mësuesit

greva-maqedoni-1280x722.jpg
nev ila18:31 | 02/09/2019

Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut ka nisur i pjesshëm për shkak të grevës që po zhvillohet në disa prej institucioneve arsimore të vendit.

Punonjësit e këtij sektori kërkojnë rritjen e pagave, me pretendimin se ato janë në nivelin më të ulët në rajon.

Zilja e parë ra për fillimin e vitit të ri shkollor, por jo në të gjitha shkollat.

Me dilema dhe pasiguri nxënësit iu drejtuan bankave shkollore, por vetëm disa u mirëpriten, ndërsa për disa dyert ishin të mbyllura.

Ministri për arsim dhe shkencë Arbër Ademi është i bindur se fillimi i vitit të ri shkollor është i suksesshëm dhe se ekziston zgjidhja për problemet e punëtorëve të arsimit.

Nuk është paralajmëruar takim për ditën e nesërme, thonë nga sindikata për arsim dhe shkencë, por presin që deri në fund të muajit të ketë zgjidhje, janë të kënaqur nga bashkëpunimi me ministrinë, por bisedimet e mëtejshme duhet të jenë në dobi të të gjithë punëtorëve të arsimit me qëllim që të ruhet dinjiteti i këtij profesioni.

“Po, pres telefonatë nëse jo takim. Po, kemi qenë në kontakt dje. Kemi marrëdhënie korrekte me ministrinë, kemi qëllime të përbashkëta me ministrinë në pjesën e statusit social të të punësuarve në arsim, por kjo është e pamjaftueshme, mungojnë rezultatet”, tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK.

Rreth presioneve mbi drejtorët dhe arsimtarët nga SASHK-u pohojnë se kanë qenë minimale, ndërsa greva është zhvilluar pa ndërprerje.

Shoqata sindikale pret që në afat sa më të shkurtër kohor të ketë zgjidhje, në qoftë se kjo nuk ndodh janë të gatshëm për grevë të përgjithshme dhe aktivitete të  tjera të garantuara me ligj.

Në pjesën e pagave të punëtorëve të arsimit në rajon nga SASHK-u theksojnë se Maqedonia vazhdon të ketë pagat më të ulëta në rajon./ABC News Albania 24/7

7e461a3e40017caf8eb7648d487a3dc0-rennes-il-court-le-marathon-du-mont-saint-michel-pour-soutenir-la-famille-kuti_3.jpg
ad min17:30 | 26/05/2019

Në Rennes të Francës një mësues mori pjesë në maratonën e mbajtur nga Cabcale drejt Mont-Saint-Michel, për të mbështetur familjen shqiptare Kuti.

Në maratonë morën pjesë 4.000 vrapues, ku në mesin e tyre vrapoi dhe mësuesi Raphwl Dubreux, raporton ouest-france.fr. 

Kjo ishte maratona e parë ku mori pjesë mësuesi dhe atletiku Raphwl Dubreux, i cili garoi në mbështetje të familjes shqiptare të kërcënuar me dëbim.

Ai  kishte të stampuar në bluzën e tij fjalën “azil”, ku tregon hapur se është në mbështetje të personave që kërkojnë azil në Francë.

Zyrtari i PS-së më detyroi të iki nga Shqipëria

“Ne po përpiqemi të kontribuojmë ne një  shoqëri që ka probleme me mikpritjen. Brenda shkollës, jetojmë vlerat e vëllazërisë. Ne nuk duam të jemi thjesht shikues të asaj që po ndodh”, tha ai.

Mësuesi ishte takuar gjatë javës së parë të garës me familje Kuti.

“Fola me Arianin dhe ajo që më ka prekur është dëshira e tij për të jetuar në Francë, për të pasur një jetë më të mirë. Ai flet shumë mirë frëngjisht, çiftit i ofrohet edhe punë … “, u shpreh ai.

Raphawl Dubreux vendosi të garonte për herë të pare në një maratonë, për t’i treguar çifti mbështeten e tij.

“Unë kam bërë vetëm gjysmë e maratonës për momentin, por 42 km nuk janë asgjë në krahasim me distancat që bëjnë emigrantët,” thotë ai.

Maratona ka nisur sot në orën 8:30 në Cancale, në ditën e ditëlindjes së Arianit./abcnews.al

gezim-tushi-1280x728.jpg
ad min21:09 | 19/04/2019

Sociologu Gëzim Tushi është shprehur se dy figurat që urrejnë më së shumti sot të rinjtë shqiptarë janë prindërit në shtëpi dhe mësuesit në shkollë. Këto deklarata ai i bëri në studion e emisionit “Provokacija”.

“Unë jam partizan i demokratizimit të institucioneve të sigurisë morale, sikur janë shkolla, familja etj. Por për fat të keq tek ne kanë marrë zhbalancime dhe në një farë mënyre është marrë ideja se duke goditur autoritarizmin do zhduket autoriteti. Unë nuk jam për këtë. Institucionet, si familja shkolla por edhe institucione të tjera mbeten institucione të disiplinës Muç. Kjo do të thotë se asnjë familje nuk mund të funksionojë nëse nuk ka njëlloj disipline të brendshme organike, jo patriarkale, jo vertikale, jo maskiliste por horizontale. Por ne e kemi të vështirë ta ndërtojmë këtë autoritetin e horizontalizmit, qofte në familje qofte edhe në shkollë. Kriza e shkollës ka bërë padrejtësi tek të rinjtë tanë se dy figurat që ata urrejnë më shumë janë prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë. Ata nuk i shikojnë dot fare sepse janë figura që kërkojnë disiplinë dhe njëlloj autoriteti funksionues”.

Më tej sociologu është shprehur se sot shoqëria shqiptare po godet ata individë të shquar, të cilët fillojnë dhe avancojnë.

“Në shoqërinë shqiptare sapo dalin individë të shquar në një fushë të caktuar goditen. Dhe njerëz mediokër anonin që nuk bëjnë asgjë që vetëm hanë bukë dhe bëjnë ndonjë thashetheme nuk i ndjek njeri. Sapo fillon të evidentohesh në shoqëri do të fillojnë të të gjejnë origjinën, orientimet seksuale, marrëdhëniet, divorcet, të dashurat. Po ç’është kjo gjë? Ç’do me thënë që ti të sulmosh me jetën private të tjetrit sapo ai bëhet i shquar. Duhet të mësohet kjo shoqëri dhe duhet ta ndajë jetën private të tjetrit dhe ti nuk ke të drejtë hiç të interferoheshs. Nëse nuk shkel rregullat e shoqërisë, t’i duhet të bësh mashalla për këta njerëz”.

Gjithashtu Tusha është shprehur se sot femra në politikën shqiptare duhet të jetë shumë e fortë.

“Më e turpshmja e shoqërisë shqiptare në rrjet sociale është goditja e femrave. Sidomos e femrave që merren me politikë. Dhe këto femrat në politikë duhet të kenë lëkurë Rinoceronti, për t’u marrë me politikë dhe as plumbi i kallashit të mos i shpojë dot. Se për ndryshe ata duhet të tërhiqen përballë një vale të shëmtuar të meshkujve, tipik ballkanik të cilët merren me fustanin, me mënyrën se si qeshin me kë rrinë etj”./abcnews.al

edi-rama-933x445.jpg
ent ela12:09 | 07/03/2019

Nuk kushton asnjë qindarkë vënia në provë e qeverisë u tha kryeministri Edi Rama qytetarëve në takimin javor me koordinatorët e bashkëqeverisjes. Mjaftojnë tre minuta sipas kryetarit të ekzekutivit që qeveria të jetë në krahun e atij që i adresohet platformës.

E ka modifikuar ftesën që bën çdo javë në platformën e bashkëqeverisjes.

“Të na vënë në provë, nuk iu kushton asnjë qindarkë, por vetëm 3 minuta dhe menjëherë qeveria është në krahun e atij  që i adresohet  platformës”.

Arsyeja e zgjedhjes së platformës prej qytetarëve vjen nga mangësitë e administratës- tha kryeministri Edi Rama i cili u drejtoi edhe një paralajmërim.

“Ka ende zona gri dhe të errëta në administratë, ndërsa do të ketë një masë ndëshkimore për ata që fshihen pas njëri tjetrit dhe nuk shërbejnë si duhet dhe nuk e përfaqësojnë ambicien tonë për administratën”.

Në ditën e 7 marsit, kryeministri Rama jo vetëm i uroi mësuesit por u bëri edhe bilancin e gjithkaje ju ka ofruar qeveria.

 “Sot kemi konsoliduar procesin e rekrutimit të mësuesve sipas meritokracisë. Sot ka përfunduar koha që mësuesit transferoheshin pa të drejtë sa andej, këndej. Ne sot kemi 4 mijë mësues të rinj të rekrutuar në bazë të meritës, të rekrutuar nga pikët e marra në portal. Është një ndryshim i madh i sistemit  të mësuesisë në Shqipëri”.

Pagat e mësuesve janë rritur me 22 për qind tha kryeministri Rama duke përmendur edhe celjen e një mundësie të re për studentët për mësuesi të cilët trajtohen me bursë. /abcnews.al

thumbnail_53742550_10157176425021926_8457486373346082816_o-1280x853.jpg
ent ela10:20 | 07/03/2019

Në këtë ditë të veçantë, mësuesit e shkollave të Tiranës kanë marrë edhe një letër falenderimi dhe frymëzuese nga kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes së cilës ai u uron 7 Marsin. Në mesazhin drejtuar mësuesve, Veliaj vlerëson maksimalisht punën dhe përkushtimin e tyre në rritjen dhe edukimin e brezit të ri.

 Veliaj nënvizon se në këto katër vite është duke u ndërtuar Tirana që plotëson nevojat e gjeneratës tjetër me çerdhe dhe kopshte, Tiranën me kënde lodrash dhe biblioteka në çdo lagje Tiranën me 17 shkollave të reja, pa mësim me dy turne dhe klasa kolektive. “Kam krijuar një koalicion të jashtëzakonshëm me fëmijët, jo sepse i shoh si taksapagues ose votues, sepse nuk janë, por sepse janë agjentë të patrembur dhe idealistë të ndryshimit. Jemi duke ndërtuar Tiranën që plotëson nevojat e brezave të ardhshëm”, thekson ai.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës siguron se puna nuk do të ndalet me kaq, por do të vijojë për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet në të cilat ata japin mësim.

 Letra e plotë:

 Të dashur mësues,

 Më jep shumë kënaqësi t’ju uroj 7 Marsin e 132-të që prej themelimit të Mësonjtores së Parë Shqipe. Unë jam gjithnjë i përulur ndaj punës dhe përkushtimit tuaj dhe do të doja t’ju falenderoja sot me gjithë zemër.

 Në këto katër vite si Kryetar i Bashkisë, bashkë jemi takuar në inspektime punimesh, hapjen e klasave apo dhe shkollave të reja, dhe bashkë me ndërtesat kam parë se si janë rritur e kultivuar nxënësit e këtij qyteti. Një brez i ri dhe optimist po rritet edhe falë punës suaj dhe kjo më bën shumë krenar.

 Të gjithë ruajmë me nostalgji mësimet dhe këshillat që na keni dhënë, këto kujtime do t’i ruajmë gjatë gjithë jetës tonë. Çfarë është Tirana përveç se vetë qytetarët dhe kujtimet tona. Por më shumë, Tirana e së ardhmes u përket fëmijëve që kanë lindur dhe e gjeneratave të reja që do të lindin. Ata do ta gëzojnë Tiranën e së ardhmes. Por, duhet që ne sot ta planifikojmë Tiranën për ta.

 Prandaj, kam krijuar një koalicion të jashtëzakonshëm me fëmijët, jo sepse i shoh si taksapagues ose votues, sepse nuk janë, por sepse janë agjentë të patrembur dhe idealistë të ndryshimit. Jemi duke ndërtuar Tiranën që plotëson nevojat e brezave të ardhshëm me çerdhe dhe kopshte që zhvillojnë dhe ushqejnë mirë fëmijët; Tiranën me kënde lodrash dhe biblioteka në çdo lagje; Tiranën e 17 shkollave të reja si shkolla ‘Kosova’ apo ‘Adrian Klosi’; Tiranën me shkolla ekzistuese të rikonstruktuara si “Çajupi” apo “Qemali” Tiranën pa mësim me dy turne dhe klasa kolektive; Tiranën me shkolla si qendra komunitare, ku fëmijët mund të luajnë të sigurt larg rrugës; Tiranën e ‘Pyllit Orbital’ i përbërë nga dy milion pemë, shumica të dhuruara nga qytetarët.

 E ndërkohë që këtu në Bashki vijojmë punën për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet në të cilat ju jepni dije, duke hapur parqe e duke mbjellë pemë, pesho më e madhe qëndron me ju. Patrioti rilindas Sami Frashëri ka thënë: “Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë.” Ndërtesat e rrugët ndërtohen, prishen e sërish ndërtohen, por kultivimi i mendjeve të njoma dhe përgatitja e tyre për t’u bërë mendje të pjekura nuk është punë që ribëhet kollaj. Jam besimplotë se me shumë dashuri për punën dhe fëmijët e këtij qyteti do të arrijmë vizionin e përbashkët për një Tiranë mendjendritur.

 Me mirënjohje, gëzuar!

 Erion Veliaj

RAMA-PROJEKT-BUXHETI-ARSIMI.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ad min20:21 | 21/11/2018

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi rritjen e rrogave deri në 7 përqind për të gjithë mësuesit e sistemit parauniversitar për vititn 2019. Gjatë prezantimit të projekt-buxhetit për arsimin për vitin e ardhshëm Rama nënvizoi shtimin e mësuesve ndihmës, rritjen e buxhetit për transport falas dhe libra falas edhe për klasën e pestë.

Gjatë prezantimit të projekt buxhetit të arsimit për vitin 2019, kryeministri Edi Rama, lajmëroi rritjen e pagës për të gjithë mësuesit e sistemit parauniversitar.

“Nga kjo rritje do të përfitojnë pa përjashtim, 100% e të gjithë punonjësve në Arsimin Parauniversitar. Rritja e pagës do t’i kushtojë buxhetit të shtetit mbi 10 milionë dollarë, në tërësi, një rritje 7%.”

Për vitin e ardhshëm qeveria ka në plan të çojë në 940 numrin e mësuesve ndihmës, të cilët asistojnë fëmijët me nevoja të veçanta.

“Ambicia jonë është që brenda këtij mandati, ne të kemi një mësues ndihmës për çdo fëmijë me nevoja të veçanta.”

Kryeministri theksoi dhjetëfishimin e oficerëve të sigurisë në shkollat e vendit dhe rritje të buxhetit në dispozicion të transportit.

“Me buxhetin e vitit 2019 iu garantojmë 35 mijë nxënësve dhe 12 mijë mësuesve transportin.”

Sipas kreut të qeverisë, mbyllja e klasave kolektive në shkollat e vendit do të vijojë edhe gjatë vitit 2019.

“Ne po mbyllim klasa përqendrimi, që janë si kampe përqendrimi për fëmijët e vegjël, që aty nuk mësojnë, por bëhet sikur mësojnë.”

Projekt-buxheti i vitit të ardhshm parashikonte vijimin e shpërndarjes së librave falas jo më vetëm për katër vitet e para, por edhe për klasën e pestë.

“Deri në fund të mandatit do të kemi libra falas për të gjithë fëmijët, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.”

Në fjalën e tij Rama konsideroi si të rëndësishme hapjen e shkollës së drejtorëve dhe punësimin e mësuesve përmes platformës, bazuar në meritë dhe duke shmangur çdo ndikim partiak apo tjetërlloj./abcnews.al

OK-ELBASAN-NXENESIT-RRUGA-MBULIM_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.19-1-1280x1043.jpg
ad min09:20 | 18/10/2018

Nxënësit e shkollës së Funarit bllokojnë furgonin e mësuesve në mes të rrugës. Janë nxënësit e shkollës 9-vjeçare të cilët nuk kanë lejuar mësuesit që të shkojnë në shkollë. Shkak për këtë është mungesa e transportit të tyre. Në shkollën e Funarit zhvillojnë mësim disa fshatra mes tyre edhe Mollagjeçi që ndodhet larg. Nxënësit duhet të përshkojnë disa kilometra për të shkuar aty. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të prindërve dhe nxënësve çështja nuk është zgjidhur. Ndaj për këtë arsye ata protestuan dhe do të vazhdojnë të bllokojnë rrugën derisa atyre tu sigurohet transporti./abcnews.al

 

 

Ruci2-1280x992.jpg
ent ela16:57 | 17/09/2018

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi uroi fillimin e vitit të ri shkollor nga gjimnazi “Janaq Kilica” në Fier.  Arsimi dhe shkolla tha kryeparlametari kontribuojnë për të ndërtuar një shoqëri që qëndron e bashkuar dhe harmonike, përballë rrezikut të përjashtimit dhe copëtimit social. Në qarkun  e Fierit nisin vitin e ri shkollor 44 mijë nxënës dhe 4 mijë mësues në 173 shkolla.

Fjala e plotë  e Kryetarit të  Kuvendit z.  Gramoz Ruçi, në gjimnazin “Janaq Kilica”, në Fier:

“Fieri është një potencial i madh rinie, energjie dhe shkollimi: rreth 15% e popullsisë së qarkut janë nxënës shkolle.

Në provimet e maturës shtetërore të këtij viti, nga 1778 maturantë të qarkut Fier, u morën  551 nota dhjeta në të katër provimet.

Qarku është një motor i zhvillimit të vendit, qarku i dytë, pas Tiranës, për nga kontributi me rreth 12% në ekonominë e Shqipërisë.

Sot ekonomitë konkurrojnë jo me forcë të lirë pune, por me dije, shprehi, aftësi dhe produktivitet.

Shqipëria po rritet edhe në saj të ekonomisë së dijes, e cila nuk zhvillohet vetëm në Tiranë, por edhe këtu në Fier dhe në qytetet e tjera të mëdha të vendit.

Ky mandat të jetë mandati i investimeve më të mëdha në arsim, i shtimit të  kapaciteteve të mjediseve mësimore, i eliminimit të mësimit me turne, i mundësimit të sistemit të ngrohjes për shumicën e shkollave, i kompletimit të bibliotekave, sallave të teknologjisë së informacionit, laboratorëve e kabineteve, të bazave prodhuese dhe terreneve sportive.

Prandaj le të punojmë të gjithë që ta bëjmë Fierin, të gjithë Myzeqenë e Mallakastrën jo vetëm një hambar prodhimesh, por edhe një rezervuar të madh dijesh.

Arsimi dhe shkolla kontribuojnë për të ndërtuar një shoqëri që qëndron e bashkuar dhe harmonike, përballë rrezikut të përjashtimit dhe copëtimit social.

Për të ndërtuar një vend e shoqëri, strehë të përbashkët e të sigurt, që përmirësohet vazhdimisht nga kontributi i të gjithëve dhe ku të gjithë respektojmë e duam njëri-tjetrin”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi. /abcnews.al

 

 

REAGON-MINISTRIA-MBULIM.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ad min15:50 | 17/09/2018

Pas pezullimit të 16 mësuesve në shkollën e fshatit Çermë e Sipërmë të Lushnjes ka reaguar Ministria e Arsimit. Në një njoftim për shtyp ajo sqaron se kallëzimi për regjistrimet fiktive është bërë gjatë viteve 2010-2013. Ndërkohë Ministria e Arsimit deklaron se mbështet vijimin e hetimit nga organet ligj-zbatuese dhe siguron nxënësit se nuk do të këtë asnjë pengesë për vijimin normal të mësimit. Njëkohësisht ministria i bën thirrje prindërve, mësuesve dhe nxënësve të denoncojnë çdo shkelje dhe parregullsi që konstatojnë në sistemin arsimor./abcnews.al

PEZULLOHEN-MESUESIT.mpg_snapshot_00.26-1280x720.jpg
ad min11:53 | 17/09/2018

Gjykata e Lushnjes ka pezulluar nga puna 16 mësues të shkollës së Çermës. Ata akuzohen për regjistrim fiktiv të nxënësve për të ruajtur vendin e punës.

Lushnja e nisi këtë vit mësimor me pezullimin nga puna të 16 mësuesve të shkollës së Çermës. Sipas vendimit nr.119 të gjykatës së rrethit të dt.13 shtator 2018, atyre u është komunikuar pezullimi nga detyra për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Sipas prokurorisë, në vitin 2013 e në vazhdim këta mësues në shkollën 9-vjeçare, Çerme e Sipërme kanë regjistruar nxënës fiktivë për të ruajtur vendin e punës. Të premten mesuesve u është thëne nga Drejtoria e Zyres Arsimore se u është ndërprerë vazhdimi i punës në shkollë dhe se janë zëvendësuar nga mësues të tjerë.

Çështja vazhdon të jetë në hetim nga prokuroria pasi që nga viti 2013 e deri në 2017 këta mësues kishin regjistruar rreth 120 nxënës fiktivë, për të mbajtur vendin e punës. Aktualisht 1336 mësues numërohen të jenë në punë nga zyra arsimore, ndërkohë që një vit më parë numri i mësuesve ishte 1720. Njëkohësisht kanë mbetur pa punë edhe mësuesit e klasave kolektike, 31 prej të cilave u mbyllën.
Ata janë paraqitur, por shkollat nuk kane nxënës dhe për këta mësues nuk janë nënshkruar kontratat e punës për vitin 2018-2019./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono