michael roth

MichaelRoth-1160x757.jpg
G. P.23:08 | 31/05/2019

Ministri gjerman për Shtetin dhe Europën, Mikael Roth ka deklaruar se BE duhet të marrë një vendim pozitiv në qershor për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinëë dhe Maqedoninë.

“Ne duhet t’i qëndrojmë fjalës dhe të përmbushim zotimet tona”, ka deklaruar Roth për gjermanen “Tagesshpigel”.

Eksponenti i SPD-së ka kujtuar se si vitin e kaluar BE vendosi një afat të caktuar, kur tha se vendimi për dy vendet e Ballkanit Perëndimor do të merret në qershor të 2019-s. Roth është shprehur kundër edhe atyre që e shohin Shqipërinë me skepticizëm për shkak se sistemi i drejtësisë nuk funksionon.

“Qershori është momenti më i mirë për të vendosur hapjen e negociatave. Një vendim pozitiv i marrë në kohë kërkon pak kurajo, por edhe më shumë vizion”, ka shtuar Roth.

Ai ka nënvizuar se Europa duhet të rrisë influencën e saj në Ballkan përballë përpjekjeve të Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

“Roli i BE-së në rajon nuk ka të bëjë vetëm me interesat për sigurinë që janë jetike, por edhe për besueshmërinë e tij”, ka shtuar Roth./ABC News Albania 24/7

zgjedhjet-BE.jpg
G. P.14:15 | 24/05/2019

Në prag të publikimit të progres-raportit të BE-së po shtohen gjasat që vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyhet për në vjeshtë. Në këtë përfundim ka arritur analiza e thelluar e Deutche Welle mbi situatën politike që po kalon Shqipëria.

Një pyetje është bërë shpesh gjatë vitit të fundit në Shqipëri. Kur do të çelen negociatat e Shqipërisë me BE-në? Deutche Welle ka publikuar një analizë të situatës dhe deklaratave të politikanëve në Gjermani që në thelb janë të ndarë.

Grindja e dy partive më të mëdha në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) ka të bëjë me datën e votimit për çeljen e negociatave. Ndërsa socialdemokratët kërkojnë që votimi të bëhet sa më shpejt, pra, menjëherë pas publikimit të progres-raporteve të dy vendeve, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial e ka caktuar datën e vendimit për 23 Shtator.

Një datë, me të cilën, ministri i shtetit Michael Roth, që është përfaqësuesi më i flaktë i qeverisë gjermane pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk është dakord. Siç e tha edhe një intervistë me Deutsche Ëelle-n, ai mendon se ka ardhur koha që BE-ja të mbajë premtimin e dhënë një vit më parë ndaj këtyre dy vendeve dhe të japë dritën e gjelbër për negociatat qysh në Qershor.

Por edhe pse Michael Roth është përfaqësues i ekzekutivit, nuk mund të thuhet ende me siguri nëse ky është qëndrimi përfundimtar i qeverisë gjermane. Kancelarja Angela Merkel nuk e ka shprehur akoma mendimin e saj për këtë çështje.

Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, i pyetur para disa kohësh në konferencën e rregullt të shtypit, tha se “vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progres-raporti i Komisionit”. Por sipas ligjit, qeveria gjermane duhet të marrë parasysh edhe mendimin e Bundestagut para se të formulojë qëndrimin e saj për Këshillin e BE-së në qershor të këtij viti.

Siç ka ndodhur edhe më parë, deputetët gjermanë të partisë CDU/CSU, pritet ta formulojnë mendimin e tyre edhe pasi të jenë konsultuar më parë me Francën. E kjo është shumë skeptike sidomos ndaj Shqipërisë: së pari, për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të azilkërkuesve nga ky vend dhe së  dyti, për shkak të “imazhit të keq” të krijuar nga kontrolli i tregjeve ilegale në Evropë dhe lidhjet e “mafies shqiptare” me trafikime, bëjnë të ditur burimet diplomatike.

Kjo është një gjë të cilën Maqedonia Veriore nuk e ka. Prandaj edhe qarqet diplomatike nga Brukseli, thonë se, nëse vjen deri te ndonjë vendim i negociuar politikisht, atëherë çelja e negociatave me Maqedoninë e Veriut do të jetë më e mundshme se ajo me Shqipërinë./ABC News Albania 24/7

43735890_303.jpg
ent ela18:32 | 14/03/2019

Ministri  i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Mikael Roth paralajmëron për rrezikun që sjell polarizimi politik në Shqipëri. Ai i kujton opozitës se vetëm parlamenti është vend ku bëhet debati dhe reformat. Ministri gjerman i kujton gjithashtu politikës së Tiranës se është në prag të vendimit që do të merret për negociatat me BE.

Ministri gjerman i shtetit Michael Roth pozicionohet sërish kundër bojkotit të parlamentit shqiptar nga opozita. Në një intervistë për Dojçe Velle, Roth shpreh edhe frikën se klima e konfliktit politik në vendin tonë tashmë është shumë e helmuar.

“E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare. Sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati. Ne kërkuam që këtu të ndërhyhet për zbutje. Por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar”. 

I pyetur lidhur me akuzat e opozitës për blerje të votave në zgjedhjet e kaluara si dhe për etiketimin e parlamentit si ilegjitim, ministri gjerman përgjigjet:

“Akuza duhet të bëhen me anë të institucioneve të shtetit të së drejtës. Si mund të bëhen ndryshe? Shteti i së drejtës nuk mund të anashkalohet duke ndalur punën në parlament. Demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë. Kush vepron kështu, me sa duket nuk i ka kuptuar parimet e shtetit të së drejtës”. 

Duke folur në këtë intervistë pas takimit të zhvilluar në Berlin me ministrin e jashtëm në detyrë Gent Cakaj, thekson vlerësimin për reformat dhe çuarjen e tyre përpara.

“Bëra të qartë edhe një herë se edhe ne i vlerësojmë përpjekjet e deritanishme për reforma. Sidomos në reformën e gjyqësorit. Vettingu është një model unik për pastrimin e tërë sistemit të drejtësisë nga korrupsioni. Bëra edhe njëherë të qartë se nevojiten reforma të mëtejshme, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar”.

Teksa Shqipëria është në këtë tension politik, pak muaj para vendimit të Brukselit për çeljen e negociatave të anëtarësimit, thekson se, pavarësisht kush është në opozitë e kush në qeveri nevojitet mirëkuptim thelbësor në disa çështje,

“Aty përfshihen çështjet kushtetuese, çështjet zgjedhore dhe, për mua, çështjet e afrimit me BE. Këto çështje duhet të mbështeten nga një konsensus i gjerë politik. Dhe sigurisht, konflikte të tilla kaq agresive ne politiken e brendshme kanë një efekt paralizues, sepse ato gjithashtu prodhojnë tituj negativë në media. Nga ana tjetër, reformat mund të fillojnë vetëm nëse funksionon parlamenti”.

Ministri gjerman i shtetit Michael Roth, sqaron se raporti i progresit të Komisionit Evropian do të publikohet më 29 maj. E me pas vendimi i secilit vend anëtar, përfshirë edhe Gjermaninë, do të bazohet te raporti i Komisionit mbi përmbushjen e reformave. /abcnews.al

 

roth.jpg
G. P.14:52 | 14/03/2019

Pas takimit në Berlin me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth flet për përshtypjet pozitive nga takimi e rrezikun që sjell polarizimi politik.

Deutsche Welle: Ministër i Shtetit Roth, ju u takuat për herë të parë me Z. Cakaj, në rolin e tij si ministër i jashtëm i Shqipërisë në detyrë. Cilat ishin përshtypjet tuaja?

Fitova një përshtypje pozitive për kolegun e  ri. Ai është një politikan shumë profesional dhe shumë kompentent në biseda. Bëra të qartë edhe një herë se edhe ne i vlerësojmë përpjekjet e deritanishme për reforma. Sidomos në reformën e gjyqësorit. Vettingu është një model unik për pastrimin e tërë sistemit të drejtësisë nga korrupsioni. Bëra edhe njëherë të qartë se nevojiten reforma të mëtejshme, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër krimit të organizuar. Është gjithashtu shumë e rëndësishme që reformat duhet t’i komunikohen mirë publikut evropian. Folëm edhe për politikën e brendshme. Polarizimi ndërmjet opozitës dhe qeverisë nuk është një fenomen shqiptar, por e konstatojmë me keqardhje edhe në shumë vende të tjera në tranzicion.

E konsiderojmë të papërgjegjshëm bojkotin e parlamentit nga partitë opozitare. Sepse nuk është vetëm bojkot kundër parlamentit ose i qeverisë, por edhe ndaj demokracisë. Parlamenti është vendi, ku duhet bërë debati. Ne kërkuam që këtu të ndërhyhet për zbutje. Por kam frikë se situata tashmë është shumë e helmuar.

Opozita akuzon qeverinë se i ka blerë votat në zgjedhjet e mëparshme, prandaj e quan parlamentin jolegjitim. Cili është qëndrimi juaj këtu? 

Akuza duhet të bëhen me anë të institucioneve të shtetit të së drejtës. Si mund të bëhen ndryshe? Shteti i së drejtës nuk mund të anashkalohet duke ndalur punën në parlament. Demokracia nuk funksionon në këtë mënyrë. Kush vepron kështu, me sa duket nuk i ka kuptuar parimet e shtetit të së drejtës.

A e rrezikon gjendja aktuale në Shqipëri çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE?

Unë do të dëshiroja që, edhe nëse grindja është nevojshme, të mos dilet nga tema. Debati është elikzir i një demokracie të gjallë. Por është e rëndësishme që të ketë mirëkuptim thelbësor në disa çështje, pavarësisht se kush është në opozitë e kush në qeveri. Aty përfshihen çështjet kushtetuese, çështjet zgjedhore dhe, për mua, çështjet e afrimit me BE. Këto çështje duhet të mbështeten nga një konsensus i gjerë politik. Dhe sigurisht, konflikte të tilla kaq agresive ne politiken e brendshme kanë një efekt paralizues, sepse ato gjithashtu prodhojnë tituj negativë në media. Nga ana tjetër, reformat mund të fillojnë vetëm nëse funksionon parlamenti.

Qarkullojnë fjalë se Maqedonia e Veriut mund ta marrë dritën jeshile për bisedimet, por jo Shqipëria. I keni dëgjuar edhe ju këto përsiatje?

Jo, këtë nuk e kam dëgjuar ende. Por këtu procedura është shumë e qartë: raporti i progresit të Komisionit Evropian do të publikohet më 29 maj. Vitin e kaluar, në qershor, ne e shqyrtuam çështjen e anëtarësimit në BE me shumë dashamirësi si për Shqipërinë edhe për Maqedoninë e Veriut. Por nuk do të ketë automatizem. Vendimi ynë do të bazohet te raporti i Komisionit. Në rastin e Gjermanisë fjalën e fundit e ka Bundestagu.

Pra, gjithçka është e hapur?

Gjithçka është e hapur. Është ende në proces. Në muajt e ardhshëm mund të vazhdohet me reforma të rëndësishme. Sa më shumë reforma që të ketë në në muajt e ardhshëm aq më mire është për vendimin pozitiv./DW

roth.jpg
G. P.09:51 | 07/02/2019

Gjermania i kërkon politikës në Shqipëri të vijojë reformat në prag të vendimin lidhur me negociatat e anëtarësimit në BE. Apel i veçantë bëhet për miratimin sa më parë të Reformës Zgjedhore. Ndërsa opozitës i kujtohet se vendi i debatit politik është parlamenti dhe jo rruga.

Berlini zyrtar kërkon nga politika në Shqipëri të gjejë gjuhën e dialogut dhe të bashkëpunimit. Pak ditë para protestës së paralajmëruar nga opozita, ministri gjerman i Shtetit, Michael Roth, shprehet në një interviste për Deustche Welle se vendi i debatit politik është në parlament.

“Sigurisht që dëshiroj që protestat e paralajmëruara të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë. Demonstratat paqësore janë legjitime dhe liria e tubimit është një shtyllë e rëndësishme e kulturës së politikës demokratike. Si student edhe unë kam marrë pjesë në demonstrata. Por vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike”.

Ministri gjerman apelon për miratimin sa më parë të reformës zgjedhore.

“Zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it është i rëndësishëm për të forcuar sistemin zgjedhor e bashkë me të edhe demokracinë në Shqipëri.  Ne e kemi  mbështetur intensivisht përgatitjen e propozimeve konkrete për reformën zgjedhore – prandaj presim që kjo reformë të miratohet në Kuvend dhe të zbatohet me shpejtësi.  Këtu pritet që të luajë një rol të veçantë edhe opozita, e sidomos Partia Demokratike, pasi qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor”.

Gjermania i kujton Shqipërisë provimin e këtij Qershori, ku do të testohen arritjet dhe reformat e kryera përpara vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit të vendit në BE.

“Këtu kanë rëndësi qendrore reformat në administratën publike, gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe të drejtat e njeriut. Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë reformat e saj, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së – të cilat duhet ta marrin këtë vendim njëzëri – të jenë të bindur se përparimi i saj është i mjaftueshëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Qeverisë federale për një “po” i nevojitet drita jeshile nga Bundestagu”.

I pyetur mbi raportet Kosovë-Serbi dhe idenë e ndryshimit të kufijve, ministri i Jashtëm gjerman i qëndron idesë se Berlinit zyrtar kundër këtij ndryshimi, ndërsa nxit Prishtinën dhe Beogradin në arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura. Nga Shqipëria  ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin”.

Sipas ministrit gjerman, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajonin e Ballkanit./abcnews.al

MichaelRoth-1160x757.jpg
ent ela20:38 | 16/09/2018

Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, gjatë një vizite në Beograd ka njoftuar se Berlini dhe Bashkimi Evropian janë kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, problemet nuk do të zgjidhen përmes rishikimit të kufijve.

Ministri për Evropën në Ministrinë e Punëve të jashtme të Gjermanisë Michael Roth, gjatë një vizite zyrtare në Beograd, tha se “me vullnet të mirë dhe me guxim mund të arrihet zgjidhja për Kosovën”. Megjithatë ka përcjellë edhe mesazhin nga Berlini se “problemet nuk mund të zgjidhen me vizatimin e kufijve të rinj”. Zyrtari gjerman në një deklaratë për agjencinë shtetërore të lajmeve të Serbisë, Tanjug, ka sjellë në vëmendje se “shtetet e Ballkanit Perëndimor prapa vetes kanë një histori tragjike, një luftë civile me qindra mijëra të vrarë dhe me miliona njerëz të dëbuar dhe të zhvendosur. Pikërisht për këtë arsye, tha Roth, të gjithë duhet të nxjerrin mësime nga ajo histori tragjike.

Michael Roth, ministër i Gjermanisë për Evropën: “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor janë shoqëritë që janë të hapura për të gjithë popujt, religjionet, kulturat. Për këtë angazhohet Evropa dhe BE-ja. Për këtë arsye edhe një herë mundem vetëm të paralajmëroj se problemet nuk zgjidhen me atë që do të vizatohen kufij të rinj”.

Roth u pyet edhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve, apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. “Kam një përshtypje se as në Ballkanin Perëndimor, sepse shumë shpesh e vizitoj, nuk ka simpati për një ide të tillë. Hapja e Kutisë së Pandorës mund të jetë me pasoja të rënda”, tha diplomati gjerman. Në fund ai nënvizoi se rasti i marrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë duhet të shikohet si shembull për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve./abcnews.al

lul-basha-1.jpg
G. P.14:54 | 24/07/2018

Gjatë takimit në selinë blu me ministrin e jashtëm gjerman Michael Roth, kryedemokrati Lulzim Basha njofton se e ka informuar atë se Shqipëria ndodhet në situatë të rrezikshme sipas tij, për shkak të refuzimit nga mazhoranca të përmbushjes së kushteve të vendosura për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Arsye madhore për këtë sipas kreut të opozitës Basha janë dy ministrat e brendshëm Tahiri dhe Xhafaj por edhe përdorimi i reformës në drejtësi dhe vettingut si mjet presioni për garantimin e paprekshmërisë të atyre që përfshihen në afera korruptive, si është për demokratët rasti i ligjit special për Teatrin Kombëtar.

Lulzim Basha ka njohur edhe ministrin gjerman Roth me 7 kushtet e opozitës për zgjidhjen e asaj që konsideron kolaps të sistemit të drejtësisë, kushte kto të bëra publike një ditë më parë dhe të cilat, sipas Lulzim Bashës janë korrigjime ligjore të nevojshme dhe jo sipërfaqësore, duke konfirmuar kështu gatishmërinë e opozitës për kontribut konstruktiv në këtë proces./abcnews.al

ministrat-1.jpg
G. P.20:38 | 22/07/2018

Pas nisjes së punës monitoruese me Komisionin Europian për negociatat, mysafiri i parë në Tiranë ishte ministri gjerman për Evropën, Michael Roth. Aleati qeverisës i Merkel tha se me rëndësi në këtë process 12-mujor punë është bashkëpunimi mes qeverisë e opozitës.

Shqipëria i ka të qarta sfidat dhe fushat kritike në procesin e monitorimit të thellë nga Komisioni Europian, për të marrë një rekomandim të ri pozitiv qershorin e ardshëm. Këtë i deklaroi ministri për Evropën e punët e jashtme ministrit gjerman për Evropën Michael Roth, në vizitë zyrtare në Tiranë. Bushati e konsideron këtë process të një rëndësie politike

Ditmir Bushati:Kemi një pasqyrë të sfidave, fushat kritike: luftën kur krimit e korrupsionit, vettingun krahas nevojës për përmirësimin konstant të klimës politike. E informova rreth disa projekteve në tryezën e parlamentit dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR ashtu edhe projektet shkollën e magjistraturës, për t’i dhënë Shqipërisë Gjykatën Kushtetuese dhee Gjykatën e Lartë”.

Ministri Roth, anëtar i CSU, partisë së majtë në koalicionin e kancelares Merkel, e vuri theksin tek marrja e përgjegjësive nga të gjithë aktorët politikë në këtë process, me aludim të fortë për opozitën, e duke marrë si shembull gjetjen e gjuhës me Greqinë.

Michael Roth: “Ky proces kaq i vështirë e i rëndësishëm për qeverinë, kërkon një masë të madhe vetëdije e ndërgjegjësimi nga ana e qeverisë, por po aq e madhe duhet të jetë masa e vetëdijës dhe e ndërgjegjësimit, edhe nga ana e opozitës. Ndaj shfrytëzoj rastin për t’u bërë një apel politikanëve përgjegjës që të marrin përgjegjësitë e të mos rrezikojnë rrugën e Shqipërisë në BE. Duhet një konsensus bazik për çështjet që kanë të bëjnë me Kushtetutën e zgjedhjet e në mënyrë të vecantë me ato që kanë të bëjnë me rrugën drejt BE. Pajtimi dhe paqja janë të rëndësishme. Se çfarë mund të arrihet na e kanë dëshmuar qartësisht kolegët tanë në Athinë. Pajtimi është plotësisht i mundshëm, debati konstruktiv është plotësisht i mundshëm, nëse të gjithë politikanët arrijnë të kuptojnë se duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë”.

Bushati e Roth nënvizuan rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë proces, me përfaqësues të të cilës ministri gjerman ishte takuar në Tiranë. Roth përgëzoi Shqipërinë për arritjet e deritanishme sidomos vettingun, një proces që nuk ka të dytë në rajon dhe siguroi mbështetjen e qeverisë federale gjermane për vendin tonë./abcnews.al

roth.jpg
G. P.14:26 | 22/07/2018

Ministri i shtetit për çështje evropiane në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Michael Roth, ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Në axhendën e takimeve që ministri gjerman ka publikuar edhe në rrjetet sociale, janë planifikuar një sërë takimesh zyrtare, duke nisur nga takimi me kryeministrin Edi Rama, ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, drejtues të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor për Ballkanin Perëndimor, opozitën dhe shoqërinë civile.

“Dua të falënderoj veçanërisht mikun tim Ditmir Bushati që një ditë si kjo, në vend që të kalojë kohë me familjen e tij na organizoi takimin e sotëm”, shkruan Ministri Roth në postimin e tij në Twitter./abcnews.al

michael.jpg
G. P.10:08 | 10/07/2018

Ballkani Perëndimor ka rëndësi të veçantë për Bashkimin Europian, thotë ministri i shtetit Michael Roth, në intervistë për DW, në kuadër të samitit për Ballkanin Perëndimor në Londër. Ndaj ky rajon nuk duhet lënë vetëm.

DW:  Zoti ministër i shtetit, këtu në Londër fillon Western Balkan Summit numër 5. Çfarë na pret, cilat janë objektivat e këtij samiti?

Michael Roth: Që të japim një sinjal të qartë që situata në Ballkan ka rëndësi të veçantë për Bashkimin Evropian. Ne deklarojmë mbështetjen për perspektivën në BE (të Ballkanit), në formulojmë shpresa, por edhe duam të ndihmojmë shumë konkretisht që të forcohet sundimi i ligjit, që të ketë para së gjithash perspektiva pozitive për brezin e ri, që të mund të kontribuojmë për bashkëpunimin rajonal dhe para së gjithash për pajtimin. Askush nuk lejohet ta lërë vetëm Ballkanin Perëndimor, pikërisht tani jo, ndaj në këtë kuadër kjo këtu në Londër është një konferencë e rëndësishme.

A do të ketë premtime të tjera financiare?

Ne kemi bërë shumë premtime financiare. Ajo që ka rëndësi tani është që projektet, për të cilat është rënë dakord edhe të përfundojnë me sukses. Këtu unë jam shumë i paduruar. Në anën e arritjeve ka disa gjëra pozitive që mund të përmenden, për shembull Zyra Rajonale e Rinisë të Ballkanit Perëndimor, e cila duhet të shërbejë para së gjithash për ta afruar brezin e ri. Këtu do të dëshiroja që të realizohen më tepër projekte. Është një fakt që të gëzon shumë, që ka pasur një sërë aplikimesh me projekte, të cilat ende nuk ka qenë e mundur që të miratohen, sepse mjetet financiare janë të kufizuara. Këtu të gjithë duhet të bëjmë më shumë.

Po e njëjta gjë duhet thënë për infrastrastrukturën. Ne patëm pak kohë më parë takimin e nivelit të lartë të digjitalizimit. Duhet të bëhet e qartë, që në fund edhe të mbërrijë diçka te njerëzit në Ballkanin Perëndimor, pikërisht vende pune e edhe ndjesia, se nuk i kanë lënë vetëm.

Në përgatitjen e takimit të krijohet përshtypja se pikërëndesa e këtij takimi të nivelit të lartë është tema e sigurisë. Po ta teproj pak: a mund të thuhet se deri tani u bë fjala për rininë, kjo është pikënisja gjermane, pastaj u bë fjalë për bashkimin doganor dhe për një pikënisje ekonomike, të cilin e përfaqëson Komisari dhe tani britanikët vunë temën e sigurisë në rend të parë. A është një vëzhgim i saktë ky? A është kjo një tendencë?

Ne natyrisht do të hedhim edhe njëherë vështrimin se çfarë u nis në procesin e Berlinit dhe ku duhet të këmbëngulim edhe një herë, çfarë nuk ka ndodhur ende dhe çfarë ka ndodhur. Pra gjithnjë ka një proces pasues, por është shumë e drejtë që ne theksojmë edhe rëndësinë në politikën e sigurisë të Ballkanit Perëndimor. Këtë me sa duket ende nuk e kanë të qartë të gjithë: sa më i qendrueshëm dhe më i sigurtë Ballkani Perëndimor, aq më mirë është për Bashkimin Evropian. Ai është fqinji ynë, ka një sërë shtetesh anëtare të BE, të cilët shtrihen në fqinjësi të drejtpërdrejtë me Ballkanin Perëndimor, pra ai nuk është një rajon që është shumë i largët. Dhe ekziston fusha e migrimit, ekziston fusha e luftimit të terrorizmit, ekziston para së gjithash fusha e përhapjes së armëve të kalibrit të vogël…

(A mund të ngul këmbë pak?) Për temën e sigurisë edhe për Evropën është shumë e qartë që ka rëndësi tema e luftimit të arsyeve të arratisë, e mënjanimit të arratisë, e migrimit. Si tematizohet kjo në këtë samit për Ballkanin, në bashkëpunim me shtetet e Ballkanit Perëndimor?

Ne nuk duhet t’i lëmë vetëm shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në vitet e shkuara disa shtete kanë arritur suksese të konsiderueshme si shtete tranzit, atje janë pranuar shumë refugjatë dhe këtë ne duhet ta vlerësojmë lart dhe çmojmë. Kemi nevojë për një strategji gjithëevropiane dhe prandaj një politikë migratore, e cila konceptohet pa Ballkanin Perëndimor, nuk mund të jetë një politikë e suksesshme dhe e qendrueshme.

A mund ta konkretizoni këtë në lidhje me të gjithë temën e pranimit të refugjatëve, të izolimit të kufijve? Si do të integrohet Ballkani Perëndimor në këtë drejtim për mendimin tuaj?

Natyrisht që ne kemi një kufi të jashtëm të BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por ne nuk duam të ndërtojmë një “kështjellë Evropë”. Prandaj është shumë, shumë e rëndësishme që të bashkëpunojmë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat edhe mbajnë një përgjegjësi, dhe që t’i ndihmojmë ato që të jenë në gjendje t’i përgjigjen si duhet kësaj përgjegjësie. Pra këtu bëhet edhe fjalë edhe për solidaritet.

Pyetja e fundit: Ne këtu jemi në Londër, Londra është kryeqytet i një vendi, i cili është larguar nga BE dhe njëkohësisht këtu bëhet fjalë për një perspektivë anëtarësimi në BE të gjashtë shteteve ballkanike. A nuk kemi këtu një kontradiktë në njëfarë mase? Si e shikoni këtë?

Mbretëria e Bashkuar ende është pjesë e Bashkimit Evropian. Po të dëgjonin mendimin tim personal, britanikët as nuk do të dilnin, por në fund ata duhet të vendosin vetë. Dhe për aq kohë sa të jetë anëtare e BE, Britania e Madhe duhet të veprojë në përputhje me përgjegjësinë e saj. Dhe gjendja në Ballkanin Perëndimor u intereson jo vetëm gjermanëve ose austriakëve, por duhet të na interesojë të gjithëve dhe të gjithë ne mbajmë përgjegjësi për demokracinë, për sigurinë dhe për stabilitetin, por edhe për mirëqënien e njerëzve të Ballkanit Perëndimor dhe në qoftë se britanikët duan të japin për këtë një kontribut konkret, ai është shumë i mirëpritur./DW


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono