maqedoni

f7c2ecb4-b82c-4e7a-8338-11b4b5557e0d.jpg
Sej rie11:20 | 27/06/2019

Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski nuk do të ekstradohet. Vendimi është marrë nga gjykata hungareze. Gruevski do të lihet i lirë, ndërsa gjykatësja vendimin e arsyetoi duke thënë se “kushtet për ekstradim nuk janë të vlefshme”. Mëngjesin e sotëm gjykata lëshoi urdhër arresti për Gruevskin, i cili u soll në gjykatë nga dy persona.

Me kapelë bejzbolli, syze dielli “Maybach” dhe xhaketën mbi duart. Ish-Kryeministri Nikola Gruevski në mëngjes është dërguar në Gjykatën e Budapestit. Duhej të shqyrtohej kërkesa për ekstradimin e tij në Maqedoninë e Veriut.

Mediat hungareze që kanë raportuar nga Gjykata në Budapest ku është zhvilluar seanca për ekstradimin e Gruevskit, kanë njoftuar se gjykatësja kompetente ka refuzuar kërkesat e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, që për të dytën herë kërkojnë ekstradimin e ish-Kryeministrit, kësaj radhe për dhunën në Kuvend më 27 Prill të vitit 2017.

Kërkesa e parë ishte për shkak të vendimit të gjykatës për rastin “Tanku” të PSP-së. Siç njoftojnë mediat hungareze, gjykatësja Eva Varezhi ka vlerësuar se gjykatat e Hungarisë nuk mund të marrin aktgjykime për diçka që ka ndodhur në Maqedoni.

Siç ka thënë Varezhi, sipas ligjeve hungareze, personit që i është miratuar azili nuk mund të ekstradohet në vendin nga ku është arratisur.  Gjithashtu njoftohet se Maqedonia nuk mund ta ankimojë vendimin para gjykatave më të larta. Ish-Kryeministri i dënuar, Nikola Gruevski, u prononcua me një koment të shkurtër përmes Facebookut.

“Sot është zbatuar një procedurë standarde e institucioneve në Hungari prej se qeveria kriminale në Maqedoni dorëzoi kërkesë për ekstradim. Gjykata shqyrtoi kërkesën dhe vendosi që të mos e pranojë”, ka shkruar ai.

Çështja e ekstadrimit të ish-Kryeministrit u transferua dhe në seancën plenare të Kuvendit, ku po debatohet për rikonstruimin qeveritar. Nga LSDM-ja u bënë thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së që të distancohen nga Gruevski.

“Derisa nuk distancoheni nga i arratisuri me pranga i cili ju jep urdhra se si të veproni dhe si të flisni, VMRO-DPMNE-ja nuk do të vijë në pushtet. Shikoni rreth vetes, jeni të mbuluar me krim. Keni një deputet që është i akuzuar për 27 Prillin dhe kjo flet gjithcka dhe për këtë shkak qytetarët nuk do të lejojnë të ktheheni në pushtet”, tha Kostandin Kostandinov

Ndryshe seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura, për shkak se bëhet fjalë për procedurë në gjykatat civile që vendosin për ekstradimin. Zyra hungareze për Migrim dhe Azil fillimisht ia kishte miratuar azilin ish-Kryeministrit Gruevski më 20 Nëntor të vitit 2018, kurse më 5 Prill të vitit 2019 ka konfirmuar vendimin, që është përfundimtar.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Sijarto para disa ditëve, gjatë qëndrimit në Shkup, kishte theksuar se autoritetet hungareze nga Gruevski marrin informacione të dorës së parë për situatën në Ballkanin Perëndimor. Agjenci lajmesh raportojnë se Gruevski në Hungari gëzon mbështetjen e Kryeministrit Viktor Orban, edhe pse sot në gjykatë ishte dërguar me pranga në duar./ABC News Albania 24/7

 

policia-3.jpg
ent ela16:31 | 25/06/2019

Në një aksion të policisë financiare, të mbështetur edhe nga njësi speciale për ndërhyrje të shpejtë, në fshatin Luboten, në Shkup, u sekuestrua një sasi e madhe duhani, e kontrabanduar nga vendet fqinje. Banorët vendorë akuzojnë policinë se shkatërron punën e tyre dhe pronat.

Në një aksion policor të organizuar nga policia financiare në bashkëpunim me MPB-në, forca të njësive speciale në fshatin Luboten të Shkupit është konfiskuar sasi e konsiderueshme duhani. Banorët e mbledhur në fshatin Luboten, 20 kilometra nga Shkupi, të shqetësuar nga prania e policisë reaguan ashpër. Kordoni i policisë i ka zgjuar që në pesë të mëngjesit.

Policia financiare aksion të ngjashëm sot ka zhvilluar edhe në fshatrat Haraçinë, Vizbeg dhe vende të tjera. Policia financiare aksionin e ka kryer në bazë të dyshimeve se banorët në shtëpitë e të cilëve  është kryer bastisja kanë bërë kontrabandë të mallrave të akcizës dhe kanë bërë mashtrime të doganave. /ABC news Albania 24/7

zoran-zaev.png
nev ila13:00 | 21/06/2019

Sërish ndryshime në qeverinë e Maqedoniësë së Veriut. Kryeministri Zoran Zaev dorëzon gjatë dirës në parlamentin e vendit propozimin e tij për ndryshime në qeveri. Sipas mediave në vend priten të paktën 8 zëvendësime ministrash.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dorëzon sot në Kuvend propozimin për  ndryshimet në kabinetin e tij qeveritar.  Sipas  paralajmërimeve të tij do të të ketë gjithsej tetë ndërrime ministrash e  zv/ministrash dhe  të rreth 20 drejtuesve të ndërmarrjeve publike. TV Klan Macedonia mëson se në ekipin përfaqësues të BDI-së do të ketë dy ndryshime në rang ministror:

Ekonomisti me përvojë evropiane Naser Nuredini është emër i ri  në kabinetin qeveritar dhe do të drejtojë Ministrinë e Mjedisit e të Planifikimit Hapësinor, kurse Sadulla Duraku, që deri tash ishte bë ballë të këtij dikasteri, do të drejtojë Ministrinë e re për Sistem Politik.

Paralajmërohet se integristët do të propozojnë edhe emra të rinj  të drejtuesve të disa disa drejtorive të ndërmarrjeve publike. Ndërkohë, ende nuk është e qartë nëse Kryeministri ka rënë dakord për ‘rokadën’  me Rilindjen Demokratike Kombëtare që LDP-ja të marrë Ministrinë e Pushtetit Lokal kurse kësaj partie t’i jepet ndonjë dikaster tjetër.

Pas dorëheqjes së Asaf Ademit nga posti i ministrit të Kulturës, mësohet se në vend të tij, po nga Alternativa, do të vijë profesori universitar Hysni Ismaili./ABC News Albania 24/7

maqedonia.jpg
nev ila19:32 | 14/06/2019

Ka nisur të premten në Maqedoninë e Veriut testi i parë për regjistrimin e popullsisë. Procesi po realizohet në rrugë elektronike dhe krahas maqedonishtes është edhe në gjuhën shqipe.

Nga sot e deri më 30 qershor do të mbahet pilot regjistrimi i popullsisë, amviserive dhe banesave në të gjitha tetë rajonet planore të RMV-së, gjegjësisht nëpër katër rrethe dhe atë dy urbane dhe dy rurale, informojnë nga Enti Shtetër i Statistikës. Në rajonin e Pollogut pilot regjistrimi do të zhvillohet në komunën e Gostivarit dhe atë dy rrethe regjistrimi në qytet, një në fshatin Forinë dhe një tjetër në fshatin Vrutok, informon Arsim Nuredini, Instruktor në Entin Shtetëror të Statistikave.

“Në regjionin e Pollogut e kemi zgjedhur qytetin e Gostivarit ku do të kemi mbikqyrje në  Gostivar, Forinë dhe Vrutok. Ky pilot regjistrim do të vazhdojë prej sot deri më 30 qershor, sot e kemi vetëm mbikqyrjen e terrenit, prej nesër fillon regjistrimi nëpër familje”, tha Arsim Nuredini, instruktor në Entin Shtetëror të Statistikave.

Nuredini thekson se ky pilot regjistrim që ka për qëllim testimin e aplikacionit i cili do të bëhet me pajisje elektronike, nuk le hapësirë për manipulime, pasi që, siç shprehet ka kontroll nga instruktorët shtetërorë dhe të gjitha materialet që regjistrohen shkojnë direkt në bazën e Entit Shtetëror të Statistikave.

“Nuk besoj se do të ketë manipulime në këtë lloj regjistrimi, sepse kjo është vetëm një regjistrim testues, sepse provohet testimi i aplikacionit se si do të shkojë puna në terren që të jemi të gatshëm për regjistrimin e ardhshëm që do të mbahet në prill të vitit 2020. Secila punë që bëhet në terren ka kontroll edhe prej nesh, pra instruktorëve shtetëror, por ka edhe supervizorë dhe të gjitha materialet që regjistrohen shkojnë direkt në bazën e Entit Shtetëror të Statistikave”, theksoi Arsim Nuredini, instruktor në Entin Shtetëror të Statistikave.

Në këtë operacion do të marrin pjesë 16 instruktorë shtetërorë dhe 32 regjistrues. Pilot – regjistrimi do të zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe në shqip, kurse të dhënat e mbledhura nga terreni nuk do të bëhen publike./ABC News Albania 24/7

antimafia-ne-shkup.jpg
nev ila23:06 | 12/06/2019

Ministria italiane e Drejtësisë po punon për hartimin e një baze të re të dhënash, që do të jetë operative në vendet e Ballkanit. Lajmin e ka bërë të ditur kryeprokurori i Antimafias, Federiko Kafiero de Raho, gjatë një vizite në Maqedoni, ku ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërshtetëror kundër krimit.

Mbi 110 mijë lëndë gjatë vitit zhvillon Drejtorati Italian për ndjekjen e mafisë dhe terrorizmit, i cili disponon me një bazë të madhe të të dhënave, që lehtëson procesuimin e këtyre rasteve, kurse Ministria italiane e Drejtësisë për momentin është duke përpunuar një model të bazës së të dhënave, që do të jetë operativ në vendet e Ballkanit. Prokurori Kombëtar Publik për ndjekjen e mafias dhe terrorizmit Federiko Kafiero De Raho në Shkup ka theksuar se deri në fund të korrikut do të definohet ky model i të dhënave.

“Nuk guxojmë të harrojmë se krimi i organizuar më shumë se çdo organizatë tjetër e dëmton demokracinë. Krimi i organizuar është shumë i pasur dhe për këtë arsye mendoj se Maqedonia dhe vendet tjera nga Ballkani Perëndimor duhet të marrin pjesë më shumë se kurdoherë në iniciativat për bashkëpunim të ndërsjellë”, Federico Cafiero de Raho, kryeprokuror i Antimafias .

Ndërkohë, rreth rastit të keqpërdorimeve të IPA fondeve e ku ishte arrestuar një zyrtar shtetëror në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, në këtë konferencë është thënë se janë zbuluar dëshmi tjera gjatë bastisjeve në Itali. Sic u tha, zbulimit të keqpërdorimeve dhe arrestimeve, u ka paraprirë një bashkëpunim mes zyrtarëve të Shkupit dhe Romës.

Prokurori Italian De Raho nuk deshi ti komentojë hetimet rreth IPA Fondeve që janë duke u zhvilluar edhe nga Prokuroria e Milanos, por përmendi se Ministria italiane e Drejtësisë është duke përgatitur një bazë të të dhënave për prokuroritë e vendeve të Ballkanit që të mund të këmbejnë informacione për hetime të këtij karakteri./ABC News Albania 24/7

maqedoni-1280x713.jpg
Sej rie20:00 | 05/06/2019

Prokuroria speciale në Maqedoni ka urdhëruar hetimin e përgjimeve të publikuara në rrjetet sociale nga një person me pseudonimin “El Çeka”, mbi ngjarjet e Kumanovës. Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se institucionet duhet të zbardhin të vërtetën.

Në një paraqitje me rastin e shënimit të përvjetorit të Bashkimit Demokratik për Integrim, në Shkup, zoti Ahmeti ritheksoi angazhimin e tij për zbardhjen e së vërtetës lidhur me të ashtuquajturat bomba politike. Organet e drejtësisë duhet të zbardhin të vërtetat e jo të bëjnë drejtësi selektive, ndërkohë që për vazhdimin e publikimit të tyre ai tha se është një ‘Brymë mëngjesi’ që ka për t’u venitur së shpejti.

Prokurorja Speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva ndërkohë ka urdhëruar nisjen hetimeve për materialet e publikuara.

Katica Janeva, PSP:  “Kam dhënë urdhër të hetohen, të shihen, mundet edhe në bazë të hard-diskut të vërtetohet çfarë është, së pari kohëzgjatja, pastaj të identifikohen, të dëgjohen, të përkthehen…”

Bisedat e përgjuara telefonike, sipas profesorit universitar Tupançevski duhet të trajtohen, si fakte për procedura eventuale gjyqësore:

Nikolla Tupançevski, profesor universitar:  “Është fakt se bisedat e përgjuara trajtohen në mënyra të ndryshme, sepse mban përgjegjësi penale ai që në njëfarë mënyre I ka publikuar. Ligji për procedurë penale dhe vendimet e marra nga gjykatat më të larta shkojnë në drejtim se në situata të caktuara, bisedat e përgjuara mund të shfrytëzohen si prova materiale”.

“El Cheka” dje i ka dërguar një mesazh Kryeministrit Zaev, se në Burgun e Shkupit u përgatitet diçka tre të akuzuarve në Rastin e Kumanovës, duke e paralajmëruar që mos të lejojë diçka të tillë, pasi siç thotë, nga burime të Prokurorisë ka njoftime se tre të akuzuarit nuk duhet të hanë ushqimin e burgut e as të dalin nga qelitë. Informacionet e këtilla janë përgënjeshtruar nga Drejtoria e Burgut./ABC News Albania 24/7

analisti.jpg
G. P.15:25 | 04/06/2019

Pas rekomandimit të fundit për fillimin e negociatave me BE-në, pyetja e radhës  është se sa do të jetë e gatshme BE-ja për zgjerimin. Deklarata është bërë nga ambasadori i Francës në Shkup Kristian Timonie. Ndërkaq, në një debat për eurointegrimin, profesorë universitarë nga Shkupi propozuan që Maqedonia e Veriut të ndahet nga pakoja me Shqipërinë në BE.

Profesorë universitarë në Shkup janë të mendimit se Maqedonia e Veriut duhet të ndahet nga paketa me Shqipërinë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, pasi sipas tyre Shkupi  ka bërë më shumë përpjekje dhe ka më shumë mundësi që të fitojë datë më së voni në fillim të vitit të ardhshëm.

Marjan Gjurovski, profesor universitar: Republika e Maqedonisë së Veriut të ndahet nga pakoja me Shqipërinë, sepse mundësitë për gjendjen e vendit tonë janë më pozitive. Pavarësisht se data do të jetë në qershor ose në fund të këtij viti, fillimi i bisedimeve me BE-në nuk varet nga vendi ynë, duke pasur parasysh atë se ne në këtë moment detyrat tona i kemi plotësuar.

Ambasadori i Francës në Shkup Kristian Timonie, i pyetur rreth datës së negociatave tha se për të do të vendosin vendet anëtare të BE-së.

Kristian Timonie, ambasador i Francës: Sa i përket Francës, presidenti Macron para pak kohësh e prezantoi strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor. Një pjesë të asaj strategjie e kemi vendosur për të ju ndihmuar në përgatitjet e bisedimeve qasëse. Këtu do të mbahet edhe punëtoria e katërt, në kuadër të aktiviteteve që i organizojmë në kornizë të Sekretariatit për Çështje Evropiane, me këtë ndihmojnë që të përgatitet ky institucion për hapjen e bisedimeve.

Këto komente u bënë në debatin akademik “Ndikimi i zgjedhjeve të Bashkimit Evropian ndaj procesit të integrimeve të Ballkanit Perëndimor me vëmendje të veçantë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, në  organizim të Shoqatës Maqedonase të Shkencave Politike dhe rektoratit të Universitetit të Shkupit./ABC News Albania 24/7

skopje.jpg
G. P.23:45 | 31/05/2019

Në Maqedoni ka vijuar publikimi i bisedave të përgjuara mes eksponentëve të qeverisë. Autori i publikimeve, i identifikuar me pseudonimin “El Cheka” ka paralajmëruar se do të vijojë me publikimet deri në hetimin ndërkombëtar të ngjarjeve të Kumanovës.

Në një nga postimet e tij “El Cheka” thotë se “bombat” do t’ua dërgojë CIA-s dhe Ambasadës amerikane në Shkup. Vetëm gjatë ditës ai ka publikuar dhjetëra biseda të përgjuara, kurse paralajmëron se do të vazhdojë me tempon e njëjtë, nëse nuk zbatohet hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës.

Përveç në profilin “El Cheka”, përgjime të reja janë publikuar edhe në Youtube nga profile me emër të kryeministri Zoran Zaev. Në një prononcim për rrjetet sociale ai ka thënë se nuk e fsheh identitetin e tij dhe se nuk ka frikë nga ekstradimi duke thënë se do ti publikojë të gjitha materialet e publikuara.

Nga ana tjetër, Ministri I Ekonomisë nga radhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi ka theksuar se bëhet fjalë për biseda private dhe se nuk duhet të keqinterpretohen.

Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë: “Nuk do të doja të komentoj gjëra që janë rreptësisht të ndaluara me ligj. Gjithashtu do të doja t’u bëj thirrje mediave se publikimi i tyre është i jashtëligjshëm. Sa u takon “bombave” kam dëgjuar shkurtimisht disa prej tyre. Janë biseda private, njëjtë sikurse me ju të komunikoj privatisht”.

Prokuroria Speciale Publike do të hetojë nëse i posedojnë të njëjtat “bomba’ ose bëhet fjalë për disa pjesë që nuk janë dorëzuar në LSDM e më pas në Prokurori. Do të hetohet gjithashtu nëse janë të sakta pohimet e El Chekës se këto biseda të përgjuara janë të Grupit të Kumanovës.

Nga MPB-ja thonë se po punojnë për zbardhjen e rastit. Kanë vërtetuar se kush qëndron pas profilit dhe do t`i dorëzojnë kallëzim penal. Me urdhër të Prokurorisë, kanë kërkuar që të fshihet profili i “El Chekës” në Facebook, por ai ende është aktiv.

Bombat është duke i analizuar dhe Prokuroria Speciale Publike. Ndërkaq, ekspertë juridik thonë se publikimi i bisedave të këtilla apo të ngjashme dëshmon se nuk ka siguri juridike në vend dhe nëse Prokuroria dhe policia nuk e parandalojnë këtë, mund të ndodhin keqpërdorime të mëdha./ABC News Albania 24/7

maqedoni-1-1280x714.jpg
Sej rie19:30 | 20/05/2019

Reforma institucionale që do të ndërmarrë qeveria e Zaev në Maqedoni do të nisë në gjysmën e parë të qershorit. Në favor të këtij operacioni, që parashikon ndërrimin e zyrtarëve në të gjitha nivelet, është edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti, që ka deklaruar se nuk mund të ketë funksionarë të përjetshëm.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ende nuk ka biseduar me Zoran Zaevin për ndryshimet që pritet të ndodhin në ekzekutiv. Nuk është biseduar as në parti, por asnjë funksionar nuk është i përjetshëm thotë Ahmeti. Sipas tij, misionarët janë të përhershëm, e shumicën e bashkëpunëtorëve thotë se i ka misionarë.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: “Zoti Zaev ka pasur disa vizita jashtë vendi dhe akoma nuk kemi biseduar. Nuk mendoj unë se Sadulla Duraku thotë që mua nuk më intereson se çfarë thonë qytetarët. Mund të jetë nxjerrë nga konteksti sepse unë Sadulla Durakun e njoh tash e sa vite. Mund të jetë nxjerrë nga konteksti kjo punë. Asnjëri nuk është i përjetshëm, funksionet shkojnë e vijnë, misionet mbeten në jetë të jetëve dhe pjesa dërmuese e bashkëpunëtorëve të mi janë misionarë. Funksionarët janë të përkohshëm, misionarët të përhershëm”.

Qeverinë nuk e lëshon as RDK-ja. Vesel Memedi, thotë se partia e tij ka luajtur rrol të rëndësishëm në formimin e Qeverisë që bëri punë të mëdha. Kryeministri Zoran Zaev, paralajmëroi se me emra konkret do të dal në fillim të muajit të ardhshëm, pas mbylljes së raportit të Komisionit Evropian.

Zoran Zaev, kryeministër:  “Në fillim të qershorit edhe atë në pjesën e parë të qershorit, e kam ndërmend që të dal me zgjidhjet konkrete për ndryshimet, edhe atë në qeveri, në institucionet qeveritare, drejtori, borde drejtuese dhe mbikëqyrëse”.

Zaev tha se porosinë e ka marrë nga qytetarët në zgjedhjet e fundit, kurse edhe një herë paralajmëroi ndryshime edhe në parti por edhe në nivel lokal./ABC News Albania 24/7

hahn-1280x648.jpg
ent ela23:35 | 14/05/2019

Komisioneri i BE për Zgjerimin Johanes Hahn është shprehur optimist se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të marrin një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në një intervistë, Hahn ka deklaruar se vendet anëtare do të vlerësojnë reformën në drejtësi të Shqipërisë dhe marrëveshjen e emrit të Maqedonisë.

Komisioneri europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Johanes Hahn ka deklaruar se ekzistojnë shanset që Shqipëria, por edhe Maqedonia e Veriut të marrin dritën jeshile për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Në një intervistë për Radion Europa e Lirë, Hahn ka nënvizuar se në cilësinë e komisionerit do të bëjë çmos që rekomandimi për hapjen e negociatave të jepet në qershor dhe jo në tetor, sikurse përflitet në Bruksel. Duke paralajmëruar publikimin e raportit vjetor pas dy javësh, Hahn është shprehur optimist se do të ketë një rekomandim pozitiv për të dyja vendet.

“Kur vjen fjala tek Maqedonia e Veriut mendoj se duhet të pranojmë progresin e madh që ky vend ka bërë në tejkalimin e konflikteve dypalëshe, që është një parakusht për anëtarësimet e ardhshme. Gjithashtu, reforma në drejtësi në Shqipëri është diçka që duhet vlerësuar dhe në këtë aspekt mendoj se do të vlerësohet pozitivisht nga vendet tona anëtare”.

I pyetur në lidhje me kërkesën e Parlamentit holandez për pezullimin e lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë, Hahn ka theksuar se kjo është një çështje për të cilën pala shqiptare duhet të angazhohet në bisedime me palën holandeze, por ka shtuar se nuk ka të dhëna që një nismë e tillë të jetë promovuar edhe nga shtete të tjera anëtare të BE-së. /ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono