marrëveshje

johnson-trump-1280x824.jpg
nev ila13:45 | 25/08/2019

Shtetet e Bashkuara dhe Britania po bëhen gati të arrijnë një marrëveshje të madhe tregtare mes tyre, që ka gjasa të lërë mënjanë Bashkimin Europian. Për presidentin Trump, që u takua me kryeministrin Boris Xhonson në Francë, me largimin nga Unioni, Britania do çlirohet nga zinxhirët.

Presidenti Donald Trump ka premtuar arritjen e një marrëveshjeje të madhe tregtare me Britaninë sapo kjo të largohet nga BE-ja. Për Trump, Breksit do të çlirojë Mbretërinë e Bashkuar nga një zinxhir që e mbante të lidhur.

Këto komente shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka bërë pas një mëngjesi pune të zhvilluar me kryeministrin britanik Boris Xhonson në Francë, në kuadër të samitit të G7-s.

“Do të arrijmë një marrëveshje shumë të madhe, më të madhen që kemi pasur ndonjëherë dhe Britania në njëfarë pike nuk do të kent më pengesa, pasi nuk do të jetë më e lidhur me zinxhirë siç ka qenë deri më sot”, deklaroi Trump.

Por Xhonson nga ana e tij tha se Shtetet e Basahkuara duhet të bëjnë lëshime nëse duan që një marrëveshje e tillë të arrihet.

“Ne duhet t’i kapim shanset që na vijnë, por do të duhet që miqtë tanë amerikanë të bëjnë kompromis dhe të jenë më të hapur në qasjen e tyre, pasi aktualisht tregtia dypalëshe ka shumë pengesa”, tha Xhonson.

Muajin e kaluar, presidenti Trump tha se bisedimet me palën britanike për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ishin në zhvillim e sipër.

Ai tha gjithashtu se, marrëveshja në fjalë do të intensifikonte katër herë më shumë tregtinë dypalëshe, por nuk dha detaje se si do të realizohet një gjë e tillë.

Por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi paralajmëroi se një marrëveshje eventuale mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë nuk do të miratohet në Kongres nëse ajo cënon marrëveshjen e paqes me Irlandën e Veriut.

Zonja Pelozi theksoi se dalja e Britanisë nga BE-ja nuk duhet të vërë në rrezik akordin e paqes të vitit 1998, për arritjen e të cilit Shtetet e Bashkuara dhanë kontributin e tyre./ABC News Albania 24/7

68868590_933020267031746_2935644575273844736_n_1000x0.jpg
ent ela15:20 | 21/08/2019

Sekretari amerikan i Shtetit, Majk Pompeo, u takua të martën në Nju Jork me Presidentin e Serbisë. Aleksandër Vuçiç. Pompeo u shpreh se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik.

Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Sekretari Pompeo i bëri thirrje Serbisë të përqëndrohet në synimin e saj strategjik, atë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke përshpejtuar reformat e brendshme dhe rifilluar bisedimet me Kosovën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse drejt normalizimit të marrëdhënieve që ka në qendër njohjen e ndërsjellë.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë ka bërë të ditur se në takim e ka lutur sekretarin Pompeo që administrata amerikane të përpiqet që të ndikojë mbi shqiptarët e Kosovës që të heqin tarifat ndaj mallrave serbe, si parakusht për vazhdimin e negociatave.

“Fola dhe për atë se Serbia është e gatshme, pa marrë parasysh axhendën e brendshme politike edhepse kjo nuk i sjell pikë askujt nga pushteti në Serbi dhe në Serbinë Qendrore, në çdo moment – me t’u hequr tarifat, të shkojë në dialog të hapur me shqiptarët.  Nuk është i rëndësishëm çmimi politik  që duhet të paguhet, ndërsa njerëzit në vendin tonë kanë veshë goxha të ndjeshëm. Nuk duan të dëgjojnë gjëra që kanë lidhje me realitetin- por më shumë atë që ka lidhje me mitet tona”- deklaroi Vuçiç për Zërin e Amerikës pas takimit  me Sekretari amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, duke shprehur gatishmërinë serbe për negociata nga të cilat të dyja palët do të dilnin të kënaqura dhe që kjo zgjidhje të ishte e qëndrueshme. Sipas tij, me qëllim të zgjidhjes së problemeve të rajonit lipset një angazhim edhe më i fuqishëm i Amerikës.

“Kam dëshirën dhe shpresën që edhe amerikanët, po ashtu e kuptojnë, se nga marrëdhëniet tona në Ballkanin Perendimor, mes serbëve dhe shqiptarëve ,si dy popuj më të mëdhenj varet e ardhmja e këtij rajoni. Sa më pare që ne të gjejmë një marrëveshje aq më shumë kemi për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit”– deklaroi Vuçiç.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit ka bërë të ditur se Sekretari Pompeo ka ritheksuar se edhe Serbia edhe Kosova duhet të shmangin provokimet që pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunojnë me njera-tjetrën në frymën e kompromisit dhe qëndrimeve fleksibël të nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve. /ABC News Albania 24/7

pentagoni-1280x720.jpeg
G. P.14:56 | 20/08/2019

Kreu i Pentagonit Mark Esper konfirmoi se të dielën është testuar një raketë me rreze të shkurtër e cila kishte arritur objektivin pas më shumë se 500 kilometrash fluturim. Ai theksoi se testimi është vetëm reagimi i parë ndaj veprimeve të Moskës.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes konfirmoi testimin e një rakete me rreze të shkurtër, e cila ndalohej nga traktati për armët bërthamore që përfundoi pak kohë më parë pas tërheqjes së njëanshme të Uashingtonit.

Testi u krye të dielën e kaluar në ishullin e San Nikolas, pranë Kalifornisë. Pentagoni deklaroi se raketa e testuar doli nga hedhësi i vendosur në bordin e anijes dhe arriti objektivin pas më shumë se 500 kilometrash fluturim.

Raketa nuk ishte bërthamore dhe u lëshua nga një anije amerikane pranë bregu të ishullit, ndërsa të dhënat e mbledhura do të japin informacione për Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për të ardhmen e një rakete me rreze mesatare.

Traktati INF ndalonte pikërisht këto lloj raketash, qoftë dhe bërthamore, në gjendje për të udhëtuar në një hapësirë nga 500 deri në 5500 kilometra. Por kreu i pentagonit, Mark Esper, kishte paralajmëruar se sapo të dilnin nga traktati Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvillonin raketa tokë-ajër, si një reagim të parë ndaj veprimeve të Moskës./ABC News Albania 24/7

marreveshje.jpg
G. P.16:45 | 15/08/2019

Apeli i vendeve të Quint-it që Kosova dhe Serbia të rikthehen në dialog, për analistët në Prishtinë është vetëm tregues i zbehjes së rolit të BE-së në këtë proces dhe forcimit të asaj të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Sipas tyre, nën ndikimin e dy superfuqive, çështja e korrigjimit të kufijve do të jetë sërish në tryezë.

Thirrja e vendeve të QUINT-it këtë javë që të rinis sa më shpejt dialogu Prishtinë Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian e forcon edhe më shumë bindjen e analistëve se kjo çështje nuk do të kalojë në duar të vendeve evropiane si Franca e Gjermania siç pretendonte kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj.

Për analistin Fisnik Halimi, këtë dialog vetëm formalisht do ta udheheqë Bashkimi Evropian, por do të jetë e sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të garantohet nga Rusia.

“Fuqia e Bashkimit Evropian për të arritur marrëveshje të mëdha politike është inekzistente dhe sponsor kryesor do të jetë SHBA-ja e garantuar nga Rusia”, thotë ai.

Ndërsa çështja e korrigjimit të kufijve do të jetë sërish në tavolinën e bisedimeve.

“Çështja e korrigjimit të kufijve nuk është hequr në asnjë moment nga tavolina e bisedimeve. Legjislatura e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të jetë para një akti të kryer për të votuar pikërisht atë marrëveshje”, shprehet Halimi.

Dialogu Prishtinë-Beograd aktualisht është stopuar për shkak të taksës së vënë nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve serbe./ABC News Albania 24/7

agron-duka.jpg
G. P.15:10 | 15/08/2019

Aleati i Partisë Demokratike, Agron Duka ka hedhur poshtë çdo mundësi që në 13 Tetor të zhvillohen zgjedhje të reja vendore. Në një intervistë për ABC News, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste thotë se situata me kandidatin e Shkodrës e thellon krizën, duke sjellë nevojën për një marrëveshje të gjerë politike. Duka është i bindur se edhe nëse Valdrin Pjetri do të shkarkohet si kryebashkiak i Shkodrës, Presidenti Meta nuk do të dekretojë datë të re për zgjedhje në këtë qytet. 

Agron Duka respektoi dekretin e Presidentit të Republikës për zgjedhje vendore në 13 Tetor, por pavarësisht kësaj është i bindur se ajo është një datë e rrëzuar. Në një intervistë për ABC News, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste mohon përçarje me aleatët e tij në koalicionin opozitar për regjistrimin në KQZ, duke sqaruar se regjistrimi ishte edhe një detyrim për kryebashkiakët opozitarë që nuk morën pjesë në zgjedhje.

“Ne në respekt të dekretit të Presidentit, disa nga partitë opozitare u regjistruan për zgjedhjet e 13 Tetorit. Ju thoni sa shanse ka? Zero shanse ka që të bëhen zgjedhje. Pyetja që bëhet është pse disa nga partitë u regjistruan dhe parti të tjera jo? Mendoj që ne thjesht shprehëm respektin për dekretin e Presidentit”, tha Duka.

Hetimi për pastërtinë e figurës për rastin e kandidatit socialist të Shkodrës,Valdrin Pjetri dhe mundësia për shkarkimin e tij për Dukën pritet ta thellojnë akoma më shumë krizën. Aleati i Bashës është i bindur se Ilir Meta nuk do të rrëzojë veten  dhe s’do dekretojë një datë të re.

“Situata që po kalojmë është e pakuptimtë. Ju bëni pyetje se çfarë do të bëjmë me Shkodrën. Nuk ka matematicien që ta gjejë se ça do bëhet. Mazhoranca thotë njoh 30 Qershorin, opozita thotë njoh 13 Tetorin. 13 Tetori i kaloi të gjitha afatet kushtetuese. Nuk bëhet më që të ribëhen zgjedhjet në Shkodër nëse ky zotëria penalizohet me ligjin e dekriminalizimit. Duhet dekreti i Presidentit. Presidenti ka dhënë dekretin me 13 dhe nuk jep datë tjetër. Ça do bëhet? E zgjidh Gjykata Kushtetuese. Gjykatë Kushtetuese nuk ka. Gjithë kjo situatë e pakuptimtë kërkon t’i thërrasim arsyes që të gjithë”, tha Duka.

Zgjidhja duhet të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje. Por Duka është kategorik kur shprehet se pakte si ai i 2017-s mes Ramës e Bashës, politika shqiptare nuk duhet t’i përsërisë më.

“Larg qoftë. Vetëm ajo jo. E 2017-s, ajo tregoi që nuk zgjidhi asgjë. Përkundrazi e ricikloi krizën. Nëse bëhen marrëveshje të tilla për të ricikluar kriza në leverdi të individëve të veçantë kjo është në dëm të Shqipërisë. Duhen marrëveshje që të kenë një zgjidhje të qëndrueshme”, tha Duka.

Kur pushimeve të Gushtit po i vjen fundi, politikës i duhet që me nisjen e Shtatorit të marrë vendime të forta. Ndërkombëtarët pritet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndërmjetësuar, por zgjidhja njësoj si dy vjet më parë mund të vij edhe në orët e fundit.  /ABC News Albania 24/7

oerd-bylykbashi.jpg
G. P.15:17 | 14/08/2019

Zgjidhja e krizës së thellë politike janë vetëm zgjedhjet e parakohshme. Kështu është shprehur në një intervistë për ABC News ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. Sipas tij, kriza duhet të zgjidhjet në mënyrë urgjente këtë vjeshtë përpara se Shqipëria të marrë presidencën e OSBE-së, pasi në të kundërt kriza vetëm do të thellohej. Ish-deputeti i PD kërkon që në fokus kryesor të aksionit opozitar nga muaji Shtator e në vazhdim duhet të jetë vetëm zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme. 

Oerd Bylykbashi ka qenë dëshmitar i disa prej marrëveshjeve historike që politika shqiptare ka pasur në 2 dekadat e fundit. Për Bylykbashin, vjeshta është një mundësi e artë për politikën shqiptare para se kriza të thellohet edhe më shumë. Për ABC News, ish-deputeti demokrat rrëfen raportin që sipas tij kryeministri Rama ka me marrëveshjet që nënshkruan.

“Nga Shtatori deri në Dhjetor është një dritare mundësie shumë e madhe për politikën shqiptare për t’i dhënë një zgjidhje thelbësore kësaj krize dhe zgjidhja në fakt është vetëm një, zgjedhjet e parakohshme. Politika shqiptare dikur e ka patur kapacitetin për të arritur marrëveshje, konsensuse, kompromise, për t’i dhënë mundësi frymëmarrjes politike, zhvillimeve qeverisëse apo demokratike, gjë që është humbur krejtësisht të paktën në 6 vitet e fundit që kur Edi Rama ka marrë pushtetin si Kryeministër. E sheh marrëveshjen ose si diçka me të cilën ai mund të marrë pushtet ose si diçka për t’u thyer kur ai ka pushtetin”, tha Bylykbashi.

Marrja nga Shqipëria e drejtimit të Presidencës së OSBE-së në vitin 2020, për ish-deputetin demokrat duhet parë nga qeveria si një nevojë urgjente për t’i dhënë fund krizës.

“Shqipëria ka një mundësi dhe ka edhe nevoja therëse për këtë zgjidhje për shkak se viti 2020 do të jetë një vit në të cilin Shqipëria më pas do të përballet me një nga përgjegjësitë më të mëdha ka pasur ndonjëherë. Merr kryesimin e OSBE-së, e cila duhet thënë nuk është thjeshtë përfaqësia e OSBE-së në Tiranë, është organizata më e madhe rajonale e sigurisë në botë, ku luhen interesa shumë të mëdha mes dy krahëve tashmë të rikthyera, Perëndimit dhe tashmë Rusisë dhe aktorëve të tjerë që lozin bashkë me Rusinë”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi thotë se për demokratët kërkesa për zgjedhje të parakohshme duhet të jetë kryefjalë e aksionit opozitar, ndërkohë që përballja në zgjedhje me Ramën duhet të ndodhë në një periudhë sa më të afërt.

“Zgjedhjet e parakohshme duhet të jenë në fakt kërkesa jonë numër 1 në gjykimin tim sepse e lidh me faktin që është zgjidhja e vetme e shëndetshme e kësaj krize të rëndë dhe të paprecedentë. Nuk ka asnjë model në të shkuarën, i cili mund të analizojë këtë situatë dhe këtë krizë ku jemi sot. Askush nuk duhet të ketë iluzione, nuk mund të ketë zgjidhje pa zgjedhje të parakohshme. Të gjithë duhet ta kenë të qartë që krizat kanë një mekanizëm tipik, krizat vetëm përkeqësohen dhe sigurisht përkeqësimi sjell zgjidhjen e saj, por kostoja e saj është shumë e lartë”, tha Bylykbashi.

Demokratët i shohin zgjedhjet e 30 Qershorit si një proces nul dhe pa dekret presidencial, ndërkohë që PS ka arritur të marrë drejtimin e më shumë se 55 bashkive. Por zhvillimi i fundit me rastin e kandidatit të PS në Shkodër, Valdrin Pjetri do të turbullojë sërish ujërat mes mazhorancës dhe opozitës para përfundimit të pushimeve./ABC News Albania 24/7

01-trump-flag.w700.h467.jpg
G. P.12:27 | 14/07/2019

Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin për shkak të mërive që kishte ndaj ish-presidentit Barak Obama. Kështu thuhet në një tjetër mesazh diplomatik të linjës Uashington-Londër, të publikuar në “Mail on Sunday”, që ka sfiduar urdhrin e policisë.

Donald Trump e braktisi marrëveshjen bërthamore me Iranin për shkak të mërive që kishte ndaj parardhësit të tij, Barack Obama. Kështu thotë një mesazh i shkruar nga ish-ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Uashington, i cituar nga “Mail on Sunday”. Sipas gazetës, diplomati Sir Kim Darroç e cilësoi lëvizjen si një “vandalizëm diplomatik”. E përjavshmja thotë se mesazhi ishte shkruar pasi sekretari i atëhershëm i Jashtëm britanik, Boris Xhonson, i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i qëndronin marrëveshjes.

Mesazhi i fundit i publikuar në media vjen pavarësisht apelit të policisë metropolitane për të mos e publikuar atë. Mesazhet kritike në adresë të administratës Trump, që dolën javën e kaluar, shkaktuar një reagim të rreptë të presidentit amerikan dhe çuan në dorëheqjen e Kim Darroç nga posti i tij diplomatik. Në mesazhin e tij të fundit, diplomati britanik shkruante se presidenti republikan e kishte braktisur marrëveshjen bërthamore për arsye personale.

Konkretisht, sepse pakti ishte nënshkruar nga parardhësi i tij demokrat, Barak Obama. Në bazë të marrëveshjes, Irani pranoi të kufizonte aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike. Sidoqoftë, presidenti Trump deklaroi se nuk mendonte se marrëveshja ishte e mjaftueshme dhe rivendosi sanksionet pas tërheqjes nga akordi në maj të vitit 2018./ABC News Albania 24/7

034c8380-028f-11e7-aa5b-6bb07f5c8e12.jpg
Sej rie12:40 | 11/07/2019

Pas të përjavshmes italiane ‘Espresp” dhe amerikania Bazfif pretendon se Lega e Mateo Salvinit ka marrë me miliona dollar financime nga Rusia. Por ministri I brendshëm Italian hodhi poshtë akuzat duke thënë se do hidhte në gjyq të gjithë ata që bëjnë akuza të tilla

Një marrëveshje mes të dërguarve të Mateo Salvinit dhe disa rusëve për të negociuar një financim milioner të Moskës për Legën. Fillimisht ishte një eksluzive e të përjavshmes italiane “Espresso” e konfirmuar tashmë dhe nga uebsajti amerikan BuzzFeed.

Në 18 tetorin e kaluar Xhanluka Savoini, një person shumë pranë liderit të Legës, u takua me pesë persona, dy italianë dhe tre rusë në hotelin Metropol të Moskës. Në audion e publikuar nga BuzzFeed, flitet për negociata për marrëveshjen sipas së cilës do të dërgoheshin miliona dollarë të përfituara nga nafta ruse për partinë e Salvinit nëpërmjet një kanali sekret. Savoini shprehet në anglisht duke thënë së në muajin maj do të ketë zgjedhje në Europë. “Ne duam të ndryshojmë Europën shprehet ai duke shtuar se një Europë e re duhet të jenë pranë Rusisë si më parë pasi duhet rimarrë në dorë sovraniteti. Salvini është i pari që do të ndryshojë Europën, thekson ai më pas. Së bashku me aleatët në Europë. Në regjistrim Salvini përshkruhet me entuziazëm nga rusët si Trumpi evropian.

Vetë Savoini deklaroi për mediat italiane se bëhej fjalë vetëm për një takim mes sipërmarrësish dhe se ekzistojnë aplikacione të cilat falsifikojnë audiot

Por dhe Salvini ka reaguar menjëherë duke thënë se do të hedhë në gjyq të gjithë ata që hedhin akuza të tilla pasi ai nuk ka marrë as një dollar dhe as një litër vodkë financim nga rusët./ABC News Albania 24/7

redi-shehu.jpg
G. P.22:54 | 09/07/2019

Studiuesi Redi Shehu ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “Provokacija”. Ai foli përballë gazetarit Mustafa Nano për një rithemelim të sistemit. Sipas tij kjo gjë është e arritshme nga populli shqiptar, pasi mund të dalin njerëz të cilët mund të fillojnë rithemelimin.

Mustafa Nano: Ti nuk do çuditeshe që nesër të merrje vesh që një grup njerëzish kanë krijuar atë bërthamën e parë.

Redi Shehu: Unë them që mund të ndodhë. Unë jam me tezën që shqiptarët nuk janë një popull i ndryshëm nga popujt e tjerë, nuk jemi një popull i dënuar që të mos e meritojmë demokracinë. Ne si popull kemi shumë cilësi të mira se popujt e tjerë, të cilët sot kanë një nivel më të lartë. Ne vetëm kemi pasur një fatkeqësi historike që na detyroi të jemi shumë hapa mbrapa. Duke qenë se ne gëzojmë të njëjtët veti, ne jemi një popull që nuk e duam padrejtësinë, nuk e duam në vetvete korrupsionin, pavarësisht se mund të korruptohemi lehtë. Por cili popull ka qenë i gatshëm për demokraci? Asnjë popull nuk ka qenë i gatshëm për demokraci. Popujt janë entitete të cilat edukohen përmes strukturave dhe përmes proceseve dhe unë them që nuk dallojmë shumë nga ata. Pra ne mund ta bëjmë. Tek ne mund të dalin njerëz të tillë që mund ta fillojnë rithemelimin.

Për sa i përket vendimit të opozitës për djegien e mandatit, Shehu tha se ata janë penduar. Sipas tij, opozita është e dënuar të shkojë në marrëveshje, çka bie në kundërshtim me tezën e rithemelimit. Kjo pasi nëse arrihet një marrëveshje nuk do të kemi rithemelim, por riciklim.

“Unë besoj se janë penduar. Edhe këto sinjale për diskutime edhe njëherë me Kryeministrin, unë besoj se janë të dënuar që të shkojnë në marrëveshje. Ajo që themi në në tezën e rithemelimit është që nuk duhet të kemi marrëveshje. Sepse nëse kemi marrëveshje, kemi edhe 30 vjet të tjera të njëjtët njerëz. Procesi duhet të rifillojë, dikush duhet të largohet, disa duhet të largohen, ndryshe nuk ka rithemelim, ka riciklim të këtyre njerëzve. Unë jam që nuk duhet t’i riqarkullojmë më këta njerëz. Kanë pasur kontributet e tyre në 30 vjet, kanë pasur të metat e tyre, tani është boll”, tha Shehu.

britani.jpg
G. P.10:59 | 05/07/2019

Kina akuzoi Britaninë për ndërhyrje pas mbështetjes që u dha protestave anti-qeveritare në Hong Kong. Londra ka paralajmëruar Pekinin për pasoja të rënda nëse shkel marrëveshjen e dorëzimit të Hong Kongut, nga Britania tek Kina, marrëveshje kjo ligjërisht e detyrueshem që i mundësoi këtij territori sovranitetin. Përkrahësit e demokracisë po i bëjnë thirrje Britanisë që të angazhohet më shumë, me arsyetimin se ata kanë detyrime ligjore e morale të mbështesin lirinë e popullit të Hong Kongut.

Flamuri kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar ka qenë simbol në demontratat pro-demokratike në Hong Kong.

Të hënën u shënua 22 vjetori i marrëveshjes së dorëzimit të Hong Kongut nga Britania tek Kina, por ky përvjetor u zbeh nga hija e protestave të dhunshme.

Demonstratat u nxitën nga përpjekjet kurndër një projektligji për ekstradimeve që i lejon të dyshuarit e Hong Kongut të ndiqen penalisht në territorin e Kinës. Sekretari i jashtëm britanik tha të martën se një ligj i tillë shkel marrëveshjen e rikthimit të territorit.

“Britania nënshkroi një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme më 1984 që ruan lirinë themelore të popullit të Hong Kongut dhe ne i qëndrojmë me vendosmëri kësaj marrëveshje, jemi në mbështetje të popullit të Hong Kongut. Do të ketë pasoja serioze nëse kjo ajo nuk respektohet”, tha sekretari i jashtëm britanik Jeremy Hunt.

Të mërkurën Kina u kundërpërgjigj.

“Pozicioni britanik në mbrojtje të Hong Konkut është një iluzion i vetëkrijuar. Do ta pyesja zotin Hung: gjatë epokës së kolonisë britanike në Hong Kong, a mund të flitej për demokraci?! Banorët nuk kishin të drejtë as të protestonin”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Geng Shuagg.

Përtej marrëveshjes Kinë-Britani, Pekini ka edhe ndërlikime tjera thotë analisti Steve Tsang.

“Çështja kyçe nuk është detyrimi që ka Britania ndaj Hong Kongut, por trajtimi që Kina u bën marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha profesori i universitetit të Londrës Steve Tsang.

Marrëveshja e vitit 1997 shihet si fundi i Perandorisë Britanike. Guvernatori britanik i asaj kohe në Hong Kong Chris Patten, kërkon nga Londra që të bëj më shumë.

“Ne duhet të kemi një ndjenjë respekti për Hong Kongun dhe duhet të ndihemi të detyruar për qytetarët e atij vendi. Kjo nënkupton që të flasim për atë se cfarë po ndodh”, tha ish-guvernatori britanik i Hong Kongut Chris Patten.

Por mundësitë e Britanisë i kufizon Brexit, thotë profesori Tsang.

Kina po rrit fuqinë dhe potencialisht është superfuqia e dytë. Britania ka hyrë në një fazë pasigurie për të ardhmen. Pra për momentin, nuk jem në një pozitë të fortë krahasuar me Kinën në përpjekje për të zgjidhur konfliktin që mund të kemi me ta”.

Pekini thotë se protestat janë çështje e brendshme dhe se çdo përpjekje e huaj për të ndërhyrë është e kotë./VOA


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono