marrëveshje

kina-dhe-turqia.jpg
G. P.10:06 | 02/07/2019

Presidenti turk Erdogan viziton Kinën në përpjekje për të rritur bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, megjithë diferencat politike. Turqia do të zgjerojë marrëdhëniet edhe me Lindjen, jo vetëm me Perëndimin.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mbërrin më 2 korrik në Kinë për t’u takuar me kolegun kinez, Xi Jinping. Të dy vendet kërkojnë të ngrenë marrëdhënie ekonomike dhe politike në një kohë kur marrëdhëniet e tyre me SHBA, janë në nivel të ulët.

Turqia është duke u distancuar nga SHBA dhe aleatët perëndimorë për shkak të diferencave për çështjen e Sirisë, planeve të Ankarasë për blerjen e sistemit rus S- 400 të raketave dhe dobësimit të demokracisë pas përpjekjeve të dështuara për grusht shteti, të qershorit 2016.

Prishja e marrëdhënieve ka ushqyer spekullimet e disa vëzhguesve, sipas të cilave Turqia, vend anëtar i NATO-s mund të jetë duke bërë ribalancimin e marrëdhënieve strategjike, duke u larguar nga Perëndimi dhe afruar me Lindjen, jo vetëm sepse Erdogani ka sugjeruar që Turqia t’i bashkohet Organizatës së Kooperimit të Shangait, një organ i sigurisë rajonale i përbërë nga Kina, Rusia dhe katër vende të Azisë Qendrore.

Ndërkohë, mosmarrëveshjet e vazhdueshme tregëtare midis Kinës dhe SHBA zhvillohen në një kohë kur dy ekonomitë më të mëdha të botës ndodhen në luftë gjeopolitike për pushtet, në përpjekje për të vendosur mbi rendin e ardhshëm botëror.

China Peking - Türkischer Präsident Recep Tayyip Erdogan und Chinas Präsident Xi Jinping (Reuters/J. Lee)

“Turqia ka marrëdhënie shumë të thella dhe reciproke me Perëndimin”

Sidoqoftë, takimi i tetë i Erdoganit me Xi-në që nga viti 2012, ka më shumë të bëjë me marrëdhëniet ekonomike dhe zgjerimin e marrëdhënieve edhe në fusha të tjera, dhe nuk është pjesë e zhvendosjes strategjike drejt Lindjes, thonë ekspertët.

“Marrëdhëniet e Turqisë me Kinën nuk mund të zëvendësojnë aleancën e saj me Shtetet e Bashkuara ose marrëdhëniet me Bashkimin Europian,” thotë Altay Atli, profesor në Universitetin Koc në Stamboll, i specializuar në marrëdhëniet turko- aziatike. “Turqia ka marrëdhënie shumë të thella dhe reciproke me Perëndimin.”

Ai shton se politika e jashtme e Ankarasë synon ta kthejë Turqinë në një aktor të aftë të zgjerojë marrëdhëniet me të gjitha vendet, jo si gjatë Luftës së Ftohtë kur ishte e lidhur vetëm me bllokun perëndimor.

Kadir Temiz, profesor në Universitetin Sehir të Stambollit, thotë se megjithëse Kina është duke u kthyer në një vend të rëndësishëm për Turqinë, baza e marrëdhënieve ka të bëjë me interesin e përbashkët për zhvillimin e lidhjeve ekonomike. “Diferencat më të mëdha midis tyre janë politike dhe gjeopolitike,” thotë ai. “Këto diferenca politike dhe gjeopolitike mund të kthehen në të ardhmen në prioritare nëse rritet varësia ekonomike”.

Një nga fushat e divergjencave midis Ankarasë dhe Pekinit është lufta civile në Siri, ku Turqia ka mbështetur opozitën dhe Kina ka mbështetur ekonomikisht dhe politikisht regjimin në pushtet dhe ndërhyrjen ushtarake ruse.

China Seidenstraßen-Gipfel Emine Erdogan (picture-alliance/abaca/M. Cetinmuhurdar)

Belt and Road

Tregtia bilaterale Kinë -Turqi arriti 23 miliardë dollarë në vitin 2018, sipas Zyrës së Statistikave të Turqisë, duke e kthyer Kinën në partnerin e tretë më të madh tregtar. Marrëdhëniet tregtare janë karakterizuar nga mungesë e madhe balancimi tregtar, me një nivel 18 miliardë dollarë në favor të Kinës, gjë që Turqia është duke u munduar ta zbusë duke ekspanduar eksportet dhe tërhequr investimet kineze, në një kohë që ekonomia turke është në rënie.

Pozicioni i Turqisë, në kryqëzimin e rrugëve midis Lindjes së Mesme, Kaukazit jugor dhe Mesdheut Lindor e Europës, është për Kinën shumë i rëndësishëm në iniciativën Beld and Road, të Xi-së dhe në përpjekjet e Kinës për të zgjeruar ndikimin në nivel global si kundërpërgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara

“Pozicioni i Turqisë në Iniciativën Beld and Road ka potencialin të vendosë mbi trajektoren e ardhshme të politikës së Pekinit dhe synimit për të lidhur Kinën me Europën,” thotë Temiz.

Uashingtoni dhe aleatët europianë kanë paralajmëruar se planet e Kinës për të financuar dhe ndërtuar infrastrukturë në gjithë botën mund të çojë në çarkun e borxheve, duke krijuar varësi nga Pekini për fitimet e tij strategjike.

Turqia e sheh me sy të mirë iniciativën kineze Belt and Road, duke e konsideruar si shtesë të iniciativës së vet “Middle Corridor”, për krijimin e rrjeteve të rrugëve dhe hekurudhabe përgjatë Rrugës së Mëndafshit nga Turqia nëpër Kaukaz dhe Azia Qendore deri në Kinë.

Türkei unsichere Lage für Uiguren aus China (Reuters/Murad Sezer)

Mosmarrëveshje për ujgurët

Erdogani, i cili e akuzoi Pekinin më 2009 për kryerjen e “një lloj genocidi” kundër ujgurëve, ka qëndruar relativisht i heshtur vitet e fundit, kur Kina ka grumbulluar rreth një milionë vetë kryesisht myslimanë, grupe etnike turke në provincën perëndimore, Xinjiang.

Gjendja e vështirë e kushërinjve turkë etnikë ka nxitur shqetësimin në qarqet fetare nacionaliste dhe diasporën ujgure në Turqi.

Zyrtarët turk e quajtën këtë gjendje në muajin shkurt “turp për njerëzimin” dhe “politikë sistematike asimilimi” kundër ujgurëve. Që nga ajo kohë Turqia ka ndenjur relativisht e heshtur.

Kina thotë se “kampet e riedukimit” kanë si synim të luftojnë radikalizmin islamik dhe terrorizmin. Disa mijëra xhihadistë ujgurë mendohet të kenë shkuar nëpërmjet Turqisë për t’iu bashkuar grupeve militante në Siri.

Pekini thotë se xhihadistët ujgurë të trajnuar nga Siria kanë kryer sulme në perëndim të Kinës dhe shqetësohet se luftëtarë të tjerë do të kthehen për të luftuar. Në çështjen e ujgurëve, Ankaraja kërkon të mos e zemërojë Kinën në një kohë kur ekonomia e saj është e dobësuar. Në të njëjtën kohë, Kina ka frikë se Erdogan, një figurë shumë popullore në botën myslimane, mund të nxisë ndjenjat anti-kineze nëse do të ngrinte zërin për trajtimin e ujgurëve./DW

buffon.jpg
G. P.08:30 | 28/06/2019

Portieri italian Gianluigi Buffon ka arritur marrëveshjen me Juventusin për t’u rikthyer në Torino. Legjenda italiane do të firmosë për një sezon dhe më pas do të marr një post drejtuesi.

Rikthimi i Buffon te Juventus është vetëm çështje kohe. Portieri pritet të nënshkruajë për një sezon e më pas do të marrë një post drejtuesi në klub. Legjenda e futbollit italian ka pranuar të ulë pagën nga 4 milionë euro në sezon që fitonte tek PSG në 2.5.

Jo vetëm kaq, por për të veshur edhe një herë fanelën bardhezi, Buffon pranon të jetë portier i dytë pasi Shezni është titullar i padiskutueshëm. Nëse Buffon rikthehet tek kampionët në fuqi të Italisë, ku luajti për rreth 2 dekada do të thyente një rekord që mbahet ende nga legjenda e Milanit Paolo Maldini.

Ish-mbrojtësi regjistron plot 647 aktivizime në kampionatin italian ndërkohë që Buffon është ndalur në shifrën e 640 ndeshjeve të luajtura në Serie A. Rikthimi i Buffon do të ndikonte pozitivisht edhe tek grupi i lojtarëve të Juventus, të cilët kanë një raport të shkëlqyer me 41-vjeçarin.

Buffon ka fituar çdo trofe të mundshëm në rang klubesh dhe kombëtaresh në përjashtim të trofeut më prestigjioz në Europë, Champions League. Kjo do të ishte mundësia e fundit që Buffon të shpresojë për të fituar Ligën e Kampionëve./ABC News Albania 24/7

agree-1280x828.jpg
G. P.13:37 | 08/06/2019

Është arritur marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës duke shmangur kështu hyrjen në fuqi të tarifave. Meksika nga ana e saj ka marrë përsipër  të përforcojë kontrollet në kufi për të frenuar fluksin e emigrantëve drejt SHBA.

Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë firmosur një marrëveshje me Meksikën, e cila pezullon për një kohë të pacaktuar tarifat. Kjo në shkëmbim të masave të forta për të ndaluar fluksin e emigrantëve nëpërmjet Meksikës. Meksika ka pranuar të vendosë menjëherë në gatishmëri Rojet Kombëtare për t’u përballur me emigrantët që i drejtohen Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti amerikan shkroi në profilin e tij në Tëitter se ishte i lumtur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Tarifat të cilat duhej të ishin aplikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të hënën e ardhshme, janë anuluar. Dhe gjatë kthimit të tij nga udhëtimi në Europë kreu i Shtëpisë së Bardhë kishte lënë të kuptohej se kishte shumë mundësi të arrihej një marrëveshje. Ndërsa departamenti amerikan i shtetit publikoi detajet.

Meksika ka marrë përsipër të kryejë tre gjëra: të vendosë në gatishmëri rojet kombëtare në veçanti në kufirin jugor me Guatemalën, të përforcojë aplikimin e ligjeve për emigracionin dhe të presë një numër më të madh azilkërkuesish në territorin e saj – të cilëve do u jepet një vend pune. Por Meksika ka refuzuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tu bërë një vend i tretë i sigurt. Kjo gjë do e detyronte të merrte një numër më të madh emigrantësh nga Amerika qendrore.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo falenderoi palën meksikane. Ndërsa ministri i Jashtëm meksikan u shpreh se ishte gjetur ekuilibri i duhur. Palët do të vazhdojnë bisedimet për 90 ditë të tjera për hapat e radhës. Përmbyllet në këtë mënyrë një konflikt nga i cili Trump del fitimtar, falë kërcënimit të tarifave edhe pse hyrja në fuqi e tyre do të dëmtonte dhe konsumatorët dhe ekonominë amerikane. Dhe tregjet, janë më pak të shqetësuara në pritje se si do të përfundojë beteja e tarifave me Kinën./ABC News Albania 24/7

haradinaj-samiti.jpg
nev ila18:40 | 07/06/2019

I sapokthyer nga Berlini, ku u takua me kancelaren Angela Merkel, kryeministri Ramush Haradinaj ka prekur çështjen e taksës për produktet serbe duke deklaruar se qeveria e tij është e gatshme ta pezullojë atë vetëm nëse ka një marrëveshjeje të negociuar.

Pas kthimit nga vizita zyrtare në Berlin, kryeministri Ramush Haradinaj tha se në takimin me kancelaren gjermane është vërtetuar serioziteti i Kosovës në çështjen e dialogut. Ndërsa ka përmendur dy opsione për suspendimin eventual i taksës.

Qëndrimi im është konsistent, janë dy opsione. Ose një vendim i madh, pra një konferencë një ditore, atëherë Kosova është e gatshme të suspendoj taksën deri në këtë konferencë, por me marrëveshje paraprakisht të negociueshme për një vendim për përmbyllje me kusht të njohjes, por edhe nëse e suspendojmë disa ditë, nuk e ndihmojmë procesin, se mund të zgjas me ditë dhe vjet”, tha Haradinaj.

Sipas tij Samiti i Berlinit e ka mbyllur çështjen e shkëmbimit të territoreve.

“Samiti i Berlinit e ka mbyllë çështjen e formulave të ndërrimit të territorit,  një çështje e tillë nuk ekziston tek asnjëra palë”, theksoi ai.

Ai ka thënë se nga kjo vizitë i është dhënë një shtytje procesit të liberalizimit të vizave.

Haradinaj ka qëndruar në Gjermani për dy ditë radhazi me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel, ku përveç saj ka zhvilluar edhe takime të tjera atje, ndërsa ka marrë pjesë edhe në lutjen e Mëngjesit./ABC News Albania 24/7

17-maji.jpg
G. P.16:54 | 17/05/2019

Dy vjet pas Marrëveshjes së 17 Majit mes Ramës dhe Bashës, dy palët janë sërish në të njëjtat pozicione kundërshtare. Opozitarët janë sërish në rrugë, por këtë herë pa çadër, pasi thonë se janë mashtruar nga Rama. Ndërsa kryeministri është i vendosur të mos ndryshojë datën e zgjedhjeve dhe iu përsërit kundërshtarëve ftesën: Kur do flasim?

 “Zgjedhjet nuk janë lojë, zgjedhjet nuk janë as një e drejtë e partive, zgjedhjet janë e drejta sovrane e popullit për të gjykuar partitë”, është shprehur Rama në një takim me mbështetës të PS-së në vitin 2017.

“E kanë merak, nuk do të mbyllet, por do të vazhdojë deri në institucionalizimin e plotë të Republikës së Re”, është shprehur po atë vit kreu i demokratëve Lulzim Basha.

Ishin thjesht dy vjet më të rinj, por gjuhën e kanë të njëjtë edhe dy vjet më pas.

“Negociata nuk ka. Zgjedhjet e 30 Qershorit do të mbahen më 30 Qershor”, është shprehur në një nga konferencat e fundit kryeministri Edi Rama.

“Kemi ndërmarrë këtë hap sot pasi e kemi bërë fare të qartë se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të ketë, është kontradiksion termash, zgjedhjet pa opozitën janë farsë”, ka deklaruar këtë vit Lulzim Basha.

Krahasimin nuk e bëjmë rastësisht. 17 Maji është data që hyri në histori, jo ky i këtij viti, por ai në 2017. Kryetari  i Partisë Demokratike Lulzim Basha qëndroi në 90 ditë në çadrën e hapur para kryeministrisë duke kërkuar me këmbëngulje krijimin e një qeverie tranzitore që të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme.

Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në veçanti zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Hoit Brian-Ye, ai që gjeti një rrugë të mesme që palët të nënshkruanin një marrëveshje. Iu deshën tre orë që pas bisedës kokë më kokë të dilnin me një shtrëngim duarsh.

“Kemi një marrëveshje bazuar në paketën Mcallister + të propozuar nga SHBA”, deklaroi Basha pas marrëveshjes.

“Përsa më përket mua më lejoni të jem 100% me kryetarin e opozitës”, deklaroi Rama pas marrëveshjes.

Një ditë më pas zbardhet marrëveshja e arritur mes Partisë Socialiste e asaj Demokratike. Partia Demokratike pranoi të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit në shkëmbim të shkarkimit të gjashtë ministrave të kabinetit aktual dhe të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi.

Në marrëveshjen e publikuar nga Partia Socialiste u bë e ditur se opozita ka pranuar të votojë organet e Vettingut ndërsa shkarkohen nga detyrat drejtorët aktualë të OSHEE-së, ALUIZNI-it, burgjeve, hipotekave dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, poste që vlerësohet se janë keqpërdorur në të shkuarën nga forcat politike për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.

Palët angazhohen gjithashtu që të ndryshojnë Kodin Penal për të krijuar vepra penale për krime zgjedhore si shitblerje e votave si dhe pas krijimit të parlamentit të ardhshëm, të kryejnë Reformë tërësore Zgjedhore dhe të vendosin votimin elektronik për zgjedhjet e ardhshme.

E kështu sëbashku socialistë e demokratë shkuan drejt zgjedhjeve. Çadra u çmontua. E kryeministri tha se e lëshon me qira. Dakordësia e dy liderëve u zhbë shumë shpejt, me pretendimin se marrëveshja nuk u respektua.

“Nëse 25 Qershori e vrau marrëveshjen e 18 Majit, 9 Shtatori e vrau atë përfundimisht. Jo vetëm zgjedhja e Gramoz Ruçit, të cilit i është ndaluar përjetësisht hyrja në SHBA për shkak të lidhjeve të tij me krimin dhe trafiqet, por dhe akti mafioz i blerjes apo tjetërsimit të dy votave opozitare është shprehja më e qartë se ti zgjedhje gjithmonë shitblerjen dhe manipulimin”, tha Basha.

Dy vjet më pas Lulzim Basha ka rikthyer njerëzit në rrugë, këtë herë pa çadër. I zhgënjyer nga marrëveshja e dështuar, por edhe nga pamundësia që zëri I opozitës të dëgjohet në mungesë të institucioneve të drejtësi, fuqinë e vetëm thotë se e kërkon në popull.

Duket sikur situata po përsëritet me ndryshimin e vetëm se nuk do më të ulet përballë Edi Ramës. Kjo është edhe pika që ka vënë në vështirësi vetë ndërkombëtarët që bëjnë thirrje për dialog. Madje edhe vetë kryeministrin Edi Rama që ka shumë pikëpyetje se çfarë mund t’u ofrojë dy vjet më pas të opozitarëve të bashkuar.

17 Maji 2019 erdhi. Pritshmëritë për gjetjen e një zgjidhje nuk janë zbehur edhe nëse ndodh pa shtrëngime duarsh. Koha e dy viteve më parë ka treguar se gjithçka mund të ndodhë dhe se deklaratat e liderëve të mazhorancës dhe opozitës mund të ndryshojnë brenda 24 orësh. Të paktën njëri prej tyre nuk e mohon.

“Deri më 30 Qershor shumë nga gjërat që dëgjoni sot nuk do i dëgjoni më dhe shumë nga gjërat që i imagjinoni sot nuk do t’i imagjinoni më, kështu që koha politike deri më 30 Qershor është shumë e gjatë”, është shprehur Rama.

edi-rama-1-1280x715.jpg
G. P.19:51 | 08/05/2019

Selia rozë do të konkludojë të shtunën emrat e kandidatëve për kryetarë bashkish, me të cilët do të garojë në zgjedhjet vendore. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Rama pas mbledhjes së kryesisë së PS.

Hynë e dolën pa dhënë asnjë detaj mbi listën e kandidatëve për kryebashkiakë.

Në 13 Maj do t’i dorëzojnë emrat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por kanë kohë deri në fundjavë t’i shqyrtojnë një për një emrat që do të garojnë në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit. Një lajm rutinë që zgjodhi ta përcjellë vetë kryeministri Edi Rama.

Maji i dy viteve më parë ka mbetur një histori që kryeministri e ka lënë pas, ajo që sheh sot është të shkuarit në zgjedhje edhe pa kundërshtarin më të rëndësishëm të opozitës.

Ndërsa votuesve të krahut tjetër politik i këshillon të gjejnë vetën midis atyre pak garuesve që do të kenë përballë në fletën e votimit në 30 Qershor./ABC News Albania 24/7

ministria-shendetesise-univ-mjeksise.jpg
nev ila14:10 | 29/04/2019

Ministria e Shëndetësisë dhe universiteti i mjekësisë nënshkruajnë marrëveshje me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë. Marrëveshja parashikon angazhimin konkret të këtyre institucioneve edhe për punësimin e studentëve dhe përfshirjen e tyre në kërkim shkencor.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Universiteti i Mjekësisë kanë nënshkruar marrëveshjen për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë, punësimin e studentëve dhe përfshirjen e tyre në kërkimin shkencor.

Ministrja Manastirliu deklaroi se investimet në spitale do të ofrojnë hapësira të mjaftueshme për mësimdhënien, ndërsa studentëve do t’u ofrohet mundësia të jenë pjesë aktive e kërkimit shkencor.

Manastirliu theksoi gjithashtu se çdo student ekselent do të futet në procedurat e konkurimit për t’u punësuar me 10 pikë bonus, pasi dhe administrata i ka dyert e hapura për punësimin e tyre.

Kjo marrëveshje vjen në kuadër të Paktit për Universitetin i shpallur nga Kryeministri Rama që përcakton rolin e të gjitha ministrive për realizim e kërkesave të studentëve./abcnews.al

soreca-1.jpg
G. P.17:36 | 23/04/2019

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ndodhet në selinë blu pasditen e kësaj të marte, ku po zhvillon një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Takimi mes tyre bëhet pas zyrtarizmit të koalicionit të opozitës së bashkuar. Vetë kreu i PD-së firmosi marrëveshjen me të gjitha partitë për pamundësim dhe mospjesmarrje në zgjedhje ku nuk garantohen kushtet për votime të lira e të ndershme.

Rruga e vetme për garantimin e këtij kushti, sipas marrëveshjes së firmosur nga i gjithë kampi opozitar, është qeveria tranzitore.

Kjo e fundit do të ketë për qëllim mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përgatitjen për zgjedhje vendore dhe parlamentare të lira e të ndershme, realizimin dhe ndjekjen e zbatimit të reformës zgjedhore me fokus shkëputjen e politikës dhe krimit, si dhe krijimin e klimës së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi dhe çdo reforme të nevojshme për përshpejtimin e nisjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian./abcnews.al

afc97566-8e73-4182-9803-1266aae7aace-1280x960.jpg
ent ela09:01 | 23/04/2019

Partia Demokratike nënshkruan sot marrëveshje me partitë e koalicionit opozitar. Përmes një ceremonie të veçantë nënshkrimi do bëhet i veçantë me secilën nga partitë. Koalicioni opozitar i bashkuar për organizimin e protestave, ka në përbërje LSI-në e Monika Kryemadhit, Partinë Republikane të Fatmir Mediut, Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar të Dashamir Shehit, Partinë Demokristiane të Nard Ndokës, Partinë Bashkimi i të Drejtave të Njeriut të Vangjel Dules e Partinë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës.

Kryetari i PD Lulzim Basha ka shpallur se partia që drejton nuk hyn në zgjedhje, në kushtet kur Rama është kryeministër, e se nuk do lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë.

Një ditë më parë, forumet e PD vendosën mbajtjen e protestës së radhës para Kryeministrisë më 11 maj ora 18.30. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono