mbledhje

qeveria.jpg
G. P.12:44 | 12/06/2018

Kabineti qeveritar ëshë zhvendosur sot në Durrës. Mbledhja ëshë parashikuar të zhvillohet në orën 16:00 pas së cilës do të jetë kryeministri Edi Rama që do t’i bëjë të ditura vendimet e qeverisë nëpërmjet një deklarate për shtyp.

Qëndrimi në qytetin bregdetar është parashikuar të zgjasë dy dië. Sot pasdite do të zhvillohet një takim me qytetarët në kuadër të turit të llogaridhënies publike. Në mbrëmje ministrat socialisët do të festojnë në Durrës ditëlindjen e 27 të partisë së tyre, ndërkohë që janë parashikuar organizime edhe nga degët e Partisë Socialiste në rrethe./abcnews.al

pd-1-1.jpg
G. P.14:20 | 28/05/2018

Grupi parlamentar i PD vendosi vazhdimin e aksionit opozitar edhe gjate 30 diteve te ardhshme. Pas disa javësh denoncime për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe protestës të së shtunës, shumë deputetë në mbledhjen e grupit të PD propozuan edhe bojkotin e parlamentit. Mësohet se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, kreu demokrat Basha është shprehur se bojkoti i parlamentit deri në shkarkimin e Xhafës është plotësisht legjitim dhe më i natyrshmi në këto rrethana politike. “Levizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të devijojë vëmendjen nga çështja kryesore: që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës”-mësohet të ketë deklaruar Basha.

Kryetari demokrat ka sugjeruar të përdoren gjitha format dhe mënyrat demokratike nga grupi parlamentar, strukturat, qytetarët për të bërë të qartë qëndrimin e opozitës se largimi i Fatmir Xhafës është kusht i panegociueshem, veprim i domosdoshëm për hapjen e negociatave.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kreu demokrat Lulzim Basha zhvilloi një takim me aleatët në selinë blu. Edhe opozita e bashkuar doli me qëndrimin e përbashket që Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga Ministër i Brendshëm dhe t’i hapë rrugën një hetimi të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot. /abcnews.al

PD-GRUP-PER-PROTESTEN-1280x720.jpg
G. P.15:37 | 07/05/2018

Partia Demokratike mblodhi në takimin e përjavshëm grupin parlamentar për të diskutuar rreth qëndrimit politik të saj për javën në vazhdim.

Rreth një orë më vonë mbledhja përfundoi, me vendimin që të vijojë qëndrimi i mëparshëm.

Partia Demokratike ka vendosur një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin, duke u bërë pjesëmarrëse në komisione, vetëm në ato raste që çmon si të rëndësishme për vendin.

Sa i përket seancës plenare, grupi ka ritheksuar qëndrimin, se sa kohë qytetarët kuksianë që protestuan në Rrugën e Kombit mbahen në burg dhe ish-ministri Saimir Tahiri është i lirë, nuk mund të ketë seancë normale parlamentare./abcnews.al

asambleja.jpg
G. P.12:00 | 28/04/2018

Partia Socialiste mblodhi sot Asamblenë e saj Kombëtare, ku u diskutua për analizën e qeverisjes qëndrore dhe asaj lokale. Në raportet, pjesë e axhendës së kësaj mbledhje, ishte dhe ecuria e punës për mbarëvajtjen e platformës për bashkëqeverisjen, ku vihej re se bashkitë që kanë numrin më të lartë të regjistrime në portal janë Vlora, Tirana, Berati, Fieri etj. Ndërsa bashkitë që duhet të avancojnë me regjistrimin janë Kolonja, Patosi, Divjaka.

Sekretari i përgjithshëm i PS, Taulant Balla, tha se asambleja ka ngritur një grup pune për analizën e performancës së të zgjedhurve vendore. Deri tani i janë përgjigjur pyetësorit 26 kryetarë bashkie, ndërsa 7 prej tyre nuk kanë dërguar përgjigje në lidhje me çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin në territorin e tyre.

Grupi i punës që do bëjë vlerësimin e performancës për pyetësorët drejtuar kryetarëve të bashkive drejtohet nga Ilir Beqaj me anëtarë, Eglantina Gjermeni, Arben Ahmetaj, Evis Kushi. Po kështu janë përcaktuar edhe kuotat mujore të anëtarësisë për partinë.

Për studentët, nxënësit, të papunë dhe pensionistët kjo kuotë do të jetë 50 lekë në muaj. Ndërsa për kryetarë partish në bashki me pagë mbi 70 mijë lekë do kenë një pagesë prej 1500 lekësh. Ndërsa mori fjalën në këtë mbledhje, kryeministri Rama u shpreh i ashpër ndaj asaj pjese të qeverisjes qëndrore dhe vendore si dhe të drejtuesve të partisë në rrethe që nuk kanë kryer, sipas tij, misionin për të cilin janë zgjedhur./abcnews.al

pd-1280x649.jpg
G. P.14:50 | 20/04/2018

Në orën 18:00 pritet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në selinë blu, rreth ndryshimeve statutore të diskutuara vetëm një javë më parë në takimin e kryesisë së kësaj force politike. Propozimet e diskutuara në mbledhjen maratonë të kryesisë së 14 Prillit, të përmbledhura në një dokument politik janë përkthyer në ndryshime statutore, të cilat në fund të mbledhjes së Këshillit pritet të prodhojnë draft-statutin përfundimtar që do të votohet në 28-29 Prill në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Risitë e përfshira në draftin, i cili mund të amendohet nga antarët e Këshillit sot, por edhe nga ata të Kuvendit në fund të muajit, përfshin zgjerimin e kompetencave të Këshillit Kombëtar. Sipas këtij drafti, Këshilli bën propozimin e kandidaturave alternative nga ato të kryesisë dhe Kryetarit, miraton marrëveshjet politike para dhe pas zgjedhore por ndryshe nga sa u diskutua një javë më parë, nuk parashikon shkëputjen si një organ i pavarur me një kryetar të sajin. Këshilli me gjysmën e votave të antarësisë mund të propozojë shkarkimin e kryetarit, gjë e cila për tu konkluduar do të kërkojë edhe miratimin e Kuvendit Kombëtar.

Kërkesa e anëtarëve të cilësuar kritikë ndaj kryetarit Basha, që mandati i këtij të fundit të mund të ndërpritet bazuar në modalitete të përcaktuara në statut, në rastin e disfatës elektorale parlamentare nuk është përfshirë në draftin e përpiluar derimëtani.
Ndërkohë parimi “një anëtar një votë” sipas këtij dokumenti do të zbatohet për konsultimin e antarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet. Një koncept i ri i përfshirë është ai i “garantimit të karrierës” vlerësimi i së cilës bazohet në kritere si kohëzgjatja e antarësisë, kontributi në fushata, aktivizimi dhe standartet e pastërtisë së figurës.

Komisioni i Apelimit është nëj tjetër organ që pritet ti shtohet strukturës së partisë që propozohet të jetë me 5 anëtarë të përzgjedhur nga Këshilli Kombëtar, ku mund të shqyrtohen ankesat e anëtarësisë së partisë lidhur me vendime të marra ndaj tyre, ankesa për zbatimin e statutit dhe rregullave të funksionimit të partisë si dhe interpretimin e tyre./abcnews.al

opozitaa.jpg
G. P.15:33 | 11/04/2018

Opozita e bashkuar do të marrë pjesë në seancën parlamentare të së enjtes. Lajmi u bë publik pas takimit mes dy krerëve të partive opozitare dhe një mbledhjeje të dytë të grupit parlamentar demokrat për këtë javë. Në mungesë të një deklarate nga kreu i opozitës Basha, qëndrimi u bë publik nga mediat.

Pas bojkotit parlamentar të së martës, në shenjë mbështetjeje ndaj tregtarëve që protestuan vendosjen e TVSH-së për bizneset e vogla, përmes mbylljes së qepenave për 1 orë në mesditë, opozita e bashkuar dhe grupi parlamentar demokrat mbajtën takimin e radhës për koordinimin e aksionit opozitar.

E shoqëruar nga zv/kryetari Petrit Vasili, Monika Kryemadhi iu drejtua zyrës së kreut demokrat Basha, ku për rreth një orë dakordësuan qëndrimin që të mërkurën i ndau sa i përket jetës parlamentare.

Ndërsa demokratët vijuan bojkotin e komisioneve parlamentare për të dytën ditë radhazi, deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim shënuan pjesëmarrjen e tyre.

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, e dyta për javën, në mungesë të një deklarate për mediat nga kryetari Basha, qëndrimi u shpërnda përmes mediave: Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të marrin pjesë në seancën parlamentare të së enjtes, duke ndërprerë bojkotin përkohësisht./abcnews.al

komisioni.jpg
G. P.15:46 | 04/04/2018

Anëtaret socialiste në komisionin hetimor për cështjen “Tahiri” zhvilluan një mbledhje ditën e sotme ku prezantuan planin e tyre të hetimit. Deputetët opozitarë nuk ishin të pranishëm, ndërsa kryetari i këtij komisioni, demokrati Edi Paloka e cilësoi të jashtëligjshme thirrjen e kësaj mbledhje.

Ndërsa Gjykata e Tiranës vijonte shqyrtimin e çështjes së 23 të ndaluarve prej protestës në Rrugën e Kombit, në orën 12:23 minuta Kuvendi i Shqipërisë njoftoi mediat për zhvillimin e mbledhjes së radhës së komisionit hetimor “Tahiri”.

Me kryetarin Edi Paloka jashtë Tirane dhe demokratët tek Gjykata e Tiranës, disa prej të cilëve brenda sallës së gjyqit, komisioni, në prezencë vetëm të mazhorancës, filloi mbledhjen për parashtrimin e planit të hetimit dhe kërkesës për informacion.
Nënkryetarja Ermonela Felaj flet për nenin 12 të ligjit për komisionet hetimore, i cili përcakton mënyrën e thirrjes dhe drejtimit të mbledhjes.

Reagimi i kryetarit të komisionit Edi Paloka nuk vonoi të denonconte paligjshmërinë e mbledhjes sipas tij.
Por zv/kryetarja Ermonela Felaj e mendon ndryshe./abcnews.al

mbledhja-1280x660.jpg
G. P.16:57 | 28/03/2018

Shqiptarët e Preshevës u pritën në Beograd, për të diskutuar mbi të drejtat dhe sigurinë e tyre. Zyrtarët serbë vlerësuan se nuk ka probleme dhe se këtë vit, qeveria do të fillojë negociata me ta, për realizimin e të drejtave dhe kërkesave të tyre.

Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, qeveria serbe u ka premtuar se do të filloj negociatat me ta për realizimin e kërkesave e të drejtave të tyre. Krerët e komunave, ku jetojnë në Serbi u takuan në Beograd. Ata thanë se duan kushte dhe integrim. Por, ngelen peng të çështjes me Kosovën.

Shaip Kamberi, kryetar i Bujanocit, ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të Presidentit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, pas rastit të arrestimit në Mitrovicë.

Shaip Kamberi, kryetar i Bujanocit: “Më brengos fakti që Beogradi zyrtar nuk asnjë reagim nga deklaratat fashiste nga një lider serb i një shteti tjetër, i cili kërkon hakmarrje ose masa hakmarrëse ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kjo nxit frikë dhe pasiguri në shqiptarët e Luginës së Preshevës”.

Gjendja e sigurisë është vlerësuar e qetë dhe pa ndryshime për ta. U është premtuar se problemet e tyre do të zgjidhen. Kryetari i Preshevës ka qenë më i butë në reagime.

Shqipërim Arifi, kryetar i Preshevës : “Kjo çështje është me rëndësi për qytetarët tonë. Qytetarëve tonë nuk u intereson a u arrestua Gjuriçi. Qytetarët tanë duan të pijnë ujë, duan të kenë vende të reja pune. Gjithashtu ne ende jemi peng të marrëdhënieve të pasqaruara mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Zytarët serb thanë se ka kohë që nuk ka tensione në këto qytete. Zoran Stankoviç, shef për jugun në qeveri, tha se Serbia i konsideron qytetarë të saj dhe vetëm veprimet e trajtimet ligjore janë të pranueshme dhe kjo nuk guxon të ndryshojë./abcnews.al

nacut-1280x653.jpg
G. P.18:42 | 26/03/2018

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë zhvilluar një mbledhje të përbashkët në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, përmes së cilës, shefi i opozitës, Lulzim Basha, shprehu bindjen se negociatat për anëtarësim duhet të hapen, por jo kjo falë meritokracisë së këtij narko-shteti.

Takimi i përbashkët i grupeve parlamentare PD-LSI , i pari në ambientet e Kuvendit, u paralajmërua të jetë periodik nga vetë kreu i opozitës, Lulzim Basha. Shqetësimin e përbashkët e lidhi drejtpërdrejt me sfondin e sallës, që priste edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, një orë më vonë.

Lulzim Basha: “Kërcënimit që po i vjen integrimit europian të vendit. Anëtarësimin në Bashkimin Europian të vendit, hapjes së negociatave për shkak të mospërmbushjes së kushteve të vendosura nga Komisioni Europian dhe nga vendet anëtare. Kushte, të cilat nuk po përmbushen si rezultat i rekordeve kriminale dhe korruptive të mazhorancës që ishte mbledhur këtu para dy orëve. Ne kërkojmë hapjen e negociatave”.

Nëse në bazë qëndron meritokracia, Shqipëria nuk i çel negociatat, por kjo dënon qytetarin e thjeshtë, theksoi Basha.

Lulzim Basha: “Moshapja e negociatave do të ndihmojë klikën në pushtet, të konsolidojë pushtetin e krimit, t’i shpëtojë rekordeve të tmerrshme të korrupsionit, të devijojë reformën në drejtësi dhe të kapë organet e drejtësisë. Të shkatërrojë plotësisht ekonominë shqiptare duke e kthyer atë në një ekonomi të drogës. Dhe po kështu të shkatërrojë të gjithë investimet e BE-së dhe partnerëve tanë strategjik, SHBA-në”.

Të vetmit të painteresuar ndaj këtij integrimi janë ata, të cilët i tremben përfundimit të saj, tha kryedemokrati, i cili i listoi ata nominalisht.

Lulzim Basha: “Edi Rama përpiqet nga mëngjesi deri në darkë t’i shpëtojë ata. Vazhdon të ushtrojë presion të jashtëzakonshëm për të ndalur, sabotuar apo devijuar hetimet ndaj Sajmir Tahirit. Vazhdon të ushtrojë presion të jashtëzakonshëm për të mos nisur hetimin ndaj Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Damian Gjiknurit”.

Axhenda e kryeministrit është e qartë sipas tij, kontrolli i Parlamentit, gjyqësorit, ekonomisë dhe medias.

Lulzim Basha: “Në funksion të kësaj axhende Edi Rama ka gënjyer BE-në në selinë e tij, në Bruksel. Ku u shpreh se si rezultat i Vetting-ut janë larguar 17 gjyqtarë dhe prokurorë. Pas informacionit të marrë zyrtarisht nga opozita rezulton se vetëm gjashtë të tillë janë larguar si rezultat i procesit të Vetting-ut. Të tjerët kanë dalë në pension ose u ka mbaruar mandati. Dhe ky është shqetësimi ynë i dytë kryesor, mos zbatimi i reformës në drejtësi”.

Nuk mund të ketë vlerësim pozitiv për kushtin europian të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës, për sa kohë Saimir Tahiri nuk vihet përpara drejtësisë theksoi Lulzim Basha.

Lulzim Basha: “Nuk mund të fshihet Edi rama siç u përpoq prapa Alket Hysenit. Alket Hyseni duhet të hetohet për aferën e tjetërsimit të mijëra metra katrorë bregdet, po është Edi Rama, ai që ka firmosur një leje të kundraligjshme mbi këtë trruall. Jo vetëm të kundraligjshm, por në thyerje të vendimit të Gjykatës”.

Kreu i opozitës iu referua zbardhjes në media të kërkesës gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist të Taulant Ballës ndaj deputetit Alket Hyseni për sqarim të situatës së këtij të fundit pas akuzave të demokratëve.

Lulzim Basha: “Me Edi Ramën Shqipëria prodhon dhe eksporton vetëm krim, drogë dhe emigrantë. Ky është gogoli që tremb Europën dhe jo përrallat që tregon Edi Rama”.

Si hap të rëndësishëm për daljen nga kjo krizë, artikuluar në formë thirrje ndaj unionit europian, fronti opozitar shehhapjen e negociatave për Shqipërinë.

Një plan konkret veprimi për luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, vënia përpara përgjegjësive e peshqve të mëdhenj, reformën në drejtësi dhe çlirimin e ekonomisë në vend si alternativë për shqiptarët është axhenda publike e opozitës parlamentare, theksoi Lulzim Basha./abcnews.al

pd-naten-1280x663.jpg
G. P.22:15 | 08/03/2018

Deri më 22 Mars, grupi i punës i miratuar nga kryesia e Partisë Demokratike, mbledh propozimet për ndryshimin e statutit të partisë, që do të diskutohen gjatë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD në datat 28-29 Prill. Në një mbledhje që zgjati mbi 2 orë, kryesia e partisë pa edhe debate.

Kryesia e demokratëve shqiptarë, në orën 17:00 në selinë blu nisi takimin që caktoi datën për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demorkatike.

Lulzim Basha: “Është vendosur me vendim unanim të kryesisë të PD-së, e cila është data 28 dhe 29 Prill, kur Kuvendi Kombëtar i PD-së do të zhvillohet në Tiranë dhe do të marrë vendimet e rëndësishme për Partinë Demokratike, një parti e anëtarëve, si një parti e shqiptarëve që do t’i prijë një transformimi të thellë politik dhe ekonomik të vendit”.

Për këtë Kryesia, me propozim të kryetarit Basha dhe votë unanime, miratoi grupin e punës që do të shqyrtojë propozimet për ndryshimin e statutit që depozitohen deri më 22 Mars. Anëtarë të grupit u zgjodhën nënkryetarët e partisë Edi Paloka dhe Edmond Spaho, sekretari i përgjithshëm Arben Ristani, sekretarët Fatbardh Kadilli dhe Enno Bozdo, si dhe anëtarët e kryesisë Gent Malko dhe Arben Imami. Ky i fundit refuzoi postin për t’u larguar përpara përfundimit të mbledhjes dhe votimit në të.

Arben Imami: “Kjo parti ka nevojë për një diskutim të thellë politik. Bëmë një mbledhje para disa muajsh po këtu, dy çështjet kryesore ishin respektimi i statutit dhe bashkimi. Statuti s’është respektuar se nisi një proces pa kaluar në Këshillin Kombëtar që legjitimon mosbashkimin”.

Por në përfundim të dy orëve takim, garanti vërtetësisë së procesit doli vetë kreu i partisë.

Lulzim Basha: “Kryesia ka miratuar vendimet, të cilat do t’i japin mundësinë çdo demokrati të kontribuojë në këtë proces dhe unë personalisht do të garantoj që ky të mos jetë një proces formal por i vërtetë i bashkimit të të gjitha kontributeve dhe ideve për këtë platformë të PD si parti e anëtarëve”.

Në nisje të takimit mësohet se kryetari Lulzim Basha ka përmbledhur ecurinë e deritanishme të analizës së kësaj partie pas zgjedhejve të qershorit, raporti i së cilës do të paraqitet në Kuvendin Kombëtar të PD në datat 28-29 prill. Në përfundim të afatit 2 javor për depozitimin e propozimeve pranë grupit të punës, Partia Demokratike do të thërrasë edhe Këshillin Kombëtar./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono