Ministri gjerman i shtetit

43735890_303.jpg
ent ela18:32 | 14/03/2019

Ministri  i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Mikael Roth paralajmëron për rrezikun që sjell polarizimi politik në Shqipëri. Ai i kujton opozitës se vetëm parlamenti është vend ku bëhet debati dhe reformat. Ministri gjerman i kujton gjithashtu politikës së Tiranës se është në prag të vendimit që do të merret për negociatat me BE.

Ministri gjerman i shtetit Michael Roth pozicionohet sërish kundër bojkotit të parlamentit shqiptar nga opozita. Në një intervistë për Dojçe Velle, Roth shpreh edhe frikën se klima e konfliktit politik në vendin tonë tashmë është shumë e helmuar.

“E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare. Sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati. Ne kërkuam që këtu të ndërhyhet për zbutje. Por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar”. 

I pyetur lidhur me akuzat e opozitës për blerje të votave në zgjedhjet e kaluara si dhe për etiketimin e parlamentit si ilegjitim, ministri gjerman përgjigjet:

“Akuza duhet të bëhen me anë të institucioneve të shtetit të së drejtës. Si mund të bëhen ndryshe? Shteti i së drejtës nuk mund të anashkalohet duke ndalur punën në parlament. Demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë. Kush vepron kështu, me sa duket nuk i ka kuptuar parimet e shtetit të së drejtës”. 

Duke folur në këtë intervistë pas takimit të zhvilluar në Berlin me ministrin e jashtëm në detyrë Gent Cakaj, thekson vlerësimin për reformat dhe çuarjen e tyre përpara.

“Bëra të qartë edhe një herë se edhe ne i vlerësojmë përpjekjet e deritanishme për reforma. Sidomos në reformën e gjyqësorit. Vettingu është një model unik për pastrimin e tërë sistemit të drejtësisë nga korrupsioni. Bëra edhe njëherë të qartë se nevojiten reforma të mëtejshme, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar”.

Teksa Shqipëria është në këtë tension politik, pak muaj para vendimit të Brukselit për çeljen e negociatave të anëtarësimit, thekson se, pavarësisht kush është në opozitë e kush në qeveri nevojitet mirëkuptim thelbësor në disa çështje,

“Aty përfshihen çështjet kushtetuese, çështjet zgjedhore dhe, për mua, çështjet e afrimit me BE. Këto çështje duhet të mbështeten nga një konsensus i gjerë politik. Dhe sigurisht, konflikte të tilla kaq agresive ne politiken e brendshme kanë një efekt paralizues, sepse ato gjithashtu prodhojnë tituj negativë në media. Nga ana tjetër, reformat mund të fillojnë vetëm nëse funksionon parlamenti”.

Ministri gjerman i shtetit Michael Roth, sqaron se raporti i progresit të Komisionit Evropian do të publikohet më 29 maj. E me pas vendimi i secilit vend anëtar, përfshirë edhe Gjermaninë, do të bazohet te raporti i Komisionit mbi përmbushjen e reformave. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono