maqedoni

timonier.png
G. P.20:30 | 16/12/2018

Ambasadori i Francës në Maqedoni, Christian Timonier, ka folur zhvillimet e fundit në vend. Ai thotë se duhet amnisti, por thekson se që kjo të realizohet duhet impenjim nga të gjitha palë.

Qëllimi i amnistisë së paralajmëruar në Maqedoni duhet të jetë një pajtim i llojit të vet që është tepër i ndërlikuar e që duhet të sjellë bashkëekzistencën drejt objektivit thelbor të vendit, integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kështu ka deklaruar për seksionin maqedonas të Radios Evropa e Lirë ambasadori i Francës në Shkup, Kristian Timonie. Sipas tij, që kjo të bëhet realitet, duhet impenjimi i gjithë shoqërisë dhe forcave kryesore politike, përfshirë këtu edhe opozitën. Ambasadori francez, me këtë rast ka tërhequr vërejtjen për departizimin e administratës.

Christian Timonier, ambasadori i Francës në Maqedoni, ka folur me tone optimiste për kapërcimin e krizës nëpër të cilën kaloi vendi, pas megaskandalit të përgjimeve që shpërfaqi kapjen partiake të shtetit, mirëpo, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ai ka folur hapur për sfidat përballë të cilave ndodhet vendi e që, si të tilla janë të evidencuara në raportin e ekspertëve evropian në ballë me Reinhard Pribenë. Diplomati Timonier vlerëson se zbatimi i Reformave dhe Marrëveshja e Prespës me Greqinë, lidhur me emrin, do ta bëjnë të kapshëm integrimin euro-atlantik të Maqedonisë.

“Nga ana tjetër, gjithë kjo ka kuptim nëse vendi ia del të zhbllokojë pozitën e vet karshi botës. U arrit Marrëveshja e Prespës, të ciln ne e mbështesim dhe që duhet të hapë dyert për në NATO, por po ashtu do të evitojë veton greke për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, vlerëson ambasadori i Francës në Maqedoni.

Sipas tij, tani është koha që e gjithë shoqëria, veçmas partitë parlamentare, të zgjohet dhe që të tejkalohen ngecjet në thellimin e reformave, që deputetët, sidomos ata të opozitës, të bëhen pjesë e procesit për ndryshimin e vërtetë strukturor e cilësor të jetës politike. Diplomati francez, në këtë rrafsh, ngecjet më të mëdha i shikon në sistemin e drejtësisë.

“Duket së më së shumti është në jurisprudence, për shkak se kjo është fusha më e shumëpritur. Pika e dytë është çështja që lidhet me departizimin e administratës, për shkak se zëvendësimi u bë sipas formave që u ngjasojnë atyre të mëparshmeve, mbase ekzistojnë arsye të caktuara për t’ju përgjigjur partizimit nga e kaluara. Që të mund të ndodhin ndryshimet ishte e domosdoshme të zëvendësohen njerëz në administratë, por a u bë ky ndërrim i kuadrove në bazë të kompetencave ose ndoshta të përkatësisë politike, nuk e di, kjo vazhdon të mbetet çështje e hapur”, thotë ambasadori francez duke pranuar se dyshon në partizimin e ri të administratës në Maqedoni.

Lidhur me çështjen tepër aktuale e të shumëdebatueshme, atë të mundësisë së amnistimit të protagonistëve kryesorë në ngjarjet e përgjakshme të 27 Prillit të vitit të kaluar në Parlamentin e Maqedonisë, ambasadori francez, bën thirrje për veprime të kujdeshme, sidomos, tërheq vëmendjen ai, që të mos ketë instrumentalizim të sistemit të drejtësisë:

“Kuptohet se ka aspekte teknike të kësaj çështjeje, por po ashtu edhe çështje që lidhen me balancën mes partive politike. Gjithë kjo nuk mund të arrihet pa negociata të sinqerta midis partive të mëdha politike, por ato edhe duhet të kenë qëllimin e njëjtë dhe jo që kjo të bëhet amnisti e ndërsjellë midis mafiozëve, por që të jetë përmbushje e interesit të përgjithshëm. Zgjidhja mund të gjendet vetëm përmes negociatave, për shkak se amnistia mund të ngërthejë edhe etapa suksesive dhe qëllimi i amnistisë duhet të jetë një pajtim i llojit të vet që është mjaft i ndërlikuar dhe duhet të sjellë bashkëjetesën drejt objektivit thelbësor të vendit, integrimit evropian dhe integrimit në në Aleancën e Atlantikut”, vlerëson kryediplomati francez në Shkup, në intervistën dhënë seksionit maqedonas të Radios Evropa e Lirë./abcnews.al

ZAEV-PER-USHTRINE-ABC-M-1-T-2-HD.mpg_snapshot_00.18-1280x720.jpg
G. P.22:40 | 14/12/2018

Kryeministri , Zoran Zaev, është shprehur njëjtë sikur edhe NATO-ja sa i përket vendimit të Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë. Zaev ka thënë nuk është tani momenti për tensione në rajon, andaj edhe ka bërë thirrje për kujdes.

Kryeministri Zoran Zaev duke u shprehur rreth formimit të ushtrisë së Kosovës, ka ndarë mendimin e NATO-s, se nuk është koha e përshtatshme. Ai u ka bërë thirrje liderëve të rajonit që të kontribuojnë për paqën, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik.

Zoran Zaev – Kryeministër: “Unë e di se edhe qëndrimi i NATO-s është kështu – nuk është koha. Nuk na duhen tensione të reja. Edhe një herë, të mos harrojmë se Ballkani nuk e ka ndërmend të bëhet përsëri barut. Ju bëj apel kolegëve, kryeministrave, kryetarëve të shteteve, të kenë kujdes në hapat e tyre”.

Konform të drejtës ndërkjombëtare, formimi i Ushtrisë së Kosovës është një çështje e brendshme, por duke i ndjekur ngjarjet e përgjithshme në Ballkan, kjo bëhet çështje diskutabile-vlerëson Kryetarja e Qendrës Marshal për siguri Lubica Pendarovska.

Lubica Pendarovska – “Qendra Marshal”: “Momentalisht marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit shkojnë prapa, pas një periudhe të përmirësimit të marrëdhënieve tani kemi përkeqësim dhe ndërprerje formale të negociatave. Ndaj qëndrimin dhe shqetësimin e bashkësisë ndërkombëtare se ky nuk është një moment I përshtatshëm për formimin e ushtrisë së Kosovës”.

Pendarovska është prononcuar edhe rreth rrethanave nëse ekziston nonjë rrezik për sigurinë në Maqedoni.

“Nga ajo që mund të shihet, për momentin, nuk ka asnjë rrezik potencial nga këndvështrimi I sigurisë, Por mund të them se njëkohësisht se politika ynë zyrtare duhet të jetë, tashmë ka deklarata zyrtare, ne normalisht jemi afër NATO-s dhe I ndhekim ngjarjet dhe ndajmë qëndrimin se ajo që duhet të jetë qëndrim formal I Aleancës, është edhe qëndrimi ynë, porn ë planin e sigurisë vlerësoj se nuk do të ketë reperkuesione për rajonin dhe për Maqedoninë”.

Partitë politike shqiptare përmes komunikatave kanë uruar formimin e ushtrisë së Kosovës, kurse opozitarja Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar nga Kryeministri Zaev që ta tërheq deklaratën e tij./abcnews.al

XHAFERRI-NERVAT-ABC-M4-T1.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
G. P.18:24 | 10/12/2018

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar Ruçi, kryetari i parlamentit të Maqedonisë është nervozuar me përkthyesen, duke i kërkuar asaj që të përkthente nga gjuha maqedonase në shqip.

Një moment pakujdesie e përkthyeses e ka nervozuar kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, në momentin që po i drejtohej mediave bashkë me kolegun e tij shqiptar Gramoz Ruçi. Kryeparlamentarit Xhaferi i është dashur të tërheqë vëmendjen e saj disa herë duke i rënë foltores.

Por dhe kur ka filluar të përkthejë, përkthyesja po fliste maqedonisht. Sërish Xhaferri i ka kërkuar që të përkthejë në Shqip për Ruçin atë që ai sapo kishte thënë në gjuhën maqedonase. Momenti ka shkaktuar të qeshura në sallën e konferencës për shtyp ku dhe kryeparlamentari maqedonas është munduar të buzëqeshë./abcnews.al

AHMETI-MARREVESHJA-PRESPES-1280x720.jpg
ent ela14:56 | 09/12/2018

Kryetari i Bashkimit Demokrat për Integrim, Ali Ahmeti kërkon zbatimin e plotë të marrëveshjes për emrin me Greqinë. Ai ripërsërit edhe njëherë që presidenti i ardhshëm i vendit duhet të jetë një figurë që unifikon vendin.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se ka dronë për dëmtim të procesit të zbatimit të plot të ‘Marrëveshjes së Prespës’. Për këtë arsye ai ka bërë thirrje që institucionet shtetërore e ligj-zbatuese të jenë të vëmendshme për të mos dëmtuar, ka thënë ai, imunitetin e procesit. Në intervistën e Javës për seksionin maqedonas të radios Evropa e Lirë, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, ka thënë se arratisja e ish-kryeministrit Nikola Gruevski për të ka qenë e papritur dhe i përket këtij të fundit që të japë sqarime shtesë.

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka tërhequr vëmendjen se koalicioni qeverisës ka harxhuar shumë energji për arritjen e ‘Marrëveshjes së Prespës’ me Greqinë, që duhet t’i hapë rrugë integrimit euro-atlantik të Maqedonisë dhe, sipas tij, procesi i vënies së saj në jetë nuk duhet të ngec:

Në këtë rrafsh, në intervistën dhënë radios Evropa e Lirë, kreu i integristëve ka bërë thirrje që institucionet e sistemit, por edhe forcat politike, të mos bëjnë ndonjë veprim që do të kërcënonte, ka thënë ai, procesin e vënies në jetë të Marrëveshjes me Greqinë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik pë Integrim, Ali Ahmeti, ka ritheksuar angazhimin e tij dhe të partisë që ai drejton që në zgjedhjet presidenciale të pranverës të vendoset për një president konsesual i cili do të bashkonte e jo përçante vendin. Sipas tij, nuk ka nevojë për organizim të zgjedhjeve të parakohshme. /abcnews.al

ZYRTARI-SHBA-SHKUPI-PRISHTINA-1280x720.jpg
ent ela15:13 | 07/12/2018

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Mattheë Palmer, ka deklaruar se Maqedonia, shumë shpejt pas zbatimit të Marrëveshjes me Greqinë, lidhur me emrin, do të bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO. Në një intervistë për ALJAZZERA, zyrtari i lartë i administratës amerikane ka shprehur mirëkuptimin për formimin e ushtrisë së Kosovës, por jo për tarifat doganore serbisë.

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, është shprehur optimist se Parlamenti i Maqedonisë ka për të përmbyllur me sukses miratimin e ndryshimeve kushtetuese për të vënë në jetë ‘Marrëveshjen e Prespës’ lidhur me emrin. Me këtë, ka thënë ai, hapet edhe rruga e integrimit euroatlantik të saj:

“Mendoj se Maqedonia ka bërë një lëvizje të rëndësishme. Sigurimi i shumicës së dy të tretave në Parlament, të domosdoshme për inicimin e debatit për reformat e domosdoshme kushtetuese, është një kthesë me rëndësi dhe ndërmarrje e madhe e Qeverisë së Zoran Zaevit. Presim që parlamenti maqedonas të përfundojë sa më parë këtë proces. Pas kësaj, radhën do ta ketë Athina dhe Qeveria e Greqisë dhe shpresoj se do të ratifikohet ‘Marrëveshja e Prespës”– thotë zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit duke shprehur bindjen se pas kësaj, 18 muaj më pas, Maqedonia, me emrin e ri, Republika e Maqedonisë së Veriut, do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

Duke folur për kundërshtimin e Marrëveshjes nga ana e opozitës maqedonase, Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Mattheë Palmer, ka treguar mirëkuptim për ndjeshmërinë për çështjen tek një pjesë e votuesve maqedonas, por është treguar optimis se kryeministri Zaev do t’ia dalë të adresojë mirë këto shqetësime. Sipas tij, shqetësimi më i madh ka të bëj me aktorë të jashtëm, përfshirë Federatën Ruse, të cilët, ka thënë ai, e minojnë Marrëveshjen:

“Kemi vënë re se autoritetet ruse po i trimërojnë qytetarët e Maqedonisë, elementë të caktuar brenda shoqërisë maqedonase, të dyshojnë për qëllimet e mira të Qeverisë. Kemi vënë re edhe përpjekje të makinerisë së kontrolluar shtetërore infomative ruse që po tenton të imponojë mendimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose disa faktorë të tjerë të jashtëm, po e detyrojnë popullin e Maqedonisë për këtë Marrëveshje. Kjo nuk është e vërtetë”– është shprehur Palmer për TV ALJAZZERA BALKANS, duke nënvizuar se pengimi i zbatimit të ‘Marrëveshjes së Prespës’ në fakt është kontestim i institucioneve politike maqedonase.

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, ka folur edhe për për tensionet në vijën Prishtinë-Beograd. Me këtë rast ai ka shprehur mirëkuptim për vendimin e autoriteteve kosovare që Forcat e Sigurisë të shndërrohen në ushtri të Kosovës:

“SHBA-të në parim mbështesin të drejtën e Kosovës që të vazhdojë këtë transformim. Kjo nuk është diçka që bëhet me shtypje butoni, në mënyrë që menjëherë, brenda natës, të kalohet nga një formë e forcave të armatosura në një tjetër. Ky është një proces tejet i ngadalshëm dhe i shkallë-shkallshëm i tranzicionit”- ka deklaruar Palmer duke thënë se transformi i FSK-së në ushtri është brenda kuadrit ligjor të Kosovës dhe se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që me Kosovën si partnere të punojnë që ky proces të zhvillohet gradualisht dhe pofesionalisht për vendosjen e paqes e të sigurisë në rajon. Ndërkaq, sa i përket rritjes së tarifave doganore që pala kosovare i vendosi për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, zyrtari i lartë i administratës amerikane ka shprehur shpresën se ato do të hiqen së shpejti, për shkak se, sikurse theksoi, janë pengesë për dialogun, por edhe për paqen.

HOXHA-KLAN-DEBAT-ABC-M2-T1.mpg_snapshot_02.25-1280x712.jpg
G. P.22:30 | 06/12/2018

Në Klan Debat të Klan Maqedonisë, në intervistë ekskluzive nga Prishtina, kolegu Seladin Xhezairi bisedoi me Zëvendëskryeministrin Enver Hoxhaj për zhvillimet e fundit politike në rajon. Zyrtari i qeverisë së Prishtinës tha se Europa e shpërfill Kosovën.

Zv Kryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, thotë se taksat e larta të vendosura për produktet serbe janë bërë me qëllim politik, dhe e përshkruan këtë vendim jo si një betejë boksi, pra jo agresiv, por si një lëvizje strategjike e cila do të tregojë se Kosova është shtet sovran dhe vendos vetë për politikën e saj.

Enver Hoxhaj Zv. Kryeministër i Kosovës: “Taksa 100% është më shumë e motivuar në arsye dhe në rrethanatë politikës së jashtme se sa në arsye dhe në rrethana ekonomike . interpoli, beteja për tërheqje të njohjeve, sjellja e Serbisë destruktive në dialog. Serbia dëshiron që të ketë raport normal me ne veçpër çështje të tregtisë.”

Sa i përket liberalizimit të vizave, Hoxhaj thotë se Kosova ka përkrahjen e 20 deputetëve të Parlamentit Europian dhe i ka përmbushur të gjitha kriteret, dhe ngecjen e Kosovës e përshkruan si “shpërfillje” nga ana e BE-së, e njëjta u dëshmua edhe me dështimin për tu kyçyr në Interpol.

“Qëndrimi jonë për FSK-në është që ky është një proces i pandalshëm, do të thotë se ne as nuk e pyesim Sërbinë e as Serbia nuk ka se çfarë thotë në raport me marrjen e vendimeve tona të cilat janë vendime sovrane.”

Shëndrimi i FSK-së në ushtri ngjalli reagime të ashpra, por Hoxhaj thotë se ky është një proces i pandalshëm dhe se për këtë vendim, Kosova ka përkrahje ndërkombëtare.

“Mos e lejo veten që të bëhesh instrument i Beogradit. Bëhu platformë e serbëve që jetojnë në Kosovës dhe përfaqëso interesat e tyre. Prej asaj kohe do të thotë se kemi një tërheqje të Listës Serbe nga koalicioni.”

Lista serbe dhe dorëheqjet, janë bërë pas masave që janë marrë për tu pavarësuar, për mos shëndrimin e Kosovës në instrument të Beogradit, ne duam ti përfaqësojmë serbët e Kosovës e jo të jemi të mvarur nga ata, thekson Hoxhaj.

“Nëse 20 deputetë të Parlamentit Europian thonë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret, nga kriteri i parë deri tek kriteri i 95-ë. Kësaj fjale mund t’ja vemë emrin vetëm shpërfillje.”

Lajmi i fundit i cili ka bërë bujë në rajon i dhënë nga Zv. Kryeministri është “pakti” që ai e ka përmendur në një medie serbe, pra me politikën e Beogradit, gjë të cilën ai e kundërshton duke thënë se, baraspesha në Ballkan është qëllimi i vetëm që e ka pasur edhe si ministër i Jashtëm.

“Nuk kam përmendur asnjëherë fjalën pakt dhe nuk jam një njeri që mendon klishe historike. Unë jam për një bashkëpunim rajonal, me qëllim që të ruhen balancat rajonale dhe të pengohet një qasje e Serbisë që Serbia kurdo që dëshiron neve ndaras na godet dhe të interferon në temat tona të brendshme.”

Në Klan Debat, Hoxhaj foli edhe për zhvillimet e fundit në Maqedoni si dhe për marrëdhëniet që Kosova i ka me Shqipërinë./abcnews.al

MAQEDONI-LIBRI-ABCM5T2.mpg_snapshot_02.14-1280x720.jpg
G. P.21:18 | 06/12/2018

“Të Jesh Shqiptar” është libri i shtatë i autores nga Tropoja Fatjona Geci, që pas kryerjes së studimeve ka vijuar të jetojë në Tetovë të Maqedonisë. Libri paraqet një risi në metodologjinë e hulumtimit, si dhe në strukturën e qasjes së një problemi sa shoqëror, aq edhe politik e gjeo-strategjik.

Kur autorja ngarkohet me një barë të rëndë, për të sqaruar ç’ka është çështja shqiptare në përgjithësi dhe si ajo përcaktohet në Maqedoni, rreziqet janë të mëdha që interpretimi i fakteve mund të lexohet si nacionalizëm, shovinizëm dhe mega ide. Kësaj autorja me mjeshtri i largohet duke përdorur interpretimin e drejtë të historisë, fakteve shoqërore si dhe metodologjinë krahasuese të shteteve tjera – do të shprehen recenzentët e librit

Shqiptarët edhe pse nuk kanë qenë shumicë në Maqedoni, këtë nuk e kanë përjetuar si dramë dhe besimi në identitet i ka bërë ta përjetojnë sigurinë në vete dhe falë sigurisë së tillë kanë arritur objektivat – do të shprehet ish-diplomati nga Shqipëria Besnik Mustafaj

Në librin “Të jesh shqiptar” autorja Jona Geci ka intervistuar 20 personalitete për të marrë përgjigje në shumë çështje rreth zhvillimeve socio-politike siç janë: integrimet euroatlantike, si është pozicionuar faktori shqiptar në këto procese, rrugëtimi historik i elementit shqiptar në Maqedoni e të ngjashme.

Fatjona Geci është autore e disa vëllimeve politike, por ky është libri i saj i parë me karakter socio-politik. Mes emocioneve dhe ndjenjave të pashuara ajo në këtë promovim, duket se nuk do të ngurrojë ta pranojë se sa i mungon e ëma e saj tashmë e ndjerë, për të cilën thotë se ky libër është një dedikim për të, për frymëzimin e dhënë e që vazhdon ta jep./abcnews.al

kuvendi.jpg
G. P.21:27 | 03/12/2018

Me 64 vota pro, 14 kundër dhe dy abstenime, parlamenti i Maqedonisë miratoi edhe amendamentin e tretë me radhë, për ndryshimin e Kushtetutës. Ky amendament thekson se “Republika e Maqedonisë së Veriut respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje”.

Ndërsa të dielën, deputetët miratuan amendamentin për ndryshimin në Kushtetutë te emrit, nga Republika e Maqedonisë, në Republika e Maqedonisë së Veriut. Njësoj si një ditë më parë, deputetët opozitarë kanë kundërshtuar ndryshimet kushtetuese, duke thënë se janë në dëm të idenditetit kombëtar të vendit. Këto amendamente janë formuluar në bazë të marrëveshjes për emrin me Greqinë, e firmosur këtë vit në Prespë./abcnews.al

KULTURE-MAQEDONI-LIBRI-1280x720.jpg
ent ela22:46 | 01/12/2018

Autori nga Tetova Bardhyl Zaimi ka sjellë së fundmi librin studimor “Paradigma e kritikës së Kutelit”, në të cilin analizon gjerësisht kritikën letrare të këtij autori të njohur.

“Paradigma e kritikës së Kutelit”, me autor Bardhyl Zaimin është libri më i fundit i këtij autori që sapo ka dalë në shtypi. Ky libër studimi, sipas Zaimit, analizon gjerësisht kritikën letrare të Mitrush Kutelit, autorit të librit të parë kritik në historinë e kritikës shqiptare.

Bardhyl Zaimi: “Me krijimtarinë letrare të Kutelit jamë njohur shmë herët, ndërkohë që kisha lexuar edhe për kritikën e tij, sidomos librin “Shënime Letrare”, që është libri i parë kritik në historinë e letrave shqipe. Ky libër më nxiti ta marr në shqyrtim kritikën e Kutelit”.

Autori deklaron se kritika e Kutelit është në funksion të produksionit letrar dhe kulturor të viteve ‘30, periudhë e cila konsiderohet si “koha e artë e letrave shqipe”.

Bardhyl Zaimi: “Është një kritikë e gjerë, e thellë dhe profili kritik i Kutelit është i pashmangshëm nga dimensioni i shkrimtarit që ai ka brenda vetes. Sigurisht edhe kritika e tij është në funksion të produksionit letrar të viteve ‘30, që konsiderohet si epoka e artë e letrave shqipe”.

“Shënime Letrare” e Mitrush Kutelit është botuar në vitin 1944 dhe konsiderohet si libri i parë kritik në mendimin shqiptar. Kuteli mbetet një ndër figurat shumëdimensionale të letërsisë dhe mendimit kritik. /abcnews.al

KLAN-MAQEDONI-DEBAT-ABC-M1-T2.mpg_snapshot_00.57-1280x720.jpg
G. P.18:37 | 29/11/2018

Analistët në Maqedoni janë të bindur se mesi i muajit maj i vitit të ardhshëm do të jetë dhe momenti i vërtetë kur mund të priten ndryshime reale në Ballkanin Perëndimor.

Ballkani Perëndimor sikur sheh një dritë në fund të tunelit, sidomos kur është fjala për shtetet shqiptare, ku interesi i përbashkët i vendeve të rajonit është integrimi në institucionet ndërkombëtare. Por sa janë reale këto deklarime dhe çfarë pasojash mund të sjellë e gjithë kjo situarë e krijuar, në Klan Debat të kolegut Seladin Xhezairi debatuan studiuesi dhe ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa me analistët politikë Albert Musliu dhe Lirim Dullovi. Studiuesi dhe Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, vlerëson se kalendari real për t’u zgjidhur problemi i Ballkanit Perëndimor është 15 Maji i vitit të ardhshëm, pas zgjedhjeve në Bashkimin Europian.

Ylber Hysa, ish ambasador i Kosovës: “Ky kalendar vlen për rajonin, vlen për Kosovën sidomos, por vlen edhe për Maqedoninë, si që e dini, edhe për palën në marrëveshje me Maqedoninë e Greqinë, pra flasim për një kalendar dhe është një përpjekje reale, edhe me këto vizita që i ka bërë presidenti Thaçi në SHBA që janë të nivelit të lartë, edhe në Paris që i përmendët, kështu vizita kemi pasur shumë kohëve të fundit, të cilat flasin për një kalendar real, për një termin kohor real, i cili do të respektohet, ose, do të shfrytëzohet ose jo”.

Për dallim nga e kaluara, tani shqiptarët kanë një partner strategjik, dhe sipas analistit politik Albert Musliu, ajo që aktualisht duhet, është zhvillimi i elitave politike në vendet e rajonit.

Albert Musliu, analist: “Nëse e sheh prej ku kemi nis e ku kemi ardhë, situatën e kemi shumë më të mirë sesa atë që e kemi pas vitin e 90-të, as kemi pas partner strategjik, përveç miqësisë kombëtare strategjike të cilën e kemi pas me SHBA-të. Lidhur në relacion me Europën, ne kemi qenë një komb i margjinalizuar, i stigmatizuar, dhe popull i cili jo rrallë herë falë diplomacive të disa shteteve fqinje, edhe në veri edhe në jug, ka qenë i anatemuar, popull i egër i pazhvilluar edhe si popull me të cilën nuk vlen të bashkëpunohet”.

Gjendja e shqiptarëve është më e mirë se sa kemi qenë, por shumë më keq se sa kemi mundur të jemi, thotë Analisti politik Lirim Dullovi i cili vlerëson se shqiptarët nuk e kanë kuptuar mirë çështjen e shtetbërjes dhe se faktori ndërkombëtarë ka bërë më shumë për ne sesa ne për veten.

Lirim Dullovi, Analist: “Jemi shumë më keq se sa kemi mund të jemi, unë mendoj se kjo është shkak i dy faktorëve, një, mosgatishmëria, mospasja e kapaciteteve tona për ta kuptu seriozisht rolin tonë në ndërtimin e shteteve tona”.

Ylber Hysa vlerëson se dështimi i Kosovës në Interpol nuk ka qenë rezultat i angazhimit të diplomacisë serbe, por një moment gjeopolitik.

Ylber Hysa, ish ambasador i Kosovës: “Është pikërisht ky moment nëpër të cilin po kalojmë, gjeopolitik, në të cilin për shembull, me siguri sfida ka qenë të bllokohet kandidati rus për të qenë shef i Interpolit, s’ka qenë angazhimi për t’i ndihmuar Kosovës për t’u futur në Interpol, aty besoj ka qenë kalkulimi ose keqkalkulimi në të cilin është futur Kosova në agjendë, pikërisht kjo është ajo botë për të cilën u mundova të flas dhe e cila po ndryshon. Me siguri ma merr mendja në këtë botë të trazuar ka qenë për dikë më me rëndësi që ta bëjë kandidatin nga Koreja e Jugut shef të Interpolit sesa ta bëjë Kosovën anëtare të Interpolit”.

Në debatin e mbrëmshëm, studiuesit dhe analistët politikë debatuan edhe rreth aktualitetit politik në Maqedoni e Kosovë, me theks të veçantë rreth arratisjes së ish-Kryeministrit Nikola Gruevski në Hungari si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë pas vendosjes së taksës për produktet serbe nga ana e autoriteteve të Kosovës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono