maurizio sarri

elseid-hysaj.jpg
G. P.22:37 | 10/11/2018

Ka lajme të mira nga Napoli për Elseid Hysajn. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është pranë rinovimit me klubin e Serisë A

Karriera pritet të vazhdohet pikërisht këtu. Napoli do të jetë sërish skuadra e Elseid Hysajt, ndërsa mbrojtësi shqiptar e klubi italian po përmirësojnë marrëdhëniet. Mediat në Apenine bëjnë me dijë se ka pasur afrim mes palëve dhe se pritet të arrihet një marrëveshje për rinovim të kontratës, deri në vitin 2023.

Agjenti i Hysajt, Mario Xhufredi raportohet se është takuar me presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentis, dhe se besohet që rroga e mbrojtësit shqiptar të jetë 3 milionë euro në sezon. Hysaj, në të vërtetë, nuk ndihet aspak keq në Napoli, ku kalon shkëlqyeshëm me shokët e skuadrës, dhe luan në një ekip që merr pjesë rregullisht në Ligën e Kampionëve.

Vështirësitë me trajnerin Ançeloti besohet se mund të lihen pas dhe shqiptari ta ketë sërish rolin e rëndësishëm që ka pasur në të kaluarën. Pati shumë zëra që Hysaj mund të kalonte tek Çelsi, me ish-trajnerin e tij tek Empoli dhe tek Napoli, Mauricio Sarrin, por për momentin asgjë e tillë nuk do të ndodhë.

Napoli nuk dëshiron ta humbasë lehtë një lojtar kaq të rëndësishëm, që luan edhe me kombëtaren e Shqipërisë, dhe pritet që klauzola e tij e transferimit të jetë plot 50 milionë euro./abcnews.al

 

napoli2.jpg
G. P.22:55 | 23/04/2018

Suksesi i Napolit ndaj Juventusit nuk ishte vetëm një fitore futbolli. Trajneri Sarri e quan një fitore të popullit, ndërsa qyteti i Italisë së Jugut pret titullin si në kohën e Maradonës.

Tre vjet më parë, dilte në skenë me një barrë të rëndë mbi supe.

Maurizio Sarri ishte caktuar trajner i Napolit, skuadrës së qytetit të tij të lindjes, dhe për të nuk ishte e lehtë të përmbante veten.

“Jam i emocionuar prej 20 ditësh, – u shpreh ai në prezantim, – kam qenë i emocionuar për Napolin që kur isha kundërshtar”.

Misioni i tij ishte thuajse i pamundur, të rikthente Napolin në lavdinë e dikurshme, të kohës së Diego Armando Maradonës.

U desh të vinte minuta e fundit e sfidës së fundit, asaj të së dielës në mbrëmje në stadiumin e superfuqisë Juventus, që Sarri t’i afrohej realizimit të misionit të tij të madh.

Goli i Kulibalit solli fitoren dhe diferencën prej vetëm 1 pike me kreun.

Në të njëjtën kohë, disa qindra kilometra më në jug, festa ishte masive.

I gjithë Napoli, shprehimisht, kishte dalë në rrugë, i pushtuar nga emocione që në kohët moderne i jep vetëm futbolli.

Ishte sikur të ishte fituar pavarësia, apo sikur qyteti të kishte shpëtuar nga ndonjë fatkeqësi e madhe.

Në Veri të Italisë, në Torino, Mauricio Sarri e shprehu kështu.

Maurizio Sarri: “I kemi dhënë një kënaqësi tepër të madhe një populli të tërë. Kjo sepse ne jemi e vetmja skuadër që përfaqëson një popull, sepse jemi i vetmi qytet i madh vetëm me një skuadër. I kemi dhënë një kënaqësi që shkon përtej klasifikimit dhe çdo diskutimi që mund të bëhet”.

Në stadiumin tashmë mitik, “Allianz Arena”, u luajt vërtet një ndeshje e madhe, ashtu siç pritej, por jo nga ata që priteshin.

Ishte Napoli krejt papritur dominuesi, edhe pse fitorja erdhi vonë.

Ishte merita e plotë e Sarrit që përballë superfuqisë absolute të Italisë nxorri një ekip pa asnjë hije frike, të bindur se mund t’ia dilte edhe në “gojë të ujkut”.

Nuk mund të kishte përmbajtje në dhomën e zhveshjes, aty ku kjo skuadër nuk kishte mundur të festonte asnjëherë, pasi nuk kishte mundur të fitonte asnjëherë.

Shumë të rralla janë skuadrat që ia kanë dalë.

Në mes heronjve edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj.

Ky Napoli po, që mund ta fitojë titullin, edhe pse është 1 pikë prapa.

Këtë e ndjenë edhe tifozët që vërshuan me mijëra për të pritur ekipin e tyre në aeroportin e Kapodikinos, njëlloj siç bënë mijëra tifozët shqiptarë kur kombëtarja u kthye nga Beogradi.

Festa nuk mund të mos pushtonte edhe shëtitoren dhe rrugën buzë detit,

Kremtimi zgjati aq shumë sa ishte e udhës, derisa publiku napolitan shpenzoi edhe energjitë e fundit dhe shkoi të flinte me ëndrra për titullin.

Vlerësimi i mediave sportive italiane ishte i gjithi.

Gazeta “Tutosport” e Torinos nuk ka mëdyshje: Këndon Napoli, qan Juventusi!

Media kryesore sportive, “La Gazetta dello Sport” nga Milano: Napoli në -1. Koka është këtu!

Ja edhe “Il Corriere dello Sport”, që thekson: Napoli, goditje për titull. KulibaBUM!

Kalendari I mbetur në Serinë A favorizon Napolin, që do të luajë në fushën e Fiorentinës, do të presë Torinon, do të shkojë në Gjenovë ndaj Sampdorias dhe do të presë së fundi Krotonen.

Juventusi do të luajë në Milano ndaj Interit, pastaj në Torino ndaj Bolonjës, do të shkojë në fushën e Romës.

Trajneri Sarri gjithsesi nuk ka dëshirë të gëzohet para kohe.

Maurizio Sarri: “Ky është viti i 7, gjashtë i kanë fituar dhe janë sërish në krye edhe këtë vit, 4 javë para fundit. Është një stërpushtet teknik, taktik, ekonomik, i të gjithë llojeve. Në 3 sezonet e fundit kanë qenë 2 herë në finale të Championsit. Është e qartë se po luftojmë ndaj një realiteti tepër të madh e të fuqishëm. Merita jonë është që e mbajtëm kampionatin të hapur, ndoshta i vetmi nga kampionatet e mëdhenj të Europës që mbetet i hapur. Gjithsesi, është pak e mundshme që Juventusi të humbasë pikë, pra gjithçka e kanë në dorë ata”.

Çfarëdo që të thotë Sarri, Napoli ka në mendje vetëm këtë ditë, fitoren e titullit të parë kampion në 1987, kur skuadra e udhëhequr nga Diego Armando Maradona, këndonte “O Sole mio”, së bashku me këngëtaren napolitane, Lina Sastri./abcnews.al

Hysaj.jpg
G. P.17:07 | 11/02/2018

Napoli vazhdon të mbajë kreun e Serisë A, pavarësisht presionit të madh të Juventusit. Skuadra e trajnerit Sarri ka mundësi të fitojë titullin, ndihmuar edhe nga kontributi i madh i Elseid Hysajt.

Fundi ishte e mrekullueshme në “San Paolo”.

Edhe pse pjesa e parë ndaj Lacios i bëri me zemër dhjetëra mijë tifozë, sërish Napoli ia doli dhe u rikthye me forcë në krye të renditjes së Serisë A.
Aspak gjë e vogël një sukses 4-1 ndaj një skuadre kaq të fortë si ajo laciale, sidomos e jashtëzakonshme ishte loja në 45 minutat e dyta.
Nën drejtimin e trajnerit Mauricio Sarri pritet të realizohet ëndrra, të fitohet kampionati, siç bëri Napoli i Diego Armando Maradonës në 1987 e 1990, dy titujt e vetëm në historinë e klubit.
Sarri tregon se çfarë është gati të japë për t’ia dalë.

Maurizio Sarri: “Nëse më kërkoni një çek me 5 milionë euro nuk mund t’ua jap sepse nuk i kam. Unë mund të jap vetëm atë që kam. Njerëzve tanë, napolitanëve që i kam në zemër, mund t’u jap vetëm shpirtin tim, sepse unë jam shpirtin për këtë skuadër, punoj me gjithë zemër. Nuk di nëse kjo do të mjaftojë apo jo, por vetëm këtë mund të jap”.

Në mes yjeve të tillë si Kajehon, Insinje apo Mertens, në fushë ishte edhe Elseid Hysaj, që gjithashtu ra shumë në sy.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, që besohet se kërkohet deri edhe nga Reali i Madridit, ishte i papërmbajtshëm nga krahu i djathtë, duke dalë vazhdimisht në sulm.

Merita e shkodranit ishte e padiskutueshme, dhe fytyra e tij u shfaq vazhdimisht në kamera për ta parë e gjithë bota.
I pafajshëm Tomas Strakosha në krahun e Lacios, me portierin shqiptar që nuk gaboi asgjë ndonëse pësoi 4 gola.
A mund t’ia dalë ky Napoli në një rivalitet të ashpër me superfuqinë e Italisë, Juventusin?
Trajneri Sarri ka besim.

Maurizio Sarri: “Mendoj se në pjesën e dytë kemi luajtur më shumë me tru, në krahasim me pjesën e parë, ku luftuam më shumë fizikisht, gjë që ishte më shumë në favor të tyre. Pas pushimit u mbështetëm më shumë tek teknika dhe shpejtësia, ku mund të kishim diçka më shumë se Lacio. Djemtë u treguan shumë të zotë. Nëse luajmë vazhdimisht si në pjesën e parë, mund të mundim këdo”.

Napoli kryeson me 63 pikë ndaj 62 të Juventusit, kur duhen edhe 14 ndeshje deri në mbyllje të sezonit.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, nuk do të jetë aspak çudi që Maradona të kthehet sërish në Napoli për të takuar skuadrën, tashmë si kampione./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono