media

Donald-Trump-e1526640469549.jpg
ad min22:35 | 16/06/2019

Presidenti amerikan Donald Trump u është rikthyer sulmeve ndaj mediave që kundërshtojnë politikat e tij. Në shënjestër të kreut të shefit të Shtëpisë së Bardhë kanë qenë “New York Times” dhe “Washington Post”, të cilat ai i ka konsideruar turp për vendin.

“Në fund “New York Times” dhe “Washington Post”, që janë turp për vendin tonë dhe armike të njerëzve, do të falimentojnë dhe do të zhduken përgjithmonë”, ka thënë Trump.

Deklaratën presidenti amerikan e ka bërë në profilin e tij në Twitter, ku ka sugjeruar edhe zhvillimin e një sondazhi se cila nga dy të përditshmet është më mashtruesja.

Dy gazetat janë prej kohësh në shënjestër të kreut të shtetit, sidomos “New York Times” që mes të tjerash ka shkruar se pasuria e Donald Trump rrjedh nga i ati, duke zhbërë kështu mitin e presidentit si një njeri që ka arritur gjithçka me forcat e tij./ABC News Albania 24/7

bastisje.jpg
ad min09:57 | 06/06/2019

Policia bastisi të mërkurën zyrat e Korporatës Australiane të Transmetimeve (ABC) lidhur me dyshime për publikim të materialeve sekrete. Policia federale australiane tha se bazuar në një urdhër gjykate u krye një kontroll në selinë qendrore të transmetuesit në Sidney si dhe u zhvillua një takim me ekipin ligjor të tij.

Sipas rrjetit televiziv, kontrolli policor lidhej me një seri informacionesh të publikuara në vitin 2017 nga një gazetar investigativ i ABC-së, ku zbuloheshin deklarata për sjellje të paligjshme të forcave speciale australiane në Afganistan.

Drejtori editorial i ABC-së Craig McMurtrie e quajti kontrollin një “veprim serioz e shumë të padëshiruar”.

“Ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të kufizuar fushëveprimin e këtij kontrolli si dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për të qëndruar pranë gazetarëve tanë”, tha ai, duke shtuar se “është në interesin e publikut që disa të vërteta të rënda të thuhen”.

Bastisja në zyrat e transmetuesit televiziv ABC ndodhi një ditë pasi policia bastisi shtëpinë e një redaktori që punon për kompaninë mediatike australiane “News Corp” lidhur me publikimin e një përpjekje të qeverisë për të fituar kompetenca për të përgjuar komunikimet e brendshme të shtetasve australianë./VOA

mediat-e-huaja.jpg
ad min12:21 | 12/05/2019

Media të shumta ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje protestës së mbajtur të shtunën në Tiranë. BBC, “Reuters”, Washington Post dhe agjenci të tjera lajmesh kanë folur për aktet e dhunës të regjistruara gjatë manifestimeve në kryeqytet.

Mediat e huaja më prestigjioze kanë raportuar gjerësisht mbi protestën e së shtunës të opozitës në Tiranë, duke e vënë theksin tek aktet e dhunës të verifikuara gjatë kësaj.

BBC e ka hapur lajmin me titullin “Bomba me benzinë ndaj zyrës së kryeministrit” dhe më pas ka sqaruar motivet e protestës, duke iu referuar akuzave të cilat opozita ia atribuon kryeministrit Rama për korrupsion dhe vjedhje votash.

“Lideri i opozitës Lulzim Basha i bëri thirrje turmës që të vijojë protestat derisa Rama të japë dorëheqjen”, ka shkruar BBC.

Edhe agjencia e lajmeve “Reuters” në raportimin e saj është fokusuar tek dhuna.

“Disa protestues, përfshirë një grup njerëzish me fytyra të maskuara, hodhën bomba me benzinë, shashka dhe bojë ndaj hyrjes së Kryeministrisë dhe më pas ndaj Parlamentit”, ka shkruar Reuters.

Agjencia prestigjioze ka nënvizuar gjithashtu se, policë dhe protestues të shumtë mbetën të plagosur. Në Shtetet e Bashkuara, mes mediave që i kanë kushtuar vëmendje episodeve të së shtunës spikat “Washington Post”.

“Protestuesit e opozitës përleshen me policinë në protestën kundër qeverisë”, është titulli që i ka kushtuar gazeta e njohur zhvillimeve në Tiranë. Krahas bombave molotov dhe shashkave, e përditshmja shkruan edhe për përdorimin e gazit lotsjellës nga ana e policisë.

Në Europë mediat që e kanë pasqyruar më gjerësisht kanë qenë “Deutsche Welle”, që ka folur për motivet e protestës: akuzat për korrupsion dhe vjedhje të votave nga ana e opozitës ndaj kryeministrit; si dhe agjencia italiane e lajmeve “ANSA”, që i ka kushtuar titullin “Opozita në shesh, incidente në Tiranë”, policia shpërndan manifestuesit me gaz lotsjellës pas përdorimit të bombave molotov, shashkave dhe qeseve me bojë./ABC News Albania 24/7

media.jpg
ad min15:42 | 29/03/2019

Tryezat me grupet e interesit i nis me ato që identifikon si sfida të përbashkëta për shqiptarët pa dallim partiak, arti dhe kultura dhe media.

Organizuar nga tre shoqata të gazetarëve në bashkëpunim me opozitën e bashkuar, dita e zgjedhur për këtë tryezë iu bë kornizë e pikturës së Shqipërisë si ishte dhe si është.

“10 vjet më parë këtë javë unë isha Ministër i Jashtëm dhe po bëheshim gati për samitin e NATO-s ku me 7 Prill përfundoi procesi i anëtarësimit si anëtar i denjë i shtetit tonë në aleancën më të fuqishme politike dhe ushtarake që ka njohur bota. Ishte qeveria amerikane aleatja jonë më e fuqishme në këtë arritje historike. Për ironi të fatit 10 vjet më pas raporti i DASH tregon se Shqipëria është kthyer në një vend ku nuk ka siguri por lulëzon, krimi, droga, pastrimi i parave, korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes”, tha Basha.

Një krahasim hoqi mes vetes dhe pronarëve të mediave si përfitues të pushtetit të përqendruar.

“Dhënies fund të praktikave që kufizojnë garën dhe nxisin përqendrimin e pushtetit në pak duar. Qoftë kjo në pak duar pronarësh mediash, apo oligarkësh ekonomikë. Këto janë konceptet që po ndërtojmë në bashkëveprim me shoqërinë”, tha Basha.

Në identifikimin e termit e ndihmoi Engjëll Musai shqetësimet që i bashkon ja tha Armand Shkullaku.

“Ka liri shtypi thotë kryeministri. Më thoni një media që ka një qëndrim bezdisës se kritik është fjalë e fortë ndaj kryetarit të bashkisë. Ka vetëm kaseta të kryetarit të bashkisë. Sot ne nuk lejohemi në asnjë takim, në asnjë aktivitet të kryeministrit apo kryetarit të bashkisë për të marrë pjesë dhe normalisht këto kasetat duhet të ishin ndaluar që ne nuk transmetojmë asnjë aktivitet po qe se nuk e shohim me sytë tanë që është A-ja e gazetarisë, vëzhgimi i drejtpërdrejtë. Pd mund ta organizojë një model të tillë. Ne duam që të zbatohet ligji që është në fuqi për financimin në media. Për transparencën e këtij financimi ligji ndalon që një media që nuk arrin të financohet nga të ardhurat që gjeneron vetë nuk lejon që të marrë financime të tjera. Praktikisht nëse del deri në 3 vjet humbje duhet të mbyllet”, tha ai.

E ndërsa goditjen e të parit, tentoi ta zbusë duke i vënë statutin e partisë përpara.

“Në raport me oligarkinë politike, po është e vërtetë. Gjithashtu është e vërtetë që prej Marsit të këtij vendi, PD është adoptuar një rregull statusor që zgjedhjet e kandidatëve për deputetë të kalojnë në parimit një anëtar një votë në kryesinë e PD-së”, u shpreh Basha.

Të dytit i bëri një premtim direkt.

“Asnjë kufizim nuk do të ketë në asnjë ngjarje politike të PD-së, e në veçanti timen si kryetar i PD-së”, tha Basha.

Në fund në themel të problemit gjen përsëri sistemin gjyqësor, e si garanci të asaj që premton bën propozimin.

“Dua të shpreh gatishmërinë time që raundin tjetër të kësaj tryeze ne të jemi këtu për të diskutuar dhe për të vendosur sëbashku mbi një dokument të përbashkët që do të jetë dhe zotimi ynë dhe garancia për aq sa opozita mund të ofrojë garanci në këtë klimë të helmuar politike se nesër gjërat do të ndryshojnë”, tha kryeopozitari./abcnews.al

rr-1280x720.jpg
ent ela19:08 | 26/03/2019

Mediat e pavarura në Venezuelë raportojnë për praninë e dy avionëve ushtarakë dhe rreth 100 ushtarëve rusë në vend. Dyshimi është se dy avionët shërbejnë për t’u ngarkuar me ar dhe metale të çmuara.

Dy avionë ushtarakë rusë prej ditësh qëndrojnë në aeroportin e Karakas, ndërsa një mijë ushtarë të Moskës kanë mbërritur në Venezuelë për të mbrojtur presidentin Nikolas Maduro nga një grusht i mundshëm shteti.

Lajmi fillimisht është publikuar nga një reporter i pavarur vendas, Havier Majorka, dhe më pas është ripublikuar në media të ndryshme. Rusia kishte premtuar dërgimin e ndihmave, por këtë herë rusët i shpërndajnë vetë lajmet.

Në ambasadën ruse në vend thuhet se, nuk ka më sekrete pasi ekzistojnë kontrata të firmosura mes dy vendeve që duhen respektuar. Në fund të muajit mars, Venezuela duhet të paguajë një shumë të madhe parash për të marrë ndihmat e radhës.

Mes personave që kanë mbërritur në vend, nga Kremlini është dhe gjenerali rus Vasili Tonkoshkurov, kreu i Drejtorisë së Mobilizimit të Forcave të Armatosura të Kremlinit dhe 35 ton mjete të ndryshme.

Dyshimi është se, dy avionët shërbejnë për tu ngarkuar me ar dhe metale të çmuara, dhe nuk është rastësi që një nga dy avionët është larguar nga vendi pa u marrë vesh se çfarë transportonte.

Ndërkohë vendi po vuan një tjetër ndërprerje të energjisë elektrike në 23 rajone përfshirë dhe Karakas. Dhe njëherë më shumë ministri i komunikimit Horge Rodriguez deklaroi se, shkaku është një sulm që i është bërë digës hidroelektrike të Gurit./abcnews.al

 

 

 

edi-rama-samiti-1280x719.jpg
ent ela16:31 | 21/03/2019

Në një intervistë për mediat zvicerane kryeministri Edi Rama ka folur ndër të tjera dhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Rama shprehet se diçka e tillë do të ishte e natyrshme

E përditshmja zvicerane, Neue Zuercher Zeitung në një shkrim të publikuar për situatën aktuale në rajon, citon dhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili ka folur ndër të tjera dhe për mundësinë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar si diçka të natyrshme. Autori i shkrimit Andreas Reih thekson se nuk ka asnjë ditë në Ballkanin Perëndimor ku politikanët të mos komentojnë një shkëmbim të mundshëm territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij kjo mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje që do i jepte fund konfliktit të gjatë dhjetëvjeçar. Për vite të tëra, Perëndimi nuk i pranoi kategorikisht ndryshimet kufitare në Ballkan. Megjithatë, për disa muaj, gjithnjë e më shumë vende të BE dhe Shtetet e Bashkuara duket se po largohen nga ky qëndrim: gjëja kryesore është që Beogradi dhe Prishtina të bien dakord për një marrëveshje.

Gazetari thekson se edhe kryeministri Edi Rama është gjithashtu i hapur për një ndryshim të vijës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është një gjë e natyrshme”, thotë ai në një intervistë për NZZ. Sipas tij, edhe kufijtë e Kosovës me Malin e Zi dhe Maqedoninë janë ripërcaktuar në vitet e fundit.

Në të njëjtën kohë, Rama thekson se Shqipëria nuk është e përfshirë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

‘Se si duhet të jetë marrëveshja, këtë duhet ta vendosin Kosova dhe Serbia’.

Por si mund të jetë kufiri i ri? Rama këtu bën një kufizim: “Kufijtë etnikë duhet të shmangen në mënyrë absolute”. Megjithatë, ai nuk e përcakton më tej se çfarë quan një ndryshim natyral të kufirit. Për një gjë është i sigurt: Shqipëria do mbështesë çdo marrëveshje që gëzon mbështetjen e BE dhe SHBA.

Rama flet edhe për mundësinë që në rajon të krijohet një mini-Shengen mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai thotë se ka dëgjuar diçka për një projekt të tillë dhe shton se e mirëpret./abcnews.al

arata-marku-1280x712.jpg
ent ela11:15 | 18/03/2019

Kryeprokurorja Arta Marku nga Durrësi i kërkoi Parlamentit të miratojë ndryshimet ligjore që nevojiten pas vakumit të lënë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedimet disiplinore ndaj magjistratëve.

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku nga Durrësi i bëri thirrje Kuvendit të miratoje sa më shpejt ndryshimet ligjore që nevojiten pas vakumit të lënë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procedimet disiplinore ndaj magjistratëve. Marku  tha se dispozita kalimtare e prokurorit të përgjithshëm nuk e lejon atë që hetimet disiplinore ndaj prokurorëve të shkojnë deri në fund.

“Prokurori i Përgjithshëm nuk ka kompetencë për ta çuar deri në fund këtë proces. Dispozita kalimtare nuk i ka dhënë të drejtën kryeprokurorit për të vazhduar procedimin disiplinor. Ndaj i bëj thirrje Kuvendit që të miratojë ndryshimet e nevojshme dhe të plotësojë boshllëkun ligjor për të vënë në lëvizje mekanizmat kontrollues”.  

Në analizën me prokurorët e Durrësit, Elbasanit dhe Kavajes, Marku tha se këto janë dhe qytete me kriminalitetin më të lartë në rang vendit.  Por ka shumë ankesa të qytetareve që kanë shkuar direkt në adresë të saj dhe një pjesë pranë mediave.

“Edhe pse ka arritje, ka edhe probleme, pasi ka shumë ankesa të qytetarëve në media.  Ndërhyrja e Prokurorisë së Përgjithshme për të adresuar shumë komente e fyerje degraduese duhet kuptuar”.

Sipas Markut, në kushtet që po operon aktualisht sistemi i drejtësisë kur prokuroret veprojnë te pavarur apo të pandikuar tërësisht, funksionimi i mekanizmave disiplinore është i domosdoshëm dhe  jetik dhe në mungesë të këtyre mekanizmave pavarësia nuk është asgjë tjetër veçse abuzim në kurriz të qytetarëve dhe cenim i imazhit të drejtësisë.

Gazetare: Enkeleda Arapi

Operator: Adi Domi

gjergj-erebara.jpg
ad min17:01 | 18/01/2019

Qeveria shqiptare duhet të tërheqë projektligjet për rregullimin e medias në internet. Kërkesa vjen nga një grup organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe organizata përfaqësuese të gazetarëve i kërkojnë kryeministrit, të tërheqë dy projektligjet për median online. 

Një grup organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe organizata përfaqësuese të gazetarëve i kërkojnë kryeministrit, të tërheqë dy projektligjet për median online.

“Këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin. Të dy projektligjet synojnë të krijojnë një regjistër të çdo faqeje në internet dhe i japin të drejtë një institucioni të quajtur “Këshilli i Ankesave”, të gjobisë mediat në bazë të kërkesave të tëtretëve, ose të urdhërojë mbylljen e mediave, ose të aksesit në faqe interneti në territorin e Republikës së Shqipërisë. Projektligjet u japin të drejtë AMA-s ose tatimeve, të gjobisin dhe mbyllin median online, pa një procedurë të mirëfilltë ligjore, duke rritur rrezikshëm nivelin e censurës e vetëcensurës ekzistuese në median shqiptare.”

Pretendimin e AMA-s dhe kryeministrit Rama se projektligjet mbështesin modelin kroat e konsiderojnë të pasaktë pasi verifikimet e tyre tregon gazetari Erebara kanë nxjerr në pah se në Kroaci nuk ekziston legjislacion i ngjashëm për mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e medias në internet.

“Nëse mazhoranca socialiste do të miratojë këto dy projektligje, demokracia jonë hibride do rrëshqasë drejt modelit të një regjimi autoritaritar. Kjo, pasi në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët”. 

Gazetari Erebara thekson dhe një tjetër element që ka nevojë për korigjim.

“Nga ana tjetër, tatimi në masën 20% për median online, kur në ndryshimet  e ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të dhjetorit të kaluar, mediave vizive, kjo tarifë u ulet në 6%, dëshmon një targetim të posacëm për këto media, që duhet korrigjuar.  Vetërregullimi i medias dhe edukimi i publikut përmes fushatave për rritjen e njohurive mbi median, propagandën, dizinformimin apo lajmet e rreme janë mjetet e duhura për të luftuar problemet në komunikimin online dhe jashtë rrjetit”.

Ndërkohë organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe organizatat përfaqësuese të gazetarëve shprehen se projektligjet e propozuar përbëjnë një hap pas në procesin e integrimit në Bashkimin Europian./abcnews.al

ama.jpg
ad min18:32 | 11/01/2019

Autoriteti i Mediave Audiovizive njoftoi se mbyllja e transmetimeve analoge televizive në qarqet Tiranë dhe Durrës shtyhet për në datën 1 Shtator 2019.

Në këto dy qarqe, ekzistojnë të dyja teknologjitë e transmetimit, si ato analoge ashtu edhe ato numerike. AMA sqaron se për familjet tashmë të pajisura me dekoder, vijojnë transmetimet dixhitale tokësore të cilat sigurojnë cilësi të lartë në 36 kanale televizive pa pagesë.

Ndërsa argumenton se kjo shtyrje afati erdhi për shkak se në qarqet Tiranë dhe Durrës është përqëndruar numri më i madh i banorëve dhe bazuar në të dhënat e deritanishme nga operatorët ekonomikë tregtarë, evidentohet se ende nuk është siguruar sasia e mjaftueshme e dekoderave të tipit DVB-T2.

AMA vijon të nxisë operatorët e tregut që të sigurojnë sasinë e mjaftueshme të këtyre pajisjeve. Ndërkohë, AMA po finalizon zbatimin e procesit të dixhitalizimit të transmetimeve televizive edhe në qarkun e Vlorës, ku është i njëjti afat i mbylljes së sinjalit analog, 1 Shtator 2019./abcnews.al

media.jpg
ent ela17:31 | 11/01/2019

Dy propozimet e qeverisë që ndryshojnë ligjin për Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe atë për komunikimet elektronike që parashikojnë regjistrimin e medias në internet dhe gjobitjen apo mbylljen e saj nga një institucion i ri që do të quhej Këshilli i Ankesave, mblodhi në argument kundër opozitën dhe grupe interesi si shoqata gazetarësh apo pronarë mediash online. Për kreun e opozitës Lulzim Basha propozimet e qeverisë për kontrollin e medias online përmblidhen në dy fjalë.

“Policia e mendimit që është një amalga mes interesave politike të një njeriu me interesat ekonomike të 5 njerëzve dhe interesave kriminale të 12 familjeve mafioze shqiptare, nga pikëpamja e opozitës dhe detyrës tonë të parë absolutisht që ne do ta kundërshtojmë siç e kemi kundërshtuar me të gjitha mjetet dhe format. Për ne nuk ka rrugëzgjighje tjetër përveç se rregullimit me pavarësinë e gazetarëve, pavarësinë e raportimeve, me aftësinë për të qëndruar larg presioneve, qofshin këto politike apo nga faktorë të tjerë ekonomikë”, tha Basha.

Walter Glos, president i Fondacionit “KAS” për Shqipërinë, ndërhyrjen në lirinë e medias e sheh si cënim të vendimit të Qershorit për negociatave me Shqipërinë.

Walter Gloss: “Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare i kanë bërë apel kryeministrit Rama t’i tërheqë këto projekte, çka do të thotë se diçka nuk shkon me projektligjet. Më duhet të kujtoj se është tentative e dytë e Edi Ramës për të ndërhyrë në legjislacionin mbi median. Shqipëria si një vend kandidat për në BE ka detyrimin të respektojë lirinë e medias. Pa pasur këtë garanci të lirisë së shprehjes nuk mund të funksionojë demokracia. Në Evropë është krijuar përshtypja se Shqipëria nuk i respekton rregullat dhe ligjet ndërkombëtare. Lista e shkeljeve në tenderat publike p.sh. është shumë e gjatë. Shqipëria dhe qeveria aktuale ka ende në dorë të bëjë gjithçka që në Qershor të merret çelja e negociatave. Por padyshim ndërhyrja në lirinë e medias padyshim që nuk ndihmon në këtë proces”.

Për kreun e shoqatës së gazetarëve profesionistë, Armand Shkullaku, qëllimi i projektligjeve është i qartë, ashtu si dhe mënyra për të ndikuar në ndryshimin e rrjedhës së marë.

“Ne jemi të qartë që si teknikisht, si juridikisht, si propozuesit, si ata që e kanë bërë, ky ligj është totalisht antikushtetues dhe për mua është shprehje e qartë dhe arrogante e tentativës së qeverisë për të kapur dhe kontrolluar mediat ose për t’i mbyllur gojën atyre që janë kundër mënyrës si po qeveriset në Shqipëri. Ajo që mendoj unë është si të diskutojmë se çfarë do të bëjmë që ky njeri të ndalet. Duhet të marrim disa masa që të ndalohet sepse kemi kuptuar që ky njeri ndalohet dhe tërhiqet vetëm nga gjuha e forcës. Nga gjuha e argumentave që ne përpiqemi të japim besoj se nuk do arrijmë gjë. Do i fusë një firmë Gramozi. S’do e dekretojë me herën e parë Iliri, por do e kalojë me dekret herën e dytë dhe ne të gjithë do themi ç’do bëjmë”, theksoi ai.

Diskutimet u zhvilluan gjatë tryezës së organizuar nga selia blu në bashkëpunim me fondacionin “Konrad Adenauer” me devizën “Media e lirë, shoqëri e lirë – rreziku i heshtjes me ligj”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono