Milot – balldren

agron-shehaj.jpg
nev ila19:41 | 07/12/2019

“Nuk e anuloi qeveria, por denoncimet e opozitës”, kështu shkruan ish-deputeti demokrat, Agron Shehaj, pasi Qeveria ngriu rrugën Milot-Balldren.

Në Facebook, Shehaj shkruan se kontrata për rrugën Milot-Balldren ishte një mashtrim, të cilin PD e ka paralajmëruar që prej më shumë se 6 muajsh.

Sipas ish-deputetit, janë denoncimet e PD dhe distancimi i bankave, nga ajo që ai e quan “skemat mashtruese të korrupsionit”, që anuluan projektin.

Postimi i plotë:

“Mashtrimi i paralajmeruar i Milot-Balldren

Qeveria pranoi nje dite me pare se kompania koncesionare e rruges Milot-Balldrene nuk i plotesoi kushtet e kontrates koncesionare, pasi arriti te siguroje parate per ta ndertuar rrugen.

Ky eshte nje mashtrim qe Partia Demokratike e ka paralajmeruar me shume se 6 muaj me pare, qe kur Ministria e Infrastruktures e dorezoi per miratim ne Kuvend kontraten se bashku me shtojcat financiare.

Qe ne ate kohe denoncuam se Milot-Balldren ishte nje kontratë mashtruese, ku kompania ANK merrte përsipër të paguante 52 milionë euro nga kapitali i saj, kur ne bilanc kishte gjithsej vetëm 4 milionë euro kapital.

Qe ne fillim thame se e gjithe skema financiare e kontrates ishte nje mashtrim i madh, i ngritur per te tentuar nje afere gjigande korrupsioni. Por sot farmiresisht kjo mega afere ka deshtuar. Sepse edhe bankat e pane qarte qe kontrata e koncesionit kishte pasaktesi dhe tregues te falsifikuar financiar.

Kjo eshte arsyeja se pse kontrata korruptive me vlere 360 milione euro u zhbe, per fatin e mire te te gjithe qytetareve shqiptare. Nuk e anulloi qeveria por denoncimet e opozites dhe distancimi i bankave nga skemat mashtruese te korrupsionit”.

Në fakt anulimin e kontratës me ANK për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren e njoftoi Zëvendëskryeministri Erion Braçe në Provokacija i cili tha se ishte një nga kontratat më kontroverse koncesionare të qeverisë së tij.

Sipas Braçes, qeveria e ka bërë të ditur këtë që para një muaji “kur i pa se kompania nuk i përgjigjet dot kontratës”. E ndërsa Ndue Kola, drejtor i kompanisë ANK që ka fituar koncesionin, i tha BIRN, se ishte informuar mbi deklaratën e Braçes vetëm të shtunën në mëngjes,  dhe se ai ishte duke vijuar punën normalisht për zbatimin e kësaj kontrate./abcnews.al

milot.jpg
Autor E15:29 | 07/12/2019
Zv. kryeministri Erion Braçe sugjeroi në emisionin televiziv “Provokacija” se koncesioni i shumëdebatuar Milot-Balldren “nuk bëhet”. Por Ndue Kola nga kompania koncesionare i tha BIRN se ishte informuar të shtunën për deklaratën dhe se po vijonte punën për zbatimin e saj.

Zëvendëskryeministri Erion Braçe sugjeroi se një nga kontratat më kontroverse koncesionare të qeverisë së tij, ajo për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren “nuk bëhet”, duke shprehur skepticizëm për një kontratë që shumë e kanë parë me dyshime. Sipas Braçes, qeveria e ka bërë të ditur këtë që para një muaji “kur i pa se kompania nuk i përgjigjet dot kontratës”. Braçe nuk bëri të ditur se kur e si qeveria “e ka bërë të ditur” para një muaji që kjo kontratë “nuk bëhet”.

Por Ndue Kola, drejtor i kompanisë ANK që ka fituar koncesionin, i tha BIRN se ai ishte informuar mbi deklaratën e Braçes vetëm të shtunën në mëngjes dhe se ai ishte duke vijuar punën normalisht për zbatimin e saj.

Deklarata e Braçes në emisionin “Provokacija” në Abc News

“Unë jam duke aplikuar për kredi. Kontrata ka hyrë në fuqi më 4 tetor dhe unë kam afat deri në 4 tetorin e ardhshëm për fillimin e zbatimit,” tha Kola në një bisedë telefonike.

Braçe, i cili gjendej në emisionin Prokokacija në një kohë që qeveria është nën presion për të anuluar disa nga projektet më të debatueshme të qeverisë Rama për të zhvendosur fondet në ndihmë të familjeve të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve me SMS të BIRN nëse komentet e tij ishin një opinion, d.m.th., ai mendon se kontrata nuk do të realizohet, apo ishin një fakt i llojit “qeveria ka vendosur të tërhiqet prej saj”.

Kryeministri Edi Rama është prej vitesh nën kritika si nga opozita politike ashtu edhe nga organizmat ndërkombëtare si FMN apo Banka Botërore, të cilat vlerësojnë se kontratat koncesionare të tij janë produkt i procedurave jokorrekte të prokurimit,  mbartin rreziqe të larta për financat publike dhe nuk ofrojnë vlerë për të justifikuar kostot.

Koncesioni në fjalë synon të ndërtojë një autostradë me distancë 17 kilometra e cila lidh kryqëzimin e Milotit me fshatin Balldre në veri të Lezhës dhe ka një kosto prej afro 32 miliardë lekësh. Koncesioni është fituar nga dy kompani vendëse, të cilat hodhën fillimisht një propozim të pakërkuar dhe më pas dolën fituese të tenderit ku nuk kishte garë të mirëfilltë.

Pasi tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të shumta, qeveria u përball me kërkesën e anulimit të së paku një pjese të këtyre kontratave koncesionare për zhvendosjen e fondeve të tyre në ndihmë të familjeve dhe bizneseve të goditura nga tërmeti. Pak ditë më parë, Partia Demokratike në opozitë iu bashkua thirrjeve për anulimin e kontratave koncesionare në kushtet e katastrofës natyrore por kryeministri Edi Rama deklaroi se ai nuk ka ndër mend të heqë dorë prej tyre. Sipas Ramës, koncesionet si ai i kontrollit shëndetësor apo i seteve kirurgjikale janë shumë të mira dhe nuk duhet të hiqen. Rama vetë nuk ka folur mbi propozimin për anulimin e së paku dy kontratave koncesionare të cilat nuk kanë nisur ende zbatimin: segmenti Milot-Balldre dhe ai Orikum-Dukat.

Vetë Braçe në Provokacia ndërsa shprehu opinionin e tij personal “kundër koncesioneve në tërësi” u  përpoq të mbronte koncesionet e dhëna nga qeveria “Rama” ndërsa sulmoi si të këqija koncesionet e dhëna nga qeveria “Berisha” deri në vitin 2009 apo nga qeveria “Berisha-Meta” deri në vitin 2013. Braçe i quajti koncesionet e qeverisë së tij “partneritet publik privat” ndërsa ato të qeverisë “Berisha” si vetëm koncesione.

Sipas Braçes, koncesionet e Berishës në përgjithësi i paguajnë qytetarët drejtpërsëdrejti ndërsa ato të Ramës i paguan “buxheti i shtetit”.

Pavarësisht nëse janë koncesione apo partneritete publike-private, për të trija qeveritë këto lloj kontratash janë bërë simbol i lidhjeve të ngushta mes qeverisë dhe bizneseve klienteliste, ku investimet private të premtuara në këto kontrata janë një pjesë e papërfillshme e sasisë së fondeve të thithura, qoftë drejtpërsëdrejti nga qytetarët, qoftë në mënyrë indirekte nga qytetarët përmes taksave dhe buxhetit të shtetit. /BIRN

BASHA18-1280x720.jpg
ent ela19:07 | 18/11/2019

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se paratë për financuar fermerët dhe sektorin e bujqësisë qeveria e tij do sigurojë përmes parave që sot shkojnë për koncensione. Në një takim me fermerët në Lezhë, Basha theksoi se koncensioni i parë që do të anulohet do të jetë ai i rrugës Milot-Balldren.

Buxhetin për të subvencuar fermerët dhe sektorin e bujqësisë, Lulzim Basha e sheh vetëm përmes anulimit të koncensioneve të dhëna nga qeveria Edi Rama në këto 6 vite. Në bashkëbisedimin me fermerët e Lezhës, kryedemokrati u zotua se koncensioni Milot-Balldren është i pari që do të anulohet.

U zotua se premtimet e tij nuk do të harrohen me kohën, dhe për këtë rikujtoi atë që ka bërë në të shkuarën.

Fermerëve i premtoi edhe njëherë subvencione dhe lehtësira mbështetje për shitjen e produkteve të tyre.

Në turin e tij rrugëtim për Shqipërinë, kryeopozitari po prezanton platformën qeverisëse të demokratëve kur të marrin besimin e shqiptarëve. /abcnews.al

milot-balldren.jpg
nev ila15:43 | 18/06/2019

Në Komisionin e Ekonomisë janë  miratuar kontratat  koncesionarë të partneritetit Publik-Privat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve Milot- Balldren dhe Orikum-Dukat. Zëvendës ministri i Infrastrukturës dhe energjisë Artan Shkreli ka sqaruar kostot e projekteve.

Janë pro ndërtimit të rrugës Milot Balldren por kërkojnë të njihen me çdo detaj të projektit.

Kjo pikë ngjalli debat në komisionin e ekonomisë pasi sipas zëvendës ministrit të Infrastrukturës dhe ekonomisë Artan Shkreli kostot e një rrugë nuk janë të ngjashme me atë një xhakete.

Më fund mazhoraca në komisionin e ekonomisë u dakordësua për të miratuar projekt ligjin për kontratën e koncensionit PPP për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren.

Rruga Milot Balldren është parashikuar të ndërtohet me standarde ndërkombëtare të kategorisë A. Koncesioni për ndërtimin e këtij aksi kap një vlerë totale prej 213 milionë euro, që parashikon ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Balldren.

Kohëzgjatja e koncesionit parashikohet të zgjasë për një periudhë 13 vjeçare.

Votat pro i mori edhe ndërtimi i rrugës Orikum-Dukat që ndonëse i përket kategorisë A është shumë e rëndësishme sipas zëvendës ministrit Shkreli dhe ka vështirësinë e saj në zbatimin e projektit./ABC News Albania 24/7

autostrada-milot-balldren.jpg
nev ila20:53 | 30/05/2019

Zbardhet projekti i ndërtimit të rrugës Milot – Balldren që ka një gjatësi prej 17 kilometrash dhe që do kushtojë 159.5 milionë euro. Ajo do të jetë një autostradë e standardeve të kategorisë A ku janë të parashikuara 6 vepra arti dhe 2 tunele.

Autostrada e re Milot-Balldren e cila është nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe pritet të ratifikohet edhe në parlament, do të ketë një kosto ndërtimi prej 159,5 milionë euro.

Kjo do të jetë një autostradë e kategorisë A, cilësia më e lartë e rrugëve të standartit evropian. Ajo fillon tek kryqëzimi i rrugës së Kombit në Milot dhe përfundon në afërsi të fshatit Balldren, në dalje të qytetit të Lezhës, në rrugën që të çon në Shkodër.

Kjo autostradë do të ketë një gjatësi prej 17 km, dhe do të jetë tërësisht e mbyllur në të dy krahët jo vetëm për hyrje daljet e automjeteve dhe këmbësoreve por e mbyllur në të gjithë gjatësinë me rrjetë teli për të penguar edhe hyrjen e kafshëve.

Gjerësia e saj do të jetë nga 3 korsi në të dy krahët e lëvizjes dhe do të mundësojë ecjen me një shpejtësi prej 120 km në orë.

Ky segment prej 17 kilometrash do të ketë shume vepra arti si,  urën mbi lumin Mat  me një gjatësi 625 m, urën mbi lumin Drin me gjatësi prej 225 m. Veç dy urave të mëdha, kjo autostradë do të ketë edhe një tunel me dy porta me gjatësi nga 850 metër secili krah, në malin e Rencit që do të shërbejë si bay pass i qytetit të Lezhës për ta devijuar futjen e trafikun të veriut nga kalimi përmes këtij qyteti.

Veç këtyre veprave të artit do të ketë edhe 6 mbikalime, në kryqëzimin e fushë Milotit, në kryqëzimin e burgut të Shenkollit, në kryqëzimin e rrugës Zejmen – Tale, në kryqëzimin e Rriles, në kryqëzimin me rrugën e Hotelit të gjuetisë dhe një nyje e madhe mbikalimi  në rrethrrotullimin e Lezhës, pranë ish fabrikës së Letrës.

Gjithashtu në këtë projekt, meqenëse autostrada do të jetë krejtësisht e mbrojtur nga hyrjet anësore, parashikohet edhe ndërtimi i rrugëve paralele të dy krahët në zonat e banuara, rrugë këto secila me nga 2 korsi me një gjerësi prej 9 metra asfalt.

Gjerësia e korsive të autostradës do të jetë nga 3,75 m secila duke bërë të mundur ecjen me 120 km në orë dhe përshkimin e kësaj gjatësie Milot-Balldre vetëm për 8.5 minuta nga 28 minuta që bëhet aktualisht.

Ky projekt parashikon edhe gjelbërimin e autostradës si dhe ndriçimin në të gjitha nyjet.

Kosto e ndërtimit të kësaj autostrade, duke zbritur kostot e ndërtimit të veprave të artit, tunelit dhe rrugët dytësore, do të jetë 6 milionë euro për kilometër dhe do të ndërtohet për 3 vjet./ABC News Albania 24/7

lulzim-basha-kurbini-1280x675.jpg
nev ila18:16 | 30/05/2019

Kontratën për ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldren kreytari i Partisë Demokratike Lulzim Basha  e cilësoi si një aferë korruptive. Basha tha se kjo kontratë do të varroset dhe se Rama, Balluku dhe Gjiknuri do të shkojnë para drejtësisë.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i bëri thirrje investitorëve të tërhiqen nga projekti i rrugës Milot-Balldren pasi sipas tij është një aferë korruptive.

“Po planifikohet një hajdutëri që i kalon në përmasa dhe në pacipësi edhe hajnisë kriminale tek Unaza e re. Tani Milot – Balldren 260 mln euro për 17 km. Hajdutëri të tillë nuk ka dëgjuar Evropa, hajdutëri të tillë shohin vetëm vendet ku populli ka mbaruar. Por ne nuk jemi ai lloj vendi. Tani dua ti them ANK-së dhe atyre që fshihen pas ANK-së, çdo banke shqiptare; Mos guxo një lopatë të vetme dheu, sepse dheu do e mbulojë turpin e kësaj afere korruptive. Kjo kontratë do varroset, Edi Rama, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri do shkojnë para drejtësisë”, tha ai. 

Nga Kurbini ku ndali turin me qyetaret shefi i selise blu beri edhe nje betim.

Zotohem para kurbinasve, para kishës së Laçit shans nuk keni të vidhni shqiptarët. Me këtë kontratë krimi ju presin hekurat, po kurrsesi hajdutëria rekord e rrugës Milot-Balldren. Ndaj thirrini mendjes ANK-ja e KNA-ja, thirrini mendjes Banka Shqiptare, do t’ju konfiskojmë çdo qindarkë. Do t’ju trajtojmë si bandë kriminale, njësoj si krimi i organizuar, sepse nuk i lini gjë krimit me këtë vjedhje. Ndaj tërhiquni, harrojeni ju se do ti lëmë vogëlushët pa shkollë, pensionistët pa pensione, spitalet bosh për të paguar kontratat korruptive. Qindarkë për qindarkë do tua marrim dhe do të kalbeni në burg”, deklaroi Basha.

Kryedemokrati përsëriti se kryeministri po refuzon ti hapë Shqipërisë rrugën e zgjidhjes politike dhe atë të integrimit europian për interesat e tij. Opozita tha se nuk do të tërhiqet nga beteja që ka nisur ndërkohë që foli para qytetarëve edhe për programin e Partisë Demokratike.

Kryetari i Partisë Demokratike gjithashtu i kërkoi qytetarëve ti bashkohen në Tiranë të dielën në protestën e radhës së opozitës./ABC News Albania 24/7

balldren.jpg
nev ila22:28 | 22/05/2019

Ndryshe nga projektet e tjera, kontratat e ndërtimit në partneritet publik-privat të dy akseve kombëtare Milot – Balldren dhe Dukat – Orikum do të miratohen në parlament, duke i dhënë mundësi kuvendit që të japë mendime dhe të bëjë ndryshime sa i përket kostos dhe cilësisë së rrugëve.

Këshilli i Ministrave ka miratuar nënshkrimin e kontratave me kompanitë që dolën fituese për të marrë koncesionet e rrugëve, ndërsa mësohet që në negociatat që ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka zhvilluar me kompanitë ANK dhe Gjikuria, është ulur interesi që qeveria do t’i kthejë atyre për investimin që firmat do të bëjnë në këto dy rrugë.

Projekti i rrugës Milot – Balldren parashikon ndërtimin e një aksi tërësisht të ri që është pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian dhe do të kushtojë 161 milion euro për 17.2 kilometra.

Ndërsa projekti i dytë parashikon ndërtimin e një aksi 14.7 kilometra që lidh Portin e Jahteve në Vlorë me ByPass-in e Orikumit dhe Dukatin. Në total kompania do të investojë për ndërtimin e rrugës 51 milion euro.

Të dy veprat janë pjesë e programit “1 miliard euro investime” dhe do të ndërtohen fillimisht me kapital të operatorëve privatë, ndërsa buxheti i shtetit do të shlyejë shumën e investuar në vite./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono