manuel neuer

Neuer-ter-Stegen.jpg
Igli Nikolli11:33 | 15/11/2019

Rivaliteti në portën e Gjermanisë është shumë i madh. Manuel Neuer është prej vitesh titullar i padiskutueshëm, por edhe Marc-Andre Ter Stegen po shkëlqen në portën e Barcelonës. Ky i fundit është lodhur nga qëndrimi në stol dhe kërkon të luajë më shumë.

Për fat të keq ka përpara një mjeshtër si gardiani i Bayern Munchen. Rreth kësaj çështje ka folur edhe Oliver Kahn për Kicker. Legjenda e portës gjermane dhe Bayernit i jep fund dilemave dhe nuk e diskuton rolin e titullarit, që duhet të vazhdojë t’i përkasë Neuer.

Gjermania është furnizuar gjithmonë mirë me portierë. Ter Stegen ka të drejtë të flasë për dëshirën për të luajtur, por për momentin nuk shoh asnjë motiv për të ndryshuar diçka“, thekson Kahn.  Gjermania pret nesër në mbrëmje Bjellorusinë dhe të gjithë janë kuriozë për të mësuar zgjedhjen e trajnerit Low. /abcnews.al

Neuer-1280x667.png
Igli Nikolli11:29 | 20/10/2019

Bundesliga e këtij sezoni është shumë e bukur dhe plot rivalitet. Ngjeshje e madhe në vendet e para, teksa Bayern Munchen nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Ekipi i Niko Kovac renditet i treti me 15 pikë, ka fituar vetëm gjysmën e ndeshjeve dhe ka pësuar 10 gola deri tani.

Barazimi i djeshëm kundër Augsburgut në transfertë i ka zhgënjyer të gjithë në kampin bavarez. Kampionët pësuan golin e parë në sekondën e 27-të dhe të dytin në minutat shtesë. Manuel Neuer nuk përmbahet dhe zbulon problemin e madh të ekipit.

“Kemi fituar vetëm katër ndeshje nga tetë gjithsej dhe ky nuk është niveli ynë. Nëse pëson një gol në sekondat e parë dhe një tjetër pak para fundit, i bie që të ketë diçka. Ky është një problem psikologjik, ky nuk është Bayerni i vërtetë”, thekson kapiteni i Bayern Munchen. /abcnews.al

Neuer-ter-Stegen.jpg
Igli Nikolli19:11 | 08/10/2019

Marc Andre Ter Stegen i është rikthyer edhe njëherë rivalitetit me Manuel Neuer. Gara për postin e titullarit në kombëtaren gjermane është e madhe dhe trajneri Low ka vendosur t’i aktivizojë të dy.

Portieri i Barcelonës do të luajë në miqësoren e nesërme kundër Argjentinës, ndërsa “gardiani” bavarez do të zbresë si titullar në transfertën e së dielës kundër Estonisë. Ter Stegen zbulon raportin me Neuer dhe pranon se nuk ka asnjë problem mes të dyve, duke vendosur t’i japë fund polemikave të krijuara.

“Nuk po luftoj kundër Neuer. Manuel e di se kur i bëra ato deklarata, media po mbante krahun tim dhe jo të atij. Kemi një raport të bukur mes nesh, shumë profesional. Bisedojmë shumë së bashku, por problemin e aktivizimit s’e kemi prekur kurrë. Nuk ka asnjë luftë mes nesh”, thekson Marc-Andre Ter Stegen. /abcnews.al

Neuer-Manuel.jpg
Igli Nikolli16:33 | 06/10/2019

Futbolli është i paparashikueshëm. Bayern Munchen fitonte 2-7 në mesjavë përballë Tottenhamit në Champions League, ndërsa dje u mposht në kampionat. Hoffenheim fitoi 1-2 dhe ekipi bavarez provoi shijen e parë të humbjes e dorëzoi për momentin kreun e renditjes.

Manuel Neuer nuk e bën dramë këtë disfatë, por ka një mesazh për shokët e skuadrës. Kapiteni shpreson që të gjithë ta kenë marrë mesazhin e kësaj humbje dhe të mos i përsërisin më ato lloj gabimesh.

“Ishim të motivuar, por i pësuam shumë lehtë dy golat. Ky ishte problemi ynë i madh në humbjen kundër Hoffenheim. Ky ishte një paralajmërim për të gjithë ne dhe duhet ta kemi të qartë se asgjë nuk vjen gratis”, thekson portieri gjerman. /abcnews.al

Neuer-ter-Stegen.jpg
Igli Nikolli16:31 | 04/10/2019

Joachim Low i ka dhënë fund dilemës së portës së kombëtares gjermane. Prej kohësh ekziston një rivalitet dhe debat i madh se kush duhet të jetë titullar: Manuel Neuer i Bayern Munchen apo Marc-Andre Ter Stegen i Barcelonës.

Ky i fundit u shpreh para pak kohësh se ishte lodhur duke qëndruar në stol, ndërsa Uli Hoeness kërcënoi se bavarezët nuk do të dërgonin më lojtarë në kombëtare, nëse Neuer do të humbiste rolin e titullarit.

Low dhe Neuer

Gjermania Kicker paralajmëroi para disa ditësh se të dy portierët do të luajnë në ndeshjet e ardhshme. Kështu ka ndodhur dhe Low e ka konfirmuar këtë gjë në konferencën e tij për shtyp.

“Kemi rënë dakord që Ter Stegen të luajë titullar në miqësoren e 10 tetorit kundër Argjentinës, ndërsa Neuer do të jetë titullar në sfidën eliminatore të Euro 2020  kundër Estonisë pas katër ditësh. E kemi biseduar edhe me lojtarët, të cilët janë në dijeni të këtij vendimi”, përfundon trajneri i kombëtares gjermane.

Neuer-ter-stegen-Marc-ANdre.jpg
Igli Nikolli23:48 | 23/09/2019

Të kesh dy lojtarë të nivelit të lartë në një rol është luks, por edhe problem i madh. Të dy nuk mund të luajnë dhe vjen një moment kur gjërat dalin jashtë kontrollit.

Një situatë pothuajse e ngjashme po ndodh në portën e kombëtares gjermane. Rivaliteti midis Manuel Neuer dhe Marc-Andre Ter Stegen është i madh dhe tifozët janë ndarë në dy kahe.

Deri tani ka qenë titullar fiks portieri i Bayern Munich, por nuk do të jetë kështu në vazhdim. Gjermanja “Kicker” raporton se Joachim Loew ka marrë një vendim.

Trajneri i kombëtares do t’i dhurojë postin e titullarit portierit të Barcelonës në sfidat e radhës të kombëtares gjermane të futbollit. Një veprim i tillë bëhet për të shpërblyer rritjen e tij të madhe si portier, ndërsa nuk është aspak një vendim kundër “gardianit” bavarez. Në ndeshjet e ardhshme të muajti tetor do të jetë Ter Stegen titullari i portës gjermane. /abcnews.al

Neuer.jpg
Igli Nikolli17:00 | 23/09/2019

Në kombëtaren gjermane ka një çështje në lidhje me portën. Manuel Neuer është prej vitesh titullar, ndërsa Marc-Andre Ter Stegen nuk po arrin ta rrëzojë nga froni.

“Gardiani” i Bayernit ka hasur vështirësi këto vitet e fundit, por porta i është besuar gjithmonë atij. Rritja e homologut që mbron portën e Barcelonës është e jashtëzakonshme dhe Ter Stegen është sot një ndër më të mirët në rolin e tij.

27-vjeçari mendon se e meriton një shans për të qenë titullar, por diçka e tillë po vonon. Fjalët e tij nuk janë pëlqyer dhe palët janë ndarë në mendime të ndryshme.

I fundit që ka folur në lidhje me këtë temë është Joshua Kimmich. “Xholi” i ekipit bavarez tenton të ulë tensionin dhe e thjeshton situatën e krijuar në prononcimin e dhënë për “ZDF”.

Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar për fjalët e Marc. Ai tha vetëm që kishte mbetur i zhgënjyer që nuk ka luajtur dhe unë e kuptoj shumë mirë. Në asnjë moment nuk e ka sulmuar kurrë Neuer. Nuk ka asnjë debat dhe problem midis të dyve. Mendimi im në lidhje me titullarin? Pritjet e Manuel tregojnë se nuk ka asnjë diskutim në lidhje me këtë temë. Neuer e meriton rolin e titullarit”, komentoi Kimmich. /abcnews.al

Neuer-ter-Stegen.jpg
Igli Nikolli12:22 | 19/09/2019

Kombëtarja gjermane ka luksin të ketë dy portierë të nivelit botëror në përbërje. Manuel Neuer i Bayern Munich dhe Marc-Andre Ter Stegen i Barcelonës njihen për cilësitë e mëdha që zotërojnë, ndërsa vendi i titullarit është prenotuar prej vitesh nga “gardiani” bavarez.

Katalanasi ndodhet në një formë të mrekullueshme. Diçka të tillë e përsëriti edhe në transfertën gjermane kundër Borussia Dortmund. Pritjet e Ter Stegen, mes tyre edhe një penallti, lejuan Barcelonën të dalë e pamposhtur nga fortesa “Signal Iduna Park” e verdhezinjve të Favre.

Rivaliteti mes të dyve vazhdon, “thumbimet” në distancë nuk kanë munguar, ndërsa Neuer ka prekur sërish këtë temë pas fitores së mbrëmshme kundër Crvena Zvezda, duke vendosur të qetësojë situatën.

“Nuk dua të flas se kush mund të bëjë më mirë nga ne të dy. Jemi një skuadër dhe unë jam një lojtar skuadre. Jemi katër portierë te Gjermania dhe të gjithë bëjmë maksimumin për kombëtaren. Nuk dua të flas në lidhje me diçka të tillë se kush është më i miri dhe kush e meriton rolin e titullarit”, theksoi 33-vjeçari pas fitores 3-0 kundër ekipit serb. /abcnews.al

ter-stegen.png
Vladimir Prenga10:04 | 18/09/2019

Manuel Neuer para pak ditësh e mori një mesazh nga Oliver Kahn, ndërkohë që tanimë është vetë Marc-Andre Ter Stegen ai që e “kërcënon” hapur portierin e Gjermanisë. “Gardiani” i Barcelonës ka shkëlqyer mbrëmjen e djeshme kundër Borusia Dortmund në Champions League.

Portieri i katalanasve, veçse ndali Marc Reus nga pika e bardhë e penalltisë, arriti të neutralizonte edhe disa raste të tjera të rrezikshme të lojtarëve gjermanë. Ter Stegen e mbajti të paprekur portën e tij deri në fund dhe Barcelona mori një pikë në transfertën me Dortmundin.

neuer.jpg
ad min16:15 | 06/07/2019

Bayern mund të humbasë një nga lojtarët e tij më të rëndësishëm. Portieri Manuel Neuer nuk beson se skuadra bavareze mund të fitojë Championsin, ndaj ekziston mundësia që të largohet.

Një kampion nuk dëshiron vetëm shiritin e kapitenit dhe një rrogë maksimale. Për të janë të domosdoshme trofetë, pasi kjo përcakton një karrierë të suksesshme dhe në nivelet më të larta. Manuel Neuer është një nga ata, dhe agjenti i tij i ri, Thomas Krot, i ka bërë jehonë pikërisht këtij aspekti, duke shkaktuar alarm tek Bayern.

“Manueli është i orientuar nga suksesi, – tha ai për gazetën bavareze, “Zydojçe Cajtung”, – për momentin, Bayern nuk është konkurrues sa duhet në nivelet më të larta europiane. Kam përshtypjen se diferenca me katër skuadrat e para të Anglisë është serioze, ndaj në Mynih nuk më duken gati për të realizuar ambiciet e Manuelit”.

Besohet se Krot e nxjerr këtë përfundim duke parë edhe eliminimin e kampiones së Gjermanisë nga Liverpool në raundin e dytë të Championsit, edicionin e kaluar. Neuer ka kontratë deri në 2021, dhe agjenti i tij ka lëshuar një paralajmërim për largimin e mundshëm.

Nëse është kështu, kjo është vera e fundit në të cilën Bayern mund të nxjerrë përfitim të rëndësishëm nga portieri që e mori nga Schalke në vitin 2011. Numri 1 i bavarezëve dhe numri 1 i kombëtares së Gjermanisë është sot 33 vjeç, pra në moshë optimale për një portier, dhe mbetet i padiskutueshëm pavarësisht dëmtimeve që pati së fundmi.

Kritikat janë të shumta nga analistët për drejtuesit e Bayern, Uli Hënes, Karl-Hajnc Rumenige apo Hasan Salihamixhiç. Duket se nuk kanë mjaftuar afrimet e reja, si ai i mbrojtësit francez, Pavard, kampion i botës verën e kaluar në Rusi, apo si ai i francezit tjetër Lucas Hernandez, që erdhi nga Atletiko e Madridit për 80 milionë euro.

Tifozët dhe analistët duan më shumë. Gjithsesi, ja një lajm i mirë. Bayern dhe Robert Levandovski janë në bisedime me kontratën që do të rinovohet deri në 2023.  Kontrata e tanishme e sulmuesit polak vlen deri në 2021, ndërsa pati zëra se ai mund të shkonte tek Manchester United apo Paris SG.

Levandovski ka realizuar 191 gola në 242 ndeshje zyrtare në Mynih, dhe është shënuesi më i mirë i huaj në historinë e Bundesligës me 202 rrjeta. Rroga e tij është e lartë, 15 milionë euro në sezon, por gjithsesi e justifikuar për tregun e sotëm të futbollit, dhe për vlerën që Levandovski ka për Bayernin prej vitesh, që kur mbërriti nga Dortmundi në 2014./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono