mision

frontex.jpg
G. P.10:24 | 19/07/2019

Qeveria gjermane vlerëson pozitivisht misionin e ri të Frontex-it në kufirin shqiptaro-grek.

Ky mision ka nisur para dy muajsh. Operacioni i Agjencisë europiane të Mbrojtjes së Kufirit kontribuon duke “mbështetur autoritetet shqiptare në punën e tyre për mbrojtjen e kufirit dhe për masat e kthimit si dhe aplikimin e standardeve të BE-së në këtë drejtim”, thuhet në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj kërkesës së parashtruar nga grupi palramentar i partisë “E Majta”, njofton agjencia e lajmeve dpa. Aktualisht në kufirin shqiptaro-grek janë venosur 66 trupa kufitare nga 12 vende anëtare të BE-së, ndër ta njëmbëdhjetë punonjës të policisë gjermane.
Forcat e Frontex-it ndihmojnë rojet shqiptarë për të kontrolluar “vijën e gjelbër të kufirit” dhe të parandalojnë kriminalitetin ndërkufitar.  Ata janë pozicionuar në pesë pikëkalime kufitare. Ky është misioni i parë në një shtet jo anëtar të BE-së, ku pjesëtarët e Frontex-it marrin edhe kompetenca sovraniteti.

Sfondi i misionit të Frontex-it ka të bëjë me rritjen e numrit të refugjatëve dhe migrantëve më 2018, që kalojnë nga Greqia në Shqipëri. Që andej ata përpiqen të vazhdojnë rrugën kryesisht përmes Malit të Zi, ose Kosovës për në Itali, Austri e Gjermani. Në gjysmën e parë të këtij viti, sipas të dhënave të IOM në Shqipëri janë regjistruar 1210 migrantë të rinj. Vitin e kaluar kanë hyrë 3399 vetë në këtë vend. Krahasuar me vitin 2017 me 752 migrantë në Shqipëri numri i tyre është rritur ndjeshëm.

Misioni i Frontex-it do të zgjerohet edhe në vende të tjera të Ballkanit. Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme gjermane janë “në fazën finale të negociimit” marrëveshje përkatëse me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bonsje-Hercegovinën. /DW

audrey-1.jpg
G. P.13:54 | 24/05/2019

Drejtueses së misionit të OSBE-ODHIR, Audrey Glover, nuk i ka ndodhur asnjëherë të vëzhgojë zgjedhje ku opozita nuk ka marrë pjesë. Këtë përgjigje dha në konferencën e zhvilluar sot me gazetarët ku konfirmoi do të vazhdonin të bënin vëzhgimin teknik të procesit edhe nëse do të ndodhte një situatë e tillë.

Shqipëria do t’i japë një eksperiencë të parë drejtueses së misionit të OSBE/ODIHR, të ndjekë zgjedhje pa opozitën.

“Në fakt jo, nuk më ka ndodhur ndonjëherë të vëzhgoj zgjedhje në një vend ku opozita nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, tha ajo.

Nuk e di si do të jenë, por syrin nuk do t’ia ndajnë i përgjigjet interesimit të gazetarëve drejtuesja Glover.

“Atë që bëjmë gjithmonë, do të raportonim, do të reflektonim atë çka do shihnim vetë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Do të kishim një ditë pas zgjedhjeve raportin tonë përfundimtar me konstatimet e asaj që do shihnim”, tha ajo.

Arsyeja pse ndodhet në Shqipëri është për të prezantuar planin e punës për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit. Do të jenë 10 vëzhgues bërthamë, 18 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër.

“Kemi ardhur pa ndonjë ide të paracaktuar apo axhendë të fiksuar. Ne do të lëmë faktet që të flasin. Do të shikojmë sa janë zbatuar rekomandimet nga misionet e kaluara”, tha ajo.

Misioni i OSBE/ODIHR do të dalë me një raport para zgjedhjeve, do të ketë konferencë ditën pas zgjedhjeve për konstatimet paraprake, ndërsa raporti përfundimtar do të publikohet tetë javë pas zgjedhjeve./ABC News Albania 24/7

femijet-e-Klodian-Tanushit.jpg
nev ila10:30 | 16/05/2019

Është një ditë zie për Shqipërinë. Flamuri kombëtar u ul në gjysmë shtizë në të gjitha institucionet publike e private për të nderuar Dëshmorin e Atdheut Major Klodian Tanushi.

Një minutë heshtje mbizotëroi edhe në Parlamentin Shqiptar. Në ditën e lamtumirës, përpara trupit pa jetë të majorit që ra në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, u përkulën të gjithë, pa dallim ngjyre politike.

Të afërm, miq, kolegë, midis të cilëve edhe i vetmi që mbijetoi nga shpërthimi i minës rreshter Kapaj zhvilluan homazhe në muzeun historik të Tiranës.

Nuk ishte vetëm  major por edhe baba i tre fëmijëve Klodian Tanushi, më i vogli vetëm një vjeç. Dy djemtë e tjerë i dhanë përshëndetjen e fundit babait të tyre i mbuluar nga flamuri kombëtar.

Në ceremoninë shtetërore majori Klodian Tanushi mori vlerësimet më të larta nga kryeministri Edi Rama, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhacka dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku .

Një minë që shpërtheu gjatë misionit në Letoni i mori jetën në vend nëntetares Zarife Hasanaj dhe plagosi për vdekje majorin Tanushi që nuk mundi ti mbijetoi plagëve të marra.

Betejën me jetën e humbi në spitalin e Rigës mbrëmjen e 10 majit. Në 16 maj ai përcillet me nderime në Varrezat e Dëshmorëve./ABC News Albania 24/7

ambasada-amerikane.jpeg
G. P.17:40 | 06/05/2019

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë reagoi në lidhje me vdekjen e efektives së Forcave të Armatosura, Zarife Hasanaj. Në një postim në rrjetet sociale, ambasada shpreh ngushëllimet për familjen dhe miqtë e ushtares që humbi jetën në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni.

Gjithashtu ata i urojnë shërim të shpejtë dy ushtarëve të tjerë që mbetën të plagosur.

“Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllime për familjen dhe miqtë e Zafire Hasanaj, ushtaren e vrarë sot në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni dhe i urojmë shërim të shpejtë dy ushtarëve shqiptarë të plagosur. Ne nderojmë sakrificën e saj”, shkruan në Facebook ambasada.

Nëntetare Zarife Hasanaj humbi jetën mëngjesin e kësaj të hëne nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura në bazën e NATO-s në Letoni. 32 -vjeçarja ishte pjesë e kontigjentit shqiptar, në kuadër të mbrojtjes kolektive të aleancës. 2 efektivët e tjerë shqiptarë, Klodian Tanushi dhe Julian Kapaj, mbetën të plagosur./abcnews.al

nasa.jpg
G. P.15:25 | 12/03/2019

Brenda 10 vjetësh njeriu do të rikthehet sërish në Hënë. Është ky premtimi i agjencisë hapësinore NASA, që ka prezantuar programet e së ardhmes, me një buxhet prej 21 miliardë dollarësh. Njëkohësisht po mendohet dhe për një mision në planetin Mars.

NASA po përgatitet të ridërgojë sërish austronautët e saj në Hënë, brenda 10 vitesh. Deklarata është bërë nga krye administratori i agjencisë hapësinore amerikane i cili prezantoi programet e ardhshme të eksplorimit hapësinor të financuar për 2020-n me një buxhet prej 21 miliardë dollarësh, një nga më të mëdhenjtë deri tani.

NASA parashikon që të nisë misionin e parë demonstrues në vitin 2024 për të testuar aftësinë e zbritjes në hapësirën hënore. Një mision i dytë prove do të ndodhë në 2026-n, për të eksperimentuar sistemin e realizuar në sipërfaqen e Hënës para mbërritjes së austronautëve. Brenda vitit 2028 duhet të ndodhë transferimi i austronautëve të parë të stacionit orbital në sipërfaqen hënore ku do të qëndrojnë për një javë, një rekord i ri ky.

Përveç se do të shërbejë si një urë për udhëtimet në Hënë, stacioni do të ofrojë dhe mundësinë për të studiuar hapësirën e thellë. Ndërtimi i tij do të nisë në 2022-shin në bashkëpunim dhe me agjenci të tjera hapësinore, ato të Europës, Japonisë, Rusisë dhe Kanadasë. Por NASA gjithsesi është në kërkim të partnerëve të tjerë tregtarë.

Rikthimi në Hënë me një program të mbështetshëm do të jetë dhe prova e parë për NASA-n, e cila synon planetin Mars. Në buxhet është financuar plotësisht misioni “Mars 2020”, që duhet të rikthejë në Tokë një kampion të planetit të kuq./abcnews.al

eulex.jpg
G. P.13:33 | 30/05/2018

Sipas një analize të së përditshmes gjermane Noie Zurher Caitung, misioni i EULEX në Kosovë ka dështuar, dhe kur ky mision të largohet nga vendi në muajin Qershor, nuk do i mungojë askujt.

Mediat gjermane në një analizë të gjatë për misionin Eulex shkruajnë se në përfundim të tij, askujt nuk do i mungojë. Duke iu referuar situatës aktuale në Kosovë, largimit të EULEX-it dhe rrugëve të reja të refugjatëve në Ballkan, shkruhet se pas largimit të EULEX nga Kosova, në vend të tij do të mbetet një mision i vogël këshillues.

Gazetari Andreas Ernst për Neue Zürcher Zeitung, shkruan se EULEX-i ka qenë misioni më i madh i Bashkimit Evropian deri tani. Dikur ka pasur në Kosovë deri në 2000 policë, gjykatës dhe doganierë, ndërsa buxheti vjetor ka qenë rreth 200 milionë euro.

Misioni është zvogëluar shumë herë, ndërsa aktualisht në Kosovë ka rreth 800 nëpunës, me një buxhet prej 60 milion eurosh. Në pritje të proceseve të bujshme gjyqësore që ishin paralajmëruar me ardhjen e këtij misioni në Kosovë, ankesat ndaj punës së EULEX-it për mungesë aftësish dhe kompetencash u shtuan.

Në verën e vitit 2014, prokurorja e EULEX-it, Maria Barnie deklaroi publikisht rastet për korruptimin dhe ryshfete pr dy kolegë të saj, që ishin paguar nga mafia e Kosovës. Sipas hkrimit, në rast se do të kishte ndjekje penale për emra të rëndësishëm, atëherë do të pasonte dhe ndryshimi i pushtetit, gjë që sipas Ernst përfaqësuesit e BE nuk kanë dashur ta marrin përsipër./abcnews.al

alen-bin.jpg
G. P.10:12 | 27/05/2018

Ka ndërruar jetë të shtunën, në moshën 86-vjeçare Alen Bin, njeriu i katërt që shkeli në Hënë. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e astronautit, përmes një komunikate dërguar agjencisë hapësinore NASA. Bin ishte shuar në spitalin Metodist të qytetit të Hjustonit, në Shtetet e Bashkuara, për shkak të një sëmundjeje që e kishte prekur në vitet e fundit.

Bin shkeli terrenin hënor gjatë misionit “Apollo 12”, në nëntor 1969, pas Neill Armstrong, Baz Olldrin dhe Pit Konrad. Ndërsa në Korrik 1973, ai ishte komandant i ekuipazhit të dytë që fluturoi në stacionin e parë hapësinor amerikan, “Skajleb”./abcnews.al

pompeo-kore-1280x720.jpg
ent ela15:21 | 09/05/2018

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, gjatë vizitës në Korenë e Veriut, ka caktuar vendin dhe orën e takimit të shumëpritur mes Donald Trump dhe Kim Jong-un. Kjo është bërë e ditur nga Presidenti amerikan, i cili njoftoi se Pompeo po kthehet në SHBA bashkë me 3 të burgosurit e liruar nga Pheniani.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka kryer me sukses vizitën e tij të dytë në Korenë e Veriut. Kjo është bërë e ditur nga Presidenti Donald Trump me anë të disa mesazheve në profilin e tij në Twitter. Pompeo udhëtoi për në vendin komunist për të përmbyllur detajet e fundit të samitit të shumëpritur.

“Me shumë kënaqësi ju njoftoj se Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, po kthehet nga Koreja e Veriut me 3 zotërinj, të cilët duam t’i takojmë. Ata gëzojnë shëndet të plotë. Gjithashtu, një takim shumë i mirë është zhvilluar me Kim Jong-un. Data dhe vendi është caktuar. Sekretari Pompeo dhe ‘miqtë’ e tij do të zbresin në Bazën Ushtarake Andrews në orën 2:00 të mëngjesit të së enjtes. Unë do të jem aty për t’i përgëzuar. Jam shumë i emocionuar!”, shkruan Presidenti amerikan.

Në këtë mënyrë, Trump ka njoftuar se tashmë është çdo gjë gati për takimin e shumëpritur mes tij dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un. Gjithashtu lirimi i 3 amerikanëve të burgosur shikohet si një shenjë e vullnetit të mirë nga Koreja komuniste. Këto zhvillime vijnë pas një samiti me Pekinit dhe Phenianit që u zhvillua sëfundmi. Gjatë një bisede me Presidentin e Kinës, Xi Jinping, lideri i Koresë së Veriut ka konfirmuar se në momentin, kur do të përfundojnë aktivitetet armiqësore dhe kërcënimet për sigurinë nuk do të ketë arsye për Korenë e Veriut që të jetë një shtet bërthamor.

Prej disa kohëve, Koreja e Veriut ka treguar dëshirë dhe vullnet për të normalizuar mardhëniet me SHBA-të dhe Jugun. Megjithatë paralajmëroi administratën Trump që të mos japë deklarata që nxisin konfliktin, pasi Pheniani nuk është në tryezën e bisedimeve për shkak të sanksioneve të ashpra./abcnews.al

pia22227-full-1280x720.jpg
ent ela18:46 | 05/05/2018

NASA ka lëshuar një mission të ri në Planetin Mars. Me këtë projekt synohet studimi i tërmeteve në planetin e kuq si dhe formimi I tij.

NASA eksploron Marsin përsëri katër vjet e gjysmë pas lëshimit të sondës së fundit, “Maven 2013”. Objektivi: për të studiuar nëntokën e Planetit të Kuq. Misioni i quajtur “InSight” (pamje më në brendësi) do të arrijë atje ku nuk kanë mundur anijet kozmike, modulet e uljes dhe sondat orbitale. Gjetjet mund të mbulojnë fazat më të largëta të formimit të planetit “shkëmbor”, përfshirë Tokën dhe Hënën e saj, në formimin më të gjerë të sistemit diellor.

Raketa, Atlas 5, u lëshua pak pas orës 13 të së dielës nga baza e Kalifornisë në Vandenberg dhe jo nga baza e zakonshme Cape Canaveral në Florida. Mbërritja është planifikuar për në nëntor me zgjerimin e paneleve diellore dhe ekspozimin e pajisjeve kryesore që do të fillojnë menjëherë të punojnë. Para së gjithash, ata duhet të regjistrojnë tërmetet në Mars dhe rrjedhat termale në nëntokë deri në 5 metra thellësi.

Ndërkohë, i gjithë projekti kap një shifër marramëndëse prej 993 milionë eurove. Sonda do të punojë rreth dy vite për të zbuluar se çfarë fshihet poshtë sipërfaqes së planetit Mars.  /abcnews.al

mision-i-macron.jpg
G. P.17:05 | 24/04/2018

Presidenti francez, Emmanuel Macron është i pari lider që u prit në Shtëpinë e Bardhë me ceremoni shtetërore nga homologu i tij amerikan, Donald Trump. Të dy presidentët kanë shkëmbyer dhurata me njëri-tjetrin. Analistët shprehen se misioni i Presidentit francez është të bindë homologun e tij amerikan për Iranin.

Shkëmbim dhuratash me vlerë simbolike të lartë mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut francez, Emmanuel Macron. Temat kryesore të bisedës në Shtëpinë e Bardhë mes dy liderve nisnin nga marrëveshja për programin bërthamor iranian deri në çështjen e Koresë së Veriut, luftimet në Siri dhe ndryshimet klimaterike. Kreu i Elizesë i dhuroi Trump një pemë, të cilën e mbollën së bashku ne oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa Presidenti amerikan i dhuroi Macron një copë stofë në kornizë nga karriget e dhomës blu me një shqiponjë ari. Karriget janë dizenjuar për Shtëpinë e Bardhë nga francezi Pier-Antuan Belonzhe.

Sipas analistëve, misioni i vërtetë i Presidentit francez Macron është të bindë homologun e tij amerikan, gjatë vizitës tre ditore, për rëndësinë e marrëveshjes me Iranin përsa i përket programit bërthamor të Iranit. Sipas asaj që parashikohet nga traktati i nënshkruar në 2015-n, Teherani ka reduktuar në mënyrë drastike aktivitet e tij rreth pasurimit me uranium, si dhe ka lejuar kontrolle në qendrat bërthamore nga ana e agjencisë ndërkombëtare për energjinë bërthamore. Në Janar të këtij viti, Trump e cilësoi traktatin në fjalë si marrëveshjen më të keqe që kishte firmosur ndonjëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke lënë të kuptohej se mund të tërhiqej e të ndërpriste traktatin dhe të vendoste sanksione të reja ndaj Teheranit.

Në 12 Maj skadon dhe afati i fundit për rinovimin e këtij traktati nga pala amerikane. Në këtë kontekst Macron do të jetë një lloj zëdhënësi i komunitetit ndërkombëtar, duke u përpjekur të bindë Trump që të rinovojë traktatin. Në një intervistë për televizionin amerikan Fox News, Presidenti francez u shpreh se nuk ka një “Plan B” ndaj tërheqjes nga pala amerikane nga kjo marrëveshje me Iranin. E vetmja strategji e Macron është të bindë homologun e tij se nuk ka asnjë opsion tjetër ndaj rinovimit. Ndërkohë fuqitë e tjera që kanë firmosur si Rusia, Britania e Madhe, Kina dhe Gjermania janë në pritje  të lëvizjes së radhës së Macron.

Në pritje të fjalimit në Kongresin amerikan, Macron do të bisedojë në Studion Ovale me Trump. Ky konsiderohet dhe momenti më i rëndësishëm i vizitës së tij, nga i cili mund të varet e ardhmja e shumë çështjeve ndërkombëtare./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono