Mike Pompeo

maqedoni-pompeo-1280x715.jpg
nev ila21:17 | 04/10/2019

Gjatë një vizite të zhvilluar të premten në Ohër sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka porositur autoritetet maqedonase që të respektojnë vullnetin e popullit për të ardhmen e vendit dhe të mos bien pre e influencës negative ruse.

Pompeo ka vlerësuar partneritetin strategjik me Maqedoninë e Veriut, si dhe reformat e brendshme.

Sekretari Amerikan i Shtetit Majk Pompeo i cili në Ohër u takua me kreun shtetëror të Maqedonisë së Veriut, me porosi se “zemrat dhe arsyeja duhet të udhëheqin me vendin, e jo botet ruse përmes rrjeteve sociale”.

SHBA-të shfaqin shqetësime edhe për shkak të investimeve kineze në infrastrukturë, që sipas Pompeos, shërbejnë për strategji të mitmarrjes.

 “Zemrat dhe arsyeja e Maqedonisë së Veriut duhet ta çojnë shtetin përpara, e jo botet ruse dhe rrjetet sociale. Me rëndësi të veçantë është edhe bashkëpunimi ynë që të mbahet përkushtimi i Maqedonisë së Veriut drejt lirisë ekonomike. Siç thashë në vende tjera në Evropë, edhe këtu dua të them për pjesëmarrjen e Kinës me investime në infrastrukturë, për strategjinë e tyre për mitmarrje”, tha Pompeo.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev siguroi mysafirin e lartë amerikan se Maqedonia po ndryshon në të mirë, një mesazh që njëkohësisht do të dëshironte ta dëgjojë edhe Brukseli.

“Një Ballkan Stabil është në interes së BE-së, në sferën gjeopolitike, të sigurisë dhe ekonomik. Në këtë kontekst edhe inkurajimi që për dhjetë ditë besojmë se lajmi i mirë do të ndikojë në gjithë rajonin. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe shpërblim për zgjidhjen e çështjeve të vështira”, deklaroi Zaev.

Kryeministri Zaev ka shtuar se 22 vende anëtare të NATO-s kanë ratifikuar protokollin e anëtarësimit.

Shumë shpejt këtë do ta bëjë edhe Senati amerikan, për çka mori konfirmim edhe nga Sekretari Pompeo, por nuk deshi që anëtarësimin ta ndërlidh me dhjetorin, por siç tha, për shkak të zgjedhjeve në Spanjë, nuk do të arrihet ratifikimi i protokollit në shënimin e 70 vjetorit të Aleancës, më 3 Dhjetor në Londër./ABC News Albania 24/7

mike-pompeo-1280x710.jpg
nev ila15:15 | 04/10/2019

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo gjatë qëndrimit të tij në Malin e ZI ka vlerësuar kontributin e vendit në qëndrueshmërinë e rajonit si një vend anëtar i NATO-s.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, mbërriti në Ohër nga Podgorica ku është takuar me presidentin Milo Gjukanoviq dhe kryeministrin malazez, Dushko Markoviq.

Me këtë rast, Pompeo ka vlerësuar kontributin e Malit të Zi për qëndrueshmërinë rajonit, si anëtar i NATO-s, por edhe për shkak se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka të njëjtat prioritete në spektrin e gjerë të çështjeve nga politika e jashtme.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se falë bashkëpunimit me Malin e Zi “në fushën e sigurisë kibernetike  është zhvilluar mbrojtja nga software më i ri rus që mbron miliarda instalime anembanë botës”.

Kur është fjala për zhvillimet e brendshme politike në këtë republikë ish-jugsosllave, Pompeo tha se Malin e Zi e sheh si “lider të përpjekjeve rajonale për ç’rrënjosjen e korrupsionit, forcimin e shtetit të së drejtës dhe garantimit të lirisë së medias”, citon TV Klan Maqedonia kreun e DASH-it.

Zyrtari i lartë nga Uashingtoni bëri të ditur se këtë javë Shtetet e Bashkuara i kanë bërë Malit të Zi një ofertë për shitjen e pajisjes ushtarake në vlerën 36 milion dollarë.

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit është cilësuar nga pala malazeze  si historike.

Kryeministri Dushko Markoviç  tha se ajo është shenjë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për vendet e rajonit, për përparimin, qëndrueshmërinë dhe sigurinë e tij. /ABC News Albania 24/7   

stevo-pendarovski-dhe-milo-gjukanovic-1280x720.jpg
G. P.16:56 | 02/10/2019

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ndodhet për një vizitë zyrtare dy ditore në Shkup. Në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski ai u zotua se do të përkrahë Maqedoninë në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Maqedonia e Veriut nxori mësimet nga e kaluara dhe siguroi vendin në NATO, duke zgjidhur çështjen e emrit, ka theksuar Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut Stevo Pendarovski. Sipas Presidentit Gjukanoviç jostabiliteti në Ballkan është si pasojë e zhvillimit demokratik të rajonit dhe se kjo zgjidhet vetëm me integrimet evropiane.

“Maqedonia e Veriut, për shkaqe tashmë të njohura pas vitit 2008 në Samitin e Bukureshtit, humbi hapin që shumë mirë e kishte trasuar në rrugën e integrimeve, por më duket se disa mësime janë marrë dhe ndërkohë është arritur një progres serioz dhe sot realisht është të pritet që Maqedonia e Veriut të fitojë satisfaksion të plotë nëpërmjet dy veprimeve të bashkësisë ndërkombëtare”.

Presidenti Pendarovski theksoi se nuk ka paralajmërime se kreu shtetëror bullgar do ta bllokojë datën për negociata me Bashkimin Evropian, kurse pret edhe më tej përkrahje nga Podgorica për rrugëtimin euro-atlantik të Shkupit.

“Presidenti Gjukanoviç më siguroi se përkrahja e Malit të Zi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kurse bashkarisht konstatuam se është e domosdoshme që BE-ja ta njeh këtë moment dhe Maqedonia e Veriut këtë muaj përfundimisht të marrë datë për fillimin e negociatave aderuese”.

Vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo dy vendeve, Presidenti Gjukanoviç e vlerëson në linjë të pranisë së përforcuar amerikane në rajon, kurse Presidenti Pendarovski theksoi se Pompeo vjen për t’u shprehur mirënjohje vendeve që deri më tani janë në kursin euro-atlantik./ABC News Albania 24/7

mike-pompeo.jpg
G. P.12:34 | 27/09/2019

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo akuzoi presidentin e Sirisë Bashar Al Asad se ka përdorur armë kimike. Ai premtoi se ky sulm, për të cilin tashmë ka prova, nuk do të mbetet pa përgjigje.

Forcat ushtarake të presidentit Bashar Al Asad kanë përdorur klor si armë kimike në muajin Maj. Lajmi është konfirmuar nga sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo. Ai premtoi se sulmi nuk do të mbetej pa përgjigje. Edhe më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin shprehur dyshime për sulmin e muajit Maj gjatë ofensivës në Idlib, por po kërkoheshin ende më shumë informacione.

Sipas një raporti të shërbimit amerikan të inteligjencës, bëhet fjalë për shkeljen e parë të konfirmuar të marrëveshjes ndërkombëtare që ndalon përdorimin e armëve kimike që kur Donald Trump autorizoi një sulm ushtarak në Siri në vitin 2018, pas përdorimit të armëve kimike nga forcat e presidentit Assad./ABC News Albania 24/7

rhouani.jpg
G. P.18:24 | 19/09/2019

Regjimi iranian ka paralajmëruar të enjten Shtetet e Bashkuara se çdo sulm ndaj Republikës Islamike do të çonte në një luftë të re në Lindjen e Mesme. Duke iu përgjigjur kërcënimeve të ardhura pas sulmeve ndaj rafinerive saudite të naftës, Teherani ka deklaruar se do të reagojë duke përdorur forcën.

Irani paralajmëroi të enjten presidentin Donald Trump që të mos përfshihet në aktivitete luftarake në Lindjen e Mesme, pas sulmeve ndaj impianteve saudite të naftës, për të cilat Uashingtoni dhe Riadi fajësojnë Teheranin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka cilësuar sulmet e fundjavës së kaluar një “akt lufte” dhe ka diskutuar për një reagim të mundshëm me Arabinë Saudite dhe vende të tjera të Gjirit.

Të mërkurën, vetë presidenti Trump bëri një paralajmërim, duke thënë se ka në dispozicion shumë opsione për të reaguar ndaj Republikës Islamike, e cila mohon çdo përfshirje në sulmet e 14 Shtatorit.

Gjithashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë urdhëroi Departamentin e Thesarit për të vendosur më shumë sanksione ndaj Iranit. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian është përgjigjur duke thënë për CNN se vendi i tij nuk do t’i injorojë kërcënimet dhe se do të veprojë nëse do t’i duhet të mbrohet nga ndonjë sulm amerikan, ose saudit, që sipas tij do të çonte në një luftë të hapur.

Mohammad Javad Zarif ka deklaruar se sekretari i Shtetit Mike Pompeo është pjesë e të ashtuquajturit “Grupi B”, ku sipas Teheranit bën pjesë edhe princi saudit i kurorës, të cilët po përpiqen të mashtrojnë presidentin Trump, duke e nxitur për opsionin e luftës.

Riadi zyrtar, që e cilësoi sulmin një “test të vullnetit global”, publikoi të mërkurën pjesët e mbetura të dronëve dhe raketave iraniane të përdorura në sulmet ndaj rafinerive, duke deklaruar se janë një provë e pakontestueshme e agresionit të Teheranit./ABC News Albania 24/7

mike-pompeo.jpg
G. P.09:26 | 09/09/2019

Pasi Presidenti amerikan Trump i ndërpreu negociatat me talibanët në Afganistan, ministri i tij i Jashtëm nuk e përjashton në parim rifillimin e bisedimeve. Talibanët u treguan të gatshëm për të biseduar.

Ministri i Jashtëm i SHBA, Mike Pompeo nuk e përjashton një rinisje të mundshme të negociatave për paqen me talibanët radikalë islamikë në Afganistan. “Ne do të shohim,” i tha Pompeo stacionit televiziv CNN. Sidoqoftë, për një rinisje të bisedimeve, talebanët do të duhej të bënin premtime të rëndësishme dhe mbi të gjitha t’i zbatonin ato. Ai nuk u shpreh konkretisht, nëse dhe kur mund të rifillojnë bisedimet e paqes, por e bëri të qartë se qeveria e SHBA është edhe më tej e interesuar për një marrëveshje paqeje me talebanët.

Sido që të jetë, qeveria amerikane do të bëjë gjithçka për të mbrojtur amerikanët dhe interesat e SHBA, tha Pompeo. Shtetet e Bashkuara do t’i tërhiqnin trupat nga Afganistani vetëm nëse kushtet do të ishin të përshtatshme. SHBA dhe talibanët negociojnë që nga korriku i vitit 2018 për një zgjidhje politike të konfliktit 18-vjeçar në Afganistan.

Talibanët presin negociata të mëtejshme

Ndërkohë, talibanët paralajmëruan se SHBA do të vuanin “më shumë se kushdo” nga pasojat e vendimit të Trumpit. “Lufta jonë e 18 viteve të fundit duhet t’u ketë konfirmuar amerikanëve, se nuk jemi të kënaqur derisa të përjetojmë fundin e plotë të pushtimit,” tha grupi në një mesazh të shkurtër në Twitter përmes zëdhënësit të tij Sabihullah Mujahid.
Deri atëherë, “lufta e shenjtë do të vazhdojë për të arritur këtë qëllim të madh”. Talibanët gjithashtu shprehën shpresën se qeveria amerikane do të tregohej dakord për negociata të mëtejshme.

Mike Pompeo besucht Afghanistan (Reuters/J. Martin)

Politikë botërore në twitter

Pak para një marrëveshjeje të pritshme SHBA-Taliban, Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të shtunën natën (me kohën lokale), krejt papritur, se ai i kishte ndërprerë negociatat e mëtejshme me talibanët për shkak të një sulmi vdekjeprurës në Kabul. Në sulm u vra edhe një ushtar amerikan.

Trumpi shkroi në Twitter se ai kishte anuluar edhe takimet sekrete me talibanët dhe – ndaras – me Presidentin Afganistan Ashraf Ghani, të cilat fillimisht qenë caktuar të zhvilloheshin të dielën në Camp David. Ghani dhe anëtarë të tjerë të qeverisë qenë ftuar në Shtetet e Bashkuara veçmas nga Talibanët, por nuk e kishin nisur udhëtimin. Talibanët gjithmonë kanë kundërshtuar të negociojnë me përfaqësues të qeverisë.

Pompeo tha se Trumpi kishte marrë vendimin e duhur, të cilin ai e mbështet plotësisht. Talibanët nuk duhet të shpërblehen për sjellje të gabuar. Qeveria afgane gjithashtu ua hodhi përgjegjësinë talebanëve për dështimin e bisedimeve.

Rreth një javë më parë, i dërguari special i SHBA, Zalmay Khalilzad prezantoi vija të përgjithshme të planit të paqes midis SHBA dhe talibanëve. Sipas tij, SHBA do të tërheqin rreth 5000 ushtarë amerikanë nga Afganistani në pesë muajt e ardhshëm. Si përgjigje, talibanët duhet të pakësojnë sulmet e tyre dhe të mos ofrojnë mbrojtje për organizatat terroriste si Al Kaida. Tani është e paqartë nëse bisedimet gjithsesi të vështira mund të rinisin. Talibanët kanë kërcënuar me sulme ndaj qendrave të votimit dhe votuesve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në fund të shtatorit./DW

pompeo.jpg
G. P.23:25 | 22/08/2019

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shprehu mirënjohje për Danimarkën si aleate e SHBA, pas anulimit të vizitës shtetërore që Presidenti Donald Trump pritej të bënte atje në fillim të shtatorit.

Departamenti i Shtetit tha se zoti Pompeo foli me homologun e tij danez në telefon të mërkurën dhe diskutoi “mbi forcimin e bashkëpunimit në Arktik me Mbretërinë e Danimarkës – duke përfshirë Groenlandën.”

Në fillim të kësaj jave Presidenti anuloi një vizitë në Danimarkë pas refuzimit të propozimit të tij që danezët t’i kërkojnë Groenlandës t’u shitet Shteteve të Bashkuara.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha të mërkurën se ndjeu keqardhje dhe u befasua që Presidenti i SHBA Donald Trump anuloi papritmas vizitën e tij të planifikuar në Danimarkë kur ajo kundërshtoi sugjerimin e tij për të blerë Groenlandën, territorin strategjik dhe të pasur me minerale, pjesë e mbretërisë daneze.

Më vonë, Presidenti Trump pohoi se e anuloi vizitën pasi kryeministrja daneze bëri një koment “të pahijshëm” si reagim ndaj sugjerimit të tij./VOA

MIke-pompeo-1280x883.jpg
G. P.13:30 | 30/07/2019

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi se kreu i Shtëpisë së Bardhë synon të tërheqë të gjithë trupat ushtarakë amerikanë nga Afganistani para zgjedhjeve presidenciale të 2020-s.

Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron të nisë tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Afganistani para zgjedhjeve presidenciale të 2020-s, ku do të garojë për një mandat të dytë. Deklarata u bë nga sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo. Kreu i diplomacisë amerikane u shpreh se negociatat me talebanët kanë lejuar që të ketë progres real dhe se ai ndihej shumë optimist për situatën.

Gjatë vitit të parë të presidencës, këshilltarët i propozuan Trump që të rriste numrin e ushtarëve në Afganistan, duke pohuar domosdoshmërinë për të shmangur faktin që talebanët të rimerrnin në dorë kontrollin e plotë të vendit. Ndër të tjera, ata e paralajmëruan për rrezikun se Afganistani mund të kthehej në një bazë për sulme të reja terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trump vendosi të ndjekë këshillën e stafit të tij. Gjatë një fjalimi për situatën në Afganistan në Gusht të 2017-s, kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehej se instikti i tij i parë ishte për tërheqjen e trupave dhe se zakonisht atij i pëlqente të ndiqte instiktin. Por nga ana tjetër ai shtoi se vendimet janë shumë ndryshe kur je i ulur në tryezën e zyrës ovale.

Duke parë progreset pas dy vitesh presidencë, Trump u ankua te këshilltarët e tij duke vendosur që të niste tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Afganistani. Sipas sekretarit amerikan të Shtetit Pompeo kjo është një mënyrë për të reduktuar dhunën dhe rreziqet terroriste në Shtetet e bashkuara të Amerikës.

Një javë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Afganistani publikuan një deklaratë të përbashkët për shtyp ku theksohej se të dyja palët synonin përshpejtimin e procesit të paqes për t’i dhënë fund luftës si dhe për të reduktuar praninë amerikane në vend./ABC News Albania 24/7

pompeo-1.jpg
G. P.09:55 | 30/07/2019

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të hënën se shpreson që bisedimet në nivel grupesh pune për të rigjallëruar bisedimet e çnuklearizimit me Korenë e Veriut mund të ndodhin “shumë shpejt”, por theksoi se nuk është planifikuar ndonjë një takim tjetër mes udhëheqësve të dy vendeve.

“Shpresojmë se shumë shpejt mund të kemi diskutime në nivel grupesh pune,” i tha zoti Pompeo një audiende në Klubin Ekonomik të Uashingtonit, një ditë para se të nisej për në Azi.

I pyetur për mundësinë e një samiti tjetër midis Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, ai shtoi: “Nuk ka plane. Nuk ka asgjë të planifikuar”.

Zoti Pompeo dhe Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho, pritej të takoheshin në periferitë e një konference të ASEAN-it për sigurinë në Bangkok këtë javë.

Ndërsa një burim diplomatik i tha agjencisë së lajmeve Reuters javën e kaluar se ministri Ri e kishte anuluar udhëtimin e tij në konferencë, sekretari Pompeo shfaqi shpresën për një rrugë diplomatike, pavarësisht se Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi më 25 korrik.

Një takim Trump-Kim në Vietnam në muajin shkurt dështoi, pasi dy palët nuk arritën të sheshojnë dallimet ndërmjet kërkesave të Uashingtonit për një çnuklearizim të plotë dhe kërkesave të Koresë së Veriut për lehtësimin e sanksioneve.

Që nga takimi i tyre historik i 28 qershorit në Zonën e Çmilitarizuar që ndan të dy Koretë, Pheniani ka akuzuar Uashingtonin për shkelje të premtimit, pasi ka planifikuar të zhvillojë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut në muajin gusht.

Koreja e Veriut ka paralajmëruar se do t’i japë fund moratoriumit të provave bërthamore dhe të testimit të raketave me rreze të gjatë veprimi.

DIPLOMACIA DHE PHENIANI

Ministrat e Jashtëm të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) do të takohen në Bangkok më 2 gusht, për një forum rajonal. Krahas çështjeve diplomatike aty pritet të diskutohet edhe rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut. Ndërkohë fati i bisedimeve bërthamore mes Uashingtonit dhe Phenianit mbetet i paqartë, në kushtet kur Pheniani këmbëngul për lehtësim të saksioneve përpara çarmatimit të plotë e të verifikueshëm bërthamor.

Koreja e Veriut iu bashkua Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore në vitin 1985, por për vite të tëra nuk pranoi monitorim nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ndërsa i kërkonte forcave amerikane të tërhiqeshin nga Koreja e Jugut.

Në fund të vitit 2002, Pheniani i largoi inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe njoftoi se në uzinën e tij bërthamore do të riniste puna pasi Organizata e Gadishullit Korean për Zhvillim Energjitik (KEDO) pezulloi furnizimet me naftë, që ishte pjesë e kornizës për të cilin ishte rënë dakort më 1994-n. Në janar të vitit 2003, Koreja e Veriut u largua nga traktati bërthamor i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT).

“Qeveria jonë deklaron se tërheqja nga Traktati, i cili ishte pezulluar në mënyrë të njëanshme dhe të përkohshme, do të hyjë në fuqi automatikisht dhe menjëherë”, njoftoi tranmetuesi i Koresë së Veriut, KRT.

Por pas këtij momenti në Pekin në gusht të vitit 2003, filluan bisedimet mes dy Koreve, Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Rusisë dhe Kinës, për shkak të shqetësimeve se Veriu po rriste rezervat me armë me plutonium.

Në përfundim të katër raundeve të bisedimeve në shtator 2005, të 6 vendet ranë dakord për një marrëveshje kuadër sipas së cilës Pheniani do të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor në këmbim të një ndihme të madhe ekonomike dhe furnizim me energji elektrike si dhe di t’i jepej fund izolimit të tij diplomatik.

Një vit më vonë në tetor 2006 Koreja e Veriut kryen një provë me një pajisje bërthamore, ç’ka nxiti vendosjen e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Prej këtij momenti Koreja e Veriut kryen 6 prova me armë bërthamore më e fundit në vitin 2017.

Në prill të 2018, Kim Jong Un dhe Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in premtuan të punojnë për “çarmatimin e plotë të gadishullit Korean”, në takimin e parë ndër-korean pas më shumë se një dekadë.

Më 24 maj 2018 Koreja e Veriut njoftoi se kishte çmontuar tërësisht objektin e saj të provave bërthamore Punggye-ri. Të 6 provat bërthamore të Koresë së Veriut janë kryer aty, në tunelet e gërmuara nën malin Mantap në verilindje të vendit.

Aktualisht bisedimet bërthamore mes SHBA-së dhe Phenianit kanë ngecur.Më dy gusht Ministrat e Jashtëm të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) pritet të takohen në Bangkok, për një forum rajonal. Krahas çështjeve diplomatike pritet të diskutohet edhe rreth programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Mbatja e këtij forumi vjen ndërsa më 23 korrik 2019-s, agjencia shtetërore e lajmeve e Phenianit njoftoi se Kim Jong Un inspektoi një nëndetëse të madhe të ndërtuar rishtazi, duke sinjalizuar çuarjen më tej të një programi raketash balistike (SLBM) që lëshohen prej nëndetëseve.

Njoftimi vjen ndërsa ka sërisht vonesa në rifillimin e bisedimeve mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni vazhdon të kërkojë që Koreja e Veriut të heqë dorë nga programet e saj të armëve bërthamore e të raketave.

Kim Jong Un po zbaton një moratorium për testimin e raketave balistike ndërkontinentale (ICBM) dhe armëve bërthamore, ndërsa është angazhuar në bisedimet për çarmatim bërthamor me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë ai ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me mungesën e lëshimeve nga pala amerikane dhe ka thënë se do të presë deri në fund të vitit që Uashingtoni të tregojë fleksibilitet.

Koreja e Veriut i ka ngrirë provat me armë bërthamore e raketave balistike ndërkontinentale prej vitit 2017. Presidenti Trump e ka përshëndetur vazhdimisht këtë gjë duke e cilësuar si një triumf të përpjekjeve të tij diplomatike, pavarësisht aktivitetit të vazhdueshëm ushtarak në Korenë e Veriut./VOA

pompeo.jpg
G. P.10:04 | 19/07/2019

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pritet të niset drejt Amerikës Latine për t’u takuar me udhëheqësit e atyreve vendeve. Vizita vjen në mesin e negociatave të vështira me Meksikën dhe vendet e Amerikës Qendrore mbi mënyrën se si të ndalet rrjedha e emigrantëve në kufirin jugor amerikan.

Zëdhënësja e Departamentit Morgan Ortagus bëri një pasqyrë të udhëtimit të zotit Pompeo që nis të premten:

Sekretari Pompeo do të shkojë në Argjentinë, Ekuador, Mexico City dhe San Salvador, me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit për çështje të sigurisë, përforcimin e angazhimit amerikan për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, veçanërisht mbështetjen për popullin e Kubës, Nikaraguas dhe Venezuelës dhe luftën e tyre për liri. Vizitat do të shërbejnë edhe për të rritur partneritetet ekonomik si dhe për të zgjeruar mundësitë ekonomike për qytetarët tanë“, tha zonja Ortagus.

Gjatë qëndrimit në Argjentinë zoti Pompeo do të marrë pjesë në një konferencë kundër terrorizmit me aleatët rajonalë, që përkon me 25 vjetorin e hedhjes në erë të një qendre hebreje në Buenos Aires ku u vranë 85 vetë, ngjarje që prokurorët argjentinas e lidhën me grupin Hezbollah dhe Iranin.

Askush nuk është dënuar lidhur me këtë sulm, i konsideruar si më i rëndi në historinë e vendit.

Migrimi ka të ngjarë të jetë një çështje e rëndësishme në anxhendën e zotit Pompeo. Disa ekspertë thonë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i trajtojnë shkaqet në rrënjë të problemit pra “faktorët shtytës” që i detyrojnë këta njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre./VOA


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono