mogherini

17221253185_aa1ca3f5ce_k-1280x881.jpg
ad min14:30 | 08/05/2019

Përfaqësuesja e lartë për politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian Federica Mogherini do të jetë sot dhe nesër në Tiranë për të marrë pjesë në aktivitetet në kuadër të Ditës së Evropës dhe në punimet e samitit të Brdo-Brijun, ku mblidhen të gjithë presidentët e Ballkanit, për të diskutuar për projektet e përbashkëta dhe ndihma që duan nga Bashkimi Evropian.

Mogherini mbërrin sot në orën 16.30, ku do të pritet nga  Kryeministri Edi Rama. Pas takimit do të mbajnë një konferencë për shtyp.

Në axhendën e shefes për politikën e jashtme nuk është parashikuar asnjë takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Më herët mediat në Kosovë dhe në Serbi kanë raportuar se diplomatja e Bashkimit Evropian do të takojë veç e veç Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

soreka-1280x706.jpg
ad min16:10 | 06/05/2019

Vizita e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian në Tiranë Federica Mogherini  nuk pritet kryejë rol ndërmjetësues midis mazhorancës dhe opozitës. Deklaratën e bëri ambasadori i delegacionit evropian Luigi Soreca i cili vazhdon ti kërkojë partive politike që të ulen e të gjejnë një zgjidhje.

Shtëpinë e ka ndryshuar delegacioni i Bashkimit evropian në Tiranë. Të vjetra kanë mbetur mesazhet që i drejton mazhorancës dhe opozitës për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 Qershorit.

Soreca: “Ajo që kemi thënë deri tani është që ne i ftojmë të gjitha partitë politike të marrin pjesë në zgjedhje. Është shumë e rëndësishme kjo për hir të qytetarëve shqiptarë, që ata të përfaqësohen nga të gjitha partitë, të cilët kanë përfaqësuesit e tyre dhe ne nuk do ta ndryshojmë këtë deklaratë që kemi bërë”.

Në 8 maj pritet të mbërrijë në Tiranë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federika Mogherini. Në axhendën e saj nuk përfshihet ndërmjetësimi midis palëve politike në Shqipëri sqaroi ambasadori Soreca.

Soreca: “Ndërmjetësimi nuk është në axhendë për momentin. Janë partitë politike, qeveria, opozita që duhet të gjejnë atë urë që ekziston në mënyrë që të tejkalojnë këtë ngërç në të cilin gjendemi dhe që nga kjo punë të përfitojnë qytetarët e Shqipërisë, përfaqësimi i plotë i tyre në zgjedhje”.

Në nisje të javës evropiane në Tiranë nuk mungojnë as publikimet se sa e mbështesin qytetarët shqiptarë reformën  në sistemin e drejtësisë, shumica janë pro por nuk janë të paktë ata që mendojnë se nuk po ecën shumë mirë si proces.

Reforma në sistemin e drejtësisë dhe reforma zgjedhore janë disa nga pikat kyçe që vlerësojnë hapjen apo jo të bisedimeve për negociatat me bashkimin evropian. Ministri në detyrë për Evropën dhe punët e jashtme shprehet optimist pavarësisht se edhe ai është në pritje të përmbajtjes së raportit të Komisionit Evropian që do të publikohet këtë muaj.

Në të njëjtën linjë është ambasadori Luigi Soreca. Deklaratat u bënë në ditën e inaugurimit të ambienteve të reja të delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë./ABC News Albania 24/7

hahn.png
ent ela17:11 | 29/04/2019

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn ka shprehur besimin se në fund të muajit maj, Komisioni Europian do të japë rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Shqipëria ka bërë progres të mirë në përmbushjen e kritereve të rëna dakord me vendet anëtare dhe reforma gjithëpërfshirëse në drejtësi është e jashtëzakonshme. Ndaj pritshmëritë legjitime të Shqipërisë duhet të vlerësohen nga vendet e BE-së”, ka deklaruar Hahn.

Megjithatë, ka vijuar komisioneri, vendi duhet të bëjë më shumë përpjekje për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, që janë dhe shqetësimet kryesore të vendeve anëtare. /abcnews.al

mogherini-1280x833.jpg
nev ila09:53 | 18/04/2019

Eurodeputetët e komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Europian i kanë kërkuar shefes së diplomacisë europiane Federica Mogherini të qartësojë nëse në Qershor do të ketë hapje të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Mogherini ka shprehur angazhimin e saj personal që kjo të ndodhë, duke artikuluar, se do jetë një gabim i madh strategjik dhe një provë dritshkurtësie nëse vendimi shtyhet ose nuk merret.

“Shumë nga ju përmendën vendimin që Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian mori pas rekomandimit të Komisionit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Qershor të këtij viti. Mund t’ju them, që unë angazhohem personalisht që kjo të ndodhë në Qershor ,pa shtyrje, në bazën e punës së kryer. Ne kemi thënë që është një proces bazuar në meritë, atëherë ne duhet të konsiderojmë meritën. Mendoj,se do jetë një gabim i madh strategjik dhe një provë dritshkurtësie nëse vendimi shtyhet ose nuk merret në bazë të vlerësimit të meritës”, tha ajo.

Kjo ishte seanca e fundit plenare për këtë legjislacion të Parlamentit Europian. Debati i zhvilluar me komisionin e punëve të jashtme dhe atë të zhvillimit është kryer në kuadër të bilancit të 5 viteve të politikës së jashtme, të sigurisë, por edhe asaj të fqinjësisë dhe zgjerimit me përfaqësuesen e lartë të politikës së jashtme të BE-së Federica Mogherini, që mbaron mandatin e saj në Tetor të këtij viti./abcnews.al

KOSOVE-SERBI-1280x694.jpg
ad min21:30 | 14/04/2019

Për studiuesin gjerman Bodo Veber, dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një rrugë pa krye dhe shkak për këtë është bërë paaftësia e BE-së për të menaxhuar procesin. Në një analizë të publikuar në “DOJÇE VELE”, Veber shton se është e nevojshme që dialogu të kalojë nën patronazhin e Gjermanisë dhe vetë kancelares Angela Merkel, e cila duhet të tregohet kategorike si me Beogradin edhe me Prishtinën.

Negociatat e fundit mes Kosovës dhe Serbisë shënuan një kthesë të fortë politike në kahun e gabuar. I këtij mendimi është Bodo Veber, studiues i asociuar pranë Institutit Transatlantik të Këshillit për Politikën e Demokratizimit. Sipas tij, hyrja në këtë kurs të mbrapshtë është pasojë e motivimeve të ndryshme që kanë protagonistët e këtij dialogu. Presidenti Aleksandar Vuçiç është i prirur të përdorë dobësinë aktuale politike të BE-së për të arritur sa më shumë të jetë e mundur nga dialogu, për të cilin sipas Veber është rënë në ujdi. Por ndërkohë, Vuçiç po përpiqet të largojë vëmendjen nga problemet e brendshme të Serbisë, që janë pasojë e konsolidimit të pushtetit të tij autoritar me tolerimin e Perëndimit.

Nga ana tjetër, vijon Veber në një analizë të publikuar në “Deutsche Ëelle”, presidenti Hashim Thaçi i privatizoi negociatat pavarësisht protestave të partive të tjera në Kosovë vetëm e vetëm për t’i shpëtuar një inkriminimi nga Gjykata Speciale. Por për këtë devijim të negociatave, sipas Veber, përgjegjëse është edhe Federica Mogherini, paaftësia e së cilës si negociatore e futi procesin në një krizë ekzistenciale, të cilën dëshpërimisht po përpiqet ta kthejë në sukses.

Një tjetër faktor i degradimit të procesit, sipas studiuesit gjerman, është edhe qëndrimi i Uashingtonit, që çdo marrëveshje e arritur është një marrëveshje e mirë, duke nënkuptuar këtu edhe atë për shkëmbimin e kufijve. Tani, për të zgjidhur ngërçin dhe për të parandaluar një marrëveshje me shkëmbim territoresh, që sipas Veber do të ishte e dëmshme për Ballkanin, duhet që kancelarja gjermane Angela Merkel të rimarrë pozicionin e saj si lidere europiane.

“Në të njëjtën kohë, ajo duhet t’i lërë të kuptohet si Beogradit edhe Prishtinës që në rast të një nënshkrimi të marrëveshjes së shkëmbimit të territoreve do të shuhej për një kohë të gjatë perspektiva e anëtarësimit në BE”, thotë Veber. Ai shton se përveç kësaj Berlini duhet të grumbullojë pas vetes vende të tjera anëtare të BE-së për një iniciativë të rifillimit të dialogut në kuadrin fillestar. “Mbetet të pritet nëse samiti i 29 Prillit, i thirrur nga kancelarja Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jetë një hap i parë në këtë drejtim”, shton Veber në analizën e tij./abcnews.al

MOGHERINI-DHE-HAHN-PER-BALLKANIN-PER-ABC.mpg_snapshot_00.16-1280x720.jpg
ent ela21:41 | 19/03/2019

Brukseli ka deklaruar se shtetet e Ballkanit të përfshira nga protestat politike duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre dhe jo të presin ndërhyrjen e BE-së. Për Federika Mogerinin dhe komisionerin Johanes Hahn, BE-ja nuk është një trupë ushtarake që të ndërhyjë në shtetet e rajonit.

Pyetjes nëse janë të shqetësuar për situatën e krijuar nga protestat në disa vende të Ballkanit, si Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi dhe nga kritikat drejtuar Bashkimit Europian, se në emër të ruajtjes së stabilitetit në rajon po tolerohet devijimi i shtetit ligjor dhe demokracisë, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn i kanë dhënë përgjigjje të ndryshme:

Federica Mogherini, shefe e Politikës së Jashtme të BE:  “Ne akuzohemi se jemi shumë striktë përsa i takon sundimit të ligjit. Unë pyes nëse është dikush tjetër në të gjithë botën përveç Bashkimit Europian që promovon sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut sa ne. Jo, unë nuk jam e shqetësuar sa i takon kësaj. Ai që po garanton që të ketë një vëmendje të veçantë ndaj anti-korrupsionit, sundimit të ligjit dhe një hapësirë të përshtatshme për shoqërinë civile në të gjithë botën dhe sidomos në rajonin tonë, është Bashkimi Europian. Për këtë arsye nuk kemi pse të akuzohemi aspak në këtë drejtim”.

Johannes Hahn, komisioner për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë: “Unë do të bëj çdo gjë për të mbrojtur të drejtën për lirinë e shprehjes, të drejtën për të protestuar dhe për t’u shprehur. Ata kanë shqetësime dhe këto janë pikëpamjet e tyre, por unë dënoj çdo lloj përdorimi të dhunës. Kjo nuk është ajo që ne mund të pranojmë apo të shohim. Por duhet të them se nuk jemi nga ata që mund të futemi në një vend si një forcë ushtarake dhe të largojmë një qeveri e ta zëvendësojmë atë me një tjetër. Kjo nuk ka të bëjë me botëkuptimin tonë të funksionimit të ligjit. Botëkuptimi ynë për sundimin e ligjit, demokracinë dhe transparencën e sistemit gjyqësor është që: Po, aty mund dhe duhet të ketë ndryshime politike, por ama me kusht që të jenë të bazuara në procese demokratike; në zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Kjo është ajo që ne përpiqemi të lehtësojmë dhe të mbështesim. Por të besohet se ne jemi ata që veprojmë si arbitra, se kush është i mirë e kush është i keq, se njëri duhet të largohet dhe tjetri duhet të vijë, ky nuk është qëndrimi ynë. Kush beson se ne veprojmë në këtë mënyrë e ka gabim. Ne do të bëjmë gjithçka për të forcuar demokracinë në rajon”.

Këto deklarata Mogherini dhe Hahn i kanë bërë në konferencën përmbyllëse të takimit të 15-të të Stabilizim-Asociimit BE-Maqedoni e Veriut. /abcnews.al

mogherini-1280x679.jpg
ent ela15:19 | 21/02/2019

Edhe gjatë një takimi me Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj,  Mogherini tregoi interes për situatën e fundit në Shqipëri dhe theksoi nevojën për pjekuri politike dhe  përgjegjshmëri kombëtare në këtë periudhë kyçe të procesit të integrimit.

Gjatë  takimit në Bruksel Ministri Cakaj vlerësoi kontributin e veçantë të znj. Mogherini për nxitjen e përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht rolin e rëndësishëm në mbështetje të perspektivës evropiane të rajonit tonë.

Cakaj rikonfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me ritmin e reformave në mënyrë që të konsolidohen më tej rezultatet e qëndrueshme në agjendën evropiane, që do të mundësojnë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së vlerësoi arritjet e deritanishme në pesë prioritetet e vendosura nga Bashkimi Evropian, sidomos në fushën e drejtësisë.

 

ERISA-MOGHERINI-1280x720.jpg
ent ela19:19 | 18/02/2019

Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Federika Mogerini ka deklaruar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi se topi për mbajtjen e raundit të ardhshëm ndodhet në fushën e Prishtinës. Sipas Mogerinit, i takon qeverisë së Kosovës të krijojë kushtet e duhura për vijimin e procesit, që nënkupton heqjen e taksës për produktet serbe.

Përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini deklaron, se nuk ka raund të ri pa heqjen e tarifave 100% për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja. Por Mogherini shprehet e gatshme, qe sapo të hiqen tarifat, të vijojë me negociata intensive maratonë nga një javë deri në tre muaj  për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Federica Mogherini, shefja e diplomacisë europiane:  “Dialogu nuk ishte në axhendën e sotme. Mund t’ju them atë që kam bërë të qartë disa herë publikisht. Raundet e dialogut nuk zhvillohen nëse nuk marr një inisiativë për t’i thirrur ato. Dhe nuk do të mbledh palët për një raund tjetër derisa kushtet të jenë plotësuar. Dhe që këto kushte të plotësohen, pres që autoritetet e Kosovës të heqin, t’i pezullojnë apo t’i rrëzojnë tarifat me 100% për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja. Deri atëherë, nuk shoh premisa për një raund të sukseshëm të dialogut. Kur kushtet të përbushen, jam gati jo vetëm të thërras një raund të ri dialogu menjëherë të nesërmen e vendimit, por t’i kyç palëtt për një javë, një muaj apo tre muaj. Jam e sigurtë që ne mund të përfitojmë nga një klimë pozitive nëse arrijmë një vendim gjithpërfshirës dhe të detyrueshëm ligjor për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit. Jam në pritje të plotësimit të kushteve. Nuk kam parë lëvizje në këtë drejtim”.

Këtë deklaratë, shefja e diplomacisë europiane e ka bërë në një konferencë për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian të mbledhur në Bruksel: Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian kanë diskutuar rreth çështjeve të nxehta të politikës së jashtme, si situata në Venezuelë, Zimbabëe, Iran dhe Siri. /abcnews.al

 

THACI-DEKLARATAT-1280x671.jpg
ent ela23:34 | 01/02/2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar pasditen e së premtes një bisedë telefonike me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Federika Mogerini, të cilës i ka shprehur shqetësimin për qasjen destruktive të Serbisë. “Shpreha shqetësimin tonë për kushtëzimet e paarsyeshme të Serbisë, të cilat pamundësojnë vazhdimin e dialogut”, ka bërë me dije Thaçi në profilin e tij në Fejsbuk. Kreu i shtetit ka nënvizuar se përkundër mirëkuptimit të shprehur nga zonja Mogerini, mesazhi i saj ishte i qartë. “Dialogu duhet të vazhdojë dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që pengojnë vazhdimin e tij”, ka cituar Thaçi përfaqësuesen e lartë të BE-së. Në këto rrethana, ka vijuar ai, Prishtina duhet ta heqë menjëherë pretekstin që po përdor Serbia për bllokimin e dialogut, që është taksa për produktet serbe. Për presidentin e Kosovës, ky veprim do të demonstronte përkushtimin për një marrëveshje paqësore me Serbinë dhe njëkohësisht do të forconte aleancën e Kosovës me BE-në, NATO-n dhe në mënyrë të veçantë me Amerikën. /abcnews.al

THACI-MOGHRIMNI-900x445.jpg
ent ela10:01 | 22/01/2019

Takimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe bashkëdrejtuesve të Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, ditën e hënë, ka qartësuar situatën që ndërlidhet me dialogun në Bruksel, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend. Por, ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me këtë situatë dhe pozicionet karshi dialogut.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se Ekipit negociator i është dorëzuar një “dokument informues”, i cili përfshinë çështje specifike të diskutuara në kuadër të fazë përfundimtare të dialogut. Në anën tjetër, zyrtarët e Ekipit negociator kanë theksuar se kanë marrë një “raport të presidencës për Delegacionin shtetëror”, që “nuk është dokumentacion, i cili është dakorduar apo është diskutuar me Brukselin”.

Ata gjithashtu kanë theksuar se “presidenti i Kosovës i ka siguruar ata se nuk ka asnjë draft zyrtar të dakorduar qoftë me Brukselin, qoftë me Serbinë, në lidhje me procesin e ardhshëm të dialogut në Bruksel” dhe se “duhet të fillohet nga zero, për të filluar ndërtimin e bashkëbisedimit të temave”.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i mirë në këtë situatë është që tashmë ekziston një bashkëpunim institucional ndërmjet presidentit të Kosovës, zyrës së tij dhe Ekipit negociator, i cili ka marrë të gjitha kompetencat për dialogun dhe se e ka përkrahjen dhe ndihmën e presidentit.

“Tash, sintagma që ‘Kosova do të nis nga pika zero’ e ka kuptimin që presidenti amnistohet nga të gjitha akuzat që u janë bërë deri më tash, sepse nuk paska biseduar asgjë dhe nuk paska arritur asnjë marrëveshje me Serbinë, e aq më parë nuk ka arritur asnjë marrëveshje për ndryshim të kufirit ose këmbim territoresh, për të cilat është akuzuar në opinion, por edhe nga partitë politike. Kjo ka shërbyer si nismë për të krijuar një ekip, i cili presidentit ia merr kompetencat dhe tash ky ekip i udhëheqë bisedimet”, theksoi Tahiri.

Ai ka shtuar se kjo situatë mund ta qetësojë atmosferën dhe opinionin në Kosovë dhe krijon parakushtet që me një lloj uniteti dhe besimi të vazhdohet dialogu për arritjen e një marrëveshje me Serbinë.

Por, analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që është pak e besueshme që bisedat në Bruksel të jenë zhvilluar pa një bazë orientuese për Kosovën, Serbinë dhe Bashkimin Evropian. Sipas tij, në rast se bisedimet i janë lënë spontanitetit dhe që të mos përcaktohet se për çka do të bisedohet në të ardhmen, kjo do të ishte situatë absurde. Rrjedhimisht, siç thotë ai, nuk është opsion realist që qasja ndaj fazës së ardhshme të dialogut të fillohet nga zeroja.

Marrëveshje, jo kompromis me Serbinë

“Duket se nuk ekziston një vullnet prej asnjërës palë të përfshirë, as prej palës kosovare, as prej palës serbe e as prej asaj të BE-së, që të publikohen të gjitha pozicionet për të cilat është diskutuar në ato takime. Pra, është një marrëveshje e heshtur në mes tre palëve kryesore që të mos bëhen transparente ato për të cilat është biseduar në Bruksel. Mirëpo, është e pabesueshme që të mos ketë ndonjë marrëveshje tashmë në mes të tre palëve për pikat e rëndësishme, sepse kjo do të nënkuptonte që të gjitha ato biseda janë bërë kot”, tha Muhaxhiri.

Bashkëdrejtuesi i Ekipit negociator, Fatmir Limaj, ka theksuar të hënën se me dokumentacionin që kanë marrë nga presidenti Thaçi dhe me draft ligjin për dialogun të propozuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, “po ndërtohet një dosje për të ecur përpara në procesin e dialogut me Serbinë”.

Por, politologu Tahiri, vlerëson që mbetet të shihet nëse ndërtimi i qëndrimit të palës së Kosovës nga Ekipi negociator do të ketë sukses në dialogun me Serbinë.

“A do të ketë sukses Ekipi negociator dhe a do të jetë platforma shumë megalomane apo shumë ekskluzive, që miratohet në Kuvend? Kjo platformë duhet të shihet se a e lë mundësinë për dialog apo ka pozicione shumë të ngurta, që ia pamundëson ndërmjetësuesit, Bashkimit Evropian, por ia pamundëson edhe pjesëmarrjen ekipit të Serbisë, nëse konstatimet nuk mbesin të hapura, por janë të përfunduara”, tha Tahiri.

Ndërkaq, analisti Muhaxhiri thekson që pala e Kosovës duhet të jetë realiste dhe pragmatiste, si dhe të mos kërkoj gjëra për të cilat nuk do ta ketë përkrahjen nga bashkësia ndërkombëtare dhe aleatët e vendit.

‘Mendoj që opsioni më realist është që të punohet që të përfitohet sa më shumë në këtë etapë finale, sepse vetëm kështu mund të përfitohet konkretisht. Ndërsa, nëse Ekipi negociator synon që ta imponojë agjendën e gjithë dialogut, përfshirë edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, atëherë nuk mendoj se do të ketë sukses”, vlerësoi Muhaxhiri.

Sidoqoftë, udhëheqësit e institucioneve më të larta të Kosovës dhe Ekipi negociator për dialog me Serbinë, kanë theksuar që rezultat i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia. Ata janë zotuar për një proces transparent në dialogun me Serbinë./REL


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono