Maqedonia

ERISA-MOGHERINI-1280x720.jpg
G. P.11:04 | 06/07/2019

Federica Mogherini e quan gabim të madh nëse BE nuk merr vendim për hapjen e negociatave të anëtarësimit  me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shefja e diplomacisë europiane i bëri komentet nga Polonia ku u mbajt një samit për Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini thotë se e ardhmja e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Në një intervistë për radion Europa e Lirë, nga Samiti i Poznanit në Poloni, Mogherini këmbëngul në hapjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Tiranën dhe Shkupin.

“Nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk marrin vendim, sidomos për hapjen e negociatave (të anëtarësimit) me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor, mendoj se do të ishte gabim i madh”.

E pyetur në lidhje me avancimin e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin zonja Mogherini ka qenë ndërmjetësuese gjatë mandatit të saj, shefja aktuale e politikës së jashtme së BE-së u shpreh se mbetet skeptike për sa kohë nuk ka asnjë tërheqje nga taksa e lartë ndaj mallrave serbe.

“Derisa tarifa që u ka vënë Prishtina mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, mbetet në fuqi, nuk shoh kushte për thirrjen e dialogut në nivel të lartë. Unë besoj se kjo është për keqardhje, sepse unë vërtet kam parë se elementet për marrëveshje për normalizim, ligjërisht të obligueshme, ekzistojnë”.

Federica Mogherini tha në intervistë se ka besim që edhe pasardhësi  i saj, spanjolli Jozep Borrell, do të jetë në gjendje ta menaxhojë këtë proces dialogu, me zgjuarsi, vendosmëri dhe ne respekt të pozicioneve të BE-së./ABC News Albania 24/7

zaev.jpg
nev ila13:27 | 03/07/2019

 

Në kuadër të procesit të Berlinit liderët e Ballkanit perëndimorë do të takohen në datat 4 dhe 5 korrik për samitin e përvitshëm, në Poloni. Ky është takimi i pestë i nivelit të lartë që do të pasohet me një periudhë reflektimi dhe vlerësimi të rezultateve. Në këtë rast kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, në një intervistë për Euronjus u shpreh se vendi i tij meriton negociatat me Bashkimin Europian.

Në samitin e Ballkanit perëndimor në Poznan në Poloni tema kryesore është pikërisht ajo e emërimeve në postet më të larta të Bashkimit Europian. Ndërsa diskutimi i dedikuar kryesisht zgjerimit në lindje të Bashkimit europia, përputhet me këshillin e jashtëzakonshëm europian. Delegacioni i Maqedonisë së veriut në Poznan drejtohet nga kryeministri Zoran Zaev.

Në një intervistë për Euronjus Zaev u shpreh se ky vit do të stimulojë të gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor: Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, që të vazhdojnë në drejtimin e duhur, pasi ashtu si ka thënë dhe komisioneti Hahn, pushteti i tërheqjes për BE-në duhet ruajtur. Kjo sepse është e vetmja forcë mbajtëse për reformat, për përmirësimin e jetesës dhe për të qenë më shumë europianë.

Sigurisht moment nuk është më i lehti, pasi skepticizmi për të ardhmen e procesit të zgjerimit është gjithnjë e më I fortë. Në intervistën e tij Zaev pohon se është i vetëdijshëm për problemet e brendshme me të cilat po përballet Bashkimi europian, por njëkohësisht nuk ka asnjë alternativë ndaj integrimit të plotë europian të Ballkanit.

Zaev theksoi se prêt që të ketë vëmendjen dhe motivimin e Bashkimit europian për Maqedoninë e veriut në mënyrë që të arrihet në hapin e rradhës, ai i merituari. Kryeministri i maqedonisë së veriut këmbëngul se vendi i tij meriton një datë të saktë për hapjen e negociatave me Bashkimin europian. Një datë që mund të jetë në muajin tetot në një kohë që opozita e djathtë në vend ka nisur fushatën kundër qeverisë së Zaev duke e kritikuar për marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit pa garancinë se Maqedonia e Veriut do të niste negociatat për anëtarësim./ABC News Albania 24/7

rama-12.jpg
ent ela18:30 | 18/06/2019

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Rama për shtyrjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në muajin tetor. Në një postim në twitter Rama shkruan se do t’i rezistojmë deri në fund ofensivës së baltës dhe gurëve kundër Shqipërisë, ndërsa e vlerëson si një lajm  pozitiv.

“Ministrat e jashtëm të BE kanë miratuar në Luksemburg, kalimin tek kryetarët e shteteve të rekomandimit për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut,me synim muajin tetor. Le t’i rezistojmë deri në fund ofensivës së baltës dhe gurëve kundër Shqipërisë. Të gjithë bashkë në 30qershor🤝

Lajm shumë pozitiv nga Europa në rrugën e çeljes së negociatave😁Pavarësisht luftës pa limite të frontit politik të së keqes,që po bën çmos të sakatojë vendin në sytë e Europës,për të bllokuar negociatat me sharje,kërcënime,molotovë e përgjime baltosëse,Shqipëria po reziston🙏” -– shkruan Rama.

abcnews.al

hungari-shqiperia.jpg
G. P.15:24 | 18/06/2019

Ministri i jashtëm i Hungarisë është shprehur pro hapjes së negociatave të dy vendeve me Bashkimin Evropian. Në një intervistë për gazetaren e ABC Neës Erisa Zykaj në Bruksel, ministri hungarez ka shprehur shqetësimin e se shtetet e mëdha nuk janë akoma gati për të thënë qëndrimin pro Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Cili është qëndrimi i Hungarisë mbi paketën e zgjerimit sot ?

Peter Szijjarto, ministër i jashtëm i Hungarisë: Hungaria ka një qëndrim pro zgjerimit të Bashkimit Europian. Ne jemi fqinjët e Ballkanit Perëndimor, ndaj e kuptojmë shumë mirë rëndësinë e zgjerimit dhe të vendimit që do merret sot lidhur me procedurën e çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fatkeqësisht, qëndrimi ynë përfaqëson minoritetin, pasi shtetet e mëdha perëndimore anëtare të Bashkimit Europian nuk duken të gatshme për të marrë këtë vendim, gjë për të cilën ne shprehim keqardhje të madhe. Ne e njohim mirë rajonin, tensionet që ka dhe e dimë mirë se integrimi europian do të ishte përgjigja më e mirë për të kapërcyer këto tensione. Ne e dimë shumë mirë se sa e dëmshme për rajonin do të ishte shtyrja e vendimit për hapjen e negociatave me të dyja vendet. Shqipëria ka qenë vend kandidat për më shumë se 5 vjet dhe ne nuk shohim arsye për të mos filluar negociatat e anëtarësimit.

Ka një qëndrim të ndryshëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kemi parë shumë vende anëtare me një angazhim pozitiv dhe konstruktiv për Maqedoninë e Veriut sidomos pas marrëveshjes së Prespës dhe jo të njëjtën qëndrim për Shqipërinë.

Peter Szijjarto: Arritja e marrëveshjes së Prespës ka shkaktuar një entuziazëm, duke qenë se i ka dhënë fund një konflikti që ka zgjatur për një kohë të gjatë. Pra, entuziazmi ishte i kuptueshëm. Por në kuptimin tonë, kjo nuk duhet ta lerë në hije Shqipërinë, sepse ne respektojmë hapat që janë arritur nga vendi lidhur me procesin e Vettingut dhe hapa të tjerë të ndërmarrë që janë vlerësuar në progres-raportin e Komisionit Europian. Edhe pse ne e mendojmë se secili vend duhet të gjykohet në bazë të meritës, ne kuptojmë që Shqipëria ka koleksionuar mjaftueshëm merita për të çelur negociatat e anëtarësimit tani. Ne mbështesim vlerësimin bazuar në meritë, jo vetëm se jemi miq të trajtimit bashkë të dy vendeve jo thjesht në parim, por sepse gjykojmë që bazuar në performancën e secilit vend, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e meritojnë hapjen e negociatave. 

Ju e dini që ka rezerva nga tre vende të mëdha anëtare si Holanda, Gjermania dhe Franca lidhur me ato që këto vende konsiderojnë si rezultate të pamjaftueshme, të paprekshme dhe jo bindëse në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe për reformën e drejtësisë ka qëndrime që është vërtet një reformë ambicioze, por që nuk është zbatuar ende. Po dëgjojmë madje, që në tetor do të ketë një shkëputje të dy vendeve, pasi sipas disa shteteve anëtare Shqipëria nuk i përmbush tërësisht kushtet. Cili është qëndrimi juaj?

Peter Szijjarto: Këto qëndrime sigurisht që janë të motivuara politikisht. Nuk ka dyshim. bëhet fjalë për një procedurë politike. Disa herë, këto qëndrime politike janë shumë të çekuilibruara dhe krijohet një përshtypje legjitime që këto deklarata nuk janë të ndershme. Kjo nuk i ndodh vetëm vendeve kandidate, por edhe anëtare si Hungaria që është në fokus të sulmeve të ngjashme kur bëhet fjalë për shtetin ligjor dhe lirinë e shtypit. Ne duhet të mësohemi më këtë ashtu siç duhet të mësoheni ju kur të bëheni shtete anëtar. Çelja e negociatave nuk do të thotë se duhet të përmbushësh të gjitha kriteret, sepse nuk është e njëjta gjë me anëtarësimin. Çelja e negociatave do të thotë që Bashkimi Europian kupton gatishmërinë e një shteti për të përmbushur të gjitha kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian. Mendoj, se Shqipëria ka bërë mjaftueshëm për të arritur në këtë stad.

Çmendoni për situatën politike në Shqipëri që është ndezur këto ditë edhe më shumë nga përgjimet e publikuara nga e përditshmja gjermane “Bild” që u referohen aludimeve për lidhje të pushtetit me grupe kriminale.

Peter Szijjarto: Unë e bazoj politikën e jashtme në respekt të ndërsjellë. Ndaj, unë ia le sfidat e vendeve të tjera qeverive të këtyre vendeve. Ato do të jenë të përgjegjshme dhe llogaridhënëse dhe në zgjedhjet e ardhshme qytetarët do të marrin një vendim të qartë lidhur me atë nëse janë të kënaqur apo të pakënaqur me performancën e qeverisë në fjalë. Por nuk më pëlqen dhënia e leksioneve dhe gjykimi për situatën e vendeve të tjera, pasi kush jam unë që të di më mirë se ç’ndodh në Shqipëri sesa vetë shqiptarët. Pra, është shumë më e zgjuar që kjo t’i lihet shqiptarëve që të vendosin për çështjet e brendshme. Është e njëjta gjë që pres nga të tjerët kur bëhet fjalë për Hungarinë. Të mos mendojnë se ata e dinë më mirë ç’duhet për hungarezët sesa vetë hungarezët. Ata që e dinë, se cila zgjidhje është më e mirë për Shqipërinë, janë shqiptarët./ABC News Albania 24/7

zaev-1-1-1280x700.jpg
ent ela13:00 | 17/06/2019

Në apelin e tij të radhës, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, u shpreh se nuk kërkonte anëtarësim të menjëhershëm të vendit të tij në Bashkimin Europian, por hapjen e negociatave.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i bëri apel vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të caktojnë datën e nisjes së bisedimeve për anëtarësim, proces ky nëpër të cilin duhet të kalojë vendi në rrugën e anëtarësimin të plotë në union. Ai theksoi se po kërkonte datën e bisedimeve dhe jo anëtarësim të menjëhershëm. Kjo si një formë vlerësimi për angazhimin e vendit të tij. “Ne ndryshuam emrin dhe ruajtëm identitetin”, shtoi ndër të tjera Zaev në një forum ndërkombëtar në Austri, ku morën pjesë edhe përfaqësues të lartë europianë. Zaev u takua me komisionerin për zgjerim, Johannes Hahn, të cilit i tha se “marrja e datës për fillimin e negociatave do të jetë e rëndësishme për vendin, sepse do të jetë motiv shtesë për vazhdimin e zbatimit të reformave në të gjitha fushat me ritëm më të shpejtuar”.

Ndërkohë opozita në Shkup tha se është në pritje të përgjigjes së Zaevit lidhur me gatishmërinë e saj për të kontribuar në marrjen e datës së bisedimeve. /ABC News Albania 24/7

pompeo.jpg
G. P.23:10 | 02/06/2019

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka deklaruar se Uashingtoni është gati të ulet në një dialog pa kushte me Iranin, për zgjidhjen e çështjes bërthamore. Por për Teheranin zyrtar, Shtetet e Bashkuara duhet të tregojnë respekt dhe të heqin sanksionet.

Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për t’u angazhuar në një dialog pa kushte me Iranin mbi programin e tij bërthamor, por Republika Islamike duhet të sillet si një vend normal. Kështu ka deklaruar sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili ka shtuar se dialogu ka qenë një opsion i parapëlqyer prej kohësh edhe nga presidenti Donald Trump.

“Jemi gati të ulemi të bisedojmë sapo iranianët të tregojnë se duan të sillen si një vend normal”, ka thënë Pompeo.

Reagimi i tij ka ardhur një ditë pasi presidenti iranian Hasan Rouhani sugjeroi se Teherani mund të zgjedhë të bisedojë nëse Uashingtoni tregon respekt, por shtoi se nuk do të pranojë kurrë një dialog të kushtëzuar nga presionet.

“Ne jemi gati, pa kushte, jemi gati për t’u ulur në tryezë”, ka thënë shefi i diplomacisë amerikane.

Megjithatë, ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për të penguar aktivitetet dashakeqe të Iranit në Lindjen e Mesme. Vitin e kaluar Pompeo parashtroi 12 kushte që Irani duhet të plotësonte, përfshirë ndërprerjen e mbështetjes për grupet rebele dhe atë të testeve raketore, në këmbim të heqjes së sanksioneve./ABC News Albania 24/7

papa-1280x667.jpg
ent ela16:00 | 25/04/2019

Në 7 maj Papa Francesku viziton Maqedoninë e Veriut. Në Shkup kanë nisur përgatitjet për vizitën e atiti të shenjtë, e cila konsiderohet si një mbështetje për vendin, nga një prej liderëve fetarë më me ndikim në bot. Papa Francesku do të qëndrojë në Shkup 10 orë.

Vizita e Papa Françeskut në Maqedoni më 7 maj vlerësohet si mbështetje për vendin në drejtim të zhvillimit të saj në plan kombëtar dhe ndërkombëtar, nga një prej liderëve fetarë më me ndikim në botë. Kjo lidhet me marrëdhëniet e afërta që Vatikani ka tradicionalisht me Maqedoninë, në çastin kur shënohen 25 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike bilaterale, vlerësojnë përfaqësuesit e shtetit. Ati i Shenjtë në Shkup do të mbajë meshë në sheshin e qytetit ku pritet të marrin pjesë mijëra besimtarë, do të takohet me kreun e shtetit por edhe me udhëheqësit e bashkësive fetare në vend.

Gjatë qëndrimit dhjetëorësh në Shkup, Papa Françesku, do të ketë takime me krerët më të lartë shtetëror, me udhëheqësit e bashkësive fetare, dhe do t’u drejtohet qytetarëve në sheshin e Shkupit. Vendimin për ta vizituar Maqedoninë Kryeministri  Zaev e vlerëson si afirmim për vendin.

Zoran Zaev, Kryeministër: “Vjen në moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, kur vendi ynë është vërtetë mik me të gjithë, kur demonstruam hapa të guximshëm. Në një mënyrë prek edhe porositë fetare të cilat edhe Ati i Shenjtë i promovon në botë”.

Ipeshkvi i Kishës Katolike në Maqedoni, Kiro Stojanov, theksoi se vizita e Papës lidhet me marrëdheniet e mira dypalëshe  me Vatikanin, por edhe respektin për vendlindjen e Nënë Terezës.

 Kiro Stojanov, Ipeshkvi i Kishës Katolike: “Për këtë arsye ju bëj thirrje, lutem për ju, që kjo vizitë apostujsh të jetë dhuratë e dashurisë, ngjarje historike, dhe jo vetëm sensacion ose manifestim”.

Vizita e Papa Françeskut në Maqedoni, për komunitetin katolik, por edhe për tërë vendin është e rëndësisë historike, deklaroi Anton Sereçi, zëvendës kryetar i Komisionit për Marrëdhenie me bashkësitë fetare.

Anton Sereçi, Komisioni Për Marrëdhënie Fetare: “A është historike, është më shumë se historike, për herë të parë Ati i Shenjtë Papa vjen në një  vend biblik, në Maqedoni, për të cilën e dimë se përmendet disa herë edhe në Bibël, por edhe për ngritjen e moralit dhe besimit të njerëzve në marrëdhëniet e mira fqinjësore, për paqen dhe për bashkëjetesën”.

Interesi për vizitën e Papës është i madh edhe tek mediat. Për këtë ngjarje deri më tani janë akredituar rreth 400 gazetarë, 200 prej të cilëve nga vendi. Për shkak të pranisë së Papës, niveli i sigurisë në Shkup do të jetë në nivelin më të lartë. /abcnews.al

ahmeti-1280x760.jpg
Sej rie21:45 | 14/04/2019

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, shprehet i sigurt se Maqedonia e Veriut do të marrë OK për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. “Nëse nuk merret në Qershor, do të ndodh në Shtator’” – tha Ahmeti.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se nuk do të ishte veprim i ngutshëm i presidentit Ivanov, nëse ai do të vendoste ti amniston personat që hynë në Kuvend më 27 prill. Ai konsideron se Ivanov më nuk ka legjitimitet për vendimet të tilla, sepse po i kalon mandati.

Kreu i internistëve foli edhe për PPS-në.  Ahmeti është i mendimit se vendi do të marrë datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Nëse kjo nuk ndodh në qershor, do të ndodh në shtator tha ai. Ahmeti edhe një herë afirmoi përkrahjen e partisë së tij për Pendarovskin, për të cilin tha se partia e tij është duke punuar që të bëhet President./abcnews.al

SINKRON-BALLA-VJENE.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela16:45 | 09/04/2019

28 kryetarët e parlamenteve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë mbështetëse të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Konfirmimin e ka marrë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në takimin që zhvilloi në Vjenë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve Evropiane. /abcnews.al

nikola-gaon.jpg
G. P.18:18 | 06/04/2019

Këshilli i bashkëpunimit rajonal ka nisur projektin për të krijuar zhvillimin e turizmit në 8 vende te rajonit. Menaxheri i projektit, Nikola Gaon, i cili ka nisur zhvillimin e projektit edhe në Tiranë thotë se synimi kryesor është lidhja e këtyre vendeve përmes trashëgimisë kulturore.

Sllovenia, Kroacia, Bosnje Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia janë 8 vendet që përfshinë projekti i Këshillit Rajonal për promovimin e turizmit përmes trashëgimisë kulturore. Menaxheri i projektit, Nikola Gaon, sapo ka nisur turin e prezantimit të këtij projekti pas Prishtinës edhe në Tiranë.

Por përtej trashëgimisë, në këtë projekt janë përfshirë edhe lidhja e këtyre vendeve në ture përmes malit, lumenjve apo në udhëtimet me biçikleta. Ky projekt sapo ka nisur të zhvillohet dhe pritet të përmbyllet brenda 3 viteve.  Fondi i vënë në dispozicion është 5 milionë euro./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono