manchester city

Guardiola-1280x854.jpg
Igli Nikolli14:22 | 11/11/2019

Manchester City kishte mundësinë për të shkurtuar diferencën me Liverpoolin kryesues, por ekipi i Guardiolës u mposht 3-1 në “Anfield”. Kampionët në fuqi të Anglisë renditën në vend të katërt pas javës së 12-të dhe numërojnë 25.

Leicester City dhe Chelsea numërojnë nga një pikë më shumë, ndërsa “The Reds” janë shkëputur me 9 pikë. Kjo është nisja më e dobët që ka bërë Pep Guardiola në karrierën e tij.

Tre humbjet dhe 13 golat e pësuar në këtë sezon kanë ndikuar që City të mos mbajë ritmin e kryesuesve. Trajneri spanjoll ka drejtuar Barcelonën dhe Bayern Munchen më parë. Në çdo sezon ka grumbulluar më shumë pikë se sa ka momentalisht në 12 javët e para.

Me katalanasit ka qenë gjithmonë në krye ose në vend të dytë në këtë periudhë të sezonit. Më Bayernin dominoi Bundesligën, teksa edhe me Manchester City ka bërë më mirë. Gjithsesi, sezoni është akoma i gjatë dhe potenciali që ka i lejon ekipit të Guardiolës të bëjë më mirë dhe të nisë një seri fitoresh, me shpresën që edhe Liverpooli do të përjetojë “krizën” e vet. /abcnews.al

Guardiola-1280x854.jpg
Veronik Istrefaj20:42 | 10/11/2019

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i ka thurur elozhe skuadrës së tij, edhe pse u mposhtën 3-1 nga skuadra e Liverpool. Pas ndeshjes, trajneri spanjoll foli për Sky Sport, ku mes të tjerash tha:

“Mënyra si luajti skuadra ime në këtë stadium të vështirë ishte e pabesueshme. Jam shumë krenar për ta, shumë krenar. Bëmë një ndeshje të shkëlqyer.

VAR? Nuk ka asnjë kuptim të ankohem tani. Pyesni gjyqtarët nëse ishte penallti apo jo. Pyesni gjyqtarët! Pyesni Mike Riley dhe ata që janë në dhomën e VAR. Mua më pyesni për skuadrën time, që luajti në mënyrë të shkëlqyer. Kjo ishte një ndër ndeshjet më të mira që skuadra ime ka luajtur.

Kishim shumë dëmtime, por skuadra luajti me kokën lart dhe tregoi pse dy vitet e fundit jemi ne kampionët e Anglisë. Nëse Liverpool e fiton titullin, do të jem i pari për t’i përgëzuar”, tha Guardiola./abcnews.al

Mane-1.png
Igli Nikolli18:48 | 10/11/2019

Në Liverpool mund të nisë festa. Ekipi i Jurgen Klopp ka shënuar golin e tretë kundër Manchester City dhe tre pikët e radhës janë vulosur. Kapiteni Henderson krosoi bukur nga krahu i djathtë, neglizhencë e mbrojtjes mike dhe Sadio Mane goditi me kokë dhe dërgoi topin në rrjetë.

Në pjesën e parë kishin shënuar Fabinho dhe Salah, ndërsa tani vjen rrjeta e sulmuesit senegalez. Kjo fitore e dërgon Liverpoolin në kuotën e 34 pikëve pas 11-të javëve të para dhe diferenca me rivalin kryesor shkon në 9 pikë. Titulli kampion mungon te “The Reds” prej vitit të largët 1990 dhe ky është sezoni i duhur për ta rikthyer në shtëpi. /abcnews.al

fABINHO.png
Igli Nikolli17:56 | 10/11/2019

Është zhbllokuar ndeshja Liverpool-Manchester City dhe në “Anfield” ka nisur festa. Vendasit kanë kaluar në avantazh me anë të brazilianit Fabinho në minutën e gjashtë. Gundogan nuk largoi mirë një top të Mane dhe shkatërruesi i “The Reds” lëshoi një predhë drejt portës.

Manchester City pretendoi për një penallti në aksionin para golit. Arbitri kryesor pa pamjet në VAR, por vendosi të mos akordonte penallti për miqtë. Ndeshja ka nisur me polemika dhe emocione, teksa Liverpool ka dyfishuar rezultatin. Skocezi Robertson krosoi bukur nga krahu i majtë dhe Salah goditi saktë me kokë në minutën e 13-të.

Sërish u ndesh ndërhyrja e VAR-it për të konfirmuar pozicionin e sulmuesit egjiptin dhe teknologjia vendosi për gol të rregullt. Liverpooli po udhëheq 2-0 dhe tifozët e kuq kanë nisur koret e tyre. /abcnews.al

Salah.png
Igli Nikolli11:54 | 10/11/2019

Liverpool-Manchester City është ndeshja më e bukur e kësaj fundjave dhe një ndër më spektakolaret e gjithë sezonit në Evropë. Dy klubet më të forta të Anglisë do të luftojnë në “Anfield”, duke nisur nga ora 17:30.

Ekipi i Klopp kryeson me 6 pikë më shumë dhe ky shihet si sezoni i duhur për të rikthyer titullin në qytet pas 30 viteve mungesë. Mohamed Salah nuk i zë besë kundërshtarit dhe nuk i jep rëndësi të madhe avantazhit prej 6 pikësh.

Kështu ishte edhe vjet, por “The Reds” patën një moment të keq dhe Manchester City përfitoi duke u shpallur kampion në fund. Sulmuesi egjiptian flet për Sky Sports, aty ku ndalet edhe te kritikat e tifozëve.

Manchester City fliste për një garë të marrë fund sezonin e kaluar kur ishim para tyre në dhjetor, por e pamë të gjithë se si përfundoi… Mjaftojnë tre ndeshje, një periudhë e keqe dhe gjithçka vihet në dyshim. Gara për fitimin e titullit nuk ka mbaruar dhe nuk do të mbarojë në këtë ndeshje.

“Kritikat nuk i dëgjoj kurrë, nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit. Mendoj vetëm për të shënuar dhe goli rregullon gjithçka. Nuk merrem me pritshmëritë e njerëzve kundrejt meje. Diçka e tillë do të më shtonte presionin“, përfundon ylli i “The Reds”. /abcnews.al

Guardiola-Klopp.png
Igli Nikolli17:46 | 08/11/2019

Liverpool-Manchester City është kryendeshja e kësaj jave në Premier League. Dueli i së dielës zhvillohet në “Anfield” dhe ekipi i Klopp kryeson me 6 pikë më shumë se “Cityzens”.

Pep Guardiola nuk i ka kursyer elozhet për kampionët e Evropës në konferencën për shtyp. Trajneri spanjoll dëshiron të kalojë presionin tek ekipi kundërshtar, teksa beson se djemtë e tij do të imponojnë futbollin e tyre në stadiumin mitik.

Jurgen Klopp ka në dispozicion skuadrën më të mirë në botë. Liverpooli i sezonit të kaluar ishte rivali më i fortë me të cilin jam përballur që kur trajnoj. Gjithsesi, do të tentojmë të fitojmë ndeshjen e së dielës dhe do përpiqemi të imponojmë lojën tonë“, thekson trajneri i Manchester City.

Ederson u dëmtua në ndeshjen kundër Atalantës në mesjavë dhe titullar do të zbresë Claudio Bravo. Braziliani është një mungesë e madhe, por Guardiola beson shumë te eksperienca e portierit nga Kili.

Ederson nuk do të jetë i gatshëm për këtë duel. Claudio Bravo është një djalë i shkëlqyer dhe do të zbresë si titullar. Ai ka fituar shumë dhe zotëron eksperiencën e duhur për një ndeshje të këtij niveli“, përfundon trajneri spanjoll. /abcnews.al

Walker.png
Igli Nikolli17:15 | 08/11/2019

Dëmtimi i Ederson dhe ndëshkimi i Claudio Bravos me të kuqe bënë të mundur që Manchester City të aktivizonte portierin e tretë në barazimin kundër Atalantës në Itali. Pep Guardiola zgjidhi Kyle Walker në portë dhe mbrojtësi 29-vjeçar veshi dorezat, e priti disa goditje të vendasve.

OptaJoe raporton se Walker bëhet në këtë mënyrë i pari “portier” anglez që pret një goditje pas tre vitesh në Champions League. I fundit ishte Ben Hamer  i Leicester City në ndeshjen e dhjetorit të vitit 2016 kundër Portos.

Kampionët e Anglisë rikthehen në fushë të dielën, në një finale të parakohshme për titullin kampion. City do të përballet me Liverpool në “Anfield”, duel që nis n♪ orën 17:30. /abcnews.al

Guardiola.png
Igli Nikolli15:54 | 08/11/2019

Manchester City dhe Pep Guardiola do të tentojnë fitimin e Champions League. Klubi anglez nuk e ka shijuar kurrë një sukses të tillë, ndërsa trajneri spanjoll nuk ia del prej vitit 2011.

Guardiola shpreson t’ia dalë këtë sezon dhe tjetrin të transferohet në… Serie A. Një opsion të tillë nuk e mohoi pas barazimit 1-1 në “San Siro” kundër Atalantës, teksa anglezja Times e përforcon si ide.

Kontrata me “Cityzens” përfundon në verën e vitit 2021, por largimi mund të ndodhë një vit përpara. 48-vjeçari është aktivizuar si lojtar me Brescian dhe Romën në fundin e karrierës dhe rikthimi si trajner në Itali e tundon.

Guardiola ka drejtuar Barcelonën, Bayern Munchen dhe Manchester City. E ardhmja pritet të jetë Serie A, që do të ishte gati ta mirëpriste një prej emrave më të mëdhenj të pankinës. Gjithçka është çështje kohe. /abcnews.al

Guardiola.png
Igli Nikolli23:50 | 06/11/2019

Manchester City bëri gjithçka në ndeshjen kundër Atalantës. Kampionët e Anglisë gjetën golin e avantazhit shumë shpejt në “San Siro”, gabuan penallti, humbën portierët Ederson e Bravo për shkak dëmtimi e kartoni të kuq dhe në fund siguruan një pikë.

Atalanta luajti një futboll të bukur si gjithmonë dhe tregoi forcën e saj. Pep Guardiola e vlerëson shumë ekipin italian dhe pranon rezultatin gjatë analizës së tij. Në të ardhmen mund të transferohet në Serie A, aty ku është aktivizuar si lojtar me Brescian dhe Romën. Spanjolli mund të rikthehet në rolin e trajnerit, por është ende herët…

Nuk më kishte ndodhur kurrë të aktivizoja tre portierë të ndryshëm gjatë një ndeshje. Mund të ndodhte më e keqja, por reaguam mirë. Ilicic bëri mirë që kërkoi kontaktin me Bravon. Ishte e kuqe e pastër. E dinim që Atalanta ka lojtarë të rrezikshëm në një kundër një. Bëmë pak gabime dhe rezultati ishte pozitiv duke njohur potencialin e Atalantës.

Ndonjëherë është më mirë të mos i fitosh të gjitha ndeshjet. Kam bërë shumë budallallëqe si trajner, por kurrë nuk kam zëvendësuar portierin. Champions ka shumë rivalitet, është e pamundur të nënvlerësosh kundërshtarët. Ishte sukses i madh marrja e 4 pikëve kundër Atalantës”.

E ARDHMJA – “Ndoshta do të kthehem në Itali. Do të ishte kënaqësi të stërvisja këtu në të ardhmen. Kam kaluar për mrekulli, kam luajtur për Capellon dhe Mazzonen, por ndihem shumë mirë në Angli“, përfundon trajneri spanjoll i Manchester City. /abcnews.al

Son-Tottenham.png
Igli Nikolli22:59 | 06/11/2019

Emocione por asnjë fitues në duelin Atalanta-Manchester City. Rahem Sterling zhbllokoi shifrat në ndeshjen e zhvilluar në “San Siro” që në minutën e shtatë. Goli i katërt kundër ekipit italian për sulmuesin anglez.

Gabriel Jesus mund të kishte mbyllur ndeshjen në fund të pjesës së parë, por gaboi nga pika e penalltisë. Gjimshitit (u aktivizua si titullar) me shokë i bëri mirë pushimi dhe barazuan menjëherë në fillimin e pjesës së dytë. Gomez krosoi bukur në zonë dhe Mario Pasalic nuk gaboi përballë Claudio Bravos (zëvendësoi Edersonin e dëmtuar në pushim).

“Cityzens” mbetën me një lojtar më pak në minutën e 81-të. Portieri Bravo gaboi dhe në portë u fut mbrojtësi Walker për minutat e mbetura. Pavarësisht insistimit të Atalantës, ndeshja nuk pati më gola dhe u mbyll në barazim 1-1.

Tottenhami ka arritur të sigurojë një fitore me aromë kualifikimi. 0-4 fituan djemtë e Pochettinos në Beograd përballë Crvena Zvezdës vendase, të cilën e mposhtën edhe në shtëpi 5-0. Lo Celso gjeti golin e parë me Spurs në pjesën e parë, teksa në të dytën mendoi Son Heung-Min për të mbyllur ndeshjen.

Lojtari aziatik tronditi tifozët e Crvenës me anë të një dygolëshi të shënuar brenda 4 minutave. Dedikimi ishte për Andre Gomes, të cilin e dëmtoi në ndeshjen e fundjavës në kampionat. Koreano-jugori nuk festoi dhe zgjodhi t’i kërkonte ndjesë portugezit të pafat.

Emocione, gola dhe dramë në Zagreb. Dinamo Zagreb ishte pranë fitores, por Shakhtar shënoi dy herë në minutat shtesë dhe përballja u mbyll 3-3. Ekipi ukrainas kaloi i pari në avantazh në minutën e 13-të, por kroatët përmbysën gjithçka me tre gola të shënuar. Goli i Tete nga pika e penalltisë në minutën e shtatë shtesë i dhuroi një pikë të artë miqve. /abcnews.al

Atalanta – Manchester City 1-1
(Pasalic 49′ / Sterling 7′)

Dinamo Zagreb – Shakhtar Donetsk 3-3
(Petkovic 25′, Ivanusec 83′, Ademi 89′ / Alan Patrick 13′, Moraes 90+3′, Tete (pen) 90+7′)

Crvena Zvezda – Tottenham 0-4
(Lo Celso 34′, Son Heung-Min 57′, 61′, Eriksen 85′)


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono