mergim mavraj

Mavraj.jpg
Igli Nikolli16:31 | 29/09/2019

E diele negative për Mërgim Mavrajn dhe dyshen e Kosovës: Paqarada e Halimi. Mbrojtësi i kombëtares u aktivizua si titullar për Greuther Furth, që u mposht në shtëpi 0-3 përballë Holstein Kiel.

Ndeshje për t’u harruar për Mavrajn dhe shokët e tij, të cilët humbën një shans për t’u afruar me kreun e Bundesliga 2. Disfatë kanë pësuar edhe dyshja dardane e Sandhausen, që humbi 2-0 në transfertë kundër St Pauli.

Leart Paqarada u aktivizua si titullar dhe u ndëshkua me karton të verdhë në pjesën e parë, ndërsa Besar Halimi zëvendësoi Turpitz në minutën e 72-të. Sandhausen u largua me zero pikë nga kjo ndeshje dhe renditet në vend të shtatë me 11 pikë.

Zero pikë mori edhe Valdet Rama në Bundesliga 3. Meppen u befasua 1-2 nga Uerdingen në shtëpi. Ish-sulmuesi i Kukësit u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes, por nuk ia doli të evitonte humbjen e ekipit të tij. /abcnews.al

mavraj.jpg
Vladimir Prenga15:07 | 21/09/2019

Odise Roshi dhe Mërgim Mavraj ishin titullarë me skuadrat e tyre ditën e sotme. Mesfushori fierak mund të kishte festuar, por në fund skuadra e tij pësoi gol dhe ikën dy pikë nga duart. Akhmat Grozny barazoi 1-1 me Krylya Sovetov.

Roshi u aktivizua deri në minutën e 85-të, ndërkohë që u ndëshkua edhe me karton të verdhë në pjesën e parë. Në fushë me të ishte edhe Bernard Berisha, i cili gjithashtu e nisi si titullar. Mesfushori nga Peja luajti 72 minuta.

MAVRAJ – Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare nuk e ndihmoi dot Greuther Further të merrte të paktën një pikë në transfertë kundër Stuttgart. Skuadra e tij pësoi dy gola dhe Mavraj nuk mund të bënte gjë për t’i evidentuar dy golat e pësuar.

Mërgim-Mavraj.jpg
ad min13:20 | 26/06/2019

Kapiteni i kombëtares shqiptare Mergim Mavraj është transferuar te skuadra gjermane e Grojte Furth. Për futbollistin shqiptar ky është një rikthim tek kjo skuadër ku ka luajtur për tre sezone.

Kapiteni i kombëtares shqiptare, Mergim Mavraj ka përfunduar zyrtarisht aventurën me Ingolshtad që zbriti në kategorinë e tretë në Gjermani. Duke filluar nga sezoni i ardhshëm, mbrojtësi do të luajë sërish në ligën e dytë gjermane por me skuadrën e Grojte Furth. Mergim Mavraj ka firmosur për dy sezone me skuadrën gjermane. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi në një postim në faqen zyrtare në Twitter.

Nuk bëhen të ditura kushtet financiare ndërkohe që për Mavraj është një rikthim pasi është aktivizuar për tre sezone me Grojte Furth nga viti 2011 deri në vitin 2014. 33-vjeçari ishte titullar i padiskutueshëm me bardh jeshilet ku spikati edhe si lojtar në futbollin gjerman e me pas kaloi tek skuadra e Keln për të vazhduar më pas tek Hamburg.

Pas largimit nga Hamburg, futbollisti shqiptar e humbi disi shkëlqimin dhe kjo u reflektua edhe ne radhët e kuqezinjve. Gjithsesi në aventurën e re Mergim Mavraj pritet të jetë një titullar i padiskutueshëm dhe të rikthehet në nivelet më të larta./ABC News Albania 24/7

berisha.jpg
ad min15:57 | 05/06/2019

Kombëtarja ndihet e sigurt në mbrojtje dhe mund të fitojë në Islandë për Europianin. Portieri Etrit Berisha dhe mesfushori Ergys Kaçe kanë besim, ndërsa flasin për atmosferën në ekip.

Numërimi mbrapsht ka filluar, madje është drejt fundit. Të shtunën, kombëtarja luan në Islandë për eliminatoret e Europianit, dhe interesimi i tifozëve është të dinë sesa e përgatitur është ajo për t’ia dalë, sidomos duke pasur parasysh mungesat në mbrojtje. Etrit Berisha, portieri titullar dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm, flet për kundërshtarin dhe për ekipin tonë.

Kundërshtar direkt për t’u kualifikuar. Kemi kualitetin e duhur për të marrë një rezultat pozitiv. Në mbrojtje kemi shumë lojtarë të cilët mund ta kryejnë këtë repart mjaft mirë”, tha Berisha.

Një nga temat kryesore të këtyre ditëve mbetet ajo e ndikimit të trajnerit të ri, Edi Reja.

“Atmosfera është e mirë duke pasur parasysh që kemi një trajner që ka eksperiencë të madhe. Është munduar që ekipi të ketë më shumë entuziazëm. Tani çdo gjë varet nga rezultati. Deri tani jemi të kënaqur me mënyrën si kalojmë në stërvitje dhe jashtë saj”, tha Berisha.

Ergys Kaçe është një i rikthyer në kombëtare, një lojtar nga ata që kanë ardhur dhe kanë ikur. Gjithsesi, ai ndihet i sigurt dhe i barabartë me të gjithë.

“Islanda është një skuadër shumë e fortë. Edhe ne si skuadër jemi e fortë dhe besoj se mund të fitojmë. Nuk e di akoma a do luaj, a do jem titullar, por besoj po më futi trajneri unë do jap 100% të ndihmoj skuadrën të marrim tre pikët”, tha Kaçe.

Edhe Kaçe flet për atmosferën në skuadër.

“Sa herë vjen një trajner i ri në skuadër, të gjithë lojtarët japin maksimumin. Besoj se kemi bërë stërvitje shumë të mirë. Jemi gati për ndeshjen”, tha ai.

Mesfushori ka një moment kulmor në kombëtare, kur shënoi golin e fitores ndaj Francës disa vjet më parë në “Elbasan Arena”. Padyshim, ai shpreson që ekipi përfaqësues të kthehet edhe një herë në ato nivele./ABC News Albania 24/7

MAVRAJ-NE-PRAG-TE-LARGIMIT-1280x668.jpg
ent ela15:24 | 24/12/2018

Mërgim Mavraj pritet të ketë një tjetër fazë të vështirë në karrierën e tij. Kapiteni i Kombëtares shqiptare, besohet se do të largohet nga Arisi i Selanikut në janar të vitit të ardhshëm.

Sakrifica ishte e madhe që arriti deri aty. Mërgim Mavraj në Superligën e Greqisë ishte një shpëtim i karrierës, me mbrojtësin që u largua nga Gjermania, por me të ardhmen që nuk është aspak e sigurt.

Kapiteni i Kombëtares Shqiptare, me shumë gjasë, do të jetë sërish në vështirësi të mëdha, pasi lajmet janë që ai mund të largohet nga Arisi i Selanikut.

Klubi grek është në krizë të thellë pas rezultateve të dobëta radhazi, dhe ndodhet në vendin e 7-të në kampionat, gati 20 pikë prapa rivalit të madh brenda qytetit, PAOK-ut të Selanikut.

Duket se ishte eleminimi nga Kupa e Greqisë, pas humbjes me Ergotelisin, që e bëri klubin selanikas që të merrte këtë vendim.

Lajmet janë që 8 futbollistë nuk do të jenë më pjesë e skuadrës, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm, mes të cilëve 5 grekë dhe 3 të huaj.

Burime në klub si dhe mediat bëjnë me dijë që me këta futbollistë kanë nisur bisedimet për zgjidhje me konsensus të kontratës, dhe mes tyre është edhe Mavraj.

Nuk besohet që rrezikon lojtari tjetër shqiptar i Arisit, mesfushori I kombëtares Migjen Basha.

Mavraj është 33 vjeç dhe duket se nuk do të jetë e lehtë që ta vazhdojë karrierën me klubin, por edhe me kombëtaren. /abcnews.al

Mërgim-Mavraj.jpg
ad min16:48 | 25/11/2018

Mërgim Mavraj mund të kishte luajtur me Kosovën. Kështu deklaron ish-trajneri i kombëtares kosovare, Albert Bunjaki, i cili thotë se mbrojtësi u pengua tri herë nga klubet gjermane.

Me Shqipërinë arriti kulmet, por mund të kishte ndodhur edhe ndryshe. Mërgim Mavraj mund të mos kishte luajtur me fanelën kuqezi, por me atë të Kosovës, dhe ai që e thotë është ish-trajneri kosovar, Albert Bunjaki. Në një intervistë për televizionin “T7”, Bunjaki zbulon se Mavraj pranoi tri herë të luante për Kosovën, në vitet 2007-2010, por u pengua nga klubi i Bohumit, me të cilin luante në atë kohë.

“Shumë gjëra nuk janë thënë, – u shpreh ai, – mund t’iu them se Mërgim Mavraj pranoi tri herë t’i bashkohej Kosovës, por nuk u lejua në të tre rastet që të vijë, nga ana e Bohumit”.

Bunjaki shpresoi ta kishte Mavraj gjithashtu në 2014, në ndeshjen ndaj Senegalit, madje pohoi se do ta kishte, por kjo nuk ndodhi. Vetë futbollisti pohon se në atë kohë Federata Shqiptare i kërkoi që të merrte pasaportën kuqezi, diçka që ai e pranoi, ndërsa shton se koha i dha të drejtë. Mbrojtësi i qendrës, sot 32-vjeçar, pati ëndërr që të luante për Gjermaninë, madje u aktivizua në kombëtaren gjermane U21.

Konkurrenca doli e fortë dhe ai e kuptoi se do të ishte e vështirë, pavarësisht se iu dha një premtim për ta veshur fanelën e madhe pas Botërorit 2010. Ishte Oto Bariç që e vëzhgoi i pari në vitet 2006-2007, në rolin e trajnerit të Shqipërisë, por u desh të kalonin 5 vjet derisa Mavraj të bindej përfundimisht.

Pasi refuzoi ekipin Shpresa, Mërgimi debutoi për kombëtaren në Maj 2012, në miqësoret ndaj Katarit dhe Iranit. Ndeshjen e parë zyrtare e luajti në 2 Shtator 2012, ndaj Qipros, në eleminatoret e Botërorit, ndërsa më pas sukseset ishin të mëdha.

Mavraj u bë një nga lojtarët kryesorë të Shqipërisë që u kualifikua për në Euro 2016, duke shënuar gola të rëndësishëm e duke qenë vendimtar në mbrojtje. Ai shënoi në miqësoren e luksit në Francë, në barazimin 1-1, dhe po ashtu në suksesin përcaktues për në Europian, ndaj Armenisë në “Elbasan Arena”./abcnews.al

DEKLARATAT-PAS-NDESHJES.mpg_snapshot_00.27-1280x720.jpg
ent ela16:46 | 18/11/2018

Dëshpërim dhe dorëzim thuajse i plotë i trajnerit Panuçi dhe lojtarëve të kombëtares pas ndeshjes me Skocinë. Italiani, sidoqoftë, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Ky brez nuk ishte ndjerë ndonjëherë kështu.

Futbollistët e kombëtares e padyshim edhe Kristian Panuçi, ishin të dërrmuar në përfundim të ndeshjes së humbur 0-4 me Skocinë. Më shumë sesa vendi i fundit në grupin e Ligës së Kombeve dhe rënia nga kategoria, tronditja ishte nga dorëzimi i plotë i ekipit në fushë. Panuçi nuk e fshehu aspak, thjesht bëri një kronologji.

Kristian Panuçi, trajner i Kombëtares: “Ndeshja nuk ka filluar mirë, kundërshtari shënoi gol që në goditjen e parë, pastaj pësuam një karton të kuq dhe një gol në minutën e fundit të pjesës së parë, i cili demoralizoi skuadrën. Të gjithë kritikat duhet të jenë mbi mua jo tek lojtarët. Nuk ndihem aspak i tradhëtuar, lojtarët kanë ndjekur të gjitha skemat dhe udhëzimet e mia, por përgjegjësitë bien mbi mua.”

Mos është normale të jepet dorëheqje pas një katastrofe të tillë?

“Nuk mendoj se është koha që të jap dorëheqjen. Nëse presidenti Duka kërkon diçka të tillë do të ulemi dhe do të bisedojmë. Kjo është ndeshja më e keqe që kur së unë drejtoj Shqipërinë. Ndeshja e radhës do të ndryshojë. I gjithë faji është i imi.”

Kapiteni Mavraj e pati shumë të vështirë që të fliste, thuajse refuzoi.

Mergim Mavraj, kapiten i Kombëtares: “Kur ndodh një humbje mund të ndodhin shumë gjëra. Kështu që mund të bëhet analiza me një situatë përfundimtare. Ishin shumë situata që u shumuan dhe u bënë bashkë dhe u vendos ndeshja kështu. Aktualisht po i përjetojmë disa momente shumë të vështira, por duhet ti përgjigjemi edhe kësaj situatë, ashut siç kemi qenë bashkë edhe në momentet e mira e të suksesshme, ashtu duhet me qenë dhe në momentet e vështira bashkë, e të afrojmë njëri-tjetrin.”

E rëndë ishte humbja për një shkodran në Shkodër, si Bekim Balaj.

Bekim Balaj, futbollist i Kombëtares: “Një humbje që le shije të keqe tek të gjithë ne. Që nga fillimi s’e nisëm mirë. Ndoshta me një gabim tonin arritën të shënonin dhe dalja me të kuqe na i vështirësoi gjërat. Por 4-0 mund të them që janë shumë për ne. Sigurisht që rrethanat ishin negative në këtë ndeshje, por është e papranueshme për ne që të dorëzohemi.”

As portieri Etrit Berisha nuk u duk në formën e zakonshme.

Etrit Berisha, futbollist i Kombëtares: “Na kanë penalizuar shumë gjerat që kemi bërë gabime në lojë. Kemi bërë shumë gabime edhe më herët dhe kjo na ka penalizuar shumë. Pastaj edhe motivimi apo qetësia e ekipit nuk ishte në  nivelin e duhur.”/abcnews.al

 

shqiperia.jpg
ad min22:46 | 16/11/2018

Në prag të ndeshjes me Skocinë, dolën para mediave trajneri i kombëtares Christian Panucci dhe kapiteni Mërgim Mavraj. Në fjalën e tij trajneri italian nuk i diskutoi tre pikët. Në krahun tjetër, Mavraj tha se gabimet në të kaluarën nuk duhet të përsëriten më.

Kombëtarja shqiptare do të luajë këtë të shtunë ndeshjen ndaj Skocisë e vlefshme për Nations League. Në prag të këtij takimi, trajneri Christian Panucci tha se Shqipëria ka mundësi të shkëlqyera të koleksionojë fitoren.

“Nesër do të mundohemi për të shënuar gol. Në Izrael kemi pasur raste pavarësisht se nuk finalizuam në gol. Shpresojmë për rezultat pozitiv. Gjithmonë kur kam qenë këtu i kam inkurajuar lojtarët e mi. Duhet të ruajmë ekuilibrat dhe do të synohet fitorja. Grezda është stërvitur gjithë javën dhe dje ka kërkuar me luajtur prapë, por unë e kam refuzuar. Ndoj ka prapë disa probleme. Do të rikthehet Shqipëria e fortë. Ju i referoheni gjithmonë ndeshjes me Kosovën dhe Ukrainën. Sigurisht që rezultatet kanë rëndësinë e tyre. Nuk është e vërtetë që skuadra është dorëzuar. Dua të theksoj se performanca më e mirë ka qenë me Izraelin”.

Në lidhje me problemet e skuadrës, Panucci ritheksoi se skuadra duhet të komunikojë më tepër.

“Është e vërtetë që skuadra nuk komunikon shumë në fushë. Këtë e dimë të gjithë. Nëse lojtarët arrijnë ta kalojnë këtë lidhjen e komunikimit do të jetë diçka shumë e mirë. Duhet të shohim nesër sesi do të sillen në fushën e lojës, kjo ka për të ndihmuar shumë në lidhje me rezultatin”.  

Në konferencë doli edhe kapiteni i kombëtares, Mërgim Mavraj, i cili tha se të gjithë lojtarët kanë përgjegjësi në rezultatet negative./abcnews.al

MAVRAJ-SULMON-TRAJNERIN-1280x720.jpg
ent ela14:11 | 14/09/2018

Mërgim Mavraj ka sulmuar ish-trajnerin e tij tek Hamburgu, duke e fajësuar për problemet që po kalon në karrierë. Mbrojtësi I kombëtares lëshoi akuza të rënda për teknikun gjerman.

Së fundi nuk ka mundur të jetë vetvetja.

Mërgim Mavraj prej disa muajsh nuk po mundet të japë më të mirën as në nivel kombëtareje, dhe as në nivel klubi, dhe fajtor për këtë bën vetëm një njeri.

Ky njeri është ish-trajneri i tij tek Hamburgu, Kristian Tic.

Shqiptari I Kosovës e ka sulmuar ashpër ish-teknikun, në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”.

“Në aspektin njerëzor ai është një katastrofë”, – ishin fjalët e 32-vjeçarit.

Tic e përjashtoi Mavrajn nga ekipi i parë i Hamburgut gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, duke e zbritur në skuadrën U21, e duke e quajtur të panevojshëm.

Deri në atë kohë, qendërmbrojtësi kishte qenë zv. kapiten i ekipit dhe lojtar formacioni nën ish-trajnerin Gisdol.

Ky përjashtim ndikoi në formën e lojtarit, i cili ishte vlerësuar larg në Gjermani, në çdo ekip ku kishte luajtur, si Bohumi, Grojter Fyrti, Këlni apo Hamburgu.

Po ashtu, kishte qenë një nga më të mirët për kombëtaren shqiptare, duke u kualifikuar për në Euro 2016.

Tashmë, Hamburgu është në kategorinë e dytë në Gjermani, për herë të parë në histori, ndërsa Mavraj pritet t’i bashkohet Migjen Bashës, tek Arisi I Selanikut në Superligën e Greqisë. /abcnews.al

 

 

mergim-mavraj.jpg
ad min17:48 | 05/09/2018

Futbollisti i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, do të luajë në Greqi në 2 vitet e ardhshme.

Qendërmbrojtësi i kombëtares kuqezi ka nënshkruar një kontratë dy-vjeçare me skuadrën e Arisit në Selanik.

Lajmi për arritjen e marrëveshjes u konfirmua për mediat greke nga presidenti i Arisit të Selanikut, Theodor Karipidis. Në profilin e tij zyrtar ai ka publikuar edhe një foto të Mavrajt me fanellën e klubit grek.

Ende nuk është bërë publike shuma për të cilën, Mavraj kaloi në klubin grek.

Klubi kërkonte që ta merrte futbollistin e kombëtares shqiptare për 250 mijë euro në sezon, ndërsa Mavraj ka “këmbëngulur” për 350 mijë euro.

Aktualisht Mërgim Mavraj është grumbulluar me kombëtaren shqiptare në stervitje për takimet e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit dhe Skocisë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono