May

may-putin-1280x709.jpg
nev ila21:15 | 28/06/2019

Me një takim në kuadër të samitit të G20-s, kryeministrja Theresa Mej dhe presidenti Vladimir Putin janë përpjekur të ulin tensionet në marrëdhëniet Londër-Moskë. Me një shikim të ftohtë, shefja e qeverisë britanike ka kërkuar që pala ruse të ndryshojë qasje, ndërsa kreu i Kremlinit rifillimin e marrëdhënieve tregtare.

Kanë tentuar të shkrijnë akujt mes tyre, por pavarësisht përpjekjeve dhe një shtrëngimi modest duarsh palët kanë qëndruar ftohtë ndaj njëra-tjetrës. Në takimin e zhvilluar në Japoni në kuadër të samitit të G20-s, kryeministrja britanike Theresa Mej i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin që Moska t’i japë fund sjelljeve të papërgjegjshme dhe destabilizuese të saj, nëse dëshiron që marrëdhëniet mes dy vendeve të përmirësohen.

Mej iu referua sulmeve me agjent nervor në Sallisbëri të Anglisë, për të cilat Londra fajëson Kremlinin. Lidhur me rastin në fjalë, Mej kërkoi ekstradimin e dy të dyshuarve rusë, me qëllim që të dalin përpara drejtësisë.

“Përdorimi i agjentëve nervorë në rrugët e Sallisbërit ishte një sjellje e papranueshme, që çoi për më tepër në vdekjen e një shtetaseje britanike”, tha Mej.

Megjithatë, shefja e qeverisë britanike u shpreh e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve, por nënvizoi se për ta arritur këtë Rusia duhet të ndryshojë taktikat e saj.

Nga ana tjetër, sipas një njoftimi për shtyp të Kremlinit, presidenti Putin i ofroi zonjës Mej përgjigje të sakta lidhur me rastin e ish-spiunit Sergei Skripal, si dhe foli për nevojën e rikthimit të marrëdhënieve tregtare mes Britanisë dhe Rusisë./ABC News Albania 24/7

bb-3-1280x848.jpg
ent ela23:30 | 18/06/2019

Boris Xhonson, politikani më i akredituar për të zëvendësuar ish-kryeministren britanike Theresa Mej, ka fituar shumicën e votave në raundin e dytë të votimit për liderin e Partisë Konservatore. Xhonson, ish-kryetar i Bashkisë së Londrës dhe ish-ministër i Jashtëm, fitoi 126 vota, i ndjekur nga sekretari i Punëve të Jashtme Xheremi Hant me 46 dhe ai i Ambjentit, Majkëll Gov, në vend të tretë me 41 vota. Ministri për Zhvillimin Ndërkombëtar, Rori Stjuart u rendit i katërti me 37 vota, ndërsa ai i Brendshëm, Sajid Xhavid i pesti me 33. Njëri nga kandidatët, ish-ministri i Breksit Dominik Reb, u elliminua pasi nuk arriti minimumin e kërkuar të votave. Duke reaguar, Xhonson falenderoi mbështetësit e tij për fitoren, me 12 vota më shumë se në raundin e parë. Tani, kandidatët e mbetur do të përballen me raunde të tjera votimesh derisa të mbeten dy prej tyre dhe më pas ligjvënësit konservatorë do të vendosin kush do të jetë lideri dhe rrjedhimisht kryeministri. /ABC News Albania 24/7

 

TEREZA-MAY-DOREQEHJA.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela13:10 | 07/06/2019

Personi që do të fitojë në zgjedhjet për kryetarin e ri të konservatorëve në Britaninë e Madhe, do të jetë dhe kryeministri i ri i vendit. Tereza Mej zyrtarizon dorëheqjen e saj duke shënuar fillimin e garës në radhët e konservatorëve.

Sot Tereza Mej zyrtarizon dorëheqjen nga posti i kryetares së partisë konservatore britanike; duke shënuar dhe fillimin e garës për atë që do të jetë pasardhësi i saj. Një garë shumë e populluar, së cilës mund t’i bashkohen të gjithë ata që synojnë postin e kryetarit por dhe atë të kreut të ekzekutivit.

Mes mbështetësve më të fortë të Brexit është Boris Xhonson i cili do të nxjerrë Mbretërinë e Bashkuar nga Bashkimi Europian, me apo pa marrëveshje. 54 vjeçari ka qenë një nga programuesit e fitores së Brexit në referendumin e vitit 2016. I emëruar ministër i jashtëm, ai u bë zëri kryesor i opozitës së marrëveshjes për Brexit të përgatitur nga Tereza Mej, para se të jepte dorëheqjen për të mbrojtur qëndrimin e rij për një Brexit të ashpër. Ish-kryebashkiaku i Londrës është shumë popullor mes militantëve të bazës, por më pak tek ata që e kritikojnë për gafat e shumta dhe diletantizmin e tij.

Majkëll Gov, ministri i ambjentit, ndoshta ende nuk e pranuar humbjen e fundit për lidershipin e konservatorëve. Në qershor të vitit 2016. Gov në atë kohë menaxher i fushatës për kalimin e postit nga Dejvid Kamerun tek Boris Xhonson, tërhoqi mbështetjen e tij mëngjesin kur ish kryebashkiaku i Londrës duhej të zyrtarizonte kandidaturën e tij. Euroskeptiku Gov doli I treti në raundin e parë të votimeve, pas fitueses Tereza Mej dhe Andrea Ledsom. I lindur në Edimburg, 51vjeçari ka studiuar në Oksford. Para se të bëhej deputet ai ishte gazetar.

52 Vjeçari Xheremi Hant, aktualisht ministër i jashtëm – zëvendësoi Bors Xhonson pas dorëheqjes – ka qenë një mbështetës i bindur për qëndrimin e vendit në BE në referendumin e 2016-ës. Pas referendumit Hant ndryshoi qëndrim duke iu afruar euroskeptikëve, i zhgënjyer nga qasja arrogante e Brukselit gjatë negociatave. Pas gjashtë vitesh në ministrinë e shëndetësisë nga 2012 – 2018 ai mori famën e një politikani të guximshëm, i gatshëm për sfida. Ndrësa për mundësinë e një Brexit pa marrëveshje ai paralajmëron se do të ishte një vetëvrasje për vendin.

Andrea Lidsom, e tërhequr nga raundi përfundimtar për Dauning Strit në vitin 2016 pas kritikave për deklaratën se fakti i të qënurit nënë i jepte avantazh ndaj Mej, ka qenë ministre për marrëdhëniet me parlamentin dhe një mbështetëse e madhe e Brexit. Një admiruese e Margaret Theçër, Lidsom 55 vjeç, ka punuar 30 vjet në bankë në Londër. Në momentin e hyrjes në politikë ajo mori famë gjatë fushatës për referendumin e 2016-ës kur ishte nënsekretare e energjisë.

I emëruar ministër për Brexit në korrik të 2018-ës, Dominic Raab u dorëhoq katër muaj më vonë sepse ishte në contrast të plotë me Tereza Mej për sa i përket marrëveshjes për Brezit. Një marrëveshje të cilën ai e cilësonte të keqe për ekonominë dhe demokracinë britanike. 45 vjeçari euroskeptik nuk e ka refuzuar idenë e të qënit kryeministër.

Avokat i specializuar në drejtësi ndërkombëtare, ish nëpunës në një bankë, djali i një shoferi autobusi pakistanez, Saxhid Xhavid, 49 vjec, aktualisht është një figurë me shumë influencë në partinë konservatore. I emëruar në prill të 2018-ës ministër i brendshëm, mbështetës i ideve të Theçër dhe tregtisë së lirë, ai e kundërshtonte Brexit fillimisht. Por më pas ai ndërroi qëndrim.

Mett Henkok, 40 vjeç, ministër shëndetësie, është një figurë në ngritje mes konservatorëve në krizë; një i moderuar i cili konsiderohet i aftë në skenën mediatike. Në vitin 2016 ishte kundër Brexit, por më pas mbështeste fuqishëm marrëveshjen e Tereza Mej për daljen nga Bashkimi Europian.

Rory Stewart, 46 vjeç, në drejtim të ministrisë së jashtme gjithashtu kundërshton një Brexit pa marrëveshje.

E ndërsa këta janë kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Mej, Dauning Strit përgënjeshtroi faktin se Mej mund të qëndrojë në postin e kryeministres dhe pas zgjedhjes së një lideri të ri tek konservatorët. /ABC News Albania 24/7

107227203_hero_trump_may_9_getty.jpg
Sej rie19:00 | 04/06/2019

Presidenti Donald Trump ka marrë të gjithë vëmendjen në konferencën për shtyp të mbajtur të martën me kryeministren britanike Theresa May. Ndryshe nga më parë, Trump ka lënë mënjanë tonet ironike dhe mosmarrërveshjet mes dy vendeve, duke zgjedhur të vlerësojë figurën e zonjës Mej dhe të premtojë marrëveshje të mëdha pas daljes së Britanisë nga BE-ja.

Në ditën e dytë të vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti Donald Trump i premtoi Britanisë një marrëveshje “fenomenale” tregtare pas daljes nga BE-ja. Në konferencën për shtyp të mbajtur me kryeministren Theresa May, Trump la mënjanë mosmarrëveshjet mes dy vendeve sa i takon një sërë çështjesh dhe vlerësoi aleancën mes tyre. “Është aleanca më e madhe që bota ka njohur ndonjëherë”, deklaroi Trump.

Ndryshe nga më parë, kur nuk i kursente tonet kritike, Trump këtë herë vlerësoi figurën e kryeministres Mej, duke e cilësuar atë një “profesioniste të jashtëzakonshme”. Një nga pikat kyçe të mosmarrëveshjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë ka qenë vendimi i kësaj të fundit për t’i lejuar kompanisë kineze “Huaëei” një rol të kufizuar në ndërtimin e rrjetit të internetit 5G. Por pas një orë bisedime me kryeministren Mej, Trump tha se çdo problem mund të zgjidhet. “Kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme të bazuar tek inteligjenca, ndaj do të jemi në gjendje të tejkalojmë çdo mosmarrëveshje”, tha Trump. “Ne e biseduam këtë çështje dhe unë nuk shoh asnjë limit mes nesh.

Kjo është një aleancë e madhe dhe ne nuk do të kemi probleme me njëri-tjetrin”, shtoi ai. Irani, një tjetër pikë e nxehtë mes Uashingtonit dhe Londrës, me zor u prek nga Trump në konferencën e shtypit. “Britania është një vend i madh dhe është normale që të kërkojë të ruajë identitetin e tij, të ketë kufijtë e tij dhe të zhvillojë politikat e tij”, vijoi presidenti amerikan. Ndërsa sa i takon Breksit ai theksoi se duhet të ndodhë sa më parë dhe t’i hapë rrugë një marrëveshjeje tregtare madhore.

“Ndërsa Britania po përgatitet të dalë nga BE, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për arritjen e një marrëveshjeje fenomenale mes dy vendeve. Ka një potencial të madh, dy ose tre herë më shumë se tregtia aktuale”, tha Trump.

Nga ana e saj, kryeministrja Mej vlerësoi gjithashtu aleancën e “çmuar dhe të thellë” mes dy vendeve dhe tha se miqtë duhet të hapen me njëri-tjetrin kur kanë mosmarrëveshje. “Unë gjithmonë kam folur hapur me ty, Donald, kur kemi patur qasje të ndryshme dhe t’i ke bërë të njëjtën gjë me mua”, tha May. Shefja në ikje e qeverisë britanike theksoi se, bashkëpunimi dhe kompromisi janë bazat e një aleance të fortë dhe nuk ka gjë më të vërtetë se kjo kur bëhet fjalë për Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë./ABC News Albania 24/7

107092930_may.jpg
ent ela12:40 | 26/05/2019

Janë 8 politikanët britanikë që kanë shprehur ambicjen për të zëvendësuar kryeministren në ikje Theresa Mej. Gara më e fortë parashikohet mes atyre që njihen si promovuesit e Breksit, ish-ministri i Jashtëm Boris Xhonson dhe ministri i Mjedisit, Majkëll Gov.

Ministri britanik i Mjedisit, Majkëll Gov është politikani i fundit që i është bashkuar garës për postin e kryetarit të konservatorëve, duke sfiduar kështu ish-aleatin e tij pro-Breksit, Boris Xhonson. Kjo do të thotë se dy figurat kyçe të fushatës për daljen nga BE-ja do të luftojnë për të çuar në fund procesin e Breksit.

Më parë, ata u përplasën në garën për lidership të vitit 2016, e cila u fitua nga kryeministrja në ikje Theresa Mej. Deri tani janë 8 kandidatët që kanë njoftuar ambicjet e tyre për postin e kryetarit, që kur Mej njoftoi se do të largohet nga detyra më 7 qershor. Ish-sekretari i Breksit, Dominik Reb dhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Andrea Lidsom publikuan vendimin e tyre për t’iu bashkuar garës në gazetat e së dielës.

Ata iu bashkuan kështu ministrit të Jashtëm Xheremi Hant, ministrit për Zhvillim Ndërkombëtar Rori Stjuart, ministrit të Shëndetësisë Met Henkok dhe ish-ministres së Punës dhe Pensioneve, Ester Mek Vej. Të gjithë kandidatët janë përpjekur të vënë në dukje qëndrimin e tyre në lidhje me Breksit përpara zgjedhësve. Një vijë ndarëse është verifikuar mes Boris Xhonson, që ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar duhet të përgatitet të dalë nga BE më 31 tetor pa një marrëveshje dhe kandidatëve që kundërshtojnë opsionin në fjalë. Sidoqoftë, pikëpamja e fituesit të mundshëm do t’i japë formën Britanisë së Madhe në vitet e ardhshme, shkruan BBC në edicionin online. /ABC News Albania 24/7

107092930_may.jpg
ent ela11:25 | 24/05/2019

Tereza Mej ka dhënë dorëheqjen si kryeministre e Britanisë së Madhe dhe nga drejtimi i partisë së saj. Me lot në sy ajo u shpreh se i kishte shërbyer vendit që donte dhe se tashmë i takon pasardhësit të saj të nxjerrë përfundimisht vendin nga Bashkimi Europian.

Kryeministrja britanike Tereza Mej deklaroi se do të largohet nga posti i saj në 7 qershor. Sipas burimeve të qeverisë për BBC, Mej do të përgatisë dhe një kalendar për nisjen e procedurave për emërimin e pasardhësit të saj. Gjë që do të ndodhë në 10 qershor pas vizitës në Mbretërinë e Bashkuar të presidentit amerikan Donald Tramp, në program për 3 qershor. Mes lotëve ajo u shpreh para gazetarëve se i kishtë shërbyer vendit që donte.

“Më vjen shumë keq dhe do më mbesë peng që nuk arrita të çoj deri në fund procedurat e Brexit,” theksoi Mej uke shtuar se tashmë do i takojë liderit të ri detyra për të gjetur një marrëveshje, e cila do të nxirrte vendin nga Bashkimi Europian. Mej u shpreh se një gjë e tillë mund të arrihet vetëm nëse deputetët do të binden të arrijnë një marrëveshje.

“Bëra të pamundurën për të bindur deputetët që të mbështesnin atë marrëveshje e për fat të keq nuk isha e aftë për ta bërë. Dhe pse u përpoqa tre herë,” tha ajo

Para se të kthehej në zyrat e saj në Dauning Strit Mej u shpreh krenare që kishte qenë kryeministrja e dytë femër e Mbretërisë së Bashkuar pas Margaret Theçer.

/ABC News Albania 24/7

leadson-1280x720.jpg
Sej rie23:30 | 22/05/2019

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Mbretërinë e Bashkuar, Andrea Leadsom ka dhënë dorëheqjen nga radhët e qeverisë britanike duke deklaruar se nuk beson se qasja e ekzekutivit do të realizojë Breksit. Zonja Leadsom më parë kishte garuar për kryetare të konservatorëve, por ishte tërhequr duke i hapur rrugën Theresa May për t’u bërë kryeministre. Si kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, ajo ishte në krye të organizimit të detyrave të qeverisë dhe pritej që të njoftonte se kur draft/marrëveshja e tërheqjes nga BE-ja do të prezantohej në Parlament. Dorëheqja e saj e ka çuar në 36 numrin e ministrave që janë larguar nën drejtimin e Theresa Mej, 21 prej të cilëve në lidhje me Breksit. Përmes një deklarate, qeveria britanike shprehu zhgënjimin e saj për këtë vendim të Leadsom./ABC News Albania 24/7

 

May-brexit-1280x580.jpg
nev ila23:40 | 21/05/2019

Në Mbretërinë e Bashkuar kanë nisur të dalin në dritë detajet e marrëveshjes së re të Breksit, që po përgatit kryeministrja Mej në prag të votimit të radhës. Por pavarësisht risive, mbështetja e laburistëve për miratimin e draftit duket ende larg.

Kryeministrja britanike Theresa Mej ka nisur publikimin e detajeve të reja mbi marrëveshjen e Brexit, për të siguruar mbështetjen e deputetëve laburistë. Më herët, kabineti i Mej ra dakord mbi idenë e një marrëdhënieje të përkohshme doganore mes Britanisë dhe BE-së deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, mbi masat për ambjentin dhe të drejtat e punëtorëve.

Këto aspekte do të përfshihen në draft/marrëveshjen e tërheqjes që do të kalojë për votim në Dhomën e Përfaqësuesve në qershor. Disa ligjvënës, përfshirë konservatorë që mbështesin Brexit, kanë deklaruar se do të votojnë kundër draftit.

Sidoqoftë, kryeministrja Mej informoi deputetët dhe ministrat mbi përmbajtjen e marrëveshjes së re, që duhet të miratohet nga Parlamenti për t’u kthyer në ligj dhe për të dalë nga BE në mënyrë të rregullt.

Deri tani, deputetët e kanë rrëzuar tre herë marrëveshjen e negociuar mes Londrës dhe Brukselit dhe përpjekja e konservatorëve për të arritur një kompromis me laburistët dështoi javën e kaluar.

Në fjalimin e mbajtur, kryeministrja Mej u tha ministrave të saj se, drafti për marrëveshjen e tërheqjes është një automjet që do ta largojë Mbretërinë e Bashkuar nga BE-ja dhe në këtë aspekt është jetike gjetja e një mënyre për ta futur automjetin në korsinë e duhur. Kur të publikohet i plotë, drafti do të përmbajë edhe ndryshime të tjera./ABC News Albania 24/7

MBULIM-FITON-MAY-1280x780.jpg
ent ela13:53 | 19/05/2019

Kryeministrja Theresa Mej ka deklaruar se ligjvënësve britanikë do t’u paraqitet një marrëveshje e re dhe e përmirësuar për Breksit në votimin e radhës që mbahet në fillim të qershorit. Në një shkrim në “Sandej Tajms”, Mej tha se, deputetëve do t’u jepet një “ofertë e guximshme”. Drafti i ri pritet të përmbajë masa mbrojtëse shtesë për punëtorët dhe përmes tij kryetarja e qeverisë do të përpiqet të sigurojë mbështetjen e disa ligjvënësve laburistë, me qëllim miratimin tërësor të planit të saj. Lajmi për draftin e ri vjen pak ditë pasi bisedimet mes konservatorëve dhe laburistëve në lidhje me Breksit dështuan. Vetë Mej njoftoi gjatë javës se ligjvënësit do të votojnë për planin e ri, që do ta kthente marrrëveshjen e divorcit me Brukselin në ligj, më 3 qershor. Në rast dështimi, që do të ishte i katërti rresht, Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja pa një marrëveshje më 31 tetor. Laburistët kanë deklaruar se do të votojnë kundër planit, kundër të cilit janë edhe shumë konservatorë, gjë që e bën miratimin tejet të vështirë. Por në shkrimin e saj, zonja Mej tha se, nuk do t’u kërkojë deputetëve që thjesht të rishikojnë qëndrimin e tyre për të njëjtën marrëveshje, por për një akord të përmirësuar, me një paketë masash, që sipas saj do të sigurojë mbështetje. /ABC News Albania 24/7

mayyy.jpg
ent ela23:59 | 16/05/2019

Theresa Mej ka pranuar të hapë rrugën për një pasardhës në krye të qeverisë nëse plani i saj për Breksit do të dështojë sërish në Parlamentin britanik. Me të marrë dhenë lajmi, ish-ministri i Jashtëm Boris Xhonson ka konfirmuar kandidaturën e tij për postin e kreut të qeverisë.

Kryeministrja britanike Theresa Mej ka premtuar se do të caktojë një datë për zgjedhjn e pasardhësit të saj, pas votimit të radhës për Breksit që do të mbahet në qershor. Vendimi vjen pas një takimi mes kryetares së qeverisë dhe figurave të hershme të konservatorëve, që po kërkojnë një datë për largimin e saj nga Dauning Strit. Mej i mbijetoi një votëbesimi të kërkuar nga konservatorët e saj në fund të vitit të kaluar dhe rregullat e partisë thonë se ajo nuk mund të sfidohet për postin e kryetares së qeverisë deri në dhjetor. Por Mej është ndodhur nën një presion të fortë për të dhënë dorëheqjen për shkak të ngecjes së marrëveshjes së Breksit dhe rezultateve të dobëta të konservatorëve në zgjedhjet lokale të mbajtura në Angli. BBC shkruan në edicionin e saj online se, do të ishte e paimagjinueshme që Mej të qëndronte në detyrë nëse plani i saj për daljen nga BE-ja do të refuzohej për të katërtën herë. Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm britanik, Boris Xhonson ka konfirmuar se do të garojë për postin e kryetarit të konservatorëve menjëherë sapo Mej të largohet. I pyetur në një event të mbajtur në Mançester nëse do të jetë kandidat, ai është përgjigjur shkurt: “Sigurisht që po”. Ndërkohë, figura të tjera pritet të hedhin kandidaturën për postin e liderit, që njëkohësisht në rast zgjedhjeje do të bëhet edhe kryeministër. /ABC news Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono