minister

ministri-finlandez.jpg
G. P.14:26 | 25/03/2019

Policia Finlandeze ka arrestuar një person, i cili u përpoq të sulmonte Ministrin e Jashtëm të Finlandës i cili po merrte pjesë në një takim elektoral, në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të muajit Prill.

Një person u përpoq të sulmonte ministrin e jashtëm finlandez, Timo Soini, gjatë një takimi elektoral në Vanta, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 14 prillit. Lajmi është konfirmuar nga mediat vendase.

Një fotografi e publikuar nga agjencia finlandeze e lajmeve “Lehtikuva”, tregon një person të shtrirë në tokë të bllokuar nga dy agjentë policie. Vetë ministri ka qetësuar opinionin publik me anë të një mesazhi në Twitter, duke thënë se situata ishte nën kontroll. Ai falënderoi dhe forcat e rendit për punën e tyre.

Dëshmitarë okularë konfirmuan se, personi  u përpoq të sulmonte ministrin teksa ai ndodhej në një treg 30 kilometra në veri të Helsinkit. Në fotografi duket se, agresori ka veshur një xhaketë të “Ushtarëve të Odinit” një grup vetëmbrojtës i krijuar në vitin 2015 për të mbrojtur komunitetin që cilësohet si islamik të paftuar në vend.

Timo Soini është anëtar i partisë euroskeptike “E ardhmja Blu”, anëtare e koalicionit qeverisës. Themeluesi i partisë “Finlandezë të Vërtetë” e la partinë në vitin 2017, pasi kryetar i saj u zgjodh një lider që më pas u dënua për deklaratat e tij raciste.

Soini, në qendër të vëmendjes që nga vjeshta e një viti më parë, pasi mori pjesë në një manifestim kundër abortit, nuk merr pjesë në këto zgjedhje./abcnews.al

1545053777_balla.jpg
G. P.18:25 | 16/01/2019

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla tha sot para mediave se Gent Cakaj do jetë ministër i Punëve të Jashtme. Këtë deklaratë Balla e bëri pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit ku u votuan dekretet e Ilir Metës për ndryshimet në qeveri.

Socialisti më tej theksoi se kjo detyrë do mbahet përkohësisht nga kryeministri Edi Rama derisa Gjykata Kushtetuese, të zgjidhë ngërçin e krijuar nga Presidenti Ilir Meta. Sipas Ballës, kreu i shtetit ka vepruar në shkelje të Kushtetutës kur rrëzoi dekretin për Cakajn.

“Gent Cakajn do ta kemi në kabinet sapo kushtetuesja të zgjidhë ngërçin me presidentin. Dhe kjo ka bërë që kryeministri ka propozuar emrin e tij për të qenë ministër i Jashtëm, deri në tejkalimin e kësaj situate. Kjo ka ndodhur edhe me z.Meta, kur iu besua detyra e zv/kryeministrit krahas njëherë ministër i jashtëm dhe njëherë ministër Ekonomie. Pra është një praktikë e konsoliduar parlametnare dhe kushtetuese”.

Më tej Balla ka komentuar largimin e opozitës nga salla e Kuvendit ku është shprehur se:

“Mandatet e ministrave nuk janë çështje të kartave të anëtarësisë në parti politike, por janë përgjegjësi për t’i shërbyer njerëzve më mirë dhe natyrisht për të çuar përpara këtë mandat.

Ajo që doja të sqaroja me ju është se mua më vjen keq që opozita nuk di aspak të shfrytëzojë mekanizmat qofshin ato të dëbatit parlamentat qofshin ato të kontrollit parlamentar. Unë u mundova sadopak të sqaroja kolegët por edhe kryetarin e Kuvendit zotin Ruçi, për praktikën parlamentare.

Këtu bëhej fjalë për emërime dhe shkarkime të ministrave. Debat për programin ka sa herë që qeveria merr mandatin para zgjedhjeve. Por unë e thash se ne jemi të gatshëm kurdoherë që nesër nëse opozita depoziton një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me dabat. Nëse duan një debat për shkarkimin e kabinetit qeveritar, patjetër. Por kjo duhet bërë në bazë të rregullores”./abcnews.al

gjata-1280x591.jpg
G. P.20:26 | 14/01/2019

Kryeministri Rama ka propozuar emrin e tij për postin e Ministrit të Jashtëm. Kjo lëvizje vjen në një pikë kur Meta ka refuzuar dekretimin e Gant Cakajt në këtë detyrë. Nga ana tjetër, Presidenti ka refuzuar shkarkimin e Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm.

Në emisionin “Byro Politike”, juristi Çlirim Gjata ka komentuar situatrën e krijuar. Sipas tij, Kryeministit nuk po e trajton çështjen në baza ligjore.

Juristi Çlirim Gjata: Trajtimi i problemit nga pikëpamje ligjore është lënë në plan të dytë. Çështja është një luftë politike për Kryeministrin. Vetëpropozimi i Kryeministri Rama për postin e Ministrit të Jashtëm nuk është kushtetuese.  Presidneti tha që përderisa nuk e dekretova atë, atëherë nuk mund ta shkarkoj Bushatin.  Kjo që të ofrohet Kryeministri për këtë post, jo vetëm që është e paparashikuar por Rama duhet t’i dërgojë një emër sepse Bushati ende është në post.

Ndërsa Mentor Kikia, kryeredaktro i “Klan plus” u shpreh se Rama propozoi emrin e tij, pasi do të dalë triumfues përpara Metës.

Mentor Kikia: Unë shikoj një përpjekje të Kryeministri për të dalë triumfues nga kjo histori. Ramës i pëlqen shumë që të fitojë. Nëse do të dërgonte një emër tjetër do të përkthehej si një tërheqje e Ramës para Metës dhe ndaj propozoi emrin e tij. Ai thotë se jam unë këtu deri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese. /abcnews.al

Rama3-1280x678.jpg
ent ela16:33 | 14/01/2019

Vendimin e Kryeministrit Rama për të propozuar emrin e tij si Ministër i Jashtëm pas refuzimit të zotit Cakaj nga kreu i shtetit Ilir Meta, demokrati Tritan Shehu dhe analisti Mark Marku e shohin si formalizim të asaj që ndodh de facto. Kryeministi merr vendimet për ministrat e tij.

Zhvillimet politike në vend rreth pyetjes se kush do të zërë karrigen e shefit të diplomacisë Shqiptare kanë marrë një tjetër drejtim pas vetë-propozimit të kryeministrit Rama për postin në fjalë, depozituar në presidencë të hënën e 14 janarit.

Kjo lëvizje e konsideruar si adoptim i skenarit “Tsipras”, për ish-ministrin e jashtëm  Tritan Shehu nuk zhbën propozimin e parë të kryeministrit për këtë post, e aq më pak refuzimin e marrë nga kreu i shtetit.

Tritan Shehu: “Paralelizmi me Greqinë dhe Kotzias nuk ka asnjë lidhje me gjendjen këtu… këtu Kryeministrit ju rrëzua kandidatura e shumëmbështetur e cila nuk ishte kështu dhe u rrëzua me argumenta seriozë dhe që bien ndesh shkaqet me interesin kombëtar…”.

Ndryshimin e propozimit të kryeministrit për kreun e ministrisë së jashtme, analisti Mark Marku e sheh vetëm në rrafsh nominal, e jo në përmbajtje.

Mark Marku: “Fakti që bëhet apo nuk bëhet Ministër i Jashtëm Rama nuk ndryshon asgjë sepse edhe po të ishte ky nuk ndryshon asgjë…. ne kemi një Kryeministër që është ministër i të gjitha ministrive dhe ministrat janë zv.ministra…”.

Argumenti i përgjegjësisë politike nuk e bind Mark Markun.

“Ai përgjegjësi nuk mban, s’ka mbajtur ndonjëherë, që në elementë normal, është sjellë si trajner kombëtareje. Në takime formale diplomatike të nielit të lartë duke mos respektuar protokollin, që ktu fillon diskutimi a mund të jetë ministër i Jashtëm Rama”.

Për demokratët, rrugëdalja e kryeministrit nga kjo situatë është vetëm një.

“Dorëheqja, dorëheqja, dorëheqja… sepse u rrëzua një kandidaturë e mbështetur fort prej tij, me arsye të rënda për një vend si Shqipëria”, tha më tej Shehu. 

Sa i përket diplomacisë shqiptare, e cila vuan pasojat e politikës së brendshme sipas Mark Markut, nevoja për një ndryshim të qasjes është e menjëhershme.

“Për shembull ne nuk kemi një strategji të politikës së jashtme, që identifikon aleatët, qëndrime të caktuara të cilat nuk ndryshojnë…ne e kemi shumë të personalizuar politikën e jashtme si të brendshmen, ka mik Erdoganin lidhemi me Turqinë, ka miqësi me Merkel lidhemi me Gjermaninë, nuk mund të mbështete politika e jashtme mbi preferenca personale edhe të krerëve të shtetit…duhen ndërtuar kolona të politikës së jashtme që ne fatkeqësisht nuk i kemi”.

Hetimi parlamentar i kërkuar nga kreu i shtetit Ilir Meta dhe materializuar institucionalisht nga opozita mbi procedurën e akreditimit të zv.ministrit Cakaj nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, është çështje proceduriale por mban në thelb pikërisht mungesën e përgjegjshmërisë qeveritare për Mark Markun.

“Çështje proceduriale është …por problemi është thelbësor… mendoj që kjo nxjerr thelbin e mosfunksionimit të shtetit shqiptar, i shkrepet Kryeministrit të bëj ministër një askush, thyen të gjitha procedurat dhe ja kjo na bën jo serioz me partnerët ndërkombëtarë”.

Kreu i qeverisë njoftoi se do të mbajë postin e ministrit të brendshëm deri në ri-ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, inekzistente prej thuajse një viti, ku kryeministri Rama paralajmëron ankimimin e refuzimit të presidentit për dekretim të shkarkimit të ministrit Bushati dhe emërimit të Gent Cakajt në vend të tij./abcnews.al

PROFIL-SANDER-LLESHI-ABC-M-3-T-2-HD.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
G. P.10:30 | 27/10/2018

 

Formimi i tij profesional, vlerësimi i Kryeministrit Rama dhe ajo që nën zë thuhet mbështetje e ndërkombëtarëve duket të jenë arsyet e zgjedhjes së emrit të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.

Gjenerali me karrierë të gjatë ushtarake Sandër Lleshi, do të jetë në krye të ministrisë se Brendshme. Pas publikimit të lajmit nga vetë kryeministri Rama për emërimin e Sandër Lleshit si pasues i Fatmir Xhafës, bashkë me emrin lidhet dhe background i kësaj figure. Ky emërim mesa duket vetëm sa shton vlerësimin e Kryeministrit Rama për figurën e Sandër Lleshit.

Kjo pasi që në vitin 2012, emri i tij u propozua nga Edi Rama si kandidat për President i Republikës, por që nuk u pranua nga mazhoranca e asaj kohe, PD-LSI. Pas ardhjes së socialisteve në pushtet, në 2013-n Rama e zgjodhi Sandër Lleshin këshilltarin e tij për mbrojtjen. Me një karrierë të lartë në ushtrinë shqiptare, në 2010-n Sandër Lleshi u emërua në postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”. Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Arsimin e të tij në fushën ushtarake, Sandër Lleshi e fillon në periudhën 1978-1985 kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake. Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri); kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani; kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani.

Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-n përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA./abcnews.al

 

erdongan.jpg
G. P.14:48 | 10/07/2018

Erdogan ka prezantuar kabinetin e tij qeverisë, në të cilin bën pjesë edhe dhëndri i tij. Ky i fundit po shikohet si një figurë politike që po projektohet për të zëvendësuar presidentin turk. Për ndërrimin e sistemit qeverisës në Turqi, analistët shprehen me ironi se filloi epoka e sulltanit.

Pa humbur kohë, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka prezantuar kabinetin e tij qeveritar, me të cilët do të udhëheqë vendin për 5 vitet e ardhshme. Ajo që bie në sy është posti që ka rezervuar për dhëndrin e tij, që cilësohet si një figurë gjithnjë e në rritje në politikën turke. Berat Albayrak, bashkëshort i Esra Erdogan, ka marrë një rol tepër të rëndësishëm në qeverinë presidenciale. Ai është emëruar në drejtim të Ministrisë së Financave, ndërsa më përpara udhëhoqi Ministrinë e Energjisë.

Në kabinetin e tij, Erdogan ka rezervuar vetëm dy poste për gratë. Ministre e Punës, Shërbimeve Sociale dhe Familjes është emëruar Zehra Zümrüt Selçuk. Kurse në drejtim të Ministrisë së Tregtisë është vendosur Ruhsar Pekcan. Zëvendëspresident është caktuar akademiku Fuat Oktay.

Për drejtimin e dy ministrive kyçe, atë të Drejtësisë dhe të Jashtme, Erdogan i ka besuar ish-kryeministrit Mevlüt Çavuşoğlu që do të merret me marrëdhëniet me jashtë dhe Abdulhamit Gül, i cili do të prezantojë reformat e tij në sistemin e gjyqësorit. Presidenti turk filloi mandatin e tij të hënën me një ceremoni betimi, ku morën pjesë rreth 10 mijë të ftuar. Aty Erdogan tregoi edhe njëherë planet e tij për të ardhmen e vendit.

Megjithatë, analistët ndërkombëtar shprehen shumë skeptikë lidhur me programin e kreut të shtetit, i cili është në gjendje të aprovojë çdo lloj dekreti pa miratimin e parlamentit, pasi kjo lejohet në bazë të ndryshimeve kushtetuese për sistemin e ri qeverisës. Për këtë analistët e krahasojnë qeverisjen e Erdogan me atë të sulltanëve dhe shkruajnë se ai do të vijojë me përndjekjen e kundërshtarëve të tij politikë, duke nisur nga ndjekësit e imamit Fetullah Gylen e deri tek kurdët./abcnews.al

seehofer.jpg
G. P.21:27 | 02/07/2018

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer ka deklaruar se nuk do ta lejojë kancelaren Merkel ta shkarkojë nga detyra.

Në një intervistë për një gazetë gjermane, Seehofer nuk është shprehur i gatshëm për gjithçka për të shmangur krizën, edhe pse e ka pranuar që situata është e “paimagjinueshme”.

“Personi që ndihmova të vendosej në krye, tani do të më përzërë. Unë nuk mund ta lejojë një gjë të tillë”, ka thënë Seehofer.

Sidoqoftë, të dhënat e fundit flasin për një braktisje të ministrit edhe nga anëtarët e partisë së tij, CSU, që janë shprehur pro vijimit të koalicionit me Merkel./abcnews.al

heiko-maas.jpg
G. P.15:29 | 29/06/2018

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, në një prononcim për median Deutsche Welle, vlerëson konsensusin e arritur në BE për negociatat e antarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

“Duke filluar nga viti 2019 mund të fillojnë bisedimet me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Ne jemi angazhuar shumë për këtë sinjal të fortë dhe udhërrëfyes, përmes të cilit vlerësohen arritjet e reformave në vitet e fundit”, nënvizon zyrtari i qeverisë së Angela Merkel.

Maas pranon se procesi i negociatave në Bruksel nuk ka qenë i lehtë por nënvizon rëndësinë e marrjes së datës.

“U bëj thirrje politikanëve në Tiranë dhe në Shkup, që këtë sukses ta vlerësojnë si një stimul për të vazhduar me impenjim reformat”, shprehet ministri i Jashtëm, duke shtuar se Gjermania do të vazhdojë mbështetjen për dy vendet./abcnews.al

plenkovic.jpg
G. P.14:26 | 02/05/2018

Vijojnë gjithnjë e më të ashpra polemikat mes Kroacisë dhe Serbisë. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, reagoi ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit kroat Plenkoviç, duke thënë se Kroacia gjatë Luftës së Dytë Botërore u rreshtua në anën e Hitleri.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, janë përfshirë në një luftë deklaratash për faktin se pse Serbia dhe Kroacia nuk janë njësoj.

Plenkoviç ishte i pari që reagoi duke komentuar një intervistë të Daçiç, ku ky i fundit shprehej se nëse Kroacia donte një luftë diplomatike atëherë do ta kishte një të tillë. Kreu i ekzekutivit kroat u shpreh se Daçiç nuk e kishte përdorur në mënyrën e duhur fjalën luftë dhe se kjo nuk ishte një retorikë që duhej përdorur.

Plenkoviç u kërkoi gazetarëve që të kërkonin ndër deklaratat e tij dhe të verifikonin nëse ai kishte përdorur ndonjëherë tone të tilla. Më pas ai shtoi se asnjë kroat nuk ka bërë deklarata të tilla si ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin.

Kroacia e shpalli Vulin non grata në 20 Prill të këtij viti, duke thelluar dhe më shumë krizën diplomatike mes dy vendeve, me Beogradin që premtoi se do të reagonte në të njëjtën mënyrë. Duke iu referuar djegies së flamurit kroat nga lideri i opozitës serbe në Beograd, Plenkoviç tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë në Kroaci.

“Versioni se ne jemi njësoj nuk qëndron. Ne nuk jemi njësoj në këtë histori, nuk ishim të njëjtit në vitet ’90, dhe as nuk do të jemi në të ardhmen pasi Kroacia i ka bërë të gjitha lëvizjet e saj hapur.”

Plenkoviç gjithashtu tha se Presidenti kroat ende s’ka folur për masa reciprociteti mes Serbinë, pas deklaratës së palës serbe se ministri kroat i Mbrojtjes dhe deputeti Damir Kristivec nuk ishin të mirëpritur në vend.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç reagoi pas deklaratave të kryeministrit kroat duke thënë se ajo që po bën Kroacia është një idiotësi e pastër.

“Ne nuk jemi njësoj, sepse mendojnë se ajo që po bën Kroacia është një idiotësi e pastër dhe është më mirë të merremi me përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve se sa me një luftë diplomatike. Pasi kjo është e trishtueshme.”

Më tej ai shtoi:

“Është e vërtetë se nuk jemi njësoj sepse ne nujk u rreshtuam me Hitlerin, nuk bëmë holokaust kundër hebrenjve dhe serbëve, nuk i detyruam kroatët që të mbanin shenja si serbët dhe hebrenjtë në Kroaci gjatë Luftës së Dytë Botërore. Hebrenjtë mbanin një shenjë të verdhë, ndërsa serbët blu”.

Në përfundim Daçiç tha se Serbia dhe Kroacia nuk janë njësoj pasi Serbia i dënon krimet, nuk i mohon ato./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono