monologu

mustafa-nano-2-1280x707.jpg
Sej rie20:15 | 24/05/2019

Monologu Mustafa Nano në emisionin “Provokacija”: “Unë i rri larg dhunës fizike, dhe atyre që ushtrojnë dhunë fizike, dhe atyre që e nxisin këtë dhunë. Me njerëz të dhunshëm nuk dua të kem të bëj. Dhe me këtë fakt shpjegohen më së shumti edhe qëndrime të mijat publike kundër nerëzve të caktuar me ndikim të madh politik e publik. Njerëzit e dhunshëm ma shpifin. Njerëzit e dhunshëm janë të neveritshëm. Dhe Shqipëria, duhet ta themi këtë, është e mbushur me njerëz të dhunshëm. Më shumë se çdo gjë tjetër, në Shqipëri ka njerëz të dhunshëm. Ndoshta mund të ketë më shumë njerëz të korruptuar, por unë jam i prirur të besoj se ka më shumë njerëz të dhunshëm sesa njerëz të korruptuar, sidoqë e di që korrupsionin e kemi në gjak, bashkë me albuminën, proteinat, glukozën, kolesterolin, etj.

Ne e duam dhunën. E keni dëgjuar shprehjen “huri ka dalë nga xheneti”? Është e jona. Nuk di nga e kemi marrë. Nuk di nëse kjo shprehje, kjo frazë, ka qenë pjesë e ethosit osman apo arab, por edhe nëse ka qenë, është interesant fakti që ne e kemi pëlqyer kaq shumë, sa e kemi bërë tak-fak pjesë të ethosit tonë. Huri ka dalë nga xheneti. Pa mendojeni pak! Në xhenet, ç’është e vërteta, nuk ka hunj. Kështu thonë ata që besojnë se ka një xhenet. Në xhenet ka pemë, ka hije, ka lumenj, ka djem që shërbejnë shishe vere, ndoshta Brunello di Montalcino, ka edhe virgjëresha që janë në dispozicion të burrave që përfundojnë në parajsë, ka e çfarë nuk ka, por hunj nuk ka. Nuk ka se si të ketë. Huri në parajsë është i pamundur pa aq sa është i pamundur edhe mendimi në kokën e idiotit. Ne shqiptarët nuk është se nuk e dimë këtë gjë. E dimë, por ngaqë huri na pëlqen shumë, na vjen mirë t’i gjejmë për burim më të mirën e botëve, dmth parajsën. Sa të çmendur që jemi.

Ju prisni që këtë ide ta ilustroj me klasën politike. Jo, po e ilustroj me një ngjarje tjetër. Pardje, disa studentë dolën të protestonin te Ministria e Arsimit. Kanë kërkesa që ia drejtojnë qeverisë. Dhe kjo është punë e tyre. Dhe kjo është ok. Por në një moment të caktuar u mor vesh se ata kishin shkuar atje për të përdorur dhunë, për t’u sjellë si njerëz të dhunshëm. Dhe filluan të gjuajnë në drejtim të ndërtesës së Ministrisë. U thyen edhe xhama.

Ky është një veprim marrok, apo jo? Nëse nuk biem dakord që ky është një veprim marrok, unë nuk e di pse duhet të biem dakord që rruga Tiranë-Tropojë është më e shkurtër se rruga Tiranë-Tokio. Mirëpo ja që ata studentët e panë të udhës të sillen si të dhunshëm. Kushedi se çfarë u thotë truri. Nëse e kanë këtë të fundit, trurin. Sepse unë mendoj që ata kanë çdo gjë, por jo trurin. Ndryshe, do dilnin të protestonin, e jo të silleshin si rrugaçë.

Asnjë shqiptar nuk doli t’u thoshte: Hej, çfarë po bëni? Asnjë pedagog nuk doli t’u tërhiqte vërejtjen, e t’u thoshte se nuk ka nevojë të thyesh xhamat e ministrisë. Përkundrazi, të gjithë e kanë në majë të gjuhës justifikimin: Emo se ca xhama u thyen! A, ju kërkoj ndjesë, ishte një pedagog që e ngriti zërin. Ishte një pedagoge. Veçse ishte një pedagoge amerikane. Quhet Lory E. Amy. Nuk di pse u ndodh atje. Por në momentin që pa se të rinjtë po hidhnin sende të forta e gurë në drejtim të ministrisë, ajo shpërtheu. Dhe studentët e shihnin në sy, pa reaguar, si të kishin përballë një aliene. Nuk dinin ç’t’i thoshin. Ata që janë shumë të zotë të shtien me gurë e të kacafyten, mbetën si guakë përballë asaj zonje.

Hej studentë që ushtroni dhunë, ndoshta nuk ju bëhet vonë, por unë po ju them: Kur ju shoh që pëlqeni dhunën, mua m’i sillni zorrët te goja”./abcnews.al

PROVOKACIJA-17-MAJ-MONOLOGU-ALFRED-PEZA-PJESA-1.mpg_snapshot_01.28-1280x720.jpg
ent ela20:10 | 17/05/2019

Monologu i Mustafa Nanos – Politikanët shqiptarë kanë krijuar një botë të vetën që shkon paralel, pa u prekur, me common sensin, dhe me logjikën humane. Ata janë në situatën kur thonë e bëjnë gjëra të çuditshme, që janë aq të çuditshme sa ta heqin trurin. Do të ishte njësoj si të thoshin që një dhe një bëjnë tre, apo që pas të martës vjen e hëna, apo që Janullatosi mban Ramazan, etj, etj. Këto të fundit janë gjëra të pabesueshme, apo jo? Epo kështu janë edhe shumë gjëra që bëhen e thuhen prej politikanëve. E jo vetëm.

Po e ilustroj:

Pas publikimit të një shkrimi shumë kritik ndaj qeverisë në gazetën më të madhe gjermane Bild, u pa të dilte Blerina Gjylameti dhe të fliste për “ata që paguajnë para të pista që vijnë nga vende të huaja për të nxirë imazhin e Shqipërisë në botë.” Pastaj tha se “kjo pistë është nën hetim serioz”.

Dha prova për këtë? Jo, nuk dha prova. Asnjë provë. Thjesht damkosi një zë kritik.

Një ilustrim tjetër: Monika Kryemadhi ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo e ka bërë këtë vizitë në pikun e krizës politike shqiptare, dhe ne presim të marrim vesh se çfarë është diskutuar mbi këtë krizë mes saj dhe atyre që e presin. Mirëpo prej andej vijnë vetëm fotografi të Monikës, siç është ajo me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosin. Asnjë fjalë mbi rrethanat e takimit, mbi përmbajtjen e bisedës, mbi kohëzgjatjen e kësaj të fundit, mbi vendin e takimit, etj. ASNJË FJALË. Vetëm një fotografi.

Një ilustrim i tretë tregon se vesin e politikanëve shqiptarë e ka gjithë shoqëria shqiptare. Një agjenci sondazhesh ka bërë një të tillë, dmth një sondazh, dhe u ka bërë të intervistuarëve edhe këtë pyetje: Cili nga politikanët është i sinqertë në deklarimet publike. Dhe gati 30% e shqiptarëve mendojnë se Edi Rama është i sinqertë në ato që thotë. Një në tre shqiptarë pra është i bindur që Edi Rama thotë vetëm të vërtetën në publik. Fiu! Një në tre.

Nga i njëjti sondazh del se gati 5% e shqiptarëve janë të sigurtë që Sali Berisha thotë vetëm të vërteta në deklararat e veta publike. Disave iu duk një shifër e vogël kjo. Por 5% e njerëzve të rritur në Shqipëri bëjnë gati 70 mijë veta. Pa mendojeni pak. 70 mijë veta nuk janë pak. 70 mijë që besojnë se Berisha nuk gënjen asnjëherë. 70 mijë veta që në vend të trurit kanë krrunde, apo egjër, apo tallash. /abcnews.al

nanooo.jpg
ent ela20:18 | 14/05/2019

Cila është broçkulla më e madhe që ju kanë dëgjuar veshët kohëve të fundit? Është kjo pyetje që shtron drejtuesi Mustafa Nano të martën e sotme në Provokacija. Dhe me këtë ai i referohet të gjithë atyre që akuzojnë ambasadorët apo partnerët e huaj si të korruptuar.

Konkretisht Nano flet për opozitën e cila pasi dogjit mandate dhe nuk gjeti përkrahjen e ndërkombëtarëve. Sipas tij opozita bëri një lëvizje absurde, të pakuptueshme, doli jashtë sistemit dhe prishi një rregull, të cilin nuk mund ta prishë askush, duke i bërë atentat sistemit.

Në këtë kontekst duke u ndjerë të braktisur, sipas Nanos, opozita akuzon ndërkombëtarët si të korruptuar, kur në të vërtetë e korruptuar është shoqëria shqiptare, e korruptuar është elita shqiptare dhe politika shqiptare.

Monologu i plotë i Mustafa Nanos

Cila është broçkulla më e madhe që ju kanë dëgjuar veshët kohëve të fundit? Nuk di të them për ju, por për mua broçkulla më e madhe është akuza që u bëhet ambasadorëve apo në përgjithësi partnerëve të huaj si të korruptuar. Dhe ata që e kanë nxjerrë nga goja qysh në krye të herës këtë broçkull, janë shumë kokëderra. Nuk heqin dorë së thëni e stërthëni të njëjtën gjë. Lind pyetja: Janë të sigurtë se po thonë një të vërtetë të madhe e të shenjtë, e jo një broçkull? Nuk besoj. Do të ishin të marrë po të ngatërronin broçkullën me të vërtetat e mëdha. Por nuk janë të marrë. Janë nervozë. Shumë nervozë. Kanë humbur qetësinë. Dhe kuptohet pse: Partnerët ndërkombëtarë janë rreshtuar en bloc me qeverinë.

Në fakt, është disi befasues, edhe bezdisës po të doni, fakti që të huajt, që të gjithë, janë rreshtuar me qeverinë dhe që opozita ka mbetur pa asnjë përkrahje. Por kjo e ka një shpjegim. Dhe ky shpjegim është shumë i thjeshtë. Me vendimin për djegien e mandateve, opozita bëri një lëvizje absurde, të pakuptueshme. Doli jashtë sistemit. Thënë me fjalë të tjera, prishi një rregull, të cilin nuk mund ta prishë askush. Dhe në fakt, askush nuk ka guxuar ta prishë. Ka patur bojkotime të parlamentit në vende të ndryshme të botës, në vende politikisht të prapambetura kuptohet, dhe këto janë veprime që e lëndojnë apo e dëmtojnë sistemin, por djegie të mandateve nuk ka patur. Nuk dimë që dikush apo disa, diku, dikur, ta kenë çuar në mendje këtë lëvizje. Të parët jemi ne shqiptarët. Dhe ata që e bënë kujtuan se me këtë kishin gjetur një deus ex machina. Menduan se pas kësaj partnerët perëndimorë do ta shihnin veten ngushtë. Mirëpo, nuk ndodhi kështu. Sepse, përsëris, djegia e mandateve është një atentat kundër sistemit. Dhe në këto rrethana, ata që e morën këtë vendim kanë kuptuar se e kanë ngushtuar në maximum fushën e lojës për veten. E kanë lënë veten pa asnjë opcion, nëse nuk quajmë opcion ultimatimun që dëgjohet. Ndihen si të braktisur. Të mbaruar. Dhe si një mënyrë për të nxjerrë dufin është akuza që bëjnë: Ndërkombëtarët janë të korruptuar.

Shikoni, nuk më shkon mendja të marr në mbrojtje ndërkombëtarët. Nuk dua të them se ata janë të pakorruptuar, e aq më pak të pakorruptueshëm. Jo, këtë nuk e di. Dhe as që më intereson ta di. Sepse kjo nuk është puna ime. Nuk është puna jonë. Puna jonë janë punët e këtushme. Dhe kur vjen puna te puna jonë, që janë punët e këtushme, një gjë mund ta themi me siguri: Është shoqëria shqiptare që është e korrruptuar. Totalisht e korruptuar. Është elita shqiptare që është e korruptuar. Totalisht e korruptuar. Politika shqiptare është edhe më e korruptuar. Dhe më shkon mendja se ata që e kanë në majë të gjuhës këtë akuzë janë edhe më të korruptuar akoma. Ndryshe, nuk e shpjegoj dot këtë fiksim të tyrin pas një broçkulle të këtillë. /abcnews.al

mustafa-nano.jpg
G. P.20:27 | 07/05/2019

Monologu i Mustafa Nanos: 

Ka ca gjëra shqiptare që mua më bëjnë të ndihem mirë, e që në ndonjë rast ma bëjnë me kuptim edhe atë shprehjen “oh sa mirë me qenë shqiptar”. Janë gjëra të së shkuarës dhe të së tashmes:

-Më bëjnë të ndihem mirë intelektualët shkodranë të paraluftës së dytë botërore, të cilët,me çfarë shkruajtën, dhanë para të tjerëve provën se shqipja ishte gjuhë si gjithë të tjerat, që do të thotë se me të mund të bëhej art i rafinuar e mund të kultivohej kulturë.

-Më bën të ndihem mirë besimi fetar i shkujdesur, mbi të cilin ngrihet ajo që ne gabimisht e quajmë harmoni fetare, por që në fakt nuk është harmoni fetare. Sepse harmoni fetare nuk ka e nuk mund të ketë. Rrofshin besimtarët e shkujdesur, duhet thënë. Këtë janë një soj i bukur shqiptarësh. Mpu!

-Më bën të ndihem mirë Korça, që është e vetmja gjë e denjë e botës urbane shqiptare. Dhe kur them këtë, më shumë sesa rrugët e pastra të shtruara me kalldrëm e shtëpitë e ulëta, kam parasysh fibrën civile e civike të njerëzve që banojnë atje.

-Mua më pëlqejnë vallet e gegëve.

-Më pëlqen, si një dokument i jashtëzakonshëm historik, Kanuni i Lekë Dukagjinit. Më pëlqen edhe tradita orale e malësorëve të veriut. Kjo traditë orale mund të mos jetë e jona burimore, por ç’rëndësi ka kjo? Kjo traditë është një prodhim shqiptar, sidoqoftë. Mjaft ta lexosh në gjuhën tonë dhe ti fillon e mendon se nuk ka mundësi të mos jetë shqiptare.

-Më bëjnë të them oh sa mirë me qenë shqiptar Zarifja nga Tropoja që gjeti vdekjen prej një mine në Letoni, ku shërbente si ushtarake shqiptare e NATO-s, Petraq Kolevica, të cilin kam vite pa e takuar, dhe të cilin dua ta përshëndes nga kjo studio, Saimir Repishti, me të cilin do ta kisha pirë me shumë dëshirë një kafe (siç themi ne shqiptarët), Kolec Topalli, i cili nuk jeton më, blogu “Peizazhe të Fjalës”, kënga qingji i vogël pse mendueshëm, korsitë e biçikletave në Tiranë, ai ministri që shkon në punë me autobusin urban (në fakt, nuk ka asnjë ministër që shkon në punë me autobusin urban, unë e thashë se më pëlqen si fabul; është thjesht një ëishful thinking),

-Më bëjnë të them “oh sa mirë me qenë shqiptar” shqiptarë të kohëve të ndryshme, të gjallë e të vdekur, si Thomas Strakosha, Vaçe Zela, Tano Banushi, Zef pëllumbi, që nuk munda ta takoja sa qe gjallë, Robert Ndrenika, të cilit i uroj jetë të gjatë, doktor Adnan Kastrati, doktor Mentor Petrela, Dhimitër Anagnosti, Pëllumb Kulla, kompania “EHË”, Gianni de Biasi, që është shqiptar gjithashtu, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, Lasgush Poradeci për munxosjen, të huajtjen e zvjerdhjen ndaj regjimit komunist që ai e manifestoi pa bujë, në mënyrën më elegante të mundshme,

Mikel Koliqi që teksa ishte i internuar në Savër të Lushnjës, e kishte bërë zakon të dilte jashtë në një ditë të javës, në një orë të pasditës, pranë altoparlantit të kooperativës prej nga ku dëgjohej programi me muzikë klasike i Radio Tiranës. Edhe kur binte shi, ai dilte atje, i vetëm, rrinte në këmbë, për të dëgjuar Bahun, Bethovenin, Shopenin, Vivaldin, Wagnerin, etj.

Musine Kokalari që në gjyqin që i bënë komunistët “guxoi” të bënte pohimin më të thjeshtë e më logjik që mund të përfytyrohet: nuk ka nevojë të jem komuniste për ta dashur këtë vend.

-Më pëlqejnë përmetarët, që janë ashtu si unë do doja të ishin shqiptarët, janë tolerantë, janë mendjehapur, dhe janë të tillë prej natyre, domethënë janë të tillë pa u sforcuar fare, janë patriotë të pabujshëm, janë me një qasje e vokacion urban edhe në rastin që banojnë në fshatra të thellë, janë shtetas shembullorë. Sikur të gjithë shqiptarët të ishin përmetarë, edhe pogradecarë do të thoja, ne do ishim… shumë më mirë sesa jemi sot./abcnews.al

PROVOKACIA-3-MAJ-MONOLOGUSHPETIM-IDRIZI-PJESA-1.mpg_snapshot_03.27-1280x720.jpg
ent ela20:28 | 03/05/2019

Monologu i kësaj të premteje i Mustafa Nanos në Provokacija solli në vëmendje etikën që karakterizon debatet parlamentare britanike. Duke e vlerësuar pjesëmarrjen në një nga sesionet e parlamentit britanik, si një nga eksperiencat më fantastike të jetës së tij si gazetar politik, Nano solli para teleshikuesve një pjesë të këtyre debateve. Ai tha se çdo parlament i botës duhet të ketë si busull orientimi etikën britanike.

Gjatë debati një deputet iu drejtua kryeministres britanike May se nuk po thoshte të vërtetë, por hasi në kudnërshtinë e kreut të parlamenti i cili i kërkoi që ta tërheqë mbrapsht atë fjalë. Dhe kështu ndodhi.

“Një parlamentar iu drejtua kryeministres britanike May që ti nuk po thua të vërtetën. Salla reagoi me përbuzje, ndërsa May shtangu dhe më pas gjatë fjalës parlamentari i tha sërish gënjeshtare, kreu i parlamenti i kërkoi parlamentarit që ta tërheqë atë fjalë dhe ai e tërhoqi. Dhe kjo është etika që parlamenti i çdo bote duhet ta ketë si busull të vetën”.

Por pyetja që shtron Mustafa Nano është nëse do e arrijë ndonjëherë Shqipëria ëktë lloj etike debati pas shumë vitesh, apo kjo nuk do të ndodhë kurrë.

“Nuk e di nëse ne do jemi bashkëkohës të deputetëve tanë që të tregojnë etikën parlamentare të deputetëve tanë si në Britani, nuk e di se kur do ndodhë pas 20, 30 apo 100 cjetësh apo kurrë? Kam frike se kurrë”. /abcnews.al

mustafa-nano-4.jpg
G. P.20:26 | 26/04/2019

Në monologun e kësaj puntate në emisionin “Provokacija”, Mustafa Nano u ndal te aktivistja 16 vjeçare Greta Thunberg. Ajo është bërë e famshme pasi beson se ngrohja globale është e rrezikshme për fatet e Tokës dhe njerëzimit dhe është shkaktuar nga dora e këtyre të fundit.

 Megjithatë sipas Nanos, duhet të jenë shencëtarët ata që shpëtojnë botën dhe jo aktvistët. Gjithashtu në këndvështrimin e tij gazetarë dhe politikanë ndihen në faj kur shikojnë një aktiviste si Greta, pasi duhet të ishin ata në vend asaj duke mbrojtur atë lloj ideje.

Mustafa Nano: Greta Thunberg është sot 16 vjeç. Është nga Suedia. Është bërë e famshme në gjithë botën. Disa deputetë të parlamentit norvegjez e kanë propozuar për çmimin Nobel. Revista Time e ka shpallur si një nga 100 njerëzit më influentë të botës. Atë e presin kudo me duartrokitje. Mblidhen rreth saj për të dëgjuar se çfarë thotë. Për të janë bërë artikuj të shumtë në shtypin botëror. Atë e kanë intervistuar me dhjetra herë. Kryeministrat e politikanët e rëndësishëm të botës e presin në takime të veçanta. Edhe Papa Françesku gjeti kohë ta takonte në sheshin e Shën Pjetrit, në Romë. Po me çfarë lidhet kjo vëmendje? Mos vallë është shfaqur një profet i ri? Jo, nuk bëhet fjalë për ndonjë profet. Jo për gjë, por nuk ka profete gra. Profetët janë të gjithë burra. Ky pohim është më i sigurtë se pohimi që Toka rrotullohet rreth Diellit: Të gjithë profetët janë burra.

Le t’i lëmë shakatë. Greta Thunberg është një aktiviste, që beson se ngrohja globale është një fakt i pamohueshëm, që beson se kjo ngrohje globale është e rrezikshme për fatet e planetit Tokë e për fatet e njerëzimit, që beson më në fund se kjo ngrohje globale është e shkaktuar nga dora e njeriut. Nuk ka diskutim që aktivizimi i Gretës është një gjë që të emocionon, është edhe një gjë edukative. U përcjell të rinjve, nxënësve dhe studentëve idenë se duhet të dinë t’i mbrojnë besimet e tyre, duhet të dinë të luftojnë për to, duhet të dinë të luftojnë për një botë që, më shumë se kujtdo tjetër, u përket atyre. Ajo pra është tipi i të riut që ka një ideal, dhe që i ka dhënë kuptim jetës së vet me përpjekjet për ta mbrojtur këtë ideal të vetin. Unë në këtë pikë e shoh me shumë interes këtë personazh. Të rinjtë shqiptarë kanë se ç’të mësojnë prej saj.

Por ka një gjë që nuk shkon në këtë histori, megjithatë. Ajo po mbron një kauzë, e cila është e debatueshme. Politikisht po se po, por ajo është e debatueshme edhe shkencërisht. OK, shumica e shkencëtarëve mbështesin shqetësimin e Gretës, por edhe këta thonë se ndryshimet klimaterike janë, me shumë gjasa, të shkaktuara nga njeriu. Me këtë nuk dua të them se duhet injoruar ky rrezik. Termi me shumë gjasa mund të injorohet kur është fjala për një ndeshje futbolli, për një martesë, për një masakër po të doni, por jo kur në peshore është zhdukja e jetës mbi tokë. Në këtë kuptim nuk bëj pjesë te njerëzit që e injorojnë këtë shqetësim. Ajo që dua të them është tjetër: Ky është një problem politik dhe shkencor. Greta është e mirëpritur në këtë diskutim, por foltoren duhet ta zënë shkencëtarët, jo Gretat. Shkencëtarëve u takon ta shpëtojnë botën prej një rreziku të tillë potencial apo iminent. Prandaj, se si më duket kur shoh salla të mbushura plot që dëgjojnë se çfarë thotë Greta Thunberg. Por është me sa duket një kompleks faji që i bën politikanët, gazetarët, etj të vihen në garë kush e kush t’i kushtojë më shumë vëmendje Gretës, e kush e kush të fitojë vëmendjen e saj. Ata po kuptojnë se Greta po bën diçka që do duhej ta kishin bërë ata.

Gretës duhet t’i heqim kapelen edhe për këtë. Por sidomos për sensin civik që po demonstron dhe për leksionin që po u jep të rinjve. /abcnews.al

mustafa-nanooo.jpg
G. P.20:37 | 23/04/2019

Në monologun e kësaj puntate në emisionin “Provokacija”, moderatori Mustafa Nano renditi disa prej ëndrrave e tij.

Mustafa Nano: I have a dream. Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë:

Kur të kuptohet se një politikan i korruptuar është gjëja më e fisme në botë në krahasim me një politikan të korruptuar që zgjedh si kauzë të tijën luftën kundër korrupsionit.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të biem të gjithë dakord se nuk ka punë të liga që bëhen për qëllime të mira dhe se nuk ka punë të mira që të shërbejnë si alibi e qëllimeve të liga.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë, kur të kuptojmë se është më mirë të bësh një dëm duke respektuar ligjin sesa të bësh një punë të paqme duke e dhunuar atë. Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur në krye të institucioneve shqiptare të zgjidhen njerëzit e zotë, e jo idiotët e dobishëm.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të thonë se do dalin një shëtitje nga parku dhe ai të mos jetë parku te Liqeni.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur qytetarëve që do të hipin në autobusin urban me një libër në dorë të mos u kërkohet biletë.  Hej, kujdes me ëndrrat: ndonjëra edhe realizohet.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të gjithë të kuptojnë se nuk ka budalla më të madh sesa ai që thotë shprehjen “hajt mo, punë shqiptarësh”, dhe me “shqiptarët” kupton të gjithë shqiptarët, përveç atij vetë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të binden se, sipas një rregulli jo fort të kuptueshëm, njerëzit e mirë nuk janë të zotë dhe njerëzit e zotë nuk janë të mirë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit ta kuptojnë se prapa çdo heroi fshihet një mashtrim, dhe se heronjtë e vërtetë të kombeve, apo edhe të njerëzimit, janë ata që u fshihen syve të historisë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të kuptohet se vajzat e bukura nuk ka se si të jenë inteligjente nëse nuk harrojnë që janë të bukura. 

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të bihet dakord nga të gjithë se Enver Hoxha nuk ka pasur qëllim tjetër në jetë veçse ta sundojë këtë vend, dhe se ai e ka një alibi që është alamet alibie: të gjithë të tjerët të njëjtin qëllim kanë patur e kanë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur ne shqiptarët të rifitojmë sadopak, apo pak e nga pak, të vetmen cilësi që na mungon e tëra, skofinë. Çfarë është skofia? Nuk ua them, hapni fjalorin e gjuhës shqipe. Ai fjalor duhet hapur herë pas here.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të rinjve shqiptarë t’u duket më me interes një diplomë kuzhinieri sesa një diplomë juristi.

Kur hoxhallarët e Shqipërisë të lexojnë më në fund Kuranin.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të heqin dorë së justifikuari dembelizmin e tyre me faktin që nuk ka punë. Për atë që nuk është dembel, punë ka edhe kur në fakt nuk ka, dhe në të kundërt, për atë që është dembel, punë nuk ka edhe nëse askush tjetër nuk është i papunë./abcnews.al

mustafa-nano-3-1280x767.jpg
Sej rie20:06 | 19/04/2019

Mustafa Nano monologun për sonte në “Provokacija” ia ka kushtuar ëndrrave të tij dhe çfarë ai dëshiron për Shqipërinë. Ai e ke nisur monologun duke iu referuar “I have a dream …”, letrës së famshme të Martin Ltrther King.

“I have a dream. Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë:

Kur gazetarët e intelektualët të mos ngrenë beteja publike mbi qejfmbetje private.

Kur talk show politik, përfshirë edhe ky i imi po të doni, që politik nuk është, kur talk show politik pra të largohet nga ekrani i televizorit prej orës 19 deri në orën 23. Në këtë interval talk show politik është thjesht offside.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur funksionarët publikë të shkojnë nga shtëpia në punë e anasjelltas me autobuzin urban. Ose me biçikletë.

Me që jemi te biçikleta, unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të kuptohet se të kesh një biçikletë do të thotë të kesh stil e klas të lartë, e jo status të ulët. Poshtë makinat, me që ra fjala.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur gangove të Shqipërisë, që janë shumë, t’u vihet kufiri te thana, dhe t’u bëhet e qartë se pushteti e ndikimi politik, publik, elektoral apo ku di unë çfarë tjetër që kanë, është gjëja më e padrejtë që ndodh në këtë vend.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur nëpër rrugët e Shqipërisë të mos shohim asnjë grua të mbuluar.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur dikush nga opozita të thotë: e vlerësoj maxhorancën për vendimin që ka marrë. Dhe kur dikush nga maxhoranca të çohet e të thotë: ju ftoj të gjithëve të miratojmë projektligjin e paraqitur nga opozita. Dhe të mos quhen tradhtarë.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur të mos ketë më policë nëpër rrugë. Ata të dalin nëpër rrugë kur dikush ka nevojë për ta.

Unë kam një ëndërr që të vijë një ditë kur njerëzit të fillojnë të besojnë se rrufeja bie edhe në halè.

Kur të kuptohet se kush rreh gjoksin si patriot si rregull është një horr.

Kur njerëzve t’u dhembë koka nga muzika tallava. 

Kur njerëzit të mos e thonë më shprehjen: ky vend nuk bëhet.

Kur njerëzit të kuptojnë se është ok ta kërkosh suksesin, por fillimisht duhet ditur se më i suksesshmi shumë rrallë është më i zoti”./abcnews.al

PROVOKACIA-16-PRILL-MONOLOGU-SHKULLAKU-PJESA-1.mpg_snapshot_03.20-1280x720.jpg
ent ela20:17 | 16/04/2019

Monologu i kësaj të marte në Provokacija u foksua te djegia e Katedrales së famshme në Paris. Duke folur për historinë e saj, Mustafa Nano tha se me djegien e saj u dogj edhe një pjesë e historisë së Francës dhe Evropës, pavarësisht restaurimit, sipas tij asgjë nuk do të jetë si më parë.

Monologu i plotë

Dje, për orë të tëra, teksa mediat raportonin mbi katedralen e Notre Dame-it që ishte përfshirë nga flakët, askujt nuk i shkonte mendja të fliste për viktima në njerëz. Lajmi i mirë është që viktima nuk pati, por edhe sikur të kishte, ato do të ishin një dëm anësor, që nuk do të përmendeshin, e sidomos që do të harroheshin shpejt. Sepse lajmi ishte tjetër: Po digjej një copëz e historisë së Francës dhe të Europës, një ndërtesë gati një mijëvjeçare, me gjithçka kishte brenda, vetrata me xhamin e ngjyrosur të shekullit XII, një organo kolosale e shekullit XVII, kambana të vjetra të mëdha, copë dhjetë, vepra arti, relike të çmuara të historisë, fjala vjen kurora me gjëmba që, siç thuhet te Ungjijtë e Testamentit të Ri, ia vunë mbi krye Jezu Krishtit, teksa po e çonin për ta kryqëzuar në majë të Golgothës, etj, etj. Për fat, pothuajse të gjitha këto kanë shpëtuar. Por një pjesë e ndërtesës ra në tokë, u bë hi. Ndoshta për t’u ribërë, siç ndodh rëndom në këto raste, dhe kur të ribëhet, do të bëhet një festë me pompë të madhe për t’i thënë botës se gjithçka është siç ka qenë më në fund. Por asgjë nuk do të jetë si ka qenë. Nuk do të jetë e njëjta gjë. Sepse është një gjë të hysh në një ndërtesë të ndërtuar me vinça të lartë modernë, dhe është një gjë tjetër të hysh në një ndërtesë të ndërtuar nga mijëra skllevër, në harkun e dyqind viteve. E para e ka emrin tender. Ndërsa e dyta e ka emrin histori, që të emocionon, që të trondit, që të ngjeth mishin.

Dhe historia e kësaj katedraleje fillon me këtë, por nuk mbaron këtu. Aty janë kurorëzuar e martuar mbretër e perandorë, aty perandori Napoleon vuri kurorën gjithashtu, aty është bërë lumturimi e Zhan Darkës së famshme, aty janë bërë ceremonitë e varrimit të njerëzve që kanë lënë gjurmë në histori. Edhe ceremonia e përcjelljes së De Gaul e-it e Miterrand-it aty janë bërë. Ka shumë histori ajo kishë, që është një nga më të bukurat e botës së krishterë.

Filloi të ngrihej në shekullin XII mbi një kishë të vjetër, mbi një bazilikë të mesjetës më të hershme, e cila nga ana e vet ishte ndërtuar mbi një tempull tjetër pagan. Dhe nuk është hera e parë që dëmtohet. Këtë herë është dëmtuar në mënyrë aksidentale, por herë të tjera është dëmtuar në mënyrë të qëllimshme. Gjatë kohës së reformacionit e të luftrave fetare në Europë, hugenotët protestantë dëmtuan shumë statuja me idenë që ishin një idolatri e shëmtuar. Më vonë, gjatë revolucionit të famshëm francez, situatën e morën për ca kohë në dorë revolucionarët ateistë, të cilët, si shumica e revolucionarëve të kësaj bote, nuk shquheshin për ndjesi e emocione fine, përkundrazi, i përbuznin këto të fundit, i quanin çikërrima pa vlerë, në mos të dëmshme, përballë kauzës së madhe të transformimit të botës. Dhe kështu, në vitet ’90 të shekullit XVIII  sankuljotët e plaçkitën katedralen gotike, e zhveshën atë prej thesareve që kishte brenda, u këputën kokat statujave, me mendimin se ishin statuja mbretërish, në një kohë që ishin statuja profetësh, partriarkësh, martirësh të kishës katolike. Ishin revolucionarë, jo shaka. Por edhe po ta dinin se ç’statuja ishin, në të njëjtën mënyrë do t’i trajtonin. Këtë herë si ateistë. Është fillimi i epokës së ateizmit të dhunshëm. Katedralja e Notre Dame-it u shndërrua për ca kohë në një magazinë ushqimore. Edhe ateizmi ka qenë brutal herë pas here, duhet ta pranojmë. Brutal ndaj artit, historisë. Por ateizmi është i tillë kur bashkohet me revolucionarin. Përndryshe, është i paqtë. Përndryshe, edhe përlotet kur sheh skena si ajo e mbrëmshmja. Siç janë përlotur me mijëra në Francë e në gjithë botën. Por në fund, si një ngushëllim për të gjithë erdhi lajmi, se më e keqja ishte shmangur. Katedralja e Notre-Dame-it u rezistoi flakëve të zjarrit. Ajo mbeti në këmbë. /abcnews.al

 

mustafa-nano-2.jpg
G. P.20:20 | 12/04/2019

Në monologun e kësaj puntate, moderatori i emisionit “Provokacija”, Mustafa Nanao, u ndal te gjuha shqipe. Sipas tij, ne kemi një problem që kur na është dashur të vendosim se cilin version mes gegërishtes dhe toskërishtes do të mbanim si gjuhë standarde.

Megjithëse, sipas tij, kjo edhe pse është pranuar në Shqipëri, në Kosovë gjuha standarde nuk ka ngjitur si duhet. Sipas Nanos, nëse duam unitet kombëtar atëherë duhet filluar me unifikimin e gjuhës.

Pra, të gjithë të fillojnë të përdorin gjuhën standarde. Edhe pse nuk është e lehtë, Nano mendon se kjo është kosovarëve u ka rënë në hise ta bëjnë në emër të interesit kombëtar.

Monologu i plotë:

Ne kemi një problem me gjuhën. Të vockël. Ndoshta edhe të madh. Duhet ta pranojmë këtë gjë. Disa, mes të cilëve shquan Primo Shllaku, i kthehen e i rikthehen diskutimit mbi natyrën antigegërishte e ndoshta disponimin antigegë të vendimit që u mor në Kongresin e Drejtëshkrimit në vitet ’70 të shekullit të shkuar. Por ky është një diskutim që, edhe pse ngrihet mbi një të vërtetë, mua më duket i pavlerë. Ka kaluar gjysmë shekulli prej atij momenti. Pastaj, në thelb nuk është se është bërë ndonjë e pabërë, edhe sikur motivet e motivimet të kenë qenë të liga. Atëbotë opsionet ishin dy, o të zgjidhej gegërishtja si bazë për standardin, o të zgjidhej toskërishtja. Opsioni i tretë, ai i një shqipeje të kombinuar, ose i elbasanishtes, nuk ka patur shumë tifozë, sido që ca kohë u përdor si gjuhë zyrtare. Në këto rrethana, nëse do të zgjidhej gegërishtja si bazë për standardin, çdo gjë do të ishte ok. Por u zgjodh toskërishtja, dhe kjo duhet të jetë gjithashtu Ok. Dhe është Ok. Në republikën tonë kjo zgjedhje është pranuar, shqipja standarde ka hedhur rrënjë, dhe ky diskutim quhet i mbyllur tanimë, ndonëse gegërishtja, kupto: shkodranishtja, ka nevojë për mbrojtje, promocion e hapësira, sepse, në mos tjetër, është gjuha e një grupi intelektualësh të para Luftës II Botërore që i kanë dhënë sharm e prestigj kulturës sonë.

Në Kosovë gjërat janë ndryshe, megjithatë. Me gjithë përpjekjet e një pjese të elitës kosovare, standardi atje nuk ka ngjitur aq sa duhet. Dhe kjo ka ndodhur, përveç të tjerash, prej pjesës tjetër të elitës që këmbëngul të mbajë një marrëdhënie të ftohtë me shqipen standarde. Kjo është një zgjedhje, të cilën ne nuk kemi të drejtë ta gjykojmë. Është punë e tyre të flasin shqipen që duan, e t’u japin munxët shqipeve të tjera, sidozot asaj standarde. Por nëse duan unitetin kombëtar, nëse ëndërrojnë bashkimin kombëtar, atëherë përpjekjet për bashkim duhet t’i fillojnë me unifikimin e gjuhës. Shkurt, duhet të mësojnë standardin. Unë e di që për kosovarët e rritur kjo nuk është e lehtë, unë e di që vështirësitë për ta mund të jenë deri edhe të natyrës psikologjike, e ndoshta fiziologjike (kur vjen puna te diksioni), unë e di që, derisa t’ia dalin për ta nxënë standardin, ata do të jenë të dizavantazhuar në garën kombëtare, por unë mendoj se nuk ka rrugë tjetër. Kjo është një sakrificë që kosovarëve u ka rënë në hise ta bëjnë në emër të interesit kombëtar.

Edhe për mua nuk do të ishte e lehtë të flisja sot shqipen e Kosovës, më saktë shqipet e Kosovës. Por dua të them një gjë: Sikur sot të mblidhej një Kongres i Ri i Gjuhës dhe të vendoste adoptimin e një shqipeje standarde me bazë kosovarishten, e dini se ç’do bëja? Për ca vjet me radhë, për aq vjet sa do më lipseshin, do t’i lija të gjitha punët e tjera mënjanë, e do të merresha vetëm me standardin e ri, derisa të familjarizohesha me të, derisa sa ta mësoja atë. Do ta bëja këtë për të mos mbetur në margjinat e jetës kombëtare, nëse jo për një ideal patriotik. Dhe ndonëse, në të folur, do t’më shquanin që larg që jam toskë, në të shkruar do bëja çmos të isha më kosovar se kosovarët. Kam bindje për këtë. Besoj te vullneti im. Është kjo që kanë bërë në Kosovë, kush më shumë e kush më pak, një numër akademikësh si Rexhep Qosja, Agim Vinça, Mehmet Kraja e të tjerë, apo edhe politikanë, shkrimtarë, gazetarë e intelektualë publikë si Albin Kurti, Hashim Thaçi, Veton Surroi, Arben Idrizi, Blerim Latifi, Enver Robelli, Imer Mushkolaj, etj, apo Arbën Xhaferri, Kim Mehmeti, në Maqedoni, etj. Është kjo që duhet të bëjnë edhe të tjerët. Sipas meje.

Përsëris: Secili është i lirë të flasë në shqipen e vet, por kush e ka merak bashkimin kombëtar, duhet ta fillojë këtë bashkim me gjuhën. Dhe kjo do të ishte shumë më patriotike sesa të shqetësohesh pse unë kam titulluar programin tim “Provokacija”. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono