ministria e financave

aa.jpg
G. P.15:42 | 11/09/2019

Papunësia në vend ka pësuar rënie në 11. 5%. Këtë e bën të ditur Ministria e Financave, sipas të cilës, ky është niveli më i ulët historik.

Lajm i mirë për ekonominë! Nis kështu njoftimi i Ministrisë së Financave e cila  shpërndau për mediat të dhënat e anketës tremujore të forcave të punës publikuar nga Instituti i Statistikave.

Bëhet fjale për rënien e papunësisë në vend në 11.5%, niveli më i ulët historik theksojnë financat. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,9 % ndërsa me tremujorin e parë të 2019-s rënia vlerësohet me 0,6 %.

Nga muaji Prill deri në Qershor të këtij viti 61.4% e personave nga 15 deri në 64 vjeç kanë gjetur një punë. 3,4% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë dhe 2.1% më tepër tre muajt e parë të vitit.

Shifra sipas ministrisë është ndër më të lartat në rajon dhe për këtë Shqipëria është vlerësuar nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komisioni Evropian.

Rritje të punësimit kanë patur sektorët bujqësi, tregti, shërbimet mbështetëse, aktiviteti informatik dhe telekomunikacioni. Tendencë rënie po shfaq dhe papunësia tek të rinjtë.

Sipas Ministrisë së Financave raporti i publikuar nga INSTAT tregon efektivitetin e politikave të ndërmarra nga qeveria që shkon në favor të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe nxitjes së punësimit./ABC News Albania 24/7

voltana-ademi-1280x711.jpg
G. P.19:11 | 20/08/2019

Një ditë pas konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak, qeveria ka dhënë sinjalet se nuk e njeh Voltana Ademin si kryetare të Bashkisë së Shkodrës. Kryetarja në detyrë e Shkodrës ka denoncuar faktin se Ministria e Financave përmes Degës së Thesarit në Shkodër ka bllokuar procedurat e likuidimit për fondet dhe investimet.

Voltana Ademi i është drejtuar me një shkresë Ministres së  Financave, Anila Denaj duke kërkuar zhbllokimin e fondeve, ndërkohë që për situatën ka vënë në dijeni edhe ambasadën e SHBA dhe ambasadat e vendeve të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Ademi ka publikuar edhe korrespondencën me Drejtorinë e Thesarit e cila në rrugë zyrtare i bënte me dije se nuk e njeh më si kryebashkiake, pasi i ka mbaruar mandati.

Në shkresën drejtuar ministres Denaj, kryebashkiakja Ademi apelon që qeveria të tërhiqet sa më shpejt nga një qëndrim i tillë duke kërkuar të zbatohet vetëm ligji dhe jo orientimet partiake-politike.  /ABC News Albania 24/7

MBULIM-RROKADA-MINISTRIA-E-FINANCAVE.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela15:11 | 27/03/2019

Një valë shkarkimesh ka përfshirë krerët kryesorë të institucioneve më të rëndësishme të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Mësohet se me propozim të ministres Anila Denaj, kryeministri ka miratuar largimin nga detyra të drejtores së përgjithshme të tatimeve Vasilika Vjeros, e në vend të saj do të jetë Enton Duro, i cili deri më sot ka mbajtur postin e drejtorit të Administrimit të Taksës së Pronës.

Rokada ka përfshirë edhe administartën doganore. Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Belinda Ikonomi, tashmë do të jetë zëvendës ministre e Financave dhe Ekonomisë. Postin e saj do të mbajë Arlind Gjokuta, i cili shërbeu për dy vjet si drejtor i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave të Pista.

Furtuna e ndryshimeve të drejtuesve të dikastereve kryesore të ministrisë së Financave u bë pas analizës së shifrave të realizimit të të ardhurave në buxhetin e shtetit për dy muajt e parë të vitit.

Të ardhurat në buxhetin e shtetit nga tatimet e doganat rezultuan 2.6 milion dollarë më pak se një vit më parë. Vetëm mosrealzimi i mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar ishte -3.6 milion dollarë, ndërsa edhe akcizat ranë me 1.1 milion dollarë krahasur me janar-shkurtin të 2018-s. Dy tatimet e vetme që kanë shënuar rritje, janë tatimi mbi fitimin dhe taksimi i të ardhurave personale. /abcnews.al

Mona-933x445.jpg
ent ela12:47 | 24/01/2019

Një qytetar, që endej në një proces privatizimi prej më shumë se 25 vitesh, e zgjidhi problemin e tij duke paguar rryshfet për zyrtare të Ministrisë së Financave. Emisioni Stop në TV Klan denoncoi këtë rast korrupsioni, përmes filmimit me kamera të fshehtë.

Mbrëmjen e djeshme emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi rastin korruptiv në Ministrinë e Financave, ku një qytetar ka më shumë se 25 vjet, që endet në një proces privatizimi.

Qytetari me ndërmjetësimin e sekseres Manushaqe Selita, funksionarja e Ministrisë së Financave, Mona Alickaj, i thotë atij, se ajo mund ta zgjidhë çështjen me 800 mijë lekë të vjetra, por drejtori i saj kërkon 1 milionë.

Funksionarja e Ministrisë së Financave, Mona Aliçkaj, i thotë qytetarit se  kur të dorëzohen paratë, mbaron edhe puna, madje qytetari edhe noterin do ta paguajë vetë. /abcnews.al

SISTEMI-I-RI-FATURIMI.mpg_snapshot_00.58-1280x683.jpg
G. P.12:09 | 17/08/2018

Ministria e Financave ka njoftuar se Administrata Tatimore do të aplikojë së shpejti një sistem të ri teknologjik të faturimit. Rreth 15 milionë euro do të financohet gjatë viteve 2018-2022 nga fondet e Buxhetit të Shtetit për ngritjen e këtij sitemi që parashikon ti japë fund evazionit fiskal dhe mashtrimi tatimor.

Një sistem i ri i faturimit do të aplikohet së shpejti nga administrata tatimore.Ky projekt synon krijimin e një sistemi on line të mbikqyrjes në kohë reale të pajisjeve fiskale si për pagesat në cash për transaksionet biznes-konsumatorë, ashtu edhe për transaksionet biznes-biznes.
Sistemi i ri, ndryshe nga ai aktual i ndërtuar në vitin 2010, do të lidhet edhe me modulin aktual të manaxhimit të riskut në tatime e më pas edhe në dogana, për të mundësur një analizim më të thellë të përgjegjësive fiskale të subjekteve dhe transaksioneve individuale të bizneseve.

Sistemi aktual nuk identifikon kuponin në kohë reale, por transmeton vetëm totalin e xhiros dhe numrin total të kuponëve të printuar nga çdo pajisje fiskale një herë në ditë. Në të njëjtën kohë, me sistemin aktual mungon një analize e detajuar për menaxhimin e riskut dhe kontrollit; nuk identifikohen faturat e lëshuara në mënyrë elektronike biznes-biznes dhe faturat me blloqe për shkak të mos-deklarimit të shitësit dhe blerësit, elemente këto të domosdoshme për efektivitetin e punës së administratës tatimore.

Sistemi i ri i jep fund të gjitha këtyre mangësive duke mundësuar gjithashtu edhe mundësimin e plotësimit automatiktë formularëve që tatimpaguesit duhet të dorëzojnë pranë autoriteteve tatimore (librat e shitjes dhe blerjes, apo të para-plotësojë fusha të caktuara të deklaratës së TVSH). Në transaksionet B2B, do të jetë e mundur që blerësi të përcaktojë menjëherë nëse furnizuesi është me të vërtetë një pagues tatimor i TVSH-së./abcnews.al

ministria-e-financave2-905x395.jpg
G. P.12:37 | 01/08/2018

Mazhoranca ndeshet sërish me presidentin një ditë pasi Meta ktheu ligjin për lojërat e fatit. Ministri Ahmetaj i përgjigjet kreut të shtetit se nuk ka lehtësim, por vetëm unifikim të tatimit për këto biznese.

Jo vetëm ka ndikim negativ social në shoqëri por është edhe favorizues ndaj bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit.

Kështu e argumentoi presidenti i Republikës Ilir Meta mos dekretimin e ligjit “ Për të ardhurat”. Për këtë të dytën nuk është dakort Ministria e Financave dhe Ekonomisë e cila në përgjigjen që i kthen kreut të shtetit, sqaron se ndryshimet e propozuara në ligjin, për tatimin mbi lojërat e fatit, nuk sjellin asnjë ndryshim apo relaksim të tatimit për kategoritë e lojërave të fatit nga ligji i vitit 2015, përkundrazi, unifikojnë procedurën e tatimit, për të gjithë kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare, që me ligjin e vjetër ka qenë e përjashtuar.

“Kuadri rregullator dhe fiskal i lojrave të fatit është vendosur dhe standardizuar në vitin 2015 me Ligjin 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” i cili përcakton konceptet, përkufizimin dhe mënyrën se si tatohen të gjitha kategoritë e lojërave të fatit”.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë saktëson gjithashtu se Neni 52/2 i këtij ligji, përcakton shprehimisht se të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen në masën 15 për qind mbi të ardhurat bruto.

“Në ligjin e sipërcituar, Neni 4, pika 40, përcaktohet qartësisht baza e tatueshme, që është e ardhura bruto nga loja. Eshtë ky sistem fiskal dhe rregullator të cilin Presidenti në argumentat e tij e cilëson si “regjim fiskal dhe rregullator të rreptë, që synon shtimin e barrës fiskale, me qëllim dekurajimin e këtij aktiviteti”.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, është pikërisht ky sistem fiskal të cilin synon të unifikojë ndryshimi i miratuar nga Parlamenti dhe i kthyer nga Presidenti.

“Presidenti, nëpërmjet mosdekretimit, ndoshta pa dashje, ka rrëzuar pikërisht parimin që synon të mbrojë, pra parimin e një sistemi të rreptë dhe njësoj i aplikueshem për të gjithë”.

Nëse ndryshimet e kthyera nga Presidenti nuk do të hyjnë në fuqi, atëhere do të kemi një trajtim të diferencuar të një subjekti në treg, i cili do të vijojë të tatohet me shkallë tatimore 10% e mbyll përgjigjen drejtuar presidentit Ministria e Financave dhe Ekonomisë./abcnews.al

image-1228131-860_poster_16x9-fjkq-1228131.jpg
us er14:57 | 19/12/2017

Martin Schulz ka një kusht të qartë për kancelaren gjerman Merkle në mënyrë qëtë jetë pjesë e qeverisë. Mediat gjermane shkruajnë se Schulz kërkon ministrinë e financave por është refuzuar nga Merkel

Mediat gjermane shkruajnë se Martin Schulz kërkon të ketë ministrinë e financave për partinë e tij nëse do të vendoste të ishte pjesë e një koalicioni të gjerë qeverisës në Berlin. Por kancelarja gjermane Merkel ka qenë e prerë në refuzimin e saj. Duke iu përgjigjur gazetarëve Merkel u shpreh se nuk mund të flasësh për një ndarje të ministrive në momentin që nuk është ende e sigurtë pjesëmarrja në koalicionin qeverisës. Sipas saj nuk është momenti i duhur për të folut për këtë. Schulz lideri i socialdemokratëve gjermanë kishte pohuar synimin e tij në një intervistë për gazetën ekonomoke “Handelsblatt” e cila kishte publikuar lajmin në faqen e saj të parë./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono