masat e sigurise

policia_protesta.jpg
Vladimir Prenga14:20 | 27/02/2020

Policia e Tiranës ka publikuar masat e sigurisë që janë ndërmarrë për takimin derbi të kryeqytetit, mes Tiranës dhe Partizanit, që luhet nesër prej orës 19:00 në “Air Albania Stadium”. Në njoftimin e bërë raportohet rrugët që do të jenë të bllokuara, ndërkohë që bëhen me dije rrugët ku do të kalojnë tifozëritë respektive. Ndër të tjera theksohet se fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen pa praninë e prindërve, ndërkohë që tifozët nuk duhet të përdorin maska apo shaje për të mbuluar fytyrën.

NJOFTIMI – Policia e Tiranës, masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Partizani, që do zhvillohet më datë 28.02.2020, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”.

Me qëllim marrjen e masave gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana – Partizani, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka hartuar planin e masave për mbarëvajtjen dhe sigurimin e rendit para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes. Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.

 

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, gjatë momentit të kalimit të tifozerive. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 15:00 deri në përfundim të aktivitet, janë:

– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “ Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:
– Lëvizja e tifozëve të Tiranës do kryhet: Xhamllik – ura e Rrugës së Elbasanit – rruga “Pap Gjon Pali II” – Stadium; Pallati i Operas – bulevardi “Dëshmorët e Kombit – rruga “ Barjam Curri” – rruga “Pap Gjon Pali II” – stadium.

– Lëvizja e tifozëve të Partizanit: Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi para Gardës – rruga “Lek Dukagjini” – stadiumi.

 

Policia do të garantojë dhe sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj.) dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

 

 

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit. Njëkohësisht, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium tifozë më fytyrë të mbuluar me shall, si dhe do të nxirren nga stadiumi tifozët që do konstatohen se kanë mbuluar fytyrën gjatë ndeshjes, në rast të prishjes së rendit dhe qetësisë. Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia si tifoz problematik.

Policia ju bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.

Sjellim në vëmendje se për dy ndeshjet e fundit ku pati prishje të rendit e qetësisë publike dhe shkatërrim të pronës, Policia e Tiranës arrestoi 4 tifozë dhe procedoi penalisht 16 të tjerë dhe vijon punën për identifikimin edhe të shumë personave të tjerë të përfshirë në këto vepra penale. Policia e Tiranës edhe njëherë apelon për tifozëritë e dy skuadrave që të tregojnë qytetari dhe të zbatojnë rregullat dhe ligjin. /abcnews.al

p084k2td.jpg
So Nila11:49 | 25/02/2020

Vendet më të rrezikuara deri më tani nga koronavirusi po rrisin masat e sigurisë për të parandaluar përhapjen e virusit i cili globalisht ka prekur rreth 80,000 persona.

Në Korenë e Jugut, numri personave të prekur është rritur përsëri duke shkruar në 977.  Amerikanët kanë paralajmëruar qytetarët që mos të udhëtojnë.

Italia dhe Irani ndërkohë po luftojnë për të parandaluar më tej përhapjen e virusit. Organizata Botërore e Shëndetit tha të hënën se bota duhet të përgatitet për një pandemi të mundshme – një situatë kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht midis njerëzve në shumë vende shkruan BBC.

OBSH tha që ishte shumë herët për ta cilësuar si pandemi por vendet duhet të jenë “në fazë gatishmërie”.

1.Të dhënat e fundit nga Kina

Qeveria kineze ka ndaluar konsumimin e kafshëve të egra dhe importimin e kafshëve të gjalla.

Mendohet se shpërthimi u hap në një treg në qytetin Wuhan, provincën Hubei, ku shiteshin kafshë të egra.

 

Kina gjithashtu tha se do të shtyjë takimin vjetor të Kongresit Popullor muajin tjetër. Të hënën u raportuan 508 infeksione të reja, krahasuar me 409 të dielën. Pjesa më e madhe e rasteve të reja ishin në Wuhan.

Numri i të vdekurve në Kinë u rrit me 71 në 2.663. Më shumë se 77,000 njerëz në vend janë infektuar. Global Times raportoi se shkencëtarët kishin bërë përparime në zhvillimin e një vaksine nga një profesor në Universitetin Tianjin.

Por ekspertët paralajmëruan se deri sa të bëhen provat e plota klinike, është e paqartë se sa të sigurta apo efektive do të jenë vaksinat dhe se do të duhet të kalonin disa muaj para se ato të mund të përdoren raporton abcnews.al

Hong Kongu ka mbyllur shkollat , këtë herë deri në 20 Prill.

2.Si paraqitet situata  në vendet e tjera?

Në Korenë e Jugut, 10 njerëz  kanë vdekur pasi u infektuan me virus.
Shumë nga njerëzit e infektuar janë anëtarë të sektit fetar sekret të njohur si Kisha Shincheonji e Jezusit. Autoriteteve shëndetësore u janë dhënë detajet e një çerek milioni anëtarësh për të kontrolluar nëse kanë simptoma.

Presidenti Moon Jae-in ka vizituar qytetin më të prekur nga virusi Daeg. Ai tha se koha ishte thelbësore në kontrollin e virusit por u përball me protestuesit që kërkonin më shumë maska.

Japonia të martën u bëri thirrje kompanive të realizojnë konferenca për të parandaluar përhapjen e virusit, njoftoi NHK. Japonia ka konfirmuar se më shumë se 850 persona janë infektuar.

Italia ka numrin më të madh të infektuarve në Europë 231, dhe njoftoi për një sërë masash drastike gjatë fundjavës në përpjekje për të kontrolluar përhapjen.

Në rajonet e Lombardisë dhe Venetos, është bllokuar dalja. Për dy javët e ardhshme, 50,000 banorë nuk do të mund të largohen pa leje speciale. Një numër i ndeshjeve të futbollit do të luhen në stadiume boshe fundjavën e ardhshme.

Ndërkohë që janë raportuar për 7 persona të vdekur. Një mjek italian nga rajoni i Lombardisë rezultoi pozitiv ndaj virusit gjatë pushimeve në Tenerife, Spanjë dhe është futur në karantinë raporton abcnews.al

Tre vdekje të tjera janë regjistruar në Iran, thonë mediat shtetërore, duke çuar  numrin e të vdekurve në 15.

Shtetet e Bashkuara do të shpenzojnë $ 2.5bn (£ 1.93bn) për të luftuar koranavirusin,duke përfshirë fondet për karantinë, kërkimin e vaksinës dhe ndihmën për shtetet e prekura, njoftuan mediat amerikane. Deri më tani janë raportuar 53 raste në SH.B.A.

3.Deklarata e OBSH-së

Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus u tha gazetarëve të hënën se numri i të infektuarve ditëve të fundit në Iran, Itali dhe Korenë e Jugut ishte “tepër shqetësues”.
Sidoqoftë ai shtoi: “Për momentin ne nuk jemi dëshmitarë të përhapjes globale të pakontrolluar të këtij virusi dhe nuk jemi dëshmitarë të një sëmundjeje të rëndë ose vdekjeje në një shkallë më të gjerë.

“A ka ky virus potencial pandemik? Absolutisht, ai ka. A jemi akoma atje? Nga vlerësimi ynë, jo akoma”, mbylli deklaratën shefi i OBSH-së./abcnews.al

libertadores-1280x720.jpg
Vladimir Prenga09:51 | 16/11/2019

Finalja e Libertadores, Flamengo-River Plate,  është programuar të zhvillohet më 23 nëntor prej orës 17:00 në stadiumin “Monumental De Lima” në Peru. Conmebol ka përcaktuar edhe rregulltar e sigurisë dhe bien në sy disa gjëra të veçanta.

Për arsye sigurie nuk do të lejohen në stadium personat që dallohen qartë të dehur, ose që nuk janë të vetëdijshëm për shkak të përdorimit të drogave të ndryshme. Gjithashtu janë përcaktuar edhe sendet që nuk lejohen në stadium.

Në njoftimin e bërë, thuhet se do të ndalohet çdo element që kufizon identifikim e tifozëve, si vendosja e syzeve të diellit apo vënia e kapeleve. Sigurisht është e ndaluar hyrja në fushë apo futja e sendeve të forta, që do të ishin të rrezikshme për mbarëvajtjen e ndeshjeve. /abcnews.al

arena3-1.jpg
Vladimir Prenga09:27 | 16/11/2019

Shqipëri-Francë do të mobilizojë një numër të madh forcash rendit për të garantuar sigurinë. Rreth 1650 policë do të jenë të gatshëm, ndërkohë që FSHF ka kontraktuar BBS Security për stjuartët, që do të jenë mbi 350. Policia e Shtetit së fundmi ka publikuar edhe masat e marrë për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe zbulon gjithçka.

“Në kuadër të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe struktura të tjera të Policisë do të marrin një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por edhe krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, brenda në stadium dhe në qytetin e Tiranës”, njofton policia.

Njoftimi i plotë

“Policia e Shtetit njofton se në datën 17.11.2019, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare” Tiranë, do të zhvillohet ndeshja ndërkombëtare e futbollit midis Shqipërisë dhe Francës, e vlefshme për eliminatorët e Kampionatit Europian të Futbollit “Euro 2020”.

Në kuadër të planit të masave të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe struktura të tjera të Policisë do të marrin një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por edhe krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët, brenda në stadium dhe në qytetin e Tiranës.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara, informojmë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm, tifozërinë vendase, atë të ardhur nga treva të tjera dhe tifozërinë e ekipit të Francës, që do të ndjekin ndeshjen në stadiumin “Arena Kombëtare”, se për mbarëvajtjen normale të aktivitetit sportiv do të merren disa masa ndaluese dhe kufizuese mbi qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore që lidhen me të, si më poshtë:

*Për lëvizjen e automjeteve në zonën në afërsi të stadiumit “Arena Kombëtare”, do të jenë të lira vetëm akset rrugore “Rruga e Elbasanit” dhe Unaza, në të dy drejtimet e lëvizjes së saj. Në të gjitha rrugët hyrëse në këtë zonë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve.

*Parkimi dhe qëndrimi i automjeteve në zonën e mësipërme nuk do të lejohet. Të gjitha automjetet që janë të parkuara brenda zonës së mësipërme, nga ora 12:00 e datës 17.11.2019 duhet të largohen.

*Automjetet e autorizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese në xhamin e përparmë dhe do të hyjnë nëpërmjet bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek Ura e Lanës, Libri Universitar dhe Presidenca, me drejtim sheshin “Nënë Tereza” – Rektorati i UT. Në këtë pikë kontrolli për të gjitha automjetet do të bëhet kontrolli antieksploziv i tyre.

*Për parkim të automjeteve në qytetin e Tiranës do të përdoren këto vende:
•Automjetet që vijnë nga Elbasani: autobusët do të parkohen në sheshin e lokal “Calvin”, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Fakultetit Ekonomik.
•Automjetet që vijnë nga Rruga e Durrësit: autobuzët do të parkohen tek ish-dogana, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, si dhe te parkingu nëntokësor në sheshin “Skënderbej”.
•Automjetet që vijnë nga “Rruga e Kavajës”: autobusët do të parkohen në Kombinat – Qyteti i Nxënësve, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

*Pikat e kontrollit dhe orientimi i tifozërisë:
•Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, Policia e Shtetit do të bllokojë nga ora 17:30 të gjithë zonën rreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Për këtë do të ngrihen pika kontrolli, për të  orientuar tifozërinë që sipas sektorëve të biletave të drejtohen për hyrjen në stadium dhe konkretisht:
1.Pika e kontrollit midis Rektoratit dhe Mak Albania Hotel: do të hyjnë vetëm tifozët francezë me biletën në sektorin“S” (Jug), si dhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja.

2.Pika e kontrollit tek kolonat midis Rektoratit dhe Muzeut Arkeologjik: do të hyjnë vetëm tifozët VIP me biletën në sektorin“Ë” (Perëndim).
3.Pika e kontrollit midis Pallatit të Kongreseve dhe Hotel Rogner: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).

4.Pika e Kontrollit tek COIN: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“N” (Veri).
5.Pika e Kontrollit tek “Piceri Fiore” në rrugën “Dervish Hima”: do të hyjnë vetëm tifozët me biletën në sektorin“E” (Lindje).

Për të qartësuar qytetarët, orientimi i sektorit ku ata kanë biletën, të bëhet sipas specimentit bashkëlidhur njoftimit.

Parkingu i automjeteve në pjesën lindore të stadiumit “Arena Kombëtare”, në datën 17.11.2019, nuk do të funksionojë dhe nuk duhet të mbahen automjete të parkuara gjatë kësaj date.

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20:45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 18:30. Ftojmë qytetarët të afrohen pas kësaj ore për të hyrë në stadium dhe mos ta lënë për minutat e fundit.

Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave, si dhe pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi do të kontrollohen fizikisht të gjithë. Edhe automjetet e autorizuara nga FSHF-ja për parkim në parkimin nëntokësor përreth stadiumit do të kontrollohen në hyrje tek pika e kontrollit tek Rektorati.

Njoftojmë qytetarët shqiptarë se kanë hyrë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, në bazë të të cilit klasifikohen vepra penale veprimet e parashikuara në nenin 274/a “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportive” dhe dënohen deri në tre vjet burgim, si dhe konsiderohen vepra penale “Veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive”, të parashikuara në nenin 274/b, si hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e komunitetit dhe të drejtuesve të automjeteve, të shmangin zonën ku zhvillohet aktiviteti sportiv duke përdorur akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin.

/abcnews.al

MASAT-E-SIGURISE-TEK-EKONOMIKIU.mpg_snapshot_00.32-1280x720.jpg
ent ela16:29 | 08/11/2019

Pas konfliktit të ndodhur pak ditë më parë, drejtuesit e Fakultetit Ekonomik në Tiranë kanë shtuar masat e sigurisë për hyrjen e studentëve në auditore.

Pas konfliktit, shtohen masat e sigurisë për studentët në Fakultetin e Ekonomisë në Tiranë.  Studentët që janë transferuar  në ambientet e përkohshme tek ish-mensa e Qytetit Studenti dhe auditorët e godinës “Liria” do futen në mësim vetëm me Kartën e Studentit. Administratori i Fakultetit Ekonomik, Ermal Haxhiaj shpjegon vendimin e marrë për rritjen e masave të sigurisë.

Së shpejti në këtë fakultet parashikohet të implementohet edhe sistemi i check-init për rreth 5 mijë student.

Pasditen e së hënës në ambientet e Fakultetit Ekonomik u konfliktuan një grup studentësh me dy të rinj nga jashtë. Por, edhe pse policia i ka identifikuar autorët e konfliktit, nuk ka bërë ende arrestimin e tyre. /abcnews.al

 

 

KRONIKE-POLICIA-PER-PROVIMET-E-MATURES-1280x720.jpg
ent ela14:26 | 07/06/2019

Policia e shtetit ka angazhuar rreth 560 efektivë për mbarëvajtjen e procesit të provimeve të maturës në të gjitha gjimnazet e vendit. Këto masa sigurie përfshijnë edhe ruajtjen e Agjencisë Kombëtare të Provimit dhe qendrat e kontrollit të provimeve.

Nga 30 maji Policia e Rendit ka marrë në ruajtje 24 orë Agjencinë Kombëtare e Provimit dhe Qendrat e Kotrollit të Provimit, konkretisht në Tiranë, Shkodër, Fier, Korçë dhe Elbasan.

Për siguri maksimale, Policia e Shtetit ka planifikuar me shërbim një numër të lartë të punonjësve të saj si edhe 45 automjete.

Shërbimet policore në të gjitha strukturat vendore, monitorojnë 206 shkolla nga jashtë me shërbime policore gjithë procesin e provimit në të gjitha shkollat ku do të zhvillohet provimi.

Pjesa më e madhe e uniformave blu kanë mbaruar shkollën bazë të policisë dhe ndjekim studimet e larta në Akademine e Sigurisë.

Kjo zgjidhje u bë me urdhër të drejtorit të policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili ka kaluar në gatishmëri pjesën më të madhe të trupës policore për shkak të protestës së të shtunës të njoftuar nga opozita.

Gjithashtu, pranë shkollave të mesme të kryeqytetit ishinë të pranishëm edhe Oficerët e Sigurisë të dalë nga projekti i pilotuar shtatorin e kaluar, policimin në komunitet.

Në të gjitha gjimnazet e vendit projekti i, i cili fillmisht u pilotua vetëm në 15 institucione shkollore.

 Gazetar ABC News: Andi Qosja


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono