligjshmërisë dhe gjakderdhjes.

“Vetëm venezuelianët kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Ndërhyrja destruktive nga jashtë në këto momente tensioni është e papranueshme”, nënvizoi Ministria e Jashtme.

Moska zyrtare gjithashtu paralajmëroi se çdo nismë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara do të ishte një aventurizëm që do të ndiqej nga pasoja katastrofike. Reagimi i Rusisë erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump njohu liderin venezuelian të opozitës, Huan Guaido’ si presidentin e ri të vendit. Ai ftoi vendet e tjera të bënin të njëjtën gjë, por thirrja e tij ka krijuar përçarje në komunitetin ndërkombëtar.

Kanadaja, Britania dhe 7 vende të Amerikës së Jugut i janë përgjigjur pro thirrjes, ndërsa BE ka ngurruar. Ndërkohë, Meksika, Bolivia dhe Kuba shprehën mbështetjen për Maduro. Presidenti turk Erdogan iu drejtua atij me një mesazh: “Vëllai im Maduro! Qëndro me kokën lartë, ne jemi pranë teje”. Edhe Kina, një investitor i rëndësishëm në Venezuelë, deklaroi se kundërshton çdo ndërhyrje të huaj./abcnews.al

MOSKE-ATHINE-MARREDHENIA-1280x632.jpg
ent ela19:26 | 15/01/2019

Tensionohen sërish marrëdhëniet mes Moskës dhe Athinës. Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në parlamentin e Shkupit, Moska zyrtare i konsideron si të imponuara nga jashtë. Kjo ka sjellë reagimin e palës greke.

Moska ka bërë një tjetër ndërhyrje të ashpër pas zhvillimeve të fundit rreth marrëveshjes së Prespës. Një deklaratë e ministrisë së jashtme ruse, “godet” njëkohësisht Shkupin dhe Athinën. Deklarata nënvizon se ndryshimet kushtetuese të votuara në parlamentin maqedonas “janë imponuar nga jashtë dhe nuk shprehin  vullnetin e popullit”.

Po ashtu, edhe Athina kritikohet se ka injoruar opinionin e popullit grek që e kundërshton këtë marrëveshje. Deklarata i referohet edhe largimit të Panos Kammenos nga koalicioni qeveritar dhe procesit të votëbesimit për qeverinë Tsipras. Me tone gjithashtu të ashpra ka qenë përgjigjja e ministrisë së jashtme greke. Në reagimin e Athinës shprehet “shqetësimi i përligjur” që deklarata ruse nuk merr parasysh funksionimin demokratik të institucioneve në Greqi, i cili funksionim “nuk përbën terren të përshtatshëm për komente nga palë të treta”.

Gjithashtu Athina nënvizon se deklarata e ministrisë së jashtme ruse “nuk i shkon për shtat nivelit që karakterizon marrëdhëniet Greqi-Rusi dhe lidhjeve shekullore të miqësisë midis të dy popujve”.

Ky është tensionimi i dytë në raportet Athinë – Moskë, që nga vera e kaluar. Atëherë Greqia dëboi dy diplomatë rusë, të cilët u akuzuan se po përpiqeshin të korruptonin zyrtarë lokalë, klerikë ortodoksë dhe qytetarë, me qëllim që ata të zhvillonin protesta kundër marrëveshjes së Prespës. /abcnews.al

izrael.jpg
G. P.15:25 | 26/12/2018

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se sulmi i Izraelit një ditë më parë në Siri ka vënë në rrezik dy fluturime civile në Damask dhe Bejrut. Në deklaratën për shtyp shtohet se mbrojtja ajrore siriane ka gjurmuar 14 nga 16 raketat izraelite.

Ky lajm  është konfirmuar dhe nga radio shtetërore izraelite. Por Izraeli nuk e komenton këtë si një sulm në Siri. Ndërsa zëdhënësi ushtarak theksoi se mbrojtja ajrore e Izraelit u aktivizua për të gjurmuar një raketë siriane./abcnews.al

jens-stoltenberg.jpg
ent ela18:13 | 05/12/2018

NATO është bashkuar me Shtetet e Bashkuara në akuzat e ngritura kundër Rusisë se ka shkelur traktatin e vitit 1987 për armët bërthamore. Aleanca ka akuzuar Kremlinin se ka prodhuar një sistem të ri raketash që përbën rrezik të menjëhershëm për vendet e saj anëtare.

Aleanca e Atlantikut të Veriut ka akuzuar zyrtarisht Rusinë se ka shkelur traktatin e vitit 1987 për armët bërthamore. Pas një takimi të mbajtur të martën, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dolën me një deklaratë të përbashkët ku mbështesnin akuzat e Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë.

Uashingtoni ka kërcënuar Moskën se do të tërhiqet nga traktati i nënshkruar nga presidentët Regan dhe Gorbaçov për shkak të veprimeve të Kremlinit. Traktati ndalon vendosjen e raketave bërthamore me rreze të mesme veprimi të qëlluara nga toka në një distancë që varion nga 500 në 5.500 kilometra.

“Aleatët kanë arritur në përfundimin se Rusia ka zhvilluar sistemin raketor “9 M 729”, që përbën shkelje të traktatit dhe një rrezik të madh për sigurinë Euro-Atlantike”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Duke shprehur mbështetje të fuqishme për konstatimet e Shteteve të Bashkuara, ministrat i bënë thirrje Moskës që të ndryshojë menjëherë kurs. Raketat e reja me rreze të mesme veprimi për të cilat Amerika dhe tani edhe NATO akuzojnë Rusinë, i mundësojnë kësaj të fundit të kryejë një sulm bërthamor ndaj çdo vendi anëtar të Aleancës në një kohë shumë të shkurtër. Rusia nuk ka bërë shumë komente lidhur me këtë çështje, përveç se ka mohuar devijimin nga detyrimet e saj./abcnews.al

kremlini.jpg
G. P.23:36 | 04/12/2018

Ndasitë Ballkanin Perëndimor, por edhe problemet e brendshme në Bashkimin Evropian, vlerësohet se janë ndër arsyet kryesore që po i ndihmojnë Moskës zyrtare të shtrijë dhe konsolidojë influencën në rajon. Në vazhdim ju sjellim një analizës të radios Evropa e Lirë për ndikim rus në rajon.

Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, që iu referohet dokumenteve të shërbimeve sekrete në Maqedoni, Mal të Të Zi, Kosovë e Bosnjë e Hercegovinë, si mbështetës dhe zbatues më të zellshëm të direktivave moskovite në rajon, veçohen dhjetra persona, shtetas të vendeve të Ballkanit Perendimor, por edhe emisarë direkt nga Rusia. Fjala është për spiunë të dikurshëm ose aktual, liderë të partive politike, diplomatë, konsuj nderi, drejtues të organizatave joqeveritare, filozofë. Qëllimi i tyre i përbashkët, si dhe i agjentëve rusë, thotë analiza, është minimi i demokracive perendimore dhe ndërprerja e marrëdhënieve të tyre me vendet aspirante për në NATO dhe Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim, sikurse thotë shefi i shërbimit sekret britanik MI5, Endrju Parker, ata shërbehen me një doktrine të posaçme:

“Tani Rusia e praktikon mirë doktrinën e përzierjes në manipulimin mediatik dhe dezinformimet nëpër rrjetet sociale, së bashku me format e vjetra e të reja të spiunazhit, nivelit të lartë të sulmeve sajber, forcës ushtarake dhe sjelljes së dhunshme penale, kjo është ajo që këto ditë nënkuptohet me nocionin e luftës hibride”,- thotë kreu i shërbimit sekret britanik.

Radioja prestigjioze ndërkombëtare, duke u mbështetur në raportet e qendrave kërkimore, të gazetarëve investigativ, por edhe të shërbimeve sekrete të vendeve të rajonit, ofron edhe listën e personave që përçojnë drejtpërsëdrejti ndikimin rus në Ballkanin Perendimor.

Në krye të piramidës ballkanike të Putinit është Nikolaj Patrushev, një agjent ky karriere dhe koleg i dikurshëm i presidentit rus. Patrushev aktualisht drejton Këshillin e Sigurimit Kombëtar të Rusisë dhe llogaritet ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Putinit, kur është fjala për influencën ruse në mesin e vendeve kandidate për në NATO dhe BE.

Për të besohet se ishte në qendër të rrëfimit për ‘tentim grushtshteti në Mal të Zi dhe të përpjekjes për atentat kundër presidentit Milo Gjukanoviq’. Sipas po këtyre burimeve, pa mbikqyrqen e tij nuk mund të kalojë as edhe veprimi më i vogël në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Në listën e agjentëve ndodhet edhe Goran Zhivaleviq, një nëpunës i lartë i Agjencisë Informative serbe të Sigurimit dhe ish-oficer ndërlidhjeje në amabasadën e Serbisë në Shkup. Për të Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit e Maqedonisë ka thënë se “ka indikacione se merret me veprimtari agjenturore që bie ndesh me veprimtarinë diplomatike”. Në fakt, ky agjent serb u bë i njohur për shkak të pjesëmarrjes në mjediset e Kuvendit të Maqedonisë në momentin kur po zhvilloheshin ngjarjet e dhunshme, më 27 prill të vitit të kaluar, por atëherë e sot nuk u shpjegua se në çfarë cilësie u gjet atje.
Në analizën e Radios Evropa e Lirë, që iu refereohet dokumenteve të shërbimeve sekrete, përmendet Sergej Samsonenko, biznesmeni më i njohur rus në Maqedoni. Për të pohohet se përmes kishës dhe fesë, saktësisht ndërtimit të kishave ruse, ka tentuar të përhapë ndikimin e Moskës. Kabineti i Samsonenkos, ndërkaq ka përgënjeshtruar këto pretendime.

Në listë janë gjetur edhe emri i Janko Baçevit, një ish-agjent, sot kryetar i një partie të vogël pro- ruse që botërisht kundërshton aderimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian si dhe Stefan Vlahov Micov i cili u shpërfaq në një polemikë publike me Baçevin për shkak të shpërdorimit të parave ruse.

Krejtësisht në fund, radio Evropa e Lirë, duke iu referuar dokumenteve të shërbimeve sekrete në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë e Bosnjë e Hercegovinë, përmend rusin Andrej Radionov themeluesin dhe liderin e lëvizjes “Bashkimi ruso-sllav dhe rilindja” një forcë kjo që angazhohet për bashkimin e të gjithë sllavëve në një “aleancë të vetme të shteteve të pavarura sllave rreth popullit rus, Rusisë së madhe dhe traditave shpirtërore të Rusisë së vjetër”./Klan Macedonia& ReL/


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono