mbetje

fusha.jpg
G. P.13:35 | 10/03/2019

Gjatë vizitës në Fier, kryeministri Edi Rama inspektoi dhe investimet që po kryhen atje. Shefi i qeverisë vizitoi impiantin e përpunimit të mbetjeve, pavionin e hemodinamikës në spitalin e qytetit dhe një serë të produkteve bujqësore.

Mbetjet që mblidhen dhe digjen pa asnjë kriter duket se nuk do të jenë më problem për Fierin. Faza e parë e projektit për impiantin e trajtimit të tyre, i dyti i këtij lloji në vend pas atij të Elbasanit ka përfunduar. Kryeministri Rama e inspektoi bashkë me kryeparlamentarin Ruçi, deputet i zonës.

“Para 3 vjetësh kemi shpallur emergjencën mjedisore te fusha ekzistuese e mbetjeve, një fushë ku akumulohen prej 50 vitesh mbetje pafund dhe mezi po presim që të fillojë funksionimi. Pikë së pari mbetjet të mos i çojmë më atje, por të fillojmë t’i depozitojmë këtu dhe pastaj, si fazë e dytë e projektit, edhe rehabilitimi i fushës ekzistuese dhe zbatimi i projektit për ta kthyer atë në minipark”, tha kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Këtë investim kryeministri e cilësoi si përgjigje ndaj spekulimeve publike mbi projektin, që vunë në alarm banorët në nisje të tij.

“Ky është kalimi nga mesjeta në kohët moderne në aspektin e trajtimit të mbetjeve, ndërkohë që plehrat rrugëve, fushave janë rreziku real i përditshëm që dërrmojnë shëndetin e shkatërrojnë të gjithë pjellorinë e tokës. Një projekt i tillë kthehet në një tabelë qitjeje e fut e bjer kush të mundet: “korrupsion”, “grabitje”, “hajdutëri”, “PPP”, por lum kush duron dhe koha i vë gjërat në vend”, tha ai.

Shembullin e Elbasanit dhe Fierit qeveria do ta ndjekë dhe në Durrës.

“Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë edhe për Durrësin. Edhe aty kemi situatë emergjence mjedisore. Kemi filluar me projektin dhe një tjetër zonë e rëndësishme shpëton njëherë e mirë nga e gjithë çmenduria e plehrave në hapësirë dhe i gjithë ai potencial ndotës shpërbëhet dhe kthehet në një mjedis të mbrojtur me parametra normalë për jetën e njerëzve e turizmin”, u shpreh kryeministri.

Gjate vizitës në Fier, kryeministri u ndal dhe në spitalin e qytetit. Për herë të parë këtu është vënë në funksion pavioni i ri i hemodinamikës, me qëllim përmirësimin e shërbimit të kardiologjisë.

“Hapja e këtij kabineti është bërë në shkurt dhe janë 27 raste që kanë bërë koronarografinë dhe do të zgjerohet si shërbim se planifikohet që gjatë një viti të mbulohen rreth 1 mijë raste të pacientëve me sëmundje kardiake. Është një laborator që është i pajisur me angiografi të  re në vlerën 700 mijë euro, plus 8 pajisje biomjekësore. Por më i rëndësishëm në këtë strukturë është ekipi mjekësor që në fakt falë përfundimit të specializantëve dhe falë mjekëve të rinj që kemi në shërbim, por mbi të gjitha të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza, do të kemi mundësinë që gjithë zona e Jugut të trajtohet, jo duke vajtur në Tiranë, por  pikërisht në këtë laborator për rrugët kardiovaskulare.  Reduktimi i listës së pritjes do të jetë evident tashmë, pasi bashkë me laboratorin e Shkodrës mbulojmë shërbimin dhe shtrijmë në të gjithë vendin”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Aktualisht në qendrat e hemodinamikës të Shkodrës dhe të Fierit trajtohen vetëm rastet e programuara, ndërkohë që synimi është që të priten edhe urgjencat. Vizitën e tij në këtë qark shefi i qeverisë e mbylli në një serë të produkteve bujqësore. Qeveria ka mbështetur këtë fermer përmes skemës kombëtare duke financuar 50% të investimit.

“Kjo ishte një ndihmë e madhe nga qeveria. Unë e kam për herë të parë këtë biznes. Investimi total i serës ishte 220 milionë lekë. 50% e investimit është financuar nga qeveria. Kjo ishte nxitja kryesore që e bëra dhe shikoj që ky lloj biznesi është me mjaft interes”.

Kryeministri u shpreh se qeveria do të vijojë të mbështesë me financime fermerët e interesuar për të investuar sidomos në sera, në mënyrë që shifrat e eksportit të kapin një tjetër nivel. /abcnews.al

blendi-klosi-durres.jpg
G. P.19:25 | 09/03/2019

Mbyllet fabrika e përpunimit të mbetjeve të hidrokarbureve në Shkallnur të Durrësit. Gjatë operacionit për bllokimin e aktivitetit ishte i pranishëm edhe Blendi Klosi. Ai deklaroi se ky biznes i ka shkaktuar ndotje të madhe banorëve të zonës ndaj do të ketë tolerancë zero ndaj kujtdo që dëmton mjedisin dhe qytetarët.

Pezullohet puna në fabrikën e përpunimit të mbetjeve të hidrokarbureve në Shkallnur të Durrësit, duke i dhënë fund krimit mjedisor. Aktiviteti u bllokua nga inspektorët, pas ankesave të shumta të banorëve, të cilët denoncuan ndotjen. I gjithë operacioni u ndoq nga ministri Blendi Klosi.

Nga inspektimi i befasishëm rezultoi se fabrika një pjesë të aktivitetit, e kryente në kushte jo të duhura mjedisore, duke i shkaktuar një ndotje të madhe banorëve që ndodhen pranë saj.

Ministri i Mjedisit Blendi Klosi foli për shkeljet e konstatuara dhe tha se nuk do të ketë tolerime për askënd që ndot mjedisin.

“Në shumë pika të këtij aktiviteti kuptohet që ka veprime të jashtëligjshme. Ka një aktivitet që është pa leje mjedisore. Ka një aktivitet, i cili është në kufijtë e ligjshmërisë pasi do duhet që inspektorët të realizojnë më shumë inspektime dhe hetim të plotë të aktivitetit. Ajo që shikojmë me shumë shqetësim është që ky aktivitet është kërkuar nga organet e mjedisit të jetë i bllokuar dhe nuk është i bllokuar”, tha ai.

Në këto ambiente, dikur depo karburanti, përpunoheshin vajra të djegur për prodhime nafte si dhe një sërë mbetjesh të tjera hidrokarburesh, duke i shkaktuar një ndotje masive zonës.

Tymi dhe era e rëndë që lëshohej çdo ditë nga kjo fabrikë ishte kthyer në një rrezik për komunitetin. Ndërsa mbetjet e përpunimit të vajrave që shkarkoheshin në terren të hapur, u kishin shkaktuar dëme në tokat bujqësore./abcnews.al

emiliano-sala.jpg
G. P.09:08 | 04/02/2019

Pas shumë kërkimeve të dielën janë gjetur në Kanalin Britanik pjsesë të tjera nga avioni në të cilën udhëtonte futbollisti argjentinas Emiliano Sala, i cili u zhduk nga radarët më 21 Janar. Në avionin “Piper Malibu N264DB” udhëtonin mesfushori i Cardiff dhe piloti David Ibbotson. Deri më tani mësohet se trupat e tyre nuk janë gjetur ende.

Për gjetjen e tyre nisën kërkime private pasi agjencitë në Guernsey i ndërprenë operacionet e tyre sepse thanë se mundësia për gjetjen e tyre gjallë ishte shumë e vogël. Prindërit e mesfushorit janë njoftuar për gjetjen e mbetjeve. Duke folur për një televizion argjentinas babai i Emiliano Sala-s shpreh i dëshpëruar.

“Nuk mund ta besoj. Kjo është një ëndërr e keqe. Jam i dëshpëruar”, tha Horacio Sala.

Emiliano Sala kishte nënshkruar një kontratë të re me Cardif City, me këta të fundit që e kishin blerë për një shifër rekord prej 15 milionë Paund. Si sëbashku me pilotin po udhëtonin nga Nantes, ku luante më parë, kur fluturimi humbi kontaktin me kontrollin ajror.

Pasi operacionet për kërkimin e tyre u ndërprenë u ngrit një fond online që i hapi rrugën një kërkimi privat. Detaje të reja priten të publikohen gjatë të hënës./abcnews.al

fusha-e-mbetjeve.jpg
G. P.16:40 | 20/01/2019

Impianti i shumëpërfolur i Fierit po ndërtohet mes disa fshatrave të Mbrostarit dhe pritet të përfundojë pas disa muajsh.

Janë konsumuar të gjitha metodat nuk ka më asnjë alternativë. Dheu i punimeve te qendrës së Fierit dhe ricklimit i japin vetëm disa javë kohë.  Një landfill i ndërtuar dekada më parë për një qytet me vetëm 50 mijë banorë. Tani pret qindra tonë mbetje në ditë.

Alarmi kumboi 10 vjet më parë, kohë kur po hartoheshin strategjitë për landfillet rajonale të përpunimit të mbetjeve. 3 vitet e fundit kjo fushë është zyrtarisht emergjencë mjedisore.

“Gjendjen ne e kemi mbajtur gjithmonë në kontroll. Fati jonë ka qenë që punimet që po kryhen në qendër të qytetit, dherërat që kanë ardhur këtu ne kemi mbuluar tërë sipërfaqen. Ka ngelur vetëm kjo pjesa e dukshme që është përpunimi ditor”.

Impianti i shumëpërfolur i Fierit po ndërtohet mes disa fshatrave të Mbrostarit dhe pritet të përfundojë pas disa muajsh. Banorët e kundërshtojnë dhe e shohin si burim ndotjeje te mëtejshme, por në mungesë të alternativave të tjera, inceneratori i Fierit është zgjidhja e vetme për menaxhimin e emergjencës mjedisore. /abcnews.al

 

SEMAN-MBETJET-MBULIM_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
G. P.11:30 | 26/11/2018

Reshjet e diteve të fundit kanë shtuar prurjet e lumenjve në Fier, megjithëse nuk kanë rrezikuar përmbytje. Bashkë me ujërat e lumenjve kanë ardhur edhe mbetjet që ata sjellin. Një situatë e tillë është shfaqur në grykëderdhjen e lumit Seman, ku masivë prej plastike kanë dalë në breg të detit.

Lumi Seman është bashkim i lumit Osum me Devoll disa kilometra larg Kuçovës dhe mbetjet plastike që hidhen në të përfshijnë një territor dhe popullsi të madhe. Prej dekadash grykëderdhja e Semanit është shndërruar në vend grumbullimi mbetjesh plastike duke ndotur dhe dëmtuar vijën bregdetare të Fierit./abcnews.al

 

blendoi-ka.png
G. P.17:40 | 22/10/2018

Evidentimi i problematikave mjedisore dhe përafrimi i politikave me standardet ndërkombëtare është një nga kapitujt që duhet të realizojë Shqipëria për t’u anëtarësuar në BE.

Në aktivitetin e organizuar mes Agjencisë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ministri Klosi u shpreh se lufta për të pasur një Shqipëri të pastër dhe turistike brenda vitit 2020 do të vazhdojë.

Për 19 industri që dëmtojnë mjedisin, sipas ministrit Klosi, janë hartuar standarde dhe kriteret me qëllim minimizimin e  hapësirave për abuzim./abcnews.al

kuvendi-i-shqiperise.jpg
G. P.15:21 | 28/07/2018

Rinisja e punimeve parlamentare do të përcaktojë dhe fatin e dekretit të Presidentit për ligjin e Teatrit Kombëtar. Miratimi i dekretit do të kthente ligjin në Kuvend në fazë diskutimi në komision, ndërsa rrëzimi i tij, do të çonte në hyrjen në fuqi të ligjit ashtu si u miratua në seancën parlamentare të 5 Korrikut.

Pas dekretit presidencial që ktheu për rishqyrtim ligjin për Teatrin Kombëtar, parlamenti pritet ta shqyrtojë atë në sesionin e ri te Kuvendit në Shtator.

Miratimi i dekretit do të kthente ligjin në Kuvend në fazë diskutimi në komision, ndërsa rrëzimi i tij ne seancë parlamentare, do të çonte në hyrjen në fuqi të ligjit ashtu si u miratua më 5 Korrik.

Ky i fundit është skenari i paralajmëruar nga mazhoranca, por kujtesa servir tjetër praktikë në rastet e mëparshme të një përplasjeje ‘President–Mazhorancë–Opinion publik’ për ligjet parlamentare.

Thuajse dy vjet më parë, mazhoranca e kohës PS–LSI miratoi në parlament ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, që si në rastin e ligjit “për Teatrin”, jo vetëm u vendos në qendër të debatit publik, por në fund tregoi edhe qëndrime të ndryshme të mazhorancës gjatë votimit.

Historia duket se po përsëritet me ligjin e Teatrit Kombëtar.

Pas përpilimit, kalimit me debate të ashpra mazhorancë–opozitë në komisione parlamentare, pas tryezash me grupe interesi të nxitura dhe organizuara edhe nga Presidenti i Republikës, ligji për importin e mbejteve mbeti vetëm në letër. Kjo pas kthimit të tij për ri-shqyrtim në Kuvend përmes dekretit “Nishani”.

Asokohe, 71 votat e mazhorancës u reduktuan në 63 “kartona jeshilë” për ligjin që i hapte rrugë importit të mbetjeve. I tillë ishte edhe fati i “teatrit” i cili u vulos me 75 nga 79 vota që ka sot mazhoranca parlamentare.

“Disidentët” e kohës, Ben Blushi, Mimoza Hafizi dhe Dashamir Peza, por edhe mungesa në seancë e (atëherë) kryetarit të kuvendit Ilir Meta, sot u zëvendësua me mungesën e Spartak Brahos, Paulin Stërkajt, Reme Lalës dhe largimin nga salla para votimit të Pandeli Majkos.

Reagimi i protestuesve jashtë sallës në dy rastet dënuan vendimin e ligjvënësit, duke marrë simpatinë e Presidencës, e cila në të dy rastet, mbajti krahun e shoqërisë civile.

“Shkelja e Kushtetutës” ishte dhe është sot një nga argumentat e dekretit që kthen ligjin në parlament. Reagimi i kohës i kryeministrit Edi Rama mbi dekretin “Nishani”, ngjan me atë të sotmin të kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla për dekretin “Meta”.

E pavarësisht reagimit me shprehjen e preferuar të kohës “Qentë le të lehin, karvani ecën përpara” kryeministri Rama, edhe pse një vit me vonesë, miratoi dekretin “Nishani” dhe tërhoqi ligjin e mbetjeve që ndezi debat publik për thuajse një vit.

Sot ligji për teatrin duket se ndodhet në të njëjtën pikë. Por ndërsa në 2017-n opozita, grupet e interesit dhe opinioni publik kishin një gjyqtar të fundit për betejat e tyre, Gjykatën Kushtetuese, sot dekreti i presidentit Meta, që kthen ligjin për Teatrin Kombëtar për rishqyrtim është e vetmja rrugë institucionale përmes së cilës, mazhoranca mund ta tërheqë ligjin e kontestuar gjerësisht.

Do t’i mbetet çeljes së sesionit në shtator dhe votimit të dekretit, për ironi, në komisionin përgjegjës “Shalsi” ajo që do të tregojë nëse historia do të përsërisë vetveten./abcnews.al

porto-romanoo.jpg
G. P.17:10 | 12/07/2018

Plehrat e Durrësit vazhdojnë të shkarkohen në Porto Romano dhe do të vazhdojnë të depozitohen atje derisa të gjendet zgjidhja përfundimtare. Kryetari i degës së Shërbimit Komunal në Bashkinë e Durrësit tregon se çfarë do të ndodhë pas shpalljes së emergjencës.

Tre ditë nga vendimi i Këshillit Bashkiak Durrës për shpalljen e emergjencës mjedisore, në depozitimin e mbetjeve urbane në Porto Romano asgjë nuk ka ndryshuar.

Kamionë të ngarkuar me plehra shkarkohen në të njëjtin vend. Në ndërmarrjen komunale në varësi të bashkisë Durrës, drejtuesit thonë se deri në një vendim të dytë ato do të vazhdojnë të depozitohen në Porto Romano.

“Edhe pse është marrë ky vendim i Këshillit Bashkiak para 2-3 ditësh, ne vazhdojmë punën në mënyrë të përditësuar për shkarkimin e mbetjeve në këtë fushë, sepse duhet një hapësirë kohore më e zgjatur që ne të reflektojmë ndryshimet që duhen bërë”, tha Fadil Ago, kryetar i degës së Shërbimit Komunal.

Ago sqaron se shpallja e emergjencës mjedisore është vetëm fillimi i një sërë procedurash shkresore dhe ligjore që duhet të ndiqen nga bashkia e qytetit dhe ministritë përkatëse, për të cilat duhet shumë kohë.

“Natyrisht që këto nuk mund të bëhen menjëherë. Ka disa vendime që do të merren më pas. Ato kanë të bëjnë më planifikimin financiar , me masat organizative që duhen marrë si dhe me gjithë përmirësimin e infrastrukturës së transpotit”, tha Ago, kryetari i degës së Shërbimit Komunal

Gjetja e një alternative për depozitimin e mbetjeve në Durrës, apo dërgimi i tyre në ndonjë landfill tjetër, mbeten disa nga opsionet. Nuk përjashtohet mundësia e ndërtimit të një të riu në Durrës.

“Për krijimin e një landfilli të ri, i cili mund të bëhet në Bashkinë e Durrësit, ose mund të çohet në Sharrë të Bashkisë së Tiranës.”

Një muaj më parë kryeministri Edi Rama, i cili pa nga afër gjendjen në Porto Romano tha se

“Të vazhdojmë procesin e bashkëpunimit për mbylljen e kësaj fushe dhe trasformimin në një park të madh të qytetit, t’i çojmë mbetjet, tha ai, në impiantin e Tiranës duke llogaritur edhe kostot”.

Drejtues të ndërmarrjes së komunales të ngarkuar për pastrimin e qytetit dhe menaxhimin e mbetjeve në Porto Romano sqarojnë së kanë nisur marrjen e masave paraprake në terren për minimizimin e nivelit të ndotjes. Fillimisht do të pastrohen kanalet pranë venddepozitimit në Porto Romano dhe më pas do të bëhet rrethimi i zonës./abcnews.al

edi-ramaaaaaa.jpg
G. P.15:55 | 25/05/2018

Kryeministri Edi Rama ishte në vendndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në Sharrë, ku u njoh me ecurinë e projektit. Zërat kritikë kundër ndërtimit të landfilllit në Fier, ai i konsideroi injorancë.

Me Sharrën e nisi ditën Kryeministri Edi Rama. Pas publikimit të videos shkoi ta shihte me sytë e tij, atë që e konsideron transformim të lemerisë së djeshme të venddepozitimit të mbetjeve.

I shoqëruar nga ekipi i investitorëve, projektuesve e zbatuesve të projektit, por edhe nga ministrat dhe përfaqësuesit e bashkisë, Kryeministri Edi Rama u njoh me përfitimet që sjell impianti i trajtimit të mbetjeve urbane në Sharrë.

Blendi Klosi: “Ajo që themi ne jemi të barazlarguar nga çdo formë mënyre e trajtimi, por ajo që po ndodh në Tiranë është mënyra më e mirë si mund të transformohet dhe Durrësi edhe çdo lanfill tjetër që kanë 27 vite që janë jashtë çdo standardi”.

Nga njëra anë, synimi është trajtimi i mbetjeve, duke zgjidhur një problem madhor, jo vetëm për kryeqytetin, si rezultat i ndotjes që shkaktojnë grumbullimi dhe djegia tradicionale e mbetjeve dhe nga tjetër, prodhimi i energjisë së rinovueshme, që do të hidhet në rrjetin elektrik të vendit.

Edi Rama: “Gjithë rezistenca ndaj landfillit të Fierit është injorancë dhe nga ana tjetër krijon një panik krejt të paarsyeshëm te njerëzit që kujtojnë se duke mos u ndërtuar në Fier janë më të mbrojtur. Ndërsa sot në të gjithë qytetin e Fierit për shkak së situatës së trashëguar është ndotje permanente, mirëpo në momentin që vjen kompania përpunimit krijohet ideja që po vjen një industri që do na ndosë ndërkohë që është e kundërta”.

Ndërkohë, projekti parasheh që e gjithë zona të kthehet në një zonë të pyllëzuar, duke u kthyer në një park natyror, i hapur për të gjithë.

Edi Rama: “Tirana do fitojë një park. Park real. Edhe Durrësi do fitojë një park. Parqe me 20-30 hektarë që nuk ka mundësi të imagjinohen në situatën që është sot dhe do jenë parqe për qytetin”./abcnews.al

cmimi-1280x694.jpg
G. P.17:01 | 17/03/2018

Është gjetur e pajetë në një pikë grumbullimi për mbeturina bashkëshortja e fituesit të cmimit nobel për kiminë Negishi. Sipas familjarëve viktima vuante prej kohësh nga sëmundja e Parkinsonit.

Bashkëshortja e çmimit Nobel për kiminë në 2010-n, është gjetur e pajetë në Ilinois. Sumire Negishi, 80 vjeç, e martuar me Ei-ichi Negishi, 82 vjeç, vuante nga sëmundja e Parkinsonit. Çifti ishte shpallur i humbur prej ditësh, ndërsa automjeti me trupin e pajetë të gruas u gjet në një pikë grumbullimi mbeturinash. Policia ka nisur hetimet, ndërsa familjarët e ciftit konfirmuan se mund të kishin ngatërruar rrugën, teksa ishin nisur për në aeroportin e Chikagos.

Po sipas familjes, viktima kishte kohë që e kishte humbur betejën me sëmundjen. Ei-ichi Negishi, me origjinë japoneze fitoi cmimin Nobel së bashku e amerikanin Richard Heck dhe japonezin Akira Suzuki./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono



TE FUNDIT