miluoki

Nba-basket.jpg
nev ila13:25 | 18/05/2019

Miluoki fitoi edhe finalen e dytë të Konferencës Lindore në basketbollin amerikan. Suksesi ndaj Torontos ishte i thellë dhe i merituar

Njerëzit pëlqejnë konkurrencën, por ndodh që kjo të mos ndodhë. Duken të njëanshme finalet e plej ofit të Konferencës Lindore në NBA, pasi Miluoki ka marrë komandën ndaj Torontos.

Jo thjesht sepse fitoi ndeshjen e dytë, duke udhëhequr 2-0 ndaj rivalit më të fortë lindor, por sidomos sepse duket se ka një marsh më shumë.

Dominimi ishte i dukshëm në duelin e fundit në Arenën e Miluokit, me shifrat 125-103, dhe me diferencë gjatë gjithë kohës. Janis Antetokumbo për momentin është figura kryesore e plej ofit në NBA, pavarësisht ndarjes gjeografike.

Basketbollisti me origjinë afrikane dhe pasaportë greke po bëhet dalë nga dalë lideri i ri, simboli i ligës më të fortë të botës, një pasardhës i denjë i legjendave Majkëll Xhordan, Kobi Brajant apo Lebron Xhejms.

As edhe yjet e Golden Stejtit, Kërri e Durant, apo Leonardi i Torontos, nuk të ngjajnë sot aq të mëdhenj sa Antetokumbo. Ai shënoi 30 pikë, kapi 17 topa në tabela, shërbeu 5 pasime për kosh, vodhi 1 top dhe bllokoi 2 gjuajtje.

Një paraqitje thuajse e përsosur, së cilës i duhet shtuar edhe frymëzimi në fushë për shokët e skuadrës, loja e fortë në mbrojtje, dhe hapësirat që krijoi në sulm për ta. A mund të thuhet se diferenca ndaj Leonardit dhe yjeve të tjerë të Torontos, u bë thjesht nga lideri?

Për fat, Antetokumbo ka në krah lojtarë të fortë, me Eljasovën që shënoi 17 pikë, Mirotiçin me 15 pikë, si dhe me mbështetje të fortë nga Brogdon, Hill, Midëllton apo Bledsou.

Miluoki duket një ekip i kompletuar, që shihet si favorit ndaj Torontos, dhe që madje mund të konkurrojë denjësisht me Golden Stejtin, në një finale të mundshme për titullin në NBA./ABC News Albania 24/7

NBA-milouki.jpg
nev ila13:59 | 16/05/2019

Miluoki fitoi finalen e parë të Konferencës Lindore në play off-in e basketbollit amerikan. Triumfi ndaj Torontos ishte shumë i vështirë, dhe u arrit vetëm në fund.

Ishin favoritë dhe i respektuan parashikimet. Basketbollistët e Miluoki Baksit fituan finalen e parë të Konferencës Lindore në NBA, pas një beteje të fortë ndaj Toronto Raptorsit.

Në duelin mes dy ekipeve të veriut, skuadra amerikane u tregua më e fortë se ajo kanadeze, me shifrat 108-100. Janis Antetokumbo dhe Bruk Lopez ishin më të mirët për vendasit, që patën mbështetjen e gati 20 000 spektatorëve në Arenën e Miluokit.

Antetokumbo shënoi 24, kapi 14 topa në tabela, shërbeu 6 pasime për kosh, vodhi dy topa dhe bllokoi tri gjuajtje të kundërshtarëve.

Lopez po ashtu ishte shumë lart me 29 pikë, 11 topa në tabela e 4 bllokime gjuajtjesh. Gjithsesi, Toronto kishte ardhur në Arenën kundërshtare me synimin për të fituar, dhe ishte në avantazh për një kohë të gjatë.

Falë yllit kryesor, Koui Leonard, kanadezët ishin 11 pikë përpara në fund të periudhës së parë, dhe 6 pikë në pushim. Jo vetëm, kaq por diferenca ishte +7 për Toronton në fund të periudhës së tretë, ndaj Miluoki rrezikoi të humbiste.

Leonard shënoi 31 pikë, më i miri në fushë, kapi 9 topa në tabela, dha vetëm 2 pasime për kosh, por bëri tri vjedhje topi. Vendasit realizuan përmbysjen vetëm në 2 minutat e fundit, duke krijuar një epërsi prej 8 pikësh.

Kjo, jo vetëm nga dy yjet kryesorë, por edhe nga mbështetja e skuadrës. Nikola Mirotiç pati 13 pikë dhe 6 topa në tabela, Kris Midëllton 11 pikë e 11 topa në tabela, ndërsa shumë mirë luajtën Brogdon apo Bledsou.

Finalja e dytë e Lindjes luhet mëngjesin e 18 majit, sërish në Arenën e Miluokit./ABC News Albania 24/7

NBA-MILUOKI-DHE-GOLDEN-STEJTI_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela15:00 | 09/05/2019

Miluoki u kualifikua për në finalen e Konferencës Lindore në basketbollin amerikan, pasi mundi Bostonin. Në Perëndim, Golden Stejti fitoi ndaj Hjustonit, por dueli vazhdon.

Po cilësohet gjithnjë e më shumë favoritja për titull, dhe nuk po zhgënjen.

Miluoki Baks në mënyrë të veçantë po përballon presionin e madh të mungesës së përvojës dhe të pritshmërive, ndërsa hodhi një tjetër hap duke dalë në finalen e Konferencës Lindore.

Skuadra më e mirë e sezonit të rregullt të NBA-së mposhti sërish Bostonin e fortë, këtë herë 116-91, duke mbyllur serinë gjysmëfinale me shifrat 4-1.

Ylli kryesor ishte sërish Janis Antetokumbo, veçse nuk ishte vetëm ndeshja e tij, por e gjithë skuadrës.

Greku me origjinë afrikane shënoi 20 pikë, kapi 8 topa në tabela, shërbeu 8 pasime për kosh, vodhi dy topa dhe bllokoi dy gjuajtje, ndërsa luajti vetëm 31 minuta.

Nikola Mirotiç, spanjolli me origjinë malazeze, shtoi 10 pikë e 11 topa në tabela, ndërsa Midëllton pati 19 pikë, Bledsou 18, Hill 16, ndërsa Eljasova e Brogdon nga 10.

Një fitore, pra, krejtësisht kolektive, ndërsa në finalen e Lindjes, Miluoki pret fituesin e çiftit Torono-Filadelfia.

Në Perëndim, sfida gjysmëfinale nuk mund të bëhet më e fortë.

Golden Stejti triumfoi ndaj Hjustonit pas një tjetër drame, 104-99, duke marrë udhëheqjen me rezultatin 3-2.

Kampionët në fuqi humbën Kevin Durantin për shkak dëmtimi në pjesën e tretë, por ia dolën ta përballonin mungesën e yllit kryesor.

Durant shënoi 22 pikë për aq kohë sa luajti, ndërsa mbetet në dyshim për duelin numër 6.

Klej Tompsoni realizoi 27 pikë, Stefën Kërri pati 25 pikë të tjera, ndërsa Drejmond Grin iu afrua një tripëll dabëlli me 8 pikë, 12 topa në tabela dhe 11 pasime për kosh.

Për Hjustonin, më i miri ishte i zakonshmi Xhejms Harden që shënoi 31 pikë, ndihmuar nga Gordon, Taker, Pol apo Shampert.

Të pesë ndeshjet e deritanishme mes dy rivalëve kanë qenë tepër të ekuilibruara dhe ndoshta do të duhet sfida numër 7 për të vendosur fituesin. /ABC News Albania 24/7

milwaukee_bucks.jpg
Sej rie18:43 | 23/04/2019

Miluoki u kualifikua për në raundin e dytë të plej ofit në basketbollin amerikan, pas një suksesi total ndaj Detroitit. Skuadra pa shumë emër cilësohet si një nga favoritet për titull

Kishin 18 vjet që e prisnin këtë moment.

Basketbollistët e Miluoki Baksit dhe tifozët e tyre nuk e kishin provuar që nga 2001-shi se çdo të thoshte kualifikimi për në raundin e dytë të plej ofit në NBA.

Ia dolën më në fund, madje në mënyrën më të mirë të mundshme, duke “fshirë” Detroitin e lavdishëm nga rruga e tyre, me një sukses 4-0.

Fitorja e katërt dhe kualifikuese, 127-104, u arrit përsëri në Arenën e Detroitit, aty ku Pistonsët janë shumë të vështirë për t’u mundur, veçse Miluoki pati një “as nën mëngë”.

Janis Antetokunpo, kapiteni i skuadrës më të mirë të sezonit të rregullt në NBA, ishte i papërmbajtshëm duke shënuar plot 41 pikë, rekordi i tij në plej of.

Përveç pikëve, emigranti afrikan i Greqisë, sot yll në Amerikë, kapi edhe 9 topa në tabela, shërbeu 3 pasime për kosh, vodhi 1 top dhe bllokoi 4 gjuajtje të kundërshtarëve.

As lojtarë të fuqishëm e të talentuar si Andre Dramond dhe Blejk Grifin nuk arritën që ta ndalonin.

Natyrisht, Miluoki nuk është vetëm Antetokunmpo.

Në ekipin numër 1 të sezonit janë edhe Kris Midëllton, Erik Bledsou, Nikola Mirotiç apo Ersan Iljasova, sa për të përmendur disa emra.

Përvoja, pra, nuk mungon, dhe dueli i raundit të dytë, gjysmëfinale e Konferencës Lindore, nuk duket aq i pamundur për t’u fituar.

Aq më shumë që Miluoki ka favorin e ndeshjes vendimtare në fushën e vet./abcnews.al

13114863165c9b2e3a4f6ca394698163_w640.jpg
ent ela16:43 | 27/03/2019

Miluoki fitoi duelin me një rival direkt në basketbollin amerikan, duke forcuar pozitat në vendin e parë. Suksesi ishte ndaj Hjustonit, me shifrat 108-94

Nuk ishte thjesht një duel mes dy yjeve. Miluoki ndaj Hjustonit pati më tepër sesa sfida direkte e Janis Antetokumpos dhe Xhejms Hardenit, madje një tjetër basketbollist ishte edhe më shumë vendimtar.

Erik Bledsou shënoi 23 pikë, po ashtu shërbeu 7 pasime për kosh, si dhe mbrojti fort yllin kryesor të Hjustonit, e në fund Miluoki fitoi ndeshjen me shifrat 108-94.

Në parket ishin edhe dy kapitenët. Antetokumpo zhvilloi një ndeshje të mirë, edhe pse jo të jashtëzakonshme.

Ai realizoi 19 pikë në 33 minuta, kapi 14 topa në tabela e shërbeu 4 asistë. Rivali i tij i madh, Xhejms Harden, e pati shumë të vështirë ndaj mbrojtjes së ashpër vendase.

Ai gaboi shumicën e gjuajtjeve, ndaj edhe 23 pikët e shënuara prej tij nuk ishin një kontribut shumë i madh. Gjithsesi, ai kapi 10 topa në tabela e dha 7 pasime për kosh.

Fitorja bëri që Miluoki të forconte edhe më shumë pozitat në krye të renditjes së Konferencën Lindore, por edhe të gjithë NBA-së. Bilanci është me 56 fitore e 19 humbje, kur kanë mbetur edhe vetëm 7 ndeshje deri në fund të sezonit të rregullt./abcnews.al

miloki-1280x720.jpg
G. P.15:29 | 13/03/2019

Skuadra më e mirë e basketbollit amerikan këtë sezon, Miluoki, po mendon për plej ofin. Yjet kryesorë po luajnë pak, që të jenë të shlodhur për momentet vendimtare.

Mbrëmjen e fundit, Lebron Xhejms shënoi 36 pikë ndërsa Janis Antetokunmpo arriti vetëm deri në 24. Pavarësisht madhështisë së yllit të Lejkërsave, ai i Miluokit pati një dizavantazh, nëse mund ta quajmë kështu, pasi ishte në parket për shumë më pak kohë. Antetokunmpo luajti vetëm 26 minuta, gjatë të cilave realizoi 24 pikët, kapi 9 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë.

Xhejmsi, nga ana e tij, luajti 33 minuta e gjysmë. Miluoki, skuadra më e mirë e sezonit të rregullt të NBA-së, deri tani, duket qartë se po mendon për plej ofin, duke mos i angazhuar shumë yjet kryesorë në ndeshjet e fundit, siç ndodhi edhe në fitoren në fushën e Nju Orlinsit.

Kështu, Kris Midëllton luajti 30 minuta, po kaq Bruk Lopez, ndërsa Malkolm Brogdon vetëm 20, Bledsou 29 dhe Mirotiç 24 minuta. Shumë pak, për ndeshjet e NBA-së që zgjasin nga 48 minuta. Miluoki fitoi 130-113, pavarësisht nga prania në fushë e Entoni Dejvisit, me 21 pikë, 12 topa në tabela për 21 minuta lojë për vendasit.

Skuadra nga Verilindja e SHBA-së është në krye të renditjes në Konferencën Lindore me 51 fitore e 17 humbje, dhe me bilancin më të mirë në gjithë NBA-në. Analistët dhe media e cilësojnë Miluokin si misterin e vërtetë të kampionatit, pasi vërtet është në formë të shkëlqyer, por mund të penalizohet në plej of nga mungesa e përvojës./abcnews.al

NBA-FITON-TORONTO-1280x720.jpg
ent ela18:28 | 08/01/2019

Toronto fitoi një duel pretendentësh në basketbollin amerikan. Kanadezët ia dolën në fushën e një kundërshtari të fortë si Milwaukee.

Mund të shënosh 43 pikë, mund të kapësh edhe 18 topa në tabela, dhe sërish të humbësh. Kështu i ndodhi yllit të madh të Milwaukee, Janis Antetokumpo, që pësoi disfatë në shtëpi në përballjen ndaj Torontos në NBA.

Ishte dueli i dy pretendentëve të rinj për titull, skuadra të shkëlqyera që duan t’i japin fund dominimit të Golden Stejtit e të Lebron James, e të mos lejojnë superfuqitë e vjetra si Lakers e Boston, që të ngrenë kokë.

Përballja ishte e një niveli të lartë, dhe u fitua nga formacioni më i mirë, me rezultatin 123-116. Përballë një superlojtari si Antetokumpo, kanadezët vendosën të paktën tre basketbollistë shumë të mirë.

Koui Leonard udhëhoqi Toronton me 30 pikë, 6 topa në tabela, 6 asistë dhe 5 vjedhje topi. Krah tij edhe Paskal Siakam me 30 pikë, dhe Serzh Ibaka me 25 pikë, 9 topa në tabela e 5 asistë.

Jo vetëm kaq, por miqtë kishin edhe Fred VanVlitin me 21 pikë, si dhe Deni Grinin në nivel të lartë. Ishte formacioni titullar që e fitoi ndeshjen për kanadezët.

Nga ana tjetër, lojtarët e Milwaukee nuk e ndihmuan dot sa duhet kapitenin e tyre, edhe pse Midëlton, Brogdon apo Bledso nuk luajtën keq. Të dyja skuadrat mbeten në dy vendet e para në Konferencën Lindore, duke qenë pretendente të forta për të luftuar për titull këtë sezon. /abcnews.al

vlcsnap-error127-1280x720.jpg
us er12:51 | 20/12/2017

Lebron Xhejms provoi shijen e një tjetër disfate në këtë sezon të basketbollit amerikan. Lojtari më i mirë i botës po ashtu humbi duelin me njërin prej rivalëve të tij më të mëdhenj.

Padyshim ishte më i miri në fushë.

Lebron Xhejms nuk e vuri veten aspak në diskutim në parketin e Arenës së Miluokit, por sërish skuadra e tij doli e humbur.

Klivlendi u mund nga vendasit e udhëhequr nga rivali i tij i ri, Janis Antetokumpo, pas një dueli të fortë që u mbyll me shifrat 119-116.

Xhejms shënoi 39 pikë, në një tjetër mbrëmje të shkëlqyer në karrierë, si dhe shtoi 7 asistë, 3 vjedhje topi dhe dy bllokime gjuajtjesh.

E vetmja gjë që nuk bëri në Miluoki ishte kapja e topave në tabelë, një element ku vendasit ishin më të fortë.

Përballë Lebronit ishte 23-vjeçari Antetokumpo, potencialisht kundërshtari i tij më i fortë në NBA.

Shtatlarti me pasaportë greke shënoi më pak se Xhejmsi, 27 pikë, por kapi 14 topa në tabela, shërbeu 8 asistë si dhe vodhi dy topa, duke pasur më shumë ndikim në lojën e vendasve.

Kjo ishte fitorja e parë e Miluokit ndaj Klivlendit këtë sezon, pas dy humbjeve në tetor e nëntor, ndeshje në të cilat Antetokumpo luajti më mirë sesa Xhejmsi, por nuk ia doli.

Këtë herë rolet u përmbysën.

Kjo ishte humbja e 9-të e Kavaliersëve këtë edicion, duke I lënë dy disfata larg Bostonit që kryeson Konferencën Lindore të NBA-së.

Pavarësisht formës së mirë të nënkampionëve në fuqi, ata janë ende larg nivelit të Hjustonit apo Golden Stejtit, ekipeve më të mira të Konferencës Perëndimore./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono