misioni

audrey.jpg
G. P.12:49 | 24/05/2019

Vëzhguesit zgjedhorë të OSBE/ODIHR-it mbajtën një konferencë për shtyp, në Tiranë mesditën e kësaj të premteje për hapjen zyrtare të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit 2019 në Shqipëri.

Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve, ambasadorja Audrey Glover, paraqiti rolin e misionit. Ajo u shpreh se interesi i OSBE-së është që në Shqipëri procesi zgjedhor të jetë transparent.

Ne nuk na intereson rezultati i zgjedhjeve. Ajo që na intereson është që procesi të jetë transparent dhe të kryhet dhe të zhvillohet në përputhje me angazhimet e OSBE. Me angazhime kam parasysh ato që kam parasysh që janë barazia, fshehtësia dhe paanshmëria. Jemi të interesuar që të shohim që rezultatet të dalin dhe të shpallen në mënyrë korrekte dhe transparente”, tha Glover.

Glover u shpreh se në ekipin e misionit të OSBE/ODHIR janë ekspertë ligjore, ekspertë për zgjedhje, analistë politikë, analistë për mediat, ekspertë për pakicat kombëtare, etj, të cilët një ditë pas zgjedhjeve do të lëshojnë një deklaratë paraprake mbi gjetjet dhe përfundimet.

“Këto janë zgjedhjet e 14 që OSBE/ODHIR ka vëzhguar në këtë vend. Kemi pasur kënaqësinë të kishim bashkëpunim me të gjithë aktorët dhe shpresoj që të kemi po të njëjtin bashkëpunim të mirë edhe në javët në vijim. Jemi pritur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe KQZ dhe dua t’i falënderoj ata për bashkëpunimin që kemi pasur deri tani.

Anëtarët e misionit të OSBE/ODHIR në Tiranë, që janë të ekipit bërthamë, janë 10 dhe vijnë nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE. Kemi ekspertë ligjore, ekspertë për zgjedhje, analistë politike, analistë për mediat, ekspertë për pakicat kombëtare, koordinatorë për vëzhguesit afat gjatë të zgjedhjeve, ekspertë në anën operacionale, një ekspert për prokurorimet dhe kemi zv/shefin e misionit. Së shpejti do të kemi dhe 18 vëzhgues afatgjatë. Direkt para zgjedhjeve shpresojmë që të kemi 250 vëzhgues afatshkurtër”, tha Glover.

Misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve do të jetë në partneritet me një delegacion nga Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës për vëzhgimin dhe lëshimin e një deklarate paraprake mbi gjetjet dhe përfundimet, në ditën pas zgjedhjeve. Ardhja e misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve bëhet në bazë të një ftese nga qeveria shqiptare./abcnews.al

KRONIKE-FRONTEX-NE-KAKAVIJE_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela10:35 | 22/05/2019

Nisi zyrtarisht misioni i FRONTEX në Shqipëri. I gjithë kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do të monitorohet nga 50 oficerë të FRONTEX në një marrëveshje pa limit.

Në Kakavijë ishte një dite ndryshe. Pika e kalimit kufitar me Greqinë, priti patrullën e parë të kontrollit. Misioni në Kakavijë nisi me instruktazhin e ekipit të Frontex dhe të Policise Shqiptare. 25 persona nga Frontex do jenë në krah të oficerëve shqiptarë e sipas gazetarit të ABC News.

Lufta kundër migracionit të paligjshëm e krimit ndërkufitar, misioni i operacioneve të përbashkëta me Shqipërinë.

Në drejtim do jenë oficerë shqiptarë, por oficerët e Frontex janë të autorizuar të veprojnë, njëlloj si oficerë shqiptarë për monitorimin e kalimeve të paligjshme, mbledhje informacioni e goditje të trafikut të njerëzve, drogës dhe vjedhjen e makinave.

I gjithë kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do të monitorohet nga 50 oficerë të Misionit në një marrëveshje pa limit.

Kjo do të jetë hera e parë që Frontex do të kryejë një operacion në territorin e një vendi jo të BE-së.

Gazetar i ABC News, Gjirokastër: Orges Sako

/ABC news Albania 24/7

FRONTEX-NE-TIRANE-PER-KUFINJTE.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ent ela15:25 | 21/05/2019

Edhe pse nuk është pjesë e BE, Shqipëria firmosi një marrëveshje me FRONTEX për të monitoruar kufirin Greko-Shqiptar. 50 oficerë do të jenë të instaluar në pikat e kalimit kufitar, ndërsa të pranishëm në Tiranë ishin Eurokomisioneri Dimitris Avramopulos dhe kreu i misionit FRONTEX, Abrice Leggeri.

Emigrantët e jashtëligjshëm që shfrytëzojnë kufirin e gjelbër Shqiptaro-Grek, nga e mërkura duhet të mendohen dy herë për të ndërmarrin një veprim të tillë. 50 oficerë të FRONTEX, Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare ishin të pranishëm në Tiranë.

Për herë të parë u arrit një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Bashkimin Europian, pavarësisht se vendi ynë nuk është anëtar i saj.

“Qëllimi kryesor është të kemi në kufirin tokësor me Greqinë prezencën tonë. Objektivi lidhet me një monitorim edhe më të mirë për sa i përket emigracionit te jashtëligjshëm që nis nga Greqia në drejtim të veriut të Shqipërisë. Janë edhe disa aktivitete të jashtëligjshme si për shembull trafiqe që zhvillohen në kufi. Ne duam te ndihmojmë forcat shqiptare ligj-zbatuese dhe autoritetet e kufirit. Ne do të kemi në terren 50 oficerë kufiri që vinë nga 12 vende anëtar të BE, si edhe automjete patrullimi përgjatë kufirit tokësor mes Shqipërisë dhe Greqisë”.

Gjatë ceremonisë Kryeministri Edi Rama, pohoi se misioni FRONTEX në Shqipëri është një shenjë vlerësuese e BE-së për Shqipërinë.

“Arsyeja tjetër është personale. Për faktin se këtu sot jam me një mik, që në disa role ka treguar me vepra dhe jo me fjalë një miqësi shumë të sinqertë jo thjesht ndaj meje personalisht, Dhimitri Avramopoulos, pa të cilin që edhe ky projekt i rëndësishëm, që sot nis të jetësohet, zor se do të ishte imagjinuar dhe jo më të ishte realizuar”.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, komisioneri Dimitris Avramopoulos komentoi vendimin e parlamentit në Holandë për kthimin e vizave me qytetarët shqiptarë. Ai tregoi se si do të veprohet më tej nëse një kërkesë e tillë mbërrin në Komision.

“Ne nuk bëjmë komente për atë që vendoset në nivelin e vendeve anëtare, por për derisa thelbi kryesor ka të bëjë me mekanizimin për pezullimin e vizave, që ka interes të madh për ju, më lejoni t’u them se Komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim që kërkon pezullimin e vizave. Për asnjë vend në Europë që përfiton. Nëse mund të ndodhë në të ardhmen, më besoni se do të bëjmë një analizë të kujdesshme nëse një veprim i tillë do të duhet të merret apo jo në përputhje me procedurat dhe informacionin që ka të bëjë me rrethanat specifike të një vendi të BE”.

Më tej Komisioneri i BE-së vlerësoi punën e autoriteteve shqiptare për të ndalur fluksin e azilantëve në vendet e BE-së, por shtoi se duhet bërë akoma më shumë. Avramopulos kërkoi që të njihen reformat që ka ndërmarrë vendi në prag të hapjes së negociatave.

“Kjo marrëveshje e afron Shqipërinë me BE-në. Nga ana e BE-së ne e kemi dhënë këtë rekomandim në 2018 për çeljen e negociatave dhe i qëndrojmë atij. Siç e dini në fund të fundit është Këshilli ai që e merr vendimin për çeljen e negociatave. Që prej qershorit të shkuar Shqipëria ka bërë progres në lidhje me reformën në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe kanabisit dhe kjo duhet pranuar, duhet njohur. Por ky progres duhet të jetë i qëndrueshëm. Punë duhet për të ndalur numrin e aplikimeve të pabaza për azil, dhe unë shoh angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta arritur këtë”.

Sipas ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, operacioni i përbashkët i FRONTEX, kontribon në mënyrë të drejtpërdrejt për kompesimin e forcave të limituara të policisë së shtetit. /ABC News Albania 24/7

 

 

EDI-RAMA.jpg
ent ela11:13 | 21/05/2019

Kërkesat për azil janë ulur me 32% në vitin 2018 krahasur me vitin  2017. Këtë deklaroi kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në ceremoninë e nisjes së punës së misionit të BE, Frontex në Shqipëri.

“Na vjen mirë që emigracioni i paligjshëm i shqipatrëve në vendet e BE vazhdon të ulet në mënyrë të ndjehsme dhe bazuar në raportin e 2018 të Komisionit Evropian shkruhet se në 2018 e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshëm 27% më pak shqiptarë, se një vit më parë, ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32% në 2018 krahasur me vitin 2017”. /abcnews.al

merkel-2.jpg
ent ela23:35 | 15/05/2019

Në një intervistë për një të përditshme gjermane, kancelarja Angela Merkel ka rrëfyer të fshehtat e marrëdhënies së saj me Emanuel Makron. Merkel ka deklaruar se shpesh herë me presidentin francez kanë debate të forta, por në fund gjejnë gjuhën e përbashkët për të çuar përpara projektin europian, të vënë në provë nga avancimi i euro-skeptikëve.

Të njohur për afrimitetin mes tyre, Angela Merkel dhe Emanuel Makron kanë herë pas here edhe fërkime. Prapaskenat e marrëdhënies mes dy liderëve më të fuqishëm të Europës i ka rrëfyer kancelarja gjermane, e cila megjithatë ka nënvizuar se pavarësisht dallimeve ajo dhe presidenti francez e gjejnë gjuhën e përbashkët. “Sigurisht që kemi debate të forta. Mentalitetet tona ndryshojnë në disa aspekte dhe në disa të tjera rolet tona i shohim ndryshe. Por e arrijmë gjithmonë një kompromis”, ka deklaruar Merkel në një intervistë për një gazetë gjermane. Gruaja e hekurt e Europës ka nënvizuar se sikurse ajo, edhe Makron po lufton për një objektiv të përbashkët, reformimin e Eurozonës. “Në këtë mënyrë kemi arritur dhe vazhdojmë të arrijmë shumë objektiva për projektin europian”, ka thënë Merkel, që megjithatë ka shtuar se i ka kundërshtuar disa ide të kreut të pallatit Elize që ekspozonin Gjermaninë ndaj rrezikut. Sa u takon zgjedhjeve euro-parlamentare që mbahen këtë muaj, kancelarja ka shprehur shqetësimin për avancimin e euro-skeptikëve, por është shprehur optimiste sa i takon së ardhmes europiane. “Kjo do të thotë se e ndjej edhe më të fortë detyrën për t’u bashkuar me të tjerët, për të bërë që Europa të ketë një të ardhme”, ka vijuar Merkel. Në janar, Merkel dhe Makron nënshkruan një traktat të ri për të ripërtërirë atë të pasluftës të vitit 1963, por analistët druhen se ata do ta kenë të vështirë të udhëheqin një Union që tashmë është bërë me 28 vende anëtare, shpesh herë interesat e të cilave janë përplasur. /ABC News Albania 24/7

OSBE-ODIHR-TAKIMET-MBULIM.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela21:55 | 19/03/2019

Përfaqësues të OSBE/ODIHR kanë mbërritur në Tiranë në një mision të vlerësimit të nevojave të vendit në prag të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Dy këshilltarët zgjedhorë Ana Rusi dhe Alexey Gromov kanë parashikuar në axhendën tre ditore në Tiranë takime me eksponentë të lartë të politikës, institucioneve e medias.

Në fillim ata kanë takuar zvministren e jashtme Dralo, e më pas  kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla, nëë selinë rozë. Në PD u pritën nga kreu demokrat Lulzim Basha. Të mërkurën misioni do takojë kryetaren e LSI Monika Kryemadhi e më pas 9 kryetarë të partive të vogla.

Këshilltarët e OSBE/ODIHR kanë parashikuar takime me kreun e KQZ, përfaqësues të ministrisë së brendshme, të medias e organizatave që merren me të drejtat e njeriut në Shqipëri.

Vlerësimi i nevojave është një praktikë e njohur e OSBE/ODIHR që pasohet me kërkesën për monitorim të zgjedhjeve. /abcnews.al

MBULIM-DOREHEQJA-SIRI.mpg_snapshot_00.24-1280x688.jpg
G. P.17:45 | 18/10/2018

Diplomati italo-suedez, Staffan de Mistura ka njoftuar në Këshillin e Sigurisë së OKB-së në Nju Jork se në fund të nëntorit do të dorëhiqet nga posti i të dërguarit special për Sirinë. Atij nuk i mjaftuan 4 vite punë intensive për të zgjidhur konfliktin sirian dhe as për të përcaktuar fatin e presidentit Bashar Al Assad. Megjithatë, De Mistura nënvizoi se do të vijojë përpjekjet deri në momentet e fundit të detyrës për të sjellë paqe në Siri. Ai kërkon aprovimin e një kushtetute të re. Pavarësisht kësaj, të gjithë takimet e negociatave të organizuara nga De Mistura për t’i dhënë fund konfliktit të nisur në 2011 kanë dështuar. Duke dhënë arsyen e kësaj dorëheqje, i dërguari special tha se do t’i përkushtohet më shumë familjes./abcnews.al

AMBASADORJA-AMERIKANE-UNMIK.mpg_snapshot_00.01.jpg
G. P.13:02 | 17/10/2018

Pak para se të jepte dorëheqjen nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Niki Halei kërkoi largimin e misionit të UNMIK nga Kosova.

Të njëjtën ditë që dha dorëheqjen si ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Niki Halei i dërgoi një letër sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në këtë letër ajo kërkonte që misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, të largohej nga Kosova. Në letrën dërguar Antonio Guterres, që mban datën 9 tetor, shkruhej ndër të tjera se ajo mbështeste reformat në axhendën e misioneve paqeruajtëse, dhe ëshët e gatshme të bashkëpunojë për rezultate dhe më të mira.

Më tej ajo shkruan se prej disa vitesh, misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, ka qenë shembull i menaxhimit të suksesshëm të një konflikti, nga Kombet e bashkuara.
“Suksesi i Kosovës, i shënuar dhe nga 10 vjetori i pavarësisë, duhet të jetë një arsye për të festuar dhe simbol i një kontributi të madh i Organizatës së Kombeve të bashkuara për paqen dhe stabilitetin në Europë. Për këtë arsye, i kërkoj sekretariatit që me autoritetin e tij të nisë tërheqjen e UNMIK nga Kosova,” përfundon letra./abcnews.al

NASA-MISIONI.mpg_snapshot_00.51-1280x883.jpg
G. P.14:07 | 12/08/2018

NASA i ka dhënë jetë të dielën misionit “Prekja e Diellit”, që synon të çojë pranë Diellit sondën e parë në histori, e cila do të monitorojë dinamikën e asaj pjese të atmosferës që ndikon tek planeti Tokë.

Agjencia hapësinore amerikane NASA ka lëshuar të dielën satelitin e parë që parashikohet t’i afrohet Diellit në një distancë të paarritur më parë. Raketa me sondën “Parker Solar” u nis nga baza Kejp Kanaveral në Florida në 3 e 31 me orën lokale, në 9 e 31 me orën tonë, një ditë pas përpjekjes së parë që dështoi. Është hera e parë që një sondë merr emrin e një njeriu, atë të astro-fizikantit Eugene Parker, 91 vjeç, i pari që foli për erën diellore në vitin 1958. Një orë pas lëshimit të saj, NASA njoftoi se shpërbërja e pjesëve të raketës ishte kryer me sukses dhe se mjeti po vijon fluturimin drejt hapësirës. Qëllimi i misionit është që sonda të hyjë direkt në atmosferën e jashtme yjore.

Në bazë të kursit të përcaktuar, ajo pritet të tejkalojë planetin Venus pas 6 javësh dhe të bëjë takimin e parë me Diellin pas 6 javësh të tjera. Në tërësi, sonda “Parker” do të bëjë 24 rrotullime në hapësirë në 7 vitet e ardhshme për të studiuar dinamikën e sistemit yjor, zona ku ndodh shumica e aktiviteteve që ndikojnë tek Toka. Objekti do të hyjë thellë në këtë atmosferë dhe do të bëjë analizën e kampioneve të saj./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono