ministria

rusi-dhe-ukraine.jpg
G. P.10:01 | 08/09/2019

Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer 70 të burgosur, pas një procesi të gjatë negociues. Gjesti konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt rifillimit të dialogut mes Moskës e Kievit dhe është përshëndetur nga kancelarja Merkel dhe presidenti Trump.

Pas negociatave të gjata, Rusia dhe Ukraina kanë finalizuar shkëmbimin e 70 të burgosurve,  një akt që presidenti ukrainas Volodimit Zhelenski e ka cilësuar si një hap të parë për rifillimin e dialogut mes Moskës e Kievit si dhe një akt konkret drejt përfundimit të luftës në Donbas. Mes të burgosurve të liruar nga rusët janë edhe regjisori ukrainas Oleg Sentsov dhe 24 marinarë ukrainas që ishin kapur vitin e kaluar pas një përplasje në Krime.

Shkëmbimi i të burgosurve është përshëndetur si një sinjal shprese edhe nga kancelarja gjermane Angela Merkel, që pasi u shpreh e lumtur për marinarët ukrainas dhe regjisori Sentsov po kthehen në shtëpi, ka deklaruar se tani ia vlen të vazhdohet puna për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut.

“Qeveria gjermane është gati ta bëjë këtë”, ka thënë Merkel. I ngjashëm edhe reagimi i presidentit amerikan Donald Trump sipas të cilit, mbase ky është një hap i parë madhor drejt paqes, një lajm i shkëlqyer.

Në të njëjtën linjë kanë reaguar edhe Ministri i Jashtëm francez, presidenti i Parlamentit Europian dhe Ministria e Jashtme italiane./ABC News Albania 24/7

mbzhr.jpg
G. P.18:27 | 06/09/2019

Zhurmës së krijuar nga bllokimi në kundërshtim me ligjin e më pas zhbllokimi i 4.600 litrave të plehut kimik Silicon Mix, Ministria e Bujqësisë i është përgjigjur duke siguruar konsumatorët që përdorimi i këtij plehu në bujqësi nuk ka asnjë rrezik për shëndetin.

“Qarkullimi i këtij produkti në Republikën e Shqipërisë është plotësisht i lejuar nga legjislacioni dhe pa asnjë diskutim i dobishëm për bimën dhe pa asnjë efekt negativ për shëndetin e njeriut“, thotë Arjan Jaupllari, drejtor i përgjithshëm në MBZHR.

Drejtori i Përgjithshëm, Arjan Jaupllari, shpjegon se për shkak të dobisë dhe për arsye se nuk paraqet asnjë rrezikshmëri për shëndetin e konsumatorëve të prodhimeve bujqësore, ai përdoret në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Duke iu referuar dokumentacionit të venë në dispozicion nga AKU, produkti “Silikon Nix” është pleh gjethor me emërtimin EC Fertilizer, që përdoret gjerësisht në bujqësi. Efekti i këtij plehu i përdorur sipas kritereve, jo vetëm që nuk është i dëmshëm, por dobia e tij është e pranuar edhe në protokollet e avancuara të bujqësisë organike. Në Bashkimin Evropian këto kombinime njihen ndryshe edhe si smart fertiliser, në shqip “plehra të zgjuar”.

Importuesi i këtij plehu, që është futur vazhdimisht në vendin tonë për vite me radhë, ka dorëzuar edhe certifikatën e kryerjes së analizave.

“Firma ka dokumentacionin me certifikatën që i jane kryer analizat dhe është fertilizator”.

Ministria e Bujqësisë sqaron gjithashtu se edhe për plehrat kimikë, legjislacioni shqiptar është i përafruar me atë të Bashkimit Europian, për të pasur sa më shumë siguri në përdorimin e tyre në bujqësi.

Tv Klan

besa-shahinii.jpg
G. P.15:47 | 18/07/2019

Shtatë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kërkuan interpelancë urgjente me Ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini për rritjen e notës mesatarë për studimet e larta. Ky vendim i qeverisë sipas deputetëve penalizon maturantët ndërsa sipas ministres rrit cilësinë në arsim.

Rritja e notës mesatare për pranimet në universitet nxiti shtatë deputetë të Kuvendit t’i kërkonin shpjegime Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini.

“Si mund të miratohet një vendim dy javë përpara se të mbarojë matura, duke përcaktuar mesataren e një procesi që ka filluar tre vite më përpara. A nuk do të ishte më e drejtë që ta vendosnit këtë vendim vlefshmërie që nga viti i parë i studimeve 2019-2020”?

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë doli në foltore për të treguar se vendimi vjen pas analizës së kryer në cikle të ndryshme të arsimit.

“Do të sigurohemi që vetëm më të mirët do të bëhen mësues, do të sigurohemi se do të rritet cilësia e arsimit të lartë si nga ana e universiteti, si nga ana e prurjeve të studentëve”.

Përgjigja nuk kënaqi deputetët që kërkuan interpelancën urgjente me ministren Shahini.

“Unë e shtrova me dashamirësi dhe me një ton tjetër gjatë gjithë pyetjeve pa dashur t’ju akuzoj për agjë në ndryshim nga përgjigjet tani ishte “a jeni ju të predispozuar ta shtyni këtë vendim të paktën për një vit” që ata të kenë një vit mundësi që ta përmirësojnë mesataren, jo si këta që ikën. Ju mesa duket nuk e zutë fare në gojë. Nuk dhatë asnjë përgjigje, po, jo, ndoshta”.

Ndërsa qeveria nuk tërhiqet në vendimin që ka marrë.

“Ka filluar të zbatohet qysh në vitin 2016 me notën mesatare 6, në vitin 2018 me notën 7 për mësuesi. Atëherë kemi folur publikisht, në të gjitha universitetit, që do të shkojmë tutje në studimet e mësuesisë me 7.5 dhe ashtu siç ju thashë sot do të shkojmë në 8”.

Maturantët që duan të ndjekin studimet e larta këtë vit akademik në programet bachelor gjatë viteve të gjimnazit duhet të kenë arritur mesatare të notave të paktën 6.5. Nëse zgjedhin degët e mësuesisë mesatarja duhet të jetë minimum 7.5 ndërsa për mjekësinë 8.5./ABC News Albania 24/7

anila-denaj.jpg
G. P.16:16 | 11/07/2019

Pas deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha se taksa e karburantit do të rritet 200 lekë për litër, ka reaguar ministrja e financave Anila Denaj.

“Një tjetër produkt i një fantazie gjithnjë e më shumë për të ardhur keq! S’ka rritje taksash, s’ka taksa të reja!”, shkruan ministrja Denaj në Twitter sipas të cilës sajesa të tilla i bëjnë vetëm ata që kanë humbur debatin./ABC News Albania 24/7

zaev-2.jpg
G. P.15:35 | 24/06/2019

Pas paralajmërimeve të shumta, në fundjavë u konfirmuan ndryshimet në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, me propozimet që u dorëzuan në parlamentin e vendit. Por cilët janë ministrat e rinj në një kohë që kryeministri Zaev është vetëpropozuar për postin e ministrit të Financave.

Kryeministri Zaev veten e ka propozuar Ministër të Financave, kurse ministri i deritashëm Dragan Tevdovski do të jetë këshilltar i tij. Në biografinë e Kryeministrit, krahas karrierës profesionale, shkruan se është rritur në një familje modeste, tradicionale dhe se që nga rinia e hershme është kycur në biznesin familjar të bujqësisë.

Për Goran Milevskin, liderin e Partisë Liberal-Demokrate, i cili do të jetë ministër i Pushtetit Lokal, shkruhet se para se të bëhet deputet, ka qenë profesor i lëndëve ekonomike në një shkollë të mesme të Manastirit, kurse lidhur me njohuritë përmenden MS Office dhe Internet, kurse flet edhe anglishten.

Hysni Ismaili, është propozimi i alternativës për Ministër të Kulturës. Ai me profesion është Doktor i Shkencave Mjekësore, kurse para se të bëhet docent në Universitetin e Tetovës, ka qenë profesor në shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë.

Krahas gjuhës shqipe, flet edhe gjuhët maqedonase, turke, angleze, e boshnjake. Lidhur me aktivitetet e kulturës, në biografi shkruhet se ka qenë redaktor i librit, organizator i panairit të parë të librit të botuesve privat shqiptar, redaktor i radio-dramave dhe të 90 radio-emisioneve nga fusha e kulturës, redaktor dhe udhëheqës i 80 programeve dokumentare televizive na gjuhën shqipe dhe njëri prej themeluesve të shtëpisë botuese “Logos A”. Në biografinë e tij përmenden edhe një numër i madh i punimeve shkencore nga fusha e mjekësisë.

Ministër i ri i Ambientit Jetësor do të jetë Naser Nuredini, i cili është shkolluar për Biznes Ndërkombëtar në Austri, Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Në grafën për gjuhët, thuhet se flet shqipen, anglishten, gjermanishten dhe italishten, kurse flet edhe gjuhën maqedone dhe serbo-kroate.

Sadulla Duraku do ta udhëheq Ministrinë për sistem politik. Përveç funksioneve politike, në përvojën e punës përmenden edhe punësimet në dy shkolla të mesme në Kumanovë.

Në Ministrinë e Bujqësisë duhet të emërohet Trajan Dimkovski, i cili deri më tani ka qenë shef i kabinetit të paraardhësit të tij Lupço Nikolovski. Përveç punës në Ministri, ka përvojë edhe në Këshillat drejtuese dhe shoqata nga fusha e bujqësisë./ABC News Albania 24/7

MBULIM-SHOQATA-E-TRANSPORTIT.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela14:02 | 05/04/2019

Shoqata Kombëtare e Transportit Ndërqytetas i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës që të shfuqizojë nenin që ka të bëjë me hipjen dhe zbritjen pa ndalesa të pasagjerëve.

Në një kërkesë dërguar këtë të enjte, Shoqata e Kombëtare e Transportit Ndërqytetas kërkon edhe anulimin e të gjitha masave administrative, deri në zgjidhjen e përbashkët të konfliktit mes Shoqatës së Transportit dhe Ministrisë.

Kjo shoqatë bën me dije se, nëse Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i kalon në heshtje kërkesat e tyre deri më 15 Prill, do të pezullohet shërbimi i transportit të udhëtarëve në të gjithë vendin.

/abcnews.al

sander-lleshaj-1-1280x645.jpg
ent ela12:27 | 02/04/2019

Ditën e sotme në një aktivitet të mbajtur nga Ministria e Brendshme së bashku me përfaqësues të ambasadës amerikane, është prezantuar projekti më i ri i mundësuar kryesisht nga shteti amerikan.

Lleshaj ka theksuar se ky sistem do të jetë ndihmë dhe zgjidhje përfundimtare për konfliktet mes prokurorisë dhe policisë. Sipas Lleshajt, sistemi mundëson më shumë lehtësi dhe evidencë të plotë për cështjet, kështu policia dhe prokuroria nuk do të munden më, ti lënë dështimin njëra tjetrës.

“Janë investuar miliona dollarë për këtë projekt te madh, me këtë sistem standardizojmë procesin e punës. Çështjet do të menaxhohen në mënyrë rigoroze, çdo çështje që do të nis do jetë e pasqyruar më e plotë. Sistemi do të mundësojë krijimin e një tabloje të plotë. Sistemi do të mundësojë dhe ndihmojë analizën e punës, do të krijojë kujtesë, arkiv.

Ky sistem do të mundësojë riorientimin e punës së policisë, do të krijojë bashkëpunim të ri mes policisë dhe prokurorisë e do të garantojë bashkëpunimin mes të dyjave. Jo rrallë ndodh që Policia ka pamje tjetër, Prokuroria tjetër, të cilat jo domosdoshmërisht janë të njëjta. Sistemi tashmë e mundëson që të jenë shumë të vështira alibitë institucionale, sepse tentojnë t’ia bëjnë njëra-tjetrës me gisht.

Jam optimist se hapat e mëtejshëm midis policisë dhe Prokurorisë do kenë protokolle të qarta për menaxhimin e përbashkët të këtij sistemi për të arritur atë objektiv të përgjithshëm që të gjithë qytetarët presin më shumë rend, siguri. Nuk do të ketë më “dështimi është i yti apo i imi”. Nuk është destinacion përfundimtar, por një hap më tej modernizimit të policisë”, tha Lleshaj./abcnews.al

1553525154_NitinSandesara.jpg
ent ela16:15 | 25/03/2019

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrim. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp Ministria e Jashtme sqaron se dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e shtetasit Sandesara nuk është procedurë që ka kaluar nëpërmjet kësaj ministrie, apo është në kompetencat e këtij institucioni. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit.
Reagimi i plotë i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon sa më poshtë lidhur me rastin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara:

Procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.

Dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e z. Sandesara nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.

Për më shumë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.

Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm./abcnews.al

belinda-balluku.jpg
G. P.17:10 | 22/03/2019

Gjithçka u kanë premtuar naftëtarëve do të realizohet shumë shpejt. Është ky premtimi i Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë takimit që zhvilloi në Fier me naftëtarë, ish-naftëtarë dhe përfaqësues të sindikatave të tyre.

Të mos shqetësohen naftëtarët se qeveria ia ka bërë gati projektligjin vetëm durim u kërkon ministrja e infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Qeveria Rama e ka fokusin tek naftëtarët. Mos harroni që është bërë një projektligj, i cili ka dashur kohë dhe mund. Zbardhja e akteve nënligjore kërkon kohën e saj, rishikimi dhe reformimi i akteve ligjore kërkojnë gjithashtu kohën e tyre. Por ju duhet të vlerësoni vëmendjen e qeverisë që është totalisht tek ju dhe unë ju premtoj që gjithçka thamë sot ne do ta realizojmë shumë shpejt”.

Naftëtarët kanë ngritur shqetësimet e tyre që lidheshin kryesisht me shfuqizimin e ligjit 526, si pengesë për marrjen e vërtetimit nga sigurimet shoqërore, apo nisjen e kompensimit financiar.

Ndërsa përfaqësuesit e sindikatave kanë kërkuar rishikimin e lidhjes së Kontratës Kolektive të punonjësve të Rafinerisë së Ballshit, ngritjen e repartit për sëmundjet e rënda në spitalin rajonal të Fierit dhe ristrukturim të repartit zjarrfikës.

Për të gjitha këto, ministrja Balluku i ka siguruar se shqetësimet e tyre do të shqyrtohen me vëmendje të veçantë, për të gjetur zgjidhjen më të mirë në interes të naftëtarëve./abcnews.al

51939241_334069837210307_2167408675596009472_n-1280x853.jpg
ent ela13:31 | 10/02/2019

Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit organizuan Dajti n’Fest. Një ndër 210 festat lokale, të cilat sipas ministrit Blendi Klosi do të promovojnë traditën këtë vit. Në këtë aspekt Veliaj u shpreh për shtim të investimeve me qëllim rritjen e numrit të turistëve.

Dajti n’Fest është rikthyer edhe këtë vit me surpriza e aktivitete që promovojnë vlerat, traditat e produktet e zonës. Festës iu bashkuan dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Duam që me të gjitha bashkitë, me të gjithë ata që kanë mundësi të mbështesin organizime të tilla pranë pikave turistike, si kjo e Dajtit, pranë zonave të mbrojtura, pranë pikave që prodhojnë turizëm, pranë agroturizmit, pranë 100 fshatrave, të organizojmë festa si kjo, ku të kemi kombinim midis bukurisë së natyrës, ofrimit të shumë alternativave për t’u argëtuar si gjithë këta djem e vajza që shoqërojnë këtë festë, por në radhë të parë për të afruar ekonominë për prodhuesit vendas“.

Kjo festë sipas kryebashkiakut të Tiranes Erion Veliaj është një mundësi e mirë për të nxitur zhvillimin e turizmit malor dhe për të forcuar ekonominë vendase.

Për ta bërë zonën sa më tërheqëse Veliaj bëri të ditur se bashkia në bashkëpunim edhe me biznesin do të shtojnë investimet.

“Do të vazhdojmë investimet në Dajt: filluam me një park të aventurave, si Dajti Ekspres, dhe jam shumë i lumtur t’ju informoj se shumë shpejt edhe ish-kampi, por edhe gjithë kjo fusha, do të kthehen në terrene sportive që mund të përdoren jo vetëm nga ata të sporteve ekstreme, si aeronautika, që tani ka platformën e vet, por edhe nga ata që duan të merren me futboll, volejboll, me cross-country ski. Besoj se edhe për të huajt që do të vizitojnë Tiranën, ky është një lajm fantastik”.

Me qëllim promovimin e traditës pushteti vendor në bashkëpunim me atë qendror kanë planifikuar organizimin e 210 festave lokale në të gjithë vendin.  /abcnews.al

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono