Mançester Siti

skysports-manchester-city-de-bruyne_4672735.jpg
ent ela11:56 | 19/05/2019

Mançester Siti hyri në histori si skuadra e parë në Angli që fiton çdo trofe kombëtar. Të besuarit e trajnerit Pep Guardiola, po ashtu triumfuan në finalen me rezultatin më të thellë në më shumë se një shekull.

Kur edhe një legjendë si Sër Aleksi dorëzohet, do të thotë se sfida është në kufijtë përtej të mundshmes.

Asnjë skuadër nuk ia kishte dalë në Angli që të fitonte një “treshe” trofesh kombëtarë në një sezon të vetëm, pra titullin kampion, Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës.

Tashmë, dikush e krijoi epokën, e bëri të pamundurën të mundur, dhe kush tjetër përveç Mançester Sitit të Pep Guardiolës.

Edhe në Europë, këtë e kanë bërë shumë pak skuadra të mëdha, vetëm Bajerni, Paris SG, Rejnxhërsi e Sëlltiku apo Benfika.

Një triumf i përmasave historike u arrit me një rezultat gjithashtu historik, me rezultatin më të thellë të finales së Kupës së Anglisë në 116 vjet, dhe duke barazuar rezultatin më të thellë të të gjitha kohëve: 6-0.

“Viktima” ishte Uatfordi, një skuadër shumë e mirë përderisa kishte mbërritur në “Uembli”, por për të cilën finalja erdhi në momentin më të keq, atëherë kur “qytetarët” ishin më të frymëzuar se kurrë.

Autorë të golave ishin David Silva, Gabriel Zhezus, De Brujn, Gabriel Zhezus, Stërling dhe sërish Stërling.

Epërsia ishte e jashtëzakonshme, edhe pse Uatfordi e nisi mirë, duke pasur rast goli, e duke pretenduar për penallti.

Për fat të keq, nuk ia doli të shënonte, dhe u shkatërrua pasi pësoi të parin.

Siti mbajti topin 70 për qind, pati 23 gjuajtje drejt portës, me 11 në kuadrat (2, Uatfordi), si dhe kornet 13-1.

“Ky ishte një nga sezonet e mi më të mirë në karrierë si trajner, – tha Guardiola, – nuk mund të them se është më I miri, por është një prej tyre. Asnjë skuadër nuk ia kishte dalë më parë në këtë vend. Respekt për lojtarët e mi, ata kanë meritën kryesore. Sa për dënimin e UEFA-s, nuk e meritoj këtë pyetje sot, ndërsa ne po festojmë”.

Edhe gazetat nuk u morën me këtë pyetje.

“Deili Star”: Gëzimi i gjashtëshes! Siti shkatërron Uatfordin!

“Deili Telegraf”: Triumfatorët e treshes! Siti bën historinë me “fshesën totale” në shtëpi!

Deili Mirrër” bën lojë fjalësh me titullin e filmit “Seksi dhe qyteti”: Gjashta dhe qyteti! Fitore historike treshe e Pepit!

“Dhi Observer”: Qielli i madh blu! David Silva feston golin ndaj Uatfordit, në fitoren 6-0, që plotësoi një rekord shtëpiak trofesh!

Siti u bë skuadra e parë në Angli që arrin 50 fitore në një sezon, në çdo garë kombëtare.

Po ashtu, ajo vendosi një rekord në Angli duke shënuar 169 gola në një edicion, ndonëse nuk e barazoi apo theu dot rekordin e Barcelonës së Guardiolës në 2012, që realizoi 190 gola.

Kështu u mbyll një sezon i madh, me dështimin e vetëm, atë në Champions, ndërsa Siti rreshtoi triumfet radhazi, Superkupën e Anglisë, titullin kampion, Kupën e Ligës, dhe së fundmi Kupën e Anglisë.

Pati edhe një largim të madh, atë të kapitenit Vinsent Kompani, që deklaroi se mbylli karrierën 11-vjeçare me blutë e Mançesterit, duke fituar thuajse gjithçka. /ABC News Albania 24/7

auto_unnamed_11543925887.jpg
ad min16:55 | 16/05/2019

Mançester Siti mund të përjashtohet nga Championsin sezonin e ardhshëm. Kampionia e Anglisë akuzohet nga UEFA për shkelje të rregullave financiare.

Do të duhet të presë ndoshta një vit, për të provuar këto emocione.

Mançester Siti në Champions mund të jetë një mision i shtyrë të paktën për një vit, pasi UEFA mori vendimin për klubin anglez.

Nuk ishte një lajm I mirë për sheikët pronarë, pasi UEFA vendosi ta quajë të dyshuar për faj, dhe ta dërgojë në Dhomën Dëgjimore të organit të saj të kontrollit financiar.

Siti akuzohet se ka shkelur Rregullat e Lojës së Ndershme Financiare, dhe kjo do të thotë se fitorja e titullit në Angli këtë edicion, mund të mos ketë asnjë vlerë për pjesëmarrjen në shtator në Ligën e ardhshme të Kampionëve.

Klubi anglez doli menjëherë me deklaratë, ku u shpreh se ndihet i zhgënjyer dhe i zemëruar, por aspak i habitur nga kjo rrjedhë që po marrin ngjarjet.

Sheikët thonë se akuzat janë false, pa prova, dhe duke mos marrë parasysh faktet e paraqitura prej tyre.

Gjithsesi, gazeta “Deili Meil” shkruan se Siti është një hap larg përjashtimit, pasi domethënia e akuzës së UEFA-s është shumë e madhe.

Dhoma Dëgjimore e UEFA-s drejtohet nga Iv Laternë, ish-kryeministër i Belgjikës, dhe precedentët janë që ka pasur gjithnjë dënim.

Lajmi fillimisht u dha në 13 maj nga “Nju Jork Tajmsi”, që njoftoi se UEFA e dërgoi klubin anglez në Dhomën Dëgjimore për shkeljet financiare, dhe parashikoi se dënimi do të jetë të paktën 1 vit përjashtim nga Championsi.

Gjithçka nisi një vit më parë, kur dolën në dritë dokumentet e Futboll Liksit, në revistën gjermane “Der Shpigel”.

Autori I Futboll Liksit, portugezi Rui Pinto, nxorri dokumenta sipas të cilave, drejtuesit e lartë të Sitit kanë përdorur kompani të dyshimta, me investim të fryrë, për të justifikuar shpenzimet, dhe për të anashkaluar kufizimet e Rregullave të Lojës së Ndershme Financiare të UEFA-s.

Në vitin 2015, sheikët shitën 13 për qind të aksioneve te një kompani kineze për 400 milionë USD, një shifër që u quajt e ekzagjeruar.

Vendimi pritet të merret brenda pak ditëve dhe nëse ndodh përjashtimi, do të krijohej një dëm I madh për Sitin.

Skuadra e saposhpallur kampione e Anglisë rrezikon ekuilibrin financiar, mund të humbasë yje apo të mos marrë yje të tjerë, gjë që do ta dëmtonte edhe në garën e Premier Ligës.

Siti ka ëndërr të fitojë Championsin, por deri tani gjithnjë ka dështuar të kalojë më tej se çerekfinalet./ABC News Albania 24/7

siti-1280x960.jpg
ad min20:50 | 20/04/2019

Mançester Siti u kthye në krye të renditjes së Premier Ligës pas suksesit ndaj Totenhemit. Skuadra e Pep Guardiolës përballoi presionin pas eliminimit nga Championsi.

Ishte një ndeshje që duhej fituar, dhe kaq.

Nuk vlente mënyra sesi, por pas eliminimit nga Championsi, Mançester Sitit I mbetet vetëm një trofe I madh për të fituar, titulli në Angli, dhe skuadra e Pep Guardiolës nuk gaboi.

Mundi minimalisht me një gol Totenhemin, pikërisht kundërshtarin që e nxorri jashtë Ligës së Kampionëve, duke realizuar një hakmarrje sado të vogël, dhe duke u ngjitur në krye të renditjes së kampionatit.

Fil Foden u bë lojtari më I ri që shënon për Sitin në Premier Ligë, duke qenë i vitlindjes 2000, dhe goli i minutës së katërt doli i mjaftueshëm.

Jo se ndeshja nuk pati çaste emocionuese, madje vendasit i bënë tifozët të vuanin shumë.

Totenhemi nuk u dorëzua, pavarësisht epërsisë së Sitit në zotërimin e topit, duke pasur disa raste për të barazuar.

Son, Dajer apo Lukas Moura patën mundësi të shënonin, por Guardiola u shpëtua nga portieri i tij, braziliani i shkëlqyer Ederson.

Kampionët e Anglisë gjithashtu kishin shanset e tyre, por nervozizmi nuk i lejoi të ishin të qartë e të saktë para portës së Jorisit.

Tensioni u ndje që nga fillimi deri në fund, dhe ishte i natyrshëm për shkak të dështimit të madh në Champions, ku Siti cilësohej favorit.

Të dyja skuadrat patën pretendime për gjyqtarin, duke kërkuar penallti.

Në pjesën e parë ishte radha e vendasit, ndërsa pas pushimit Spërsat protestuan fort, por pa dobi.

Me këtë fitore, Mançester Siti ka 86 pikë ndaj 85 të Liverpulit, tashmë me ndeshje të barabarta, dhe mban kreun e Premier Ligës./abcnews.al

MANCESTER-SITI-FITON-NE-ANGLI-1280x784.jpg
ent ela19:51 | 30/03/2019

Mançester Siti u ngjit në krye të renditjes në Premier Ligën angleze. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola mundi 2-0 Fulhamin dhe kaloi mbi Liverpulin

Gara për titull rinisi, madje ashtu siç duhet. Mançester Siti nuk e pati aspak problem të merrte tri pikët në Londër, në stadiumin e Fulhamit, dhe të ngjitej menjëherë në krye të renditjes së Premier Ligës.

Epërsia e plotë në pjesën e parë ishte vendimtare, pasi u shënuan të dy golat në suksesin pikërisht 2-0. Bernardo Silva kaloi në epërsi kampionët që në minutën e 3-të, dhe Sergio Aguero dyfishoi shifrat pa kaluar as gjysmë ore lojë, ndërsa Siti po luante futboll me një portë.

Kjo ishte fitorja e shtatë radhazi në kampionat e djemve të trajnerit Pep Guardiola, që mund të kishin fituar shumë më thellë.

Nuk e bënë, edhe sepse humbën raste, por edhe sepse nuk ishte nevoja. Edhe një trajner si Guardiola, edhe një ekip spektakolar si Siti duhet të bëjnë llogari dhe të kursejnë energji për pjesën e mbetur të sezonit, kur duhet fituar jo vetëm titulli në Angli, por sidomos Championsi.

Me këtë sukses, u arrit niveli I 77 pikëve ndaj 76 të Liverpulit. Nëse krahason fitoren e Sitit me atë të Liverpulit pikërisht në fushën e Fulhamit, kupton se skuadra e Guardiolës e pati më të lehtë, pra mund të quhet favorite për titullin. Gjithsesi, gara do të jetë e fortë deri në fund, dhe kampion do të shpallet ai ekip që do të gabojë më pak./abcnews.al

LIVERPULI-I-AFROHET-SITIT.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela18:51 | 10/03/2019

Liverpuli iu përgjigj Mançester Sitit duke fituar dhe duke u afruar në vetëm 1 pikë largësi me kreun e Premier Ligës. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop mendon tani për duelin ndaj Bajernit në Champions.

Nuk ishte suksesi më i lehtë, por ishte gjithsesi ai që duhej. Liverpuli mundi 4-2 Uatfordin dhe iu afrua sërish në 1 pikë diferencë Mançester Sitit kryesues, në renditjen e Premier Ligës.

Formacioni i trajnerit Jurgen Klop përballoi presionin, pasi rivali mbaroi punë që të shtunën, po ashtu përballoi edhe dizavantazhin e hershëm, kur miqtë shënuan që në minutën e 6-të, madje direkt nga goditja e këndit.

U duk se portieri Alison u pengua, por gjyqtari e quajti golin e Eshli Uestudit.

Jo më kot Klopi kishte deklaruar se lojtarët e tij janë aq të fortë sat a përballojnë trysninë, dhe ata e bënë më së miri.

Reaguan shpejt që në pjesën e parë, me golat e Roberto Firminos e Sadio Manesë.

Vazhduan presionin pas pushimit, kur Firmino realizoi edhe golin e tretë.

Nuk u prish ndonjë punë që në fund, Uatfordi shkurtoi diferencën me anë të islandezit Gudmundson.

Sadio Mane plotësoi dygolëshin e tij dhe kompletoi fitoren e vendasve.

Liverpuli ka tani 73 pikë, vetëm 1 pikë më pak se Siti, por me golaverazh më të dobët.

Trajneri Klop nuk u kursye aspak me formacionin, duke hedhur në fushë lojtarët më të mirë, edhe pse të mërkurën do të ndeshet me Bajernin në Mynih, në një duel vendimtar për kualifikimin në Champions. /abcnews.al

man.jpg
ent ela16:13 | 11/02/2019

Mançester Siti arriti një fitore të jashtëzakonshme në Premier Ligën angleze, duke mposhtur Çelsin 6-0. Skuadra e Pep Guardiolës u ngjit sërish në krye të renditjes.

Një humbje e tillë kishte 28 vjet që nuk ndodhte. Çelsi pësoi një katastrofë të vërtetë në fushën e Mançester Sitit, duke u mundur me shifrat 0-6, madje me katër gola të pësuar që në pjesën e parë. Skuadra londineze, që e nisi sezonin me pretendime për titullin, tani rrezikon të mos kualifikohet as për në Champions, dhe ka zbritur në vendin e gjashtë në renditjen e Premier Ligës.

Ishte një sukses i jashtëzakonshëm i Sitit, madje edhe për standardet e larta të vendosura nga trajneri Pep Guardiola. Heroi i ndeshjes ishte sulmuesi Kun Aguero, autor i tri rrjetave. Jo më kot, argjentinasi është shënuesi më i mirë në historinë e klubit me 222 gola gjithsej. Fitorja bëri që Siti të ngjitej sërish në krye të renditjes, me pikë të barabarta me Liverpulin, por me golaverazh më të mirë.

Gjithsesi, skuadra e Guardiolës ka luajtur një ndeshje shumë sesa ajo e Jurgen Klopit. Duket se gara për titull do të jetë shumë e fortë këtë vit, ndërsa analistët theksuan se Liverpuli duhet të fitojë çdo ndeshje deri në fund të sezonit, për t’ia dalë ndaj një rivali kaq të fortë.

Sa për Çelsin, duket se trajneri Mauricio Sarri, do ta humbasë shpejt postin e tij. Presidenti i Bluve të Londrës, Roman Abramoviç, nuk njihet si njeri me durim të madh, dhe nuk besohet t’ia falë një disfatë kaq të thellë. /abcnews.al

image-2.jpg
ent ela20:17 | 20/01/2019

Mançester Siti nuk e vonoi aspak përgjigjen ndaj Liverpulit në Premier Ligën angleze. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola arriti një tjetër sukses, dhe shkurtoi diferencën me kreun në 4 pikë

Janari i fitoreve ende nuk ka përfunduar.

Mançester Siti po ashtu nuk i ka dhënë ende fund fitoreve në këtë muaj të bekuar për të, duke shtuar edhe suksesin 3-0 në stadiumin e Hadërsfildit.

Skuadra e trajnerit Pep Guardiola u duk përsëri në formën e saj më të mirë, apo siç thonë anglezët. “në elementët e saj”, duke realizuar një triumf që u duk si ekzekutimi i një seance të përsosur stërvitore.

Me këtë rezultat, kampionët e Anglisë u afruan përsëri në 4 pikë diferencë me Liverpulin që kryeson Premier Ligën, ndërsa mënyra sesi ia dolën, ishte më e lehtë sesa ajo e ekipit të trajnerit Jurgen Klop.

Gjithsesi, pjesa e parë nuk ishte plotësisht bindëse, pasi lojtarët nuk e gjetën dot ritmin e zakonshëm, diçka që ndryshoi pas pushimit.

Danilo realizoi rrjetën e parë pas devijimit të një lojtari vendas, Rahim Stërling shtoi të dytin, pas një aksioni ku Leroi Sane ishte në pozicion jashtë loje, dhe vetë Sane shënoi golin e tretë.

E gjitha kjo në vetëm 56 minuta lojë.

Avantazhi i madh i Sitit nuk ishte vetëm klasi i lartë i lojtarëve, por edhe altruizmi i tyre, me sulmuesin kryesor, Kun Aguero, që shërbeu Sanenë për golin e tretë, duke mos u treguar aspak egoist.

Guardiola këtë herë la në stol Gabriel Zhezusin, David Silvën e Bernardo Silvën, dhe kjo tregon sesa shumë potencial ka skuadra e tij.

Me këtë fitore, Mançester Siti u ngjit në kuotën e 56 pikëve, ndaj 60 të Liverpulit, me dy ekipet që janë shkëputur nga të tjerët, të vetmit pretendentë për titullin kampion./abcnews.al

MANCESTER-SITI-FITON-NE-ANGLI-1280x784.jpg
ent ela13:12 | 05/12/2018

Mançester Siti po e përballon siç duhet presionin e UEFA-s, për një përjashtim të mundshëm në Champions. Skuadra e Pep Guardiolës vazhdoi serinë e fitoreve në Angli, duke u shkëputur në krye.

Rreziku nuk vjen vetëm nga rivalët në fushën e lojës. Edhe pse është në pozitat e duhura në Ligën e Kampionëve, Mançester Siti mund të përjashtohet nga Championsi prej UEFA-s, por gjithsesi, skuadra e Pep Guardiolës po tregon nerva të forta.

E tregoi me fitoren 2-1 në fushën e Uatfordit, sukses që bëri që ajo të shkëputej në 5 pikë nga Liverpuli në krye të Premier Ligës angleze.

Natyrisht, Liverpuli ka mundësi të afrohet pasi ende nuk e ka luajtur ndeshjen e kësaj jave, por gjithsesi, kampionët vazhdojnë serinë pozitive, në dukje të pashqetësuar nga rreziku i madh në Europë.

Siti ia doli falë golave të Leroi Sanesë në fund të pjesës së parë, dhe të Rijad Mahrezit menjëherë pas pushimit, por Guardiola nuk mbeti plotësisht i kënaqur.

Guardiola: “Ne fituam, por morëm një leksion. U takova me skuadrën pas ndeshjes dhe i thashë se nuk mund të shpërqëndroheshim në 20 apo 25 minutat e fundit. Gjithsesi, nuk është ndonjë alarm I madh, pasi është normale të bësh gabime dhe të mësosh prej tyre. Nuk dua të flas për problemet me UEFA-n, pasi I takon klubit dhe unë kam besim te klubi. Arritëm një fitore të rëndësishme, ndërsa tani duhet të bëhemi gati për një ndeshje tjetër të vështirë, si ajo ndaj Çelsit në fundjavë”.

Siti ka 41 pikë në krye të Premier Ligës, ndaj 36 të Liverpulit, që luan sonte në orën 20:45 në fushën e Bërnlit.

Kampionët janë po ashtu të kualifikuar në Champions, ndonëse duhet të presin se çfarë rruge do të marrë hetimi i UEFA-s ndaj tyre, për shkelje të dyshuara të Lojës së Ndershme Financiare. /abcnews.al

city.jpg
ad min21:52 | 25/11/2018

Mançester Siti dhe Liverpuli duken skuadrat e vetme pretendente për titull në Angli. Gjithsesi, trajneri i Sitit, Guardiola, nuk është ende i kënaqur nga lojtarët e tij.

Pritej të ishte një garë treshe, por duket se ka një reduktim. Mançester Siti e Liverpuli vazhduan me fitoret në Premier Ligë, duke u shkëputur nga rivali tjetër, Çelsi, që pësoi disfatë në derbin e Londrës. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola konfirmoi sërish se është favorite për titullin kampion, me suksesin 4-0 në fushën e Uest Hemit. Të mbiquajturit “qytetarët” jo vetëm dinë të fitojnë, por edhe të japin spektakël duke shënuar shumë gola. David Stërling, Silva dhe Sane ishin autorët e tyre, Gjithsesi, Guardiola sërish nuk ishte plotësisht i kënaqur.

“Në pjesën e parë ishim nën nivelin e duhur, – tha trajneri katalanas, – lojtarët u vonuan shumë për të pasuar topin, por pas pushimit ishim më mirë. Ne nuk mund të kënaqemi me këtë që po bëjmë, pasi duam të mbrojmë titullin, diçka që nuk ka ndodhur kurrë tek Siti. Liverpuli po zhvillon sezonin më të mirë në histori, dhe kjo na motivon edhe më shumë”.

Liverpuli vërtet po luan edicionin më të mirë, edhe pse është një skuadër me shumë më tepër emër se Siti. Triumfi 3-0 në fushën e Uatfordit bëri të mundur që skuadra e Jurgen Klopit të mbetej në vend të dytë, vetëm dy pikë larg Sitit, ndonëse nuk është në gjendje të shënojë aq shumë sa ajo. Salah, Arnold dhe Firmino ishin protagonistët e rrjetave, ndërsa Shaqiri luajti si titullar për 74 minuta.

Po me Çelsin çfarë ndodhi?

Formacioni i trajnerit Mauricio Sarri humbi në mënyrë të merituar derbin me Totenhemin, në stadiumin “Uembli”. Blutë e Londrës u duk sikur po luanin një miqësore, dhe morën kritika të mëdha nga analistët, ndërsa Spërsat luajtën vërtet si në një derbi. Dele Ali, Kejn dhe koreanojugori Son shënuan për vendasit, që kaluan Çelsin në renditje, me 30 pikë ndaj 28. Sarri kritikoi ashpër lojtarët e tij, ndërsa blutë mbetën 7 pikë larg kreut, ndonëse ende në zonën Champions./abcnews.al

vlcsnap-2018-08-21-14h42m51s153-1280x720.png
ent ela14:43 | 21/08/2018

Liverpuli vazhdoi me fitoret në Premier Ligën angleze, por trajneri Klop nuk është i sigurt nëse ekipi i tij është pretendent për titull. Tekniku gjerman kërkon t’i marrë ndeshjet njërën pas tjetrës.

I respektoi parashikimet, apo jo?

Liverpuli nuk mbeti prapa Mançester Sitit, duke arritur fitoren e dytë në dy ndeshje në Premier Ligën angleze, por a do të thotë suksesi ndaj Kristël Palasit, se mund të luftohet për titull?

Nuk është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, aq më tepër kur sezonin e kaluar, të kuqtë dolën në vend të katërt, me 25 pikë më pak sesa skuadra kampione e Pep Guardiolës.

Kjo ishte një arsye që trajneri Jurgen Klop, edhe pse mbeti i kënaqur me tri pikët e marra, nuk deshi të tregohej shumë euforik.

Klop: “Është shumë herët për të bërë parashikime, dhe unë aktualisht nuk mendoj fare për këtë. Ne nuk mund të jemi në garë me ekipet e tjerë të Premier Ligës, çdo fundjavë. Nuk është se ishim të sigurt për fitoren, madje unë nuk isha I sigurt nëse do të kishim shënuar në pjesën e parë, por kështu janë ndeshjet e kampionatit dhe ne duhet të përshtatemi. Nuk dua të flas për titullin, ju si gazetarë mund të diskutoni sa të doni, por pa ne”.

Fitorja në Londër nuk ishte aspak e lehtë, dhe u arrit pas një penalltie të dyshimtë fituar nga Mohamed Salah, në minutën e fundit të pjesës së parë, dhe u sigurua nga një gol i shënuar në minutën e fundit të ndeshjes.

Vendasit, madje, mund të kishin kaluar të parët në epërsi, kur goditën traun.

Klop tregon se çfarë u tha lojtarëve.

Klop: “Në ato momente, karburanti është drejt përfundimit dhe ndoshta lojtarët kanë nevojë për pak ndihmë nga një trajner i zemëruar, që u thotë “vraponi, ndryshe do t’iu vras”. Ata, më pas, realizuan një kundërsulm të shkëlqyer”.

Liverpuli ka 6 pikë pas dy ndeshjeve të para, po aq sa Siti, Totenhemi, Çelsi, Uatfordi e Bornmuthi, duke qenë në vend të dytë, me golaverazhin 6 gola të shënuar e asnjë të pësuar. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono